Korbi: Ç’gjë e bën atë të ndryshëm?
NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË KANADA
«‘O korb i zi, i frikshëm e i moçëm, që endesh bregut nëpër natë . . . , nga zemra ime nxirre sqepin, nga dhoma ime ik, dil jashtë!’ ‘Kurrë më’,—korbi tha.»—Edgar Alen Po, «Korbi».
KUSH do të mendonte se ky zog është në ndonjë mënyrë i pazakontë me ngjyrat e tij të errëta dhe krrakëllitjen e trishtuar? E pra, atyre që s’dinë shumë për zogjtë, në shikim të parë ai u duket thjesht si një sorrë me përmasa të jashtëzakonshme. Nuk tërheq menjëherë vëmendjen ashtu si grifsha blu, kushërira e tij me ngjyra, me pendët e saj ngjyrë blu të shndritshme. Pak do ta konsideronin krakëllitjen e korbit si një këngë, ndonëse ky zog klasifikohet në një grup me klasën passerinus apo të zogjve këngëtarë. Gjithsesi, mos e nënvlerësoni këtë zog. Ajo që i mungon atij në këngën melodioze dhe në pamjen me ngjyra, kompensohet në një masë të madhe në mënyra të tjera. Korbi ka një bukuri dhe karakteristika krejt tipike. Në fakt, shumë ekspertë në fushën e zogjve e klasifikojnë korbin në një klasë më vete.
Veçoritë dalluese
Korbi i zakonshëm (Corvus corax) është pa dyshim më i madhi dhe më i denji i të gjithë familjes së sorrave (Corvidae). Ai mund të jetë më shumë se dyfishi i peshës së një sorre të zakonshme dhe i një gjatësie rreth 0,6 m me një hapje krahësh prej rreth 1 m. Ndryshimi nga sorra qëndron në atë se ai ka një sqep më të fortë dhe një bisht të gjatë e në formë pyke. Një vëzhgim më nga afër zbulon, gjithashtu, pendët qimeashpra të gushës, që janë një shenjë identifikuese për korbin. Ai është i famshëm për të fluturuar lart, ndërsa sorrat priren të rrahin krahët e të rrëshqasin.
Korbi radhitet mes zogjve më të mëdhenj të të gjithë atyre që qëndrojnë mbi degë. Duke vëzhguar këtë zog të madh tek rri mbi një degë peme, do të mrekulloheshit nga mënyra se si ai mbahet, që të mos rrëzohet prej saj. Në pjesën e prapme të çdo këmbe ai ka një kthetër të fuqishme, që i shërben për t’u kapur pas degës; megjithatë, sekreti se si rri i varur, qëndron në mekanizmin e tij të sigurimit, i cili përbën një pjesë përbërëse të strukturës së tij. Muskujt dhe gilcat tërheqin automatikisht gishtat e këmbës, duke formuar një grusht kur ai mblidhet kruspull. Këmbët e fuqishme dhe me përdorim të gjithanshëm, janë, gjithashtu, të përshtatshme për të ecur dhe për të çjerrë, duke e pajisur atë në këtë mënyrë fare mirë, për të grumbulluar ushqim të një varieteti të gjerë mjedisesh ushqyese.
Territori dhe fluturimi i «rrufesë së zezë»
Shumë pak zogj kanë një territor aq të gjerë sa korbi. Ai është një endacak i vërtetë. Mund të gjendet në shumë pjesë të Hemisferës Veriore. Ai jeton në një terren kaq të ndryshëm, duke filluar nga zonat e shkretëtirës, në pyjet halore të Kanadasë dhe të Siberisë, ku bën një fole të ndërlikuar me shkarpa dhe me material tjetër të disponueshëm nëpër pemët e larta; në shkëmbinjtë e detit në Amerikën e Veriut dhe në Skandinavi, si dhe në tundrën dhe ishujt e Oqeanit Arktik. Duket se zonat e shkreta janë emërusi i përbashkët i territorit të tij, pasi korbi është në përgjithësi një zog i zonave të shkreta.
Shembuj të territoreve të tij të ndryshme mund të gjenden në vendin e Biblës, ku jetojnë dy varietete të korbit të madh e të zi. Njëri varietet e ndërton shtëpinë e tij në hapësirat e mëdha të shkretëtirës në jug, ndërsa varieteti tjetër popullon rajonin e veriut. Korbat e zinj e bëjnë folenë nëpër qoshet dhe të çarat e shkëmbinjve përgjatë grykave të thella. Korbat u përdorën nga Jehovai për të ushqyer Elinë, ndërsa ai fshihej në luginën e përroit Kerith. (1. Mbretërve 17:3-6) Tregimi i Isaisë për korbat që jetojnë në «zbrazëtinë dhe gurët e boshllëkut» të Edomit, është, gjithashtu, përshkrues i territorit të tyre të banimit.—Isaia 34:11.
Korbat janë fluturues të shkëlqyer. Është bukur t’i shohësh ata ndërsa ngrihen pa vështirësi, duke formuar qarqe të gjera, duke këqyrur me vëmendje zonën që shtrihet poshtë për ushqim. Ata bëjnë akrobaci në ajër pa asnjë vështirësi, duke bërë kollotumba dhe madje duke bërë fluturime të shkurtra së prapthi, sidomos gjatë periudhës kur kërkon femrën dhe nganjëherë duket se e bën thjesht për kënaqësi. Fluturimi i korbit është përshkruar me vend nga Bernt Hinrih në veprën e tij Ravens in Winter: «Ai zbret vrik dhe vërtitet si një rrufe e zezë nga qielli ose shpejton me një fluturim të lirë dhe elegant.» Ai shton se ky zog është «një kampion i ajrit dhe zotëron akoma aftësi të tjera». Forca e fluturimit të korbit është dhënë si një arsye se përse Noeja zgjodhi atë si krijesë të parë, për ta dërguar jashtë arkës në kohën e Përmbytjes.—Zanafilla 8:6, 7.
Hajdutë të adaptueshëm dhe mendjemprehtë
Natyralistët e konsiderojnë korbin si një ndër zogjtë më të adaptueshëm dhe të shkathët. Siç shprehet një burim, «dinakëria e tij është legjendare». Çfarëdolloj rrethanash që të ndeshë, korbi është në gjendje ta përballojë sfidën, për t’iu adaptuar kushteve ekzistuese, sidomos kur bëhet fjalë për ushqimin. Natyrisht, fakti që nuk është hamës sqimatar, e ndihmon! Korbi ha gati çdo gjë që i kap kthetra: fruta, fara, arra, peshk, kërma, kafshë të vogla, plehra. Oreks «korbi»? Ndoshta. Dhe nuk është nazeli se ku ta gjejë ushqimin, duke rrëmihur madje dhe borën, për të sulmuar thasët e plehrave gjatë motit të ashpër nën zero, në pjesët veriore të territorit të tij. Veç kësaj, korbat ndjekin gjuetarët dhe peshkatarët për ditë tëra, duke nuhatur në njëfarë mënyre se do të ketë ushqim për ta, kur t’i vijë koha.
Të njohur me emrin Corvidae, anëtarët e familjes së sorrave janë hajdutë të regjur dhe korbat nuk bëjnë përjashtim. Ata nuk janë kundër vjedhjes së ushqimit nga zogjtë apo kafshët e tjera dhe janë vërejtur duke mashtruar qentë. Një çift korbash e bën me radhë: njëri shpërqendron qenin, ndërsa tjetri lëshohet për të marrë ushqimin. Arti i një fisi indian paraqet një korb dinak, i cili vjedh peshk nga një peshkatar që peshkon në akull.
Korbat kanë një lidhje të veçantë me ujqërit, duke i ndjekur tufat e ujqërve në një mënyrë të vazhdueshme. Ata hedhin valle gjatë sezonit të vrasjes së ujqërve, por përsëri duket se ata sillen me humor ndërsa e bëjnë këtë. Biologu i ujqërve L. David Mek jep dëshmi se ka parë korba, duke u bërë dredhi ujqërve. Ai tregon atë që ka ndodhur me një korb, që ecte duke u tundur si patë para një ujku që po çlodhej, i çukiste atij bishtin dhe pastaj kërcente tutje, kur ujku i hidhej. Kur ujku e ndiqte, korbi e linte të afrohej deri sa të ishte rreth 30 cm larg tij e pastaj fluturonte. Më pas, ulej pak më larg ujkut dhe përsëriste të njëjtën gjë. Një tregim tjetër flet për një korb që luante, duke ndjekur pas të vegjëlit e ujkut. Kur ata mërziteshin nga loja, korbi ulej duke klithur me zë të çjerrë, derisa ata të rifillonin përsëri lojën.
Revista Canadian Geographic i referohet një radioje transmetuese nga Jellounajf, që përfshin territoret veriperëndimore, e cila tregonte për korbat që ulen në çatitë e pjerrëta metalike të ndërtesave tregtare, me sa duket në pritje, që poshtë të kalojnë kalimtarë, të cilët nuk e kishin mendjen aty, e kështu ata të hedhin borën e grumbulluar që rrëshqet mbi kokat e tyre. S’është çudi që popullsia haide e bregut perëndimor të Kanadasë e quan korbin dredharak!
Shqiptimet dhe aftësia e të mësuarit
«Fjalori» i korbit është jashtëzakonisht i gjerë dhe i ndryshëm. Përveç krakëllitjes më të njohur, më të thellë dhe therëse, e cila njihet si shenjë e shqetësimit të perceptuar, thuhet se shqiptimet e tij tregojnë butësi, lumturi, habi, emocione dhe zemërim. Korbat mund të imitojnë, gjithashtu, thirrjet e zogjve të tjerë brenda rrezes së tyre të zërit, sidomos duke personifikuar realisht sorrën.
Masa në të cilën korbat mund të mësohen për të folur, ka qenë një çështje që ka ngjallur disa debate. Megjithatë, Kandes Saveixh, dokumenton në librin e saj Bird Brains, tregime për korba të zbutur, që janë mësuar të imitojnë të folurin e njeriut. Sipas legjendës, poeti Edgar Alen Po, mori një korb dhe me kujdes e stërviti atë që të shqiptonte me krakëllitjen e tij të zymtë fjalët «kurrë më», duke frymëzuar poemën e tij të famshme, Korbi, e cila përshkruan «një të ri që vajton vdekjen e të dashurës së tij».
Pak debate bëhen lidhur me aftësinë e korbit për të mësuar. Nëse zogjtë mund të klasifikoheshin për inteligjencë, duket se korbi do të ishte në fillim të listës. Biologu i kësaj fushe Bernt Hinrih, vëren se korbi «supozohet që është intelektuali i botës së zogjve». Ai thotë se «kur vihen në provë, korbat tregojnë mendjehollësi». Në një eksperiment, një korb përcaktoi brenda gjashtë orësh se si të merrte një copë mishi që ishte varur në një spango, kurse sorrat po punonin akoma mbi problemin edhe 30 ditë më vonë. Korbat madje janë mësuar që të numërojnë. Njohuria e tyre mund t’i kontribuojë jetëgjatësisë së tyre, pasi korbat jetojnë më shumë se 40 vjet në djerrina dhe më shumë se 70 vjet në robëri. Natyrisht, për çdo aftësi që korbi zotëron, merita i duhet dhënë mençurisë së Krijuesit të tij.
Ky zog është gjerësisht i njohur dhe i respektuar nga ata që i dinë cilësitë e tij të veçanta. Ai mund të gjendet nëpër legjenda përreth botës. Ai është bërë i famshëm nga shkrimtarët e të kaluarës dhe të së tashmes. (Shiko kutinë, faqe 24.) Po, korbi është një zog shumë interesant. Por, ç’mund të thuhet për bukurinë e tij?
Një bukuri tipike
E pra, a nuk e keni dëgjuar shprehjen «flokë të zinj si të korbit»? (Kënga e këngëve 5:11) Pendët e tij të zeza e të shndritshme me blunë e përhimtë të ylberit dhe me nuancat e purpurta, ku anët e poshtme të puplave nganjëherë kanë një nuancë jeshile, i japin një domethënie të vërtetë fjalës «korb». Përfytyro korbin që fluturon lart me madhësinë e tij që të bën përshtypje dhe pendët e zeza me shkëlqim, gjë që bën kontrast me tokën shterpë të shtëpisë së tij të shkretë. Ose përfytyro kontrastin ndërmjet këtij zogu të zi si qymyri, që ka një shkëlqim të fortë dhe borës së bardhë, të pastër e të rënë rishtas. Artistët e kanë bërë për vete bukurinë e korbit. Artisti Robert Baitman sjell ndër mend: «Më kishin bërë për vete shpatet e pjerrëta me borë me një bukuri të rrallë në Parkun Jellouston, një pamje e fortë, e shndritshme që kombinonte mirë me formën e fuqishme të korbit.»
Mund të thuhet vërtet se për sa i përket bukurisë, historisë, territorit, fluturimit, dinakërisë dhe forcës, korbi është një zog që dallon.
[Kutia në faqen 24]
Korbi nëpër legjenda dhe në literaturë
LEGJENDA:
Legjendat kineze, egjiptiane, greke, semitike dhe siberiane e përshkruajnë korbin si një parashikues të stuhive dhe të motit të keq. Ndoshta këto legjenda kishin Noen dhe Përmbytjen si origjinë të tyre.
Korbi nënkupton jetën dhe krijimin nëpër legjendat e Siberisë dhe është perëndia-krijues i vendasve të Amerikës së Veriut.
Nëpër legjendat e Afrikës, të Azisë dhe të Evropës, korbi paralajmëron vdekjen.
LITERATURË:
Në Bibël, korbi shquhet si zogu i parë i përmendur me emër specifik.—Zanafilla 8:7.
Në veprat e Shekspirit korbi është portretizuar në thelb si ogurzi dhe i lig (Jul Cesari, Makbethi, Otello), por është përfytyruar si bamirës që ushqen fëmijët e braktisur. —Tit Androniku, Përralla e dimrit.
Çarls Dikens e përshkruan korbin si një personazh zbavitës në Barnabi Rëdxh.
Në poemën e tij, Korbi, Edgar Alen Po, e shoqëroi korbin me dashurinë e humbur dhe me dëshpërimin.
[Kutia në faqen 25]
Mësimet që nxjerrim
Ka mësime që duhen nxjerrë nga korbi. Vetë Biri i Perëndisë tha: «Vini re korbat! Ata nuk mbjellin e nuk korrin, nuk kanë as qilar as hambar, e megjithatë Perëndia i ushqen.» (Luka 12:24) Meqenëse shtëpia e tij është shpesh në vende të shkreta, ushqimi duhet kërkuar në një rreze të madhe territori. Korbat zgjedhin vetëm një bashkëshort për gjithë jetën dhe janë prindër të përkushtuar. Kur ndërtojnë folenë, ata duhet të sigurojnë ushqim në mënyrë të vazhdueshme, për të bërë të heshtin britmat e ngjirura të të vegjëlve të tyre të uritur. Kur po i jepte Jobit një mësim në lidhje me mençurinë e pasqyruar në krijim, Jehovai përfshiu si shembull korbin. (Jobi 38:41) Përderisa Perëndia siguron të nevojshmen për korbin, i cili ishte shpallur i papastër nga Ligji i Moisiut, ne mund të jemi të sigurt se ai nuk do të braktisë njerëzit që besojnë në të.
[Burimi i figurave në faqen 23]
Korbat në faqet 23-25: © 1996 Justin Moore