Mësime praktike nga Toka e Premtuar
TOKA e Premtuar siç paraqitet në Bibël ishte pa dyshim krejt e veçantë. Në këtë zonë relativisht të vogël, gjejmë një shumëllojshmëri të madhe tiparesh gjeografike. Në veri ka male të mbuluara me borë, ndërsa në jug, rajone me klimë të nxehtë. Ka ultësira pjellore, zona shkretëtire të pabanuara dhe vende kodrinore për pemëtari e për kullota.
Shumëllojshmëria e lartësisë, e klimës dhe e tokës, lejojnë rritjen e një varieteti të gjerë pemësh, shkurresh dhe bimësh të tjera, duke përfshirë ato që lulëzojnë në zona të ftohta alpine dhe ato që rriten në shkretërira tropikale e të tjera akoma që çelin në fusha të formuara nga prurjet e lumenjve apo në rrafshnaltat shkëmbore. Sipas një botanisti, mund të gjenden rreth 2.600 lloje bimësh. Izraelitët e parë, të cilët eksploruan vendin panë menjëherë dëshmi të potencialit të këtij vendi. Ata morën me vete nga një luginë lumi një vile rrushi kaq të madhe, sa duhej mbajtur nga dy burra në një shkop. Me të drejtë lugina quhej Eshkol, që do të thotë «Vile [rrushi]».a—Numrat 13:21-24.
Por, tani le t’i hedhim një sy më nga afër disa tipareve gjeografike të këtij brezi toke të pakrahasueshëm, veçanërisht pjesës jugore.
Shephelahu
Bregu jugor i Tokës së Premtuar është bregdeti i tij në Detin Mesdhe. Rreth 40 km më në brendësi të tokës gjendet Shephelahu. Fjala «Shephelah» do të thotë «Ultësirë», por në të vërtetë kjo është një zonë kodrinore dhe mund të quhet e ulët vetëm kur krahasohet me malet e Judesë në lindje.
Hidhi një sy hartës me prerje tërthore dhe vëre lidhjen e Shephelahut me territoret përreth. Në lindje janë malet e Judesë; në perëndim fusha bregdetare e Filistisë. Në këtë mënyrë, Shephelahu shërbente si një zonë neutrale, një pengesë që në kohët biblike ndante popullin e Perëndisë nga armiqtë e tij të moçëm. Çdo ushtri pushtuese nga perëndimi duhej të kalonte Shephelahun para se të hidhej kundër Jerusalemit, kryeqytetit të Izraelit.
Një incident i ngjashëm ndodhi gjatë shekullit të nëntë p.e.s. Bibla raporton se Hazaeli, mbret i Sirisë, «doli për të luftuar kundër Gathit [ka të ngjarë në kufi të Shephelahut] dhe e pushtoi; pastaj Hazaeli u përgatit të sulmonte Jerusalemin». Mbreti Joash mori masa për të ndaluar Hazaelin, duke i çuar gjëra të çmuara nga tempulli dhe pallati. Sidoqoftë, ky tregim ilustron se Shephelahu kishte një rëndësi vendimtare për sigurinë e Jerusalemit.—2. Mbretërve 12:17, 18.
Nga kjo mund të nxjerrim një mësim praktik. Hazaeli donte të pushtonte Jerusalemin, por në fillim duhej të kalonte Shephelahun. Në mënyrë të ngjashme, Satana Djalli ‘kërkon të përpijë’ shërbëtorët e Perëndisë, por shpesh duhet që së pari të depërtojë në një zonë të fuqishme neutrale: në ndjekjen e parimeve biblike, si ato që kanë të bëjnë me shoqëritë e këqija dhe materializmin. (1. Pjetrit 5:8; 1. Korintasve 15:33; 1. Timoteut 6:10) Kompromentimi i parimeve biblike, shpeshherë është hapi i parë drejt kryerjes së mëkateve serioze. Prandaj, mbaje të sigurt këtë zonë neutrale. Ndiq parimet biblike sot dhe nuk do t’i thyesh ligjet e Perëndisë nesër.
Zona kodrinore e Judesë
Akoma më në brendësi të Shephelahut shtrihet zona kodrinore e Judesë. Kjo është një zonë malore që prodhon grurë të mirë, ullinj dhe verë. Edhe Judeja ishte një strehim i shkëlqyer, për shkak të lartësisë së madhe të saj. Për këtë arsye, mbreti Joham ndërtoi atje «vende të fortifikuara dhe kulla». Në kohë turbullirash, njerëzit mund të shkonin atje për siguri.—2. Kronikave 27:4.
Jerusalemi, i quajtur edhe Sion, ishte një pjesë e shquar e zonës kodrinore të Judesë. Jerusalemi dukej i sigurt, pasi në tri anë rrethohej nga lugina të thikëta dhe sipas Jozefit, një historian i shekullit të parë, ana veriore mbrohej nga tri mure njëri pas tjetrit. Sidoqoftë, strehimi ka nevojë për diçka më shumë se muret dhe armët për të qenë i sigurt. Duhet të ketë edhe ujë. Uji është thelbësor gjatë një rrethimi, sepse pa të, qytetarët e zënë në grackë do të ishin të detyruar të dorëzoheshin pa e bërë të gjatë.
Jerusalemi nxirrte një rezervë uji nga Pellgu i Siloamit. Megjithatë, gjatë shekullit të tetë p.e.s., në pritje të rrethimit të asirianëve, mbreti Ezekia ndërtoi një mur të jashtëm për të mbrojtur Pellgun e Siloamit, duke e futur brenda qytetit. Përveç kësaj, ai thau burimet jashtë qytetit, me qëllim që asirianët rrethues ta kishin të vështirë për të gjetur ujë. (2. Kronikave 32:2-5; Isaia 22:11) Por nuk mbaroi me kaq. Ezekia gjeti një mënyrë për të devijuar një rezervë tjetër uji brenda në Jerusalem.
Në atë që është quajtur një nga veprat më madhështore të projektimit në antikitet, Ezekia gërmoi e hapi një tunel nga burimi i Gihonit deri në Pellgun e Siloamit.b Ky tunel ishte mesatarisht 1,8 m i lartë dhe 533 m i gjatë. Mendo pak: një tunel gati gjysmë kilometri i gjatë, çante shkëmbin! Sot, rreth 2.700 vjet më vonë, ata që vizitojnë Jerusalemin mund të ecin nëpër ujë në këtë kryevepër të projektimit të njohur gjerësisht si tuneli i Ezekisë.—2. Mbretërve 20:20; 2. Kronikave 32:30.
Përpjekjet e Ezekisë për të mbrojtur dhe për të rritur rezervat në ujë për Jerusalemin mund të na japin një mësim praktik. Jehovai është «burimi i ujit të gjallë». (Jeremia 2:13, BR) Mendimet e tij, që gjenden në Bibël, janë ato që mbështesin jetën. Ja, përse është thelbësor studimi personal i Biblës. Por mundësia për të studiuar dhe njohuria që vjen më pas, nuk do të zbrazen vetë mbi ty. Ndoshta do të të duhet të ‘gërmosh tunele’, si për shembull nëpër rutinën e përditshme tepër të zënë për t’u bërë vend atyre. (Proverbat 2:1-5; Efesianëve 5:15, 16) Pasi të kesh filluar, përmbaju rreptësisht programit që ke bërë, duke i dhënë përparësi më të madhe studimit personal. Trego kujdes që të mos lejosh askënd apo asgjë të të grabisë këtë burim të çmuar uji.—Filipianëve 1:9, 10.
Zonat e shkretëtirës
Në lindje të maleve të Judesë gjendet shkretëtira e Judesë, e quajtur, gjithashtu, edhe Jeshimon, që do të thotë «Shkretëtirë». (1. Samuelit 23:19, shënimi, BR) Në Detin e Kripur, kjo zonë shterpë është karakteristikë e grykave shkëmbore dhe e shkëmbinjve të thepisur. Duke zbritur rreth 1.200 m në vetëm 24 km, shkretëtira e Judesë mbrohet prej erërave që sjellin shi nga perëndimi, e në këtë mënyrë aty ka vetëm një sasi të kufizuar reshjesh. Kjo është pa dyshim shkretëtira, ku u dërgua dhia për Azazelin, Ditën vjetore të Shlyerjes. Është, gjithashtu, vendi ku Davidi i shpëtoi Saulit. Këtu Jezui agjëroi për 40 ditë dhe më pas u tundua nga Djalli.—Levitiku 16:21, 22; Psalmi 63, mbishkrimi; Mateu 4:1-11.
Përafërsisht 160 km në jugperëndim të shkretëtirës së Judesë gjendet shkretëtira e Paranit. Shumë nga kampet e Izraelit gjatë udhëtimit të tyre 40-vjeçar nga Egjipti për në Tokën e Premtuar ishin vendosur këtu. (Numrat 33:1-49) Moisiu shkroi për një «shkretëtirë të madhe dhe të tmerrshme, vend gjarprinjsh helmues dhe akrepash, tokë e thatë pa ujë». (Ligji i përtërirë 8:15) Është çudi që miliona izraelitë mundën të mbijetonin. Megjithatë, ishte Jehovai ai që i mbështeti.
Le të na vlejë kjo gjë si një kujtues se Jehovai mund të na mbështesë edhe ne, madje edhe në këtë botë shterpë nga ana frymore. Po, edhe ne duhet të endemi mes gjarpërinjve dhe akrepave, edhe pse ndoshta nuk janë të vërtetë. Ndoshta na duhet që ditë për ditë të takohemi me njerëz, që nuk ngurrojnë të vjellin fjalë helmuese, të cilat mund të infektojnë lehtë mënyrën tonë të të menduarit. (Efesianëve 5:3, 4; 1. Timoteut 6:20) Ata që përpiqen t’i shërbejnë Perëndisë pavarësisht nga këto pengesa, janë për t’u lavdëruar. Qëndrimi i tyre plot besim është një provë e fuqishme se vërtet Jehovai po i mbështet.
Kodrat e Karmelit
Emri Karmel do të thotë «kopsht pemësh». Kjo zonë pjellore në veri, është stolisur me vreshta, korije me ullinj dhe pemë frutore në një gjatësi prej 50 km. Kepi i këtij vargu kodrinor është i paharrueshëm për hijeshinë dhe bukurinë e tij. Isaia 35:2 flet për ‘madhështinë e Karmelit’ si një simbol të lavdisë pjellore të tokës së vendosur të Izraelit.
Në Karmel kanë ndodhur disa ngjarje të shquara. Pikërisht këtu Elija sfidoi profetët e Baalit dhe «ra zjarri i Zotit» si provë e pushtetit të Tij suprem. Gjithashtu, pikërisht në majë të Karmelit, Elija tërhoqi vëmendjen drejt resë së vogël, e cila u bë një rrebesh i madh, duke i dhënë fund kështu në mënyrë të mrekullueshme thatësirës në Izrael. (1. Mbretërve 18:17-46) Pasuesi i Elisë, Eliseu, ishte në Malin Karmel, kur gruaja nga Shunemi vajti për t’i kërkuar ndihmë për fëmijën e saj të vdekur, të cilin më pas Eliseu e ringjalli.—2. Mbretërve 4:8, 20, 25-37.
Në shpatet e Karmelit ka akoma kopshte me pemë, korije me ullinj dhe hardhi. Gjatë pranverës këto shpate mbulohen nga një pamje e mrekullueshme lulesh. «Koka jote lartohet mbi ty si Karmeli»,—i tha Solomoni virgjëreshës Shulamitë, ndoshta duke menduar flokët e saj të bulburisur ose mënyrën në të cilën koka e saj e bukur ngrihej me madhështi nga qafa.—Kënga e këngëve 7:5.
Madhështia karakteristike e kodrave të Karmelit na kujton bukurinë frymore që Jehovai ka vënë mbi organizatën e e tij me adhurues në ditët moderne. (Isaia 35:1, 2) Dëshmitarët e Jehovait jetojnë vërtet në një parajsë frymore dhe pajtohen me ndjenjat e mbretit David, i cili shkroi: «Vetë vijat e matjes ranë për mua në vende të këndshme.»—Psalmi 16:6, BR.
Vërtet, ka sfida të vështira që kombi frymor i Perëndisë sot duhet të përballojë, ashtu siç u ndeshën izraelitët e lashtë me kundërshtime të vazhdueshme nga armiqtë e Perëndisë. Megjithatë, të krishterët e vërtetë janë gjithmonë të vetëdijshëm për bekimet që Jehovai u ka dhënë, duke përfshirë dritën gjithnjë e në rritje të së vërtetës biblike, vëllazërinë mbarëbotërore dhe mundësinë për të fituar jetën e përhershme në një tokë parajsore.—Proverbat 4:18; Gjoni 3:16; 13:35.
«Si kopshti i Jehovait»
Toka e Premtuar gjatë lashtësisë kishte një pamje të bukur për syrin. Me të drejtë, ajo është përshkruar si «një vend ku rrjedh qumështi dhe mjalti». (Zanafilla 13:10; Dalja 3:8) Moisiu e quajti atë «një vend të mirë, një vend me rrjedha uji e me burime që dalin nga luginat dhe nga malet; një vend me grurë dhe elb, me vreshta, me fiq dhe shegë, një vend me ullinj që japin vaj dhe me mjaltë; një vend ku do të hash bukë sa të duash, ku nuk do të të mungojë kurrgjë; një vend ku gurët janë hekur dhe ku do të rrëmosh bakër nga malet».—Ligji i përtërirë 8:7-9.
Nëse Jehovai mundi t’ia japë këtë vend të pasur e të bukur popullit të tij të lashtë, me siguri që mund t’u japë edhe shërbëtorëve të tij të besueshëm, në ditët moderne, një parajsë të lavdishme që shtrihet në mbarë tokën: me male, lugina, lumenj dhe liqene. Po, Toka e Premtuar në lashtësi me gjithë shumëllojshmërinë e saj ishte vetëm një shijim që më përpara i parajsës frymore që Dëshmitarët e tij gëzojnë sot dhe i parajsës së ardhshme në botën e re. Në këtë botë të re do të përmbushet profecia që gjejmë në Psalmin 37:29, i cili thotë: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.» Kur Jehovai t’u japë këtë shtëpi parajsore njerëzve të bindur, sa të lumtur do të jenë ata tek vëzhgojnë të gjitha «dhomat» e saj dhe këtë gjë ta bëjnë sa të jetë jeta!
[Shënimet]
a Ekzistojnë të dhëna se një vile rrushi në këtë vend peshonte 12 kg dhe një tjetër më shumë se 20 kg.
b Burimi i Gihonit gjendej tamam jashtë kufirit lindor të Jerusalemit. Ishte i fshehur në një shpellë, kështu që asirianët ka të ngjarë të mos ishin në dijeni për ekzistencën e tij.
[Harta në faqen 4]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin)
GALILEJA
Mali Karmel
Deti i Galilesë
SAMARIA
SHEPHELAHU
Malet e Judesë
Deti i Kripur
[Burimi]
Foto NASA
[Harta në faqen 4]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin)
Shephelahu shërbente si një pengesë që ndante popullin e Perëndisë nga armiqtë e tij
MI 0 5 10
KM 0 8 16
Fusha e Filistisë
Shephelahu
Zona kodrinore e Judesë
Shkretëtira e Judesë
Lugina Rift
Deti i Kripur
Toka e Amonit dhe e Moabit
[Harta dhe figura në faqen 5]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin)
Tuneli i Ezekisë: 533 m i gjatë, çante nëpër një zonë të fortë shkëmbore
Pellgu i Poshtëm
Siloami
QYTETI I DAVIDIT
Lugina e Kidronit
Gihoni
[Figurat në faqen 6]
Në shkretëtirën e Judesë, Davidi kërkoi strehim për t’u mbrojtur nga Sauli. Më vonë, këtu Djalli tundoi Jezuin
[Burimi]
Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.
[Figurat në faqen 7]
Mali Karmel, ku Elija poshtëroi profetët e Baalit
[Burimi]
Pictorial Archive (Near Eastern History) Est.
[Figurat në faqen 8]
«Zoti Perëndia yt, po të bën të hysh në një vend të mirë, një vend me rrjedha uji e me burime që dalin nga luginat dhe nga malet.»—Ligji i përtërirë 8:7