Kapitulli 23
Marrëdhëniet seksuale para martesës
«Ç’TË keqe ka nëse duheni? Apo duhet pritur derisa të martoheni?» «Jam akoma e virgjër. Mos ka ndonjë gjë që s’shkon tek unë?» Pyetje si këto ka shumë mes të rinjve.
Megjithatë, «djali apo vajza që nuk ka pasur marrëdhënie seksuale kur ishte adoleshent, përbën një përjashtim»,—përfundoi një raport i Institutit Alan Gutmaker në vitin 1981. «Tetë ndër 10 meshkuj dhe shtatë ndër 10 femra thoshin se kishin pasur marrëdhënie seksuale gjatë viteve të adoleshencës.»
«E përse jo?»—mund të pyesësh. Në fund të fundit është e natyrshme të ndjesh se dikush të do. Përveç kësaj, kur je i ri, pasionet mund të jenë aq të fuqishme sa të marrin mendjen. Gjithashtu, ekziston edhe ndikimi i bashkëmoshatarëve. Ndoshta thonë se është bukur të kesh marrëdhënie paramartesore dhe se kur e do me të vërtetë një person, është e natyrshme dëshira për të qenë intim me të. Disa mund të thonë madje se marrëdhëniet seksuale tregojnë se ke arritur moshën e pjekurisë si mashkull apo si femër. Duke mos dashur të dukesh i çuditshëm, ndoshta ndihesh i detyruar t’i provosh marrëdhëniet seksuale.
Ndryshe nga mendimi i zakonshëm, jo të gjithë të rinjtë nxitojnë për të dhënë virgjërinë e tyre. Le të shohim, për shembull, një vajzë të re beqare me emrin Elda. Ajo po bënte një vizitë mjekësore, kur mjeku e pyeti troç: «Çfarë metode kundër ngjizjes përdor?» Elda iu përgjigj: «Asnjë.» Atëherë doktori tha me habi: «Çfarë!? Dëshiron të mbetesh shtatzënë? Si mendon të mos mbetesh shtatzënë, kur nuk përdor asgjë?» Elda iu përgjigj: «Sepse nuk kam marrëdhënie seksuale!»
Mjeku ia nguli sytë me mosbesim. «Kjo është e pabesueshme,—tha ai.—Këtu vijnë vajza 13-vjeçare e nuk janë më të virgjëra. Ti je njeri vërtet i çuditshëm.»
Ç’gjë e bënte Eldën ‘të çuditshme’? Ajo i bindej këshillës biblike: «Trupi nuk është për kurvëri [duke përfshirë marrëdhëniet seksuale paramartesore] . . . Largohuni nga kurvëria!» (1. Korintasve 6:13, 18) Po, ajo pranonte se marrëdhënia seksuale para martesës është një mëkat serioz kundër Perëndisë! «Ky është vullneti i Perëndisë,—thotë 1. Selanikasve 4:3,—të hiqni dorë nga kurvëria.» Por, përse Bibla i ndalon marrëdhëniet paramartesore?
Pasojat
Edhe në kohët biblike, disa patën marrëdhënie seksuale paramartesore. Një grua imorale ftoi një djalë të ri për të bërë qejf me të, duke i thënë: «Eja të dehemi me dashuri deri në mëngjes, të kënaqemi në qejfe dashurie.» (Proverbat 7:18) Megjithatë, Bibla paralajmëronte se kënaqësitë e sotme, mund të shkaktojnë dhimbje nesër. «Sepse buzët e gruas që shkel kurorën nxjerrin mjaltë dhe goja e saj është më e butë se vaji»,—vërejti Solomoni. «Por,—vazhdoi ai,—në fund ajo është e hidhur si pelini, e mprehtë si shpatë me dy presa.»—Proverbat 5:3, 4.
Një pasojë e mundshme është marrja e ndonjë sëmundjeje të transmetuar në rrugë seksuale. Mendo ankthin e zemrës, nëse vite më vonë dikush mëson se një përvojë seksuale i ka shkaktuar dëme të pakthyeshme, ndoshta shterpësi apo ndonjë problem të rëndë shëndetësor. Sipas paralajmërimit të Proverbave 5:11, «të mos rënkosh kur do të të vijë fundi, kur mishi dhe trupi yt do të jenë të konsumuar». Marrëdhëniet paramartesore të shpien, gjithashtu, në paligjshmëri (shiko faqet 184-185), abort dhe martesë të parakohshme, secila me pasojat e saj të dhimbshme. Po, ai që kryen marrëdhënie seksuale paramartesore, vërtet «mëkaton kundër trupit të vet».—1. Korintasve 6:18.
Duke pranuar këto rreziqe, dr. Riçard Li shkroi kështu në një gazetë: «Ne mburremi me të rinjtë tanë për hapat e mëdhenj që kemi bërë përpara në parandalimin e shtatzënisë dhe në trajtimin e sëmundjeve veneriane, duke shpërfillur parandaluesin më të sigurt dhe specifik, më pak të kushtueshëm dhe toksik të shtatzënisë dhe sëmundjeve veneriane: gjendjen e lashtë, të ndershme dhe madje të shëndetshme të virgjërisë.»—Yale Journal of Biology and Medicine.
Ndjenja faji dhe zhgënjimi
Shumë të rinj, kanë kuptuar, gjithashtu, se marrëdhëniet paramartesore janë një zhgënjim i hidhur. Me çfarë rezultati? Ndjenja faji dhe respekt më i paktë për veten. Adriani tridhjetë e tre vjeçar pranoi: «Mbeta tepër i zhgënjyer. Nuk ndjeva atë kënaqësi dhe dashuri të zjarrtë që mendoja. Përkundrazi, kur kuptova se sa gabim kisha vepruar, u preka thellë. Më vinte shumë turp që kisha treguar mungesë vetëkontrolli.» Një vajzë e re tha: «U ktheva në realitet me një ndjenjë pështirosjeje. . . . Kënaqësia kishte marrë fund dhe më dukej vetja e sëmurë, e përçmuar, e ndotur. As nuk u ndjeva më mirë, kur e dëgjova të thoshte: ‘Përse lejove të arrinim deri në këtë pikë?’»
Sipas dr. Xhei Segal, këto reagime nuk janë të rralla. Pasi studioi aktivitetin seksual të 2.436 studentëve të kolegjit, ai përfundoi: «Pakënaqësia dhe zhgënjimi në përvojat e para [seksuale], i kapërcenin ato përvoja që kishin dhënë kënaqësi e gëzim me një mesatare gati dy herë më shumë. Si meshkujt ashtu edhe femrat kujtonin se kishin mbetur shumë të zhgënjyer.» Vërtet, edhe çiftet e martuara mund të kenë ndonjëherë vështirësi kur bëhet fjalë për marrëdhëniet seksuale. Por në një martesë, ku ka dashuri të sinqertë dhe angazhim këto probleme zakonisht kalohen.
Çmimi i përzierjes seksuale
Disa të rinj nuk ndihen aspak në faj për faktin se kanë marrëdhënie e kështu shkojnë pas kënaqësisë epshore, duke kërkuar të kenë marrëdhënie seksuale me partnerë të ndryshëm. Studiuesi Robert Sorensen, në studimin e tij për marrëdhëniet seksuale në moshën e adoleshencës, vërejti se këta të rinj paguajnë një çmim për këtë gjë. Sorensen shkruan: «Në intervistat private, shumë [të rinj që kanë pasur marrëdhënie të përziera] thonë . . . se besojnë që jeta që bëjnë është krejtësisht pa qëllim dhe pa kënaqësi.» Dyzet e gjashtë për qind e tyre pajtohen me mendimin: «Me jetën që bëj tani, shumë nga aftësitë e mia harxhohen kot.» Sorensen zbuloi më tej se këta të rinj që kryenin marrëdhënie të përziera raportonin «besim dhe respekt të paktë për veten».
Është ashtu siç thotë Proverbat 5:9 se ata që bëjnë imoralitet, «u japin të tjerëve dinjitetin [e tyre]».—BR.
Rizgjimi
Pasi djali dhe vajza kanë kryer marrëdhënie të paligjshme seksuale, ata shpesh e shohin njëri-tjetrin ndryshe. Djali mund të kuptojë se ndjenjat e tij për vajzën nuk janë aq të forta si më parë; madje ajo mund t’i duket më pak tërheqëse. Nga ana tjetër, vajza mund të ndihet e shfrytëzuar. Sill ndër mend tregimin e Biblës që flet për Amnonin, një djalë të ri dhe se si ai u sëmur nga dashuria që kishte për virgjëreshën Tamara. Por, pas marrëdhënieve që pati me të, «Amnoni filloi ta urrejë me një urrejtje shumë të madhe».—2. Samuelit 13:15.
Një vajzë me emrin Ledia pati një përvojë të ngjashme. Pas marrëdhënieve seksuale, ajo pranoi: «E urreja veten (për dobësinë që kisha treguar), por urreja edhe të dashurin. Në fakt, marrëdhëniet seksuale që menduam se do të na afronin më shumë, i vunë kapak lidhjes sonë. Nuk desha ta shihja më me sy.» Po, duke kryer marrëdhënie seksuale para kohe, një çift kapërcen një kufi, nga i cili nuk mund të kthehet më kurrë pas.
Pol H. Landis, një studiues i respektuar në fushën e jetës familjare, vëren: «Efekti i përkohshëm [i marrëdhënieve paramartesore] mund të jetë ai i forcimit të marrëdhënies, kurse efekti i zgjatur në kohë mund të jetë krejt i ndryshëm.» Në fakt, çiftet që kanë kryer marrëdhënie seksuale paramartesore kanë më shumë mundësi të ndahen, sesa ata që nuk kanë kryer. Për ç’arsye? Marrëdhëniet e paligjshme seksuale ngjallin xhelozi dhe mosbesim. Një djalë tha kështu: «Disa, pas marrëdhënieve seksuale mendojnë: ‘Kur e bëri me mua, do ta ketë bërë edhe me të tjerë.’ Unë për vete të paktën u ndjeva kështu. . . . Isha jashtëzakonisht xheloz, i pasigurt dhe dyshues.»
Sa larg është kjo nga dashuria e sinqertë, e cila «nuk është xheloze, . . . nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon interesat e saj». (1. Korintasve 13:4, 5, BR) Dashuria që ndërton marrëdhënie të qëndrueshme nuk bazohet në pasionin e verbër.
Dobitë e dëlirësisë morale: paqe dhe respekt për veten
Dëlirësia morale mund të ketë dobi të tjera përveç shmangies së pasojave të tmerrshme. Bibla tregon për një vashë të re, që qëndroi e dëlirë pavarësisht nga dashuria e madhe që kishte për të dashurin. Prandaj, ajo tha me kokën lart: «Unë jam një mur dhe sisët e mia janë si kulla.» Ajo nuk ishte si një «portë», që ‘përplaset’ nga presionet imorale. Ajo qëndroi moralisht si një mur i pakapërcyeshëm i një kalaje me kulla të paarritshme. Ajo meritonte të quhej «e pastër» dhe mundi të thoshte për burrin e saj të ardhshëm, «në sytë e tij jam bërë si ajo që ka gjetur paqen». Paqja e saj mendore i kontribuoi kënaqësisë së të dyve.—Kënga e Solomonit (Kantiku i kantikëve) 6:9, 10; 8:9, 10.
Elda, vajza e dëlirë e përmendur më parë, pati të njëjtën paqe mendore dhe respekt për veten. Ajo tha: «Më vinte mirë për veten. Edhe kur shokët e punës më tallnin, e shikoja virgjërinë time si një diamant të çmuar, për faktin se ishte kaq e rrallë.» Përveç kësaj, të rinj si Elda nuk janë plagosur nga një ndërgjegje fajtore. «S’ka gjë më të bukur se të kesh një ndërgjegje të mirë para Perëndisë Jehova»,—thotë Bledi, një i krishterë 19-vjeçar.
«Por si mund të njihet mirë një çift, nëse nuk ka marrëdhënie seksuale?»—mund të pyesin disa të rinj.
Ndërto një intimitet të qëndrueshëm!
Një marrëdhënie të përhershme nuk mund ta farkëtojë vetëm marrëdhëniet seksuale. Të njëjtën gjë nuk mund ta bëjnë as shprehjet e dashurisë si puthjet. Një vajzë e re me emrin Imelda, thotë: «Nga përvoja mësova se nganjëherë ndodh shumë shpejt që të bëhesh tepër intim fizikisht.» Kur një çift e kalon kohën, duke shfaqur shprehje dashurie për njëri-tjetrin, komunikimi domethënës merr fund. Në këtë mënyrë, ata mund të mbulojnë mosmarrëveshje serioze, që mund të dalin në sipërfaqe pas martesës. Kur Imelda më vonë filloi të shoqërohej me një djalë tjetër, me të cilin më në fund u martua, ajo u kujdes të mos bëhej tepër intime me të fizikisht. Imelda tregon: «E kalonim kohën, duke zgjidhur problemet dhe duke folur për synimet që kishim në jetë. Munda të zbuloja personin me të cilin po martohesha. Pas martese, kishte vetëm surpriza të këndshme.»
A ishte e vështirë për Imeldën dhe të dashurin e saj të tregonin një vetëkontroll të tillë? «Po, ishte,—pranon Imelda.—Nga natyra jam njeri i dashur. Megjithatë, flisnim për rreziqet dhe ndihmonim njëri-tjetrin. Që të dy dëshironim shumë t’i pëlqenim Perëndisë dhe të mos prishnim martesën tonë të ardhshme.»
Por, a nuk i ndihmojnë përvojat e marrëdhënieve të parakohshme seksuale një burrë dhe një grua? Jo, përkundrazi, kjo gjë shpesh e pakëson intimitetin martesor. Në marrëdhëniet paramartesore i jepet theks kënaqësisë personale, aspekteve fizike të seksit. Respekti reciprok minohet nga pasioni i pakontrolluar. Pasi janë marrë këto zakone egoiste, është e vështirë të lihen, gjë që shkatërron marrëdhënien.
Në martesë marrëdhënia e shëndetshme intime kërkon përmbajtje dhe vetëkontroll. Duhet theksuar më shumë dhënia, «kryerja e detyrës martesore» dhe jo marrja. (1. Korintasve 7:3, 4) Dëlirësia morale të ndihmon ta zhvillosh këtë vetëkontroll. Ajo të mëson të kujdesesh në mënyrë altruiste për mirëqenien e tjetrit përpara dëshirave të tua. Gjithashtu, mos harro se kënaqësia martesore nuk i detyrohet drejtpërdrejt faktorëve fizikë! Sociologu Seimor Fisher thotë se reagimi seksual i një gruaje varet, gjithashtu, nga «ndjenjat e intimitetit, afërsisë e besueshmërisë» dhe nga «aftësia [e burrit] për t’u njëjtësuar me të shoqen dhe . . . nga fakti se sa besim ka ajo tek ai».
Është interesante se në një studim me 177 gra të martuara, tre të katërtat e atyre që kishin pasur marrëdhënie seksuale paramartesore, raportonin vështirësi seksuale gjatë dy javëve të para të martesës. Përveç kësaj, të gjitha ato që raportonin vështirësi të vazhdueshme seksuale, «kishin pasur histori me marrëdhënie paramartesore». Studimi ka treguar më tej se ato që kishin pasur marrëdhënie seksuale paramartesore kanë dyfishin e mundësive për të kryer tradhti bashkëshortore pas martesës. Sa të vërteta janë fjalët e Biblës: ‘Prostitucioni . . . të lë pa mend.’—Hozea 4:11.
Prandaj, ‘ç’të mbjellësh, atë edhe do të korrësh’. (Galatasve 6:7, 8) Mbill epshe dhe do të korrësh dyshime dhe pasiguri me bollëk! Kurse, po mbolle vetëkontroll, do të kesh një korrje të mbarë me besim dhe siguri. Elda që përmendëm më lart, ka disa vite që është martuar dhe bën një jetë të lumtur. I shoqi thotë: «Është një gëzim i papërshkrueshëm kur kthehem tek gruaja në shtëpi dhe e di se i përkasim vetëm njëri-tjetrit. Asgjë s’mund ta zëvendësojë këtë ndjenjë besimi.»
Edhe ata që presin deri në martesë gëzojnë paqe mendore, duke ditur se i pëlqejnë Perëndisë. Megjithatë, dëlirësia morale në këto ditë nuk është edhe aq e lehtë. Ç’gjë mund të të ndihmojë në këtë aspekt?
Pyetje për t’u trajtuar
◻ Sa të përhapura janë marrëdhëniet seksuale paramartesore mes të rinjve që njeh? A krijon kjo gjë ndonjë problem apo presion për ty?
◻ Cilat janë disa pasoja negative në marrëdhëniet paramartesore? A njeh ndonjë djalë apo vajzë që i ka pësuar?
◻ A është kontrolli i lindjeve përgjigjja e problemit të shtatzënisë tek adoleshentët?
◻ Përse disa ndihen fajtorë dhe të zhgënjyer pas marrëdhënieve të paligjshme seksuale?
◻ A mendon se marrëdhëniet seksuale e ndihmojnë një çift të pamartuar për t’u afruar më shumë me njëri-tjetrin? Përse përgjigjesh kështu?
◻ Si mund të njihet një çift gjatë kohës së shoqërimit?
◻ Sipas teje, çfarë dobish mund të kesh kur qëndron i virgjër deri në martesë?
[Diçitura në faqen 182]
«Djali apo vajza që nuk ka pasur marrëdhënie seksuale kur ishte adoleshent, përbën një përjashtim.»—Instituti Alan Gutmaker
[Diçitura në faqen 187]
«Mbeta tepër i zhgënjyer. Nuk ndjeva atë kënaqësi dhe dashuri të zjarrtë që mendoja»
[Diçitura në faqen 190]
Duke kryer marrëdhënie seksuale para kohe, një çift kapërcen një kufi, nga i cili nuk mund të kthehet pas më kurrë
[Kutia dhe figura në faqet 184, 185]
«S’ka për të ndodhur me mua!»—Problemi i shtatzënisë tek adoleshentët
«Më shumë se 1 ndër 10 adoleshente mbetet shtatzënë çdo vit dhe raporti është duke u rritur. Nëse prirja nuk ndryshon, katër ndër 10 vajza të reja do të mbeten shtatzënë të paktën një herë gjatë viteve të adoleshencës.» Kështu raporton një libër. (Teenage Pregnancy: The Problem That Hasn’t Gone Away) Cilat vajza mbeten shtatzëna? Një gazetë thoshte: «Vajzat e moshës shkollore që mbeten shtatzënë vijnë nga të gjitha klasat ekonomiko-shoqërore . . . Të gjitha racat, besimet, të gjitha pjesët e vendit: fshatare apo qytetare.»—Adolescence.
Në të vërtetë, pak vajza dëshirojnë të mbeten shtatzënë. Në një studim të tij të thellë me mbi 400 adoleshente shtatzëna, Frank Furstenberg Jr, vërejti: «Shumica theksonin vazhdimisht nëpër intervista thënien: ‘Kurrë nuk e mendoja se do të më ndodhte.’»
Duke parë se disa nga shoqet e tyre kishin pasur marrëdhënie seksuale dhe s’kishin mbetur shtatzënë, disa vajza menduan të bënin edhe ato ashtu. Gjithashtu, Furstenberg thotë: «Disa prej tyre thoshin se nuk e mendonin që ishte e mundur të mbeteshin shtatzëna ‘përnjëherë’. Të tjera mendonin se po të kishin marrëdhënie vetëm ‘nganjëherë’, nuk do të mbeteshin shtatzënë . . . Sa më shumë që të vazhdonin të kishin marrëdhënie pa u ngjizur, aq më shumë kishte mundësi për të marrë përsipër rreziqe më të mëdha.»
Megjithatë, e vërteta është se kurdo që të kryhen marrëdhëniet seksuale, ekziston rreziku i shtatzënisë. (Në një grup me 544 vajza, ‘gati një e pesta mbetën shtatzënë gjashtë muaj pasi kishin filluar marrëdhëniet seksuale’.) Shumë vajza, ngjashëm një nëne të pamartuar të quajtur Rudina, vendosin vetë të mos përdorin metoda për të kontrolluar lindjet. Si shumë vajza të tjera, Rudina kishte frikë se përdorimi i metodave kundër ngjizjes do t’i dëmtonte shëndetin. Ajo thotë më tej: «Që të përdorja metodat kundër ngjizjes, duhej të bindja veten se po bëja një gjë të gabuar. Këtë nuk e bëja dot. Prandaj, e hoqa këtë mendim nga mendja dhe shpresoja që të mos më ndodhte gjë.»
Një arsyetim i tillë është i zakonshëm mes nënave të pamartuara. Në studimin e Furstenbergut, «rreth gjysma e adoleshenteve deklaruan se për një grua ishte shumë e rëndësishme të priste martesën për të filluar marrëdhëniet seksuale . . . S’mund të mohojmë se kishte një mospërputhje të dukshme mes fjalëve dhe veprave . . . Ato kishin adoptuar disa norma dhe ishin mësuar të jetonin me norma të tjera». Ky konflikt emocional «e bën veçanërisht të vështirë për këto gra që të kenë një qëndrim realist lidhur me pasojat e sjelljes së tyre seksuale».
Edhe përdorimi i metodave kundër ngjizjes nuk e siguron një vajzë se nuk do të bëhet nënë. Një libër na kujton: «Çdo metodë ka njëfarë dështimi. . . . Edhe nëse adoleshentët e pamartuar do të përdornin vazhdimisht metoda kundër ngjizjes, . . . çdo vit [në SH.B.A.] akoma 500.000 vajza do të mbeteshin shtatzënë.» (Kids Having Kids) Një nënë 16-vjeçare e pamartuar me emrin Armela, psherëtin duke thënë: «I merrja me plot besim [pilulat kundër ngjizjes]. Me ndershmëri nuk lashë asnjë ditë pa i marrë.»
«Mos u gënjeni,—paralajmëron Bibla.—Perëndia nuk vihet dot në lojë, sepse ç’të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.» (Galatasve 6:7) Shtatzënia është vetëm një nga mënyrat, në të cilat dikush mund të ketë një korrje të pakëndshme nga kurvëria. Lumturisht, nënat e pamartuara, ashtu si të gjitha të tjerat që kanë rënë në grackën e imoralitetit, mund të kthehen e të vijnë para Perëndisë me qëndrimin e penduar të mbretit David, i cili u lut: «Më pastro tërësisht nga paudhësia ime dhe më pastro nga mëkati im.» (Psalmi 51:2) Perëndia do t’i bekojë përpjekjet e këtyre nënave të penduara për t’i rritur fëmijët «në disiplinën dhe rregullin mendor të Jehovait».—Efesianëve 6:4, BR.
Megjithatë, është më mirë të ruhesh nga marrëdhëniet seksuale paramartesore! Mos u gënje nga ata që të thonë se mund të dalësh pa u lagur!
[Figura në faqen 183]
Si rrjedhojë e marrëdhënieve seksuale imorale, një vajzë shpesh ndihet e shfrytëzuar dhe madje e poshtëruar
[Figura në faqen 186]
Sëmundjet e transmetuara në rrugë seksuale shpesh rezultojnë nga marrëdhëniet paramartesore
[Figura në faqen 188]
Shprehjet e tepërta të dashurisë mund ta vënë një çift para rreziqeve morale dhe të zvogëlojnë komunikimin domethënës
[Figura në faqen 189]
Lumturia martesore nuk varet vetëm nga marrëdhëniet fizike të çiftit