Kapitulli njëzet e një
Adhurimi i vërtetë përhapet anembanë botës
1. Cilin mesazh që të jep zemër përmban kapitulli 60 i Isaisë?
KAPITULLI 60 i Isaisë është shkruar si një dramë frymëzuese. Në vargjet e para, na e tërheq vëmendjen një skenë prekëse. Një seri ngjarjesh që ndodhin me të shpejtë njëra pas tjetrës na çojnë drejt një fundi emocionues. Ky kapitull përshkruan me një gjuhë të gjallë rivendosjen e adhurimit të vërtetë në Jerusalemin e lashtë, si dhe përhapjen e adhurimit të vërtetë sot anembanë botës. Veç kësaj, ai e drejton vëmendjen te bekimet e përjetshme që i presin të gjithë adhuruesit besnikë të Perëndisë. Secili prej nesh mund të luajë një rol në përmbushjen e kësaj pjese shumë tërheqëse të profecive të Isaisë. Prandaj, le ta shqyrtojmë me kujdes.
Drita shkëlqen në errësirë
2. Ç’urdhër i jepet një gruaje të shtrirë në errësirë dhe pse është urgjente që ajo të bindet?
2 Fjalët e para të këtij kapitulli të Isaisë i drejtohen një gruaje në rrethana të trishtueshme. Me sa duket, ajo dergjet përtokë, e shtrirë përmbys në errësirë. Papritur, drita përshkon errësirën ndërsa Jehovai, nëpërmjet Isaisë, thërret: «Ngrihu, o grua, rrezato dritë, sepse drita jote ka ardhur dhe mbi ty ka ndriçuar vetë lavdia e Jehovait.» (Isaia 60:1) Po, ‘gruaja’ duhet të ngrihet në këmbë dhe të pasqyrojë lavdinë e Perëndisë! Pse është urgjente kjo? Profecia vazhdon: «Ja, terri do të mbulojë tokën dhe errësira e dendur grupet kombëtare, por mbi ty do të ndriçojë Jehovai dhe mbi ty do të shihet lavdia e tij.» (Isaia 60:2) Për dobinë e atyre përreth saj që po ecin ende me të prekur në errësirë, ‘gruaja’ duhet të ‘rrezatojë dritë’. Cili do të jetë përfundimi? «Me siguri, kombet do të vijnë te drita jote dhe mbretërit te shkëlqimi i ndriçimit tënd.» (Isaia 60:3) Këto fjalë hyrëse përbëjnë thelbin e asaj që do të shpjegohet më me hollësi në vargjet e mëposhtme: adhurimi i vërtetë duhet të përhapet anembanë botës!
3. (a) Kush është ‘gruaja’? (b) Pse ‘gruaja’ ka qenë e shtrirë në errësirë?
3 Ndonëse flet për ngjarje që do të ndodhin në të ardhmen, Jehovai i thotë ‘gruas’ se drita e saj «ka ardhur». Kjo thekson faktin që profecia do të përmbushet me siguri. ‘Gruaja’ për të cilën flitet është Sioni ose Jerusalemi, kryeqyteti i Judës. (Isaia 52:1, 2; 60:14) Qyteti përfaqëson gjithë kombin. Në kohën e përmbushjes së parë të kësaj profecie, ‘gruaja’ dergjet në errësirë, gjendje në të cilën ka qëndruar që nga viti 607 p.e.s., kur u shkatërrua Jerusalemi. Mirëpo, në vitin 537 p.e.s., një mbetje besnike e judenjve të mërguar kthehet në Jerusalem dhe rivendos adhurimin e pastër. Më në fund, Jehovai bën që drita të shkëlqejë mbi ‘gruan’ e tij dhe populli i rivendosur bëhet burim ndriçimi mes kombeve që ndodhen në errësirë frymore.
Një përmbushje më e madhe
4. Cilët e përfaqësojnë ‘gruan’ sot në tokë dhe për cilët zbatohet, gjithashtu, profecia?
4 Interesimi ynë për këto fjalë profetike nuk kufizohet vetëm në përmbushjen që patën për Jerusalemin e lashtë. Sot, ‘gruaja’ qiellore e Jehovait përfaqësohet në tokë nga ‘Izraeli i Perëndisë’. (Galatasve 6:16) Që nga festa e Ditës së Pesëdhjetë në vitin 33 të e.s. kur u formua, e deri më sot, ky komb frymor ka përfshirë 144.000 pjesëtarë të mirosur me frymë, «të cilët janë blerë nga toka» me perspektivën për të sunduar me Krishtin në qiell. (Zbulesa 14:1, 3) Përmbushja e kohëve të sotme të kapitullit 60 të Isaisë përqendrohet tek ata individë nga 144.000-t, që janë të gjallë në tokë gjatë ‘ditëve të fundit’. Profecia ka të bëjë edhe me shokët e këtyre të krishterëve të mirosur, me ‘shumicën e madhe’ të ‘deleve të tjera’.—Zbulesa 7:9; Gjoni 10:11, 16.
5. Kur u dergjën në errësirë pjesëtarët e Izraelit të Perëndisë që mbijetuan dhe kur shkëlqeu mbi ta drita e Jehovait?
5 Për një periudhë të shkurtër kohe në fillim të shekullit të 20-të, pjesëtarët e Izraelit të Perëndisë që ndodheshin ende në tokë, në një farë kuptimi u dergjën të shtrirë në errësirë. Fundi i Luftës së Parë Botërore i gjeti ata në një gjendje, e cila përshkruhet në mënyrë simbolike në librin e Zbulesës: kufomat e tyre dergjeshin «në udhën e gjerë të qytetit të madh, i cili në kuptimin frymor quhet Sodoma dhe Egjipti». (Zbulesa 11:8) Megjithatë, në vitin 1919, Jehovai bëri që mbi ta të ndriçonte drita e tij. Në përgjigje të kësaj, ata u ngritën dhe pasqyruan dritën e Perëndisë, duke e shpallur pa frikë lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë.—Mateu 5:14-16; 24:14.
6. Si ka reaguar bota në përgjithësi ndaj shpalljes së pranisë së Jezuit si mbret, por cilët janë afruar te drita e Perëndisë?
6 Nën ndikimin e Satanait, kreut të «sundimtarëve botërorë të kësaj errësire», njerëzimi në përgjithësi e ka hedhur poshtë shpalljen e pranisë si mbret të Jezu Krishtit, ‘dritës së botës’. (Efesianëve 6:12; Gjoni 8:12; 2 Korintasve 4:3, 4) Megjithëkëtë, miliona njerëz janë afruar te drita e Jehovait, duke përfshirë «mbretër» (ata që bëhen trashëgimtarë të mirosur të Mbretërisë qiellore) dhe «kombe» (shumica e madhe e deleve të tjera).
Përhapja bën që zemrat të gëzojnë
7. Ç’pamje që të ngroh zemrën shikon ‘gruaja’?
7 Duke vazhduar me temën e Isaisë 60:3, Jehovai i jep ‘gruas’ një urdhër tjetër: «Ngriji sytë rreth e përqark dhe shiko!» Kur ‘gruaja’ bindet, i shfaqet përpara një pamje që të ngroh zemrën: fëmijët e saj po vijnë në shtëpi! «Janë mbledhur të gjithë; kanë ardhur te ti. Nga larg vazhdojnë të vijnë bijtë e tu dhe bijat e tua, për të cilat do të tregohet përkujdesje, ndërkohë që do të mbarten në ijë.» (Isaia 60:4) Shpallja e Mbretërisë në shkallë ndërkombëtare, e cila filloi në vitin 1919, bëri që mijëra ‘bij’ të mirosur dhe ‘bija’ të mirosura të bashkoheshin me Izraelin e Perëndisë. Në këtë mënyrë, Jehovai ndërmori hapa për të plotësuar numrin e atyre që do të sundojnë me Krishtin, numër i cili ishte parathënë se do të ishte 144.000.—Zbulesa 5:9, 10.
8. Ç’arsye për gëzim ka pasur Izraeli i Perëndisë që nga viti 1919?
8 Kjo rritje në numër solli gëzim. «Në atë kohë do të shikosh e me siguri do të bëhesh rrezatuese dhe zemra jote me të vërtetë do të drithërohet e do të zgjerohet, sepse te ti do të drejtohet pasuria e detit; të ardhurat e kombeve do të vijnë te ti.» (Isaia 60:5) Mbledhja e të mirosurve gjatë viteve 20 dhe 30 të shekullit të 20-të i solli gëzim të madh Izraelit të Perëndisë. Megjithatë, ai ka pasur edhe një arsye tjetër për gëzim. Veçanërisht që nga mesi i viteve 30 të po atij shekulli, individë që dikur ishin pjesë e «detit» të njerëzimit të larguar nga Perëndia kanë dalë nga të gjitha kombet për të adhuruar bashkë me Izraelin e Perëndisë. (Isaia 57:20; Hageu 2:7) Këta individë nuk i shërbejnë Perëndisë secili sipas mënyrës së vet. Përkundrazi, ata vijnë te ‘gruaja’ e Perëndisë dhe bëhen pjesë e kopesë së tij të bashkuar. Për pasojë, të gjithë shërbëtorët e Perëndisë marrin pjesë në përhapjen e adhurimit të vërtetë.
Kombet mblidhen në Jerusalem
9, 10. Cilët shihen duke u mbledhur në Jerusalem dhe si i pret Jehovai ata?
9 Duke përdorur ilustrime që janë të njohura për bashkëkohësit e Isaisë, Jehovai përshkruan përhapjen. Nga pozita e saj e favorshme mbi malin Sion, në fillim ‘gruaja’ këqyr pjesën lindore të horizontit. Çfarë shikon atje? «Masa valëzuese e deveve do të të mbulojë, devetë e reja të Midianit dhe të Efahut. Do të vijnë të gjithë ata të Shebës. Do të sjellin ar dhe temjan të bardhë. Dhe do të shpallin lëvdimet e Jehovait.» (Isaia 60:6) Karvanet me deve të përdorura nga tregtarët udhëtues të fiseve të ndryshme po shkojnë nëpër rrugët që të çojnë për në Jerusalem. (Zanafilla 37:25, 28; Gjykatësit 6:1, 5; 1 Mbretërve 10:1, 2) Devetë janë gjithandej, si një vërshim që ka përmbytur vendin. Karvanet sjellin dhurata të vlefshme dhe kjo tregon se tregtarët vijnë me qëllime paqësore. Ata duan të adhurojnë Jehovain dhe t’i japin atij më të mirën që kanë mundësi.
10 Këta tregtarë nuk janë të vetmit që janë vënë në rrugë. «Të gjitha kopetë e Kedarit do të mblidhen te ti. Deshtë e Nebajothit do të të shërbejnë.» Po, për në Jerusalem po udhëtojnë edhe fiset që merren me blegtori. Ata sjellin si dhuratë gjërat më të çmuara që kanë—kopetë me dele—dhe dalin vullnetarë që të shërbejnë. Si do t’i presë Jehovai? Ai thotë: «Me miratim do të ngjiten në altarin tim dhe unë do të zbukuroj shtëpinë time të bukurisë.» (Isaia 60:7) Jehovai i pranon dhuratat e tyre, të cilat do të përdoren në adhurimin e pastër.—Isaia 56:7; Jeremia 49:28, 29.
11, 12. (a) Ç’pamje i shfaqet ‘gruas’, ndërsa shikon nga perëndimi? (b) Pse kaq shumë njerëz po nxitojnë për në Jerusalem?
11 Tani, Jehovai e udhëzon ‘gruan’ të shikojë nga pjesa perëndimore e horizontit dhe e pyet: «Kush janë këta që vijnë duke fluturuar si një re dhe si pëllumba në foletë e tyre?» Vetë Jehovai përgjigjet: «Ishujt do të vazhdojnë të shpresojnë tek unë dhe edhe anijet e Tarshishit si në fillim, për t’i sjellë bijtë e tu nga larg, e bashkë me ta argjendin dhe arin e tyre, tek emri i Jehovait, Perëndisë tënd dhe tek i Shenjti i Izraelit, sepse ai do të të ketë zbukuruar.»—Isaia 60:8, 9.
12 Përfytyroni sikur jeni së bashku me ‘gruan’, duke parë nga perëndimi mbi Detin Mesdhe. Çfarë shikoni? Shumë pika të bardha, të cilat ngjajnë me një re të largët që rrëshqet me shpejtësi mbi sipërfaqen e ujit. Duken si zogj, por ndërsa afrohen gjithnjë e më shumë, dalloni që janë anije me velat e tyre të shpalosura. Kanë ardhur «nga larg».a (Isaia 49:12) Kaq shumë anije po lëvizin me shpejtësi drejt Sionit, saqë ngjajnë me një tufë pëllumbash që po kthehen në fole. Pse nxiton kaq shumë kjo flotë? Sepse mezi pret të sjellë adhuruesit e Jehovait, të cilët vijnë nga porte të largëta. Në të vërtetë, të gjithë të sapoardhurit—izraelitë e të huaj, nga lindja ose nga perëndimi, nga vende të afërta ose të largëta—po nxitojnë për në Jerusalem për t’i dedikuar emrit të Jehovait, Perëndisë së tyre, veten dhe gjithçka që zotërojnë.—Isaia 55:5.
13. Në kohët tona, cilët janë «bijtë» e «bijat» dhe cilët janë «të ardhurat e kombeve»?
13 Ç’përshkrim të gjallë që i bën Isaia 60:4-9 rritjes që është përjetuar në mbarë botën, që nga momenti kur ‘gruaja’ e Jehovait filloi të rrezatojë dritë në mes të errësirës së kësaj bote! Në fillim erdhën «bijtë» e mirosur dhe «bijat» e mirosura të Sionit qiellor, ata që u bënë të krishterë të mirosur. Në vitin 1931, këta e identifikuan veten publikisht si Dëshmitarë të Jehovait. Më pas, një re individësh zemërbutë, «të ardhurat e kombeve» dhe «pasuria e detit», nxitoi të bashkohej me ata që kishin mbetur nga vëllezërit e Krishtit.b Sot, të gjithë këta shërbëtorë të Jehovait që vijnë nga të katër anët e globit dhe nga tërë shtresat e shoqërisë bashkohen me Izraelin e Perëndisë për të lëvduar Zotërinë e tyre Sovran Jehova dhe për të lartësuar emrin e tij si emri më i madh në gjithë universin.
14. Në cilin kuptim «ngjiten në altarin [e Perëndisë]» të sapoardhurit?
14 Por, çfarë do të thotë që këta të sapoardhur nga kombet «ngjiten në altarin [e Perëndisë]»? Një flijim vendoset mbi altar. Apostulli Pavël përdori një shprehje ku përfshihej një flijim, kur shkroi: «Ju përgjërohem . . . t’i paraqitni trupat tuaj si një flijim të gjallë, të shenjtë e të pranueshëm për Perëndinë, një shërbim të shenjtë me fuqinë tuaj për të arsyetuar.» (Romakëve 12:1) Të krishterët e vërtetë janë të gatshëm të përpiqen fuqimisht. (Luka 9:23, 24) Ata i kushtojnë përkrahjes së adhurimit të pastër kohën, energjitë dhe aftësitë e tyre. (Romakëve 6:13) Teksa veprojnë kështu, i ofrojnë flijime të pranueshme lëvdimi Perëndisë. (Hebrenjve 13:15) Sa ta ngroh zemrën fakti që miliona adhurues të Jehovait sot, të rinj e të moshuar, i kanë vënë dëshirat personale në një vend dytësor në krahasim me interesat e Mbretërisë së Perëndisë! Ata shfaqin një frymë të vërtetë vetëmohuese.—Mateu 6:33; 2 Korintasve 5:15.
Të sapoardhurit marrin pjesë në këtë përhapje
15. (a) Në kohën e lashtë, si e shprehu Jehovai mëshirën e tij ndaj të huajve? (b) Në kohët tona, si kanë marrë pjesë «të huajt» në vendosjen e adhurimit të vërtetë?
15 Të sapoardhurit ofrojnë zotërimet dhe shërbimin e tyre në mbështetje të ‘gruas’ së Jehovait. «Muret e tua do t’i ndërtojnë në të vërtetë të huajt dhe mbretërit e tyre do të të shërbejnë, sepse në zemërimin tim unë do të të kem goditur, por në vullnetin tim të mirë, me siguri, do të kem mëshirë për ty.» (Isaia 60:10) Jehovai e shprehu mëshirën e tij në shekullin e gjashtë p.e.s., kur të huajt ndihmuan në punën e rindërtimit që u bë në Jerusalem. (Ezdra 3:7; Nehemia 3:26) Në përmbushjen më të madhe të sotme, «të huajt», shumica e madhe, mbështetin mbetjen e mirosur për vendosjen e adhurimit të vërtetë. Ata i ndihmojnë studentët e tyre të Biblës që të ndërtojnë cilësi të krishtere dhe, në këtë mënyrë, ndërtojnë kongregacione të krishtere dhe forcojnë «muret» e organizatës së Jehovait, si muret e një qyteti. (1 Korintasve 3:10-15) Gjithashtu, ndërtojnë edhe në kuptimin e mirëfilltë, duke punuar shumë për të ndërtuar Sallat e Mbretërisë, Sallat e Asambleve dhe ndërtesat Bethel. Kështu, ata kujdesen së bashku me vëllezërit e tyre të mirosur për përmbushjen e nevojave gjithnjë në rritje të organizatës së Jehovait.—Isaia 61:5.
16, 17. (a) Në ç’mënyrë janë mbajtur hapur «portat» e organizatës së Perëndisë? (b) Në ç’mënyrë i kanë shërbyer «mbretërit» Sionit? (c) Çfarë do t’u ndodhë atyre që përpiqen t’i mbyllin «portat», të cilat Jehovai dëshiron të lihen të hapura?
16 Çdo vit, si rrjedhim i programit frymor ndërtues, qindra mijë ‘të huaj’ fillojnë të shoqërohen me organizatën e Jehovait dhe rruga është e hapur edhe për shumë të tjerë akoma. Jehovai thotë: «Portat e tua me të vërtetë do të mbahen hapur vazhdimisht; nuk do të mbyllen as ditën e as natën, me qëllim që të sjellin te ti të ardhurat e kombeve dhe mbretërit e tyre do të marrin drejtimin.» (Isaia 60:11) Por cilët janë «mbretërit» që marrin drejtimin për të sjellë të ardhurat e kombeve në Sion? Në kohët e lashta Jehovai nxiti zemrat e disa sundimtarëve që t’i ‘shërbenin’ Sionit. Kiri, për shembull, mori nismën për t’i kthyer judenjtë në Jerusalem që të rindërtonin tempullin. Më vonë, Artakserksi kontribuoi me të mira materiale dhe e dërgoi Neheminë të rindërtonte muret e Jerusalemit. (Ezdra 1:2, 3; Nehemia 2:1-8) Vërtet, «zemra e mbretit në duart e Zotit është si rrjedhat e ujit». (Proverbat 21:1, Dio) Perëndia ynë mund të nxitë edhe sundimtarë të fuqishëm që të veprojnë në harmoni me vullnetin e tij.
17 Në kohët tona, shumë ‘mbretër’ ose autoritete janë përpjekur t’i mbyllin «portat» e organizatës së Jehovait. Megjithatë, disa të tjerë i kanë shërbyer Sionit duke marrë vendime që ndihmuan për t’i mbajtur hapur ato ‘porta’. (Romakëve 13:4) Në vitin 1919, autoritetet liruan Xhozef F. Radhërfordin dhe shokët e tij nga burgimi i padrejtë. (Zbulesa 11:13) Qeveritë njerëzore ‘përpinë’ vërshimin e përndjekjes që lëshoi Satanai pasi ra nga qielli. (Zbulesa 12:16) Disa qeveri kanë përkrahur tolerancën fetare, disa herë posaçërisht për të përkrahur të Dëshmitarët e Jehovait. Ky lloj shërbimi ua ka bërë më të lehtë turmave me njerëz zemërbutë që të kalojnë në organizatën e Jehovait përmes ‘portave’ të hapura. Por, ç’të themi për kundërshtarët që përpiqen t’i mbyllin «portat»? Nuk do t’ia dalin kurrë. Për ta, Jehovai thotë: «Çdo komb dhe çdo mbretëri që nuk do të të shërbejë do të marrë fund, dhe kombet do të shkretohen me siguri.» (Isaia 60:12) Të gjithë ata që luftojnë kundër ‘gruas’ së Perëndisë, individë ose organizata qofshin, do të marrin fund në luftën e Harmagedonit që po vjen, në mos më parë.—Zbulesa 16:14, 16.
18. (a) Ç’nënkupton premtimi se pemët në Izrael do të lulëzojnë? (b) Cili është ‘vendi i këmbëve të Jehovait’ sot?
18 Pas këtij paralajmërimi gjykimi, profecia u kthehet premtimeve për lartësim dhe begati. Duke i folur ‘gruas’ së tij, Jehovai pohon: «Te ti do të vijë lavdia e Libanit, dëllinja, frashëri dhe selvia në të njëjtën kohë, për të zbukuruar vendin e shenjtërores sime dhe unë do t’i jap lavdi vendit të këmbëve të mia.» (Isaia 60:13) Pemët e harlisura simbolizojnë bukurinë dhe prodhueshmërinë. (Isaia 41:19; 55:13) Në këtë varg, shprehjet ‘shenjtërore’ dhe ‘vendi i këmbëve të mia’ i referohen tempullit të Jerusalemit. (1 Kronikave 28:2; Psalmi 99:5) Megjithatë, apostulli Pavël shpjegoi se tempulli në Jerusalem ishte përfaqësim simbolik i një tempulli më të madh frymor, domethënë, i rregullimit për t’iu afruar Perëndisë në adhurim në bazë të flijimit të Krishtit. (Hebrenjve 8:1-5; 9:2-10, 23) Sot Jehovai i jep lavdi ‘vendit të këmbëve të tij’, oborrit tokësor të tempullit të tij të madh frymor. Ky oborr bëhet kaq tërheqës, saqë në të vijnë njerëz nga të gjitha kombet për të marrë pjesë në adhurimin e vërtetë që bëhet atje.—Isaia 2:1-4; Hageu 2:7.
19. Çfarë do të jenë të detyruar të pranojnë kundërshtarët, dhe të paktën kur do ta bëjnë këtë?
19 Tani, duke e kthyer vëmendjen përsëri te kundërshtarët, Jehovai thotë: «Bijtë e atyre që të mundojnë duhet të vijnë te ti duke u përkulur; të gjithë ata që të trajtojnë pa nderim duhet të gjunjëzohen para shputave të këmbëve të tua dhe kanë për të të quajtur qyteti i Jehovait, Sioni i të Shenjtit të Izraelit.» (Isaia 60:14) Po, rritja madhështore dhe mënyra më e mirë e jetesës që vijnë si rrjedhojë e bekimit të Perëndisë mbi popullin e tij do t’i shtyjnë disa kundërshtarë që, si të thuash, të përkulen para ‘gruas’. Kjo do të thotë që ata do të jenë të detyruar të pranojnë—të paktën në Harmagedon—se mbetja e të mirosurve dhe shokët e tyre përfaqësojnë me të vërtetë organizatën qiellore të Perëndisë, ‘qytetin e Jehovait, Sionin e të Shenjtit të Izraelit’.
Përdoren burimet e disponueshme
20. Ç’ndryshim të madh rrethanash përjeton ‘gruaja’?
20 Ç’ndryshim të madh rrethanash përjeton ‘gruaja’ e Jehovait! Jehovai thotë: «Në vend që të jesh krejt e braktisur dhe e urryer, ku nuk kalon askush, unë do të të vendos madje si një objekt krenarie deri në kohë të pacaktuar, një ngazëllim brez pas brezi. Dhe ti në të vërtetë do të thithësh qumështin e kombeve, dhe do të thithësh gjinjtë e mbretërve; e me siguri do të njohësh që unë, Jehovai, jam Shpëtimtari yt dhe që i Fuqishmi i Jakobit është Riblerësi yt.»—Isaia 60:15, 16.
21. (a) Në ç’mënyrë Jerusalemi i lashtë bëhet «një objekt krenarie»? (b) Cilat bekime kanë gëzuar shërbëtorët e mirosur të Jehovait që nga viti 1919 dhe si e kanë thithur «qumështin e kombeve»?
21 Për shtatëdhjetë vjet Jerusalemi i lashtë, si të thuash, është fshirë nga harta dhe në të «nuk kalon askush». Por, duke filluar nga viti 537 p.e.s., Jehovai e ripopullon qytetin dhe e bën «një objekt krenarie». Në mënyrë të ngjashme, aty nga fundi i Luftës së Parë Botërore, Izraeli i Perëndisë përjetoi një periudhë shkretimi, gjatë së cilës u ndie ‘i braktisur plotësisht’. Por në vitin 1919, Jehovai i ribleu shërbëtorët e tij të mirosur nga robëria dhe që atëherë i ka bekuar me një rritje dhe begati frymore të paparë ndonjëherë. Populli i tij ka thithur «qumështin e kombeve», duke përdorur burimet materiale të kombeve për të çuar përpara adhurimin e vërtetë. Për shembull, përdorimi i mençur i teknologjisë bashkëkohore ka bërë të mundur përkthimin dhe botimin e Biblës e të literaturës biblike në qindra gjuhë. Për pasojë, qindra mijë njerëz çdo vit studiojnë Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe mësojnë që Jehovai, nëpërmjet Krishtit, është Shpëtimtari dhe Riblerësi i tyre.—Veprat 5:31; 1 Gjonit 4:14.
Përparim në fushën organizative
22. Ç’lloj të veçantë përparimi premton Jehovai?
22 Rritja në numër e popullit të Jehovait është shoqëruar nga një përparim në fushën organizative. Jehovai pohon: «Në vend të bakrit unë do të sjell ar, në vend të hekurit do të sjell argjend, në vend të drurit, bakër dhe në vend të gurëve, hekur; do të caktoj paqen si mbikëqyrësit e tu dhe drejtësinë si përgjegjësit e tu.» (Isaia 60:17) Të zëvendësosh bakrin me ar do të thotë të bësh një përmirësim, dhe e njëjta gjë mund të thuhet edhe për materialet e tjera të përmendura këtu. Në harmoni me këtë, populli i Jehovait ka bërë përmirësime në fushën organizative gjatë gjithë ditëve të fundit.
23, 24. Ç’përmirësime ka bërë në fushën organizative populli i Jehovait që nga viti 1919?
23 Deri në vitin 1919, kongregacionet kishin pleq dhe dhjakë që zgjidheshin në mënyrë demokratike. Që nga ai vit, filloi të emërohej në mënyrë teokratike një drejtues i shërbimit për të mbikëqyrur shërbimin në fushë të kongregacionit, por kishte raste kur disa pleq të zgjedhur i kundërviheshin drejtuesit të shërbimit. Në vitin 1932 gjendja ndryshoi. Nëpërmjet revistës Kulla e Rojës, kongregacionet u udhëzuan që të mos vazhdonin më të zgjidhnin pleq dhe dhjakë. Në vend të kësaj, do të zgjidhnin një komitet shërbimi për të punuar së bashku me drejtuesin e shërbimit. Ky ishte një përmirësim i madh.
24 Në vitin 1938 u soll më shumë «ar», kur u vendos që tërë shërbëtorët në kongregacion duheshin emëruar në mënyrë teokratike. Drejtimi i kongregacionit kaloi nën kujdesin e shërbëtorit të kompanisë (më vonë, shërbëtor i kongregacionit) dhe të shërbëtorëve të ndryshëm që e ndihmonin, të gjithë të emëruar nën mbikëqyrjen e ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’.c (Mateu 24:45-47) Megjithatë, në vitin 1972 u kuptua se sipas Shkrimeve mbikëqyrja e një kongregacioni bëhet nëpërmjet një trupi pleqsh dhe jo nëpërmjet një njeriu të vetëm. (Filipianëve 1:1) U bënë edhe ndryshime të tjera në kongregacion dhe në Trupin Udhëheqës. Një shembull i ndryshimeve në Trupin Udhëheqës u pa më 7 tetor 2000, kur u njoftua se anëtarët e Trupit Udhëheqës që kishin shërbyer si drejtues të Watch Tower Society of Pennsylvania dhe të korporatave të varura prej saj kishin dhënë dorëheqjen vullnetarisht nga pozitat e tyre. Në këtë mënyrë, Trupi Udhëheqës, i cili përfaqëson skllavin e besueshëm dhe të matur, është në gjendje t’i kushtojë më shumë vëmendje kujdesjes për mbikëqyrjen frymore të ‘kongregacionit të Perëndisë’ dhe shokëve të tyre, deleve të tjera. (Veprat 20:28) Të gjitha këto rregullime kanë qenë përmirësime. Ato e kanë forcuar organizatën e Jehovait dhe i kanë bekuar adhuruesit e tij.
25. Kush ka qenë pas përparimit që ka bërë populli i Jehovait në fushën organizative dhe cilat dobi janë korrur?
25 Kush ka qenë pas këtyre përmirësimeve? A janë bërë ato falë aftësisë organizative ose inteligjencës së disa njerëzve? Jo, sepse Jehovai pohoi: «Unë do të sjell ar.» I gjithë ky përparim është fryt i udhëheqjes hyjnore. Populli i Jehovait korr dobi, ndërsa i nënshtrohet udhëheqjes së tij dhe bën ndryshime. Mes tyre mbizotëron paqja dhe dashuria për drejtësi i shtyn t’i shërbejnë atij.
26. Çfarë tipari identifikues të të krishterëve të vërtetë vënë re madje edhe kundërshtarët?
26 Paqja e dhënë nga Perëndia ka një efekt shndërrues. Jehovai premton: «Dhuna nuk do të dëgjohet më në vendin tënd, as grabitja ose rrënimi brenda kufijve të tu. Dhe, me siguri, do t’i quash muret e tua Shpëtim dhe portat e tua Lëvdim.» (Isaia 60:18) Sa e vërtetë! Edhe kundërshtarët e pranojnë se paqja është një tipar dallues i të krishterëve të vërtetë. (Mikea 4:3) Kjo paqe me Perëndinë dhe mes vetë Dëshmitarëve të Jehovait e bën çdo vend ku zhvillohen mbledhjet e krishtere një oaz freskues në një botë të dhunshme. (1 Pjetrit 2:17) Ky është një shijim paraprak i bollëkut të paqes që do të ekzistojë kur të gjithë banorët e tokës të jenë persona ‘të mësuar nga Zoti’.—Isaia 11:9; 54:13, Dio.
Drita e lavdishme e miratimit të Perëndisë
27. Cila dritë e vazhdueshme shkëlqen mbi ‘gruan’ e Jehovait?
27 Jehovai përshkruan intensitetin e dritës që shkëlqen mbi Jerusalem, kur pohon: «Për ty dielli nuk do të jetë më një dritë gjatë ditës dhe hëna nuk do të të japë më dritë për ndriçim. Jehovai duhet të bëhet për ty një dritë që zgjat pafundësisht dhe Perëndia yt bukuria jote. Dielli yt nuk do të perëndojë më dhe as hëna jote nuk do të zvogëlohet, sepse vetë Jehovai do të bëhet për ty një dritë që zgjat pafundësisht dhe ditët e vajtimit tënd do të kenë mbaruar.» (Isaia 60:19, 20) Jehovai do të vazhdojë të jetë «një dritë që zgjat pafundësisht» për ‘gruan’ e tij. Ai nuk do të «perëndojë» kurrë siç bën dielli dhe nuk do të «zvogëlohet» kurrë siç bën hëna.d Drita e vazhdueshme e miratimit të tij shkëlqen mbi të krishterët e mirosur, përfaqësuesit njerëzorë të ‘gruas’ së Perëndisë. Drita frymore shkëlqen kaq fort mbi ta dhe mbi shumicën e madhe, saqë asnjë errësirë në skenën politike ose ekonomike të botës nuk mund ta zbehë. Ata kanë besim në të ardhmen e ndritur që Jehovai ka vendosur para tyre.—Romakëve 2:7; Zbulesa 21:3-5.
28. (a) Çfarë premtohet lidhur me banorët e Jerusalemit që do të kthehen? (b) Çfarë morën në zotërim të krishterët e mirosur në vitin 1919? (c) Për sa kohë do ta zotërojnë tokën të drejtët?
28 Për banorët e Jerusalemit Jehovai vazhdon të thotë: «Sa për popullin tënd, ata do të jenë të gjithë të drejtë; deri në kohë të pacaktuar ata do të mbajnë në zotërim vendin, filizin e plantacionit tim, veprën e duarve të mia, që unë të zbukurohem.» (Isaia 60:21) Kur Izraeli natyror u kthye nga Babilonia, mori «në zotërim vendin». Por në atë rast, ‘koha e pacaktuar’ doli se ishte deri në shekullin e parë të e.s., kur forcat ushtarake të Romës shkatërruan Jerusalemin dhe shtetin judaik. Në vitin 1919, mbetja e të krishterëve të mirosur doli nga robëria frymore dhe mori në zotërim një vend frymor. (Isaia 66:8) Në këtë vend ose sferë veprimtarie spikat një begati frymore ngjashëm një parajse, e cila do të vazhdojë përgjithmonë. Ndryshe nga Izraeli i lashtë, Izraeli frymor si një trup nuk do të dalë jobesnik. Veç kësaj, profecia e Isaisë do të ketë edhe një përmbushje të mirëfilltë kur toka të bëhet një parajsë e vërtetë, e karakterizuar nga një ‘bollëk paqeje’. Në atë kohë, njerëzit e drejtë me shpresë tokësore do ta zotërojnë përgjithmonë vendin.—Psalmi 37:11, 29.
29, 30. Në ç’mënyrë «i pakti» është bërë «një mijë»?
29 Në fund të kapitullit 60 të Isaisë gjendet një premtim solemn, të cilin Jehovai e garanton me emrin e tij. Ai pohon: «I pakti do të bëhet një mijë dhe i vogli një komb i fuqishëm. Unë, Jehovai, do ta shpejtoj në kohën e vet.» (Isaia 60:22) Kur rifilluan veprën, në vitin 1919, të mirosurit e shpërndarë ishin ‘të pakët’.e Por numri i tyre u shumëfishua dora-dorës që u mblodhën izraelitët frymorë që kishin mbetur. Më pas, kjo rritje mori përmasa të jashtëzakonshme me të filluar grumbullimi i shumicës së madhe.
30 S’kaloi shumë dhe paqja e drejtësia që ishin mes popullit të Perëndisë tërhoqën kaq shumë njerëz me zemër të ndershme, saqë «i vogli» u bë «një komb i fuqishëm» në kuptimin e mirëfilltë. Tani ky komb është më i madh në numër se mjaft shtete të botës. Është e qartë se Jehovai, nëpërmjet Jezu Krishtit, e ka drejtuar dhe shpejtuar veprën e Mbretërisë. Sa emocionuese është të shohim përhapjen mbarëbotërore të adhurimit të vërtetë dhe të luajmë një rol në këtë gjë! Po, është një gëzim të kuptojmë që kjo rritje i sjell lavdi Jehovait, i cili i profetizoi këto gjëra shumë kohë më parë.
[Shënimet]
a Ka të ngjarë që Tarshishi të ndodhej në Spanjën e sotme. Megjithatë, sipas disa veprave të referimit, shprehja «anijet e Tarshishit» ka të bëjë me llojin e anijeve—«anije oqeanike me direk të lartë»—të cilat ishin «të përshtatshme për të udhëtuar për në Tarshish». Me fjalë të tjera, ishin anije që mendohej se qenë të përshtatshme për udhëtime të gjata drejt porteve të largëta.—1 Mbretërve 22:48.
b Ndonëse edhe para vitit 1930 kishte të krishterë aktivë e të zellshëm me shpresë tokësore që shoqëroheshin me Izraelin e Perëndisë, numri i tyre filloi të rritej dukshëm në vitet 30 të shekullit të 20-të.
c Në atë kohë, kongregacionet quheshin kompani.
d Apostulli Gjon përdor një gjuhë të ngjashme për të përshkruar ‘Jerusalemin e ri’, 144.000-t në lavdinë e tyre qiellore. (Zbulesa 3:12; 21:10, 22-26) Kjo është e përshtatshme, sepse «Jerusalemi i ri» përfaqëson të gjithë pjesëtarët e Izraelit të Perëndisë pasi marrin shpërblimin e tyre qiellor, duke u bërë bashkë me Jezu Krishtin pjesa kryesore e ‘gruas’ së Perëndisë, ‘Jerusalemit lart’.—Galatasve 4:26.
e Në vitin 1918, numri mesatar i atyre që çdo muaj merrnin pjesë në predikimin e fjalës ishte më i vogël se 4.000.
[Figura në faqen 305]
‘Gruas’ i jepet urdhër të ‘ngrihet’
[Figura në faqet 312, 313]
«Anijet e Tarshishit» transportojnë adhuruesit e Jehovait