«I vogli» është bërë «një mijë»
«I vogli vetë do të bëhet një mijë dhe i pakti një komb i fuqishëm.»—ISAIA 60:22, BR.
1, 2. (a) Përse errësira e ka mbuluar tokën sot? (b) Si ka shndritur në mënyrë progresive drita e Jehovait mbi popullin e tij?
«TERRI mbulon tokën dhe një errësirë e dendur mbulon popujt, por mbi ty ngrihet [ndriçon, BR] Zoti dhe lavdia e tij duket mbi ty.» (Isaia 60:2) Këto fjalë e përshkruajnë mirë situatën që ekziston në tokë që nga viti 1919. I ashtuquajturi krishterim e ka hedhur poshtë shenjën e pranisë mbretërore të Jezu Krishtit, i cili është «drita e botës». (Gjoni 8:12; Mateu 24:3) Për shkak të ‘zemërimit të madh’ të Satanait, kryetarit të «sunduesve të botës së errësirës», shekulli i 20-të ishte epoka më mizore e më shkatërrimtare në historinë e njerëzimit. (Zbulesa 12:12; Efesianëve 6:12) Shumica e njerëzve jeton në errësirë frymore.
2 Gjithsesi, në kohën tonë drita po shndrit. Jehovai ‘ndriçon’ mbi shërbëtorët e tij, domethënë mbi mbetjen e mirosur, të cilët janë përfaqësuesit tokësorë të ‘gruas’ së tij qiellore. (Isaia 60:1, BR) Këta e kanë pasqyruar lavdinë e Perëndisë dhe kanë ‘lënë që të shndritë drita e tyre para njerëzve’ veçanërisht që nga koha kur janë çliruar prej robërisë babilonase, në vitin 1919. (Mateu 5:16) Që nga viti 1919 deri në vitin 1931, drita e Mbretërisë shndriti gjithnjë e më shumë ndërsa ata u çliruan nga vargonjtë e mbetur të mendimeve babilonase. Numri i tyre u rrit në dhjetëra mijë, ndërkohë që Jehovai përmbushi premtimin e tij: «Do të mbledh me siguri mbeturinën [mbetjen, BR] e Izraelit. Do t’i vë bashkë si delet në një vathë, si një kope në mes të kullotës së vet, do të bëjnë një zhurmë të madhe për shkak të morisë së njerëzve.» (Mikea 2:12) Në vitin 1931, lavdia e Jehovait mbi popullin e tij u bë edhe më e dukshme, kur ata pranuan emrin Dëshmitarët e Jehovait.—Isaia 43:10, 12.
3. Si u bë e dukshme që drita e Jehovait nuk do të shndriste vetëm mbi të mirosurit?
3 A do të ndriçonte Jehovai vetëm mbi mbetjen e ‘kopesë së vogël’? (Luka 12:32, BR) Jo. Kulla e Rojës, 1 shtator 1931, anglisht, tregonte për një grup tjetër. Duke i bërë një shpjegim të shkëlqyer Ezekielit 9:1-11, ajo tregonte se njeriu me kallamarin prej briri të shkruesit, i cili përmendej në ato vargje, përfaqësonte mbetjen e mirosur. Cilët shënon në ballë ai «njeri»? «Delet e tjera», ata që kanë shpresën për të jetuar përjetësisht në një tokë parajsore. (Gjoni 10:16; Psalmi 37:29) Në vitin 1935, u kuptua se ky grup i «deleve të tjera» ishte ‘shumica e madhe . . . nga të gjitha kombet’ që kishte parë në vizion apostulli Gjon. (Zbulesa 7:9-14) Që nga viti 1935 e deri tani, i është kushtuar shumë vëmendje mbledhjes së shumicës së madhe.
4. Cilët janë «mbretërit» dhe «kombet» që përmenden në Isainë 60:3?
4 Profecia e Isaisë i referohet kësaj vepre mbledhjeje, duke thënë: «Kombet do të ecin në dritën tënde dhe mbretërit në shkëlqimin e daljes sate [e ndriçimit tënd, BR].» (Isaia 60:3) Cilët janë «mbretërit» që përmenden këtu? Mbetja e 144.000-ve, të cilët së bashku me Jezu Krishtin janë bashkëtrashëgimtarë të Mbretërisë qiellore dhe kanë marrë drejtimin në veprën e dhënies së dëshmisë. (Romakëve 8:17; Zbulesa 12:17; 14:1) Sot, numri i disa mijëra pjesëtarëve të mbetjes së mirosur është shumë më i vogël se numri i ‘kombeve’, domethënë i atyre me shpresë tokësore që i drejtohen Jehovait për udhëzim dhe ftojnë të tjerët për të bërë të njëjtën gjë.—Isaia 2:3.
Shërbëtorë të zellshëm të Jehovait
5. (a) Cilat fakte tregojnë se zelli i popullit të Jehovait nuk ka rënë? (b) Cilat vende patën rritje të spikatshme në vitin 1999? (Shiko tabelën në faqet 17-20.)
5 Çfarë zelli që treguan gjatë shekullit të 20-të Dëshmitarët e Jehovait e kohëve moderne! Dhe pavarësisht nga shtimi i presioneve, zelli i tyre nuk u ul ndërsa afrohej viti 2000. Ata vazhduan ta merrnin shumë seriozisht urdhrin e Jezuit: «Bëni dishepuj nga të gjithë popujt.» (Mateu 28:19, 20) Vitin e fundit të shërbimit të shekullit të 20-të, numri i lajmëtarëve aktivë të lajmit të mirë arriti një maksimum të ri: 5.912.492 veta. Ata dedikuan një shifër të jashtëzakonshme prej 1.144.566.849 orësh duke u folur të tjerëve për Perëndinë dhe për qëllimet e tij. Bënë 420.047.796 rivizita te njerëzit e interesuar dhe drejtuan 4.433.884 studime biblike pa pagesë në shtëpi. Ç’raport i mrekullueshëm i shërbimit të zellshëm!
6. Cili rregullim i ri u bë për pionierët dhe cili qe reagimi?
6 Janarin e kaluar, Trupi Udhëheqës njoftoi një rregullim në kuotën e orëve për pionierët. Shumë përfituan nga ky rregullim për të hyrë në radhët e pionierëve të rregullt ose ndihmës. Për shembull, gjatë katër muajve të parë kalendarikë të vitit 1999, Zyra e Degës në Holandë mori katër herë më shumë kërkesa për pionierë të rregullt, se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Nga Gana raportohet: «Që kur filloi kuota e re për orët e pionierëve, radhët e pionierëve tanë të rregullt janë shtuar vazhdimisht.» Për vitin e shërbimit 1999, numri i pionierëve në mbarë botën arriti shifrën 738.343 dhe kjo është një shfaqje e mrekullueshme e ‘zellit në vepra të mira’.—Titit 2:14.
7. Si e ka bekuar Jehovai aktivitetin e zellshëm të shërbëtorëve të tij?
7 A e ka bekuar Jehovai këtë aktivitet të zellshëm? Po. Nëpërmjet Isaisë ai thotë: «Ngreji sytë e tu rreth e qark dhe shiko! Mblidhen të gjithë dhe vijnë te ti. Bijtë e tu do të vijnë nga larg dhe bijat e tua do t’i sjellin në krahë.» (Isaia 60:4) «Bijtë» dhe «bijat» e mirosur, të cilët janë mbledhur tashmë, po i shërbejnë ende me zell Perëndisë. Tani, delet e tjera të Jezuit po mblidhen përkrah ‘bijve’ dhe ‘bijave’ të mirosur të Jehovait në 234 vende dhe ishuj të detit.
‘Çdo vepër e mirë’
8. Në çfarë ‘veprash të mira’ janë aktivë Dëshmitarët e Jehovait?
8 Të krishterët kanë përgjegjësinë për të predikuar lajmin e mirë të Mbretërisë dhe për të ndihmuar të interesuarit që të bëhen dishepuj. Por ata janë të «pajisur për çdo vepër të mirë». (2. Timoteut 3:17) Prandaj, ata me dashuri kujdesen për familjen, tregojnë mikpritje dhe vizitojnë të sëmurët. (1. Timoteut 5:8; Hebrenjve 13:16) Gjithashtu, vullnetarët punojnë në projekte të tilla, si ndërtimi i Sallave të Mbretërisë, një vepër që jep po ashtu dëshmi. Në Togo, pas ndërtimit të një salle, përgjegjësit e një kishe karizmatike vendase donin të dinin se përse Dëshmitarët e Jehovait ishin në gjendje t’i ndërtonin vetë ndërtesat e tyre, kurse kisha duhej të merrte njerëz në punë për këtë qëllim. Nga Togo raportohet se ndërtimi i Sallave të Mbretërisë me cilësi të lartë ka një ndikim kaq pozitiv te fqinjët, saqë disa njerëz përpiqen të marrin me qira ose të blejnë shtëpi në zonat ku do të ndërtohen salla.
9. Si janë përgjigjur Dëshmitarët e Jehovait kur i kanë goditur katastrofat?
9 Disa herë, kërkohet një lloj tjetër vepre e mirë. Vitin e kaluar të shërbimit, shumë vende i kanë goditur katastrofat dhe shpesh të parët që mbërrinin për të dhënë ndihmë ishin Dëshmitarët e Jehovait. Për shembull, pjesa më e madhe e Hondurasit u shkretua nga uragani Miç. Menjëherë, Dega ngriti komitete urgjence që të organizonin punën për dhënien e ndihmës humanitare. Dëshmitarët nga Hondurasi dhe nga shumë vende të tjera dhuruan rroba, ushqim, ilaçe dhe gjëra të tjera të domosdoshme. Komitetet Rajonale të Ndërtimit përdorën aftësinë e tyre për të rindërtuar shtëpitë. Shumë shpejt, vëllezërit tanë që qenë viktima të katastrofës u ndihmuan për t’iu kthyer aktiviteteve të jetës normale. Në Ekuador, Dëshmitarët e Jehovait u erdhën në ndihmë vëllezërve të tyre kur përmbytjet e mëdha shkatërruan disa shtëpi. Pasi pa mënyrën e efektshme se si ishte trajtuar kjo situatë, një qeveritar tha: «Po të mund ta merrja në punë këtë grup, do të bëja mrekullira. Njerëz si ju duhet të ketë në çdo vend të botës.» Vepra të tilla të mira i sjellin lavdi Perëndisë Jehova dhe japin dëshmi të ‘devocionit të shenjtë [që] është i dobishëm për çdo gjë’.—1. Timoteut 4:8, BR.
Ata «fluturojnë si një re»
10. Me gjithë zvogëlimin e numrit të të mirosurve, përse emri i Jehovait po shpallet si kurrë më parë?
10 Tani, Jehovai pyet: «Kush janë këta që fluturojnë si një re dhe si pëllumba në drejtim të foleve të tyre? Po, ishujt do të kenë shpresë tek unë, me anijet e Tarshishit në radhë të parë, për të sjellë nga larg bijtë e tu . . . Bijtë e të huajit [të huajt, BR] do të rindërtojnë muret e tua dhe mbretërit e tyre do të vihen në shërbimin tënd.» (Isaia 60:8-10) Të parët që iu përgjigjën ‘ndriçimit’ të Jehovait ishin «bijtë» e tij, të krishterët e mirosur. Pastaj erdhën «të huajt», shumica e madhe, që u shërben me besnikëri vëllezërve të mirosur, duke ndjekur drejtimin e tyre në predikimin e lajmit të mirë. Kështu, edhe pse numri i të mirosurve po zvogëlohet, emri i Jehovait po shpallet përreth tokës si kurrë më parë.
11. (a) Çfarë gjëje është ende në vazhdim dhe çfarë rezultatesh ka pasur kjo në vitin 1999? (b) Cilat vende patën shifra të spikatshme të pagëzuarish në vitin 1999? (Shiko tabelën në faqet 17-20.)
11 Si rezultat, miliona njerëz po mblidhen «si pëllumba në drejtim të foleve të tyre», duke gjetur strehim brenda kongregacionit të krishterë. Qindra mijë veta shtohen çdo vit dhe udha është e hapur për të hyrë akoma edhe më shumë. Isaia thotë: «Portat e tua do të jenë gjithnjë të hapura, nuk do të mbyllen as ditën as natën që të mund të futin te ti pasurinë e kombeve.» (Isaia 60:11) Vitin e kaluar, 323.439 veta u pagëzuan në simbol të dedikimit të tyre ndaj Jehovait dhe ai nuk i ka mbyllur ende portat. «Gjërat e dëshirueshme të të gjitha kombeve», pjesëtarët e shumicës së madhe, po hyjnë ende me shumicë nëpër këto porta. (Hageu 2:7, BR) Pranohen të gjithë ata që dëshirojnë të largohen nga errësira. (Gjoni 12:46) Mos e humbshin asnjëherë këta njerëz çmueshmërinë e tyre për dritën!
Sypatrembur përballë kundërshtimit
12. Si janë përpjekur ta shuajnë dritën ata që duan errësirën?
12 Ata që duan errësirën e urrejnë dritën e Jehovait. (Gjoni 3:19) Disa madje përpiqen ta shuajnë këtë dritë. Kjo nuk është një gjë e papritur. Edhe Jezuin, ‘dritën e vërtetë, që ndriçon çdo njeri’, e tallën, e kundërshtuan dhe përfundimisht e vranë bashkëkombësit e tij. (Gjoni 1:9) Përgjatë shekullit të 20-të, edhe Dëshmitarët e Jehovait i kanë përqeshur, i kanë burgosur, i kanë ndaluar e madje i kanë vrarë, sepse pasqyronin plot besim dritën e Jehovait. Vitet e fundit, kundërshtarët kanë provuar të përhapin gënjeshtra në mjetet e informacionit për ata që pasqyrojnë dritën e Perëndisë. Disa duan t’i bëjnë njerëzit të besojnë se Dëshmitarët e Jehovait janë të rrezikshëm dhe duhen kufizuar ose ndaluar. A ia kanë dalë mbanë këta kundërshtarë?
13. Çfarë rezultati ka sjellë paraqitja me maturi në mjetet e informacionit, e fakteve që kanë të bëjnë me veprën tonë?
13 Jo. Aty ku ka qenë e përshtatshme, Dëshmitarët e Jehovait u janë drejtuar mjeteve të informacionit për të shpjeguar se si qëndrojnë faktet. Rrjedhimisht, emri i Jehovait është shfaqur gjerësisht në gazeta dhe revista, si edhe në radio e televizion. Kjo ka pasur rezultate të mira në veprën e predikimit. Për shembull, në Danimarkë, një program në televizionin kombëtar trajtoi temën: «Pse po bie besimi i danezëve?» Ndër të tjerët, u intervistuan edhe Dëshmitarët e Jehovait. Një grua që kishte ndjekur këtë program komentoi: «Ishte shumë e qartë se kush kishte frymën e Perëndisë.» Me të u fillua një studim biblik.
14. Çfarë do të jenë të detyruar të pranojnë së shpejti me hidhërim kundërshtarët?
14 Dëshmitarët e Jehovait e dinë se shumë njerëz në këtë botë do t’i kundërshtojnë. (Gjoni 17:14) Megjithatë, ata i forcon profecia e Isaisë: «Edhe bijtë e shtypësve të tu do të vijnë duke u përkulur para teje dhe të gjithë ata që të kanë përçmuar do të bien përmbys në këmbët e tua dhe do të thërrasin: ‘Qyteti i Zotit, Sioni i të Shenjtit të Izraelit’.» (Isaia 60:14) Shumë shpejt kundërshtarët do të jenë të detyruar të pranojnë me hidhërim se në fakt kanë qenë duke luftuar kundër vetë Perëndisë. Kush mund ta fitojë një betejë të tillë?
15. Në ç’mënyrë ‘thithin qumështin e kombeve’ Dëshmitarët e Jehovait dhe si është pasqyruar kjo në veprën e tyre të ungjillëzimit e të mësimdhënies?
15 Më tej, Jehovai premton: «Do të të bëj një shkëlqim të përjetshëm . . . Ti do të thithësh qumështin e kombeve, do të thithësh gjinjtë e mbretërve të tu dhe do të pranosh që unë, Zoti, jam Shpëtimtari yt.» (Isaia 60:15, 16) Po, Jehovai është Shpëtimtari i popullit të tij. Nëse ata mbështeten tek ai, do të qëndrojnë ‘përjetësisht’. Gjithashtu, do të ‘thithin qumështin e kombeve’, duke përdorur disa burime të disponueshme për çuarjen përpara të adhurimit të vërtetë. Për shembull, përdorimi me mençuri i teknologjisë së kompjuterit dhe të komunikacioneve e lehtëson botimin e njëkohshëm të Kullës së Rojës në 121 gjuhë dhe të revistës Zgjohuni! në 62 gjuhë. Është projektuar një program specifik kompjuteri për të ndihmuar në përkthimin e Përkthimit Bota e Re në disa gjuhë të tjera dhe ky përkthim sjell shumë gëzim. Në vitin 1999, kur u prezantua përkthimi kroat i Shkrimeve të Krishtere Greke, mijëra njerëz derdhën lot gëzimi. Një vëlla i moshuar tha: «Kam pritur kaq shumë për këtë Bibël. Tani mund të vdes i qetë!» Qarkullimi i Përkthimit Bota e Re, i tëri ose pjesërisht, i ka kaluar 100 milionë kopjet në 34 gjuhë.
Norma të larta morale
16, 17. (a) Ndonëse është e vështirë, përse është jetësore të mbajmë normat e larta të Jehovait? (b) Cila përvojë tregon se të rinjtë mund ta shmangin ndotjen nga bota?
16 Jezui tha: «Kushdo që bën gjëra të mbrapshta e urren dritën.» (Gjoni 3:20) Nga ana tjetër, ata që qëndrojnë në dritë i duan normat e larta të Jehovait. Nëpërmjet Isaisë, Jehovai thotë: «Tërë ata të popullit tënd do të jenë të drejtë.» (Isaia 60:21a) Mund të jetë një sfidë të mbash norma të drejta në një botë ku imoraliteti seksual, gënjeshtra, lakmia dhe krenaria janë kaq mbizotëruese. Për shembull, në disa vende ekonomitë po lulëzojnë dhe është e lehtë të devijosh, duke kërkuar me vendosmëri pasuritë. Megjithatë, Pavli paralajmëroi: «Ata që dëshirojnë të pasurohen, bien në tundim, në lak dhe në shumë pasione të paarsyeshme e të dëmshme, që i plandosin njerëzit në rrënim dhe shkatërrim.» (1. Timoteut 6:9) Sa tragjike është kur dikush angazhohet kaq shumë me sipërmarrjet tregtare, saqë sakrifikon gjërat me të vërtetë të rëndësishme, si për shembull: shoqërinë e krishterë, shërbimin e shenjtë, parimet morale dhe përgjegjësitë familjare!
17 Veçanërisht të rinjtë mund ta kenë të vështirë të mbajnë normat e drejta, pasi shumë nga bashkëmoshatarët e tyre janë përfshirë në abuzimin me drogën dhe në imoralitet. Në Surinam, një vajze 14-vjeçare iu afrua një djalë simpatik i shkollës, i cili e ftoi të kishin marrëdhënie seksuale. Ajo refuzoi, duke shpjeguar se Bibla i ndalon gjëra të tilla që bëhen jashtë martesës. Vajzat e tjera në shkollë e përqeshën dhe u përpoqën t’i bënin presion kësaj vajze për të ndryshuar mendim, duke thënë se të gjitha vajzat e shkollës do të dëshironin të flinin me atë djalë në veçanti. Megjithatë, vajza qëndroi e patundur. Disa javë më vonë, doli që ai djalë kishte virusin e HIV-it dhe u sëmur rëndë. Vajza ishte e lumtur që i ishte bindur urdhrit të Jehovait për të ‘hequr dorë nga kurvëria’. (Veprat 15:28, 29) Dëshmitarët e Jehovait janë shumë krenarë për të rinjtë që gjenden mes tyre, të cilët qëndrojnë të patundur për atë që është e drejtë. Besimi i tyre dhe i prindërve të tyre e ‘zbukuron’ dhe i sjell nderim emrit të Perëndisë Jehova.—Isaia 60:21b.
Jehovai ka shkaktuar rritjen
18. (a) Çfarë gjërash madhështore ka bërë Jehovai për popullin e tij? (b) Çfarë dëshmie ekziston se rritja do të vazhdojë dhe cilat perspektiva të lavdishme i presin ata që qëndrojnë nën dritë?
18 Vërtet, Jehovai hedh dritë mbi popullin e tij, duke e bekuar, duke e udhëhequr dhe duke e forcuar atë. Gjatë shekullit të 20-të, ky popull pa përmbushjen e fjalëve të Isaisë: «I vogli vetë do të bëhet një mijë dhe i pakti një komb i fuqishëm. Unë vetë, Jehovai, do ta shpejtoj atë në kohën e duhur.» (Isaia 60:22, BR) Nga ai grusht njerëzish në vitin 1919, «i vogli» është bërë më shumë se «një mijë». Por kjo rritje nuk ka mbaruar ende! Vitin e kaluar, 14.088.751 veta ishin të pranishëm në kremtimin e Përkujtimit të vdekjes së Jezuit. Shumë prej tyre nuk ishin Dëshmitarë aktivë. Jemi të lumtur që ata ishin të pranishëm në këtë kremtim të rëndësishëm dhe i ftojmë të vazhdojnë t’i afrohen dritës. Jehovai po ndriçon akoma në mënyrë të shkëlqyeshme mbi popullin e tij. Dera për në organizatën e tij është ende e hapur. Prandaj, le të jemi të gjithë të vendosur për të qëndruar nën dritën e Jehovait! Sa shumë bekime sjell kjo gjë për ne tani! Dhe çfarë gëzimi do të sjellë në të ardhmen, kur i gjithë krijimi do të lavdërojë Jehovain dhe do të ngazëllehet në shkëlqimin e lavdisë së tij!—Zbulesa 5:13, 14.
A mund të shpjegosh?
• Kush e ka pasqyruar lavdinë e Jehovait në këto ditë të fundit?
• Nga duket se zelli i popullit të Jehovait nuk ka rënë?
• Cilat janë disa vepra të mira në të cilat angazhohen Dëshmitarët e Jehovait?
• Pavarësisht nga kundërshtimi i ashpër, për çfarë jemi të sigurt?
[Tabela në faqet 17-20]
RAPORTI BOTËROR I DËSHMITARËVE TË JEHOVAIT PËR VITIN E SHËRBIMIT 1999
(Shiko botimin.)
[Figurat në faqen 15]
Njerëzit po mblidhen akoma në organizatën e Jehovait
[Figura në faqen 16]
Jemi të lumtur që Jehovai e ka lënë fare hapur derën, për ata që e duan dritën