Bëj çdo gjë të re: Siç ishte parathënë
«Ai që ulej në fron tha: ‘Ja! Po bëj çdo gjë të re.’ Gjithashtu, ai thotë: . . . ‘Këto fjalë janë të besueshme dhe të vërteta.’»—ZBULESA 21:5, BR.
1, 2. Përse shumë njerëz me të drejtë ngurrojnë të shqyrtojnë se çfarë rezervon e ardhmja?
A KENI thënë ose a keni menduar ndonjëherë: ‘Kushedi se çfarë do të sjellë e nesërmja?’ Mund ta kuptoni përse njerëzit ngurrojnë të marrin me mend çfarë do të sjellë e ardhmja ose t’u besojnë atyre që mund të pohojnë në mënyrë të rrëmbyer se parathonë atë që pritet të vijë. Thjesht, njerëzit nuk kanë aftësinë për të parathënë me saktësi atë që do të ndodhë në muajt ose në vitet e ardhshëm.
2 Një revistë, Forbes ASAP, ia kushtoi një numër të sajin argumentit kohë. Aty, prezantuesi i dokumentarëve televizivë Robert Kringli, shkroi: «Përfundimisht koha na përul të gjithëve, por askush nuk vuan më shumë prej saj, sesa parashikuesit. Të përpiqesh të marrësh me mend të ardhmen është një lojë të cilën ne pothuajse gjithmonë e humbim. . . . E megjithatë, të ashtuquajturit ekspertë vazhdojnë të bëjnë parashikime.»
3, 4. (a) Çfarë optimizmi kanë disa për mijëvjeçarin e ri? (b) Çfarë presin të tjerët në mënyrë realiste për të ardhmen?
3 Mund ta keni vënë re se, me kaq shumë vëmendje që po i kushtohet mijëvjeçarit të ri, ndoshta duket se më shumë njerëz po mendojnë për të ardhmen. Në fillim të vitit të kaluar, në revistën Maclean’s thuhej: «Për shumicën e kanadezëve, viti 2000 mund të jetë thjesht një vit tjetër në kalendar, por mund të ndodhë që ai të përkojë me një fillim vërtet të ri.» Profesori Kris Djudni i Universitetit të Jorkut dha këtë arsye për optimizëm: «Mijëvjeçari do të thotë se mund të hedhim pas shpine një shekull vërtet të tmerrshëm.»
4 A tingëllon kjo thjesht si një iluzion? Në Kanada, vetëm 22 për qind e atyre që iu përgjigjën një ankete «besojnë se viti 2000 do të shënojë një fillim të ri për botën». Në fakt, pothuajse gjysma e tyre «presin një konflikt tjetër botëror» ose një luftë botërore, brenda 50 vjetëve të parë. Është e qartë se shumica mendojnë që një mijëvjeçar i ri nuk mund t’i zhdukë problemet tona, duke e bërë çdo gjë të re. Sër Majkëll Atijahu, ish-president i Shoqatës Mbretërore të Britanisë, shkroi: «Ritmi i shpejtë i ndryshimit . . . tregon se shekulli i 21-të do të sjellë sfida domethënëse për gjithë qytetërimin tonë. Problemet, si: rritja e popullsisë, kufizimi i burimeve, ndotja e mjedisit dhe varfëria e përhapur kudo, ne po i përjetojmë që tani dhe duhen trajtuar si çështje urgjente.»
5. Ku mund të gjejmë informacione të besueshme për atë që pritet të vijë?
5 Ndoshta ju pyetni: ‘Përderisa njerëzit nuk mund ta parathonë se çfarë rezervon e ardhmja, a nuk duhet që thjesht ta shpërfillim atë?’ Përgjigjja është jo. Vërtet, njerëzit nuk mund ta parathonë me saktësi atë që pritet të vijë, por nuk duhet të mendojmë se asnjë nuk mund ta bëjë këtë. Po, atëherë, kush mund ta bëjë dhe përse duhet të jemi optimistë për të ardhmen? Mund të gjeni përgjigje të kënaqshme në katër parashikime specifike. Janë dokumentuar në librin më të shpërndarë dhe më të lexuar e, gjithashtu, shumë të keqkuptuar e shumë të shpërfillur: në Bibël. Çfarëdo gjëje që të mendoni për Biblën dhe pavarësisht se sa mirë mund ta njihni atë, do të ishte në dobinë tuaj të shqyrtonit këto katër shkrime themelore. Ato faktikisht parathonë një të ardhme shumë premtuese. Për më tepër, këto katër profeci kyçe tregojnë se cila mund të jetë e ardhmja juaj dhe e njerëzve tuaj të dashur.
6, 7. Kur profetizoi Isaia dhe si u përmbushën në mënyrë mahnitëse parashikimet e tij?
6 Profecia e parë gjendet në kapitullin 65 të librit të Isaisë. Përpara se ta lexojmë, të fiksojmë në mendje rrethanat, domethënë, kur u shkrua ky material dhe cila situatë trajtohet. Isaia, profeti i Perëndisë që shkroi këto fjalë, jetoi më shumë se një shekull para fundit të mbretërisë së Judës. Fundi erdhi kur Jehovai e hoqi mbrojtjen nga judenjtë jobesnikë, duke i lënë babilonasit ta shkretonin Jerusalemin dhe ta merrnin popullin në mërgim. Kjo ndodhi më shumë se njëqind vjet pasi e kishte parathënë Isaia.—2. Kronikave 36:15-21.
7 Lidhur me sfondin historik të përmbushjes, kujtoni se nën drejtimin e Perëndisë, Isaia paratha emrin e Kirit, persianit që ende nuk kishte lindur, i cili e përmbysi përfundimisht Babiloninë. (Isaia 45:1) Kiri përgatiti rrethanat që judenjtë të riktheheshin në atdheun e tyre, në vitin 537 p.e.s. Në mënyrë të mahnitshme, Isaia e kishte parathënë këtë rivendosje, siç e lexojmë në kapitullin 65. Ai u përqendrua në kushtet që do të mund të gëzonin izraelitët kur të ktheheshin në atdhe.
8. Cilën të ardhme të lumtur paratha Isaia dhe cila shprehje është me interes të veçantë?
8 Tek Isaia 65:17-19 lexojmë: «Ja, unë krijoj qiej të rinj dhe një tokë të re, dhe gjërat e mëparshme nuk do të kujtohen më dhe nuk do të vijnë më në mendje. Por ju gëzohuni dhe ngazëllohuni përjetë për atë që krijoj; sepse, ja, unë krijoj Jerusalemin për kënaqësinë dhe popullin e tij për gëzimin. Do të kënaqem me Jerusalemin dhe do të gëzohem me popullin tim; në të nuk do të dëgjohet më asnjë zë vaji ose zë klithme.» Sigurisht, Isaia përshkroi kushte që ishin shumë herë më të mira se ato në të cilat kishin jetuar judenjtë në Babiloni. Ai paratha gëzim dhe ngazëllim. Tani vini re shprehjen «qiej të rinj dhe një tokë të re». Ky është i pari nga katër rastet ku shfaqet kjo frazë në Bibël dhe këto katër fragmente mund të kenë lidhje të drejtpërdrejtë me të ardhmen tonë, madje, duke e parathënë atë.
9. Si u përfshinë judenjtë e lashtë në një përmbushje të Isaisë 65:17-19?
9 Përmbushja e parë e Isaisë 65:17-19 kishte të bënte me judenjtë e lashtë, të cilët, siç e kishte parathënë me saktësi Isaia, u rikthyen vërtet në atdheun e tyre, ku rivendosën adhurimin e pastër. (Esdra 1:1-4; 3:1-4) Natyrisht, e kuptojmë se ata u kthyen në një vend mbi të njëjtin planet, jo diku tjetër në univers. Dijenia e kësaj mund të na ndihmojë të kuptojmë se çfarë donte të thoshte Isaia me qiej të rinj dhe një tokë të re. Nuk duhet të hamendemi, siç bëjnë disa, me profecitë e turbullta të Nostradamusit ose të parashikuesve të tjerë njerëzorë. Vetë Bibla e sqaron atë që donte të thoshte Isaia.
10. Si duhet ta kuptojmë ‘tokën’ e re që paratha Isaia?
10 Në Bibël, fjala «tokë» nuk i referohet gjithmonë globit tonë. Për shembull, te Psalmi 96:1 fjalë për fjalë thuhet: ‘Këndoji Jehovait, e gjithë ti o tokë.’ (BR) Ne e dimë që planeti ynë (toka e thatë dhe oqeanet e pafund), nuk mund të këndojë. Njerëzit këndojnë. Prandaj, Psalmi 96:1 u referohet njerëzve në tokë.a Por tek Isaia 65:17 përmenden edhe «qiej të rinj». Nëse ‘toka’ përfaqëson një shoqëri të re njerëzish në atdheun e judenjve, çfarë janë ‘qiejt e rinj’?
11. Kujt iu referua fraza «qiej të rinj»?
11 Në një enciklopedi, Cyclopædia of Biblical, Theological, and Ecclesiastical Literature, nga Meklintok dhe Strong, thuhet: «Kudo që përshkruhet konteksti i një vizioni profetik, qielli nënkupton . . . tërë asamblenë e fuqive sunduese . . . që qëndrojnë mbi nënshtetasit dhe i sundojnë ata, ashtu si qielli natyror qëndron mbi tokën dhe e sundon atë.» Për sa i përket frazës së kombinuar «qiell dhe tokë», enciklopedia shpjegon se ‘në gjuhën profetike, fraza i referohet gjendjes politike të njerëzve të shtresave të ndryshme. Qielli është klasa sunduese; toka është klasa e sunduar, njerëz që sundohen nga ata që qëndrojnë më lart’.
12. Si i përjetuan judenjtë e lashtë ‘qiejtë e rinj dhe tokën e re’?
12 Kur u kthyen në atdheun e tyre, judenjtë fituan atë që mund të quhet një sistem i ri gjërash. Kishin një trup të ri sundues. Qeveritar ishte Zorobabeli, një pasardhës i mbretit David dhe kryeprift ishte Josiu. (Hagai 1:1, 12; 2:21; Zakaria 6:11) Këta përbënin ‘qiejt e rinj’. Mbi kë qëndronin? ‘Qiejt e rinj’ qëndronin mbi «një tokë të re», domethënë një shoqëri të pastruar njerëzish që ishin rikthyer në vendin e tyre për të rindërtuar Jerusalemin dhe tempullin për adhurimin e Jehovait. Prandaj, në këtë kuptim të mirëfilltë pati qiej të rinj dhe një tokë të re në përmbushjen që përfshinte judenjtë e asaj kohe.
13, 14. (a) Cilin rast tjetër ku shfaqet fraza «qiej të rinj dhe një tokë të re» duhet të shqyrtojmë? (b) Përse profecia e Pjetrit është me interes të veçantë në këtë kohë?
13 Të bëjmë kujdes për të mos humbur thelbin e çështjes. Kjo nuk është as një përpjekje teorike për të interpretuar Biblën, as një vështrim i thjeshtë në historinë e lashtë. Këtë mund ta kuptojmë duke kaluar në një rast tjetër kur shfaqet fraza «qiej të rinj dhe një tokë të re». Këtë rast e gjejmë në kapitullin 3 të letrës së dytë të Pjetrit dhe do të kuptojmë se aty përfshihet e ardhmja jonë.
14 Apostulli Pjetër e shkroi letrën e tij më shumë se 500 vjet pasi judenjtë ishin kthyer në atdhe. Si një apostull i Jezuit, Pjetri po ua shkruante këtë letër ithtarëve të Krishtit, «Zotit» që përmendet në 2. Pjetrit 3:2. Në vargun 4, Pjetri përmend ‘praninë e premtuar’ të Jezuit dhe kjo e bën profecinë shumë të rëndësishme sot. (BR) Dëshmi të shumta tregojnë se që nga Lufta I Botërore, Jezui ka qenë i pranishëm në kuptimin që ka marrë autoritetin si Sundimtar në Mbretërinë qiellore të Perëndisë. (Zbulesa 6:1-8; 11:15, 18) Kjo merr domethënie të veçantë po të kemi parasysh diçka tjetër që paratha Pjetri në këtë kapitull.
15. Si po gjen përmbushje profecia e Pjetrit lidhur me «qiej të rinj»?
15 Te 2. Pjetrit 3:13 lexojmë: «Sipas premtimit të tij, presim qiej të rinj dhe tokë të re, në të cilët banon drejtësia.» Ndoshta e keni mësuar tashmë se Jezui në qiell është Sundimtari kryesor në ‘qiejt e rinj’. (Luka 1:32, 33) Megjithatë, shkrime të tjera biblike tregojnë se ai nuk sundon i vetëm. Jezui premtoi se apostujt dhe disa të tjerë si ata do të kishin një vend në qiell. Në librin e Hebrenjve, apostulli Pavël i përshkroi këta persona si «pjesëtarë të thirrjes qiellore». Gjithashtu, Jezui tha se pjesëtarët e këtij grupi do të uleshin në frone në qiell, bashkë me të. (Hebrenjve 3:1; Mateu 19:28; Luka 22:28-30; Gjoni 14:2, 3) Pika është që edhe të tjerë mbretërojnë me Jezuin si pjesë e qiejve të rinj. Po atëherë, çfarë donte të thoshte Pjetri me termin ‘tokë e re’?
16. Cila ‘tokë e re’ ekziston tashmë?
16 Ashtu si në përmbushjen e lashtë, me kthimin e judenjve në atdhe, përmbushja aktuale e 2. Pjetrit 3:13 përfshin njerëz që i nënshtrohen sundimit të qiejve të rinj. Sot mund të gjeni miliona njerëz që po i nënshtrohen me gëzim këtij sundimi. Ata po nxjerrin dobi nga programi i tij i arsimimit dhe po përpiqen të ndjekin ligjet e tij që gjenden në Bibël. (Isaia 54:13) Këta përbëjnë themelin e ‘tokës së re’ në kuptimin që formojnë një shoqëri globale me njerëz nga të gjitha kombësitë, gjuhët dhe racat, të cilët punojnë së bashku të nënshtruar ndaj Mbretit që sundon, Jezu Krishtit. Një fakt domethënës është se edhe ju mund të jeni pjesë e kësaj.—Mikea 4:1-4.
17, 18. Përse fjalët e 2. Pjetrit 3:13 na japin arsye të shpresojmë për të ardhmen?
17 Mos mendoni se këtu mbaron gjithçka, se nuk kemi asnjë kuptueshmëri të hollësishme për të ardhmen. Në fakt, ndërsa shqyrtoni kontekstin e kapitullit 3 të letrës së dytë të Pjetrit, do të gjeni tregues për një ndryshim të madh që na pret. Në vargjet 5 dhe 6, Pjetri shkruan për Përmbytjen e ditëve të Noes, e cila i dha fund botës së ligë të asaj kohe. Në vargun 7, Pjetri përmend se «qiejtë dhe toka që janë tani», domethënë, sundimet dhe masat e njerëzve, janë rezervuar për «ditën e gjykimit dhe të shkatërrimit të njerëzve të paperëndishëm ». (BR) Kjo vërteton se fraza «qiejt dhe toka që janë tani» i referohet jo universit material, por njerëzve dhe sundimeve të tyre.
18 Pas kësaj Pjetri shpjegon se dita e afërt e Jehovait do të kryejë një pastrim të madh, duke përgatitur kushtet për qiejt e rinj dhe për tokën e re, të përmendur në vargun 13. Vini re që në fundin e këtij vargu thuhet «në të cilët banon drejtësia». A nuk tregon kjo se duhet të ndodhin disa ndryshime madhështore për më mirë? A nuk tregon kjo perspektivën për gjëra vërtet të reja, për një kohë kur njerëzit do të gjejnë më shumë kënaqësi në jetë, sesa sot? Nëse arrini ta dalloni këtë, atëherë keni fituar mendjehollësi për atë që parathotë Bibla, diçka që relativisht pak njerëz e kanë.
19. Në çfarë konteksti i referohet libri i Zbulesës ‘qiejve të rinj dhe tokës së re’ që do të vijnë?
19 Por le të vazhdojmë më tej. Kemi shqyrtuar rastin kur është shfaqur fraza «qiej të rinj dhe një tokë të re», në kapitullin 65 të Isaisë dhe një rast tjetër në kapitullin 3 të letrës së dytë të Pjetrit. Tani kaloni në kapitullin 21 të Zbulesës, ku gjendet një rast tjetër i përdorimit të kësaj shprehjeje në Bibël. Përsëri, do të marrim ndihmë duke kuptuar kontekstin. Dy kapituj më parë, në kapitullin 19 të Zbulesës, gjejmë, me një simbolikë të gjallë, përshkrimin e një lufte, por jo të një lufte midis kombeve armike. Në njërën anë në këtë luftë është «Fjala e Perëndisë». Ka mundësi që ta njihni se ky titull i referohet Jezu Krishtit. (Gjoni 1:1, 14) Ai është në qiell dhe ky vizion e paraqet së bashku me ushtritë e tij qiellore. Kundër kujt luftojnë? Në kapitull përmenden ‘mbretër’, ‘komandantë ushtarakë’ dhe njerëz të shtresave të ndryshme, ‘të vegjël dhe të mëdhenj’. Kjo betejë përfshin ditën e ardhshme të Jehovait, shkatërrimin e ligësisë. (2. Selanikasve 1:6-10) Më tej, kapitulli 20 i Zbulesës hapet me përshkrimin e eliminimit të ‘gjarprit të lashtë, që është Djalli dhe Satani’. Këto krijojnë sfondin për të shqyrtuar kapitullin 21 të Zbulesës.
20. Cili ndryshim domethënës gjendet para nesh, siç e tregon Zbulesa 21:1?
20 Apostulli Gjon fillon me fjalët rrëqethëse: «Pashë një qiell të ri dhe një dhe të ri; sepse qielli i parë dhe dheu i parë kishin shkuar, dhe deti nuk ishte më.» Bazuar në atë që kemi parë në kapitullin 65 të Isaisë dhe në kapitullin 3 të letrës së dytë të Pjetrit, mund të jemi të sigurt që kjo nuk nënkupton se do të zëvendësohen qiejt e vërtetë dhe planeti ynë, me thellësitë e tij ujore. Siç treguan kapitujt e mëparshëm, ata që do të eliminohen janë njerëzit e ligj dhe sundimet e tyre, duke përfshirë edhe sundimtarin e padukshëm, Satanain. Prandaj, ajo që premtohet këtu është një sistem i ri gjërash që përfshin njerëzit në tokë.
21, 22. Për cilat bekime na siguron Gjoni dhe çfarë do të thotë që do të thahen lotët?
21 Për këtë sigurohemi ndërsa vazhdojmë me shqyrtimin e kësaj profecie të mrekullueshme. Vargu 3 përfundon duke folur për kohën kur Perëndia do të jetë me njerëzimin, duke e kthyer vëmendjen e tij dashamirëse ndaj njerëzve që bëjnë vullnetin e tij. (Ezekieli 43:7) Në vargjet 4 dhe 5, Gjoni vazhdon: «‘Perëndia [Jehova] do të thajë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan.’ Dhe ai që rrinte mbi fron tha: ‘Ja, unë i bëj të gjitha gjërat të reja.’ Dhe më tha: ‘Shkruaj, sepse këto fjalë janë të vërteta dhe besnike.’» Çfarë profecie inkurajuese!
22 Ndaluni pak për të shijuar atë që parathotë Bibla. ‘Perëndia do të thajë çdo lot nga sytë e tyre.’ Kjo nuk mund t’u referohet lotëve normalë që lajnë sytë tanë të ndjeshëm dhe as nuk mund t’u referohet lotëve të gëzimit. Jo, lotët që do të thajë Perëndia janë lot të shkaktuar nga vuajtjet, pikëllimi, zhgënjimi, lëndimi e dhimbja. Si mund të jemi të sigurt? Mirë, pra, ky premtim i jashtëzakonshëm i Perëndisë e lidh fshirjen e lotëve me faktin që ‘vdekja, brengat, klithmat dhe mundimi do të kenë shkuar’.—Gjoni 11:35.
23. Fundin e cilave kushte garanton profecia e Gjonit?
23 A nuk provon kjo se kanceri, goditjet në tru, infarktet e zemrës, e madje edhe vdekja, do të jenë eliminuar? Kush prej nesh nuk ka humbur një person të dashur për shkak të ndonjë sëmundjeje, aksidenti apo të ndonjë katastrofe? Këtu Perëndia premton se vdekja nuk do të jetë më dhe kjo sugjeron se fëmijëve që do të lindin në atë kohë nuk do t’u duhet të përballojnë perspektivën për t’u rritur, për t’u plakur e në fund për të vdekur. Gjithashtu, kjo profeci nënkupton se nuk do të ketë më sëmundje Alcajmer, osteoporozë, tumore fibroze, glaukomë ose edhe perde në sy, sëmundje këto të zakonshme në moshat e thyera.
24. Si do të dalin një bekim ‘qielli i ri dhe toka e re’ dhe çfarë do të shqyrtojmë më tej?
24 Pa dyshim, ju do të ishit dakord që brenga dhe klithmat do të pakësoheshin po të eliminohej vdekja, plakja dhe sëmundjet. Por, ç’të themi për varfërinë rrënuese, për abuzimin me fëmijët dhe për diskriminimin shtypës që vjen nga formimi kulturor ose nga ngjyra e lëkurës? Nëse këto gjëra (kaq të zakonshme sot) do të vazhdonin, ne nuk do të çliroheshim nga brenga dhe klithmat. Prandaj, jeta nën ‘një qiell të ri dhe një tokë të re’ nuk do të trazohet nga këto shkaqe të tanishme të pikëllimit. Çfarë ndryshimi! Megjithatë, deri tani kemi shqyrtuar vetëm tri nga katër rastet kur shfaqet në Bibël fraza «qiej të rinj dhe një tokë e re». Ka edhe një rast tjetër që lidhet me atë që kemi shqyrtuar dhe që thekson përse kemi arsye për të pritur me padurim kur edhe si do ta përmbushë Perëndia premtimin e tij për ‘t’i bërë të gjitha gjërat të reja’. Artikulli vijues trajton këtë profeci dhe çfarë mund të nënkuptojë ajo për lumturinë tonë.
[Shënimi]
a Në një version, The New English Bible, Psalmi 96:1 përkthehet: «Këndojini ZOTIT, ju të gjithë njerëzit në tokë.» Në një version tjetër, The Contemporary English Version, lexojmë: «Çdo njeri në këtë tokë, le t’i këndojë lavdi ZOTIT.» Kjo është në përputhje me kuptueshmërinë se me termin ‘tokë e re’ Isaia po i referohej popullit të Perëndisë në tokën e tyre.
Çfarë ju kujtohet?
• Cilat janë tri rastet ku Bibla parathotë «qiej të rinj dhe një tokë të re»?
• Si u përfshinë judenjtë e lashtë në një përmbushje të ‘qiejve të rinj dhe një toke të re’?
• Çfarë përmbushjesh kuptojmë për «qiej të rinj dhe një tokë të re», siç përmendi Pjetri?
• Si e tregon kapitulli 21 i Zbulesës se na pret një e ardhme e ndritshme?
[Figura në faqen 10]
Siç e kishte parathënë Jehovai, Kiri krijoi kushtet që judenjtë të riktheheshin në atdhe, në vitin 537 p.e.s.