Kapitulli njëzet e shtatë
Jehovai bekon adhurimin e pastër
1. Cilat tema theksohen në kapitullin e fundit të Isaisë dhe cilat pyetje marrin përgjigje?
NË KAPITULLIN e fundit të Isaisë, disa nga temat kryesore të këtij libri profetik shkojnë drejt një kulmi dramatik dhe disa pyetje të rëndësishme marrin përgjigje. Ndër temat që theksohen janë pozita e lartë e Jehovait, urrejtja e tij për hipokrizinë, vendosmëria e tij për të ndëshkuar të ligjtë dhe dashuria e meraku i tij për besnikët. Veç kësaj, marrin përgjigje pyetjet e mëposhtme: Çfarë e dallon adhurimin e vërtetë nga ai i rremë? Si mund të jemi të sigurt se Jehovai do t’i ndëshkojë hipokritët që hiqen se janë të shenjtë, por ndërkohë shtypin popullin e Perëndisë? Dhe si do t’i bekojë Jehovai ata që i qëndrojnë besnikë?
Çelësi për të identifikuar adhurimin e pastër
2. Çfarë shpall Jehovai lidhur me madhështinë e tij dhe çfarë nuk nënkuptojnë këto fjalë?
2 Si fillim, profecia thekson madhështinë e Jehovait: «Kjo është ajo që ka thënë Jehovai: ‘Qiejt janë froni im dhe toka është stoli i këmbëve të mia. Ku është, atëherë, shtëpia që mund të ndërtoni për mua dhe ku është vendi që mund të më shërbejë si vend pushimi?’» (Isaia 66:1) Disa mendojnë se profeti po i këshillon judenjtë që të mos rindërtojnë një tempull për Jehovain, kur kombi të rivendoset në vendin e tij. Por nuk është kështu, sepse vetë Jehovai do të urdhërojë që tempulli të rindërtohet. (Ezdra 1:1-6; Isaia 60:13; Hageu 1:7, 8) Ç’kuptim ka kjo pjesë, atëherë?
3. Pse është e përshtatshme që toka është përshkruar si «stoli i këmbëve» të Jehovait?
3 Së pari, mund të shqyrtojmë përse toka përshkruhet si «stoli i këmbëve» të Jehovait. Ky nuk është një term përçmues. Mes miliarda trupave qiellorë në univers, vetëm toka thirret në këtë mënyrë të veçantë. Planeti ynë do të mbetet përgjithmonë unik, sepse këtu e pagoi shpërblesën Biri i vetëmlindur i Jehovait dhe këtu Jehovai do ta shfajësojë sovranitetin e tij nëpërmjet Mbretërisë Mesianike. Sa e përshtatshme është që toka të quhet stoli i këmbëve të Jehovait! Një mbret mund ta përdorë një stol të tillë për të hipur në fronin e tij të lartë dhe më pas si mbështetëse për këmbët.
4. (a) Pse është e pamundur që çfarëdo ndërtese në tokë të shërbejë si vend pushimi për Perëndinë Jehova? (b) Çfarë nënkupton shprehja «gjithë këto gjëra» dhe ç’përfundim duhet të nxjerrim rreth adhurimit të Jehovait?
4 Natyrisht, një mbret nuk do të banonte mbi stolin e këmbëve të tij dhe as Jehovai nuk banon mbi tokë. Në të vërtetë, atë nuk mund ta nxënë as qiejt fizikë të paanë! Aq më pak mund të jetë e mjaftueshme për Jehovain ndonjë ndërtesë në tokë, e cila të mund të shërbejë në kuptim të mirëfilltë si shtëpi për të. (1 Mbretërve 8:27) Froni i Jehovait dhe vendi i tij i pushimit ndodhen në sferën frymore, e cila nënkuptohet nga shprehja «qiejt» që përdoret në Isainë 66:1. Vargu tjetër e qartëson këtë çështje: «‘Tani, gjithë këto gjëra i ka bërë dora ime, kështu që u formuan të gjitha’,—është shprehja e Jehovait.» (Isaia 66:2a) Përfytyrojeni Jehovain ndërsa e lëviz dorën nga një anë në tjetrën për të treguar «gjithë këto gjëra»—çdo gjë në qiell dhe në tokë. (Isaia 40:26; Zbulesa 10:6) Si Krijuesi i Madh i gjithë universit, ai meriton t’i kushtohet më shumë sesa thjesht një ndërtesë. Ai meriton më shumë sesa thjesht një adhurim sa për të thënë.
5. Në ç’mënyrë tregojmë se jemi ‘të munduar dhe të penduar në frymë’?
5 Ç’lloj adhurimi është i përshtatshëm për Sovranin e universit? Ai vetë na thotë: «Nga ky, pra, do ta kthej shikimin: nga ai që është i munduar dhe i penduar në frymë e që dridhet nga fjala ime.» (Isaia 66:2b) Po, gjendja e duhur e zemrës së adhuruesit është thelbësore në adhurimin e pastër. (Zbulesa 4:11) Adhuruesi i Jehovait duhet të jetë «i munduar dhe i penduar në frymë». A do të thotë kjo se Jehovai dëshiron që ne të mos jemi të lumtur? Jo, sepse ai është ‘Perëndia i lumtur’ dhe dëshiron që edhe adhuruesit e tij të jenë të gëzuar. (1 Timoteut 1:11; Filipianëve 4:4) Megjithatë, të gjithë ne mëkatojmë shpesh dhe nuk duhet t’i marrim lehtë-lehtë mëkatet tona. Duhet të na ‘mundojnë’ e të na trishtojnë për faktin që nuk kemi qenë në lartësinë e normave të drejta të Jehovait. (Psalmi 51:17) Duhet të tregojmë se jemi të «penduar në frymë», duke ndier keqardhje, duke luftuar kundër prirjeve tona mëkatare dhe duke iu lutur Jehovait për falje.—Luka 11:4; 1 Gjonit 1:8-10.
6. Në cilin kuptim duhet të ‘dridhen nga fjala e Perëndisë’ adhuruesit e vërtetë?
6 Veç kësaj, Jehovai e kthen shikimin nga ata që ‘dridhen nga fjala e tij’. A do të thotë kjo se ai dëshiron që ne të dridhemi nga frika sa herë që lexojmë ato që ka shpallur ai? Jo, në vend të kësaj, ai dëshiron që ne ta shohim me nderim të thellë atë që ai thotë. Ne kërkojmë me çiltërsi këshilla prej tij, duke i përdorur ato si udhëheqje në të gjitha fushat e jetës. (Psalmi 119:105) Gjithashtu, mund të ‘dridhemi’ në kuptimin që na frikëson edhe vetëm ideja që të mos i bindemi Perëndisë, që ta ndotim të vërtetën me tradita njerëzore ose që ta trajtojmë atë si një gjë të parëndësishme. Një qëndrim i tillë i përulur është thelbësor për adhurimin e pastër, por, mjerisht, është një gjë e rrallë në botën e sotme.
Jehovai e urren adhurimin me hipokrizi
7, 8. Si e shikon Jehovai adhurimin sa për të thënë të hipokritëve fetarë?
7 Ndërsa mendon për bashkëkohësit e tij, Isaia është plotësisht i vetëdijshëm se vetëm pak prej tyre e kanë qëndrimin që kërkon Jehovai nga adhuruesit e tij. Për këtë arsye, Jerusalemi apostat e meriton gjykimin që po vjen. Vëreni se si e sheh Jehovai adhurimin që bëhet atje: «Ai që ther demin është si ai që vret një njeri. Ai që flijon delen është si ai që thyen qafën e një qeni. Ai që ofron një dhuratë, si një që ofron gjakun e një derri! Ai që paraqet një përkujtim temjani të bardhë është si ai që thotë një bekim me fjalë magjike. Ata janë, gjithashtu, ata që i kanë zgjedhur vetë rrugët e tyre, shpirti i të cilëve ka gjetur kënaqësi në gjërat e tyre të neveritshme.»—Isaia 66:3.
8 Këto fjalë na kujtojnë fjalët e Jehovait të dokumentuara në kapitullin e parë të Isaisë. Atje Jehovai i tha popullit të tij rebel se veprat e tyre të adhurimit, që bëheshin sa për të thënë, jo vetëm që nuk e kënaqnin, por, në të vërtetë, bënin që zemërimi i tij i drejtë të shtohej për faktin që adhuruesit ishin hipokritë. (Isaia 1:11-17) Në mënyrë të ngjashme, tani Jehovai i krahason flijimet e tyre me krime të urryera. Flijimi i një demi të kushtueshëm nga ana e tyre do ta qetësonte Jehovain po aq sa do ta qetësonte vrasja e një njeriu! Flijimet e tjera krahasohen me flijimin e një qeni ose të një derri, të cilat janë kafshë të papastra sipas Ligjit të Moisiut dhe sigurisht të papërshtatshme për t’u flijuar. (Levitiku 11:7, 27) A lejon Jehovai që kjo hipokrizi fetare të kalojë pa u ndëshkuar?
9. Si kanë reaguar shumica e judenjve ndaj përkujtuesve që u ka dhënë Jehovai nëpërmjet Isaisë dhe cila do të jetë pasoja e pashmangshme?
9 Tani Jehovai thotë: «Unë, nga ana ime, do të zgjedh mënyra për t’i keqtrajtuar; do të dërgoj mbi ta gjëra të frikshme për ta; sepse thirra, por nuk u përgjigj njeri; fola, por nuk dëgjoi asnjeri; vazhduan të bënin atë që ishte e keqe në sytë e mi dhe zgjodhën atë në të cilën unë nuk gjeja kënaqësi.» (Isaia 66:4) Pa dyshim, Isaia është në gjendje t’i thotë këto fjalë me bindje të plotë nga zemra. Për shumë vjet ai ka qenë mjeti i Jehovait, duke i ‘thirrur’ dhe duke i ‘folur’ popullit të Tij. Profeti e di fare mirë që, në përgjithësi, asnjë nuk ka dëgjuar. Meqenëse kanë vazhduar të bëjnë atë që është e keqe, ndëshkimi është i pashmangshëm. Jehovai me të vërtetë do ta zgjedhë ndëshkimin e tyre dhe do të dërgojë ngjarje të frikshme mbi popullin e tij apostat.
10. Çfarë mësojmë nga mënyra se si e trajtoi Jehovai Judën dhe si lidhet kjo me faktin se si e sheh ai të ashtuquajturin krishterim?
10 Në mënyrë të ngjashme, i ashtuquajturi krishterim në kohët e sotme ka praktikuar gjëra në të cilat Jehovai nuk gjen kënaqësi. Idhujtaria lulëzon në kisha, filozofitë dhe traditat jobiblike ngrihen në qiell nga katedrat e tyre. Nga ana tjetër, etja për pushtet politik e ka zhytur të ashtuquajturin krishterim gjithnjë e më thellë në një marrëdhënie me kombet e botës që krahasohet me një tradhti bashkëshortore në kuptimin frymor. (Marku 7:13; Zbulesa 18:4, 5, 9) Si në rastin e Jerusalemit të lashtë, ndëshkimi i merituar i të ashtuquajturit krishterim—një gjë «e frikshme»—po vjen pa mëshirë mbi të. Një ndër arsyet e ndëshkimit të tij të sigurt është mënyra se si e ka trajtuar popullin e Perëndisë.
11. (a) Çfarë e bën edhe më të rëndë mëkatin e apostatëve në ditët e Isaisë? (b) Në cilin kuptim bashkëkohësit e Isaisë i mënjanojnë besimplotët ‘për shkak të emrit të Perëndisë’?
11 Isaia vazhdon: «Dëgjoni fjalën e Jehovait, ju që dridheni nga fjala e tij: “Vëllezërit tuaj që ju urrejnë, që ju mënjanojnë për shkak të emrit tim, thanë: ‘Qoftë i lëvduar Jehovai!’ Gjithashtu, ai duhet të shfaqet me gëzim nga ana juaj dhe ata janë ata që do të turpërohen.”» (Isaia 66:5) «Vëllezërit» e Isaisë, bashkëkombësit e tij, kanë përgjegjësinë që u ka dhënë Perëndia Jehova, për ta përfaqësuar atë dhe për t’iu nënshtruar sovranitetit të tij. Duke mos e bërë këtë, mëkati i tyre është vërtet i rëndë. Por ajo që e bën edhe më të rëndë mëkatin e tyre është fakti që ata urrejnë njerëzit besimplotë e të përulur, të tillë si Isaia. Këta apostatë i urrejnë dhe i mënjanojnë njerëzit besimplotë, sepse këta e përfaqësojnë me të vërtetë Perëndinë Jehova. Në këtë kuptim i mënjanojnë ‘për shkak të emrit të Perëndisë’. Në të njëjtën kohë, këta shërbëtorë të rremë të Jehovait pohojnë se janë përfaqësues të tij dhe hiqen si të ishin të përshpirtshëm duke përdorur fraza të tilla me ngjyrim fetar, si: «Qoftë i lëvduar Jehovai!»a
12. Cilët janë disa shembuj të përndjekjes së shërbëtorëve besimplotë të Jehovait nga hipokritët fetarë?
12 Urrejtja që ka feja e rreme për përkrahësit e adhurimit të pastër nuk është një gjë e re. Ajo është një përmbushje e mëtejshme e profecisë në Zanafillën 3:15, e cila paratha një armiqësi të gjatë mes farës së Satanait dhe Farës së gruas së Perëndisë. Jezui u tha ithtarëve të tij të mirosur në shekullin e parë se edhe ata do të vuanin nga bashkëkombësit e tyre—do të përjashtoheshin nga sinagogat e do të përndiqeshin, madje, deri në vdekje. (Gjoni 16:2) Ç’të themi për kohën tonë? Në fillim të ‘ditëve të fundit’, populli i Perëndisë pa se përpara i priste një përndjekje e ngjashme. (2 Timoteut 3:1) Në vitin 1914, Kulla e Rojës citonte Isainë 66:5, duke komentuar: «Pothuajse e gjithë përndjekja e popullit të Perëndisë ka ardhur nga ata që pohojnë se janë të krishterë.» I njëjti artikull thoshte, gjithashtu: «Nuk e dimë nëse do të kalojnë në ekstreme në kohën tonë, domethënë derisa të na dëmtojnë në aspektin shoqëror, në aspektin organizativ ose ndoshta të na vrasin fizikisht.» Sa të vërteta dolën ato fjalë! Jo shumë kohë pas botimit të tyre, përndjekja e nxitur nga kleri arriti përmasa ekstreme gjatë Luftës I Botërore. Por, ashtu siç ishte parathënë, i ashtuquajturi krishterim u turpërua. Si?
Një rivendosje e shpejtë dhe e papritur
13. Çfarë është në përmbushjen e parë ‘zhurma e trazirës që vjen nga qyteti’?
13 Isaia profetizon: «Ka një zhurmë trazire që vjen nga qyteti, një zhurmë që vjen nga tempulli! Është zhurma e Jehovait që po u jep armiqve të tij pagën që meritojnë.» (Isaia 66:6) Në përmbushjen e parë të këtyre fjalëve, «qyteti» është Jerusalemi, vendi ku ndodhet tempulli i Jehovait. ‘Zhurma e trazirës’ i referohet trazirës së luftës, e cila dëgjohet në qytet kur ushtritë pushtuese babilonase sulmojnë në vitin 607 p.e.s. Por ç’të themi për përmbushjen në kohët tona?
14. (a) Çfarë paratha Malakia rreth ardhjes së Jehovait në tempullin e Tij? (b) Sipas profecisë së Ezekielit, çfarë ndodhi si pasojë e ardhjes së Jehovait në tempullin e tij? (c) Kur e hetuan tempullin frymor Jehovai dhe Jezui dhe si ndikoi kjo tek ata që pohonin se përfaqësonin adhurimin e pastër?
14 Këto fjalë të Isaisë janë në harmoni me dy shpallje të tjera profetike, njëra e dokumentuar në Ezekielin 43:4, 6-9 dhe tjetra në Malakinë 3:1-5. Si Ezekieli, ashtu edhe Malakia parathonë një kohë kur Perëndia Jehova vjen në tempullin e tij. Profecia e Malakisë tregon se Jehovai vjen për të hetuar shtëpinë e tij të adhurimit të pastër dhe për të vepruar si një Rafinues, duke i hedhur poshtë ata që e përfaqësojnë keq. Vegimi i Ezekielit paraqet Jehovain që hyn në tempull dhe që kërkon të hiqet çdo gjurmë e imoralitetit dhe e idhujtarisë.b Në përmbushje të këtyre profecive në kohët tona, në vitin 1918, pati një zhvillim të rëndësishëm frymor në lidhje me adhurimin e Jehovait. Me sa duket, Jehovai dhe Jezui bënë një hetim të të gjithë atyre që pohonin se përfaqësonin adhurimin e pastër. Ai hetim çoi në hedhjen poshtë përfundimisht të të ashtuquajturit krishterim të korruptuar. Për ithtarët e mirosur të Krishtit, hetimi nënkuptoi një periudhë të shkurtër rafinimi, të pasuar nga një rivendosje e shpejtë frymore në vitin 1919.—1 Pjetrit 4:17.
15. Cila lindje parathuhet dhe si përmbushet kjo në vitin 537 p.e.s.?
15 Kjo rivendosje përshkruhet mirë në vargjet vijuese të Isaisë: «Para se t’i fillonin dhembjet e lindjes, ajo lindi. Para se t’i vinin dhembjet e lindjes, nxori në dritë një fëmijë mashkull. Kush ka dëgjuar një gjë si kjo? Kush ka parë gjëra si këto? A do të nxirret në dritë një vend me dhembje lindjeje brenda një dite? Ose a do të lindë një komb përnjëherë? Sepse Sionit i kanë filluar dhembjet e lindjes dhe ka lindur bijtë e saj.» (Isaia 66:7, 8) Për judenjtë e mërguar në Babiloni këto fjalë kanë një përmbushje të parë drithëruese. Sioni ose Jerusalemi përshkruhet edhe një herë si një grua që lind, por kjo lindje është shumë e pazakontë! Është kaq e shpejtë dhe e papritur, saqë ndodh para se të fillojnë dhembjet e lindjes! Ky është një përshkrim i përshtatshëm. Rilindja e popullit të Perëndisë si një komb më vete, në vitin 537 p.e.s., është kaq e shpejtë dhe e papritur, saqë duket si një mrekulli. Në të vërtetë, që nga koha kur Kiri i liron judenjtë nga robëria e deri në kohën kur një mbetje besimplotë kthehet në vendin e vet, kalojnë veçse disa muaj! Çfarë kontrasti në krahasim me ngjarjet që çuan në lindjen fillestare të kombit të Izraelit! Në vitin 537 p.e.s., nuk kanë nevojë t’i kërkojnë lirinë një monarku kokëfortë, nuk kanë nevojë të ikin nga një ushtri armike, nuk kanë nevojë të kalojnë 40 vjet në shkretëtirë.
16. Në përmbushjen e Isaisë 66:7, 8 në kohët tona, çfarë paraqet Sioni dhe në ç’mënyrë kanë rilindur pasardhësit e tij?
16 Në përmbushjen e ditëve tona, Sioni përfaqëson «gruan» qiellore të Jehovait, organizatën e tij qiellore me krijesa frymore. Në vitin 1919, kjo «grua» u gëzua tek shihte lindjen e bijve të saj të mirosur në tokë si një popull i organizuar, si «një komb». Ajo rilindje ishte e shpejtë dhe e papritur.c Brenda disa muajsh, të mirosurit si grup kaluan nga një gjendje joaktive ngjashëm vdekjes, në një jetë plot gjallëri e aktivitet në «vendin» e tyre, në sferën e aktivitetit frymor që u kishte dhënë Perëndia. (Zbulesa 11:8-12) Në vjeshtën e vitit 1919, ata shpallën, madje, botimin e një reviste të re që do të shërbente si plotësuese e Kullës së Rojës. Ai botim i ri, i quajtur Epoka e Artë (tani Zgjohuni!), ishte një dëshmi se populli i Perëndisë ishte rigjallëruar dhe ishte organizuar përsëri për shërbim.
17. Si e siguron Jehovai popullin e tij se asgjë nuk mund ta pengojë që të përmbushë qëllimin e tij lidhur me Izraelin frymor?
17 Asnjë forcë në univers nuk mund ta pengojë këtë rilindje frymore. Vargu vijues e tregon këtë në një mënyrë të gjallë: «‘Sa për mua, a do të shkaktoj çarjen dhe nuk do të shkaktoj lindjen?’,—thotë Jehovai. ‘Ose a shkaktoj një lindje dhe në të vërtetë shkaktoj një mbyllje?’,—ka thënë Perëndia yt.» (Isaia 66:9) Ashtu si procesi i lindjes, që pasi të ketë filluar, është i pashmangshëm, edhe rilindja e Izraelit frymor, si të fillonte, nuk mund të ndalej. Vërtet, pati kundërshtim dhe ka të ngjarë të ketë edhe më shumë në të ardhmen, por vetëm Jehovai mund ta ndalojë atë që ai fillon dhe ai nuk e bën kurrë një gjë të tillë. Por, si e trajton Jehovai popullin e tij të rigjallëruar?
Kujdesi i dashur i Jehovait
18, 19. (a) Çfarë ilustrimi prekës përdor Jehovai dhe si zbatohet ai për popullin e tij të mërguar? (b) Si ka nxjerrë sot dobi mbetja e të mirosurve nga ushqimi dhe kujdesi që i janë dhënë me dashuri?
18 Katër vargjet vijuese paraqesin një tablo prekëse të kujdesit të dashur të Jehovait. Së pari, Isaia thotë: «Gëzohuni me Jerusalemin dhe jini të gëzuar me të, të gjithë ju që e doni. Ngazëllohuni së tepërmi me të, të gjithë ju që vajtoni për të, sepse do të thithni dhe sigurisht do të ngopeni në gjirin e ngushëllimit të saj të plotë, sepse do të rrufitni dhe do të provoni kënaqësi të këndshme në thithën e gjirit të lavdisë së saj.» (Isaia 66:10, 11) Këtu Jehovai përdor ilustrimin e një gruaje që ushqen të voglin e saj. Kur një foshnjë e merr uria, ajo qan pa pushim. Por, kur afrohet pranë gjirit të nënës për t’u ushqyer, e qara kthehet në një kënaqësi që e bën të lumtur. Në mënyrë të ngjashme, mbetja e judenjve besimplotë në Babiloni do të kalojë me të shpejtë nga një gjendje vajtimi, në një gjendje lumturie dhe kënaqësie, kur të vijë koha e çlirimit dhe e rivendosjes. Ata do të jenë të gëzuar. Jerusalemit do t’i rikthehet lavdia dora-dorës që rindërtohet dhe ripopullohet. Pas kësaj, lavdia e qytetit do të përfshijë banorët e tij besimplotë. Ata do të ushqehen përsëri frymësisht nëpërmjet një priftërie aktive.—Ezekieli 44:15, 23.
19 Edhe Izraeli frymor u bekua me ushqim të bollshëm pas rivendosjes në vitin 1919. Që atëherë, ushqimi frymor, i shpërndarë nëpërmjet ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’, ka vërshuar në mënyrë të vazhdueshme. (Mateu 24:45-47) Kjo ka qenë vërtet një kohë ngushëllimi dhe gëzimi për mbetjen e të mirosurve. Por ka pasur edhe bekime të tjera.
20. Si është bekuar Jerusalemi me një «përrua vërshues» qoftë në kohën e lashtë, qoftë në kohët tona?
20 Profecia vazhdon: «Kjo është ajo që ka thënë Jehovai: ‘Ja ku po i jap atij paqen si një lumë dhe lavdinë e kombeve si një përrua vërshues dhe ju, me siguri, do të thithni. Do t’ju mbajnë në ijë dhe do t’ju përkëdhelin në prehër.’» (Isaia 66:12) Këtu imazhi i dhënies së gjirit ndërthuret me përshkrimin e një vërshimi të bollshëm bekimesh—«një lumë» dhe një «përrua vërshues». Jerusalemi do të bekohet jo vetëm me një bollëk paqeje nga Jehovai, por edhe me «lavdinë e kombeve», e cila vërshon dhe bekon popullin e Perëndisë. Kjo do të thotë që popujt e kombeve do të vërshojnë në popullin e Jehovait. (Hageu 2:7) Në përmbushjen e lashtë, një numër njerëzish nga kombe të ndryshme u bashkuan vërtet me Izraelin, duke u bërë prozelitë judenj. Megjithatë, një përmbushje shumë më e madhe ka ndodhur në kohën tonë, kur «një shumicë e madhe . . . nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët»—vërtet një përrua vërshues me njerëz—është bashkuar me mbetjen e judenjve frymorë.—Zbulesa 7:9; Zakaria 8:23.
21. Ç’lloj ngushëllimi parathuhet nëpërmjet një përshkrimi tërheqës?
21 Isaia 66:12 përmban, gjithashtu, shprehje të dashurisë së një nëne, si për shembull, përkëdhelja e fëmijës në prehër dhe mbajtja në ijë. Në vargun vijues, shprehet një mendim i ngjashëm, por me një ndryshim interesant të këndvështrimit. «Ashtu si një burrë të cilin vazhdon ta ngushëllojë nëna e tij, ashtu do të vazhdoj edhe unë t’ju ngushëlloj juve; dhe në rastin e Jerusalemit do të ngushëlloheni.» (Isaia 66:13) Fëmija është tani «një burrë», një i rritur. Por nënës së tij nuk i ka ikur dëshira për ta ngushëlluar në kohë dëshpërimi.
22. Si e tregon Jehovai butësinë dhe forcën e dashurisë së tij?
22 Në këtë mënyrë tërheqëse, Jehovai ilustron forcën dhe butësinë e dashurisë që ka për popullin e tij. Edhe dashuria më e fortë e një nëne nuk është veçse një pasqyrim i zbehtë i dashurisë së thellë që ka Jehovai për popullin e tij besnik. (Isaia 49:15) Sa jetësore është që të gjithë të krishterët ta pasqyrojnë këtë cilësi të Atit të tyre qiellor! Apostulli Pavël e bëri këtë, e kështu la një shembull të shkëlqyer për pleqtë në kongregacionin e krishterë. (1 Selanikasve 2:7) Jezui tha se dashuria vëllazërore do të ishte shenja dalluese kryesore e ithtarëve të tij.—Gjoni 13:34, 35.
23. Përshkruani gjendjen e lumtur të popullit të rivendosur të Jehovait.
23 Jehovai e tregon dashurinë e tij me vepra. Prandaj, vazhdon të thotë: «Me siguri, do të shihni dhe zemra juaj do të ngazëllojë patjetër, e kockat tuaja do të mbijnë si bar i njomë. Dora e Jehovait do t’u bëhet, me siguri, e njohur shërbëtorëve të tij, por në të vërtetë ai do t’i denoncojë armiqtë e tij.» (Isaia 66:14) Një studiues i gramatikës së gjuhës hebraike thotë se shprehja «me siguri, do të shihni» ka mundësi të nënkuptojë se kudo që t’i hedhin sytë në vendin e tyre të ripërtërirë, të mërguarit e kthyer ‘do të shohin vetëm gëzim’. Ata do të ngazëllojnë me të vërtetë dhe do të drithërohen pa masë, sepse janë rivendosur në vendin e tyre të dashur. Do të ndihen të rinuar, sikur kockat e tyre të jenë bërë të forta përsëri, të fuqizuara si bari në pranverë. Të gjithë do ta dinë se kjo gjendje e bekuar nuk ka ardhur nga ndonjë përpjekje njerëzore, por nga ‘dora e Jehovait’.
24. (a) Çfarë përfundimi nxirrni kur shqyrtoni ngjarjet që kanë ndikuar sot te populli i Jehovait? (b) Për çfarë duhet të jemi të vendosur?
24 A e dalloni dorën e Jehovait në veprim mes popullit të tij sot? Asnjë njeri nuk do të kishte mundur të rivendoste adhurimin e vërtetë. Është e pamendueshme që një njeri të bënte të mundur vërshimin e miliona njerëzve të çmuar nga të gjitha kombet, për t’u bashkuar me mbetjen besimplotë në vendin e saj frymor. Vetëm Perëndia Jehova mund të bëjë gjëra të tilla. Këto shprehje të dashurisë së Jehovait na japin arsye për gëzim të thellë. Le të mos e nënvlerësojmë kurrë dashurinë e tij! Le të vazhdojmë të ‘dridhemi nga fjala e tij’! Le të jemi të vendosur të jetojmë sipas parimeve të Biblës dhe të gjejmë kënaqësi duke i shërbyer Jehovait!
[Shënimet]
a Sot, shumë pjesëtarë të të ashtuquajturit krishterim nuk pranojnë ta përdorin emrin personal të Jehovait, duke e hequr atë, madje, edhe nga shumë përkthime të Biblës. Disa tallen me popullin e Perëndisë për faktin që përdor emrin e tij personal. Megjithatë, shumë veta, duke u hequr si të përshpirtshëm, përdorin shprehjen «Halelujah», që do të thotë «Lëvdoni Jah».
b Shprehja «kufomat e mbretërve të tyre» që përdoret në Ezekielin 43:7, 9, u referohet idhujve. Udhëheqësit rebelë dhe populli i Jerusalemit e kishin ndotur tempullin e Perëndisë me idhuj dhe, në fakt, i kishin bërë ata mbretër.
c Lindja e profetizuar këtu nuk është e njëjtë me atë që përshkruhet në Zbulesën 12:1, 2, 5. Në këtë kapitull të Zbulesës, ‘fëmija, një mashkull’, paraqet Mbretërinë Mesianike, e cila filloi të veprojë në vitin 1914. Megjithatë, «gruaja» e të dyja profecive është e njëjta.
[Figura në faqen 395]
«Gjithë këto gjëra i ka bërë dora ime»
[Figura në faqen 402]
Jehovai do t’i japë Sionit «lavdinë e kombeve»