Libri biblik numër 60—1 Pjetrit
Shkrimtari: Pjetri
Vendi ku u shkrua: Babiloni
Shkrimi përfundoi: rr. 62 të e.s.–64 të e.s.
1. Pse të krishterëve iu desh të kalonin sprova dhe pse letra e parë e Pjetrit ishte pikërisht në kohë?
NDËRSA të krishterët e parë shpallnin kudo virtytet e Perëndisë, vepra e Mbretërisë lulëzonte e rritej në të gjithë Perandorinë Romake. Megjithatë, për këtë grup të zellshëm lindën disa keqkuptime. Përderisa feja e tyre kishte lindur në Jerusalem dhe kishte dalë nga gjiri i hebrenjve, disa i ngatërronin me zelotët, që ishin disa hebrenj të dhënë pas politikës, të cilëve u kish ardhur në majë të hundës zgjedha romake dhe u nxirrnin vazhdimisht telashe guvernatorëve lokalë. Veç kësaj, të krishterët ishin të ndryshëm, pasi nuk pranonin të bënin flijime për perandorin ose të merrnin pjesë në ceremonitë fetare pagane të asaj kohe. Për ta flitej keq dhe u duhej të duronin shumë sprova për hir të besimit. Në kohën e duhur dhe me një largpamësi që dëshmon frymëzimin hyjnor, Pjetri shkroi letrën e tij të parë, që t’i inkurajonte të krishterët të qëndronin të patundur e t’i këshillonte si të silleshin nën sundimin e Neronit, cezarit të asaj kohe. Kjo letër doli se ishte më se në kohën e duhur, duke mbajtur parasysh valën e përndjekjes që shpërtheu pothuaj menjëherë pas saj.
2. Ç’gjë tregon se Pjetri ishte shkrimtari i letrës që mban emrin e tij dhe cilëve u drejtohej letra?
2 Fjalët e para të letrës tregojnë se atë e shkroi Pjetri. Veç kësaj, Ireneu, Klementi i Aleksandrisë, Origjeni dhe Tertuliani, të gjithë e përmendin këtë letër, duke ia atribuar Pjetrit.a Autenticiteti i 1 Pjetrit është i vërtetuar po aq sa të gjitha letrat e tjera të frymëzuara. Eusebi thotë se etërit e kishës e përdorën lirisht letrën. Në kohën e tij, (rr. 260–rr. 340 të e.s.), nuk ekzistonte asnjë dyshim për autenticitetin e saj. Injaci, Hermai dhe Barnaba, autorë të fillimit të shekullit të dytë, e kanë përdorur si referim.b 1 Pjetrit është plotësisht në harmoni me pjesën tjetër të Shkrimeve të frymëzuara dhe përmban një mesazh të fuqishëm për të krishterët judenj dhe jojudenj që jetonin si ‘banorë të përkohshëm të shpërndarë nëpër Pont, Galati, Kapadoki, Azi dhe Bitini’, rajone të Azisë së Vogël.—1 Pjet. 1:1.
3. Ç’prova ekzistojnë për kohën kur u shkrua 1 Pjetrit?
3 Kur u shkrua letra? Toni i saj tregon se të krishterët po hasnin sprova si nga paganët, edhe nga judenjtë e pakthyer në fe, por fushata e përndjekjes nga Neroni që shpërtheu në vitin 64 të e.s., nuk kishte filluar ende. Është e dukshme se Pjetri e shkroi letrën pak para se të ndodhte kjo, ndoshta mes vitit 62 dhe 64 të e.s. Këtë përfundim e përforcon fakti që Marku ishte ende me Pjetrin. Gjatë burgosjes së parë të Pavlit në Romë (rr. 59-61 të e.s.), Marku ishte me Pavlin, por iu desh të shkonte në Azinë e Vogël. Kurse në kohën e burgosjes së dytë të Pavlit (rr. 65 të e.s.), do të shkonte përsëri te Pavli në Romë. (1 Pjet. 5:13; Kolos. 4:10; 2 Tim. 4:11) Gjatë këtij intervali, ai do të kishte mundësi të ishte me Pjetrin në Babiloni.
4, 5. (a) Cilat fakte e hedhin poshtë hipotezën se Pjetri e shkroi letrën e tij të parë nga Roma? (b) Ku duket se ai e shkroi letrën nga Babilonia që gjendej në Mesopotami?
4 Ku u shkrua kjo letër? Komentuesit e Biblës pajtohen në lidhje me autenticitetin, faktin që është pjesë e kanunit biblik, autorësinë dhe datën e përafërt të shkrimit të saj, por nuk janë në një mendje në lidhje me vendin ku u shkrua ajo. Sipas vetë fjalëve të Pjetrit, ai e shkroi letrën e tij të parë gjatë kohës që ishte në Babiloni. (1 Pjet. 5:13) Por disa thonë se ai e shkroi këtë letër nga Roma dhe thonë se «Babiloni» ishte emër i fshehtë për Romën. Megjithatë, kjo hipotezë nuk bazohet në prova. Bibla nuk tregon asgjëkundi se Babilonia i referohet në mënyrë të veçantë Romës. Përderisa Pjetri ia drejtoi letrën banorëve të Pontit, të Galatisë, të Kapadokisë, të Azisë dhe të Bitinisë, provinca të mirëfillta, është logjike të mendojmë se edhe Babilonia i referohet një vendi të mirëfilltë me këtë emër. (1:1) Pjetri kishte arsye të forta pse ishte në Babiloni. Atij i ishte besuar ‘lajmi i mirë për të rrethprerët’ dhe, në qytetin e lashtë të Babilonisë dhe përreth tij, kishte një komunitet të madh hebraik. (Gal. 2:7-9) Duke folur për origjinën e Talmudit babilonas, një vepër e njohur (Encyclopaedia Judaica) përmend «akademitë e mëdha [rabinike] të Babilonisë» gjatë periudhës së erës sonë.c
5 Shkrimet e frymëzuara, ku përfshihen edhe dy letrat e shkruara nga Pjetri, nuk thonë askund që ai shkoi në Romë. Pavli tregon se kishte qenë në Romë, por nuk thotë asnjëherë se kishte qenë edhe Pjetri. Pavli përmend 35 emra në letrën e tij drejtuar romakëve dhe u dërgon përshëndetje 26 vetave me emër, por, pse nuk e përmend Pjetrin? Thjesht sepse Pjetri në atë kohë nuk ishte atje. (Rom. 16:3-15) ‘Babilonia’ nga ku e shkroi Pjetri letrën e tij të parë, me sa duket ishte Babilonia që shtrihej buzë brigjeve të lumit Eufrat në Mesopotami.
PËRMBAJTJA E 1 PJETRIT
6. Për ç’shpresë shkruan Pjetri dhe ç’gjë e ka bërë të mundur ‘lindjen e re’ për këtë shpresë?
6 Lindja e re për një shpresë të gjallë nëpërmjet Krishtit (1:1-25). Në fillim, Pjetri e tërheq vëmendjen e lexuesve te ‘lindja e re për një shpresë të gjallë’ dhe te një trashëgimi që s’venitet, e cila është rezervuar për ta në qiej. Kjo është në përputhje me mëshirën e Perëndisë nëpërmjet ringjalljes së Jezu Krishtit. Prandaj, ‘të zgjedhurit’, po gëzojnë shumë, ndonëse të hidhëruar nga sprova të ndryshme, që cilësia e sprovuar e besimit të tyre «të jetë shkak për lëvdim, lavdi dhe nderim kur të zbulohet Jezu Krishti». Profetët e lashtësisë, e madje edhe engjëjt, hulumtuan për këtë shpëtim. Prandaj, të zgjedhurit duhet të përgatitin mendjen për aktivitet, dhe ta varin shpresën te kjo dashamirësi e pamerituar, duke u bërë të shenjtë në të gjithë sjelljen e tyre. A nuk është me vend kjo, pasi nuk janë çliruar me gjëra të prishshme, por «me gjak të çmuar, si ai i një qengji të patëmetë dhe të panjollë, po, të Krishtit»? Ata kanë marrë një «lindje të re» me anë të fjalës së Perëndisë së gjallë e të përjetshëm, që u është shpallur si lajm i mirë.—1:1, 3, 7, 19, 23.
7. (a) Si çfarë po ndërtohen të krishterët dhe për ç’qëllim? (b) Si duhet të sillen të krishterët, duke qenë se janë banorë të përkohshëm?
7 Mbajtja e një sjelljeje të shkëlqyer mes njerëzve nga bota (2:1–3:22). Si gurë të gjallë, të krishterët po ndërtohen si një shtëpi frymore, që të bëjnë flijime frymore të pranueshme për Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, gurit të qoshes për themelin, i cili u bë gur pengese për të pabindurit. Ata që tregojnë besim janë bërë ‘priftëri mbretërore, komb i shenjtë, që të shpallin kudo virtytet e atij që i thirri nga errësira në dritën e tij të mrekullueshme’. Si banorë të përkohshëm mes njerëzve nga bota, duhet të rrinë larg nga dëshirat e mishit dhe të mbajnë një sjellje të shkëlqyer. Duhet t’i nënshtrohen «çdo krijese njerëzore», qoftë mbretit, qoftë guvernatorëve. Po, duhet të ‘nderojnë njerëzit e çdo lloji, të kenë dashuri për gjithë vëllazërinë, të kenë frikë Perëndinë, të kenë nderim për mbretin’. Po ashtu, shërbyesit duhet t’u nënshtrohen zotërinjve të tyre me ndërgjegje të pastër e duke duruar kur vuajnë padrejtësisht. Edhe Krishti, megjithëse pa mëkat, iu nënshtrua sharjeve dhe vuajtjeve dhe la «një model» që të ndiqen me kujdes gjurmët e tij.—2:9, 13, 17, 21.
8. (a) Ç’këshilla të mençura u jepen grave dhe burrave? (b) Çfarë nevojitet për të pasur një ndërgjegje të mirë para Perëndisë?
8 Nënshtrimi vlen edhe për gratë, që, duke pasur një sjellje të dëlirë e duke treguar respekt të thellë, t’i fitojnë pa fjalë bashkëshortët që nuk kanë të njëjtin besim me to. Meraku i tyre s’duhet të jetë stolisja e jashtme, por, ashtu si Sara e bindur, «njeriu i fshehtë i zemrës me veshjen e paprishshme të frymës së qetë e të butë, e cila ka vlerë të madhe në sytë e Perëndisë». Burrat duhet t’i nderojnë gratë ‘si enë më të dobëta’ dhe si «trashëgimtarë me to të hirit të pamerituar të jetës». Të gjithë të krishterët duhet të tregojnë dashuri vëllazërore. «Ai që e do jetën . . . të largohet nga e keqja dhe të bëjë të mirën, të kërkojë paqen dhe ta ndjekë. Sepse sytë e Jehovait janë mbi të drejtët.» S’duhet t’u frikësohen njerëzve, por të jenë gjithnjë gati për të mbrojtur shpresën e tyre. Është më mirë të vuajnë ngaqë bëjnë të mirën, nëse kështu e do vullneti i Perëndisë, sesa ngaqë bëjnë të ligën. «Edhe Krishti vdiq një herë e përgjithmonë për sa u përket mëkateve, një i drejtë për të padrejtët, që ai t’ju çojë te Perëndia, duke u vrarë në mish, por duke u ngjallur në frymë.» Besimi që tregoi Noeja duke ndërtuar arkën, bëri që të mbetej gjallë ai dhe familja e tij. Po njësoj, ata që në bazë të ringjalljes së Krishtit, i kushtohen Perëndisë, pagëzohen në simbol të atij besimi dhe vazhdojnë të bëjnë vullnetin e Perëndisë, shpëtojnë dhe kanë një ndërgjegje të mirë falë Perëndisë.—3:4, 7, 10-12, 18.
9. Cilën prirje mendore duhet të kenë të krishterët? Edhe në cilat rrethana?
9 Të gëzuar që bëjnë vullnetin e Perëndisë si të krishterë, me gjithë vuajtjet (4:1–5:14). Të krishterët duhet të kenë të njëjtën prirje mendore si Krishti, që të jetojnë vetëm për të bërë vullnetin e Perëndisë dhe të mos jetojnë më për të bërë vullnetin e botës, megjithëse ajo i shan që nuk vrapojnë me ta «drejt të njëjtit batak shfrenimi». Meqenëse fundi i të gjitha gjërave është afruar, duhet të jenë me mendje të shëndoshë, të luten, të kenë dashuri të zjarrtë për njëri-tjetrin, dhe ta bëjnë çdo gjë për lavdi të Perëndisë. S’duhet t’u vijë çudi për zjarrin që djeg mes tyre si sprovë, përkundrazi duhet të gëzojnë që janë pjesëmarrës në vuajtjet e Krishtit. Megjithatë, askush të mos vuajë si keqbërës. Përderisa gjykimi fillon me shtëpinë e Perëndisë, «ata që vuajnë në harmoni me vullnetin e Perëndisë, ndërsa bëjnë të mirën, le të vazhdojnë t’ia besojnë shpirtrat e tyre një Krijuesi të besueshëm».—4:4, 19.
10. Ç’këshilla u jepen pleqve e të rinjve dhe me cilin premtim të fuqishëm përfundon 1 Pjetrit?
10 Pleqtë duhet ta kullotin kopenë e Perëndisë vullnetarisht dhe me gatishmëri. Duke u bërë shembull për kopenë, do t’i sigurojnë për kurorën e lavdisë që nuk vyshket, kur të shfaqet Kryebariu. Të rinjtë le të jenë të nënshtruar ndaj burrave të moshuar dhe të gjithë të kenë përulësi mendjeje, «sepse Perëndia u kundërvihet fodullëve, por u jep dashamirësi të pamerituar të përulurve». Le të jenë të fortë në besim dhe të ruhen nga ‘luani që ulërin’, Djalli. Përsëri ushtojnë fjalë të fuqishme e që japin siguri, ndërsa Pjetri përfundon nxitjen e tij: «Megjithatë, pasi të keni vuajtur për pak kohë, Perëndia i gjithë dashamirësisë së pamerituar që ju thirri në lavdinë e tij të përhershme në unitet me Krishtin, do ta çojë vetë deri në fund stërvitjen tuaj, do t’ju bëjë të patundur, do t’ju bëjë të fortë. Atij i qoftë përgjithmonë pushteti! Amin!»—5:5, 8, 10, 11.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
11. Si i ndjek Pjetri këshillat e Jezuit dhe të Pavlit kur këshillon mbikëqyrësit?
11 Këtu gjenden këshilla të mençura për mbikëqyrësit. Duke ndjekur pikë për pikë këshillat e Jezuit te Gjoni 21:15-17 dhe ato të Pavlit te Veprat 20:25-35, Pjetri tregon edhe një herë se vepra e mbikëqyrësve është një vepër baritore, që duhet kryer me vetëmohim, vullnetarisht dhe me gatishmëri. Mbikëqyrësi është një nënbari, që shërben nën autoritetin e «kryebariut», Jezu Krishtit, dhe është përgjegjës para tij për kopenë e Perëndisë. Ai duhet të kujdeset për interesat e saj, duke lënë vetë shembullin dhe duke vepruar gjithë përulësi.—5:2-4.
12. (a) Ç’lloj nënshtrimi duhet pasur ndaj qeveritarëve dhe zotërinjve? (b) Ç’këshillon Pjetri për nënshtrimin e grave dhe kryesinë e burrave? (c) Ç’cilësi e krishterë del në pah gjatë gjithë letrës?
12 Letra e Pjetrit prek edhe shumë aspekte të tjera të nënshtrimit të krishterë dhe jep këshilla të shkëlqyera. Te 1 Pjetrit 2:13-17 këshillohet që t’u nënshtrohemi siç duhet qeveritarëve, si mbretit dhe sundimtarëve. Megjithatë, ai duhet të jetë një nënshtrim relativ, që e tregojmë për hir të Zotërisë dhe ‘duke pasur frikë Perëndinë’, skllevër të të cilit janë të krishterët. Shërbyesit e shtëpisë nxiten t’u nënshtrohen zotërinjve të tyre dhe të durojnë nëse u duhet të vuajnë ‘ngaqë përpiqen të mbajnë një ndërgjegje të pastër para Perëndisë’. Edhe grave u jepen këshilla të çmuara në lidhje me nënshtrimin ndaj burrave, edhe ndaj atyre që nuk kanë të njëjtin besim me to, duke treguar se sjellja e tyre e dëlirë dhe e respektuar «ka vlerë të madhe në sytë e Perëndisë» dhe madje mund t’i fitojnë burrat e tyre në të vërtetën. Për të nënvizuar këtë pikë, Pjetri përdor ilustrimin e nënshtrimit besnik të Sarës ndaj Abrahamit. (1 Pjet. 2:17-20; 3:1-6; Zan. 18:12) Kurse burrat duhet ta ushtrojnë autoritetin duke i kushtuar vëmendjen e duhur ‘enës më të dobët’. Duke e zgjeruar këtë temë, Pjetri nxit: «Në mënyrë të ngjashme, ju të rinj, jini të nënshtruar ndaj burrave të moshuar.» Më pas, ai thekson nevojën për të qenë me mendje të përulur. Në fakt, përulësia është një cilësi e krishterë që del vazhdimisht në pah gjatë gjithë letrës.—1 Pjet. 3:7-9; 5:5-7; 2:21-25.
13. (a) Si e bën të qartë Pjetri në letrën e tij qëllimin pse Perëndia ka thirrur kongregacionin e krishterë? (b) Për cilën trashëgimi të gëzuar flet Pjetri dhe cilët do ta arrijnë atë?
13 Në një kohë kur po nisnin sërish sprova dhe përndjekje të zjarrta, Pjetri dha forcë me inkurajimin e tij dhe letra e tij është vërtet e çmuar për të gjithë ata që përballen me sprova të tilla sot. Shih si e tërheq ai vëmendjen te Shkrimet Hebraike duke cituar fjalët e Jehovait: «Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë!» (1 Pjet. 1:16; Lev. 11:44) Pastaj, në një fragment të pasur me referime nga shkrime të tjera të frymëzuara, ai tregon si është ndërtuar kongregacioni i krishterë si një shtëpi frymore me gurë të gjallë mbi themelin e Krishtit. Për ç’qëllim? Pjetri përgjigjet: «Ju jeni ‘racë e zgjedhur, priftëri mbretërore, komb i shenjtë, popull për zotërim të veçantë, që të shpallni kudo virtytet’ e atij që ju thirri nga errësira në dritën e tij të mrekullueshme.» (1 Pjet. 2:4-10; Isa. 28:16; Psal. 118:22; Isa. 8:14; Dal. 19:5, 6; Isa. 43:21; Hoz. 1:10; 2:23) Kësaj ‘priftërie mbretërore’, priftërisë gjithëpërfshirëse ku bën pjesë tërë kombi i shenjtë i Perëndisë, Pjetri i paraqit premtimin e Mbretërisë për «një trashëgimi të paprishshme, të pandotur dhe që s’venitet», «kurorën e lavdisë që nuk mund të vyshket», ‘lavdinë e përhershme në unitet me Krishtin’. Kështu, ata inkurajohen shumë që të vazhdojnë të gëzojnë, që ‘të gëzojnë e të ngazëllojnë edhe gjatë zbulesës së lavdisë së tij’.—1 Pjet. 1:4; 5:4, 10; 4:13.
[Shënimet]
a Cyclopedia, nga autorët Meklintok dhe Strong, ribotim i vitit 1981, vëll. VIII, faqja 15.
b New Bible Dictionary, botimi i dytë, 1986, nën kujdesin e Xhejms Dikson Dagllasit, faqja 918.
c Jerusalem, 1971, vëll. 15, kol. 755.