Kapitulli dhjetë
Premtohet një Princ Paqeje
1. Çfarë ka përjetuar njerëzimi që nga koha e Kainit?
RRETH gjashtë mijë vjet më parë, lindi foshnja e parë njerëzore. Emri i tij ishte Kain dhe lindja e tij ishte shumë e veçantë. As prindërit e tij, as engjëjt dhe madje as vetë Krijuesi nuk kishin parë ndonjëherë një foshnjë njerëzore. Ky i mitur i sapolindur mund t’i kishte sjellë shpresë racës së dënuar njerëzore. Por çfarë zhgënjimi kur, pasi u rrit, ai u bë një vrasës! (1 Gjonit 3:12) Që atëherë njerëzimi ka qenë dëshmitar i vrasjeve të tjera të panumërta. Njerëzit, si të prirur që janë për të bërë të keqen, nuk janë në paqe me njëri-tjetrin dhe as me Perëndinë.—Zanafilla 6:5; Isaia 48:22.
2, 3. Cilat perspektiva u hapën nëpërmjet Jezu Krishtit dhe çfarë duhet të bëjmë për t’i marrë këto bekime?
2 Rreth katër mijëvjeçarë pas lindjes së Kainit, lindi një foshnjë tjetër. Emri i tij ishte Jezu dhe edhe lindja e tij ishte shumë e veçantë. Ai lindi nga një virgjëreshë nëpërmjet fuqisë së frymës së shenjtë dhe ishte e vetmja lindje e këtij lloji në histori. Në kohën e lindjes së tij, një shumicë engjëjsh të gëzuar i këndonin këngë lavdie Perëndisë, duke thënë: «Lavdi Perëndisë atje lart në lartësitë dhe paqe mbi tokë ndër njerëzit që kanë miratimin e tij.» (Luka 2:13, 14) Në vend që të ishte vrasës, Jezui hapi rrugën për njerëzit që të ishin në paqe me Perëndinë dhe të fitonin jetën e përhershme.—Gjoni 3:16; 1 Korintasve 15:55.
3 Isaia profetizoi se Jezui do të quhej «Princ i Paqes». (Isaia 9:6) Ai do të jepte jetën e vet për njerëzimin, duke bërë kështu të mundur faljen e mëkateve. (Isaia 53:11) Sot, në bazë të besimit te Jezu Krishti mund të arrihet paqja me Perëndinë dhe falja e mëkateve. Por këto bekime nuk vijnë automatikisht. (Kolosianëve 1:21-23) Ata që i duan duhet të mësojnë t’i binden Perëndisë Jehova. (1 Pjetrit 3:11; krahaso Hebrenjve 5:8, 9.) Në ditët e Isaisë, Izraeli dhe Juda bëjnë pikërisht të kundërtën.
Ata u drejtohen demonëve
4, 5. Cila është gjendja në kohën e Isaisë dhe kujt i drejtohen disa?
4 Për shkak të mosbindjes së tyre, bashkëkohësit e Isaisë janë në një gjendje të vajtueshme morale, në një errësirë të vërtetë frymore. Edhe mbretëria jugore e Judës, vendi i tempullit të Jehovait, nuk ka paqe. Si pasojë e jobesnikërisë së tij, populli i Judës kërcënohet të pushtohet nga asirianët dhe kohë të vështira pritet të vijnë. Kujt i drejtohen ata për ndihmë? Mjerisht, shumë i drejtohen Satanait, jo Jehovait. Vërtet, ata nuk e thërrasin Satanain me emër, por ashtu si mbreti Saul në të kaluarën, ata përfshihen në spiritizëm dhe i kërkojnë përgjigjet e problemeve të tyre duke u përpjekur të komunikojnë me të vdekurit.—1 Samuelit 28:1-20.
5 Disa, madje, e inkurajojnë këtë praktikë. Isaia e tërheq vëmendjen drejt kësaj apostazie kur thotë: «Në rast se ata do t’ju thoshin: ‘Drejtojuni mediumeve spiritiste ose atyre që kanë një frymë parashikimi, të cilët murmuritin dhe flasin me zë të ulët’, a nuk duhet që çdo popull t’i drejtohet Perëndisë së tij? A duhet t’u drejtohemi personave të vdekur në dobi të personave të gjallë?» (Isaia 8:19) Mediumet frymore mund t’i mashtrojnë njerëzit duke ‘murmuritur dhe duke folur me zë të ulët’. Këto efekte të zërit, të cilat i atribuohen shpirtrave të të vdekurve, mund të realizohen nga një medium i gjallë me anë të aftësisë për të folur pa i lëvizur buzët. Megjithatë, ndonjëherë, demonët mund të përfshihen personalisht dhe të luajnë rolin e të vdekurit, ashtu siç ndodhi, me sa duket, kur Sauli i bëri një kërkesë magjistares së Endorit.—1 Samuelit 28:8-19.
6. Pse izraelitët që i janë drejtuar spiritizmit janë veçanërisht fajtorë?
6 E gjithë kjo po ndodh në Judë pavarësisht nga fakti që Jehovai e ka ndaluar praktikën e spiritizmit. Nën ligjin e Moisiut ky është një mëkat që dënohet me vdekje. (Levitiku 19:31; 20:6, 27; Ligji i përtërirë 18:9-12) Pse kryen një shkelje kaq të rëndë populli që është prona e veçantë e Jehovait? Sepse ata i kanë hedhur poshtë Ligjin dhe këshillat e Jehovait dhe janë ‘ngurtësuar nga fuqia mashtruese e mëkatit’. (Hebrenjve 3:13) «Zemra e tyre është bërë e pandjeshme si dhjami» dhe ata janë larguar nga Perëndia i tyre.—Psalmi 119:70.a
7. Si i imitojnë shumë veta sot izraelitët e kohës së Isaisë dhe cila do të jetë e ardhmja e tyre, nëse nuk pendohen?
7 Ndoshta këta persona arsyetojnë: ‘Ç’të mirë kemi nga Ligji i Jehovait kur gjendemi para sulmit të afërt të asirianëve?’ Ata duan një zgjidhje të shpejtë e të thjeshtë për gjendjen e tyre dhe nuk janë të gatshëm të presin që Jehovai të kryejë vullnetin e tij. Edhe në kohën tonë, shumë njerëz e shpërfillin ligjin e Jehovait dhe kërkojnë informacione nga mediumet frymore, konsultohen me horoskopin dhe u drejtohen formave të tjera të okultizimit për të zgjidhur problemet e tyre. Megjithatë, të kërkosh përgjigje nga të vdekurit është sot po aq qesharake sa edhe në atë kohë. E ardhmja e të gjithë atyre që pa u penduar praktikojnë këto gjëra do të jetë me ‘vrasësit, kurvarët, . . . idhujtarët dhe gjithë gënjeshtarët’. Ata nuk kanë asnjë perspektivë të ardhme për të jetuar.—Zbulesa 21:8.
‘Ligji dhe dëshmia’ e Perëndisë
8. Çfarë janë «ligji» dhe «dëshmia», të cilave duhet t’u drejtohemi për udhëheqje sot?
8 Ligji i Jehovait që ndalon spiritizmin, bashkë me urdhrat e tjerë, nuk është i fshehur në Judë. Ai është ruajtur në formë të shkruar. Sot Fjala e tij është e plotë në dispozicion në formë të shkruar. Ajo është Bibla, e cila përfshin jo vetëm një përmbledhje të ligjeve dhe të rregullave hyjnore, por edhe një tregim të mënyrës se si ka vepruar Perëndia me popullin e tij. Ky tregim që i bën Bibla mënyrës së të vepruarit të Jehovait përbën një dëshmi ose një vërtetim, që na mëson shumë gjëra rreth natyrës dhe cilësive të tij. Në vend që të konsultohen me të vdekurit, kujt duhet t’i drejtohen izraelitët për udhëheqje? Isaia përgjigjet: «Ligjit dhe dëshmisë!» (Isaia 8:20a) Po, ata që kërkojnë ndriçim të vërtetë duhet t’i drejtohen Fjalës së shkruar të Perëndisë.
9. A ka ndonjë vlerë për mëkatarët e papenduar citimi me raste i Biblës?
9 Disa izraelitë që merren nga pak me spiritizëm mund të pretendojnë se e respektojnë Fjalën e shkruar të Perëndisë. Por këto pohime janë boshe dhe hipokrite. Isaia thotë: «Sigurisht ata do të vazhdojnë të thonë gjëra në përputhje me këtë pohim gjë që nuk do të ketë dritë agimi.» (Isaia 8:20b) Cilit pohim i referohet këtu Isaia? Ndoshta pohimit: «Ligjit dhe dëshmisë!» Ka të ngjarë që disa izraelitë apostatë t’i referohen Fjalës së Perëndisë, pikërisht, ashtu si apostatët dhe njerëz të tjerë sot mund të citojnë Shkrimet. Por këto janë vetëm fjalë. Citimi i Shkrimeve nuk do të sjellë ndonjë «dritë agimi» ose ndriçim nga Jehovai, nëse nuk shoqërohet me bërjen e vullnetit të Jehovait dhe me flakjen e praktikave të papastra.b
«Uri jo për bukë»
10. Çfarë vuajtjesh po kalon populli i Judës për shkak se e ka hedhur poshtë Jehovain?
10 Mosbindja ndaj Jehovait rezulton në errësirë mendore. (Efesianëve 4:17, 18) Në kuptimin frymor, populli i Judës është verbuar dhe i mungon kuptueshmëria frymore. (1 Korintasve 2:14) Isaia përshkruan gjendjen e tyre: «Secili do të kalojë përmes vendit, i dërrmuar dhe i uritur.» (Isaia 8:21a) Për shkak të jobesnikërisë së kombit, veçanërisht gjatë mbretërimit të mbretit Akaz, mbijetesa e Judës si një mbretëri e pavarur vihet në rrezik. Kombi është i rrethuar nga armiqtë. Ushtria asiriane sulmon qytetet judeje njëri pas tjetrit. Armiku shkreton tokën prodhuese duke shkaktuar mungesë ushqimi. Shumë janë ‘të dërrmuar dhe të uritur’. Por vendi goditet edhe nga një lloj tjetër urie. Disa dekada më parë Amosi profetizoi: «‘Ja! Po vijnë ditët,—është thënia e Zotërisë Sovran Jehova,—dhe unë do të dërgoj një uri në vend, uri jo për bukë dhe etje jo për ujë, por për të dëgjuar fjalët e Jehovait.’» (Amosi 8:11) Tani Juda po goditet, pikërisht, nga kjo uri frymore.
11. A do të nxjerrë mësim Juda nga disiplina që i jepet?
11 A do të nxjerrë mësim Juda për t’u kthyer te Jehovai? A do të largohet populli i saj nga spiritizmi dhe idhujtaria, për t’iu drejtuar «ligjit dhe dëshmisë»? Jehovai parashikon reagimin e tyre: «Duhet të ndodhë që meqenëse është i uritur dhe ndihet i indinjuar, ai do të mallkojë në të vërtetë mbretin e tij dhe Perëndinë e tij e me siguri do ta drejtojë shikimin lart.» (Isaia 8:21b) Po, shumë veta do të kritikojnë mbretin e tyre njerëzor për faktin që i ka çuar në këtë gjendje. Madje, disa marrëzisht do të fajësojnë Jehovain për gjëmat e tyre. (Krahaso Jereminë 44:15-18.) Sot, shumë njerëz reagojnë po njëlloj, duke ia hedhur fajin Perëndisë për tragjeditë e shkaktuara nga ligësia njerëzore.
12. (a) Drejt çfarë gjëje e ka çuar Judën largimi nga Perëndia? (b) Cilat pyetje të rëndësishme lindin?
12 A do t’u sjellë paqe banorëve të Judës mallkimi që i bëjnë Perëndisë? Jo. Isaia parathotë: «[Ai] do të shikojë drejt tokës dhe, ja, mundim e errësirë, terr, kohë të vështira dhe zymtësi pa shkëlqim.» (Isaia 8:22) Pasi i kanë ngritur sytë drejt qiellit për të fajësuar Perëndinë, ata shohin përsëri drejt tokës, drejt perspektivave të tyre të pashpresa. Largimi nga Perëndia i ka çuar drejt katastrofës. (Proverbat 19:3) Por ç’të themi për premtimin që Perëndia i bëri Abrahamit, Isakut dhe Jakobit? (Zanafilla 22:15-18; 28:14, 15) A do të dështojë Jehovai? A do të arrijnë asirianët ose ndonjë fuqi tjetër ushtarake t’i japë fund linjës mbretërore që iu premtua Judës dhe Davidit? (Zanafilla 49:8-10; 2 Samuelit 7:11-16) A do të dënohen izraelitët që të qëndrojnë përgjithmonë në errësirë?
Një vend ‘i trajtuar me përçmim’
13. Çfarë është «Galilea e kombeve» dhe si ndodh që ajo ‘trajtohet me përçmim’?
13 Tani Isaia i referohet njërës prej ngjarjeve më të tmerrshme kataklizmike që vjen mbi pasardhësit e Abrahamit: «Terri nuk do të jetë si atëherë kur vendi ishte në ngushticë, si në kohën e mëparshme kur vendi i Zabulonit dhe vendi i Neftalit u trajtua me përçmim dhe si në kohën e mëvonshme kur u nderua—rruga pranë detit, në rajonin e Jordanit, Galilea e kombeve.» (Isaia 9:1) Galilea është një territor në mbretërinë veriore të Izraelit. Në profecinë e Isaisë ajo përfshin ‘vendin e Zabulonit dhe vendin e Neftalit’, si dhe ‘rrugën pranë detit’, një rrugë e lashtë që shtrihej pranë Detit të Galilesë dhe vazhdonte drejt detit Mesdhe. Në ditët e Isaisë, rajoni quhet «Galilea e kombeve», ndoshta sepse shumë nga qytetet e tij banohen nga joizraelitë.c Në ç’mënyrë ‘trajtohet me përçmim’ ky vend? Asirianët paganë e pushtojnë atë, i çojnë izraelitët në mërgim dhe e popullojnë përsëri të gjithë rajonin me paganë, të cilët nuk janë pasardhës të Abrahamit. Kështu, mbretëria veriore prej dhjetë fisesh zhduket nga historia si komb më vete!—2 Mbretërve 17:5, 6, 18, 23, 24.
14. Në cilin kuptim «terri» i Judës do të jetë më i paktë se ai i mbretërisë veriore prej dhjetë fisesh?
14 Edhe Juda gjendet nën presionin e asirianëve. A do të zhytet ajo në një «terr» të përhershëm ashtu si mbretëria prej dhjetë fisesh e përfaqësuar nga Zabuloni dhe Neftali? Jo. Në një ‘kohë të mëvonshme’ Jehovai do t’i sjellë bekime rajonit të mbretërisë jugore të Judës e madje edhe vendit që më parë sundohej nga mbretëria veriore. Si?
15, 16. (a) Në cilën ‘kohë të mëvonshme’ do të ndryshojë gjendja e krahinës së «Zabulonit dhe të Neftalit»? (b) Si ndodh që vendi i trajtuar me përçmim nderohet?
15 Kësaj pyetjeje i përgjigjet apostulli Mate në dokumentimin e frymëzuar që i bën shërbimit tokësor të Jezuit. Duke përshkruar ditët e hershme të atij shërbimi, Mateu thotë: «Më tej, pasi la Nazaretin, [Jezui] erdhi dhe u vendos me banim në Kapernaum, pranë detit, në krahinat e Zabulonit dhe të Neftalit, që të përmbushej ç’ishte folur nëpërmjet profetit Isaia, duke thënë: ‘O tokë e Zabulonit dhe tokë e Neftalit, përgjatë rrugës së detit, përtej Jordanit, Galile e kombeve! Populli që rrinte ulur në errësirë pa një dritë të madhe dhe sa për ata që rrinin ulur në një vend të hijes së vdekjes, mbi ta u ngrit drita.’»—Mateu 4:13-16.
16 Po, ‘koha e mëvonshme’ e parathënë nga Isaia është koha e shërbimit tokësor të Jezuit. Jezui e kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij tokësore në Galile. Në krahinën e Galilesë ai nisi shërbimin e tij dhe filloi të shpallte: «Mbretëria e qiejve është afruar.» (Mateu 4:17) Në Galile ai mbajti të famshmin Predikim në Mal, zgjodhi apostujt e tij, kreu mrekullinë e parë dhe iu shfaq rreth 500 ithtarëve pas ringjalljes së tij. (Mateu 5:1–7:27; 28:16-20; Marku 3:13, 14; Gjoni 2:8-11; 1 Korintasve 15:6) Në këtë mënyrë Jezui përmbushi profecinë e Isaisë, duke e nderuar ‘vendin e Zabulonit dhe vendin e Neftalit’. Natyrisht, Jezui nuk e kufizoi shërbimin e tij vetëm në popullin e Galilesë. Me anë të predikimit të lajmit të mirë në të gjithë vendin, Jezui e ‘nderoi’ gjithë kombin e Izraelit, duke përfshirë edhe Judën.
‘Drita e madhe’
17. Në ç’kuptim ndriçon mbi Galile ‘një dritë e madhe’?
17 Por ç’të themi për ‘dritën e madhe’ në Galile që përmend Mateu? Edhe kjo është një citim nga profecia e Isaisë. Isaia shkroi: «Njerëzit që po ecnin në errësirë kanë parë një dritë të madhe. Sa për ata që banonin në vendin e hijes së thellë, mbi ta ka shkëlqyer vetë drita.» (Isaia 9:2) Në shekullin e parë të e.s. drita e së vërtetës ishte fshehur nga mësimet e rreme pagane. Udhëheqësit fetarë judenj e kishin keqësuar situatën duke iu përmbajtur traditave të tyre fetare me anë të të cilave e kishin «bërë fjalën e Perëndisë të pavlefshme». (Mateu 15:6) Të përulurit ishin të shtypur dhe të hutuar, duke ndjekur «udhërrëfyes të verbër». (Mateu 23:2-4, 16) Kur Jezui, Mesia, u shfaq, sytë e shumë njerëzve të përulur u hapën në një mënyrë të mrekullueshme. (Gjoni 1:9, 12) Vepra e Jezuit ndërsa ishte në tokë dhe bekimet që rezultuan nga flijimi i tij përshkruhen në mënyrë të përshtatshme në profecinë e Isaisë si një ‘dritë e madhe’.—Gjoni 8:12.
18, 19. Ç’arsye për gëzim të madh kishin ata që i përgjigjeshin dritës?
18 Ata që i përgjigjeshin dritës kishin shumë arsye për të gëzuar. Isaia vazhdoi: «Ti e ke bërë kombin të shumtë në numër; për të, ti e ke bërë gëzimin të madh. Ata kanë gëzuar para teje si me gëzimin e kohës së korrjes, si ata që janë të gëzuar kur ndajnë plaçkën.» (Isaia 9:3) Si rezultat i aktivitetit të predikimit të Jezuit dhe të ithtarëve të tij, personat me zemër të sinqertë u afruan, duke treguar se kishin dëshirë ta adhuronin Jehovain me frymë dhe me të vërtetë. (Gjoni 4:24) Në më pak se katër vjet, një numër i madh njerëzish e përqafoi krishterimin. Tre mijë u pagëzuan në festën e Ditës së Pesëdhjetë, në vitin 33 të e.s. Pak pas kësaj, «numri i njerëzve u bë rreth pesë mijë veta». (Veprat 2:41; 4:4) Ndërsa dishepujt e pasqyronin dritën me zell, «numri i dishepujve në Jerusalem vazhdonte të shtohej shumë; dhe një shumicë e madhe priftërinjsh filluan t’i bindeshin besimit».—Veprat 6:7.
19 Ashtu si ata që ngazëllohen kur kanë të korra të bollshme ose gëzohen kur ndajnë plaçkën e vlefshme pas një fitoreje të madhe ushtarake, edhe ithtarët e Jezuit gëzohen kur shohin rritjen. (Veprat 2:46, 47) Me kalimin e kohës, Jehovai bëri që drita të shndriste edhe midis kombeve. (Veprat 14:27) Kështu, njerëzit e të gjitha racave u gëzuan që rruga për t’iu afruar Jehovait ishte hapur edhe për ta.—Veprat 13:48.
«Si në ditën e Midianit»
20. (a) Në cilat mënyra treguan midianitët se ishin armiq të Izraelit dhe si i dha fund Jehovai kërcënimit të tyre? (b) Në ç’mënyrë do t’i japë fund Jezui kërcënimit të armiqve të popullit të Perëndisë në një ‘ditë [të ardhshme] të Midianit’?
20 Efektet e aktivitetit të Mesisë janë të përhershme, siç bëhet e dukshme nga fjalët vijuese të Isaisë: «Zgjedhën e ngarkesës së tyre dhe shkopin mbi shpatullat e tyre, bastunin e atij që i shtynte të punonin, ti e ke bërë copë-copë si në ditën e Midianit.» (Isaia 9:4) Shumë shekuj para kohës së Isaisë, midianitët komplotuan me moabitët për ta joshur Izraelin të mëkatonte. (Numrat 25:1-9, 14-18; 31:15, 16) Më vonë, midianitët i terrorizuan izraelitët duke sulmuar e plaçkitur fshatrat dhe fermat e tyre për shtatë vjet. (Gjykatësit 6:1-6) Por më pas Jehovai nëpërmjet shërbëtorit të tij Gideonit, i shpartalloi forcat midianite. Pas asaj ‘dite të Midianit’, nuk ka asnjë dëshmi që të tregojë se populli i Jehovait vuajti ndonjëherë tjetër në duart e midianitëve. (Gjykatësit 6:7-16; 8:28) Në të ardhmen e afërt, Jezu Krishti, Gideoni më i Madh, do t’i japë një goditje vdekjeprurëse armiqve të sotëm të popullit të Jehovait. (Zbulesa 17:14; 19:11-21) Në atë kohë, «si në ditën e Midianit», do të arrihet një fitore e plotë dhe përfundimtare, jo në saje të potencialit ushtarak njerëzor, por falë fuqisë së Jehovait. (Gjykatësit 7:2-22) Populli i Perëndisë nuk do të vuajë kurrë më nën zgjedhën e shtypjes.
21. Çfarë tregon profecia e Isaisë për të ardhmen e luftës?
21 Shfaqjet e fuqisë hyjnore nuk kanë për qëllim të lavdërojnë luftën. Jezui i ringjallur është Princi i Paqes dhe duke asgjësuar armiqtë e tij, ai do të sjellë një paqe të përhershme. Tani Isaia i përshkruan pajisjet e luftës si të shkatërruara plotësisht me zjarr: «Çdo çizme e atij që ecte duke shkaktuar dridhje dhe manteli i mbështjellë në gjak janë bërë, madje, për t’u djegur, si diçka për të ushqyer zjarrin.» (Isaia 9:5) Dridhjet e shkaktuara nga zhurma e çizmeve të ushtarëve në marshim nuk do të ndihen më kurrë. Uniformat e gjakosura të luftëtarëve të regjur nga lufta nuk do të shihen më. Nuk do të ketë më luftë!—Psalmi 46:9.
«Këshilltar i shkëlqyer»
22. Çfarë emri i shumëfishtë profetik i jepet Jezuit në librin e Isaisë?
22 Në kohën e lindjes së tij të mrekullueshme, atij që lindi për të qenë Mesia, iu dha emri Jezu, që do të thotë «Jehovai është Shpëtim». Por ai ka edhe emra të tjerë, emra profetikë që theksojnë rolin kyç dhe pozitën e tij të lartësuar. Një nga këta emra është Emanuel që do të thotë «Me ne është Perëndia». (Isaia 7:14, shënimi) Tani Isaia përshkruan një emër tjetër profetik: «Na ka lindur një fëmijë, na është dhënë një bir; dhe sundimi princëror do të jetë mbi shpatullat e tij. Dhe do të quhet Këshilltar i Mrekullueshëm, Perëndi i Fuqishëm, Atë i Përjetshëm, Princ i Paqes.» (Isaia 9:6) Le të shqyrtojmë kuptimin e pasur të këtij emri të shumëfishtë profetik.
23, 24. (a) Në ç’mënyrë është një «Këshilltar i Mrekullueshëm» Jezui? (b) Si mund ta imitojnë sot shembullin e Jezuit të krishterët që këshillojnë?
23 Një këshilltar është një person që jep këshilla ose rekomandime. Kur ishte në tokë Jezui dha këshilla të mrekullueshme. Në Bibël lexojmë që «turmat ishin të mahnitura nga mënyra se si mësonte ai.» (Mateu 7:28) Ai është një Këshilltar i mençur dhe me empati, me një kuptueshmëri të jashtëzakonshme për natyrën njerëzore. Këshillat e tij nuk kufizohen vetëm në heqje vërejtjesh ose ndëshkime. Më shpesh, ato jepen në formë udhëzimesh dhe rekomandimesh të dashura. Këshillat e Jezuit janë të mrekullueshme, sepse janë gjithmonë të mençura, të përsosura dhe të padështueshme. Kur zbatohen, ato të çojnë në jetën e përhershme.—Gjoni 6:68.
24 Këshillat e Jezuit nuk janë thjesht produkt i mendjes së tij të mprehtë. Përkundrazi, ai thotë: «Ajo që mësoj nuk është e imja, por i përket atij që më dërgoi.» (Gjoni 7:16) Ashtu si në rastin e Solomonit, Burimi i mençurisë së Jezuit është Perëndia Jehova. (1 Mbretërve 3:7-14; Mateu 12:42) Shembulli i Jezuit duhet t’i nxitë ata që mësojnë dhe këshillojnë në kongregacionin e krishterë që t’i bazojnë gjithmonë udhëzimet e tyre në Fjalën e Perëndisë.—Proverbat 21:30.
«Perëndi i Fuqishëm» dhe «Atë i Përjetshëm»
25. Çfarë na tregon për Jezuin qiellor emri «Perëndi i Fuqishëm»?
25 Gjithashtu, Jezui është «Perëndi i Fuqishëm» dhe «Atë i Përjetshëm». Kjo nuk do të thotë se ai uzurpon autoritetin dhe pozitën e Jehovait, i cili është «Perëndia, Ati ynë». (2 Korintasve 1:2) «[Jezui] . . . as që e çoi nëpër mend të bënte ndonjë rrëmbim, domethënë, të ishte i barabartë me Perëndinë.» (Filipianëve 2:6) Ai quhet Perëndi i Fuqishëm, jo Perëndi i Plotfuqishëm. Jezui nuk e konsideroi kurrë veten si Perëndia i Plotfuqishëm, sepse ai iu referua Atit të tij si ‘i vetmi Perëndi i vërtetë’, domethënë, i vetmi Perëndi që duhet adhuruar. (Gjoni 17:3; Zbulesa 4:11) Në Shkrime, fjala «perëndi» mund të ketë kuptimin «i fuqishëm» ose «i fortë». (Dalja 12:12; Psalmi 8:5; 2 Korintasve 4:4) Para se të vinte në tokë, Jezui ishte «një perëndi», pasi «gjendej në formë Perëndie». Pas ringjalljes, ai u kthye në qiell në një pozitë edhe më të lartë. (Gjoni 1:1; Filipianëve 2:6-11) Veç kësaj, titulli «perëndi» mbart edhe një kuptim tjetër. Gjykatësit në Izrael quheshin «perëndi» dhe në një rast madje edhe vetë Jezui i quajti të tillë. (Psalmi 82:6; Gjoni 10:35) Jezui është gjykatësi i caktuar nga Jehovai, «i cili ka për të gjykuar të gjallë e të vdekur». (2 Timoteut 4:1; Gjoni 5:30) Është e qartë, pra, ai quhet me të drejtë Perëndi i Fuqishëm.
26. Pse mund të quhet Jezui «Atë i Përjetshëm»?
26 Titulli «Atë i Përjetshëm» i referohet fuqisë dhe autoritetit të Mbretit Mesianik për t’u dhënë njerëzve perspektivën e jetës së përjetshme mbi tokë. (Gjoni 11:25, 26) Trashëgimia që na la prindi ynë i parë, Adami, ishte vdekja. Jezui, Adami i fundit, «u bë një frymë jetëdhënëse». (1 Korintasve 15:22, 45; Romakëve 5:12, 18) Ashtu si Jezui, Ati i Përjetshëm, do të jetojë përgjithmonë, edhe njerëzimi i bindur do t’i gëzojë bekimet e atësisë së tij përjetësisht.—Romakëve 6:9.
«Princ i Paqes»
27, 28. Çfarë dobish të mrekullueshme nxjerrin si tani, ashtu edhe në të ardhmen, nënshtetasit e ‘Princit të Paqes’?
27 Përveç jetës së përhershme, njeriu ka nevojë edhe për paqe, si me Perëndinë, ashtu edhe me njerëzit e tjerë. Që tani, ata që i nënshtrohen sundimit të ‘Princit të Paqes’ i kanë ‘farkëtuar shpatat e tyre, duke i kthyer në plore dhe heshtat e tyre në gërshërë krasitëse’. (Isaia 2:2-4) Ata nuk ushqejnë urrejtje për shkak të ndryshimeve politike, territoriale, racore ose ekonomike. Ata janë të bashkuar në adhurimin e Perëndisë së vetëm të vërtetë, Jehovait, dhe punojnë për të mbajtur marrëdhënie paqësore me të afërmit e tyre, si brenda, ashtu edhe jashtë kongregacionit.—Galatasve 6:10; Efesianëve 4:2, 3; 2 Timoteut 2:24.
28 Në kohën e duhur sipas Perëndisë, Krishti do të vendosë në tokë një paqe që do të jetë globale, e vendosur fortësisht dhe e përhershme. (Veprat 1:7) «Bollëku i sundimit princëror dhe paqja nuk do të kenë fund mbi fronin e Davidit dhe mbi mbretërinë e tij, me qëllim që të vendoset fortësisht dhe të mbështetet me anë të së drejtës dhe drejtësisë, që tani e deri në kohë të pakufishme.» (Isaia 9:7a) Për të ushtruar autoritetin e tij si Princ i Paqes, Jezui nuk do të përdorë mjete tiranike. Nënshtetasve të tij nuk do t’u grabitet vullneti i lirë që të nënshtrohen me forcë. Në vend të kësaj, gjithçka që do të bëjë, ai do ta bëjë ‘me anë të së drejtës dhe drejtësisë’. Çfarë ndryshimi freskues!
29. Çfarë duhet të bëjmë nëse duam të gëzojmë bekimin e paqes së përhershme?
29 Duke pasur parasysh domethëniet e mrekullueshme të emrit profetik të Jezuit, mbyllja që i bën Isaia kësaj pjese të profecisë së tij është me të vërtetë drithëruese. Ai shkruan: «Vetë zelli i Jehovait të ushtrive do ta bëjë këtë.» (Isaia 9:7b) Po, Jehovai vepron me zell. Ai nuk bën asgjë me gjysmë zemre. Mund të jemi të sigurt se çdo gjë që premton, ai do ta realizojë plotësisht. Prandaj, nëse dikush dëshiron me zjarr që të gëzojë jetën e përhershme, le t’i shërbejë Jehovait me gjithë zemër. Ashtu si Perëndia Jehova dhe Jezui, Princi i Paqes, të gjithë shërbëtorët e Perëndisë qofshin «të zellshëm për vepra të shkëlqyera»!—Titit 2:14.
[Shënimet]
a Shumë veta besojnë se Psalmi 119 u shkrua nga Hezekia para se të bëhej mbret. Nëse është kështu, ka mundësi që të jetë shkruar ndërsa Isaia ishte duke profetizuar.
b Shprehja «këtë pohim» në Isainë 8:20 mund t’i referohet pohimit rreth spiritizmit, e përmendur në Isainë 8:19. Nëse është kështu, Isaia po thotë se përkrahësit e spiritizmit në Judë do të vazhdojnë t’i nxitin të tjerët që t’u drejtohen mediumeve frymore dhe, si rezultat, nuk do të ndriçohen aspak nga Jehovai.
c Disa kanë hedhur idenë se 20 qytetet e Galilesë që mbreti Solomon i dha Hiramit, mbretit të Tirit, ka mundësi të ishin të banuara nga joizraelitë.—1 Mbretërve 9:10-13.
[Harta dhe figura në faqen 122]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Korazin
Bethsaidë
Kapernaum
Rrafshina e Genesaretit
Deti i Galilesë
Magadan
Tiberiadë
Lumi Jordan
GADARA
Gadara
[Figurat në faqen 119]
Si lindja e Kainit, ashtu edhe ajo e Jezuit ishin shumë të veçanta. Vetëm ajo e Jezuit solli një rezultat të lumtur
[Figura në faqen 121]
Do të ketë një uri shumë më të keqe se uria për bukë dhe etja për ujë
[Figura në faqen 127]
Jezui ishte një dritë për vendin