Kapitulli dymbëdhjetë
Mos kini frikë nga asiriani
1, 2. (a) Nga pikëpamja njerëzore, pse dukej se Jonai kishte të drejtë të ngurronte që të pranonte caktimin e tij për t’u predikuar asirianëve? (b) Si reaguan ninevitët ndaj mesazhit të Jonait?
NË MESIN e shekullit të nëntë p.e.s., profeti hebre Jona, bir i Amitait, mori guximin për të shkuar në Ninevi, kryeqyteti i perandorisë asiriane. Ai kishte një mesazh të rëndë për të shpallur. Jehovai i kishte thënë: «Çohu, shko në Ninive, qytet i madh dhe prediko kundër tij, sepse ligësia e tyre është ngjitur përpara meje.»—Jonai 1:2, 3, Dio.
2 Kur iu dha për herë të parë ky caktim, Jonai u largua në drejtim të kundërt, drejt Tarshishit. Nga pikëpamja njerëzore, Jonai kishte të drejtë të ngurronte. Asirianët ishin një popull mizor. Vëreni se si i trajtoi një monark asirian armiqtë e tij: «Oficerëve u preva krahët . . . Shumë robër prej tyre i dogja në zjarr dhe shumë i mora si robër të gjallë. Disave u preva duart dhe gishtat, ndërsa të tjerëve u preva hundën.» Megjithatë, kur më në fund Jonai e shpalli mesazhin e Jehovait, ninevitët u penduan për mëkatet e tyre dhe Jehovai e kurseu qytetin në atë rast.—Jonai 3:3-10; Mateu 12:41.
Jehovai merr «shkopin»
3. Si ndryshon reagimi i izraelitëve ndaj paralajmërimeve të profetëve të Jehovait nga ai i ninevitëve?
3 Jonai u predikoi edhe izraelitëve. Por a reagojnë pozitivisht ata? (2 Mbretërve 14:25) Jo. Ata i kthejnë shpinën adhurimit të pastër. Në fakt, ata shkojnë deri aty sa ‘adhurojnë tërë ushtrinë e qiellit dhe vihen në shërbim të Baalit’. Veç kësaj, ata «kaluan nëpër zjarr bijtë dhe bijat e tyre, praktikuan shortarinë, interpretuan shenjat e këqija dhe bënë atë që është e keqe në sytë e Zotit, duke shkaktuar zemërimin e tij». (2 Mbretërve 17:16, 17, Dio) Ndryshe nga ninevitët, izraelitët nuk reagojnë kur Jehovai dërgon profetë për t’i paralajmëruar. Prandaj, Jehovai vendos të marrë masa të rrepta.
4, 5. (a) Çfarë përfaqëson «asiriani» dhe në ç’mënyrë do ta përdorë atë Jehovai si një ‘shkop’? (b) Kur bie Samaria?
4 Për njëfarë periudhe pas vizitës së Jonait në Ninevi, agresioni asirian pëson një rënie.a Por në fillim të shekullit të tetë p.e.s., Asiria e nxjerr përsëri veten në pah si një fuqi ushtarake dhe Jehovai e përdor atë në një mënyrë të habitshme. Profeti Isaia i transmeton mbretërisë veriore të izraelit një paralajmërim nga Jehovai: «Aha, asiriani, shkopi për zemërimin tim dhe shufra që është në duart e tyre për denoncimin tim! Do ta dërgoj kundër një kombi apostat dhe do t’i jap një urdhër kundër popullit të tërbimit tim, që të marrë shumë plaçkë dhe të marrë shumë pre dhe ta bëjë atë një vend për t’u shkelur si balta e rrugëve.»—Isaia 10:5, 6.
5 Çfarë poshtërimi për izraelitët! Perëndia përdor një komb pagan, «asirianin», si një ‘shkop’ për t’i ndëshkuar. Në vitin 742 p.e.s. mbreti asirian Shalmaneseri V rrethon Samarinë, kryeqytetin e kombit apostat të Izraelit. Falë pozicionit të saj strategjik, mbi një kodër rreth 90 metra të lartë, Samaria e spraps armikun për afro tre vjet. Por asnjë strategji njerëzore nuk mund ta pengojë qëllimin e Perëndisë. Në vitin 740 p.e.s. Samaria bie dhe shkelet nga këmbët e asirianëve.—2 Mbretërve 18:10.
6. Në ç’mënyrë shkon asiriani përtej asaj që Jehovai ka ndër mend për të?
6 Ndonëse përdoren nga Jehovai për t’i dhënë popullit të tij një mësim, vetë asirianët nuk e pranojnë Jehovain. Ja pse ai vazhdon, duke thënë: «Ndonëse [asiriani] mund të mos jetë kështu, ai do të ndihet i prirur; ndonëse zemra e tij mund të mos jetë kështu, ai do të planifikojë, sepse në zemrën e tij dëshiron të asgjësojë dhe të shkatërrojë jo pak kombe.» (Isaia 10:7) Jehovai ka ndër mend që asiriani të jetë një vegël në dorën hyjnore. Por ai ndihet i prirur të jetë diçka tjetër. Zemra e tij e shtyn të planifikojë diçka më të madhe, pushtimin e botës së njohur në atë kohë!
7. (a) Shpjegoni shprehjen «A nuk janë princat e mi në të njëjtën kohë mbretër?». (b) Çfarë gjëje duhet t’i kushtojnë vëmendje ata që sot braktisin Jehovain?
7 Shumë nga qytetet joizraelite të pushtuara nga asiriani, më parë sundoheshin nga mbretër. Këta ish-mbretër tani duhet t’i nënshtrohen mbretit të Asirisë si princa vasalë, prandaj me të drejtë ajo mund të mburret: «A nuk janë princat e mi në të njëjtën kohë mbretër?» (Isaia 10:8) Perënditë e rreme të qyteteve kryesore të kombeve nuk mundën t’i shpëtonin adhuruesit e tyre nga shkatërrimi. Perënditë e adhuruara nga banorët e Samarisë, si Baali, Moleku dhe viçat e artë nuk do ta mbrojnë atë qytet. Meqenëse ka braktisur Jehovain, Samaria nuk ka të drejtë të presë që ai të ndërhyjë. Kushdo që sot braktis Jehovain le t’i kushtojë vëmendje fundit të Samarisë! Asiriani ka të drejtë të mburret për Samarinë dhe qytetet e tjera që ka pushtuar: «A nuk është Kalnoja si Karkemishi? A nuk është Hamathi si Arpadi? A nuk është Samaria si Damasku?» (Isaia 10:9) Për asirianin ata janë të gjithë njësoj, plaçkë për t’u marrë.
8, 9. Pse mund të thuhet që asiriani e tepron kur i vë syrin Jerusalemit?
8 Por asiriani e tepron me mburrjen e tij. Ai thotë: «Sa herë që dora ime ka arritur mbretëritë e perëndisë pa vlerë, shëmbëlltyrat e gdhendura të të cilit janë më shumë se ato në Jerusalem dhe në Samari, a nuk do të ndodhë që ashtu si do të kem vepruar me Samarinë dhe me perënditë e saj pa vlerë, po ashtu do të veproj edhe me Jerusalemin dhe me idhujt e tij?» (Isaia 10:10, 11) Mbretëritë që asiriani ka pushtuar deri tani zotëronin shumë më tepër idhuj se Jerusalemi dhe madje se Samaria. ‘Çfarë do të më pengojë,—arsyeton ai,—t’i bëj Jerusalemit atë që i bëra Samarisë?’
9 Çfarë mburrjeje arrogante! Jehovai nuk do ta lejojë atë që ta marrë Jerusalemin. Vërtet, Juda nuk ka një të kaluar të pastër, për sa i përket mbështetjes së adhurimit të vërtetë. (2 Mbretërve 16:7-9; 2 Kronikave 28:24) Jehovai ka paralajmëruar se për shkak të jobesnikërisë së saj, Juda do të vuajë shumë gjatë pushtimit asirian. Por Jerusalemi do të mbijetojë. (Isaia 1:7, 8) Kur fillon pushtimi asirian, mbret në Jerusalem është Hezekia. Ai nuk është si i ati, Akazi. Në fakt, që në muajin e parë të mbretërimit të tij, Hezekia hap përsëri dyert e tempullit dhe rivendos adhurimin e pastër.—2 Kronikave 29:3-5.
10. Çfarë premton Jehovai në lidhje me asirianin?
10 Pra, qëllimi i Asirisë për të sulmuar Jerusalemin nuk ka miratimin e Jehovait. Jehovai premton se do t’i kërkojë llogari kësaj fuqie botërore të pafytyrë: «Duhet të ndodhë që kur Jehovai të përfundojë gjithë veprën e tij në malin Sion dhe në Jerusalem, do të kërkojë llogari për frytet e pafytyrësisë së zemrës së mbretit të Asirisë dhe për mendjemadhësinë e syve të tij fodullë.»—Isaia 10:12.
Drejt Judës dhe Jerusalemit
11. Pse asiriani mendon që Jerusalemi do të jetë një pre e lehtë?
11 Tetë vjet pas rënies së mbretërisë veriore në vitin 740 p.e.s., një monark i ri asirian, Senakeribi, marshon drejt Jerusalemit. Isaia përshkruan në mënyrë poetike planin krenar të Senakeribit: «Do të heq kufijtë e popujve dhe me siguri do të plaçkis gjërat e grumbulluara të tyre dhe do t’i rrëzoj banorët porsi një i fortë. Dora ime do t’i arrijë burimet e popujve sikur të ishin një fole; dhe do të mbledh gjithë tokën ashtu si një njeri që mbledh vezët e braktisura dhe nuk do të ketë asnjë që të rrahë krahët ose të hapë gojën, ose të cicërojë.» (Isaia 10:13, 14) Senakeribi arsyeton se meqë qytete të tjera kanë rënë dhe Samaria nuk është më, Jerusalemi do të jetë një pre e lehtë. Qyteti mund të bëjë një luftë me gjysmë zemre, por pothuajse pa nxjerrë asnjë cicërimë, banorët e tij do të nënshtrohen menjëherë dhe burimet e tyre do t’u merren si vezët nga një fole e braktisur.
12. Cila tregon Jehovai se është mënyra e duhur për t’i parë gjërat në lidhje me mburrjet e asirianit?
12 Por Senakeribi harron një gjë. Samaria apostate e meritonte ndëshkimin që mori. Ndërsa Jerusalemi, nën sundimin e mbretit Hezekia, është bërë edhe një herë fortesa e adhurimit të pastër. Kushdo që do të dojë të prekë Jerusalemin do të ketë të bëjë me Jehovain. I indinjuar, Isaia pyet: «A do ta lartësojë veten sëpata mbi atë që pret me të ose a do të madhështojë veten sharra mbi atë që e lëviz para-mbrapa, sikur bastuni të lëvizte para-mbrapa ata që e ngrenë lart, sikur shkopi të ngrinte lart atë që nuk është dru?» (Isaia 10:15) Perandoria asiriane është thjesht një vegël në dorën e Jehovait, ashtu si një sëpatë, një sharrë, një bastun ose një shkop mund të përdoren nga një druvar, nga një sharrëxhi ose nga një bari. Si guxon shkopi ta madhështojë veten mbi atë që e përdor atë?
13. Identifikoni dhe tregoni se çfarë u ndodh (a) ‘njerëzve të shëndoshë’; (b) ‘barërave të këqija dhe ferrave’; (c) «lavdisë së pyllit të tij».
13 Çfarë do t’i ndodhë asirianit? «Zotëria i vërtetë, Jehovai i ushtrive, do të vazhdojë të dërgojë mbi njerëzit e tij të shëndoshë një sëmundje konsumuese dhe nën lavdinë e tij një djegie do të vazhdojë të djegë si djegia e një zjarri. Dhe Drita e Izraelit duhet të bëhet një zjarr, dhe i Shenjti i tij një flakë; dhe duhet të shpërthejë e të përpijë barërat e këqija dhe ferrat e tij në një ditë. Ai do t’i japë fund lavdisë së pyllit të tij dhe të pemishteve të tij, madje që nga shpirti deri në mish dhe duhet të bëhet si tretja e një të sëmuri. Dhe për sa i përket pjesës tjetër të pemëve të pyllit të tij, do të mbetet një numër i tillë saqë edhe një djalë do të mund t’i mbajë shënim.» (Isaia 10:16-19) Po, Jehovai do ta shkurtojë ‘shkopin’ asirian në masën e duhur. «Njerëzit e . . . shëndoshë» të ushtrisë asiriane, ushtarët e saj të bëshëm, do të goditen me «një sëmundje konsumuese». Ata nuk do të duken dhe aq të fuqishëm. Ngjashëm një numri të madh barërash të këqija dhe ferrash, trupat e saj tokësorë do të digjen nga Drita e Izraelit, Perëndia Jehova. Gjithashtu, «lavdisë së pyllit të tij», oficerëve të tij ushtarakë, do t’u vijë fundi. Pasi Jehovai të ketë mbaruar punë me asirianin, do të kenë mbetur kaq pak oficerë saqë edhe një djalë do të jetë në gjendje t’i numërojë me gishta.—Shih edhe Isainë 10:33, 34.
14. Përshkruani përparimin e asirianit në tokën e Judës deri në vitin 732 p.e.s.
14 E megjithatë, judenjtë që jetojnë në Jerusalem në vitin 732 p.e.s. duhet ta kenë të vështirë ta besojnë se asiriani do të mundet. Ushtria gjigante asiriane po përparon pa pushim. Dëgjoni listën e qyteteve të Judës që kanë rënë: ‘Ai ka ardhur mbi Aiathin . . . Migronin . . . Mikmashin . . . Gebën . . . Ramahun . . . Gibeahun e Saulit . . . Galimin . . . Laishahun . . . Anathothin . . . Madmenahun . . . Gebimin . . . Nobin.’ (Isaia 10:28-32a)b Së fundi, pushtuesit mbërrijnë në Lakish, vetëm 50 kilometra larg Jerusalemit. Shpejt, qyteti kërcënohet nga ushtria e madhe asiriane. «Ai tund dorën kërcënueshëm kundër malit të bijës së Sionit, kodrës së Jerusalemit.» (Isaia 10:32b) Çfarë mund ta ndalë asirianin?
15, 16. (a) Përse mbreti Hezekia ka nevojë për një besim të fortë? (b) Çfarë baze ka Hezekia që të besojë se Jehovai do t’i vijë në ndihmë?
15 Në pallatin e tij në qytet, mbretin Hezekia e pushton ankthi. Ai i gris rrobat dhe mbulohet me copë thesi. (Isaia 37:1) Dërgon njerëz te profeti Isaia për të pyetur Jehovain në favor të Judës. S’kalon shumë dhe njerëzit kthehen me përgjigjen e Jehovait: «Mos ki frikë . . . unë do ta mbroj këtë qytet.» (Isaia 37:6, 35, Dio) E megjithatë, asirianët janë kërcënues dhe tepër të sigurt në vetvete.
16 Besimi është ai që do ta mbështetë mbretin Hezekia gjatë gjithë kësaj situate të vështirë. Besimi është «dëshmia e dukshme e realiteteve, edhe pse nuk shihen.» (Hebrenjve 11:1) Ai përfshin shikimin përtej asaj që është e dukshme. Por besimi bazohet në njohurinë. Ka të ngjarë që Hezekia të mbajë mend se kohë më parë Jehovai tha këto fjalë ngushëlluese: «Mos ki frikë o populli im që banon në Sion, për shkak të asirianit . . . Sepse edhe fare pak kohë dhe denoncimi do të ketë arritur në fund dhe zemërimi im në konsumimin e tyre. Dhe Jehovai i ushtrive do të vringëllojë kundër tij një kamxhik si në disfatën e Midianit pranë shkëmbit të Horebit, dhe shkopi i tij do të jetë mbi det e me siguri do ta ngrejë siç bëri me Egjiptin.» (Isaia 10:24-26)c Po, populli i Perëndisë ka qenë edhe më parë në situata të vështira. Paraardhësit e Hezekisë u duk se ishin të pashpresë para numrit të stërmadh të ushtrisë egjiptiane në Detin e Kuq. Shekuj më parë, Gideoni, u gjend përballë një numri marramendës njerëzish kur Midiani dhe Amaleku pushtuan Izraelin. Por, Jehovai e çliroi popullin e tij në ato dy raste.—Dalja 14:7-9, 13, 28; Gjykatësit 6:33; 7:21, 22.
17. Si thyhet «zgjedha» asiriane dhe pse?
17 A do të veprojë përsëri Jehovai siç veproi në ato dy raste të mëparshme? Po. Jehovai premton: «Duhet të ndodhë në atë ditë që barra e tij do të hiqet nga supi yt dhe zgjedha e tij nga qafa jote dhe zgjedha me siguri do të thyhet për shkak të vajit.» (Isaia 10:27) Zgjedha asiriane do të hiqet nga supi dhe nga qafa e popullit që ka bërë një besëlidhje me Perëndinë. Në fakt, premtohet se zgjedha do të «thyhet» dhe ashtu ndodh. Në një natë të vetme, engjëlli i Jehovait vret 185 000 asirianë. Kërcënimi merr fund dhe asirianët largohen nga vendi i Judës për të mos u kthyer kurrë më. (2 Mbretërve 19:35, 36) Pse? «Për shkak të vajit.» Ky mund t’i referohet vajit të përdorur për të mirosur Hezekinë si mbret të linjës së Davidit. Në këtë mënyrë, Jehovai përmbush premtimin e tij: «Unë do ta mbroj këtë qytet për ta shpëtuar, për dashurinë që kam ndaj vetes dhe për dashurinë e Davidit, shërbëtorit tim.»—2 Mbretërve 19:34, Dio.
18. (a) A ka profecia e Isaisë më shumë se një përmbushje? Shpjegoni. (b) Cila organizatë sot është si Samaria e lashtë?
18 Tregimi i Isaisë që është trajtuar në këtë kapitull ka të bëjë me ngjarje që kanë ndodhur në Judë më shumë se 2700 vjet më parë. Por ato ngjarje kanë të bëjnë më tepër me ditët tona. (Romakëve 15:4) A do të thotë kjo që elementët kryesorë në këtë tregim drithërues, domethënë, banorët e Samarisë e të Jerusalemit, si edhe asirianët, kanë ekuivalentët e tyre modernë? Po. Ashtu si Samaria idhujtare, i ashtuquajturi krishterim pohon se adhuron Jehovain, por ai është tërësisht apostat. Në veprën Një ese mbi zhvillimin e doktrinës së krishterë, kardinali i kishës katolike të Romës John Henry Newman pranon se sendet që ka përdorur i ashtuquajturi krishterim për shekuj, të tilla, si: temjani, qirinjtë, uji i bekuar, veshja priftërore dhe ikonat, «janë të gjitha me prejardhje pagane». Jehovai është po aq i pakënaqur me adhurimin e paganizuar të të ashtuquajturit krishterim, sa ishte edhe me idhujtarinë e Samarisë.
19. Për çfarë është paralajmëruar i ashtuquajturi krishterim dhe nga kush?
19 Për vite të tëra, Dëshmitarët e Jehovait e kanë paralajmëruar të ashtuquajturin krishterim për pakënaqësinë e Jehovait. Për shembull, në vitin 1955, fjalimi publik i titulluar «I ashtuquajturi krishterim apo krishterimi: Cili është ‘drita e botës’?» u mbajt në mbarë botën. Fjalimi shpjegonte në mënyrë të gjallë mënyrën se si i ashtuquajturi krishterim kishte devijuar nga doktrina dhe praktikat e vërteta të krishtere. Më pas, kopje të këtij leksioni të fuqishëm iu postuan klerikëve në shumë vende. Si organizatë, i ashtuquajturi krishterim nuk ia vuri veshin paralajmërimit. Ai nuk i lë alternativë tjetër Jehovait veçse ta ndëshkojë me një ‘shkop’.
20. (a) Cili do të shërbejë si asiriani modern dhe në ç’mënyrë do të përdoret si një shkop? (b) Deri në çfarë mase do të ndëshkohet i ashtuquajturi krishterim?
20 Kë do të përdorë Jehovai për të ndëshkuar të ashtuquajturin krishterim rebel? Përgjigjen e gjejmë në kapitullin 17 të Zbulesës. Atje flitet për një lavire, «Babilonia e Madhe», e cila përfaqëson të gjitha fetë e rreme të botës, duke përfshirë edhe të ashtuquajturin krishterim. Lavirja ka hipur mbi një bishë të egër me ngjyrë flakë të kuqe që ka shtatë kokë dhe dhjetë brirë. (Zbulesa 17:3, 5, 7-12) Bisha e egër përfaqëson organizatën e Kombeve të Bashkuara.d Ashtu si Asiria e lashtë shkatërroi Samarinë, bisha e egër me ngjyrë flakë të kuqe ‘do ta urrejë prostitutën dhe do ta bëjë të shkretuar e lakuriq dhe do të hajë mishrat e saj e do ta djegë plotësisht me zjarr’. (Zbulesa 17:16) Kështu, asiriani modern (kombet pjesëtare të OKB-së) do t’i japë të ashtuquajturit krishterim një goditje të fuqishme dhe do ta asgjësojë.
21, 22. Cili do ta shtyjë bishën e egër të sulmojë popullin e Perëndisë?
21 A do të shkatërrohen Dëshmitarët besnikë të Jehovait bashkë me Babiloninë e Madhe? Jo. Perëndia nuk është i pakënaqur me ta. Adhurimi i pastër do të mbijetojë. Megjithatë, bisha e egër që shkatërron Babiloninë e Madhe, shikon me lakmi edhe popullin e Jehovait. Bisha vepron kështu jo sipas mendimit të Perëndisë, por sipas mendimit të dikujt tjetër. Të kujt? Të Satana Djallit.
22 Jehovai demaskon planin krenar të Satanait: «Atë ditë do të ndodhë që do të të vijnë në mendje [d.m.th. Satanait] projekte dhe do të hartosh një plan të keq. Do të thuash: ‘Do të nisem kundër njerëzve të qetë që banojnë të sigurt, që qëndrojnë të gjithë në vende pa mure [mbrojtëse] . . . ’ për të plaçkitur dhe për të bërë pre.» (Ezekieli 38:10-12, Dio) Satanai do të arsyetojë: ‘Vërtet, pse të mos i nxit kombet që të sulmojnë Dëshmitarët e Jehovait? Ata janë pre e lehtë, të pambrojtur, pa influencë politike. Nuk kanë për të bërë rezistencë. Sa e lehtë do të jetë t’i marr ata si vezët nga një fole e pambrojtur!’
23. Pse asiriani modern nuk do të jetë në gjendje t’i bëjë popullit të Perëndisë atë që i bën të ashtuquajturit krishterim?
23 Por kujdes, o kombe! Ta dini se po të prekni popullin e Jehovait, do të keni të bëni me vetë Perëndinë! Jehovai e do popullin e tij dhe me siguri do të luftojë për ta ashtu si luftoi për Jerusalemin në kohën e Hezekisë. Kur asiriani modern të përpiqet për të asgjësuar shërbëtorët e Jehovait, në fakt do të jetë duke luftuar kundër Perëndisë Jehova dhe Qengjit, Jezu Krishtit. Kjo është një luftë që asiriani nuk mund ta fitojë. «Qengji do t’i mundë,—thotë Bibla,—meqë është Zotëri i zotërinjve dhe Mbret i mbretërve.» (Zbulesa 17:14; krahaso Mateun 25:40.) Ashtu si asiriani në të kaluarën, bisha me ngjyrë flakë të kuqe do të ‘shkojë në shkatërrim’. Ajo nuk do të ngjallë më frikë.—Zbulesa 17:11.
24. (a) Çfarë janë të vendosur të bëjnë të krishterët e vërtetë për t’u përgatitur për të ardhmen? (b) Në ç’mënyrë shikon akoma më përpara Isaia? (Shih kutinë në faqen 155.)
24 Të krishterët e vërtetë mund ta presin të ardhmen pa frikë nëse e mbajnë të fortë marrëdhënien e tyre me Jehovain dhe e bëjnë kryerjen e vullnetit të tij gjënë kryesore në jetë. (Mateu 6:33) Nëse veprojnë kështu nuk ka nevojë të ‘kenë frikë nga asnjë e keqe’. (Psalmi 23:4, Dio) Me sytë e besimit, ata do ta shohin krahun e fuqishëm të Perëndisë të ngritur lart, jo për t’i ndëshkuar, por për t’i mbrojtur nga armiqtë e tij. Ndërsa veshët e tyre do të dëgjojnë këto fjalë qetësuese: ‘Mos kini frikë!’—Isaia 10:24.
[Shënimet]
a Shih Mendjehollësi mbi Shkrimet, vëllimi 1, faqja 203, anglisht.
b Për qartësi, Isaia 10:28-32 është trajtuar para Isaisë 10:20-27.
c Për një trajtim të Isaisë 10:20-23, shih «Isaia shikon akoma më përpara», në faqen 155.
d Informacion i mëtejshëm në lidhje me identitetin e lavires dhe të bishës së egër me ngjyrë flakë të kuqe mund të gjendet në kapitujt 34 dhe 35 të librit Zbulesa: Kulmi i saj madhështor është afër! (anglisht), botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
[Kutia dhe figurat në faqet 155, 156]
ISAIA SHIKON AKOMA MË PËRPARA
Kapitulli i 10-të i Isaisë përqendrohet kryesisht në mënyrën se si do ta përdorë Jehovai pushtimin asirian për të ekzekutuar gjykimin e tij ndaj Izraelit dhe në premtimin e tij për të mbrojtur Jerusalemin. Meqenëse vargjet 20 deri në 23 gjenden në mes të kësaj profecie, mund të mendohet se ato kanë një përmbushje të përgjithshme gjatë së njëjtës periudhë kohore. (Krahaso Isainë 1:7-9.) Megjithatë, mënyra e të shprehurit tregon se këto vargje u aplikohen në mënyrë më specifike periudhave më të vonshme kohore, kur edhe Jerusalemit do t’i duhej të jepte llogari për mëkatet e banorëve të tij.
Mbreti Akaz përpiqet të fitojë siguri duke iu drejtuar për ndihmë Asirisë. Profeti Isaia parathotë se në të ardhmen, të mbijetuarit e shtëpisë së Izraelit nuk do të ndjekin kurrë më një rrugë kaq të marrë. Isaia 10:20 thotë se ata do të «mbështeten te Jehovai, i Shenjti i Izraelit, me të vërtetë». Megjithatë, vargu 21 tregon se vetëm një numër i vogël njerëzish do të veprojnë kështu: «Vetëm një mbetje do të kthehet.» Kjo na kujton birin e Isaisë, Shearjashubin, i cili është një shenjë në Izrael dhe emri i tij do të thotë «Vetëm një mbetje do të kthehet». (Isaia 7:3) Vargu 22 i kapitullit 10 paralajmëron për një «shfarosje» të ardhshme që tashmë është vendosur. Kjo shfarosje do të jetë e drejtë, sepse është një ndëshkim i merituar ndaj një populli rebel. Si rezultat, nga një komb me popullsi të dendur, që është «si kokrrizat e rërës së detit», do të kthehet vetëm një mbetje. Vargu 23 paralajmëron se kjo shfarosje e ardhshme do të përfshijë gjithë kombin. Kësaj radhe Jerusalemi nuk do të kursehet.
Këto vargje përshkruajnë më së miri atë që ndodhi në vitin 607 p.e.s., kur Jehovai e përdori perandorinë babilonase si ‘shkopin’ e tij. I gjithë vendi, duke përfshirë edhe Jerusalemin, ra para pushtuesit. Judenjtë u morën robër në Babiloni për 70 vjet. Por pas kësaj, disa njerëz, ndonëse ishin «vetëm një mbetje», u kthyen për të rivendosur adhurimin e pastër në Jerusalem.
Profecia e Isaisë 10:20-23 pati një përmbushje të mëtejshme në shekullin e parë, siç tregohet te Romakëve 9:27, 28. (Krahaso Isainë 1:9; Romakëve 9:29.) Pavli shpjegon se në kuptimin frymor, një «mbetje» judenjsh ‘u kthyen’ te Jehovai në shekullin e parë të e.s., meqenëse një numër i vogël judenjsh besnikë u bënë ithtarë të Jezu Krishtit dhe filluan ta adhuronin Jehovain «me frymë dhe të vërtetë». (Gjoni 4:24) Me ta u bashkuan më vonë edhe paganë besimtarë, duke formuar kështu një komb frymor, «Izraelin e Perëndisë». (Galatasve 6:16) Në këtë rast u përmbushën fjalët e Isaisë 10:20. Nuk ndodhi «kurrë më» që një popull i dedikuar ndaj Jehovait të largohej prej tij për të kërkuar mbështetje te burimet njerëzore.
[Figura në faqen 147]
Senakeribi mendon se mbledhja e kombeve është po aq e lehtë sa edhe mbledhja e vezëve nga një fole