Shkrimi i lashtë kuneiform dhe Bibla
PASI gjuha e njerëzve u ngatërrua në Babel, u zhvilluan sisteme të ndryshme shkrimi. Njerëzit që jetonin në Mesopotami, si sumerianët dhe babilonasit, përdornin shkrimin kuneiform. Kjo fjalë që vjen nga latinishtja, do të thotë «në formë kunji» dhe i referohet shenjës trekëndore që linte kunji që përdorej për të shkruar mbi argjilën e njomë.
Arkeologët kanë zbuluar tekste kuneiforme të cilat flasin për njerëz dhe ngjarje që përmenden në Bibël. Po çfarë dimë për këtë sistem të lashtë shkrimi? Dhe ç’dëshmi japin këto tekste për besueshmërinë e Biblës?
Dokumentime që i kanë rezistuar kohës
Studiuesit besojnë se sistemi i shkrimit që përdorej në fillim në Mesopotami, ishte piktografik, ku një simbol ose një vizatim përfaqësonte një fjalë ose një ide. Për shembull, shenja që tregonte kaun, ngjante me kokën e një kau. Ndërsa nevoja për të mbajtur dokumentime të ndryshme rritej gjithnjë e më shumë, u zhvillua shkrimi kuneiform. «Shenjat tani mund të shprehnin jo vetëm fjalë, por edhe rrokje, dhe disa prej shenjave mund të kombinoheshin për të shprehur rrokjet e një fjale»,—shpjegon libri NIV Archaeological Study Bible. Si përfundim, rreth 200 shenja të ndryshme bënë të mundur që shkrimi kuneiform «të shprehte vërtet të folurin, me gjithë ndërlikimet e tij të fjalorit dhe të gramatikës».
Në kohën e Abrahamit, rreth vitit 2.000 p.e.s., shkrimi kuneiform ishte zhvilluar mjaft. Gjatë 20 shekujve pasues, rreth 15 gjuhë e përvetësuan këtë shkrim. Më shumë se 99 për qind e teksteve kuneiforme që janë gjetur, ishin shkruar mbi pllaka argjile. Gjatë 150 viteve të fundit, janë gjetur pllaka të tilla të panumërta në Ur, Uruk, Babiloni, Nimrud, Nipur, Ashur, Ninevi, Mari, Eblë, Ugarit dhe Amarnë. Revista Archaeology Odyssey pohon: «Sipas llogaritjeve të ekspertëve, tashmë janë zbuluar nga një deri në dy milionë pllaka kuneiforme dhe çdo vit gjenden nja 25.000 të tjera.»
Në mbarë botën, studiuesit e shkrimit kuneiform kanë përgjegjësinë e madhe të përkthimit. Sipas një llogaritjeje, «vetëm 1/10 e teksteve kuneiforme ekzistuese janë lexuar të paktën një herë në kohët e sotme».
Zbulimi i teksteve dy dhe trigjuhëshe në shkrimin kuneiform, ishte çelësi për deshifrimin e këtij lloj shkrimi. Studiuesit kuptuan se këto dokumente përmbanin të njëjtin tekst në gjuhë të ndryshme, të gjitha të shkruara në shkrimin kuneiform. Ajo që ndihmoi në procesin e deshifrimit, ishte fakti se emrat, titujt, gjenealogjitë e sunduesve, e madje edhe shprehjet e vetëlavdërimit, përsëriteshin shpesh.
Aty nga vitet 1850, studiuesit arritën të lexonin gjuhën e përbashkët të Lindjes së Mesme në lashtësi, që ishte gjuha akadiane ose asiro-babilonase në shkrimin kuneiform. Encyclopædia Britannica shpjegon: «Në momentin që u deshifrua gjuha akadiane, vetë bërthama e sistemit u kuptua, dhe prototipi u përdor për përkthimin e gjuhëve të tjera të shkruara sipas sistemit kuneiform.» Si lidhen këto dokumentime kuneiforme me Biblën?
Dëshmi që përputhet me Biblën
Bibla thotë se Jerusalemi sundohej nga mbretër kananitë derisa Davidi e pushtoi aty rreth vitit 1070 p.e.s. (Jos. 10:1; 2 Sam. 5:4-9) Por disa studiues dyshonin për këtë. Megjithatë, në vitin 1887, një fshatare gjeti një pllakë argjile në Amarnë, Egjipt. Rreth 380 tekstet që u gjetën atje, dolën se ishin shkëmbime letrash diplomatike midis sunduesve të Egjiptit (Amenofit III dhe Akhenatonit) dhe mbretërive kananite. Gjashtë letra ishin nga ‘Abdi-Heba, sunduesi i Jerusalemit.
Revista Biblical Archaeology Review thotë: «Fakti që pllakat e Amarnës e paraqitin qartë Jerusalemin si qytet, e jo si çiflig, dhe ‘Abdi-Hebën si . . . guvernator që kishte një shtëpi dhe një garnizon me 50 ushtarë egjiptianë në Jerusalem, tregon se Jerusalemi ishte një mbretëri e vogël kodrinore.» E njëjta revistë thotë më pas: «Duke u bazuar te letrat e Amarnës, mund të jemi të sigurt se atëherë ekzistonte një qytet, i rëndësishëm për atë kohë.»
Emra në dokumentime asiriane dhe babilonase
Asirianët, dhe më vonë babilonasit, e shkruanin historinë në pllaka argjile, cilindra, prizma dhe monumente. Kështu, kur studiuesit deshifruan shkrimin kuneiform në gjuhën akadiane, zbuluan se në ato tekste përmendeshin njerëz që përmenden edhe në Bibël.
Libri The Bible in the British Museum thotë: «Në vitin 1870, duke iu drejtuar Shoqatës së Arkeologjisë Biblike të sapoformuar, dr. Samuel Bërçi mundi të identifikonte [në tekste kuneiforme emrat që kishin] mbretërit hebrenj si Omri, Akabi, Jehu, Azariahu . . . , Menahemi, Pekahu, Hoshea, Hezekia e Manaseu, mbretërit asirianë si Tiglath-Pileseri . . . [III], Sargoni, Senakeribi, Esarhadoni e Ashurbanipali, . . . dhe ata sirianë, si Benhadadi, Hazaeli e Rezini.»
Libri The Bible and Radiocarbon Dating krahason historinë biblike të Izraelit e të Judës me tekstet e lashta kuneiforme. Me ç’rezultat? «Të gjithë 15 a 16 mbretërit e Judës e të Izraelit që shfaqen në burime të huaja, përputhen plotësisht me emrat dhe periudhat [që përshkruhen në Bibël te 1 dhe 2] e Mbretërve. Nuk ka as edhe një mospërputhje, dhe burimet e huaja nuk përmendin asnjë mbret që nuk përmendet në librat e Mbretërve.»
Në Cilindrin e Kirit, një mbishkrim i famshëm kuneiform i gjetur në vitin 1879, thuhet se, pasi shtiu në dorë Babiloninë në vitin 539 p.e.s., Kiri ndoqi politikën e tij dhe i ktheu robërit në vendet e tyre. Ndër ata që përfituan nga kjo ishin edhe judenjtë. (Ezd. 1:1-4) Shumë studiues të shekullit të 19-të kishin vënë në dyshim autenticitetin e dekretit të përmendur në Bibël. Megjithatë, dokumentet kuneiforme nga koha e Persisë, bashkë me Cilindrin e Kirit, sigurojnë prova bindëse se Bibla është e saktë.
Në vitin 1883, u zbulua një arkiv me më shumë se 700 tekste kuneiforme në Nipur, afër Babilonisë. Ndër 2.500 emrat e përmendur, rreth 70 mund të përcaktohen si emra judaikë. Siç thotë historiani Edvin Jamauçi, ata paraqiten «si palë kontraktuese, përfaqësues, dëshmitarë, taksambledhës dhe zyrtarë mbretërorë». Fakti që në këtë periudhë judenjtë vazhdonin të kryenin veprimtari të tilla afër Babilonisë, është një provë domethënëse. Ajo mbështet profecinë e Biblës që thotë se, ndërsa «një mbetje» e izraelitëve u kthye në Judë nga mërgimi në Asiri dhe Babiloni, shumë prej tyre nuk u kthyen.—Isa. 10:21, 22.
Gjatë mijëvjeçarit të parë p.e.s., shkrimi kuneiform ekzistonte përkrah shkrimit alfabetik. Por asirianët dhe babilonasit në fund e braktisën shkrimin kuneiform për të përdorur shkrimin alfabetik.
Qindra mijë pllaka që ruhen në muze, mbeten akoma për t’u studiuar. Ato që specialistët kanë deshifruar tashmë, sigurojnë prova bindëse për besueshmërinë e Biblës. Kush e di ç’prova të mëtejshme do të dalin akoma nga tekstet e pastudiuara?
[Burimi i figurës në faqen 21]
Fotografi me mirësjellje nga Muzeu Britanik