Përhapja e së vërtetës biblike në Portugali
NGA Kamina që ndodhet në veri të Vilës Mbretërore të Sant Antonit e deri në jug, mijëra barka shumëngjyrëshe peshkimi mbulojnë 800 km të bregdetit atlantik të Portugalisë. Peshkatarët kanë ‘zbritur në det me anije’ për shekuj, duke e bërë peshkun ushqimin kryesor për shumë tryeza portugeze.—Psalmi 107:23.
Për 70 vjet me radhë, në Portugali është kryer një lloj tjetër peshkimi. Dëshmitarët e Jehovait kanë qenë të zënë me sjelljen e lajmit të mirë në dhjetra apo mijëra peshq simbolikë. (Mateu 4:19) Në maj të 1995-ës u arrit një maksimum me 44.650 lajmëtarë të Mbretërisë dhe raporti ishte 1 Dëshmitar në rreth 210 banorë. Në disa qytete raporti është sa gjysma, afërsisht 1 Dëshmitar në çdo 105 banorë.
Me kaq shumë punëtorë, territoret e dëshmuara janë mbuluar çdo javë apo aty afër. Kështu Dëshmitarët portugezë janë mjaft të shkathët në përdorimin e hyrjeve të ndryshme me qëllim që ta ndajnë me të tjerët shpresën e tyre të bazuar në Bibël. Po, ata e çmojnë rëndësinë e bërjes së njohur me çdo mënyrë që është e mundur të së vërtetës biblike.—1. Korintasve 9:20-23.
Ndihmë për ata me prirje nga feja
Sipas një regjistrimi të bërë në vitin 1991, 70 përqind e të rinjve me moshë 18 vjeç e lart në Portugali pohojnë se janë katolikë. Pavarësisht nga kjo, njohuria e njerëzve mbi Biblën është në një nivel mjaft të ulët. Gazeta Jornal de Notícias vëren: «Kjo është një nga tragjeditë më të mëdha të botës katolike: mosnjohja e Biblës!» Përse është kështu? Gazeta portugeze Expresso jep një përgjigje për këtë. Duke raportuar për një mbledhje të 500 priftërinjve në Fatima, gazeta thotë: «Sipas prelatit, është e nevojshme që prifti ta lirojë veten nga një numër i pafundëm aktivitetesh në mënyrë që të rivendosë ekskluzivisht pozicionin e tij si ‘lajmëtar’. Nëse prifti e bën me gjithë shpirt predikimin e Ungjillit, ai nuk do të ketë kohë për ndonjë aktivitet tjetër.»
Përkundrazi, Dëshmitarët e Jehovait në Portugali janë të zënë me bërjen të njohur të së vërtetës biblike me çdo mënyrë që është e mundur. Si rezultat, shumë katolikë të sinqertë po fitojnë njohuri mbi Biblën.
Karlota ishte një katolike e devotshme dhe anëtare e një grupi të rinjsh të bazuar në një rregull fetar. Ajo ishte gjithashtu edukatore në një kopsht fëmijësh, ku punonte një Dëshmitar me emrin Antonio. Si pionier i rregullt, apo shërbëtor në shërbim të plotë kohor, Antonio gjithmonë përpiqej të bisedonte rreth Biblës me kolegët e tij të punës gjatë pushimit të drekës. Një ditë, Karlota e pyeti mbi besimin në zjarrin e ferrit dhe kultin e Marisë. Antonio i tregoi atë që mësonte Bibla mbi këto çështje dhe kjo i hapi rrugën shumë diskutimeve biblike. Kur ndoqi për herë të parë mbledhjen në Sallën e Mbretërisë së zonës, Karlotës i bëri shumë përshtypje. Por oraret e mbledhjeve binin ndesh me ato të rregullit fetar në të cilin ajo bënte pjesë. E kuptoi se duhej të merrte një vendim. Çfarë do të bënte?
Karlota mblodhi të gjithë grupin e të rinjve dhe u shpjegoi me anë të Biblës se përse po largohej. Të gjithë e kritikuan vendimin e saj, përveç një vajze të re të quajtur Stela, e cila e dëgjoi me shumë kujdes. Kur Karlota foli me të më vonë, ajo i bëri shumë pyetje rreth origjinës dhe qëllimit të jetës. Karlota i dha librin Jeta: Si erdhi ajo këtu? Me evolucion apo krijim?a dhe filloi një studim biblik me të.
Ndërkohë, Karlota bëri një përparim të shkëlqyer frymor, u pagëzua në qershor të vitit 1991 dhe filloi të shërbente si pioniere e rregullt gjashtë muaj më vonë. Në maj të 1992-shit, u martua me Antonion dhe vazhdojnë së bashku në shërbimin si pionierë, në një kongregacion fqinj ku ka mjaft nevojë. Po Stela? Ajo u pagëzua në maj të vitit 1993 dhe tani shërben si pioniere e rregullt.
I riu Françesk ishte shumë fetar. Çdo të diel në mëngjes ndiqte meshën, ndërsa pasdite këndimin e rruzareve. Ai shërbente si kishtar, duke e ndihmuar priftin gjatë meshës. Ai madje i lutej Perëndisë që të bëhej një «shenjt» ndonjë ditë!
Françesku donte me të vërtetë të kishte një Bibël dhe një ditë një shok i dha një. Ai u habit kur pa se Perëndia kishte një emër, Jehova. (Dalja 6:3; Psalmi 83:18) Kur lexoi tek Dalja 20:4, 5 se Perëndia e ndalon përdorimin e shëmbëlltyrave në adhurim, u habit edhe më shumë! Duke parë se kisha ishte plot me shëmbëlltyra, ai iu lut me zjarr Perëndisë që ta ndihmonte të kuptonte gjithë këtë konfuzion. Disa ditë më vonë takoi një ish-shokun e tij të shkollës dhe e pyeti se përse e kishte lënë shkollën e natës.
—Po ndjek një shkollë nate më të mirë tani,—u përgjigj shoku i tij.
—Çfarë shkolle është kjo dhe çfarë po studion?—e pyeti Françesku. Ai ishte krejtësisht i habitur nga përgjigjja e shokut të tij.
—Po studioj Biblën në Sallën e Mbretërisë së Dëshmitarëve të Jehovait,—i tregon ai.—A do të të pëlqente të shkonim së bashku?
Françesku nuk mund ta besonte atë që pa në mbledhjen e tij të parë: fytyra të lumtura e të qeshura; njerëz që flisnin me njëri-tjetrin në një mënyrë të ngrohtë e miqësore; fëmijë të ulur me prindërit e tyre e që i kushtonin vëmendje asaj që thuhej.
«Këtu, unë isha krejt i huaj dhe u ndjeva si pjesë e familjes!»— shpjegoi Françesku. Që atëherë, ai i ndoqi mbledhjet rregullisht. Tani Françesku shërben si plak në kongregacion dhe së bashku me gruan e tij dhe dy fëmijët, gëzon në premtimet e mëdha të Mbretërisë që gjenden në Fjalën e Perëndisë.
Ndarja e së vërtetës me të afërmit
Manuela, një pioniere e rregullt në zonën e Lisbonës, ka patur një rrjetë të bollshme me peshq frymorë për shkak të këmbënguljes në dhënien e dëshmisë me dashamirësi tek të gjithë, duke përfshirë edhe të afërmit. Midis tyre ishte dhe vëllai i saj në mish, Zhose Eduardo, i cili ishte stërvitur në artet marciale dhe në përdorimin e armëve. Ai e kishte thyer ligjin kaq herë, saqë më në fund e futën në burg me 22 akuza dhe me dënimin për 20 vjet burg. Ishte kaq i dhunshëm, saqë edhe të burgosurit e tjerë e kishin frikë, prandaj u mbajt në një qeli të izoluar.
Manuela e vizitoi me durim për shtatë vjet Zhose Eduardon, por ai gjithmonë e hidhte poshtë mesazhin e saj biblik. Më në fund, kur u botua libri Jeta: Si erdhi ajo këtu? Me evolucion apo me krijim?, ai e pranoi dhe filloi një studim biblik. Një javë më vonë ai u dha një dëshmi personale 200 të burgosurve dhe në javën që pasoi edhe 600 të tjerëve. Madje mori leje për të vizituar edhe të burgosurit në blloqet e tjera të burgut. Për shkak të ndryshimeve të mëdha në sjelljen e tij, dënimi iu ul në 15 vjet. Pasi bëri 10 vjet u lirua, por nën mbikëqyrje. Që nga ajo kohë kanë kaluar pesë vjet dhe Zhose Eduardo është tani një Dëshmitar i pagëzuar i Jehovait dhe shërben si shërbëtor ndihmës në kongregacionin e zonës. Me të vërtetë një rast i ‘ujkut duke banuar bashkë me qengjin’!—Isaia 11:6.
Për shkak të përpjekjeve të vazhdueshme në dhënien e dëshmisë familjes së saj, Manuela pati gëzimin që të ndihmojë edhe burrin e saj bashkë me katër pjesëtarë të tjerë të familjes që të bëhen aktivë në shërbim të Jehovait. I shoqi tani është shërbëtor ndihmës.
«Do t’i përzë me shkelma dhe me kamxhik»
Maria du Karmo jetonte në periferi të Lisbonës, kur Dëshmitarët e vizituan atë. Asaj i pëlqeu ajo që dëgjoi dhe i kërkoi të shoqit, Antonios, nëse mund të fillonte një studim biblik në shtëpi. «As mos të të shkojë mendja!—iu përgjigj ai.—Nëse do t’i gjej ndonjëherë Dëshmitarët e Jehovait në shtëpinë tonë, do t’i përzë me shkelma dhe me kamxhik.» Antonio, në fakt, ishte instruktor karateje dhe një specialist i klasit të tretë. Kështu, Maria vendosi ta bënte studimin biblik në një vend tjetër.
Më vonë, Antonios iu desh të shkonte në Angli për një kurs tetëditor për karatenë dhe Maria i paketoi me kujdes në valixhe librin Libri im i tregimeve biblike.b Meqë kishte kohë me bollëk gjatë udhëtimit, Antonio e lexoi librin. Në fluturimin e kthimit, një stuhi e përplasi aeroplanin me forcë dhe ai pati vështirësi në ulje. Për të parën herë në jetën e tij Antonio iu lut Jehovait.
Kur Antonio mbërriti në shtëpi, Dëshmitarët që drejtonin studimin me gruan e tij e ftuan në një mledhje. Ai pranoi dhe pa se të gjithë ishin miqësorë. U rregullua që të fillohej një studim biblik dhe në një kohë të shkurtër Antonio e kuptoi se duhej të merrte disa vendime. Rezultati ishte se ai pushoi së mësuari karatenë dhe filloi t’u mësonte nxënësve të tij se si të jetonin një jetë paqësore tani dhe përgjithmonë. Njëri prej tyre, po ashtu një karateist, është tani një i krishterë i pagëzuar.
Sa për Antonion, ai u pagëzua në prill të vitit 1991. Ditën pas pagëzimit të tij, filloi të shërbente si pionier ndihmës. Gjashtë muaj më vonë filloi shërbimin si pionier i rregullt dhe shpejt filloi të drejtonte 12 studime biblike. Në korrik të vitit 1993 u emërua si shërbëtor ndihmës.
Në territoret e punuar shpesh
Në shumë zona të vendit territori është punuar çdo javë apo aty afër. Si ia bëjnë Dëshmitarët që të vazhdojnë të jenë të frytshëm me aktivitetet e tyre të «peshkimit»?
Zhoao përpiqet të takojë çdo person në çdo shtëpi. Ndërsa vizitonte një zonjë, e pyeti nëse kishte dhe të tjerë që banonin në shtëpi. Zonja iu përgjigj se jetonte me burrin dhe dy djemtë e saj, por nuk do të ishte e lehtë t’i takonte, sepse ata punonin dhe do të ishin në shtëpi vetëm në mbrëmje. Kështu Zhoao vazhdoi të dëshmonte duke vizituar personat e tjerë në atë zonë. Rreth një orë e gjysmë më vonë, atij i afrohet një burrë.
—The se doje të flisje me mua,—i tha ai Zhoaos.—Të lutem më thuaj çfarë dëshiron.
—Më fal, por unë nuk të njoh,—iu përgjigj Zhoao i habitur.—Kush jeni ju?
—Jam Antonio dhe banoj pikërisht në këtë rrugë. Ju i thatë nënës sime se donit të flisnit me pjesën tjetër të familjes, prandaj erdha të shoh se çfarë dëshiron.
Zhoao i dha Antonios një dëshmi të plotë dhe filloi një studim biblik me të. Pas studimit të dytë, Antonio i kërkoi nëse mund ta bënin studimin dy herë në javë. Vetëm në katër muaj ai iu bashkua Zhoaos dhe filloi të predikonte lajmin e mirë në rrugën e tij. Tre muaj më vonë ai u pagëzua. Kohët e fundit edhe nëna e tij ka filluar të studiojë Biblën. Sa e rëndësishme është që gjatë shërbimit të përpiqemi të flasim me të gjithë anëtarët e familjes!
Përvoja të tilla nxitëse tregojnë se ka akoma shumë për të peshkuar në kuptim frymor në ujërat e Portugalisë. Jehovai e ka bekuar punën e madhe të Dëshmitarëve në këtë vend, me mijëra studime biblike që përparojnë. Ndërsa ata vazhdojnë të kërkojnë gjithnjë e më shumë mënyra për t’ua bërë të njohur të gjithëve të vërtetën e Biblës, fjalët e apostullit Pavël drejtuar të krishterëve në Filipi po përmbushen me të vërtetë sot në Portugali: «Në çdo mënyrë . . . Krishti po shpallet.»—Filipianëve 1:18, BR.
[Shënimet]
a Botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
b Botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
[Harta në faqen 23]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
SPANJË
PORTUGALI
[Figurat në faqet 24, 25]
Dëshmitarët në Portugali përdorin çdo mundësi për të bërë të njohur të vërtetën biblike