Kapitulli njëzet e pesë
Mbreti dhe princat e tij
1, 2. Çfarë mund të thuhet për tekstin e Rrotullës së Isaisë të gjetur në Detin e Vdekur?
ATY nga fundi i viteve 40 të shekullit të 20-të, në disa guva pranë Detit të Vdekur në Palestinë, u gjet një koleksion i mahnitshëm rrotullash. Ato u bënë të njohura si Rrotullat e Detit të Vdekur dhe mendohet të jenë shkruar diku midis viteve 200 p.e.s. dhe 70 të e.s. Më e famshmja ndër to është një rrotull e Isaisë e shkruar në hebraisht mbi lëkurë rezistente. Kjo rrotull është pothuajse e plotë dhe teksti i saj ndryshon fare pak nga ai i dorëshkrimeve të tekstit Masoretik, i cili daton rreth 1000 vjet më vonë. Kështu, rrotulla dëshmon për transmetimin e saktë të tekstit të Biblës.
2 Një hollësi që vlen të përmendet në lidhje me Rrotullën e Isaisë të gjetur në Detin e Vdekur është fakti që pjesa e cila përbën atë që sot njihet si kapitulli 32 i Isaisë, është shënuar me një “X” të shkruar në mënyrë të shkujdesur në anë të tekstit nga një skrib. Ne nuk e dimë përse e bëri këtë shenjë kopisti, por dimë që kjo pjesë e Biblës së Shenjtë ka diçka të veçantë.
Sundim për të drejtën dhe drejtësinë
3. Çfarë administrimi është profetizuar në librat e Isaisë dhe të Zbulesës?
3 Kapitulli 32 i Isaisë hapet me një profeci drithëruese që po përmbushet në mënyrë të jashtëzakonshme në ditët tona: «Ja! Një mbret do të mbretërojë për vetë të drejtën dhe për sa u përket princave, do të sundojnë si princa për vetë drejtësinë.» (Isaia 32:1) «Ja!» Kjo thirrje të sjell ndër mend një thirrje të ngjashme që gjendet në librin e fundit profetik të Biblës: «Ai që rri ulur në fron tha: ‘Ja, unë po bëj çdo gjë të re.’» (Zbulesa 21:5) Librat biblikë të Isaisë dhe të Zbulesës, të shkruar në periudha kohore me një diferencë prej rreth 900 vjetësh, përshkruajnë të dy, në një mënyrë që të ngroh zemrën, një administrim të ri—«një qielli të ri» të përbërë nga Mbreti Jezu Krisht i hipur në fron në vitin 1914 dhe 144 000 bashkësundimtarë të «blerë nga mesi i njerëzimit»—bashkë me «një tokë të re»—një shoqëri e bashkuar njerëzore me shtrirje globale.a (Zbulesa 14:1-4; 21:1-4; Isaia 65:17-25) I gjithë ky rregullim është bërë i mundur falë flijimit shpërblyes të Krishtit.
4. Cila bërthamë e tokës së re ekziston tani?
4 Pasi sheh në vizion vulosjen përfundimtare të këtyre 144 000 bashkësundimtarëve, apostulli Gjon thotë: «Pashë dhe ja, një shumicë e madhe, të cilën askush nuk ishte në gjendje ta numëronte, nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët, që qëndronte përpara fronit dhe përpara Qengjit.» Kjo është bërthama e tokës së re—një shumicë e madhe e përbërë tashmë nga miliona njerëz, të cilët janë mbledhur e vendosur përkrah pjesëtarëve përgjithësisht të moshuar të mbetjes së 144 000-ve. Kjo shumicë e madhe do të mbijetojë në shtrëngimin e madh që po afrohet me shpejtësi dhe, në tokën parajsore, me ta do të bashkohen njerëzit besimplotë të ringjallur e miliarda të tjerë, të cilëve do t’u jepet mundësia për të ushtruar besim. Të gjithë ata që veprojnë kështu do të bekohen me jetën e përhershme.—Zbulesa 7:4, 9-17.
5-7. Çfarë roli luajnë në kopenë e Perëndisë ‘princat’ e parathënë?
5 Megjithatë, për aq kohë sa të ekzistojë kjo botë e mbushur me urrejtje, pjesëtarët e shumicës së madhe kanë nevojë për mbrojtje. Në një masë të madhe kjo sigurohet nëpërmjet ‘princave’ që «sundojnë . . . për vetë drejtësinë». Çfarë rregullimi madhështor! Këta «princa» përshkruhen më tej me këto fjalë të Isaisë që të ngrohin zemrën: «Secili duhet të provojë se është si një vend për t’u fshehur nga era dhe si një vend i fshehtë nga stuhia, si përrenj uji në një vend pa ujë, si hija e një shkrepi të rëndë në një tokë të shkretuar.»—Isaia 32:2.
6 Në këtë kohë kur mbarë bota vuan, ka nevojë për «princa», po, për pleq të cilët do t’i ‘kushtojnë vëmendje . . . gjithë kopesë’, duke u kujdesur për delet e Jehovait dhe duke e ushtruar drejtësinë në harmoni me parimet e drejta të Jehovait. (Veprat 20:28) Këta «princa» duhet të jenë në lartësinë e kualifikimeve të paraqitura në 1 Timoteut 3:2-7 dhe Titit 1:6-9.
7 Në profecinë e tij të madhe ku përshkroi ‘përfundimin e [trazuar të] sistemit’, Jezui tha: «Shikoni të mos tmerroheni.» (Mateu 24:3-8) Pse nuk tmerrohen ithtarët e Jezuit nga kushtet e rrezikshme të botës sot? Një arsye është se ‘princat’, qofshin të mirosur ose «dele të tjera», po e mbrojnë kopenë me besnikëri. (Gjoni 10:16) Ata kujdesen pa u trembur për vëllezërit dhe motrat e tyre, edhe përballë tmerreve të tilla, si luftërat etnike ose gjenocidi. Në një botë të shkretë në kuptimin frymor, ata sigurohen që shpirtrat e dëshpëruar të freskohen nga të vërtetat ndërtuese të Fjalës së Perëndisë, Biblës.
8. Si po i stërvit dhe si po i përdor Jehovai ‘princat’ që janë nga delet e tjera?
8 Gjatë 50 vjetëve të kaluar, ‘princat’ kanë dalë në pah qartësisht. ‘Princat’ që janë nga delet e tjera po stërviten si një klasë ‘prijësi’ në zhvillim e sipër, kështu që pas shtrëngimit të madh, individë të kualifikuar prej tyre do të jenë gati të emërohen për të shërbyer në një rol administrues në ‘tokën e re’. (Ezekieli 44:2, 3; 2 Pjetrit 3:13) Duke siguruar udhëheqje dhe freskim frymor, ndërsa marrin drejtimin në shërbimin e Mbretërisë, ata po provojnë se janë «si hija e një shkrepi të rëndë», e cila i sjell lehtësim kopesë në sferën e saj të adhurimit.b
9. Cilat kushte e bëjnë të dukshme nevojën për «princa» sot?
9 Në këto ditë të fundit të botës së ligë të Satanait, që janë plot rreziqe, të krishterët e dedikuar kanë shumë nevojë për këtë mbrojtje. (2 Timoteut 3:1-5, 13) Po fryjnë erëra të fuqishme doktrinash të rreme dhe propagande të shtrembëruar. Stuhi të tërbuara po godasin në formën e luftërave ndërmjet dhe brenda kombeve, si dhe në formën e sulmeve të drejtpërdrejta kundër adhuruesve të Perëndisë Jehova. Në një botë të zhuritur për shkak të thatësirës frymore, të krishterët kanë jashtëzakonisht nevojë për përrenjtë e ujit të pastër e të papërzier të së vërtetës, me qëllim që të shuajnë etjen e tyre frymore. Lumturisht, Jehovai ka premtuar se Mbreti i tij që sundon, nëpërmjet vëllezërve të tij të mirosur dhe «princave» nga delet e tjera që i mbështetin, do t’u sigurojë inkurajim dhe udhëheqje të dëshpëruarve dhe të shkurajuarve në këtë kohë nevoje. Kështu, Jehovai do të sigurohet që e drejta dhe drejtësia të triumfojnë.
Kushtojnë vëmendje me sy, me veshë dhe me zemër
10. Çfarë masash ka marrë Jehovai me qëllim që populli i tij të mund të ‘shohë’ e të ‘dëgjojë’ gjëra frymore?
10 Si ka reaguar shumica e madhe ndaj rregullimit teokratik të Jehovait? Profecia e Isaisë vazhdon: «Sytë e atyre që shohin nuk do të ngjiten dhe veshët e atyre që dëgjojnë do të kushtojnë vëmendje.» (Isaia 32:3) Gjatë viteve, Jehovai është kujdesur t’i mësojë dhe t’i çojë drejt pjekurisë shërbëtorët e tij të çmuar. Shkolla e Shërbimit Teokratik dhe mbledhje të tjera që zhvillohen në kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait në mbarë botën të tilla, si kongreset krahinore, kombëtare e ndërkombëtare dhe stërvitja e specializuar e «princave» për t’u kujdesur me dashuri për kopenë, kanë kontribuar të gjitha në ndërtimin e një vëllazërie të bashkuar globale prej miliona personash. Në cilindo vend të tokës që të jenë, këta barinj mezi presin të dëgjojnë dhe të pranojnë rregullimet në kuptueshmërinë e fjalës progresive të së vërtetës. Duke pasur një ndërgjegje të stërvitur sipas Biblës, ata janë gjithmonë gati të dëgjojnë dhe të binden.—Psalmi 25:10.
11. Pse pjesëtarët e popullit të Perëndisë po flasin tani me siguri dhe jo duke belbëzuar të pasigurt?
11 Më pas profecia paralajmëron: «Zemra e atyre që janë tepër të nxituar do të shqyrtojë njohurinë dhe, edhe gjuha e atyre që belbëzojnë do të jetë e shpejtë për t’i thënë gjërat qartë.» (Isaia 32:4) Askush le të mos jetë i nxituar për të nxjerrë përfundime lidhur me atë se ç’është e drejtë dhe ç’është e gabuar. Bibla thotë: «A ke parë një njeri të nxituar në fjalët e tij? Ka më shumë shpresë për një budalla, sesa për të.» (Proverbat 29:20; Eklisiastiu [Predikuesi] 5:2) Para vitit 1919, edhe pjesëtarët e popullit të Jehovait ishin të ndotur me idetë Babilonase. Por duke filluar nga ky vit, Jehovai u dha atyre një kuptueshmëri më të qartë të qëllimeve të tij. Ata kanë parë se të vërtetat që Perëndia u ka zbuluar nuk janë përfundime të arritura në mënyrë të nxituar, por të menduara mirë, dhe tani janë duke folur me siguri për bindjet e tyre e jo duke belbëzuar të pasigurt.
«I pamendi»
12. Kush janë ‘të pamendët’ sot dhe në cilin kuptim u mungon bujaria?
12 Në vazhdim, në profecinë e Isaisë bëhet një krahasim: «I pamendi nuk do të quhet më bujar dhe sa për njeriun pa parime nuk do të thuhet se është fisnik, sepse i pamendi do të flasë gjëra thjesht të pamenda.» (Isaia 32:5, 6a) Kush është «i pamendi»? Si për ta theksuar këtë, mbreti David përgjigjet dy herë: «I pamendi ka thënë në zemër të tij: ‘Nuk ka Perëndi.’ Janë të korruptuar, bëjnë gjëra të neveritshme; nuk ka asnjë që të bëjë të mirën.» (Psalmi 14:1, Dio; 53:1) Sigurisht, ata që janë ateistë të betuar thonë se nuk ka Jehova. Në fakt, kështu bëjnë edhe «intelektualët» dhe të tjerët që veprojnë sikur të mos kishte Perëndi, duke menduar se nuk i japin llogari askujt. E vërteta nuk është te këta njerëz. Në zemrat e tyre nuk ka bujari. Ata nuk kanë si parim drejtues dashurinë. Ndryshe nga të krishterët e vërtetë, ata nuk janë të shpejtë për t’u ardhur në ndihmë nevojtarëve që vuajnë ose nuk arrijnë ta bëjnë këtë në një masë të plotë.
13, 14. (a) Në ç’mënyrë punojnë për gjëra të dëmshme apostatët modernë? (b) Nga çfarë gjëje përpiqen apostatët t’i privojnë të uriturit dhe të eturit, por cili do të jetë rezultati përfundimtar?
13 Shumë nga këta të pamendë i urrejnë ata që e mbështetin të vërtetën e Perëndisë. «Zemra e tij do të punojë për gjëra të dëmshme, për të kryer apostazi dhe për të thënë kundër Jehovait atë që është e dalë jashtë udhe.» (Isaia 32:6b) Sa e vërtetë është kjo për apostatët e sotëm! Në disa vende të Evropës dhe të Azisë apostatët janë bashkuar me kundërshtarë të tjerë të së vërtetës, duke u thënë autoriteteve gjëra krejt të pavërteta, me qëllim që aktiviteti i Dëshmitarëve të Jehovait të ndalohet ose të kufizohet. Ata shfaqin frymën e ‘skllavit të lig’, për të cilin Jezui profetizoi: «Por sikur ai skllav i lig të thoshte në zemër të vet: ‘Zotëria im po vonon e të fillonte t’i rrihte shokët e tij të skllavërisë dhe të hante e të pinte me pijanecët e regjur, zotëria i atij skllavi do të vinte në një ditë që ai s’e pret dhe në një orë që ai nuk e di e do ta ndëshkonte atë me ashpërsinë më të madhe dhe do t’i caktonte pjesën e tij me hipokritët. Atje do të jetë e qara e tij dhe kërcëllitja e dhëmbëve.»—Mateu 24:48-51.
14 Ndërkohë, apostati bën që «shpirti i të uriturit të mbetet bosh dhe bën që edhe i eturi të mbetet pa gjë për të pirë». (Isaia 32:6c) Armiqtë e së vërtetës përpiqen t’i privojnë nga ushqimi frymor njerëzit që janë të uritur për të vërtetën dhe t’i pengojnë të eturit që të pinë ujërat freskuese të mesazhit të Mbretërisë. Por rezultati përfundimtar do të jetë ai që Jehovai i shpall popullit të tij nëpërmjet një profeti tjetër: «‘Ata do të luftojnë kundër teje por nuk do të të mundin sepse unë jam me ty për të të çliruar’,—thotë Zoti.»—Jeremia 1:19, Dio; Isaia 54:17.
15. Në ditët e sotme cilët në veçanti janë «pa parime», cilat «thënie të rreme» kanë përkrahur dhe me ç’rezultat?
15 Duke filluar nga mesi i shekullit të 20-të, imoraliteti ka vërshuar me tërbim në vendet e të ashtuquajturit krishterim. Pse? Profecia paratha një arsye: «Sa për njeriun pa parime, mjetet e tij janë të këqija; ai ka dhënë këshilla për akte sjelljeje të shthurur, për të rrënuar të munduarit me thënie të rreme edhe kur ndonjë i varfër thotë atë që është e drejtë.» (Isaia 32:7) Në përmbushje të këtyre fjalëve, në veçanti, shumë pjesëtarë të klerit kanë adoptuar një qëndrim tolerant ndaj seksit paramartesor, bashkëjetesës së të pamartuarve, homoseksualizmit, po, ndaj ‘kurvërisë dhe ndyrësisë së çdo lloji’. (Efesianëve 5:3) Në këtë mënyrë, i rrënojnë kopetë e tyre me thëniet e tyre të rreme.
16. Çfarë i bën të lumtur të krishterët e vërtetë?
16 Në kontrast me këtë, sa ngushëlluese është përmbushja e fjalëve vijuese të profetit! «Për sa i përket personit bujar, ai ka dhënë këshilla për gjëra bujare dhe do të ngrihet në mbështetje të gjërave bujare.» (Isaia 32:8) Vetë Jezui e inkurajoi bujarinë kur tha: «Praktikoni dhënien dhe do t’ju japin. Në prehrin tuaj do të derdhin një masë të shkëlqyer, të ngjeshur, të mbledhur dhe që derdhet nga buzët. Sepse me masën që po matni, do t’ju matet juve në këmbim.» (Luka 6:38) Edhe apostulli Pavël iu referua bekimeve që marrin njerëzit bujarë kur tha: «Mbani mend fjalët e Zotërisë Jezu, kur tha vetë: ‘Ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh.’» (Veprat 20:35) Të krishterët e vërtetë nuk bëhen të lumtur duke fituar pasuri materiale ose famë shoqërore, por duke qenë bujarë, ashtu si Jehovai, Perëndia i tyre, është bujar. (Mateu 5:44, 45) Ata gjejnë lumturi më të madhe duke bërë vullnetin e Perëndisë, duke dhënë me bujari nga vetja, me qëllim që t’u bëjnë të njohur të tjerëve ‘të lavdishmin lajm të mirë të Perëndisë së lumtur’.—1 Timoteut 1:11.
17. Cilët individë janë sot si ‘bijat e shkujdesura’ për të cilat flet Isaia?
17 Profecia e Isaisë vazhdon: «Ngrihuni ju gra që jeni rehat, dëgjoni zërin tim! U vini veshin thënieve të mia ju bija të shkujdesura! Brenda një viti e disa ditësh ju të shkujdesura do të tronditeni, sepse vjelja e rrushit do të ketë përfunduar por asnjë fryt i vjelë nuk do të vijë. Dridhuni ju gra që jeni rehat! Trondituni ju të shkujdesura!» (Isaia 32:9-11a) Qëndrimi i këtyre grave mund të na sjellë ndër mend ata individë sot që pohojnë se i shërbejnë Perëndisë, por që nuk janë të zellshëm në shërbimin e tij. Këta persona ndodhen në fetë e ‘Babilonisë së Madhe, nënës së prostitutave’. (Zbulesa 17:5) Për shembull, anëtarët e feve të të ashtuquajturit krishterim i afrohen shumë përshkrimit që u bën Isaia këtyre ‘grave’. Ata janë «rehat», s’e prishin terezinë për gjykimin dhe tronditjen që do të vërshojë së shpejti mbi ta.
18. Kujt i thuhet të ‘ngjeshë një veshje prej cope thesi në ijë’ dhe pse?
18 Më pas, thirrja i drejtohet fesë së rreme: «Hiqni rrobat e zhvishuni dhe ngjishni një veshje prej cope thesi në ijët tuaja. Goditni kraharorin në shenjë vajtimi për fushat e dëshirueshme, për hardhinë frytdhënëse. Në tokën e popullit tim rriten vetëm gjemba, ferra, sepse janë mbi të gjitha shtëpitë e ngazëllimit, po, mbi qytetin tepër entuziast.» (Isaia 32:11b-13) Duket se shprehja «hiqni rrobat dhe zhvishuni», nuk nënkupton heqjen tërësisht të rrobave. Në kohën e lashtë ishte zakon të vishej një rrobë e sipërme mbi veshjen e brendshme. Veshja e sipërme ishte shpesh një mjet identifikimi. (2 Mbretërve 10:22, 23; Zbulesa 7:13, 14) Kështu, profecia i urdhëron anëtarët e feve të rreme që t’i heqin veshjet e tyre të sipërme—identitetin e tyre të pretenduar si shërbëtorë të Perëndisë—dhe të veshin në vend të tyre veshje prej cope thesi, të cilat janë simbol i vajtimit për gjykimin e tyre të afërt. (Zbulesa 17:16) Asnjë fryt i perëndishëm nuk mund të gjendet në organizatat e të ashtuquajturit krishterim, i cili pohon se është ‘qyteti tepër entuziast’ i Perëndisë, dhe as në pjesëtarët e tjerë të perandorisë botërore të fesë së rreme. Sfera e veprimit të tyre prodhon «vetëm gjemba, ferra», simbole të lënies pas dore dhe të braktisjes.
19. Cilën gjendje të «Jerusalemit» apostat nxjerr në pah Isaia?
19 Kjo tablo e zymtë shtrihet në të gjitha pjesët e «Jerusalemit» apostat: «Kulla e banimit është lënë, zhurma e qytetit është braktisur; Ofeli dhe kulla e rojës janë bërë fusha të zhveshura, ngazëllimi i zebrave dhe kullota e kopeve në kohë të pacaktuar.» (Isaia 32:14) Po, edhe Ofeli përfshihet. Ofeli, një pjesë e ngritur e Jerusalemit, është një pikë e fortë mbrojtëse. Me thënien, Ofeli bëhet një fushë e zhveshur, nënkuptohet shkretimi i plotë i qytetit. Fjalët e Isaisë tregojnë se «Jerusalemi» apostat—i ashtuquajturi krishterim—nuk është syçelë për të kryer vullnetin e Perëndisë. Ai është shterp në kuptimin frymor, pa pikë të vërtete dhe drejtësie, ngjashëm një kafshe në kuptimin e plotë të fjalës.
Një kontrast madhështor!
20. Çfarë efekti ka shkaktuar derdhja e frymës së Perëndisë mbi popullin e tij?
20 Në vazhdim, Isaia prezanton për ata që bëjnë vullnetin e Jehovait një shpresë që të ngroh zemrën. Çdo shkretim i popullit të Perëndisë do të zgjasë vetëm «derisa mbi ne të jetë derdhur fryma nga lart dhe shkretëtira të jetë bërë pemishte dhe vetë pemishtja të jetë konsideruar si një pyll i vërtetë». (Isaia 32:15) Lumturisht, që nga viti 1919, fryma e Jehovait është derdhur me bollëk mbi popullin e tij, duke rikrijuar, në kuptimin figurativ, një pemishte frytdhënëse Dëshmitarësh të mirosur, e ndjekur nga një pyll i gjerë delesh të tjera. Begatia dhe rritja janë treguesit kryesorë të organizatës së tij mbi tokë sot. Në parajsën e rivendosur frymore ‘lavdia e Jehovait, shkëlqimi i Perëndisë tonë’, pasqyrohet nga populli i tij, ndërsa shpall në mbarë botën ardhjen e Mbretërisë së tij.—Isaia 35:1, 2.
21. Ku gjenden drejtësia, qetësia dhe siguria sot?
21 Dëgjoni, tani, premtimin e mrekullueshëm të Jehovait: «Në shkretëtirë me siguri do të banojë e drejta dhe në pemishte vetë drejtësia. Dhe vepra e drejtësisë së vërtetë duhet të bëhet paqe, dhe shërbimi i drejtësisë së vërtetë, qetësi dhe siguri deri në kohë të pacaktuar.» (Isaia 32:16, 17) Sa mirë e përshkruan kjo gjendjen frymore të popullit të Jehovait sot! Në kontrast me pjesën më të madhe të njerëzimit, që është e përçarë nga urrejtja, dhuna dhe varfëria e plotë frymore, të krishterët e vërtetë janë të bashkuar në shkallë globale, ndonëse janë «prej të gjitha kombeve, fiseve, popujve dhe gjuhëve». Ata jetojnë, punojnë dhe shërbejnë në harmoni me drejtësinë e Perëndisë dhe e bëjnë këtë duke pasur sigurinë se, në fund, do të gëzojnë paqe dhe siguri të vërtetë deri në kohë të pacaktuar.—Zbulesa 7:9, 17.
22. Cili është ndryshimi ndërmjet gjendjes së popullit të Perëndisë dhe gjendjes së individëve në fenë e rreme?
22 Në parajsën frymore, po përmbushet tashmë Isaia 32:18. Atje thuhet: «Populli im duhet të banojë në një vend paqësor banimi dhe në banesa plotësisht të sigurta e në vende pushimi të patrazuara.» Por, për të krishterët e rremë, «me siguri do të bjerë breshër kur pylli të rrëzohet dhe qyteti të bjerë në një gjendje të ulët». (Isaia 32:19) Po, ngjashëm një shtrëngate me breshër, gjykimi i Jehovait është gati të godasë qytetin fals të fesë së rreme, duke poshtëruar ‘pyllin’ e përkrahësve të tij e duke i shkatërruar njëherë e përgjithmonë.
23. Cila vepër globale po i afrohet kryerjes së plotë dhe si duhen konsideruar ata që marrin pjesë në të?
23 Kjo pjesë e profecisë mbyllet kështu: «Të lumtur jeni ju që mbillni farë përgjatë gjithë ujërave, duke lënë të lira këmbët e demit dhe të gomarit.» (Isaia 32:20) Demi dhe gomari ishin kafshë barre që përdoreshin nga populli i lashtë i Perëndisë për të lëruar tokat dhe për të mbjellë farën. Sot, populli i Jehovait përdor pajisje për shtypje, aparatura elektronike, ndërtesa e mjete transporti moderne dhe, mbi të gjitha, një organizatë teokratike të bashkuar për të shtypur e shpërndarë miliarda botime biblike. Punëtorë të gatshëm i përdorin këto mjete për të mbjellë farën e së vërtetës së Mbretërisë në gjithë tokën, d.m.th. «përgjatë gjithë ujërave» në kuptimin e mirëfilltë. Tashmë janë mbledhur miliona burra dhe gra me druajtje hyjnore dhe shumë të tjerë po bashkohen me ta. (Zbulesa 14:15, 16) Të gjithë ata janë, në fakt, për t’u konsideruar «të lumtur»!
[Shënimet]
a Me fjalën «mbret» Isaia 32:1 mund t’i jetë referuar fillimisht mbretit Hezekia. Megjithatë, përmbushja kryesore e kapitullit 32 të Isaisë ka të bëjë me mbretin Jezu Krisht.
b Shih Kullën e Rojës, 1 mars 1999, faqet 13-18, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
[Figurat në faqen 331]
Në Rrotullat e Detit të Vdekur, kapitulli 32 i Isaisë është shënuar me një «X»
[Figurat në faqen 333]
Çdo ‘princ’ është si një vend për t’u fshehur nga era, një strehë për t’u mbrojtur nga shiu, ujë në shkretëtirë dhe hije për t’u mbrojtur nga dielli
[Figura në faqen 338]
Një i krishterë gjen lumturi të madhe kur ndan lajmin e mirë me të tjerët