Kapitulli njëzet e gjashtë
«Asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë’»
1. Pse janë ngushëlluese fjalët e Isaisë 33:24?
«DERI tani mbarë bota e krijuar rënkon dhe është në mundim.» Kështu u shpreh apostulli Pavël. (Romakëve 8:22) Me gjithë përparimet në fushën e mjekësisë, sëmundjet dhe vdekja vazhdojnë të godasin racën njerëzore. Prandaj, sa i mrekullueshëm është premtimi që përbën kulmin e kësaj pjese të profecisë së Isaisë! Imagjinoni kohën kur «asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë’»! (Isaia 33:24) Kur dhe si do të përmbushet ky premtim?
2, 3. (a) Në cilin kuptim është i sëmurë kombi i Izraelit? (b) Në ç’mënyrë shërben Asiria si «shkopi» i Perëndisë për të dhënë disiplinën?
2 Isaia i shkruan këto gjëra në një kohë kur pjesëtarët e popullit që ka bërë një besëlidhje me Perëndinë janë të sëmurë frymësisht. (Isaia 1:5, 6) Ata janë zhytur kaq thellë në apostazi dhe në imoralitet, saqë duhen disiplinuar ashpër nga Perëndia Jehova. Asiria shërben si «shkopi» i Jehovait për t’u dhënë këtë disiplinë. (Isaia 7:17; 10:5, 15, Dio) Në fillim, mbretëria veriore e Izraelit e përbërë prej dhjetë fisesh mposhtet nga asirianët në vitin 740 p.e.s. (2 Mbretërve 17:1-18; 18:9-11) Disa vjet më vonë, mbreti Senakerib i Asirisë ndërmerr kundër mbretërisë jugore të Judës një sulm ku përdor të gjitha forcat e tij. (2 Mbretërve 18:13; Isaia 36:1) Ndërsa ushtria e pathyeshme asiriane rrafshon vendin, asgjësimi i plotë i Judës duket i pashmangshëm.
3 Por Asiria, duke shkuar përtej mandatit që ka për të disiplinuar popullin e Perëndisë, tani kërkon të plotësojë ambicien e vet lakmitare për të pushtuar botën. (Isaia 10:7-11) A do ta lërë Jehovai të pandëshkuar trajtimin brutal që i bën ajo popullit të tij? A do të shërohet kombi frymësisht? Në kapitullin 33 të Isaisë lexojmë përgjigjet e Jehovait për këto pyetje.
Plaçkitet ajo që plaçkiste
4, 5. (a) Ç’ndryshim situate do të përjetojë Asiria? (b) Çfarë lutjeje bën Isaia në favor të popullit të Jehovait?
4 Profecia fillon: «Mjerë ti që plaçkit pa qenë e plaçkitur nga të tjerët dhe që vepron pabesisht ndërkohë që të tjerët nuk veprojnë pabesisht me ty! Sapo të kesh mbaruar plaçkitjen, do të plaçkitesh. Sapo të kesh mbaruar së vepruari pabesisht, të tjerët do të veprojnë pabesisht me ty.» (Isaia 33:1) Isaia i drejtohet drejtpërdrejt kombit plaçkitës, Asirisë. Në kulmin e fuqisë së tij, ky komb agresiv duket i pathyeshëm. Ai ka ‘plaçkitur pa qenë i plaçkitur nga të tjerët’, duke shkretuar qytetet e Judës e duke zhveshur nga sendet me vlerë edhe shtëpinë e Jehovait, dhe në pamje të parë duket se e ka bërë këtë pa u ndëshkuar. (2 Mbretërve 18:14-16; 2 Kronikave 28:21) Por, tani situata do të ndryshojë krejtësisht. «[Ti] do të plaçkitesh»,—deklaron me guxim Isaia. Sa ngushëlluese është kjo profeci për njerëzit besnikë!
5 Gjatë asaj kohe të frikshme, adhuruesit besnikë të Jehovait do të duhet t’i drejtohen atij për ndihmë. Prandaj, Isaia lutet: «O Jehova, na trego favor. Te ti kemi shpresuar. Bëhu krahu ynë [i forcës dhe i mbështetjes] çdo mëngjes, po, shpëtimi ynë në kohë ankthi. Me të dëgjuar tingullin e trazirës popujt ia kanë mbathur. Me t’u ngritur ti kombet janë shpërndarë.» (Isaia 33:2, 3) Në mënyrë të përshtatshme, Isaia lutet që Jehovai ta çlirojë popullin e Tij, ashtu siç ka bërë shumë herë në të kaluarën. (Psalmi 44:3; 68:1) Dhe me të mbaruar lutjen, Isaia parathotë përgjigjen e Jehovait.
6. Çfarë do t’i ndodhë Asirisë dhe pse është e përshtatshme kjo?
6 «Plaçka juaj [e asirianëve] do të mblidhet faktikisht ashtu si furrtaret kur mblidhen, si turrja e vemjeve të karkalecave që i turren dikujt.» (Isaia 33:4) Juda i njeh mirë dyndjet shkatërrimtare të insekteve. Por kësaj radhe, janë armiqtë e Judës ata që do të shkatërrohen. Asiria do të përjetojë një disfatë poshtëruese dhe ushtarët e saj do të detyrohen t’ia mbathin, duke lënë pas plaçkë të madhe për t’u mbledhur nga banorët e Judës. Është më se e përshtatshme që Asiria, e famshme për mizorinë e saj, të provojë se çdo të thotë të plaçkitesh.—Isaia 37:36.
Asiriani modern
7. (a) Kush mund të krahasohet sot me kombin e sëmurë frymësisht të Izraelit? (b) Kush do të shërbejë si «shkopi» i Jehovait për të shkatërruar të ashtuquajturin krishterim?
7 Çfarë zbatimi ka në ditët tona profecia e Isaisë? Kombi i sëmurë frymësisht i Izraelit mund të krahasohet me të ashtuquajturin krishterim jobesnik. Jehovai, ashtu siç përdori Asirinë si «shkop» për të ndëshkuar Izraelin, po kështu do të përdorë një «shkop» për të ndëshkuar të ashtuquajturin krishterim dhe pjesën tjetër të perandorisë botërore të fesë së rreme, ‘Babilonisë së Madhe’. (Isaia 10:5, Dio; Zbulesa 18:2-8) Ai «shkop» do të jenë vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara—një organizatë e përshkruar në librin e Zbulesës si një bishë e egër me shtatë kokë, me dhjetë brirë dhe me ngjyrë flakë të kuqe.—Zbulesa 17:3, 15-17.
8. (a) Kush mund të krahasohet sot me Senakeribin? (b) Kë do të marrë guximin të sulmojë Senakeribi modern, dhe me çfarë rezultati?
8 Kur asiriani modern të mësyjë në gjithë perandorinë e fesë së rreme, do të japë përshtypjen se është i pafrenueshëm. Me një qëndrim si ai i Senakeribit, Satana Djalli do të marrë guximin të godasë jo vetëm organizatat apostate që e meritojnë ndëshkimin, por edhe të krishterët e vërtetë. Përkrah mbetjes së bijve frymorë të mirosur të Jehovait, miliona njerëz që kanë dalë nga bota e Satanait, ku përfshihet edhe Babilonia e Madhe, mbajnë me vendosmëri anën e Mbretërisë së Jehovait. I zemëruar me të krishterët e vërtetë që refuzojnë ta përnderojnë, Satanai, «perëndia i këtij sistemi gjërash», do të ndërmarrë një sulm kundër tyre, ku do të përdorë të gjitha forcat e tij. (2 Korintasve 4:4; Ezekieli 38:10-16) Ndonëse ky sulm do të jetë, pa dyshim, shumë i frikshëm, populli i Jehovait nuk do të ketë pse të dridhet nga frika. (Isaia 10:24, 25) Ata kanë premtimin e sigurt të Perëndisë se ai do të jetë ‘shpëtimi i tyre në kohë ankthi’. Ai do të ndërhyjë, duke sjellë shkatërrimin e Satanait dhe të hordhive të tij. (Ezekieli 38:18-23) Ashtu si në kohën e lashtë, ata që përpiqen të plaçkitin popullin e Perëndisë do të plaçkiten për vete. (Krahaso Proverbat 13:22b.) Emri i Jehovait do të shenjtërohet dhe të mbijetuarit do të shpërblehen për faktin që kanë kërkuar «mençuri dhe njohuri [si dhe] druajtjen e Jehovait».—Lexo Isainë 33:5, 6.
Paralajmërim për jobesnikët
9. (a) Çfarë do të bëjnë «heronjtë» dhe «lajmëtarët e paqes» të Judës? (b) Si do t’u përgjigjet asiriani iniciativave të Judës për paqe?
9 Por cila do të jetë e ardhmja e jobesnikëve në Judë? Isaia bën një përshkrim të zymtë të fundit që do të përjetojnë së afërmi ata në duart e Asirisë. (Lexo Isainë 33:7.) «Heronjtë» ushtarakë të Judës ulërasin nga frika kur shohin marshimin e asirianëve. «Lajmëtarët e paqes», diplomatë të dërguar që të bisedojnë për paqen me asirianët luftëdashës, tallen dhe poshtërohen. Ata do të qajnë me hidhërim për dështimin e tyre. (Krahaso Jereminë 8:15.) Asiriani mizor nuk do t’i mëshirojë. (Lexo Isainë 33:8, 9.) Ai do t’i shpërfillë pa pikë keqardhjeje marrëveshjet që ka bërë me banorët e Judës. (2 Mbretërve 18:14-16) Asiriani ‘do t’i përçmojë qytetet’ e Judës, duke i parë me përbuzje dhe me shpërfillje, pa pasur vlerësim për jetën njerëzore. Situata do të jetë kaq e pashpresë, saqë vetë vendi, në kuptimin figurativ, do të mbajë zi. Edhe Libani, Sharoni, Bashani dhe Karmeli do të mbajnë zi për shkatërrimin.
10. (a) Në ç’mënyrë do të tregojnë «heronjtë» e të ashtuquajturit krishterim se janë të paefektshëm? (b) Kush do t’i mbrojë të krishterët e vërtetë gjatë ditës së ankthit të të ashtuquajturit krishterim?
10 Rrethana të ngjashme do të krijohen, pa dyshim, edhe në të ardhmen e afërt, ndërsa kombet do të fillojnë sulmin kundër fesë. Ashtu si në ditët e Hezekisë, rezistenca fizike ndaj këtyre forcave shkatërrimtare do të jetë e kotë. «Heronjtë» e të ashtuquajturit krishterim—politikanët, financierët dhe njerëzit e tij të tjerë me influencë—nuk do të mund t’i vijnë në ndihmë. ‘Besëlidhjet’ ose marrëveshjet politike e financiare që kishin si qëllim të mbronin interesat e të ashtuquajturit krishterim do të shkelen. (Isaia 28:15-18, Dio) Përpjekjet e tërbuara për t’i shpëtuar shkatërrimit me anë të diplomacisë do të dështojnë. Ndërsa pronat dhe investimet e të ashtuquajturit krishterim do të konfiskohen ose shkatërrohen, aktivitetet tregtare do të ndërpriten. Kushdo që do të ketë ende ndjenja miqësore ndaj të ashtuquajturit krishterim nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do të qëndrojë në një largësi të sigurt dhe do të mbajë zi për shkatërrimin e tij. (Zbulesa 18:9-19) A do të shkatërrohet krishterimi i vërtetë bashkë me atë të rremë? Jo, sepse vetë Jehovai jep këtë siguri: «‘Tani do të çohem,—thotë Jehovai,—tani do të lartësohem, tani do të ngrihem.’» (Isaia 33:10) Më në fund, Jehovai do të ndërhyjë në favor të besnikëve, si Hezekia dhe do ta frenojë marshimin e asirianëve.—Psalmi 12:5.
11, 12. (a) Kur dhe si përmbushen fjalët e Isaisë 33:11-14? (b) Çfarë paralajmërimi përmbajnë fjalët e Jehovait për ditët e sotme?
11 Jobesnikët nuk mund të mbështeten në këtë mbrojtje. Jehovai thotë: «Ju ngjizni bar të thatë; do të lindni kashtë. Fryma juaj do t’ju përpijë si një zjarr. Dhe popujt duhet të bëhen si djegiet e gëlqeres. Si gjemba të prerë, do të digjen madje me zjarr. Dëgjoni ju që jeni larg, se çfarë duhet të bëj! Dhe ju që jini afër njihni fuqinë time. Në Sion mëkatarët i ka zënë tmerri, apostatët i kanë pushtuar të dridhurat: ‘Cili prej nesh mund të banojë, për njëfarë kohe, me një zjarr gllabërues? Cili prej nesh mund të banojë, për njëfarë kohe, me zjarre të mëdha që zgjatin shumë?’» (Isaia 33:11-14) Me sa duket, këto fjalë i referohen kohës kur Juda gjendet përballë një armiku të ri, Babilonisë. Pas vdekjes së Hezekisë, Juda kthehet përsëri në rrugët e saj të liga. Në pak dekada vijuese, gjendja në Judë keqësohet deri aty sa i gjithë kombi duhet t’i nënshtrohet zjarrit të zemërimit të Perëndisë.—Ligji i përtërirë 32:22.
12 Planet dhe intrigat e liga të thurura nga individët e pabindur me qëllimin që t’i shmangen gjykimit të Perëndisë, dalin se janë po aq boshe, sa edhe kashta. Në fakt, fryma krenare dhe rebele e kombit do të jetë faktikisht shkëndija për fillimin e ngjarjeve që do të çojnë në shkatërrimin e tij. (Jeremia 52:3-11) Të ligjtë do të «bëhen si djegiet e gëlqeres»—do të shkatërrohen plotësisht. Ndërsa mendojnë për këtë fund që i pret, banorët rebelë të Judës i mbërthen një frikë e tmerrshme. Fjalët e Jehovait drejtuar Judës jobesnike pasqyrojnë gjendjen e pjesëtarëve të të ashtuquajturit krishterim sot. Nëse nuk ua vënë veshin paralajmërimeve të Perëndisë, i pret një e ardhme e zymtë.
‘Të ecim në drejtësi të vazhdueshme’
13. Cili premtim iu bë dikujt që «ecën në drejtësi të vazhdueshme» dhe si u përmbush ai në rastin e Jeremisë?
13 Duke bërë një krahasim, në vazhdim Jehovai thotë: «Është dikush që ecën në drejtësi të vazhdueshme dhe që thotë atë që është e drejtë, që e refuzon fitimin e padrejtë nga mashtruesit, që i shkund duart për të mos marrë ryshfet, që e mbyll veshin për të mos dëgjuar gjakderdhje dhe që i mbyll sytë për të mos parë atë që është e keqe. Ai është personi që do të banojë në vetë lartësitë; lartësia e tij e sigurt do të jenë vendet e thepisura të vështira për t’iu afruar. Atij do t’i jepet me siguri buka e tij; furnizimi i tij me ujë do të jetë i pashtershëm.» (Isaia 33:15, 16) Siç u shpreh më vonë apostulli Pjetër, «Jehovai di t’i çlirojë nga sprova njerëzit me devocion hyjnor, por t’i ruajë të padrejtët për ditën e gjykimit, që të shfarosen». (2 Pjetrit 2:9) Një shpëtim të tillë e përjetoi Jeremia. Gjatë rrethimit nga ana e Babilonisë, popullit iu desh ta ‘hante bukën me peshë dhe me kujdes të ankthshëm’. (Ezekieli 4:16) Disa gra hëngrën, madje, mishin e fëmijëve të tyre. (Vajtimet 2:20) E megjithatë, Jehovai u kujdes që Jeremia të ishte i sigurt.
14. Si mund të ‘ecin në drejtësi të vazhdueshme’ të krishterët sot?
14 Në mënyrë të ngjashme, të krishterët sot duhet të ‘ecin në drejtësi të vazhdueshme’, duke iu përmbajtur çdo ditë standardeve të Jehovait. (Psalmi 15:1-5) Ata duhet të ‘thonë atë që është e drejtë’ dhe ta flakin gënjeshtrën e të pavërtetën. (Proverbat 3:32) Mashtrimi dhe ryshfetet mund të jenë gjë e zakonshme në shumë vende, por ato janë të neveritshme për atë «që ecën në drejtësi të vazhdueshme». Gjithashtu, të krishterët duhet të mbajnë një «ndërgjegje të pastër» në aktivitetet tregtare, duke shmangur me ndërgjegje praktikat e dyshimta ose mashtruese. (Hebrenjve 13:18; 1 Timoteut 6:9, 10) Gjithashtu, një njeri që ‘e ka mbyllur veshin për të mos dëgjuar gjakderdhje dhe që i ka mbyllur sytë për të mos parë atë çka është e keqe’, do të jetë seleksionues kur zgjedh muzikën dhe zbavitjen. (Psalmi 119:37) Gjatë ditës së tij të gjykimit Jehovai do t’i mbrojë dhe do t’i mbështetë adhuruesit e tij që jetojnë në përputhje me këto standarde.—Sofonia 2:3.
Shikojnë mbretin e tyre
15. Cili premtim do t’i mbështetë judenjtë besimplotë të mërguar?
15 Më pas, Isaia bën këtë përshkrim të ngrohtë të së ardhmes: «Sytë e tu do të shohin një mbret në bukurinë e tij; do të shohin një vend të largët. Zemra jote do të komentojë me zë të ulët për një gjë të frikshme: ‘Ku është sekretari? Ku është ai që jep pagën? Ku është ai që numëron kullat?’ Nuk do të shikosh një popull të pacipë, një popull me një të folur tepër të thellë për ta dëgjuar, me një gjuhë belbëzuese që ti nuk e kupton.» (Isaia 33:17-19) Premtimi për Mbretin e ardhshëm Mesianik dhe për Mbretërinë e tij do t’i mbështetë judenjtë besimplotë gjatë dekadave të gjata të mërgimit në Babiloni, ndonëse mund ta shohin atë Mbretëri vetëm nga larg. (Hebrenjve 11:13) Kur sundimi i Mesisë të bëhet më në fund realitet, tirania babilonase do të jetë një kujtim i largët. Të mbijetuarit e sulmit të asirianit do të pyesin të lumtur: «Ku janë oficerët e tiranit, që na vunë taksa, që na caktuan pagesa, që na morën haraçe?»—Isaia 33:18, Moffatt.
16. Që nga cili vit ka mundur ta ‘shohë’ Mbretin Mesianik populli i Perëndisë dhe me ç’rezultat?
16 Ndonëse fjalët e Isaisë garantojnë kthimin nga robëria babilonase, disa judenj të mërguar do të duhet të presin ringjalljen për të përjetuar përmbushjen e plotë të kësaj pjese të profecisë. Ç’të themi për shërbëtorët e Perëndisë sot? Që nga viti 1914, populli i Jehovait ka mundur të ‘shohë’ ose të dallojë Mbretin Mesianik, Jezu Krishtin, me gjithë bukurinë e tij frymore. (Psalmi 45:2; 118:22-26) Si rezultat, ata kanë përjetuar çlirimin nga shtypja dhe nga kontrolli i sistemit të lig të Satanait. Nën drejtimin e Sionit, selisë së Mbretërisë së Perëndisë, ata gëzojnë siguri të vërtetë frymore.
17. (a) Cilat premtime bëhen lidhur me Sionin? (b) Si përmbushen premtimet e Jehovait për Sionin në lidhje me Mbretërinë Mesianike dhe përkrahësit e saj mbi tokë?
17 Isaia vazhdon: «Shiko Sionin, qytetin e rasteve tona festive! Sytë e tu do të shohin Jerusalemin, një vend banimi i patrazuar, një tendë që askush nuk do ta çmontojë. Kunjat e saj nuk do të shkulen kurrë dhe asnjë nga litarët e saj nuk do të këputet më dysh. Por atje Madhështori, Jehovai, do të jetë për ne një vend lumenjsh, një vend kanalesh të gjera. Në të nuk do të lundrojë asnjë flotë galerash dhe nuk do të kalojë asnjë anije madhështore.» (Isaia 33:20, 21) Isaia na siguron se Mbretëria Mesianike e Perëndisë nuk mund të shkulet ose të shkatërrohet. Veç kësaj, kjo mbrojtje shtrihet, pa dyshim, edhe te përkrahësit besnikë të Mbretërisë, që janë mbi tokë sot. Ndonëse shumë individë u janë nënshtruar sprovave të rënda, nënshtetasve të Mbretërisë së Perëndisë u jepet siguria se asnjë përpjekje për t’i shkatërruar si kongregacion nuk mund të ketë sukses. (Isaia 54:17) Jehovai do ta mbrojë popullin e tij, ashtu si një hendek ose një kanal mbron një qytet. Çdo armik që do të sulet kundër tij—edhe sikur të jetë i fortë sa një «flotë galerash» ose sa një «anije madhështore»—do të përjetojë shkatërrimin!
18. Çfarë përgjegjësie merr përsipër Jehovai?
18 Pse mund të jenë kaq të sigurt për mbrojtjen hyjnore ata që e duan Mbretërinë e Perëndisë? Isaia shpjegon: «Jehovai është Gjykatësi ynë, Jehovai është Dhënësi ynë i statuteve, Jehovai është Mbreti ynë; ai vetë do të na shpëtojë.» (Isaia 33:22) Jehovai merr përsipër përgjegjësinë për të mbrojtur dhe për të drejtuar popullin e vet që e pranon pozitën e Tij si Sovran Suprem. Ky popull i nënshtrohet me gatishmëri sundimit të tij të ushtruar nëpërmjet Mbretërisë Mesianike, duke pranuar që Jehovai ka autoritet jo vetëm të nxjerrë ligje, por edhe të kërkojë zbatimin e tyre. Megjithatë, meqë Jehovai është dashurues i drejtësisë dhe i së drejtës, sundimi i tij, nëpërmjet Birit të tij, nuk është një barrë për ata që e adhurojnë. Përkundrazi, duke iu nënshtruar autoritetit të tij, ata ‘i sjellin dobi vetes’. (Isaia 48:17) Ai nuk do t’i braktisë kurrë besnikët e tij.—Psalmi 37:28.
19. Si e përshkruan Isaia paaftësinë e armiqve të popullit besnik të Jehovait?
19 Isaia u thotë armiqve të popullit besnik të Jehovait: «Litarët e tu duhet të varen të lirë; nuk do ta mbajnë direkun e tyre të ngritur fortësisht; nuk kanë shpalosur asnjë velë. Në atë kohë edhe plaçka e bollshme do të duhet të ndahet; të çalët do të marrin në të vërtetë plaçkë të madhe.» (Isaia 33:23) Çdo armik që afrohet do të dalë aq i paaftë dhe i pambrojtur para Jehovait, sa një anije me litarë të lirë, me direkun që lëkundet dhe pa vela. Shkatërrimi i armiqve të Perëndisë do të sjellë si rezultat bërjen e një plaçke kaq të madhe, saqë edhe të gjymtuarit do të marrin pjesë në plaçkitje. Prandaj, mund të jemi të sigurt se nëpërmjet mbretit Jezu Krisht, Jehovai do të triumfojë mbi armiqtë e tij në «shtrëngimin e madh» që po afron.—Zbulesa 7:14.
Një shërim
20. Ç’lloj shërimi do të përjetojë populli i Perëndisë dhe kur?
20 Kjo pjesë e profecisë së Isaisë mbyllet me një premtim që të ngroh zemrën: «Asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’ Njerëzit që banojnë në vend do të falen për gabimin e tyre.» (Isaia 33:24) Gjendja e sëmurë për të cilën flet Isaia, në radhë të parë, është frymore, sepse lidhet me mëkatin ose «gabimin». Në zbatimin e parë të këtyre fjalëve, Jehovai premton se pas çlirimit nga robëria babilonase, kombi do të shërohet frymësisht. (Isaia 35:5, 6; Jeremia 33:6; krahaso Psalmin 103:1-5.) Pasi të jenë falur për mëkatet e tyre të mëparshme, judenjtë e rikthyer do të rivendosin adhurimin e pastër në Jerusalem.
21. Në cilat mënyra përjetojnë shërim frymor adhuruesit e Jehovait sot?
21 Megjithatë, profecia e Isaisë ka një përmbushje moderne. Edhe populli i Jehovait sot ka përjetuar një shërim frymor. Ata janë çliruar nga mësime të rreme të tilla, si: pavdekshmëria e shpirtit, Triniteti dhe ferri i zjarrtë. Ata marrin udhëheqje frymore, e cila i çliron nga praktikat imorale dhe i ndihmon të marrin vendime të mençura. Gjithashtu, falë flijimit shpërblyes të Jezu Krishtit, ata kanë një qëndrim të pastër para Perëndisë dhe një ndërgjegje të pastër. (Kolosianëve 1:13, 14; 1 Pjetrit 2:24; 1 Gjonit 4:10) Ky shërim frymor sjell edhe dobi fizike. Për shembull, duke shmangur marrëdhëniet seksuale imorale dhe përdorimin e produkteve të duhanit, të krishterët mbrohen nga sëmundjet e transmetuara seksualisht dhe nga disa lloje kanceri.—1 Korintasve 6:18; 2 Korintasve 7:1.
22, 23. (a) Ç’përmbushje të madhe do të ketë Isaia 33:24 në të ardhmen? (b) Për çfarë janë të vendosur adhuruesit e vërtetë sot?
22 Veç kësaj, pas Harmagedonit, në botën e re të Perëndisë, do të ketë një përmbushje më të madhe të fjalëve të Isaisë 33:24. Nën sundimin e Mbretërisë Mesianike, njerëzit do të përjetojnë një shërim të madh fizik bashkë me shërimin frymor. (Zbulesa 21:3, 4) Pak pas shkatërrimit të sistemit të gjërave të Satanait, në shkallë globale do të ndodhin, pa dyshim, mrekulli si ato që kreu Jezui kur ishte në tokë. Të verbrit do të shohin, të shurdhrit do të dëgjojnë, të çalët do të ecin! (Isaia 35:5, 6) Kjo do t’u japë mundësi të gjithë të mbijetuarve nga shtrëngimi i madh që të marrin pjesë në punën e madhe për ta sjellë tokën në një gjendje parajsore.
23 Më vonë, kur të fillojë ringjallja, ata që do të kthehen në jetë do të ngrihen, pa dyshim, me shëndet të mirë. Por, ndërkohë që vlera e flijimit shpërblyes do të përdoret në një masë gjithnjë e më të madhe, do të vijojnë më shumë dobi fizike, deri sa njerëzimi të çohet në përsosmëri. Atëherë, të drejtët do të ‘vijnë në jetë’ në kuptimin më të plotë. (Zbulesa 20:5, 6) Në atë kohë, si në kuptimin frymor, ashtu edhe në atë fizik, «asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë’». Çfarë premtimi emocionues! Qofshin të vendosur të gjithë adhuruesit e vërtetë sot që të jenë mes atyre që do të përjetojnë përmbushjen e tij!
[Figura në faqen 344]
Isaia i lutet i sigurt Jehovait
[Figurat në faqen 353]
Falë flijimit shpërblyes, populli i Jehovait ka një qëndrim të pastër para tij
[Figura në faqen 354]
Në botën e re do të ketë një shërim të madh fizik