Të gëzuar tani dhe përgjithmonë
«Por ju gëzohuni dhe ngazëllohuni përjetë për atë që krijoj; sepse, ja, unë krijoj Jerusalemin për kënaqësinë dhe popullin e tij për gëzimin.»—ISAIA 65:18.
1. Si ka ndikuar adhurimi i vërtetë mbi individët gjatë shekujve?
GJATË shekujve, njerëz të panumërt kanë gjetur gëzim të madh në shërbim të Perëndisë së vërtetë, Jehovait. Davidi ishte njëri prej atyre që kanë pasur gëzim në adhurimin e vërtetë. Bibla tregon se kur arka e besëlidhjes u çua në Jerusalem, «Davidi dhe tërë shtëpia e Izraelit e mbartën arkën e Zotit me thirrje gëzimi». (2. Samuelit 6:15) Një gëzim i tillë në shërbim të Jehovait nuk është vetëm një çështje e së shkuarës. Edhe ti mund të kesh pjesë në të. Madje, së shpejti gëzimi yt mund të marrë përmasa të reja!
2. Përtej përmbushjes origjinale të kreut 35 të Isaisë me hebrenjtë e kthyer, cilët janë sot të përfshirë në një përmbushje tjetër?
2 Në artikullin e mëparshëm, ne shqyrtuam përmbushjen e parë të profecisë nxitëse në kreun 35 të Isaisë. Me të drejtë, mund ta quajmë profecia e rivendosjes, pasi e tillë doli për hebrenjtë e lashtë. Ajo ka një përmbushje të ngjashme në kohët tona. Në ç’mënyrë? E pra, duke filluar me apostujt e Jezuit dhe me të tjerë në Rrëshajët e vitit 33 të e.s., Jehovai është duke vepruar me izraelitët frymorë. Këta janë njerëz të mirosur me frymën e shenjtë të Perëndisë, që bëjnë pjesë në atë që apostulli Pavël e quan «Izraeli i Perëndisë». (Galatasve 6:16; Romakëve 8:15-17) Kujto, gjithashtu, se në 1. Pjetrit 2:9 këta të krishterë janë quajtur «fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, një komb i shenjtë, një popull i fituar». Pjetri vazhdon të identifikojë caktimin që i është dhënë Izraelit frymor: «Që të shpallni mrekullitë e atij që ju thirri nga terri në dritën e tij të mrekullueshme.»
Përmbushje në kohën tonë
3, 4. Cila ishte gjendja, kur kreu 34 i Isaisë u përmbush në kohët moderne?
3 Ekzistonte një periudhë, në fillimet e këtij shekulli, kur mbetja e Izraelit të mirosur mbi tokë nuk ishte vazhdimisht aktive në shpalljen e këtij mesazhi. Ata nuk po gëzonin plotësisht në dritën e mrekullueshme të Perëndisë. Në fakt, gjendeshin në një errësirë të konsiderueshme. Kur kështu? Ç’bëri Perëndia Jehova për këtë?
4 Ndodhi gjatë periudhës së Luftës I Botërore, menjëherë pasi Mbretëria Mesianike e Perëndisë ishte vendosur në qiell, në vitin 1914. Kombet, me mbështetjen e klerit të kishave në vende të ndryshme, ishin mbushur me zemërim kundër njëra-tjetrës. (Zbulesa 11:17, 18) Natyrisht, Perëndia ishte kundër të ashtuquajturit krishterim apostat, me klasën e tij të ngritur klerikale, ashtu siç kishte qenë edhe kundër kombit kryelartë të Edomit. Prandaj, i ashtuquajturi krishterim, Edomi antitipik, pret radhën për të pësuar përmbushjen e sotme të kreut 34 të Isaisë. Kjo përmbushje, nëpërmjet shfarosjes së përhershme, është po aq e sigurt, sa edhe përmbushja e parë kundër Edomit të lashtë.—Zbulesa 18:4-8, 19-21.
5. Çfarë lloj përmbushjeje ka kreu 35 i Isaisë në kohën tonë?
5 Ç’të themi për kreun 35 të profecisë së Isaisë, e cila thekson gëzimin? Edhe kjo ka gjetur përmbushje në kohën tonë. Në ç’mënyrë? Ajo është përmbushur me rivendosjen e Izraelit frymor nga një lloj robërie. Le të shqyrtojmë faktet e asaj që është në të vërtetë historia teokratike e kohëve të fundit, të cilat kanë ndodhur brenda periudhës kohore në të cilën kanë jetuar shumë veta që janë ende gjallë.
6. Përse mund të themi që mbetja e Izraelit frymor ra në një gjendje robërie?
6 Për një kohë relativisht të shkurtër gjatë periudhës së Luftës I Botërore, mbetja e Izraelit frymor nuk kishte qëndruar plotësisht e pastër dhe në harmoni me vullnetin e Perëndisë. Disa prej tyre ishin ndotur me gabime doktrinale dhe ranë në kompromis, duke mos mbajtur një qëndrim të qartë në anën e Jehovait, kur u gjendën nën presione për të mbështetur kombet ndërluftuese. Gjatë atyre viteve të luftës, ata vuajtën çdo lloj persekutimi dhe literatura e tyre biblike u ndalua madje në shumë vende. Së fundi, disa prej vëllezërve me më shumë përgjegjësi u fajësuan dhe u burgosën nën akuza të rreme. Duke menduar për ato kohë, nuk është e vështirë të kuptojmë se në njëfarë kuptimi, në vend se të ishte i lirë, populli i Perëndisë ishte në një gjendje robërie. (Krahaso Gjonin 8:31, 32.) Në kuptimin frymor ata kishin mungesa serioze. (Efesianëve 1:16-18) Treguan një paaftësi relative në të folurit për lavdinë e Perëndisë dhe si rezultat qenë të pafrytshëm frymësisht. (Isaia 32:3, 4; Romakëve 14:11; Filipianëve 2:11) A e kupton se si kjo shkon paralel me gjendjen e hebrenjve të lashtë, që ishin robër në Babiloni?
7, 8. Ç’lloj rivendosjeje provoi mbetja e ditëve moderne?
7 Por, a do t’i linte Perëndia shërbëtorët e tij modernë në atë gjendje? Jo, ai ishte i vendosur t’i ripërtërinte, në përputhje me fjalët e parathëna nëpërmjet Isaisë. Kështu, e njëjta profeci në kreun 35 gjen një përmbushje të dukshme në kohën tonë, me përtëritjen e mbetjes së Izraelit frymor drejt begatisë dhe shëndetit, në një parajsë frymore. Në Hebrenjve 12:12, Pavli e aplikoi Isainë 35:3 në një kuptim simbolik, duke mbështetur vlefshmërinë e zbatimit figurativ që ne po i bëjmë kësaj pjese të profecisë së Isaisë.
8 Në periudhën e pasluftës, mbetja e të mirosurve të Izraelit frymor doli nga robëria figurative. Perëndia Jehova përdori Jezu Krishtin, Kirin më të Madh, për t’i liruar. Në këtë mënyrë, ata mund të rindërtonin veprën, e krahasuar me punën e mbetjes së hebrenjve të lashtë, të cilët u kthyen në vendin e tyre për të rindërtuar tempullin fizik në Jerusalem. Për më tepër, këta izraelitë frymorë në kohët moderne mund të fillonin të kultivonin e të prodhonin një parajsë të gjelbër frymore, një kopsht figurativ të Edenit.
9. Si u zhvillua në kohët tona diçka e ngjashme me atë që përshkruhet në Isainë 35:1, 2, 5-7?
9 Duke mbajtur ndër mend këto gjëra, le të shqyrtojmë edhe njëherë kreun 35 të Isaisë e të shohim së pari vargjet 1 dhe 2. Ajo që ngjante si një rajon pa ujë, filloi në të vërtetë të lulëzonte e të ishte prodhimtare si fushat e Sharonit të lashtë. Shiko, pastaj, vargjet 5 deri 7. Mbetja, disa prej së cilës janë ende gjallë dhe aktivë në shërbim të Jehovait, i mbajnë hapur sytë e tyre të kuptueshmërisë. Ata mundën të kuptonin më mirë domethënien e asaj që kishte ndodhur në vitin 1914 e më pas. Kjo ka, gjithashtu, ndikim edhe mbi shumë prej nesh që përbëjmë «shumicën e madhe», duke shërbyer përkrah mbetjes.—Zbulesa 7:9.
A je pjesë e përmbushjes?
10, 11. (a) Si je i përfshirë në përfundimin e Isaisë 35:5-7? (b) Si ndihesh personalisht në lidhje me këto ndryshime?
10 Merr veten tënde, për shembull. Përpara se të lidheshe me Dëshmitarët e Jehovait, a e lexoje Biblën rregullisht? Nëse po, sa e kuptoje? Për shembull, tani ti e di të vërtetën në lidhje me gjendjen e të vdekurve. Ndoshta, mund të flasësh me dikë që është i interesuar në këtë çështje, duke iu referuar teksteve në kreun 2 të Zanafillës, në kreun 9 të Eklisiastiut dhe në kreun 18 të Ezekielit, si edhe shumë tekste të tjera. Po, sigurisht që ti e di çfarë mëson Bibla për shumë tema e çështje. Me fjalë të thjeshta, Bibla ka marrë kuptim për ty dhe je në gjendje t’u shpjegosh të tjerëve një pjesë të mirë të saj, siç ke bërë pa dyshim.
11 Megjithatë, secili prej nesh bën mirë të pyesë veten: «Si e kam mësuar gjithçka që di mbi të vërtetën e Biblës? Përpara se të studioja me popullin e Jehovait, a dija t’i gjeja të gjitha shkrimet e përmendura? A e kuptoja domethënien e tyre dhe nxirrja përfundime të drejta në lidhje me rëndësinë e tyre?» Përgjigjja e sinqertë për këto pyetje ka mundësi të jetë jo. Askush nuk duhet të ofendohet nga një pohim i tillë, por mund të themi se në përgjithësi ke qenë i verbër në lidhje me këto tekste dhe domethënien e tyre. A s’është kështu? Ato gjendeshin aty në Bibël, por ti nuk mund t’i shquaje apo të kapje kuptimin e tyre. Si u hapën, pra, frymësisht sytë e tu? Nëpërmjet asaj që Jehovai ka bërë në përmbushje të Isaisë 35:5, në lidhje me mbetjen e mirosur. Si rrjedhojë, sytë e tu u hapën. Nuk je më në errësirë frymore. Mund të shohësh.—Krahaso Zbulesën 3:17, 18.
12. (a) Përse themi që kjo nuk është koha për shërime të mrekullueshme fizike? (b) Në ç’mënyrë, rasti i vëllait F. W. Franz ilustron mënyrën se si është përmbushur Isaia 35:5?
12 Studentët e zellshëm të Biblës e të mënyrave se si ka vepruar Perëndia në shekuj, e dinë se kjo periudhë e historisë nuk është për të bërë mrekulli me shërime fizike. (1. Korintasve 13:8-10) Prandaj, ne nuk presim që Jezu Krishti të hapë sytë e verbër, për të provuar se është Mesia, Profeti i Perëndisë. (Gjoni 9:1-7, 30-33) Gjithashtu, ai nuk po bën që të gjithë të shurdhërit të dëgjojnë përsëri. Ndërsa po u afrohej 100 vjetëve, Frederick W. Franz, një nga të mirosurit dhe ish-kryetar i Shoqatës Watch Tower, ishte pothuajse i verbër dhe duhej të përdorte një aparat dëgjimi. Për disa vite ai nuk mundi të lexonte më; por kush mund të mendojë se ai ishte i verbër apo shurdh në kuptimin e Isaisë 35:5? Pamja e tij e mprehtë frymore ishte një bekim për popullin e Perëndisë anembanë tokës.
13. Çfarë ndryshimi apo rivendosjeje provuan shërbëtorët e Perëndisë në kohët tona?
13 Ose ç’të themi për gjuhën tënde? Të mirosurit e Perëndisë mund të kenë qenë të heshtur gjatë robërisë së tyre frymore. Por sapo Perëndia e përmbysi atë gjendje, gjuhët e tyre nisën të bërtitnin me gëzim për ato që dinin në lidhje me Mbretërinë e vendosur të Perëndisë dhe me premtimet e tij për të ardhmen. Ata mund të kenë ndihmuar që edhe gjuha jote të zgjidhej. Sa shumë ke folur me të tjerët për të vërtetën biblike në të shkuarën? Ndoshta dikur ti mund të kesh menduar: «Mua më pëlqen studimi, por asnjëherë s’kam për të vajtur e të flas me të tjerët.» Megjithatë, a s’është e vërtetë që «gjuha e memecit» tani po ‘bërtet me gëzim’?—Isaia 35:6.
14, 15. Si kanë ecur shumë veta në kohën tonë nëpër «Rrugën e Shenjtë»?
14 Hebrenjtë e lashtë të liruar nga Babilonia duhej të bënin një udhëtim të gjatë për t’u kthyer në atdhe. Me çfarë korrespondon kjo në kohën tonë? Mirë, pra, le të shohim Isainë 35:8: «Aty do të jetë rruga kryesore, një rrugë që do të quhet ‘rruga e shenjtë’; asnjë i papastër nuk do të kalojë nëpër të.»
15 Qysh prej lirimit të saj nga robëria frymore, mbetja e mirosur, e shoqëruar tani nga miliona dele të tjera, ka dalë nga Babilonia e Madhe në rrugën kryesore figurative, një rrugë e pastër shenjtërie që të çon në parajsë frymore. Ne po bëjmë të gjitha përpjekjet që të kualifikohemi e të mbesim në këtë Rrugë të Shenjtë. Mendo pak për veten. A nuk janë normat e tua morale dhe parimet të cilave u mbahesh shumë më të larta tani, sesa kur ishe në botë? A nuk po bën përpjekje më të mëdha që t’i përputhësh mendimet dhe sjelljen tënde me Perëndinë?—Romakëve 8:12, 13; Efesianëve 4:22-24.
16. Çfarë kushtesh mund të gëzojmë, ndërsa ecim nëpër Rrugën e Shenjtë?
16 Ndërsa vazhdon të ecësh në këtë Rrugë të Shenjtë, në thelb ty nuk të shqetësojnë njerëzit e egër. Vërtet, në botë duhet të bësh kujdes që njerëzit lakmitarë apo të mbushur me urrejtje (të mos të të hanë të gjallë), në mënyrë figurative. Gjithnjë e më shumë njerëz janë grabitqarë, në mënyrën se si sillen me të tjerët. Ç’ndryshim midis popullit të Perëndisë! Aty gjendesh në një ambient të mbrojtur. Natyrisht, bashkëbesimtarët e tu të krishterë nuk janë të përsosur; ndonjëherë dikush mund të bëjë ndonjë gabim apo të të ofendojë. Por ti e di se vëllezërit nuk përpiqen me qëllim të të lëndojnë apo të të gllabërojnë. (Psalmi 57:4; Ezekieli 22:25; Luka 20:45-47; Veprat 20:29; 2. Korintasve 11:19, 20; Galatasve 5:15) Përkundrazi, ata tregojnë interes për ty; të kanë ndihmuar; dëshirojnë të shërbejnë bashkë me ty.
17, 18. Në ç’kuptim ekziston tani një parajsë dhe ç’ndikim ka ajo mbi ne?
17 Prandaj, mund ta shikojmë kreun 35 të Isaisë, duke pasur në mendje përmbushjen e tanishme të vargjeve 1 deri në 8. A s’është e qartë se kemi gjetur atë që me të drejtë quhet një parajsë frymore? Jo, ajo ende nuk është e përsosur, ende jo. Por është me të vërtetë një parajsë, sepse siç pohonte vargu 2, këtu ne tashmë mund ‘të shohim lavdinë e Zotit, madhështinë e Perëndisë sonë’. Me çfarë rezultati? Vargu 10 thotë: «Të shpëtuarit nga Zoti do të kthehen, do të vijnë në Sion me britma gëzimi dhe një hare e përjetshme do të kurorëzojë kokën e tyre; do të kenë gëzim dhe lumturi dhe dhembja e rënkimi do të ikin.» Vërtet, fakti që kemi dalë nga feja e rreme dhe ndjekja e adhurimit të vërtetë në favorin e Perëndisë, të frymëzon gëzim.
18 Gëzimi që lidhet me adhurimin e vërtetë vazhdon të rritet, apo s’është kështu? Shikon se si të interesuarit e rinj bëjnë ndryshime dhe mësojnë bazat e së vërtetës biblike. I vështron të rinjtë tek rriten dhe përparojnë frymësisht në kongregacion. Nëpër pagëzime, shikon të pagëzohen të rinj që ti i njeh. A nuk janë këto arsye për gëzim, për gëzim të madh, sot? Po, çfarë gëzimi është të kemi edhe të tjerë që bashkohen me ne në lirinë tonë frymore dhe në kushtet parajsore!
Një përmbushje që ende duhet të ndodhë
19. Me çfarë pritjeje plot shpresë na mbush kreu 35 i Isaisë?
19 Deri këtu, ne kemi shqyrtuar kreun 35 të Isaisë, në lidhje me përmbushjen e tij të parë gjatë kthimit të hebrenjve, si dhe në lidhje me përmbushjen frymore që po ndodh sot. Por ky nuk është fundi. Ka edhe më shumë. Kjo ka të bëjë me sigurinë që jep Bibla për rivendosjen e afërt të kushteve të një parajse të vërtetë mbi tokë.—Psalmi 37:10, 11; Zbulesa 21:4, 5.
20, 21. Përse është e logjikshme dhe biblike të besojmë se kreu 35 i Isaisë do të ketë ende edhe një përmbushje tjetër?
20 Nuk do të ishte konsistente për Jehovain të siguronte përshkrime të gjalla të një parajse e pastaj t’i kufizonte përmbushjet në gjërat frymore. Natyrisht, me këtë nuk duam të themi se përmbushjet frymore nuk janë domethënëse. Edhe sikur të vendosej një parajsë e vërtetë, ajo nuk do të na kënaqte, sikur në mes të skenarit të bukur dhe kafshëve paqësore të gjendeshim të rrethuar nga njerëz të korruptuar frymësisht, njerëz që sillen si kafshë të egra. (Krahaso Titin 1:12.) Po, gjërat frymore duhet të vijnë të parat, pasi janë më të rëndësishmet.
21 Megjithatë, Parajsa që po vjen nuk mbaron me aspektet frymore që po gëzojmë tani e që do të gëzojmë edhe më shumë në të ardhmen. Kemi arsye të forta të presim një përmbushje të vërtetë të profecive të tilla, si ajo e kreut 35 të Isaisë. Përse? E pra, në kreun 65 Isaia paratha «qiej të rinj dhe një tokë të re». Apostulli Pjetër e zbatoi këtë shkrim, kur përshkroi atë që do të pasonte ditën e Jehovait. (Isaia 65:17, 18; 2. Pjetrit 3:10-13) Pjetri po tregonte se aspektet që përshkroi Isaia do të ekzistonin më në fund kur «toka e re» të bëhej një realitet. Kjo përfshin përshkrime të cilat mund të jenë shumë të njohura për ty: ndërtimi i shtëpive dhe banimi i tyre; mbjellja e vreshtave dhe ngrënia e frutit të tyre; gëzim i gjatë për punën e duarve të tua; një ujk e një qengj që rrinë së bashku; dhe asnjë dëm anembanë tokës. Me fjalë të tjera, jetë të gjatë, shtëpi të sigurta, ushqim me bollëk, punë e kënaqshme dhe paqe mes vetë kafshëve dhe mes tyre e njerëzve.
22, 23. Ç’baza për gëzim do të kemi në përmbushjen e ardhshme të kreut 35 të Isaisë?
22 A nuk të mbush me gëzim kjo perspektivë? Duhet, sepse kjo është mënyra që Perëndia na krijoi për të jetuar. (Zanafilla 2:7-9) Pra, ç’domethënie ka kjo në lidhje me kreun 35 të Isaisë që po shqyrtojmë? Do të thotë se kemi arsye shtesë për të bërtitur me gëzim. Shkretëtirat e vërteta dhe zonat pa ujë do të lulëzojnë, duke na bërë të gëzohemi. Atëherë, njerëz me sy bojëqielli, të zinj apo me ndonjë ngjyrë tjetër të kënaqshme, por që tani janë të verbër, do të jenë në gjendje të shohin. Bashkëbesimtarët tanë të krishterë që janë të shurdhër ose edhe ata që kanë vështirësi në të dëgjuar, do të mund të dëgjojnë qartë. Ç’gëzim do të jetë që ta përdorim këtë aftësi për të dëgjuar Fjalën e Perëndisë kur të lexohet e të shpjegohet, si dhe për të dëgjuar zhurmën e puhizës nëpër pemë, të qeshurën e një fëmije, këngën e një zogu!
23 Do të thotë, gjithashtu, që sakatët, duke përfshirë edhe ata që vuajnë tani nga artriti, do të lëvizin pa dhimbje. Çfarë lehtësimi! Atëherë, përrenj të vërtetë uji do të vërshojnë përgjatë shkretëtirave. Do të shohim ujin që rrjedh dhe do të dëgjojmë gurgullimën e tij. Do të kemi mundësi të ecim e të prekim barin e gjelbër dhe kallamat. Do të jetë me të vërtetë një Parajsë e rivendosur. Ç’të themi për gëzimin që do të ndiejmë kur të jemi pranë një luani apo ndonjë kafshe tjetër të tillë, pa pasur frikë? S’kemi nevojë ta përshkruajmë, sepse tashmë të gjithë e kemi imagjinuar atë skenë.
24. Përse mund të jesh dakort me shprehjen në Isainë 35:10?
24 Isaia na siguron: «Të shpëtuarit nga Zoti do të kthehen, do të vijnë në Sion me britma gëzimi dhe një hare e përjetshme do të kurorëzojë kokën e tyre.» Kështu që mund të jemi dakort se kemi arsye për të bërtitur me gëzim. Gëzim për atë që Jehovai tashmë po bën për popullin e tij në parajsën tonë frymore dhe gëzim për atë që mund të presim në Parajsën e vërtetë që është afër. Për njerëzit e gëzuar, për ne, Isaia shkroi: «Do të kenë gëzim dhe lumturi dhe dhembja e rënkimi do të ikin.»—Isaia 35:10.
A ke vërejtur?
◻ Cilën përmbushje të dytë pati kreu 35 i Isaisë?
◻ Ç’gjë korrespondon frymësisht me ndryshimet e mrekullueshme të parathëna nga Isaia?
◻ Si ke marrë pjesë edhe ti në përmbushjen e kësaj profecie?
◻ Përse mund të themi se kreu 35 i Isaisë na mbush me shpresë për të ardhmen?
[Figura në faqen 15]
Burgu në rrugën Raymond në Bruklin, Nju Jork, ku në qershor të vitit 1918 u burgosën shtatë vëllezër me përgjegjësi
[Figura në faqen 16]
Edhe pse pothuajse i verbër në vitet e tij të fundit, pamja frymore e vëllait Franz mbeti e qartë
[Figurat në faqen 17]
Rritja frymore dhe përparimi janë arsye për gëzim