-
Kush i vuri ligjet që drejtojnë universin?Kulla e Rojës—2011 | 1 Korrik
-
-
1. A është i pandryshueshëm universi?
Aristoteli arsyetonte se sferat qiellore ishin të pandryshueshme. Sfera që i mbante yjet në vend as ngushtohej, as zgjerohej, ashtu si të tjerat.
A jep Bibla një supozim të ngjashëm? Jo. Ajo nuk thotë asgjë të prerë për këtë pikë. Megjithatë, vini re ç’përshkrim interesant bën: «Është Dikush që banon mbi rruzullin e tokës, banorët e së cilës janë si karkaleca. Ai i shpalos qiejt si një vel të hollë dhe i shtrin si një tendë banimi.»—Isaia 40:22.a
Cili u shkon për shtat zbulimeve të sotme: modeli i Aristotelit apo përshkrimi i Biblës? Ç’përfundime ka nxjerrë për universin kozmologjia moderne? Në shekullin e 20-të, astronomët u mahnitën kur mësuan se universi po zgjerohet. Në fakt, është vrojtuar se galaktikat lëvizin me shpejtësi larg nga njëra-tjetra. Shumë shkencëtarë, për të mos thënë të gjithë, as e kishin çuar ndonjëherë ndër mend zgjerimin e universit. Sot, kozmologët në përgjithësi besojnë se universi e pati zanafillën nga një gjendje tepër kompakte dhe që atëherë vazhdon të zgjerohet. Si pasojë, shkenca e ka nxjerrë jashtë loje modelin e Aristotelit.
Ç’të themi për përshkrimin e Biblës? S’e kemi të vështirë ta përfytyrojmë një burrë, si profeti Isaia, teksa vështron qiellin plot yje që shtrihet tërë hijeshi sipër tij dhe kupton sa me vend është imazhi i një tende që shpaloset.b Madje mund të ketë vërejtur ngjashmërinë mes Udhës së Qumështit dhe asaj që dukej «si një vel i hollë».
Më tej, fjalët e Isaisë na ftojnë të krijojmë në mendje disa pamje. Mund të përfytyrojmë një tendë të kohëve biblike; ndoshta mendojmë një copë të fortë e të mbledhur, relativisht të vogël, që hapet, shpaloset dhe shtrihet para se të vihet mbi shtylla e të bëhet tendë. Në mënyrë të ngjashme, mund të përfytyrojmë një tregtar që ngre një copë të mbledhur veli të hollë dhe e shtrin që ta shohë blerësi. Në secilin rast, diçka që është disi e ngjeshur shtrihet dhe bëhet më e madhe për sytë tanë.
Sigurisht, nuk themi se përshkrimi poetik i Biblës për një tendë dhe një vel të hollë është bërë për të shpjeguar zgjerimin e universit fizik. Por, a nuk është mahnitëse që përshkrimi i Biblës për universin përputhet kaq mirë me shkencën moderne? Isaia jetoi më se tre shekuj para kohës së Aristotelit dhe mbi 2.000 vjet para se shkenca të siguronte dëshmi bindëse për këtë temë. Prapëseprapë, përshkrimi që hodhi me shkrim ky profet i përulur hebre, s’ka nevojë të rishikohet siç ka ndodhur me modelin gjenial të Aristotelit.
-
-
Kush i vuri ligjet që drejtojnë universin?Kulla e Rojës—2011 | 1 Korrik
-
-
a Është i jashtëzakonshëm fakti që Bibla e quan tokën rruzull ose sferë, siç mund të përkthehet ndryshe fjala hebraike. Aristoteli dhe grekë të tjerë të lashtësisë nxorën teori se toka është sferike, por kjo çështje mbeti objekt debatesh për më se 2.000 vjet.
-