«Ai i jep fuqi të lodhurit»
1 Të gjithë lodhemi hera-herës. Lodhja mund të mos ketë ardhur vetëm nga puna ose aktivitete të tjera fizike, por edhe nga problemet që hasim në këto «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». (2 Tim. 3:1) Ku e gjejmë forcën frymore ne si shërbëtorë të Jehovait, që të mos e ulim ritmin e shërbimit? Duke u mbështetur tek ai që ka ‘fuqi të madhe’, te Jehovai. (Isa. 40:26) Ai i njeh nevojat tona dhe interesohet vërtet për ne, duke na ndihmuar.—1 Pjet. 5:7.
2 Masat që ka marrë Jehovai: Jehovai na forcon me anë të frymës së tij të shenjtë, së njëjtës forcë të pathyeshme që përdori për të krijuar universin. Fryma e Perëndisë na ndihmon ‘të rimarrim fuqi’, nëse ndihemi të rraskapitur. (Isa. 40:31) Pyet veten: ‘Kur ishte hera e fundit që jam lutur specifikisht që fryma e shenjtë të më japë forcë që të përmbush detyrimet e mia si i krishterë?’—Luka 11:11-13.
3 Duke lexuar përditë Fjalën e frymëzuar të Perëndisë e medituar rreth saj, si dhe duke u ushqyer frymësisht me anë të një studimi të rregullt të botimeve tona të krishtere, do të jemi plot jetë si «një pemë e mbjellë pranë vijave të ujit, që jep fryt në stinën e vet, që nuk i thahen gjethet».—Psal. 1:2, 3.
4 Jehovai përdor edhe bashkëbesimtarët, të cilët mund të jenë «një ndihmë fuqizuese» për ne. (Kolos. 4:10, 11) Ata na japin forcë në mbledhjet e kongregacionit me bisedat, komentet dhe fjalimet e tyre ndërtuese. (Vep. 15:32) Pleqtë e krishterë në mënyrë të veçantë, japin ndihmë frymore dhe inkurajim ripërtëritës.—Isa. 32:1, 2.
5 Shërbimi: Nëse e ndien se po rraskapitesh, mos e lër predikimin! Ndryshe nga shumë aktivitete të tjera, pjesëmarrja e rregullt në shërbim, na freskon. (Mat. 11:28-30) Predikimi i lajmit të mirë na ndihmon të përqendrohemi te Mbretëria e Perëndisë dhe t’i kemi sytë te përjetësia e te bekimet e mrekullueshme që do të vijnë bashkë me të.
6 Ka ende shumë për të bërë derisa ky sistem i lig të shkatërrohet. Ne kemi çdo arsye të qëndrojmë të patundur në shërbim, e ‘të varemi nga forca që jep Perëndia’. (1 Pjet. 4:11) Me ndihmën e Jehovait do ta përfundojmë veprën që na është caktuar, sepse «ai i jep fuqi të lodhurit».—Isa. 40:29.