Zambia
Afrika ngjan me një rrobë të stërmadhe të qëndisur. Nga rëra e bardhë e Bregut Mesdhetar tutje në Saharanë e artë, duke vazhduar përmes pyjeve bojësmeraldi dhe më tej deri në vijën bregdetare të Kepit të Shpresës së Mirë të zbardhur nga shkuma e dallgëve dhe të rrahur nga era, ky kontinent banohet nga një e dhjeta e popullsisë së botës. Përmes saj gjarpërojnë shumë lumenj, si: Nili, Nigeri, Kongoja dhe Zambezi. Thellë në palat e saj, domethënë në brendësi të saj, ka rezerva ari, bakri dhe gurësh të çmuar.
Aty ku pyjet tropikale të shiut të Pellgut të Kongos ngrihen e takohen me savanën e valëzuar butë, që është pllaja afrikane qendrore, struket Zambia. Disa kanë thënë se ky vend i ngjan një fluture të stërmadhe me krahë jo simetrikë të ulur në hartë. Kufiri i saj ka formë të pazakontë, trashëgimi e kohës së kolonializmit, dhe përfshin një zonë mbi 750 mijë kilometra katrorë—më e madhe se shteti i Teksasit në SHBA.
Në verilindje të territorit që tani quhet Zambie, shtrihet Lugina e Madhe Tektonike. Në perëndim dhe në jug rrjedh lumi madhështor Zambezi. Deri në fund të shekullit të 19-të, Zambia ishte një vend i largët për të huajt që i grabitnin Afrikës arin, fildishin dhe skllevërit. Në vitin 1855 eksploruesi Dejvid Livingston, djali i një mullixhiu skocez, i tregoi botës vendin përtej «Tymit që gjëmon»—mrekullinë madhështore që ai më vonë e quajti Ujëvara Viktoria, për nder të Mbretëreshës Viktoria të Anglisë.
Shpejt, atje vajtën misionarët e të ashtuquajturit krishterim, që në përpjekje për të hapur zemrën e kontinentit, nxitnin të etur «krishterizmin, tregtinë dhe civilizimin». Metodat e tyre shpesh nuk e rekomandonin shërbimin që kryenin. Megjithatë, do të kalonte pak kohë dhe do të vinin ata që, me ndihmën e Perëndisë, do ta rekomandonin vërtet veten si shërbëtorë të tij.—2 Kor. 6:3-10.
Fillimi
Aty nga viti 1890, pesë shoqata misionare ishin vendosur në territorin ku tani është Zambia. Me fillimin e shekullit të 20-të, të shqetësuar nga përparimi i fuqisë koloniale dhe ndërmarrjeve tregtare, një numër gjithnjë e më i madh afrikanësh po kërkonin një drejtim. Lëvizje fetare të pazakonta dhe të çuditshme po shfaqeshin në shumë vende të Afrikës. Megjithatë, po sigurohej edhe një ndihmë frymore e pastër. Aty nga viti 1911, vëllime të librit Studime mbi Shkrimet ranë në dorë të disa njerëzve me zemër të sinqertë në Zambie. Të vërtetat biblike që përmbanin ata libra, u përhapën menjëherë në veri të Zambies, edhe pse jo gjithmonë nëpërmjet atyre që donin t’i shërbenin Perëndisë sinqerisht.
Në vitin 1910, Çarls Tejz Rasëlli, i cili në atë kohë mbikëqyrte veprën e predikimit, dërgoi Uilliam U. Xhonstonin, një vëlla të besuar dhe serioz nga Glasgou i Skocisë, që të ndihmonte vëllezërit në Niasalend (tani Malavi). Është për të ardhur keq që disa studentë biblikë, qoftë vendas a të huaj, të cilët kishin shkuar para vëllait Xhonston, i kishin shtrembëruar të vërtetat e Shkrimeve për të përkrahur interesat e veta egoiste. Faktikisht, në vitet e mëpasshme, të vetëquajturit predikues dhe pastorë vajtën në Rodezinë Veriore (tani Zambia) që të nxitnin një përzierje fesh që të rrëmben emocionalisht, si dhe premtime për liri e praktika të papastra. Ndonëse Xhonstoni ndihmoi ata në Niasalend, të cilët i përshkroi si «të mbushur me një dëshirë të zjarrtë për ta njohur më thellë Fjalën e Perëndisë», territoreve në perëndim u ishte kushtuar pak vëmendje. Literatura biblike mbërriti në Rodezinë Veriore me postë dhe nga mërgimtarët, por vepra e predikimit në ato vite mbeti në përgjithësi pa mbikëqyrje.
Periudhë pasigurie
Fillimi i viteve 20-të të shekullit të kaluar ishte një periudhë e pasigurt. «Lëvizjet Watch Tower» vendase bënë çmos të diskreditonin shërbimin e vërtetë të krishterë të shërbëtorëve të Perëndisë. Kishte nga ata që këmbenin gratë dhe kryenin keqbërje të tjera. Ata jo vetëm që e kuptonin fare pak të vërtetën biblike, por edhe pretendonin se shoqëroheshin me Studentët e Biblës, siç quheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait. Megjithatë, dukej qartë se kishte shumë grupe që dëshmonin se po jetonin sipas së vërtetës, duke treguar përkushtim të sinqertë ndaj parimeve të Biblës dhe duke predikuar me zell.
Sfida ishte të dalloje ata që interesoheshin sinqerisht t’i shërbenin Perëndisë. Tomas Ualderi dhe Xhorxh Filipsi, të dy nga Britania, mbërritën në zyrën e Studentëve të Biblës në Kejptaun të Afrikës së Jugut, në vitin 1924. Vëlla Ualderi, që sapo i kishte kaluar të 30-at, udhëtoi nëpër Rodezitë për të kuptuar kush kishte lidhje me emrin Watch Tower. Një vit më pas, Uilliam Dosoni, nga Evropa, u caktua të vizitonte grupet që po zhvilloheshin. Ai vuri re se disa të vetëquajtur pastorë po pagëzonin grupe të mëdha njerëzish, një pjesë e mirë e të cilëve nuk kishin kuptueshmëri dhe vlerësim për të vërtetën biblike. Luelin Filipsi (nuk ka lidhje me Xhorxh Filipsin) më vonë shkroi: «Kuptova qartë se pjesa më e madhe ishte si banorët e Ninevisë, të cilët ‘nuk dinin të dallonin të djathtën nga e majta’.» (Jon. 4:11) Shumë ishin të sinqertë, por ngaqë botimet mungonin thuajse plotësisht në gjuhën vendase, njerëzit e kishin të vështirë ta kuptonin të vërtetën. Meqë përpjekjet e vazhdueshme që qeveria të miratonte një mbikëqyrje të përhershme të veprës nuk patën sukses, zyra e Kejptaunit vendosi të kufizonte predikimin publik dhe pagëzimet. Edhe pse mund të vazhdonin të studionin Biblën dhe të mblidheshin për të adhuruar, vëllai Ualder u shkroi një letër grupeve me të interesuar dhe i nxiste të bashkëpunonin me këtë masë të përkohshme derisa të dilte vendimi për një përfaqësi të përhershme të Studentëve të Biblës.
Përgjatë hekurudhës
Në shekuj vendasit e kanë përdorur bakrin që gjendet në vendburime sipërfaqësore për të bërë mjete pune dhe për zbukurime. Në mes të viteve 20, Kompania Britanike e Afrikës së Jugut, që jo vetëm qeveriste territorin, por ishin të vetmit që kishin kontroll mbi minierat, filloi të shfrytëzonte rezerva të mëdha nëntokësore. Kishte nevojë për punëtorë, prandaj mijëra veta erdhën nga fshatrat në qytezat dhe qytetet e reja të porsazhvilluara përgjatë hekurudhës, që në fillim ishte menduar të shtrihej nga Kejptauni në Kajro.
Xhejms Luka Muango kujton: «Kompanitë, siç quheshin dikur kongregacionet, ishin organizuar krejt ndryshe nga sot. Para vitit 1930 mbledhjet për të studiuar Biblën mbaheshin në grupe të vogla. Disa të interesuar komunikonin me zyrën në Kejptaun, kurse disa të tjerë i dërgonin kërkesat për literaturë drejtpërdrejt në Bruklin. Meqë literatura ishte në anglisht, shumë e kishin të vështirë ta kuptonin mirë të vërtetën.» Edhe pse grupet në përgjithësi ishin të vogla, ato përparonin dhe zelli e vendosmëria e tyre përqendrohej gjithnjë e më tepër te predikimi i organizuar. Kjo gjë nuk shpëtoi pa u vënë re nga kleri i të ashtuquajturit krishterim.
Një fushatë ndrydhëse
Në maj të vitit 1935 grupe fetare me influencë këmbëngulën që të bëhej një rregullim në kodin penal të Rodezisë së Veriut, duke e konsideruar krim importimin dhe shpërndarjen e asaj që e quanin literaturë rebele. Sigurisht, ata që vendosin ç’është rebele ose subversive ndikohen nga besimi i tyre politik a fetar. Siç u bë e qartë më vonë, s’kishte dyshim që kundërshtarët po kërkonin një pretekst për të ndaluar veprën e Dëshmitarëve të Jehovait.
Njoftimi për një taksë të re shkaktoi trazira mes minatorëve, dhe kundërshtarët e shfrytëzuan këtë rast si një mundësi për të akuzuar Dëshmitarët si antiqeveritarë. Në fillim të muajit Dëshmitarët mbajtën një asamble në Lusakë. Me sa duket, kundërshtarët thanë se asambleja e vogël kishte lidhje në njëfarë mënyre me trazirat që kishin ndodhur më shumë se 300 kilometra në veri. Tomson Kangale, i ri në atë kohë, kujton: «E dinim ç’po kurdisej. Në vend që të dilnim në predikim, vendosëm të rrinim brenda dhe të mësonim më mirë këngët e Mbretërisë. E kishim të qartë se nuk duhej të përziheshim në greva ose akte të dhunshme.» Megjithatë vëllezërit i arrestuan dhe në mjaft qytete i përzunë nga shtëpitë e ua konfiskuan ose ua shkatërruan literaturën biblike. Guvernatori nxori një deklaratë publike që ndalonte 20 botime tonat.
Një komision hetimor u caktua të hetonte këto turbullira. Drejtori i komisionit krahinor në zonën ku kishte nisur në fillim trazira, pohoi: «Dëshmitarët e Jehovait dhe vetë Watch Tower-i si organizatë nuk kanë marrë pjesë në grevë.» Në trazira nuk ishte përfshirë asnjë Dëshmitar i Jehovait. Megjithëkëtë, në librin Të krishterët e Koperbeltit shkruhet: «Komisioni Hetimor . . . pranoi shumë dëshmi të rënda duke pasur prova të dobëta, [dhe] në bazë të këtij raporti literatura e Dëshmitarëve të Jehovait u ndalua. Në disa krahina, të parët e fiseve bënë një fushatë të fuqishme ndrydhëse, duke djegur vendet e mbledhjeve të Watchtower-it.»
Ndërkohë, zyra e Kejptaunit iu drejtua disa herë sekretarit të shtetit të qeverisë britanike për kolonitë. Ajo kërkonte që «t’i lejonin Dëshmitarët t’ia shprehnin adhurimin pa ndërhyrje Perëndisë Jehova, siç ua diktonte ndërgjegjja, pasi këtë të drejtë ua kishte dhënë vetë Perëndia». Bënë një kërkesë edhe për një zyrë të përhershme me një përfaqësues. Jehovai i bekoi këto përpjekje. Në mars të vitit 1936 sekretari i shtetit miratoi hapjen e një depoje literature në Lusakë dhe Luelin Filipsin si përfaqësues.
Katër kërkesat
Hapja e një depoje në Lusakë ishte një fitore e rëndësishme. Megjithatë, derisa të paraqiteshin prova të pranueshme, që tregonin se kishte një mbikëqyrje më të organizuar të kongregacioneve, guvernatori nuk e jepte miratimin që Dëshmitarët e Jehovait të njiheshin ligjërisht si organizatë fetare. Në vitet më pas vëlla Filipsi punoi fuqimisht me vëllezër besnikë që të ndihmonin e të forconin njerëzit e sinqertë dhe të linin jashtë ata që nxitnin praktika të pabazuara në Shkrime. Pionierët u stërvitën për çështje doktrinale, morale e organizative dhe pastaj u dërguan të ndihmonin grupet e kongregacionet.
Një vëlla komentoi për këtë periudhë: «Viti më i mirë për lajmëtarët në Zambie ishte 1940-a. Në atë kohë u lejua përsëri pagëzimi që ishte ndërprerë më 1925-n.»
Xhejms Muango kujton: «Para se të pagëzohej, një student i Biblës duhet të studionte ato që ne i quanim katër kërkesat. Pastaj vëllai që do ta pagëzonte ose një vëlla tjetër i caktuar nga shërbëtori i kompanisë, e pyeste për kuptimin e tyre. Kërkesa e parë ishte të dëgjoje të vërtetën; e dyta pendimi; e treta të mësoje Fjalën e Perëndisë dhe kërkesa e katërt ishte kushtimi. Pasi i kishte kuptuar saktë katër kërkesat, studenti mund të pagëzohej. Kjo procedurë ishte vënë për t’u siguruar që, kush zhytej, ta dinte ç’po bënte.»
Ndalimi i literaturës
Veçanërisht gjatë Luftës së Dytë Botërore asnjanësinë e Dëshmitarëve qeveritarët e keqkuptuan dhe e morën si kundërshtim ndaj rregullit qeveritar për rekrutimin. Në dhjetor të vitit 1940, lista e botimeve të ndaluara u shtua edhe më shumë, duke përfshirë të gjithë literaturën e botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. U ndalua edhe importimi i saj. Në pranverë të 41-shit qeveria nxori një njoftim ku u kërkonte atyre që kishin botime të shoqatës Watch Tower, t’i dorëzonin, përndryshe do të përndiqeshin dhe ndoshta edhe burgoseshin.
Solomon Liambela, i cili ka shërbyer si mbikëqyrës udhëtues dhe më vonë ka bërë Shkollën e Galaadit, kujton: «E fshihnim literaturën në kaiket që kishim në lumin Zambezi. Librat i lidhnim poshtë krevateve dhe, madje, i fshihnim edhe aty ku mbanim miellin e misrit dhe melin.»
Një vëlla tjetër tha: «Na duhej t’i groposnim librat. E megjithatë, nuk kishte nevojë të fshihnim Biblën Berease, të cilën e çmuam shumë dhe nuk ishte ndaluar. Na humbën mjaft libra—disa i hëngrën termitet e disa të tjerë i vodhën hajdutët. Ngaqë shkonim shpesh aty ku kishim groposur librat, hajdutët mendonin se mos kishim fshehur ndonjë gjë me vlerë. Më kujtohet se një ditë kisha shkuar të studioja në një vend të shkretë, kur pashë librat të hedhur andej-këtej. I mblodhëm dhe pastaj i fshehëm në një vend tjetër.»
Luelin Filipsi me guxim i shkroi një ankesë guvernatorit në lidhje me botimet e ndaluara. Edhe pse ishte burgosur një herë në fillim të vitit, ngaqë nuk kishte pranuar të shkonte ushtar, vëllai Filips u dënua me gjashtë muaj të tjerë burg. Një vullnetar që shërbeu përkohësisht në depon e Lusakës, tha: «Na vizitonin rregullisht nga Departamenti i Hetimit Kriminal dhe vëlla Filipsin e thërritnin shpesh në stacionin e policisë.» Megjithëkëtë, Filipsi synoi të forconte disiplinën në kongregacione dhe të nxiste një frymë të zellshme. Me kalimin e kohës, kur vëllezër të aftë ishin në dispozicion, stërviteshin dhe caktoheshin si shërbëtorë udhëtues, ose mbikëqyrës udhëtues. Ata ndihmuan mjaft, gjersa në vitin 1943 u arrit një maksimum prej 3.409 lajmëtarësh.
Përparim i vazhdueshëm për më shumë liri
Pas luftës, zyrat e Dëshmitarëve të Jehovait në Britani dhe në Afrikën e Jugut i kërkuan disa herë Zyrës së Kolonisë në Londër që të ligjëronte botimet tona. Pas një peticioni të firmosur nga më shumë se 40.000 veta, të cilët mbështetnin veprën edukative të Dëshmitarëve të Jehovait, qeveria e Rodezisë Veriore hoqi disa botime nga lista e ndaluar. Prapëseprapë, revista Kulla e Rojës mbeti ende e ndaluar.
Në janar të vitit 1948 Nejthën Nori dhe Milton Hensheli, nga selia botërore e Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, vizituan vendin për herë të parë. Pasi morën pjesë në asamblenë katërditore në Lusakë, ata u takuan me sekretarin e çështjeve të vendit dhe me Prokurorin e Përgjithshëm, i cili u tha se masat kufizuese që kishin ngelur, do të hiqeshin shpejt. Ç’gëzim pati kur më në fund vepra e Dëshmitarëve të Jehovait u njoh ligjërisht! Më 1 shtator 1948 u hap një zyrë dege e re me emrin Dëshmitarët e Jehovait, dhe jo Shoqata Watch Tower. Tani, në mendjen e autoriteteve, të popullsisë, madje edhe të vetë vëllezërve, do të ishte i qartë dallimi mes Dëshmitarëve të Jehovait dhe ithtarëve të sekteve vendase «Watch Tower» që s’kishin lidhje me ta.
Gjatë 40 viteve të mëparshme, kundërshtarët fetarë, të cilëve nuk u interesonte kushedi të bënin dishepuj të Krishtit, i përqendruan përpjekjet për të minuar besimin e atyre që dëgjonin lajmin e mirë. Për njëfarë kohe Dëshmitarët e Jehovait, të cilët i keqparaqitnin si «mashtrues», vazhduan të provonin se ishin shërbëtorë të Perëndisë që thoshin të vërtetën. (2 Kor. 6:8) Në pritje të lirive të pasluftës, ata nisën të merrnin masa interesante për t’u kujdesur për rritjen që do të vinte.
Shërbimi misionar
«Një ndër aspektet shpërblyese të shërbimit misionar është të shohësh se si Jehovai përdor burra dhe gra të ndryshme për të përmbushur qëllimin e tij. Gjithashtu, provon gëzim kur sheh sa çmueshmëri tregojnë ata që pranojnë ndihmë frymore»,—komentoi Jan (Xhon) Fergusoni, i cili shërbeu për shumë vjet në Zambie. Misionarët e feve të tjera shpesh merakosen për çështje sociale dhe ekonomike, kurse misionarët e Dëshmitarëve të Jehovait përqendrohen që të bëjnë dishepuj. Ndërsa përmbushin këtë detyrë të dhënë nga Perëndia, këta misionarë japin dëshmi të ‘dashurisë pa hipokrizi’.—2 Kor. 6:6.
Fryma misionare mishërohet te njerëz si Uilliam Xhonstoni, i cili disa vjet para se të shpërthente Lufta e Parë Botërore shkoi në Afrikën Jugore dhe udhëtoi anembanë vendit. Në fillim të vitit 1921, Pit de Jaheri, Pari Uilliamsi dhe të tjerë kishin mbërritur në Sollsberi (tani Harare), kryeqyteti i fqinjës së Zambies, Rodezisë Jugore (tani Zimbabve). Xhorxh Filipsi, Tomas Ualderi dhe Uilliam Dosoni u kujdesën për Rodezinë Veriore në mesin e viteve 20. Të tjerë, disa nga ata që kishin lindur në Rodezinë Veriore, por që kishin kontaktuar me Studentët e Biblës kur punonin gjetkë, u kthyen që të përhapnin «lajmin e mirë për gjëra të mira». (Rom. 10:15) Manase Nkoma dhe Oliver Kabungoja kanë luajtur një rol të rëndësishëm në atë kohë. Jozef Mulemua, me origjinë nga Zambia, të cilin e takuan në minierën e Uankit (tani Huange), në Zimbabvenë Veriore, më vonë shërbeu besnikërisht në Zambien Perëndimore. Fred Kabomboja shërbeu si mbikëqyrësi i parë udhëtues në atë zonë. Këta vëllezër ishin me të vërtetë pionierë të veprës, duke shkuar në zona ku lajmi i mirë ishte predikuar pak ose aspak dhe duke hedhur një themel të fortë për një rritje në të ardhmen.
Ndërsa po mbaronte Lufta e Dytë Botërore, Çarls Hollideji, nga Afrika e Jugut, e mikpriti ftesën që i bëri Xhorxh Filipsi në zyrën e Kejptaunit për të vizituar grupet me të interesuar në Provincën Perëndimore. I shoqëruar nga një vëlla që përkthente, vëllai Hollidej udhëtoi me tren mallrash, kanoe dhe me vagonë dore të vegjël që përdornin kryepunëtorët. Kur mbërritën në Senangë, një qytezë e vogël rreth 250 kilometra në veri të Ujëvarës Viktoria, ata i mikpriti një turmë e madhe. Disa prej tyre kishin udhëtuar disa ditë më këmbë, mjaft të interesuar për të dëgjuar këtë vizitor që shpjegonte të vërtetat biblike.
Mbërrijnë misionarë të Galaadit
Në vitin 1948, dy misionarë, Harri Arnoti dhe Jan Fergusoni mbërritën në Zambie. Iu kushtua kujdes mijëra evropianëve që kishin shkuar atje për minierat e bakrit. Reagimi ishte i mrekullueshëm. Atë vit numri lajmëtarëve aktivë në shërbimin në fushë u rrit 61 për qind.
Në shumë vende nuk ishte e pazakontë që misionarët të kishin lista pritjeje me njerëzit që donin të fillonin një studim biblik. Zyra e degës siguroi një furgon mallrash dhjetëvjeçar që u përdor nga dy misionarët mbikëqyrës udhëtues, për të vajtur në zonat jashtë qendrave industriale. «E bënte mirë punën,—thuhej në një raport të degës,—edhe pse nganjëherë kthehej në bazë me tri rrota ose me gjysmën e shasisë që zvarritej pas.»
Në vitin 1951 në vend ishin gjashtë misionarë. Në dhjetor të 53-shit shkuan edhe gjashtë të tjerë, gati për të ndihmuar. Në këtë grup ishin Valora dhe Xhon Mailzi, të cilët, para se të transferoheshin në Zimbabve e pastaj në Lesoto, shërbyen në Zambie gjashtë vjet. Në vitet që pasuan, mbërritën edhe më shumë misionarë: Jozef Horilëku, Xhon dhe Jan Rentoni, Juxhin Kinashuku, Pol Ondejko, Piter dhe Vera Paliseri, Ejvis Morgani e të tjerë, që dhanë një ndihmesë duke u përpjekur me dashuri. Natyrisht, që të ishin të frytshëm në këtë shërbim të veçantë, duhej të bënin sakrifica dhe të përshtateshin.
«Është ende fëmijë!»
«Isha i sigurt që kishte një keqkuptim»,—thotë Uejn Xhonsoni teksa kujton si ishte ndier kur u caktua në Zambie. I diplomuar në klasën e 36 të Galaadit, Uejni mbërriti atje në fillim të 62-shit i shoqëruar nga Ërl Arçibaldi. Tani Uejni, bashkë me të shoqen, Greisin, është mbikëqyrës udhëtues në Kanada. Ai tregon: «Isha vetëm 24 vjeç dhe dukesha akoma më i ri. Ndërsa po mësoja gjuhën çinjanja [që quhet edhe çiçeva], dëgjova motrat që pëshpëritën: ‘Akali muana’—‘Ai është ende fëmijë!’
E kuptova që do të më duhej të mbështetesha fort te Jehovai dhe organizata e tij,—thotë Uejni. Doja që ta dinin të gjithë se, me frymën e shprehur te Veprat 16:4, vetëm po përcillja drejtimin e informacionin që kishte përgatitur Jehovai dhe organizata e tij. Gjithashtu, u përpoqa të sillesha në një mënyrë që të tjerët të më pranonin. Kur shoh pas, ende mrekullohem që më kishin besuar një privilegj kaq të madh.»
Dëbimi
Vitet 60 dhe 70 ishin vite ndryshimesh. Periodikisht, në vend pati përndjekje. Pasi Zambia fitoi pavarësinë në vitin 1964, vëllezërit hasën vështirësi të mëdha në lidhje me përshëndetjen e flamurit dhe himnin kombëtar. Afër fundit të viteve 60 për disa politikanë ndikimi i misionarëve ishte në kundërshtim me qëllimin e qeverisë. Një raport i degës shpjegon ç’ndodhi: «Herët në mëngjes, më 20 janar të vitit 1968, filluan të telefononin mbikëqyrësit e gati çdo kongregacioni anglishtfolës, duke e informuar zyrën e degës se kishin marrë urdhër-dëbime. Çuditërisht këto urdhër-dëbime nuk ishin vetëm për të larguar Dëshmitarët e huaj, por edhe qytetarët e Zambies, dy nga të cilët ishin Xhorxh Mortoni dhe Isak Çipungu.
Ngjarjet rrodhën shumë shpejt. Në 10 të mëngjesit të po asaj dite, nëpunës të emigracionit shkuan në zyrën e degës për t’u dhënë njoftimin e dëbimit pesë çifteve misionare. «Para se ta kuptonim,—kujton misionari Frenk Luisi,—ata ishin aty. Që më parë kishim vendosur që vëllezërit misionarë të zyrës duhet të largoheshin nga dera e pasme dhe të shkonin në shtëpinë e një vëllai për të vënë në zbatim planin në rast ndalimi. Në fillim ngurruam ca për të ikur, ngaqë sipër ishte një motër misionare e sëmurë keq nga malaria. Por vëllezërit vendas këmbëngulën që të iknim, duke na premtuar se do të kujdeseshin për të. E dinim shumë mirë që do ta bënin.
Se si na u duk kur lexuam në gazetën Times of Zambia që Watchtoweri, siç na quanin ata, ishte ndaluar dhe ‘udhëheqësit’ fshiheshin. Emrat tanë dolën në faqen e parë të gazetës, e cila thoshte që autoritetet po na kërkonin derë më derë në tërë qytetin! Vëllezërit vendas që ngelën në zyrë, bënë një punë të shkëlqyer. Ata i shpërndanë dokumentet dhe literaturën në vende të ndryshme. Kur kjo mbaroi, ne u kthyem në degë të nesërmen për t’u dorëzuar tek autoritetet.»
Në zyrën e degës ishte një polic, dhe shpejt urdhër-dëbimet i morën misionarët e huaj dhe ata që nuk kishin ardhur si të tillë. «Ne ishim ndër të fundit që ikëm,—sqaroi vëlla Luisi. Akoma na preket zemra kur mendojmë grupin e motrave me fëmijët e tyre që nuk i kishim njohur personalisht, por që bënë 25 kilometra më këmbë nga Kalulushi vetëm për të na përshëndetur dhe për t’i shtrënguar dorën çdonjërit prej nesh!»
Valë dëbimi e dytë
Koha kaloi. Albert Musonda, që tani është pjesëtar i Komitetit të Degës së Zambies, në vitin 1975 ishte një bethelit vullnetar 22-vjeçar që punonte në Repartin e Llogarisë. Një ditë atje vajti papritur policia. «Misionarëve u dhanë dy ditë kohë për t’u larguar nga vendi»,—tha ai.
Xhon Xhejsëni shton: «Në dhjetor të 75-s një letër e shkurtër nga zyra e emigracionit na urdhëronte të largoheshim nga vendi brenda 36 orëve.» Nëpërmjet një avokati vendas iu dorëzua një kërkesë ankimore autoriteteve përgjegjëse, kështu që ata e shtynë këtë afat duke u dhënë mundësi misionarëve të mblidhnin disa nga sendet e tyre vetjake. Vëlla Xhejsëni thotë: «Na u desh të linim një popull që kishim arritur ta donim me gjithë zemër.»
Gruaja e Albert Musondës, Dailesa, kujton: «I shoqëruam vëllezërit në aeroportin Sauthdaun, që t’i përshëndetnim kur të largoheshin. Xhon Xhejsëni iku në Kenia, kurse Jan Fergusoni shkoi në Spanjë.» Cili ishte shkaku i atij dëbimi të dytë?
Shumë menduan që kongresi i mbajtur në vitin 1975 ishte pika e fundit që mbushi kupën. «Ishte një nga kongreset më të mëdha të mbajtura gjatë asaj periudhe të trazuar, ku të pranishëm ishin mbi 40.000 veta»,—kujton Xhon Xhejsëni. Rastisi që aty afër të mbahej një miting politik. Disa nga të pranishmit bënë thirrje të merreshin masa të rrepta kundër Dëshmitarëve të Jehovait, meqë ata ishin asnjanës në çështjet politike. Vëlla Xhejsëni kujton se fajësuan kongresin e Dëshmitarëve të Jehovait për pjesëmarrjen e paktë në mitingun politik.
Kthehen misionarët
Kaluan dhjetë vjet para se misionarët të ktheheshin përsëri në Zambie. Në vitet 80 kishte një qëndrueshmëri politike më të madhe dhe kufizimet ishin zvogëluar. Në 86-n, Eduard Finçi dhe gruaja e tij, Linda, erdhën nga Gambia. Më pas erdhën edhe shumë të tjerë, duke përfshirë Alfred e Helen Kyhenin dhe Ditmar e Sabina Shmitin.
Në shtator të 87-s Darëll e Suzana Sharpi erdhën përmes Afrikës së Jugut nga Zaireja, që tani quhet Republika Demokratike e Kongos. Ata ishin diplomuar në Galaad në vitin 1969 dhe kishin shërbyer në veprën udhëtuese në Kongo. Tashmë ishin përshtatur me jetën e Afrikës Qendrore. Darëlli, truplidhur e i shëndetshëm, tani ka mbi 40 vjet në shërbimin special të plotkohor. Ai thotë: «Shtëpia jonë misionare për shumë vjet ka qenë në Lubumbashi, mjaft afër kufirit, dhe shkonim rregullisht në Zambie.»
Suzana ruan kujtime të gjalla të asaj periudhe. Ajo thotë: «Në fillim të viteve 70 në Kongo pati zi buke, prandaj na u desh të shkonim në Zambie një herë në disa muaj për t’u furnizuar me ushqime. Pastaj, në fillim të vitit 1987 Trupi Udhëheqës na kërkoi që të linim Kongon dhe të shkonim në një caktim të ri. Po ku? Pikërisht në Zambie!» Meqë në Kongo veprimtaria e tyre po kufizohej gjithnjë e më tepër, çifti Sharp gëzonte se po transferohej në një vend ku vëllezërit gëzonin një liri fetare gjithnjë e më të madhe.
Megjithatë nevojiteshin disa ndryshime si në fushë, ashtu edhe në degë. Meqë shërbimi publik ishte pjesërisht i ndaluar, një pjesë e madhe e vëllezërve bënin vetëm studime biblike. Shumë lajmëtarë nuk ishin mësuar, madje ndiheshin në siklet me idenë që të predikonin hapur nga shtëpia në shtëpi, një tipar themelor i shërbimit publik të Dëshmitarëve të Jehovait. Prandaj, vëllezërit u inkurajuan që të ishin më të guximshëm në predikimin shtëpi më shtëpi, veçanërisht meqë situata në vend ishte qetësuar disi dhe policia nuk i kushtonte dhe aq vëmendje veprimtarisë sonë.
Ecet përpara, jo mbrapa
Komiteti i Degës ishte i shqetësuar që nuk kishte një rritje të dukshme gjatë viteve 70. Për shkak të traditave vendase, vëllezërit e kishin të vështirë të studionin me fëmijët e tyre, dhe, meqenëse predikimi shtëpi më shtëpi ishte ndaluar, u bë zakon që baballarët t’i linin fëmijët të studionin me të tjerë, ndërsa vetë, studionin me fëmijët e të tjerëve. Kështu, kishte ardhur koha që të merreshin vendime të guximshme. Në vitet që pasuan, lajmëtarët u inkurajuan të hiqnin dorë nga traditat dhe praktikat e pabazuara në Shkrime. Kongregacionet reaguan shumë mirë, prandaj edhe u bekuan. Vëllezërit punuan pa u lodhur për të jetuar në harmoni me parimet biblike dhe me vëllazërinë mbarëbotërore.
Në pesë vitet që pasuan dëbimet e 75-s, numri i lajmëtarëve ra pothuajse 11 për qind. Në kontrast me këtë, gjatë pesë viteve që pasuan kthimin e misionarëve në 1986-n, maksimumi i lajmëtarëve u rrit mbi 50 për qind. Që nga ai vit numri i lajmëtarëve aktivë është rritur më tepër se dyfish.
Në një letër drejtuar degës, Silas Çivueka, një vëlla që ka qenë mbikëqyrës udhëtues, shkruante: «Nga vitet 50 e tutje, misionarët e stërvitur në Galaad i ndihmuan të tjerët që të fitonin një pjekuri më të madhe. Ata ishin shumë të durueshëm, mirëdashës dhe të kuptueshëm. Duke u lidhur ngushtë me lajmëtarët, mund të dallonin problemet që duheshin ndrequr.» Ndihma e misionarëve me dashuri dhe pa hipokrizi vazhdon të nxitë rritjen edhe sot e kësaj dite.
Fjala e shtypur
Ashtu si Pavli dhe shokët e tij, Dëshmitarët e Jehovait në ditët tona tregojnë se janë shërbëtorë të Perëndisë, duke përdorur ‘armët e drejtësisë në të djathtë e në të majtë’. (2 Kor. 6:7) Në luftën e tyre frymore ata vazhdojnë të përdorin ‘armë’ ose mjete të drejta për të çuar përpara adhurimin e vërtetë.
Në fillim fare botimet tona ishin në dispozicion vetëm në anglisht. Edhe pse në Afrikën Jugore disa ishin pajtuar në Kullën e Rojës që në vitin 1909, e vërteta biblike u përhap kryesisht gojarisht. Një vëlla në atë kohë thoshte: «Çdo fshat ka një vend ku mblidhen e dëgjojnë çështjet që u interesojnë të gjithëve. Vëllai udhëtues që lexon anglisht, i përkthen paragrafët me fjalë të thjeshta në gjuhën vendëse. Shqyrtohen edhe pyetje.» Sigurisht, saktësia e të vërtetave që përcilleshin varej mjaft nga aftësia dhe motivet e atij që përkthente. Prandaj, për të siguruar unitetin dhe njohurinë e saktë te të interesuarit, ishte e nevojshme të kishin në gjuhën e tyre botime të rregullta e të besueshme që bazoheshin në Bibël.
Vihen në dispozicion botime
Në fillim të viteve 30 libri Harpa e Perëndisë dhe disa broshura të tjera u përkthyen dhe u botuan në gjuhën çinjanja. Aty nga viti 1934, grupi i vogël me lajmëtarë aktivë kishte shpërndarë mbi 11.000 botime. Ky aktivitet i acaroi kundërshtarët, të cilët më vonë do të kurdisnin «telashe me anë të dekretit». (Psal. 94:20) Megjithatë, aty nga fundi i 1949-s, kur revista Kulla e Rojës nuk ndalohej më, një botim mujor i saj në gjuhën cibembe shaptilografohej dhe u postohej pajtuesve.
Jonas Manjoni kujton si ka punuar për revistën në fillim të viteve 50. Ai thotë: «Isha i vetëm në përkthimin në gjuhën cibembe. Merrja dorëshkrimin në anglisht, pastaj e përktheja dhe e korrigjoja. Më tej e rishtypja në një klishe dhe e përdorja për kopje të tjera. Më duhej goxha kohë. Nganjëherë nevojiteshin 7.000 kopje për çdo botim. Çdo revistë e bëja me dorë dhe pastaj e mbërtheja me kapëse teli. Pastaj ua postoja kongregacioneve. T’u vije pulla rrotullave me revista dhe t’i çoje me kuti kartoni në zyrën e postës ishte një punë tepër e madhe.»
Pavarësisht nga teknologjia e kufizuar e asaj kohe, ata që merreshin me përkthimin, iu përkushtuan punës, duke kuptuar dobinë e saj. Kur ishte në veprën udhëtuese, Xhejms Muango i shkruante përkthimet me dorë dhe kryesisht nën dritën e qiriut. Ai thotë: «Kurrë nuk u ndjeva tepër i lodhur për këtë punë. Kënaqesha kur i kujtoja vetes se përpjekjet e mia i ndihmonin vëllezërit të merrnin ushqim frymor që do t’i bënte më të pjekur.»
‘Të shkëmbesh duar’
Që të përcillet saktë e vërteta kërkohet që përkthyesi jo vetëm të njohë mirë gjuhën e tij, por edhe të kuptojë mirë dorëshkrimin në anglisht. Aaron Mapulanga tha: «Në përkthim ka fraza që kanë një kuptim tjetër nga ajo që mund të duket kur sheh fjalët veç e veç. Më kujtohet një rast kur po diskutonim për shprehjen angleze ‘të shkëmbesh duar’ në një botim që fliste për kalimin e përgjegjësive nga Elija tek Eliseu. Një vëlla e kishte përkthyer këtë shprehje fjalë për fjalë. Pyeta veten nëse me të vërtetë në tekst kjo shprehje do të thoshte ‘të shkëmbesh duar’. Pasi u këshillova me vëllezër të tjerë, kuptuam domethënien korrekte të kësaj shprehjeje. Më kujtohet që na kishin këshilluar të mos përkthenim fjalë për fjalë, sepse atëherë përkthimi ynë do të tingëllonte si anglisht. U përpoqëm të shmangnim një përkthim të tillë dhe të përkthenim duke iu përshtatur gjuhës sonë.»
Ndihmë nga teknologjia
Që nga viti 1986, MEPS-i (shkurtim për sistemin shumëgjuhësh elektronik të fotoradhitjes) ka qenë në dispozicion të zyrave të degëve. Ky program ka ndihmuar tej mase për të përshpejtuar përkthimin, kontrollin dhe kompozimin e tekstit. Kohët e fundit është përdorur gjerësisht programi kompjuterik i quajtur Sistemi i Përkthimit Watchtower dhe mjete të tjera përkthimi. Tani skuadrat që punojnë për të përkthyer në disa nga gjuhët kryesore vendëse, sigurojnë botime të bazuara në Bibël që kuptohen nga shumica e banorëve të Zambies. Përkthimi Bota e Re dhe të tjera ‘armë drejtësie’ do të vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm për të ndihmuar njerëzit me zemër të ndershme që të njohin Jehovain.—2 Kor 6:7.
Ndihmë refugjatëve
Në Afrikë mjaft njerëz bëjnë një jetë të lumtur dhe paqësore. Megjithatë, mjerisht, shumë e shumë të tjerë janë prekur nga lufta. Sa hap e mbyll sytë fqinjët bëhen armiq, njerëzit e pafajshëm ia mbathin e lënë shtëpitë, dhe komunitetet shkretohen. Duke marrë vetëm pak gjëra me vete, refugjatët kërkojnë siguri ku të munden. Kjo është përvoja e miliona njerëzve sot.
Në mars të vitit 1999 mijëra veta vërshuan në Zambie, duke ikur nga konflikti që kishte plasur në Republikën Demokratike të Kongos. Siç ndodh zakonisht në luftëra, ushtarakët plaçkitin, i detyrojnë burrat të mbajnë pesha të rënda dhe keqtrajtojnë gratë e fëmijët. Meqenëse Dëshmitarët e Jehovait nuk pranuan të transportonin armë, shumë prej tyre i poshtëruan dhe i rrahën egërsisht. Katatu Songa, një pionier i rregullt i zellshëm, rreth 55 vjeç, kujton: «Më shtrinë përtokë para grave e fëmijëve dhe më fshikulluan derisa humba ndjenjat.»
Që të mos provonin një trajtim të tillë, shumë familje u arratisën. Ndërsa vraponte nëpër një zonë të pabanuar e të egër, Mapengo Kitambo u nda nga djemtë e tij. Ai shpjegon: «Nuk kishim kohë të kërkonim asnjë. Na duhej të iknim, edhe pse ishim jashtëzakonisht të shqetësuar për njerëzit tanë.» Mjaft veta bënë qindra kilometra më këmbë ose me biçikletë, për të shpëtuar.
Qyteti i vogël i Kaputës ishte tejmbushur me refugjatë. Ndër ta kishte rreth 5.000 vëllezër me familjet e tyre, të sfilitur nga udhëtimi i gjatë dhe i vështirë. Edhe pse nuk ishin të përgatitur për ardhjen e refugjatëve, 200 lajmëtarët e Mbretërisë në atë qytet ishin të lumtur t’u ofronin mikpritjen e krishterë vëllezërve dhe motrave të tyre. Manda Ntompa kujton: «Ishim mjaft të prekur nga dashuria dhe mikpritja që na u tregua. Me të marrë vesh që ishim Dëshmitarë të Jehovait, vëllezërit vendës na hapën shtëpitë e tyre. Ashtu si vejusha nga Zarefati, ata ishin të gatshëm të ndanin me ne atë pak ushqim që kishin.»
Buzë brigjeve të liqenit Mueru, në veri, një grup i vogël Dëshmitarësh vendës u kujdesën për qindra refugjatë. Në mënyrë të organizuar u siguruan ushqim dhe strehim. Kongregacionet përreth u dhanë maniokë dhe peshk. Më në fund, pas tri muajsh, Dëshmitarët kongolezë u regjistruan dhe u transferuan në një kamp refugjatësh.
Kush arratiset nga një konflikt i dhunshëm vështirë të marrë me vete libra dhe revista. Shpesh gjërat më të çmuara lihen prapa gjatë ikjes së dëshpëruar për të shpëtuar. Por ndodhi krejt ndryshe me popullin e Perëndisë. Në atë arratisje të furishme disa morën me vete botimet e tyre. Megjithatë, nuk kishte mjaft Bibla dhe literaturë biblike. Ishte e zakonshme që në një mbledhje me 150 të pranishëm të kishte vetëm pesë libra. Si merrnin pjesë të pranishmit? Një vëlla shpjegon: «Ata që kishin Bibël kërkonin shkrimet, kurse ata që nuk kishin, dëgjonin me vëmendje të madhe. Kështu të gjithë i jepnin lavdi Jehovait dhe inkurajonin njëri-tjetrin me komentet që bënin.»
Tregohet kujdes për nevojat materiale
Shumica e refugjatëve janë gra dhe fëmijë, shëndetligë dhe të pangrënë. Si i kanë ndihmuar Dëshmitarët e Jehovait? Gazeta Times of Zambia shkruan: «Është e këndshme që Shoqata e Dëshmitarëve të Jehovait në Zambie ka dërguar vullnetarë dhe punëtorë për shpërndarjen e ndihmave në ish-Zaire që t’ua lehtësojnë barrën refugjatëve në rajonin e Liqeneve të Mëdha.» Artikulli shpjegonte që Dëshmitarë nga Belgjika, Franca dhe Zvicra «u dhanë refugjatëve 500 kg ilaçe, 10 tonë produkte vitaminoze, 20 tonë ushqime e mbi 90 tonë veshje, 18.500 palë këpucë dhe 1.000 batanije, me një vlerë totale prej gati 1 milion dollarë».
Vëllai Ntompa kujton: «Për ne, dita kur erdhën ndihmat ishte emocionuese dhe na forcoi besimin. Çfarë organizate të kujdesshme kemi! Kjo shprehje e madhe e dashurisë ishte si një pikë kthese për shumë familjarë jobesimtarë të vëllezërve. Që nga ajo kohë disa prej tyre janë bashkuar me ne dhe po bëjnë një përparim të shkëlqyer si adhurues të Perëndisë.» Ju dhanë ndihma të gjithë refugjatëve, pa asnjë dallim.
Nga fundi i vitit 1999, të shpërngulurit nga vendi kishin arritur mbi 200.000. Një gazetë lokale raportonte: «Zambia është bërë një nga vendet e strehimit më të mëdha për refugjatët afrikanë që largohen nga konfliktet.» Me gjithë përpjekjet e autoriteteve për të plotësuar nevojat e refugjatëve, zhgënjimi dhe pakënaqësia mes tyre çuan në protesta të dhunshme. Pas një trazire, autoritetet e kampit iu afruan një mbikëqyrësi qarkor, duke e akuzuar se nuk i kishte ndihmuar për të mbajtur rregullin, edhe pse Dëshmitarët e Jehovait nuk ishin përfshirë në asnjë trazirë. Shtruar, por me vendosmëri mbikëqyrësi iu përgjigj: «Ju kam ndihmuar! A e imagjinoni dot sa më keq do të shkonin gjërat nëse asaj turme do t’i shtoheshin edhe 5.000 të tjerë? Ju lutem, jini mirënjohës që të paktën 5.000 refugjatë nuk morën pjesë në trazirë ngaqë janë Dëshmitarë! Ata janë vëllezërit e mi!»
Dëshmitarët e Jehovait pranohet se kanë një ndikim stabilizues në komunitetin refugjat. Një zyrtar qeverie komentoi: «Kemi dëgjuar se Dëshmitarët e Jehovait janë shumë fetarë dhe mjaft prej tyre i kemi caktuar si drejtues sektorësh. Që kur e kemi bërë këtë, në kamp ka qetësi, sepse këta po ndihmojnë dhe të gjithë janë përqendruar në leximin e Biblës. Falënderoj Perëndinë që njerëz të tillë vazhdojnë të rrinë me ne dhe që në kamp mbizotëron paqja.»
Bindje ndaj urdhrit të Perëndisë për të mos marrë gjak
Edhe pse mençuria praktike e urdhrit të Shkrimeve ‘që të vazhdojmë të rrimë larg nga gjaku’ ka kohë që është bërë e qartë, në Afrikën Subsahariane ka pasur shumë paragjykime dhe keqkuptime përsa i përket kujdesit mjekësor pa gjak. (Vep. 15:28,29) Mjerisht, Dëshmitarët e Jehovait janë trajtuar ashpër dhe në mënyrë poshtëruese. Nuk ishte e pazakontë që fëmijët e shtruar në spital t’i merrnin natën, pa dijeninë e prindërve, dhe t’u bënin transfuzion gjaku.
Nipin gjashtëvjeçar të Jenala Mukusaos, Mikaelin, për të cilin kujdesej ajo, e shtruan në spital me një anemi të rëndë. Mjekët urdhëruan t’i bëhej transfuzion. Motra Mukusao nuk e dha miratimin. Si pasojë, për katër ditë rresht e kërcënuan dhe e fyen. Ajo tha: «Iu luta dhe u tregova Deklaratën time Mjekësore, por nuk donin të më dëgjonin. Infermieret më akuzuan se isha një shtrigë që doja të vrisja nipin tim.»
Për shkak të një armiqësie të tillë, disa veta ngurronin të shkonin në spital. Shumë mjekë nuk e merrnin fare parasysh të drejtën e pacientit për miratim të informuar. Ata pak mjekë që ishin të gatshëm të bashkëpunonin, rrezikonin të kritikoheshin ashpër dhe madje të mënjanoheshin nga kolegët e tyre, sepse praktikonin atë që mjaft veta mendonin se ishte mjekësi e papranueshme. Gjithashtu, kishte dhe probleme të një infrastrukture të pazhvilluar dhe kishte mundësi të kufizuara për të pasur alternativa të tjera përveç gjakut. Megjithatë, më 1989, autoriteti më i lartë mjekësor i industrisë së minierave të bakrit tha: «Transfuzionet e gjakut nuk duhen bërë kundër dëshirës së njerëzve.» Ishte e dukshme që pikëpamjet e disave në fushën mjekësore po zbuteshin.
Komitete që kanë ndikim
Në vitin 1995, në Zambie u formua Shërbimi i Informacioneve Shëndetësore bashkë me Komitetet e Lidhjes me Spitalet (KLS). Pak veta mund të parashikonin ndikimin e thellë që ato do të kishin në qëndrimin e komunitetit mjekësor rreth trajtimit pa gjak dhe të drejtave të pacientëve. Një pjesë e punës së KLS-ve është të vizitojnë spitalet, të flasin me mjekët dhe punonjësit e shëndetësisë, me qëllim që të forcojnë bashkëpunimin dhe të parandalojnë mosmarrëveshjet. Niveli i lartë i profesionalizmit në këto biseda u ka bërë përshtypje ekipeve mjekësore. Në një spital në jug të vendit një nëpunës në një klinikë u tha vëllezërve: «Ju jeni mjekë, por nuk doni ta pranoni.»
Një mjek holandez që punon në një spital rajonal në Zambien Perëndimore tha: «Dy javë më parë po diskutonim për mundësitë e minimizimit të përdorimit të gjakut për shkak të rreziqeve që sjell. Sot patëm ekspertë me të cilët kemi folur për këtë çështje.» Nuk kaloi shumë dhe personeli mjekësor që mori pjesë në prezantimin e bërë nga KLS-ja filloi t’i këshillonte kolegët që të merrnin pjesë edhe ata. Komuniteti mjekësor u njoh me programin, dhe mosmarrëveshjet i hapën rrugë gjithnjë e më tepër bashkëpunimit.
Disa vëllezër që shërbenin në këto komitete duhej të mposhtnin ndjenjat e paaftësisë kur u afroheshin mjekëve, të cilët për vite të tëra ishin konsideruar gati si perëndi. Vëlla Smart Firi, që shërbente si drejtues i komitetit të Lusakës, kujton: «Nuk kisha ndonjë formim mjekësor dhe ndihesha shumë i pasigurt.»
Megjithatë, me kalimin e kohës qëndrueshmëria dhe besimi te Jehovai u shpërblyen. Një tjetër anëtar komiteti kujton kohët e fillimit: «Tre nga ne shkuam të takonim një mjek, një njeri me ndikim të madh, që kishte punuar si ministër i shëndetësisë. Ishim tepër nervozë. Në korridor, përballë zyrës së mjekut, i bëmë një lutje Jehovait dhe i kërkuam të na ndihmonte që të mund të flitnim me guxim. Kur u futëm në zyrën e mjekut bëmë një bisedë të këndshme dhe ai u tregua goxha bashkëpunues. E kuptova që kishim mbështetjen e Jehovait dhe nuk kishte arsye për t’u frikësuar.»
Një tregues i rritjes së bashkëpunimit të KLS-ve me komunitetin mjekësor është edhe gatishmëria e mjekëve për të marrë përsipër raste të vështira, që disa vjet më parë nuk do t’i kishin pranuar po të mos u jepej mundësia të bënin transfuzion. Në tetor të vitit 2000, dy kirurgë morën vendimin e guximshëm për të operuar Beatriçen, një bebe gjashtëmuajshe nga Republika Demokratike e Kongos. Edhe pse operacioni për atrezi të tëmthit doli me sukses, pa përdorur gjak, ky rast bëri bujë jo të mirë.
Por një deklaratë për shtyp e profesor Lupando Munkonges, kreut të ekipit që bëri këtë operacion, ndryshoi gjithë situatën. Ai shprehu qartë respektin për qëndrimin e prindërve të Beatriçes. Kjo ndihmoi goxha për të zbutur kritikat e medias. Dy muaj më vonë, një dokumentar në televizion u përqendrua te ky rast, duke e paraqitur në një dritë pozitive qëndrimin tonë në lidhje me mjekësinë dhe kirurgjinë pa gjak.
«Bëjeni shpejt»
Vetëm pak mjekë kanë mbetur skeptikë ndaj qëndrimit të Dëshmitarëve lidhur me gjakun. Tani shumica pranojnë që strategjitë alternative janë të sigurta, të thjeshta dhe të frytshme—madje edhe në Afrikën rurale. Mjaft pacientë kanë mësuar t’i mbrojnë me guxim të drejtat e tyre. Tani njohin nga afër çështje të rëndësishme dhe mësojnë si ta shprehin qëndrimin e tyre të bazuar në ndërgjegje.
Edhe fëmijëve u është dhënë ‘gjuha e të mësuarve’. (Isa. 50:4) Para operacionit, Natani, një djalë tetëvjeçar që vuante nga osteomieliti i femurit të majtë, i tha ekipit të mjekëve: «Ju lutem, kur të më operoni, bëjeni shpejt operacionin që të mos humbas shumë gjak. Mos më futni gjak, ndryshe prindërit dhe Jehovai nuk do t’ju falin.» Pas operacionit një mjek i ekipit i lavdëroi prindërit e Natanit për stërvitjen që i kishin dhënë të birit. Me përulësi mjeku tha: «Është hera e parë që një pacient i vogël më kujton rëndësinë që ka të respektosh Perëndinë.»
Apostulli Pavël tha se «e rekomandojmë veten si shërbëtorë të Perëndisë, . . . përmes netëve pa gjumë». Shërbëtorët e Perëndisë rrinë shpesh pa gjumë ngaqë janë në merak për bashkëbesimtarët dhe për përparimin e adhurimit të vërtetë. (2 Kor. 6:3-5) Shpeshherë, kjo është e vërtetë për ata që shërbejnë në KLS-të. Një vetësakrifikim i tillë nuk mbetet pa u vënë re. Një motër tha: «Nuk kam fjalë për të shprehur siç duhet çmueshmërinë time. M’u ngroh zemra dhe u lehtësova kur pashë frymën vetësakrifikuese të vëllezërve të KLS-së që më erdhën në ndihmë menjëherë dhe, sa herë kisha nevojë, ata ishin aty. Kur u futa në sallën e operacionit, për herë të dytë brenda 24 orëve, nuk më pushtoi frika. Vëllezërit më kishin forcuar me fjalët e tyre inkurajuese.» Kështu, pavarësisht nga ‘një emër i keq’, Dëshmitarët e Jehovait kanë vazhduar ta rekomandojnë veten si shërbëtorë të Perëndisë duke bashkëpunuar me gatishmëri me komunitetin mjekësor. (2 Kor. 6:8) Të forcuar nga ‘një emër i mirë’ ata janë të vendosur të binden gjithnjë ndaj urdhrit hyjnor ‘që të vazhdojnë të rrinë larg nga gjaku’.
Shkolla e Stërvitjes për Shërbim
«Në mjaft vende një grup me rreth 25 djem mund të shihet me dyshim si burim i mundshëm trazirash,—komenton Sajrës Niangu, anëtar i Komitetit të Degës së Zambies.—Megjithatë, 31 klasat e Shkollës së Stërvitjes për Shërbim (ShSSh) kanë stërvitur vazhdimisht burra të krishterë energjikë e të kushtuar, të cilët kanë ndihmuar komunitetet ku shërbejnë.» Mbi 600 të diplomuar në këtë shkollë ndërkombëtare po shërbejnë në mënyra të ndryshme të shërbimit të plotkohor anembanë gjashtë vendeve të Afrikës Jugore. Në Zambie, më tepër se gjysma e mbikëqyrësve udhëtues janë diplomuar në këtë shkollë. Pse është e nevojshme kjo shkollë dhe ç’rol luan?
Që nga diplomimi i klasës së parë në vitin 1993, numri i lajmëtarëve aktivë në Zambie është rritur gati 60 për qind. Megjithatë, ka akoma nevojë për burra të kualifikuar që të kujdesen për kongregacionet, veçanërisht ngaqë komuniteti ushtron një presion të fortë për t’iu përshtatur traditave dhe zakoneve vendëse që janë në kundërshtim me parimet e Biblës. Një i diplomuar thekson nevojën për burra të aftë që të kullotin e të mësojnë: «Problemi në këtë territor është se njerëzit janë të prirur ta tolerojnë keqbërjen. Kam mësuar se duhet të jemi të vendosur për atë që është e drejtë dhe të mos shkojmë përtej asaj që është shkruar në Bibël.»
Studentët nuk janë mësuar me shumëllojshmërinë e informacionit që shqyrtohet dhe me një studim të thellë. Prandaj instruktorët i ndihmojnë me zell. Një nga ata, Sarel Harti, tha: «Të mësoja çdo klasë, për mua ishte si të drejtoja një ekskursion në një shteg malor. Në fillim të gjithë janë të huaj që përpiqen të mësohen me ambientin rrethues të panjohur dhe të frikshëm. Ndonjëherë dalin shkëmbinj që pengojnë rrugën. Ndërsa studentët i kapërcejnë pengesat dhe vazhdojnë të ngjiten, shohin prapa vështirësitë në dukje të pakalueshme që i kanë lënë pas dhe që s’kanë më rëndësi.»
Shumë e përshkruajnë si metamorfozë përparimin frymor që vjen nga pjesëmarrja në shkollë. Eladi, që tani shërben si pionier special, tha: «Më dukej vetja i pakualifikuar të mësoja të tjerët dhe tepër i ri për të pranuar përgjegjësi të tjera në kongregacion. Shkolla më ndihmoi të kuptoja që mund të isha i dobishëm. Në fillim më caktuan në një kongregacion me 16 lajmëtarë. Ata nuk arrinin të drejtonin studime biblike që bëjnë përparim. Shqyrtonim rregullisht sugjerimet dhe provonim prezantimet para se të shkonim në shërbim. Deri në vitin 2001 kongregacioni u rrit në 60 lajmëtarë dhe u formua një grup i izoluar me 20 veta.»
Treguesi i suksesit
Cilat veçori e bëjnë të suksesshme Shkollën e Stërvitjes për Shërbim? «Theksojmë rëndësinë e të qenit gjithmonë të përulur, duke i mëshuar idesë se nuk duhet të mendojmë për veten më tepër se ç’duhet,—shpjegon Riçard Frudi, një nga instruktorët.—Duam që të tregojnë pjekuri, dhembshuri e aftësi për të trajtuar probleme të vështira dhe prapëseprapë, të mbeten buzagaz. Nëse vëllezërit janë mirëdashës me të tjerët, duke treguar që duan t’u shërbejnë atyre dhe jo e kundërta, atëherë mendojmë se shkolla ia ka arritur qëllimit.»
Studentët e dinë mirë sa të vërteta janë këto fjalë. Emanueli, i diplomuar në klasën e 14-të, tha: «Fakti që jemi caktuar në një kongregacion nuk do të thotë se duhet të vrapojmë për të ndrequr çdo gjë të vogël. Përkundrazi, duhet të kemi si qëllim të marrim pjesë me kongregacionin në veprën më të rëndësishme, në predikimin e lajmit të mirë.»
Moisiu, një pionier, tha: «Kam kuptuar që Jehovai mund të përdorë çdo njeri që është i përulur e, nganjëherë, njohuria e përvoja nuk kanë dhe aq rëndësi. Ajo që ka rëndësi për Të është të duam ata në kongregacion e ata që u predikojmë, si dhe të bashkëpunojmë me të tjerët.»
Grumbullime të mëdha
Festat e kombit të Izraelit para epokës së krishterimit dhe ‘asambletë e tyre të shenjta’ ishin raste të gëzueshme, që i ndihmonin të pranishmit të përqendroheshin te gjërat frymore. (Lev. 23:21; Ligj. 16:13-15) Kjo gjë është ende e vërtetë për grumbullimet e popullit të Perëndisë në ditët tona. Në Zambie kongreset nuk mbahen në komplekse sportive moderne dhe vezulluese. Vëllezërit ndërtojnë atë që e quajnë fshati i kongresit, që përfshin kasolle të vogla me kashtë, ku mund të flenë.
Gjatë viteve, në këto vende janë ngritur struktura më të qëndrueshme. Megjithatë, vitet e para ishin plot probleme që duheshin zgjidhur me shkathtësi. Një mbikëqyrës krahinor kujton: «Në vendin e asamblesë qarkore vëllezërit ndërtonin për mua një kasolle, zakonisht të bërë me bar. Më pas ngrinin një gardh përreth zonës ku do të uleshin njerëzit. Vendet ishin pirgje dheu, kurse sipër tyre viheshin ‘jastëkët’ me bar. Disa herë, për të bërë podiumin, vëllezërit sheshonin majën e një kodre termitesh që nuk ishte në aktivitet. Në majë të saj ndërtonin një kabinë të vogël nga e cila paraqitej programi.»
Piter Paliseri, një misionar, kujton: «Në një kongres vëllezërit vendosën të bënin një podium të ngritur. Njëri ishte i zoti të përdorte eksplozivat. Ai e bëri gati vendin dhe hodhi në erë majën e një foleje milingonash që ishte rreth 6 metra e lartë. U formua një vend i ngritur e i sheshtë mbi të cilin ndërtuam podiumin.»
Përpjekje për të ndjekur kongreset
Pjesa më e madhe e vendeve të kongreseve ishin larg rrugëve kryesore dhe mezi shkoje atje. Robinson Shamuluma kujton një kongres që ndoqi më 1959. Ai tha: «Rreth 15 veta shkuam me biçikleta në Kabve në provincën qendrore. Morëm për të ngrënë ushqim të bërë me misër, si dhe peshk të tharë. Çdo natë flinim në vende të egra e të pabanuara. Në Kabve morëm trenin dhe së fundi mbërritëm ku mbahej kongresi pas pothuajse katër ditëve udhëtim.»
Lemp Çisenga kujton një vëlla që, për të ndjekur një kongres, udhëtoi rreth 150 kilometra më këmbë dhe me biçikletë bashkë me gjashtë fëmijët. Ai tha: «Për udhëtimin përgatitën ushqimin—maniokë të pjekur, kikirikë dhe gjalpë kikirikësh. Shpesh duhej të fushonin të pambrojtur në vende të egra e të pabanuara.»
Kur shërbente si mbikëqyrës krahinor, Uejn Xhonsoni vërente se shumë veta bënin mjaft përpjekje për të marrë pjesë në asamble ose në kongres. Ai shkroi: «Një pionier special eci me biçikletë për gati një javë që të mbërrinte në një asamble. Të tjerë udhëtuan në karrocerinë e një kamioni. Një pjesë e madhe mbërrinte herët, në fillim të javës së asamblesë ose të kongresit. Ata këndonin natën, teksa rrinin ulur përreth zjarreve jashtë. Disa herë ishim kaq shumë në shërbim, saqë e punonim territorin tri herë brenda javës.»
Nuk i linin pas dore, me gjithë kundërshtimin
Grumbullimet e mëdha vazhduan t’u jepnin forcë dhe inkurajim vëllezërve. Sot flitet mjaft mirë për kongreset. Por gjatë periudhave me ndryshime politike dhe sidomos gjatë viteve 60 dhe 70, këto raste shiheshin me dyshim. Elementë brenda qeverisë bënin çmos të kufizonin adhurimin tonë. Ngaqë nuk pranonin të këndonin himnin kombëtar, vëllezërit nuk mund të merrnin lejen e nevojshme nga policia për t’u mbledhur. Më vonë, kufizimet e pakësuan numrin e atyre që mund të merrnin pjesë. Darlington Sefuka kujton: «1974-a ishte viti i fundit që Dëshmitarët e Jehovait mblidheshin në zona të hapura. Ministri i Punëve të Brendshme njoftoi se nuk mund të mbahej asnjë mbledhje publike, nëse nuk këndohej himni kombëtar dhe nuk ekspozohej flamuri.» Megjithatë, vëllezërve iu lejua të mblidheshin në Sallat e Mbretërisë brenda hapësirave të rrethuara me gardh. Për t’u përshtatur me këtë situatë, dega vendosi që asambleja qarkore të mbahej në Sallat e Mbretërisë, ku shpesh merrnin pjesë një ose dy kongregacione.
Edhe kongreset mbaheshin me një numër të vogël të pranishmish. «Në vend që të mbanim një kongres të madh, mbanim 20 të vegjël,—kujton një vëlla që merrte pjesë në organizimin e kongreseve.—Shumë vëllezër u stërvitën dhe u përdorën në programe dhe në reparte, kështu që, kur ndalimi u hoq, kishim mjaft burra me përvojë për organizimin e kongreseve dhe të asambleve.»
Pagëzimet
Që në fillim të viteve 40, u bënë përpjekje për t’u siguruar që kandidatët për pagëzim, të kuptonin plotësisht domethënien e këtij hapi. Disa e kishin të vështirë të shkëputeshin tërësisht nga «Babilonia e Madhe» dhe nga praktikat e rreme fetare. (Zbul. 18:2, 4) Ajo që e rëndonte problemin ishte se vetëm pak veta mund të lexonin mirë dhe shumë kongregacione nuk merrnin sasi të mjaftueshme me botime ndihmëse për studimin e Biblës. Si pasojë, mbikëqyrësit qarkorë dhe krahinorë intervistonin çdo kandidat për pagëzim, për të parë nëse ai ose ajo kualifikohej. Xhefri Huilleri, një i diplomuar i klasës së 33-të të Galaadit, kujton: «Këqyrnim me kujdes foshnjat e nënave që donin të pagëzoheshin, për të parë se mos kishin rruzare ose nuska. Shpesh rrinim deri në mesnatë çdo ditë të javës së asamblesë; kishte kaq shumë kandidatë.» Ndihma e dashur që mbikëqyrësit udhëtues u dhanë pleqve të kongregacioneve, botimet e mëvonshme, si «Fjala jote është një llambë për këmbën time», dhe përmirësime të tjera organizative, kontribuan që të mos kishte kaq nevojë për këto intervista.
Ethet e skenës!
Dramat biblike me kostume mbeten ndër veçoritë më të pëlqyera të kongreseve. Çdo pjesëmarrës e merr seriozisht përgjegjësinë për të përçuar emocionet e personazhit të tij dhe pak prej tyre janë të ndrojtur. Frenk Luisi, një ish-misionar dhe tani anëtar i familjes Bethel në Shtetet e Bashkuara, kujton: «Dramat e para nuk i kishim të regjistruara. Vëllezërit që luanin role të ndryshme, duhej t’i mësonin përmendësh pjesët e tyre. Më kujtohet kur shkova në një asamble në provincën veriore ku u zhvillua drama e parë që fliste për Jozefin. Meqë posta ishte paksa e ngadaltë dhe dorëshkrimi nuk kishte mbërritur ende, na u desh të punonim deri natën vonë që t’i ndihmonim vëllezërit t’i mësonin përmendësh pjesët. Gjatë dramës, në skenën ku gruaja e Potifarit bërtiti e i tha të shoqit se Jozefi ishte përpjekur ta përdhunonte, vëllanë që luante rolin e Potifarit e zunë ethet e skenës dhe iku nga podiumi. Unë isha prapa skenës si sufler dhe e pashë që po dilte nga skena. I kujtova me të shpejtë rreshtat e parë të pjesës së tij dhe e shtyva përsëri në skenë. Atëherë, në një mënyrë të shkëlqyer, i shprehu qartë fjalët përbuzëse për njeriun që akuzohej për tentativë përdhunimi. Edhe pse për pak ky rast do të përbënte një incident të vogël në kongres, sa herë që lexoj këtë tregim biblik, mendoj: ‘Ndoshta ndodhi vërtet kështu. Mbase nga zemërimi Potifari iku nga dhoma, mblodhi veten dhe pastaj u kthye që të dënonte Jozefin.’»
Në vitin 1978 u zbut ndalimi qeveritar, që prej katër vjetësh kufizonte madhësinë e auditorit të asambleve e të kongreseve. Prandaj atë vit ishte një sfidë të mbahej kongresi «Besimi ngadhënjyes». Një ish-mbikëqyrës udhëtues kujton: «Në atë kongres bëmë të gjitha dramat që nuk kishim mundur t’i bënim vitet e mëparshme kur ishim të detyruar të mblidheshim në Sallat e Mbretërisë. Kongresi zgjati pesë ditë dhe patëm pesë drama, një çdo ditë. Bëmë të gjitha dramat që nuk i kishim bërë dot më parë. Ishte një gjë shumë e bukur, por sfiduese për vëllezërit e dërguar nga Betheli, të cilëve iu desh t’i rishikonin tërë ato drama. U desh goxha punë.»
Një anëtar i Komitetit të Degës tha: «Mund ta them me plot gojën se nuk kam ndjekur asnjëherë kongrese më të këndshme. Në mëngjes familjet dalin nga kasollet e tyre të vogla dhe janë kaq të rregullta e të pastra. Vijnë para Jehovait të veshur mirë. Shpesh nuk ulen në hije, por në diell. E prapëseprapë rrinë aty tërë ditën dhe tërësisht të përqendruar. Është bukur t’i shohësh.» Të mbledhurit bashkë është pjesë thelbësore e adhurimit për Dëshmitarët e Jehovait. (Hebr. 10:24, 25) Pavarësisht nëse janë ose jo «të pikëlluar» për shkak të vështirësive personale a kundërshtimit fetar, populli i Jehovait e di se pjesëmarrja në grumbullimet e mëdha është një arsye për të qenë ‘gjithnjë të gëzuar’.—2 Kor. 6:10.
Ndërtimi i Sallave të Mbretërisë
«Me anë të kësaj letre e autorizoj kongregacionin e lartpërmendur që të ketë truallin e vet. Ky truall jepet përgjithmonë dhe jam dakord që ata të rrinë aty për 150 vjet. Askush nuk duhet t’i shqetësojë deri në Parajsë.»—Kreu fisnor Kalileli.
Që në fillim të shekullit të kaluar ata që po kërkonin të vërtetën në jug të Afrikës e kuptuan se kishin nevojë të mblidheshin bashkë për të adhuruar. Rreth vitit 1910 Uilliam Xhonstoni raportonte se grupet që rriteshin me shpejtësi, ndërtonin vende për mbledhje me materiale tradicionale, dhe disa prej tyre ishin aq të mëdha, sa mund të mbanin 600 veta. Edhe pse shumë vëllezër mezi pritnin të kishin vende adhurimi, nuk mendonin të gjithë të njëjtën gjë. Holland Mushimba, i pari që mësoi të vërtetën në fillim të viteve 30, kujtonte: «Megjithëse vëllezërit vendës nxiteshin të ndiqnin mbledhjet për të adhuruar, nuk i jepnin shumë rëndësi një vendi adhurimi të rregullt. Mblidheshim në çdo vend të përshtatshëm nën hijen e një peme të madhe ose në oborrin e ndonjë vëllai. Disa, që bazoheshin te Luka 9:58, kishin këtë pikëpamje: edhe Jezui nuk kishte një vend të caktuar për t’u mbledhur çdo herë, pse pra të shqetësohemi për të ndërtuar një të tillë?»
Para vitit 1950 shumica e vendeve ku mbaheshin mbledhjet ishin struktura të thjeshta e të brishta, të bëra me trungje të palëmuara dhe baltë. Në rajonin plot aktivitet të Koperbeltit, Jan Fergusoni bindi administratorin e një miniere që të jepte një vend për një Sallë Mbretërie. Më 1950 u ndërtua Salla e parë e Mbretërisë në Vusikili. Do të kalonin dhjetë vjet derisa vëllezërit të hartonin planet për ndërtimin sipas standardeve. Salla e parë e Mbretërisë që u ndërtua sipas këtyre planeve, ishte një strukturë e shkëlqyer me çati të sheshtë që kushtoi, sipas valutës së Zambies, rreth 12.000 kuaça. Ndonëse në atë kohë ishte një shumë e konsiderueshme, në ekonominë e sotme të goditur nga inflacioni është e barabartë me më pak se tri euro.
Ngaqë nuk pranuan të blinin tesera partie, Dëshmitarët hasnin gjithnjë stuhi dhune të nxitura nga militantët patriotë. U dogjën disa vende adhurimi. Të alarmuar nga mundësia e sulmeve të tjera, disa vëllezër menduan se ishte më mirë të mos ndërtonin vende adhurimi, por të mblidheshin në vende të hapura. Pas kufizimeve të tjera në fillim të viteve 70, u bë gjithnjë e më e vështirë të gjeje troje. Ndonëse dihej mirë që Dëshmitarët e Jehovait nuk përkrahnin asnjë parti, autoritetet në disa zona këmbëngulën që çdo fletë-kërkese t’i bashkëngjitej një teserë partie.
Uiston Sinkala kujton: «Ishte e vështirë të gjenim një vend, e jo më të merrnim leje ndërtimi. Kur i thamë këshillit bashkiak se do t’i hidhnim në gjyq, menduan se po bënim shaka. Megjithatë gjetëm një avokat të zotë dhe, pas dy vjetësh, gjykata vendosi në favorin tonë dhe e urdhëroi këshillin të na jepte një truall. Ky rast hapi rrugën për liri të tjera.»
Kali i zi
Rrallë ndodhte që kongregacioneve t’u jepeshin troje me tapi. Shpesh vëllezërit gjenin troje të pashfrytëzuara, por pa pasur dokumentet ligjore, nuk mund të bënin një ndërtesë të përhershme. Materialet ishin të kushtueshme dhe shumë vëllezër përdornin llamarina ose fuçi nafte bosh që i çanin, i hapnin dhe i mbërthenin me gozhda mbi një strukturë prej druri. Duke folur për një strukturë të tillë, një plak tha: «I kishim lyer llamarinat me zift dhe nga larg salla dukej si një kalë i madh i zi. Brenda, nxehtësia ishte e padurueshme.»
Një ish-mbikëqyrës qarkor tha: «Kur mendoj për të kaluarën, ndihem në siklet t’i quaj ato struktura Salla Mbretërie. Në të vërtetë nuk ishin të përshtatshme për të përfaqësuar Perëndinë Më të Lartë, Jehovain.»
Disa kongregacione vendosën të merrnin salla me qira. Megjithëse dukej një zgjidhje jo e kushtueshme, kishte problemet e veta. Idris Mundi, e cila bënte pjesë në të vetmin kongregacion anglez në Lusakë në vitet 70, kujton: «Morëm me qira një sallë që përdorej edhe si disko. Çdo të shtunë njerëzit pinin dhe kërcenin deri në orët e para të mëngjesit dhe na duhej të shkonim të dielave herët për të pastruar. Salla mbante erë birre dhe cigareje; nuk ishte e përshtatshme të adhuroje Jehovain në një vend të tillë.»
Burri i Idrisit, Xheksoni, kujton: «Një të diel, në mes të programit, një i ri hyri brenda, eci mes për mes dhe shkoi përpara auditorit, mori një arkë me birra që e kishte lënë një natë më parë, dhe doli pa u kushtuar vëmendje të pranishmëve.» Nuk habitemi që vëllezërit dëshironin fort të kishin Sallat e tyre të Mbretërisë.
Një program që hyri në histori
Ndërsa më shumë njerëz i përgjigjeshin mesazhit të Mbretërisë, nevoja për salla dinjitoze bëhej gjithnjë e më e madhe. Gjithsesi, pavarësisht nga entuziazmi dhe zelli i madh, disa vëllezër mezi siguronin ushqim për familjet e veta, e jo më të kontribuonin për një Sallë Mbretërie. Jehovai, dora e të cilit nuk është kurrë e shkurtër, po ruante një surprizë të këndshme.
Nga një sondazh doli se kishte nevojë për më tepër se 8.000 Salla Mbretërie në 40 vende në zhvillim anembanë botës, ndaj Trupi Udhëheqës vendosi të përshpejtonte ndërtimin e tyre. U kuptua se në disa zona mund të mos kishte shumë zanatçinj që të ndihmonin për projektet. Edhe vegla nuk kishte mjaftueshëm. Për më tepër, në vendet në zhvillim mjaft kongregacione nuk mund të shlyenin hua të mëdha. Gjithashtu, degët në disa zona e kishin të vështirë të bënin një program të organizuar, pasi numri i lajmëtarëve rritej me të shpejtë. Duke i pasur parasysh tërë këto, Trupi Udhëheqës formoi një komitet projektim/ndërtimi në Shtetet e Bashkuara për të mbikëqyrur zhvillimin e programeve të ndërtimit të Sallave të Mbretërisë në mbarë botën. U nxorën udhëzime për ndërtimin e Sallave të Mbretërisë në vendet me të ardhura të kufizuara dhe u caktuan vullnetarë të aftë për të punuar në projekte të ndryshme ndërkombëtare.
Disa herë metodat dhe idetë tradicionale të ndërtimit kishin nevojë të ndryshonin. Për shembull, në Zambie gratë i përkrahnin projektet e ndërtimit duke ndihmuar për të nxjerrë ujë, për të mbajtur rërë dhe për të gatuar. Por skuadrat e ndërtimit donin t’i përfshinin motrat drejtpërdrejt në ndërtim dhe ta shfrytëzonin plotësisht të gjithë krahun e punës.
Kreu i një fisi në provincën lindore nuk u besonte syve kur pa një motër që po ndërtonte një mur për Sallën e Mbretërisë. Ai tha i entuziazmuar: «U bëra kaq, por s’kam parë kurrë një grua të bëjë mur dhe ta bëjë kaq mirë! Ndihem i mrekulluar të shoh këtë gjë.»
«Spitali ynë frymor»
Programi i ndërtimit ka pasur një ndikim të thellë te komunitetet. Mjaft njerëz që dikur ishin indiferentë ose i kundërshtonin Dëshmitarët e Jehovait, tani janë më tolerantë. Për shembull, kreu i një fisi në provincën lindore, që në fillim e kundërshtoi ndërtimin e Sallave të Mbretërisë në zonën e tij, tha: «Kur e refuzova projektin tuaj, u ndikova nga kleri i grupeve të tjera fetare. Por tani po e shoh se ju jeni këtu për një qëllim të mirë. Kjo ndërtesë e bukur është tani spitali ynë frymor.»
Vepra kryesore e të krishterëve është predikimi i ‘lajmit të mirë për mbretërinë’. (2 Kor. 6:5; Mat. 24:14) Megjithatë, ashtu si fryma e shenjtë e nxit popullin e Perëndisë të predikojë, po kështu ajo e shtyn të punojë pa u lodhur për të çuar përpara interesat e Mbretërisë. Kjo përfshin ndërtimin e vendeve dinjitoze për mbledhjet. Kongregacionet e kanë edhe më të qartë këtë. Një vëlla tha: «Tani ndihemi të sigurt kur shkojmë në shërbim dhe i ftojmë njerëzit në mbledhje, sepse e dimë që ata nuk do të hyjnë në një kasolle, por në një Sallë Mbretërie që i jep lavdi Jehovait.»
Një vëlla tjetër tha: «Ne mund të mos e meritojmë një Sallë Mbretërie kaq të bukur në mes të kësaj zone të humbur, por Jehovai e meriton. Jam i lumtur që Jehovait i është dhënë lavdi me vende adhurimi më të mira.»
Vepra udhëtuese
Qëndrueshmëria është e domosdoshme për shërbëtorët e Perëndisë. (Kolos. 1:24, 25) Mbikëqyrësit udhëtues janë një shembull i atyre që japin shumë nga vetja për të çuar përpara interesat e Mbretërisë. Mundi i tyre si barinj të dashur në forcimin e kongregacioneve, ka treguar se janë «dhurata në njerëz».—Efes. 4:8; 1 Sel. 1:3.
Në fund të viteve 30, burra të zotë po stërviteshin që të shërbenin si shërbëtorë zone dhe krahine, siç quheshin në atë kohë mbikëqyrësit qarkorë e krahinorë. «Të udhëtoje nëpër kongregacione nuk ishte e lehtë,—kujton Xhejms Muango.—Na dhanë biçikleta, por vëllezërit duhej të na shoqëronin, që të na ndihmonin duke mbajtur plaçkat tona në krahë. Duheshin disa ditë për të mbërritur në vendet e caktuara. Kalonim dy javë me çdo kongregacion.»
«Menjëherë i ra të fikët»
Ashtu si edhe sot, dikur udhëtimet nëpër fshatra ishin të vështira. Robinson Shamuluma, i cili është mbi 80 vjeç, shërbeu në veprën udhëtuese bashkë me gruan, Julianën. Robinsonit i kujtohet kur e zuri një shtrëngatë e madhe gjatë një stine me reshje. Pas shtrëngatës, nuk kishte asnjë pengesë rrugës, vetëm se duhej të kalonin përmes baltës që arrinte deri te ndenjëset e biçikletave. Kur arritën në kongregacionin vijues, Juliana ishte kaq e rraskapitur, saqë nuk kishte fuqi as të pinte ujë.
Enok Çirua, që shërbeu në veprën qarkore dhe krahinore gjatë viteve 60 e 70, shpjegon: «E hëna ishte një ditë goxha e vështirë; ishte një ditë udhëtimi. Por, kur mbërrinim në kongregacione, e harronim udhëtimin. Ndiheshim të lumtur që ishim me vëllezërit.»
Largësia dhe vështirësitë e udhëtimit nuk ishin pengesat e vetme. Gjatë një udhëtimi për të vizituar një kongregacion në veri të vendit, Lemp Çisenga shoqërohej nga dy vëllezër. Në një rrugë me pluhur panë nga larg një kafshë. «Vëllezërit nuk arrinin ta shihnin mirë,—tha vëlla Çisenga.—Ajo rrinte ulur në rrugë si një qen. ‘A e shihni?—pyeta unë.—A e shihni?’ Atëherë një nga vëllezërit dalloi formën e një luani. Ai bërtiti nga frika dhe menjëherë i ra të fikët. Vendosëm të pushonim pak aty derisa luani u zhduk përmes shkurreve.»
Xhon Xhejsëni dhe e shoqja, Keji, që për një pjesë të 26 vjetëve në Zambie shërbyen në veprën krahinore, mësuan sa e nevojshme ishte të duronin kur pësonin ndonjë avari. Xhoni tha: «Më kujtohet që e kam ngarë makinën për 150 kilometra me amortizatorë të thyer, meqë nuk kishim as pjesë këmbimi, as një vend ku të kërkonim ndihmë. Por pas njëfarë udhe, makina u prish. Ngaqë kishim ngecur me automjetin e tejnxehur, mund të bënim vetëm një gjë: me ujin që mbanim për të ftohur motorin, të përgatitnim filxhanin e fundit të çajit. Të izoluar, në pikë të vapës dhe të lodhur u ulëm në makinë dhe iu lutëm Jehovait për ndihmë. Në orën tre të pasdites kaloi një automjet për mirëmbajtjen e rrugëve, i pari për atë ditë. Duke parë gjendjen tonë, skuadra e mirëmbajtjes na rimorkioi makinën. Mbërritëm te vëllezërit pak para muzgut.»
Mësojnë të kenë siguri
Në rrethana të tilla, mbikëqyrësit udhëtues mësojnë shpejt të mos kenë siguri tek aftësitë e veta ose te gjërat materiale, por te burime më të besueshme mbështetjeje—Perëndia Jehova dhe vëllazëria e krishterë. (Hebr. 13:5, 6) «Hasëm një vështirësi vetëm tri javë pasi kishim filluar veprën krahinore,—kujton Xhefri Huiller.—Ndodheshim në vendin ku do të mbahej asambleja gati për programin e fundjavës. Më kishin dhënë një sobë gatimi që nuk punonte mirë. Ishte një ditë e nxehtë e me erë dhe, sapo ndeza sobën, një flakë u përhap lart me vrull. Brenda pak minutash zjarri kishte dalë jashtë kontrollit. Goma që ishte në pjesën e përparme të Land Roverit tonë mori zjarr dhe menjëherë flakët gllabëruan krejt automjetin.»
Humbja e automjetit ishte një nga të këqijat që na ndodhi, por do të pësonim edhe të tjera. Xhefri thotë: «Rrobat tona gjendeshin në bagazhin e zi prej çeliku të Land Roverit. Ato nuk u dogjën, por u prishën. Vëllezërit u afruan në anën e makinës që nuk kishte marrë flakë dhe shpëtuan krevatin, një këmishë dhe makinën time të shkrimit. Sa mirënjohës ishim që e menduan shpejt këtë gjë!» Gjërat e tyre personale u zhdukën me makinën e rrënuar dhe sipas programit nuk duhej të ktheheshin në qytet për dy muaj. Si ia dolën? Xhefri thotë: «Një vëlla më dha hua një kollare dhe mbajta fjalime publike i veshur me galloshe. Mbijetuam, dhe vëllezërit bënë gjithçka mundën për të ngushëlluar mbikëqyrësin e tyre krahinor të papërvojë.»
Një krevat i sigurt nga gjarpërinjtë
Dashuria dhe interesimi i kongregacioneve që ‘ndjekin udhën e mikpritjes’, i forcon mbikëqyrësit udhëtues dhe gratë e tyre që të vazhdojnë në këtë vepër vetësakrifikuese. Ka tregime të pafundme për kongregacionet që, edhe pse vetë janë në nevojë nga ana materiale, me dashuri u kanë plotësuar nevojat mbikëqyrësve e grave të tyre, dhe kjo çmohet thellë.—Rom. 12:13; Prov. 15:17.
Gjërat për mbikëqyrësit udhëtues, si strehimi ose ushqimi, zakonisht janë të thjeshta, por gjithnjë sigurohen me një frymë dashurie. Fred Kashimotoja, që shërbeu si mbikëqyrës qarkor në fillim të viteve 80, kujton një natë kur mbërriti në një fshat të provincës veriore të Zambies. Vëllezërit e mikpritën ngrohtësisht. Pasi hynë të gjithë në një shtëpi të vogël, vëllezërit i vunë valixhet e tij mbi një tryezë të madhe të bërë me hunj rreth 1,5 metra të lartë. Kur erdhi ora për të fjetur vëlla Kashimotoja pyeti: «Ku do të fle?»
Duke treguar tryezën vëllezërit u përgjigjën: «Ja ku është krevati—atje!» Me sa duket, meqë kishte shumë gjarpërinj, ata kishin bërë një krevat më të sigurt. Pasi shtruan rrotulla me bar në vend të dyshekut, vëlla Kashimotoja u shtri për të kaluar natën.
Në zonat rurale shpesh dhuratat janë produkte bujqësore. Xhefri Huilleri kujton me një buzëqeshje: «Në një rast vëllezërit na dhanë një pulë. E vumë mbi një shkop të varur sipër gropës që përdorej si banjë, përpara se të binte muzgu. Por ajo e shushatura kërceu nga shkopi dhe ra brenda në gropë. Arritëm ta nxirrnim gjallë me një shat. Pastaj gruaja e lau me ujë të ngrohtë dhe sapun e me mjaft dezinfektues. E gatuam në fund të javës, dhe ishte shumë e shijshme.»
Edhe çifti Xhejsën përfitoi nga një bujari e tillë. «Herë pas here vëllezërit na jepnin nga një pulë të gjallë,—tha Xhoni.—Kishim një shportë të vogël ku mbanim një pulë ndërsa udhëtonim nëpër krahinë. Çdo mëngjes ajo bënte një vezë, prandaj nuk e thernim. Kur paketonim plaçkat për të shkuar në një vend tjetër, ajo e bënte të qartë se donte të vinte me ne.»
Filmat
Duke filluar nga viti 1954, nisi një fushatë nxitëse arsimimi biblik me filmin Shoqëria Bota e Re në veprim si dhe me disa filma të tjerë. «Ai film nxiti mjaft veta që të bënin më shumë përpjekje si në shërbim, ashtu edhe në kongregacion»,—thuhej në një raport nga zyra e degës në atë kohë. Disa përvetësuan një shprehje kur çmontonin pajisjet e vendit të asamblesë pas një shfaqjeje filmi: «Le ta bëjmë sipas mënyrës ‘Shoqëria Bota e Re në veprim’»,—që do të thoshte «në mënyrë energjike». Vitin e parë kur u shfaq, këtë film e panë mbi 42.000 veta, përfshirë edhe përfaqësues të qeverisë dhe të arsimit të cilëve u bëri përshtypje. Përfundimisht, më tepër se një milion njerëz në Zambie u njohën me Dëshmitarët e Jehovait dhe organizatën e tyre të krishterë.
Uejn Xhonsoni kujton sa ndikim pati kjo fushatë. Ai thotë: «Filmat tërhoqën njerëz që jetonin goxha larg dhe i ndihmuan shumë që të njihnin organizatën e Jehovait. Shpesh gjatë programit kishte duartrokitje të gjata dhe gjithë entuziazëm.»
Për ca kohë, në asambletë qarkore, të shtunave gjatë sesionit të pasdites, shfaqej një nga këto filma. Në zonat e humbura kjo ishte një përvojë emocionuese. Fushata pati një ndikim të fuqishëm, megjithëse ata që nuk e njihnin jetën e vendeve të tjera, i keqkuptuan disa skena. Në një film tregoheshin grumbuj njerëzish që dilnin nga një metro në qytetin e Nju-Jorkut. Një pjesë e madhe mendonte se ky ishte një përshkrim i ringjalljes. Gjithsesi, filmat i ndihmuan njerëzit të mësonin më tepër për Dëshmitarët e Jehovait. Por kohët po ndryshonin dhe dëshira gjithnjë në rritje për pavarësi kombëtare, do t’i kthente kundër vëllezërve mjaft nga banorët e Zambies. Si kongregacionet, ashtu edhe mbikëqyrësit udhëtues do të ndeshnin rrethana që do të kërkonin edhe më shumë qëndrueshmëri.
Ndërhyrje politike
Më 24 tetor 1964 Rodezia Veriore fitoi pavarësinë nga Britania dhe u bë Republika e Zambies. Gjatë kësaj periudhe u shtua tensioni politik. Asnjanësia e Dëshmitarëve të Jehovait u keqinterpretua si përkrahje e heshtur për vazhdimin e sundimit kolonial.
Lemp Çisenga kujton se gjatë asaj kohe po udhëtonte në zonën e liqenit Bangueulu. Ai planifikoi të merrte një barkë për në zonat ishullore që të vizitonte peshkatarët që ishin Dëshmitarë. Në fillim udhëtoi me një autobus deri buzë liqenit. Pasi zbriti, i kërkuan të tregonte një teserë partie. Natyrisht që nuk kishte. Grupi me anëtarët e partisë i mori valixhen. Pastaj një prej tyre pa një kuti me mbishkrimin «Kulla e Rojës». Ai i fryu fort bilbilit dhe filloi të thërriste: «Kulla e Rojës! Kulla e Rojës!»
Nga frika se mos niste ndonjë trazirë, një zyrtar e shtyu Lempin brenda në autobus bashkë me çantat. Ishte mbledhur një turmë e madhe dhe nisi të qëllonte me gurë autobusin, derën, gomat dhe dritaret. Shoferi u nis me shpejtësi dhe udhëtoi pa u ndalur deri në Samfjë, rreth 90 kilometra larg. Gjatë natës situata u qetësua. Të nesërmen në mëngjes, Lempi, pa u shqetësuar, hipi në varkë që të vizitonte kongregacionet e vogla përreth liqenit.
«Përmes qëndrueshmërisë në shumë gjëra», mbikëqyrësit udhëtues vazhdojnë ta rekomandojnë veten si shërbëtorë të Perëndisë. (2 Kor. 6:4) Fanuell Çisenga, qarku i të cilit përfshinte një zonë përgjatë lumit Zambez, thotë: «Të shërbesh si mbikëqyrës qarkor kërkon përkushtim me gjithë shpirt dhe vetësakrifikim.» Të shkoje nëpër kongregacionet në këtë zonë përfshinte udhëtime të gjata me kaike të vjetra e të shpuara nëpër një lumë ku një hipopotam i egërsuar mund të ta thyente kaiken si një degëz të thatë. Çfarë e ndihmoi Fanuellin të vazhdonte në veprën qarkore? Teksa këqyr një fotografi me pjesëtarë të një kongregacioni që e shoqëruan deri në një anë lumi, duke buzëqeshur, tregon njërin burim që e motivonte—vëllezërit dhe motrat. I zhytur në mendime, ai pyet: «Ku tjetër mund të gjesh fytyra të tilla të lumtura në këtë botë të egër?»
Asnjanësia
«Kush është ushtar, nuk përzihet në çështjet e botës, me qëllim që të kënaqë oficerin që e ka rekrutuar.» Kështu shkroi apostulli Pavël. (2 Tim. 2:4, Uejmauth) Që të mbeten tërësisht në dispozicion të Udhëheqësit të tyre, Jezu Krishtit, nga të krishterët kërkohet të mos përfshihen në sistemet politike dhe fetare të botës. Për shkak të këtij qëndrimi, të krishterët e vërtetë, që dëshirojnë të mbeten asnjanës ndaj çështjeve të botës, kanë hasur vështirësi dhe «shtrëngime».—Gjoni 15:19.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore shumë vëllezër u trajtuan brutalisht, ngaqë nuk ishin «patriotë». «Pamë të moshuar që i flakën në një kamion si thasë me misër, ngaqë nuk pranuan të kryenin shërbimin ushtarak,—kujton Benson Xhaxhi, që më vonë u bë një mbikëqyrës udhëtues i zellshëm.—I dëgjonim ata burra të thoshin: ‘Tixafera za Mulungu’ (Do të vdesim për hir të Perëndisë).»
Megjithëse në atë kohë nuk ishte pagëzuar, Mukosiku Snali kujton mirë se gjatë luftës dilte shpesh çështja e asnjanësisë. «Nga të gjithë kërkohej të gërmonin dhe të mblidhnin rrënjët e hardhisë mambongo, që prodhon një lëng të bardhë të çmuar. Rrënjët zhvisheshin e rriheshin që të formoheshin shirita, dhe këto i bënin dengje që më vonë i përpunonin si zëvendësues të gomës gjatë prodhimit të çizmeve për personelin ushtarak. Dëshmitarët nuk pranuan t’i mblidhnin këto rrënjë, sepse kjo punë lidhej me luftën. Si pasojë vëllezërit u ndëshkuan, ngaqë nuk bashkëpunuan. Ata u quajtën ‘elementë të padëshirueshëm’.»
Jozef Mulemua ishte një i tillë, «i padëshirueshëm». Ai kishte lindur në Rodezinë Jugore dhe kishte vajtur në provincën perëndimore të Rodezisë Veriore më 1932. Disa thoshin se ai i nxiste njerëzit të mos i kultivonin fushat, meqë ‘Mbretëria ishte afër’. Këtë akuzë të rremë e përhapi një klerik i misionit Mavumbo, që e urrente Jozefin. Vëllanë e arrestuan dhe i vunë prangat me një të sëmurë mendor. Disa shpresonin që ai të sulmonte Jozefin. Por Jozefi e qetësoi të sëmurin. Pasi e liruan, Jozefi vazhdoi të predikonte dhe të vizitonte kongregacionet. Vdiq besnik në mes të viteve 80.
Të forcuar për të përballuar sprovat
Fryma e nacionalizmit dhe tensioni brenda komuniteteve çuan në kërcënimin e atyre që nuk merrnin pjesë në politikë për shkak të ndërgjegjes. Ndonëse atmosfera në vend ishte e nderë, asambleja kombëtare në Kitve, në vitin 1963, me temë «Shërbëtorë të guximshëm», dëshmoi për paqen dhe unitetin që ekziston mes Dëshmitarëve të Jehovait. Pothuajse 25.000 delegatë, disa prej të cilëve erdhën me tenda dhe karvanë për këtë ngjarje pesëditore, gëzuan programin në njërën nga katër gjuhët që u mbajt. Ishte domethënës fjalimi i Milton Henshelit i cili u përqendrua te marrëdhënia e të krishterëve me shtetin. Frenk Luisi sjell ndër mend: «Më kujtohet se na tha t’i ndihmonim vëllezërit të kuptonin çështjen e asnjanësisë. Sa të lumtur ishim për këshillën në kohën e duhur, sepse shumica e vëllezërve në Zambie përballuan sprova të rënda më pas dhe qëndruan besnikë ndaj Jehovait!»
Gjatë viteve 60, përndjekja ndaj Dëshmitarëve të Jehovait ishte e egër dhe shumë e përhapur. Veç kësaj, atyre iu shkatërruan pronat. Shtëpi dhe Salla Mbretërie u rrafshuan. Është për t’u vlerësuar që qeveria reagoi dhe burgosi shumë prej atyre që ishin përfshirë në kërcënimin e Dëshmitarëve. Kur Rodezia Veriore u bë Republika e Zambies, Dëshmitarëve të Jehovait iu kushtua interes i veçantë në një nen për të drejtat themelore të njeriut, në kushtetutën e re. Megjithatë, shpejt, një valë patriotizmi do të përplasej në një shënjestër që nuk pritej.
Simbolet kombëtare
Në ditët e kolonisë fëmijët e Dëshmitarëve të Jehovait ndëshkoheshin se, për arsye fetare, nuk përshëndetnin flamurin britanik. Gjithashtu ndëshkoheshin ngaqë nuk pranonin të këndonin himnin kombëtar. Pas një deklarate që iu bë autoriteteve, departamenti i arsimit e zbuti qëndrimin dhe shkroi: «Pikëpamjet [e grupit] tuaj për përshëndetjen e flamurit njihen gjerësisht dhe respektohen, e asnjë fëmijë nuk duhet të ndëshkohet në ndonjë mënyrë ngaqë nuk pranon të përshëndetë flamurin.» Kushtetuta e re republikane ngjalli shpresa se liritë themelore, përfshirë lirinë e ndërgjegjes, të mendimit dhe të fesë, do të mbroheshin. Por vendosja e një flamuri dhe e një himni të ri çoi në një valë patriotizmi. Në shkolla u futën përsëri më me forcë përshëndetja e përditshme e flamurit dhe këndimi i himnit kombëtar. Megjithëse për disa të rinj Dëshmitarë u bënë përjashtime, mjaft të tjerë i rrahën dhe madje i dëbuan nga shkolla.
Një ligj i ri për arsimin që u miratua më 1966, dha arsye për të pasur shpresë. Në të përfshihej një ndryshim që e lejonte një prind ose kujdestar të kërkonte që fëmija të përjashtohej nga shërbimet ose ritet fetare. Si rrjedhim mjaft fëmijë që i kishin pezulluar ose përjashtuar nga shkolla, i lejuan të ktheheshin përsëri. Por, pak kohë më vonë dhe me njëfarë fshehtësie, këtij ligji iu shtuan disa rregulla që i përkufizonin flamurët dhe himnet si simbole jofetare që nxitnin vetëdijen kombëtare. Pavarësisht nga diskutimet e vëllezërve me autoritetet qeveritare, nga fundi i vitit 1966, mbi 3.000 fëmijë i dëbuan nga shkolla ngaqë mbajtën një qëndrim asnjanës.
Jo shkollë për Felijën!
Kishte ardhur koha për të provuar ligjshmërinë e një veprimi të tillë. U zgjodh një rast si provë. Felija Kaçasu ndiqte rregullisht shkollën në Bujantansh të Koperbeltit. Edhe pse njihej si nxënëse shembullore, e dëbuan nga shkolla. Frenk Luisi kujton se si mbërriti në gjyq kjo çështje: «Zoti Riçmond Smith paraqiti çështjen tonë, që nuk ishte e lehtë, pasi ishte kundër qeverisë. Kur dëgjoi Felijën që i shpjegoi përse nuk e përshëndeste flamurin, ai u bind që ta merrte përsipër çështjen.»
Dailesa Musonda, edhe ajo në atë kohë nxënëse në Lusakë, thotë: «Kur çështja e Felijës mbërriti në gjyq, pritnim me padurim një rezultat të mirë. Disa vëllezër udhëtuan nga Mufulira për të marrë pjesë në sesionet e gjyqit. Më ftuan edhe mua bashkë me motrën time. Kujtoj Felijën në gjyq me një kapelë të bardhë dhe një fustan me ngjyrë të zbehtë. Procesi zgjati tri ditë. Në atë kohë kishim ende disa misionarë në vend; vëlla Filipsi dhe vëlla Fergusoni erdhën të dëgjonin. Menduam se prania e tyre do të ndihmonte.»
Kryetari i gjyqit dha përfundimin: «Nuk ka asgjë në këtë çështje që të lë të kuptosh se me veprimet e tyre Dëshmitarët e Jehovait tregojnë mungesë respekti për himnin kombëtar ose flamurin kombëtar.» Megjithatë, deklaroi që këto ceremoni nuk ishin fetare dhe pavarësisht nga bindjet e sinqerta të Felijës, ajo nuk mund të pretendonte të përjashtohej nga nenet e ligjit për arsimin. Sipas tij, ceremonitë ishin në interes të sigurisë kombëtare. Nuk u shpjegua aspak si do t’u shërbente interesave të njerëzve imponimi i një kërkese të tillë te një minorene. Felijës nuk i lejohej të shkonte në shkollë, për sa kohë të kishte bindjet e saj të krishtere.
Dailesa kujton: «U zhgënjyem shumë. Prapëseprapë, lamë gjithçka në duart e Jehovait.» Presionet vazhduan të shtoheshin, dhe Dailesa me të motrën e lanë shkollën më 1967. Në mbarim të vitit 1968, pothuajse 6.000 fëmijë të Dëshmitarëve të Jehovait ishin dëbuar nga shkolla.
Kufizohen mbledhjet publike
Sipas Urdhrit Publik të vitit 1966, të gjitha mbledhjet publike duhej të fillonin me këndimin e himnit kombëtar. Kështu, nuk ishte më praktike të mbaheshin asamble, ku ftohej publiku. Vëllezërit respektuan kërkesat e qeverisë dhe mbanin mbledhje më të mëdha në vende private, shpesh përreth Sallave të Mbretërisë, të rrethuara me bar. Mjaft të interesuar shtyheshin nga kureshtja dhe donin të dinin ç’po ndodhte. Si rrjedhim numri i të pranishmëve u rrit shkallë-shkallë dhe, më 1967 ishin të pranishëm 120.025 veta në Përkujtimin e vdekjes së Krishtit.
«Gjatë asaj periudhe kishte kundërshtime të dhunshme,—kujton Lemp Çisenga.—Në zonën e Samfjës një turmë sulmoi vëlla Mabon nga kongregacioni i Katanshës dhe e vranë. Disa herë vëllezërit i sulmonin gjatë mbledhjeve dhe u dogjën shumë Salla Mbretërie. Megjithatë autoritetet i respektonin Dëshmitarët dhe disa kundërshtarë i arrestuan e i dënuan.»
Forcat e tyre ajrore!
Kundërshtarët vazhduan të bënin akuza të rreme kundër Dëshmitarëve të Jehovait, duke thënë se ishin tejet të pasur dhe do të formonin një qeveri tjetër. Një ditë, sekretari i partisë në pushtet erdhi pa njoftuar në zyrën e degës në Kitve. Vëllezërit morën vesh për vizitën e tij vetëm kur u dyndën grumbuj policësh në portë. Në një mbledhje me përfaqësuesit e degës, ai u acarua. «Ju dhamë leje të ndërtonit këto ndërtesa,—ngriti zërin ai.—Ç’po bëni me to? Mos vallë janë zyrat e qeverisë suaj?»
Disa njerëz me autoritet vazhduan t’u besonin thashethemeve. Në provincën veriperëndimore të Zambies policia përdori gaz lotsjellës për të prishur një kongres. Vëllezërit arritën t’i dërgonin një telegram urgjent zyrës së degës. Një fermer i huaj kishte një aeroplan të vogël dhe çoi disa përfaqësues të tjerë të degës në Kabompo që të ndihmonin në qetësimin e situatës dhe të sqaronin çdo keqkuptim. Mjerisht, kjo gjë nuk ndihmoi dhe aq për të hequr dyshimet e disave që tani thoshin se Dëshmitarët kishin forcat e tyre ajrore.
Në vendin e kongresit vëllezërit mblodhën me kujdes kutitë bosh të gazit lotsjellës. Më pas, kur përfaqësuesit e degës vizituan zyrtarë të qeverisë për të shprehur shqetësimin e tyre, këto kuti u paraqitën si prova të përdorimit të panevojshëm të forcës. Ky incident u bë mjaft i njohur, dhe ra në sy reagimi paqësor i Dëshmitarëve.
Shpjegojmë qëndrimin tonë
Përpjekjet për ta shpallur të jashtëligjshme veprën e Dëshmitarëve të Jehovait u shtuan me shpejtësi. Dega donte t’i shpjegonte qeverisë qëndrimin tonë asnjanës. Smart Firi dhe Jonas Manjoni u zgjodhën të bënin një deklaratë përpara shumë ministrave të qeverisë. Gjatë deklaratës, një ministër i sulmoi me fjalë vëllezërit duke thënë: «Sa do të doja t’ju nxirrja jashtë e t’ju rrihja! A e kuptoni ç’keni bërë? Na keni marrë qytetarët më të mirë, ajkën e shoqërisë, dhe cilët na keni lënë? Ja pra, vrasësit, kurorëshkelësit dhe hajdutët!»
Vëllezërit u përgjigjën menjëherë: «Por, kështu ishin disa prej tyre. Ata ishin hajdutë, kurorëshkelës, vrasës, por falë fuqisë së Biblës kanë bërë ndryshime në jetë dhe janë bërë qytetarët më të mirë të Zambies. Ja pse ju kërkojmë të na lini të predikojmë lirisht.»—1 Kor. 6:9-11.
Dëbime dhe ndalim i pjesshëm
Siç mësuam më parë, misionarët i urdhëruan të largoheshin nga vendi. «S’do ta harrojmë kurrë janarin e vitit 1968,—tha Frenk Luisi.—Një vëlla na telefonoi e na tha se një zyrtar i imigracionit sapo kishte dalë nga shtëpia e tij. Zyrtari i kishte dhënë disa dokumente dëbimi, që i lejonin shtatë ditë të mbaronte punët në Zambie dhe të largohej nga vendi. Shumë shpejt morëm një telefonatë tjetër dhe më pas edhe një tjetër. Së fundi, një nga vëllezërit mori në telefon e tha se kishte dëgjuar që ishte radha e një kompleksi të madh në Kitve.» Me sa duket, këto masa drastike kishin si qëllim të prishnin unitetin e Dëshmitarëve dhe t’i shkurajonin në veprën e tyre të zellshme.
Vitin vijues presidenti autorizoi Urdhrin për Ruajtjen e Sigurisë Publike që e quante të jashtëligjshme veprën shtëpi më shtëpi. Përballë këtij ndalimi të vërtetë vëllezërit duhej të riorganizonin shërbimin, dhe dëshmia joformale do të merrte më tepër rëndësi. Shërbimi ynë i Mbretërisë u bë Letra jonë mujore dhe një pjesë e tij me temë «Të prezantojmë lajmin e mirë» u quajt «Shërbimi ynë i brendshëm». Kjo na ndihmoi të shmangnim vëmendjen e censorëve të qeverisë. Në prill 1971 u raportua një maksimum prej rreth 48.000 studimesh biblike në shtëpi, duke treguar qartë se përpjekjet për të kufizuar veprën nuk arritën t’i shkurajonin vëllezërit.
Klajv Mauntfordi, i cili tani jeton në Angli, shoqërohej me shumë misionarë. Ai kujton: «Një mënyrë se si dëshmonim përfshinte t’i merrnim njerëzit në makinat tona dhe më pas të flitnim me ta për të vërtetën. Revistat i mbanim gjithnjë në makinë, që t’i shihnin menjëherë të gjithë ata që hipnin.»
Ndonëse nuk ishte e jashtëligjshme të bëje biseda biblike, ligji thoshte se duhej marrë leje nga personi i interesuar para se të bëhej një vizitë. Për këtë arsye, disa herë, vëllezërit bënin vizita në shtëpitë e të afërmve, të ish-shokëve të shkollës, të shokëve të punës ose të të tjerëve. Gjatë një vizite shoqërore, biseda mund të drejtohej me takt nga temat biblike. Meqë farefisi ishte i madh, mund të kontaktoheshin shumë të afërm jobesimtarë dhe pjesëtarë të komunitetit.
Në vitin 1975 dega raportonte: «Mijëra lajmëtarë nuk kanë predikuar kurrë shtëpi më shtëpi. Gjithsesi, janë bërë dishepuj të rinj dhe është dhënë një dëshmi e jashtëzakonshme.» Për shkak të kufizimeve ndaj veprës shtëpi më shtëpi, vëllezërit përdornin mënyra të tjera për të dhënë dëshmi. Është tipik shembulli i një vëllai që punonte në arkivin e një departamenti të qeverisë. Puna e tij kishte të bënte me regjistrimin e emrave dhe të hollësive të tjera të qytetarëve. Ai u kushtonte vëmendje të veçantë atyre që kishin emra biblikë dhe i pyeste çfarë dinin për personazhin biblik me të njëjtin emër. Kjo i krijonte mundësi të mëdha për të dhënë dëshmi. Një ditë, në departamentin e tij vajti një nënë me vajzën e saj që quhej Eden. Kur e pyeti gruan ç’do të thoshte fjala «Eden», ajo tha që nuk dinte gjë. Vëllai e shpjegoi shkurtimisht, duke theksuar se në një të ardhme të afërt toka do të bëhej si ajo Parajsë që ishte në fillim në Eden. Me një interes të veçantë gruaja i dha atij adresën e shtëpisë. Edhe burri i saj tregoi interes dhe familja filloi të ndiqte mbledhjet, e përfundimisht disa pjesëtarë u pagëzuan.
Edhe lajmëtarë të tjerë shfrytëzuan punën e tyre në botë që të jepnin dëshmi. Rojdi, i cili punonte në një minierë, shfrytëzonte pushimin e drekës dhe i pyeste shokët e punës se çfarë mendonin për shkrime të ndryshme biblike. Ai i pyeste: «Kush mendoni se është ‘shkëmbi’ që përmendet te Mateu 16:18?» Ose: «Kush është ‘guri i pengesës’ që përmendet te Romakëve 9:32?» Shpesh mblidheshin grupe të mëdha minatorësh, për të dëgjuar shpjegimet nga Shkrimet. Falë këtyre bisedave joformale, mjaft shokë pune të Rojdit bënë përparim dhe u kushtuan e u pagëzuan.
Gjithashtu, qëndrimi i vendosur i të rinjve tanë në shkollë, krijonte mundësi që të tjerët të dëgjonin të vërtetën. Kur një grup fëmijësh nuk pranoi të këndonte këngë patriotike, mësuesi u zemërua dhe e urdhëroi klasën të dilte jashtë. Një nga fëmijët e grupit kujtonte: «Mësuesi duhet të ketë menduar se nuk këndonim dot as këngët tona fetare. Duket se donte të na vinte në lojë me këtë rast. Ai na urdhëroi të ndaheshim sipas feve. Çdo grup duhej të këndonte një ose dy këngë të fesë përkatëse. Kur dy grupe nuk arritën të kujtonin asnjë këngë, mësuesi u drejtua nga ne. Ne filluam të këndonim këngën ‘Kjo është dita e Jehovait’. Duket se këndonim bukur, sepse njerëzit që kalonin pranë shkollës, ndalnin të na dëgjonin. Më pas kënduam këngën ‘Jehovai është bërë Mbret!’ Të gjithë, përfshirë edhe mësuesi, shpërthyen në duartrokitje. U kthyem në klasë. Shumë shokë të klasës na pyetën ku i kishim mësuar këngë kaq të bukura dhe disa erdhën me ne në mbledhje, e më vonë u bënë Dëshmitarë aktivë.»
«Ata që lënë libra»
Gjatë kësaj periudhe vëllezërit treguan se ishin «të kujdesshëm si gjarpërinjtë, e megjithatë të pafaj si pëllumbat». (Mat. 10:16) Për shkak të literaturës së tyre karakteristike dhe ngaqë ishin entuziastë kur përdornin mjetet ndihmëse për studimin e Biblës, Dëshmitarëve të Jehovait u vunë nofkën Abaponia Ifitabo, që do të thotë «ata që lënë libra». Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme të kundërshtarëve që vëllezërit të heshtnin, vepra e predikimit për Mbretërinë vazhdoi me të njëjtin vrull. Ndonëse me raste, gjatë viteve vazhdoi të kishte kundërshtim të dhunshëm. Por nga fundi i viteve 80 kundërshtimi u pakësua.
Gjatë 25 vjetëve pas pavarësisë kombëtare u pagëzuan pothuajse 90.000 veta. Megjithatë numri i lajmëtarëve aktivë u rrit vetëm në 42.000. Cila ishte arsyeja? Vërtet që disa kishin vdekur dhe të tjerë ishin larguar në vende të tjera, por, siç kujton Neldi, i cili shërbeu në zyrën e degës gjatë asaj periudhe, një faktor tjetër ishte frika e njeriut. Shumë vëllezër u bënë të parregullt ose joaktivë në shërbim. Për më tepër pavarësia solli ndryshime. Kishte plot vende të lira në administratë dhe në biznes, në të cilat më parë ishin punonjës që i dëbuan nga vendi. Tani që kishin mundësi të reja për strehim, punësim dhe arsimim, shumë familje nuk përqendroheshin më te gjërat frymore, por te synimet materiale.
Gjithsesi, vepra përparoi. Mbreti i mençur Solomon shkroi: «Në mëngjes mbille farën dhe gjer në mbrëmje mos e lër dorën tënde të pushojë; sepse nuk e di se ku do të ketë sukses, këtu ose atje, apo që të dyja do të jenë njësoj të mira.» (Ekl. 11:6) Vëllezërit u përpoqën të mbillnin fara të së vërtetës që do të lulëzonin kur kushtet të ishin më të favorshme. Për shkak të rritjes së vazhdueshme, më 1976 ishte e nevojshme të blihej një kamion i ri për të shpërndarë sasinë e madhe të literaturës. Më 1982 nisi puna për ndërtimin e godinave të reja të shtypjes, disa kilometra larg Bethelit. Këto zhvillime do të hidhnin themelin për rritjen e ardhshme.
Pak vende në Afrikën Qendrore kanë gëzuar atë paqe dhe mungesë konfliktesh civile që ka gëzuar Zambia. Ndërsa tani rrethanat janë tejet të favorshme ‘për të shpallur lajmin e mirë për gjëra të mira’, kujtimet e ditëve me ‘shtrëngime’ shërbejnë për të frymëzuar besnikët që të vazhdojnë me zell ‘të mbledhin frytin për jetë të përhershme’.—Rom. 10:15; 2 Kor. 6:4; Gjoni 4:36.
Zgjerimi i degës
Në vitet 30 Luelin Filipsi dhe bashkëpunëtorët e tij u kujdesën për caktimet e tyre duke ndenjur me qira në një ndërtesë me dy dhoma, në Lusakë. Pak do ta kishin imagjinuar kompleksin prej 110 hektarësh të Bethelit, ku banojnë mbi 250 vullnetarë. Këta vëllezër dhe motra u shërbejnë nevojave frymore të më tepër se 125.000 lajmëtarëve dhe pionierëve. Le të shqyrtojmë shkurtimisht si erdhi kjo rritje.
Siç mësuam më parë, që nga viti 1936 qëndrimi i autoriteteve ishte zbutur mjaft, sa për të lejuar hapjen e një depoje të literaturës në Lusakë. Për shkak të rritjes, ishte e nevojshme të zhvendosej në një ndërtesë më të madhe. U siguria një banesë pranë rajonit qendror të policisë. «Ajo kishte dy dhoma gjumi,—kujton Jonas Manjoni.—Dhoma e ngrënies përdorej si Repart Shërbimi, kurse veranda, si Repart Transporti.» Më 1951 Jonasi mori dy javë pushim nga puna që të shërbente në Bethel, dhe më vonë vajti të rrinte përfundimisht. Ai thotë: «Kishte një organizim të mirë dhe një frymë të lumtur. Unë isha në Repartin e Transportit me vëlla Filipsin e punonim me pajtimet e revistave dhe u vinim pullat e postës rrotullave të revistave. Ishim të lumtur që u shërbenim vëllezërve.» Me Luelin Filipsin u bashkua më pas edhe Harri Arnoti dhe ata punuan me vëllezër vendës, si: Xhob Sikela, Endru Xhon Mulabaka, Xhon Mutale, Potifer Kaçepa dhe Morton Çisulo.
Meqë në Zambie po lulëzonte industria minerare, po zhvillohej me shpejtësi infrastruktura dhe rajoni me miniera në Koperbelt po tërhiqte gjithnjë e më shumë njerëz nga të gjitha skajet e vendit, vëmendja po përqendrohej në Koperbelt, e jo më në Lusakë. Jan Fergusoni rekomandoi të blihej një pronë në një qytet me miniera dhe, më 1954, zyra e degës u vendos në rrugën King George Avenue, Luanshia. Megjithatë shumë shpejt këto godina ishin tepër të vogla për t’u kujdesur për fushën e predikimit që po zgjerohej me shpejtësi, e cila shtrihej në pjesën më të madhe të Afrikës Lindore. Gjatë vizitës së tij në kongresin krahinor me temë «Shërbëtorë të zgjuar», në vitin 1959, Nejthën Nori nga selia botërore, pa vendndodhjet e mundshme për degën e re dhe dha lejen për të vazhduar ndërtimin. Xhefri Huilleri kujton: «Frenk Luisi, Juxhin Kinashuku dhe unë, bashkë me një arkitekt shkuam në truallin e ri në Kitve për të vënë kunjat e Bethelit të ri.» Më 3 shkurt 1962 Jehovait iu kushtua një zyrë dege e re me një shtëpi Bethel, një dhomë shtypjeje dhe një Sallë Mbretërie. Në përfundim të programit të kushtimit të godinave, Harri Arnoti, në atë kohë shërbëtor i degës, e drejtoi vëmendjen te vepra më e rëndësishme e ndërtimit frymor, në të cilën çdokush duhet të punojë fort duke përdorur blloqet e besimit, të shpresës dhe të dashurisë.
Shumë shpejt këto godina u bënë të papërshtatshme për shkak të rritjes së numrit të lajmëtarëve, nga 30.129 në pothuajse 57.000 veta, në dhjetë vjet. «Vëlla Nori na nxiti ta zgjeronim shtypjen e literaturës,—kujtonte Jan Fergusoni.—Vizitova degën në Ilansfontejn, në Afrikën e Jugut, që të këshillohesha me vëllezërit. Shpejt, një makinë shtypi u transportua me aeroplan nga atje në Kitve.»
Përveç literaturës dhe revistave, në Kitve prodhohej edhe Shërbimi ynë i Mbretërisë që shpërndahej në Kenia dhe në territoret e tjera të Afrikës Lindore. Vetëm pak kohë më vonë godina e vogël e shtypjes ishte tepër e ngushtë dhe ishte e nevojshme që shtypshkronja të vendosej diku tjetër. Këshilli i qytetit nuk pranoi të përdornim një vend që kishim, por një vëlla na dha ca tokë. Godina përfundoi më 1984. Për tridhjetë vjet Kitve shërbeu si qendra e veprës së predikimit në Zambie.
Gjatë viteve të vështira pas dëbimit të misionarëve, numri i vullnetarëve në zyrën e degës u rrit, aq sa 14 pjesëtarë të familjes Bethel banonin jashtë tij me familjet e tyre. Nevojiteshin disa ndryshime për t’u kujdesur siç duhej për veprën që shtrihej përpara. Me kalimin e kohës u blenë dy shtëpi dhe një tjetër u mor me qira, duke çuar në zgjerimin e familjes. Por, natyrisht, nevojiteshin godina të reja. Lumturisht, shpejt, gjërat do të përmirësoheshin ndjeshëm. Më 1986 vëllezër nga vende kyç u caktuan të kërkonin truall për degën e re. U gjet një fermë me sipërfaqe 110 hektarë, që ndodhej rreth 15 kilometra në perëndim të kryeqytetit. Kjo ishte një zgjedhje e mençur, sepse zona kishte rezerva të mëdha me ujëra nëntokësore. Darëll Sharpi tha: «Mendoj se na drejtoi Jehovai te ky vend i këndshëm.»
Kushtimi dhe rritja
Të shtunën më 24 prill 1993, qindra veta që ishin prej kohësh shërbëtorë të Jehovait u mblodhën për kushtimin e godinave të reja. Mes 4.000 vëllezërve dhe motrave vendëse ishin 160 mysafirë ndërkombëtarë, përfshirë misionarët që kishin qenë të detyruar të largoheshin rreth 20 vjet më parë. Teodor Xharazi, një nga dy anëtarët e Trupit Udhëheqës që ishin të pranishëm, foli rreth temës «Ta rekomandojmë veten si shërbëtorë të Perëndisë». Ai u kujtoi atyre që kishin shërbyer me besnikëri për shumë vjet që, po të mos kishin qëndruar të tillë, nuk do të ishte e nevojshme të ndërtoheshin godina të reja. Duke iu referuar fjalëve të Pavlit drejtuar korintasve, ai theksoi se një shërbëtor i vërtetë kultivon frytin e frymës, që e ndihmon t’u bëjë ballë vështirësive, sprovave dhe shtrëngimeve. «Ju e keni rekomanduar veten si shërbëtorë të Perëndisë,—tha ai.—Na u desh ta ndërtonim këtë degë të re, për shkak të zgjerimit të veprës.»
Në vitin 2004 përfundoi një godinë banimi e re katërkatëshe me 32 dhoma. Hapësira prej rreth 1.000 metrash katrore e shtypshkronjës është rimodeluar, dhe ka 47 zyra përkthimi bashkë me disa zona shtesë për arkivin, për dhoma konferencash dhe për një bibliotekë.
Pavarësisht nga vështirësitë ekonomike dhe vështirësitë e tjera, Dëshmitarët e Jehovait në Zambie janë pasuruar në shërbimin e tyre ndaj Perëndisë dhe e quajnë një privilegj t’i ndajnë pasuritë e tyre frymore me të tjerët.—2 Kor. 6:10.
Ua rekomandojnë të vërtetën të gjithëve
Në Zambie familja është shumë e rëndësishme dhe gjatë viteve kjo u ka dhënë mundësi mjaft vetave që të rriten në udhën e së vërtetës. Në provincën perëndimore të Zambies përdoret një thënie tradicionale: «Për lopën nuk janë të rënda brirët e veta.» Me fjalë të tjera, detyra për t’u kujdesur për familjen nuk duhet parë si një barrë. Prindërit e krishterë e kuptojnë se mbajnë përgjegjësi përpara Perëndisë dhe ndikojnë për mirë te fëmijët, duke e rekomanduar shërbimin e krishterë me fjalë e me vepra. Sot shumë Dëshmitarë janë pasardhës të zellshëm të këtyre njerëzve besnikë.—Psal. 128:1-4.
Dëshmitarët e Jehovait në Zambie gëzojnë për atë çka është arritur falë durimit dhe mbështetjes së Jehovait. (2 Pjet. 3:14, 15) Në ditët e hershme bindjet ‘e vërteta’ të bazuara në Bibël i ndihmuan ata që të kalonin një periudhë me pasiguri. ‘Një dashuri aktive pa hipokrizi’ vazhdon të jetë një lidhje mes njerëzve nga fise të ndryshme dhe ka sjellë dalëngadalë një rritje frymore pa dhembje. Duke përdorur ‘armët e drejtësisë’ për të mbrojtur dhe për të informuar me ‘mirëdashje’, u kanë hapur mendjen shumë vetave, përfshirë edhe ata me autoritet, e kjo ka çuar shpesh në ‘një emër të mirë’. Tani, më tepër se 2.100 kongregacionet janë të rrënjosura fort «përmes njohurisë», ndërsa të diplomuar të zotë të Shkollës së Stërvitjes për Shërbim kontribuojnë në mbikëqyrjen e nevojshme. Megjithëse përpara mund t’i presin ‘shtrëngime’ më të mëdha, Dëshmitarët e Jehovait mund të jenë të sigurt se ‘gjithnjë do të gëzojnë’ teksa mblidhen bashkë.—2 Kor. 6:4-10.
Gjatë vitit të shërbimit 1940 rreth 5.000 veta i vunë veshin urdhrit të Jezuit për të përkujtuar vdekjen e tij, 1 në 200 veta në të gjithë popullsinë. Vitet e fundit, më tepër se gjysmë milioni—në të vërtetë 569.891 veta më 2005—afërsisht 1 në 20 veta, e nderuan Jehovain atë mbrëmje të veçantë. (Luka 22:19) Pse populli i Jehovait ka pasur kaq sukses në atë rast? Merita i takon Perëndisë Jehova, i cili ka sjellë rritjen frymore.—1 Kor. 3:7.
Por edhe Dëshmitarët e Jehovait në Zambie kanë bërë pjesën e tyre. «Neve nuk na vjen turp të flasim për lajmin e mirë; për ne është një privilegj»,—thotë një anëtar i Komitetit të Degës. Është e dukshme për vëzhguesit se Dëshmitarët e Jehovait shërbejnë me mirësjellje, por të vendosur. Nuk është për t’u habitur që ka një lajmëtar në çdo 90 veta. Megjithatë ka ende punë.
«Emri i Jehovait është një kullë e fortë. Tek ai vrapon i drejti dhe gjen mbrojtje.» (Prov. 18:10) Vazhdon të ketë një nevojë urgjente që njerëzit e prirur të marrin anën e Jehovait tani. Rreth 200.000 studimet biblike që drejtohen tani në Zambie çdo muaj, do të ndihmojnë mjaft të tjerë që t’i kushtohen Jehovait dhe të bëhen shërbëtorë të tij të zellshëm. Mbi 125.000 Dëshmitarët aktivë në Zambie kanë çdo arsye për të rekomanduar këtë udhë.
[Kutia në faqen 168]
Vështrim i përgjithshëm mbi Zambien
Vendi: Një vend i sheshtë, pa dalje në det dhe plot pemë, Zambia shtrihet në një pllajë rreth 1.200 metra mbi nivelin e detit. Lumi Zambezi përcakton pjesën më të madhe të kufirit jugor.
Popullsia: Shumica e popullsisë di shkrim e këndim dhe pranon se është e krishterë. Në zonat rurale njerëzit kanë shtëpi me çati kashte dhe prodhojnë ushqim aty afër.
Gjuha: Gjuha zyrtare është anglishtja, ndonëse fliten mbi 70 gjuhë vendase.
Jetesa: Një nga industritë më të mëdha është ajo e nxjerrjes dhe përpunimit të bakrit. Disa nga prodhimet bujqësore janë: misri, melekuqja, orizi dhe kikirikët.
Ushqimi: Misri hahet shumë. Një nga pjatat e preferuara është nshima, bollgur misri i trashë.
Klima: Për shkak të lartësisë së vendit, klima është më e butë nga ç’mund të mendohet për një vend të Afrikës Jugqendrore. Kohë pas kohe ka thatësira.
[Kutia dhe figura në faqet 173-175]
Më dënuan me 17 muaj burg dhe 24 fshikullima
Kozamu Muanza
Lindur: 1886
Pagëzuar: 1918
Të dhëna: Duroi përndjekjen dhe vëllezërit e rremë. Shërbeu besnik si pionier dhe plak derisa përfundoi jetën këtu në tokë më 1989.
Në fillim të Luftës së Parë Botërore isha mobilizuar në ushtri dhe shërbeja si sanitar spitali në Regjimentin e Rodezisë Veriore. Në dhjetor të vitit 1917, ndërsa isha me leje, takova dy burra nga Rodezia Jugore që shoqëroheshin me Studentët e Biblës. Ata më dhanë gjashtë volume të librit Studime mbi Shkrimet, të cilat i përpiva për tri ditë. Nuk u ktheva më në luftë.
Korrespondenca me zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait ishte e vështirë, kështu që bashkë me disa vëllezër, punuam pa drejtim. Shkonim fshat më fshat, mblidhnim njerëz rreth nesh, bënim fjalime dhe shqyrtonim pyetjet e dëgjuesve. Më vonë zgjodhëm një vend për t’u mbledhur të quajtur Galile, në veri. Ftonim të interesuarit që të vinin e të dëgjonin shpjegimet nga Bibla. Unë isha caktuar të mbikëqyrja gjërat. Është e trishtueshme, por dolën shumë vëllezër të rremë që përhapën pështjellim mes nesh.
Predikonim tërë zell, por përpjekjet tona prishën «kullotat» e misionarëve katolikë e protestantë në zonë. Ne vazhduam të mbanim mbledhje të mëdha dhe më kujtohet që në janar të vitit 1919, në kodrat afër Isokës u mblodhën rreth 600 veta. Ngaqë nuk dinin motivet tona, policia me ushtarët erdhën e na grisën Biblat e librat dhe arrestuan shumë prej nesh. Disa i burgosën afër Kasamës, disa në Mbalë dhe të tjerë akoma në jug, në Livingston. Disa i dënuan me tre vjet burg. Mua më dënuan me 17 muaj dhe 24 fshikullima në të ndenjurat.
Me t’u liruar, u ktheva në fshatin tim të lindjes dhe fillova përsëri predikimin. Më vonë më arrestuan dhe më burgosën prapë pasi më fshikulluan. Kundërshtimi vazhdoi. Kreu i fisit vendosi t’i dëbonte nga fshati vëllezërit. Të gjithë shkuam në një fshat tjetër, ku kreu i fisit atje na mikpriti. U vendosëm atje dhe, me lejen e tij, ndërtuam një fshat tonin, të cilin e quajtëm Nazaret. Do të rrinim atje me kusht që veprimtaria jonë të mos prishte paqen. Kreu i fisit ishte i kënaqur me sjelljen tonë.
Aty nga fundi i vitit 1924, u ktheva në veri, në Isokë. Atje një qeveritar krahine mirëdashës u tregua i gatshëm të më ndihmonte të kuptoja më mirë anglishten. Gjatë asaj kohe dolën disa udhëheqës që e hiqnin veten si udhëheqës fetarë, të cilët mësonin gjëra të shtrembëruara dhe mashtronin shumë veta. Megjithatë, ne vazhduam të mblidheshim me kujdes në shtëpi private. Disa vjet më vonë mora një ftesë për të vajtur në Lusakë që të takoja Luelin Filipsin, i cili më caktoi të vizitoja kongregacionet mes kufijve të Zambies dhe Tanzanisë. Që të forcoja vëllezërit, shkova deri në Embejë, në Tanzani. Pas çdo vizite qarku kthehesha në kongregacionin tim. Veprova kështu deri në vitet 40 kur u caktuan mbikëqyrësit qarkorë.
[Kutia dhe figurat në faqet 184-186]
Ndihmë fqinjëve veriorë
Në vitin 1948, dega e sapoformuar e Rodezisë Veriore filloi të mbikëqyrë veprën e predikimit në pjesën më të madhe të asaj që quhej Afrika Lindore Britanike. Në atë kohë në zonat malore të fqinjëve veriorë të Zambies kishte vetëm një grusht lajmëtarësh. Meqë autoritetet e kishin kufizuar shumë hyrjen e misionarëve të huaj, lindte pyetja se kush do t’i ndihmonte të përulurit të mësonin të vërtetën.
Hepi Çisenga ishte gati të shërbente si pionier i rregullt në Provincën Qendrore të Zambies. Çuditërisht, mori një ftesë për të shërbyer në një territor të izoluar afër Enjombes, në Tanzani. «Kur lexuam fjalën ‘të izoluar’, bashkë me gruan menduam se do të punonim me lajmëtarët në atë zonë të largët. Por shpejt kuptuam se ishim të parët që do të predikonim atje. Njerëzit dëgjonin me vëmendje kur u tregonim nga Biblat e tyre emrin e Jehovait dhe fjalë të tilla si Harmagedon. Pas njëfarë kohe gruas sime i vunë nofkën Harmagedon, kurse mua Jehova. Në fund, kur u transferuam në Arusha, lamë pas një grup me lajmëtarë të qëndrueshëm.»
Në vitin 1957, Uilliam Lemp Çisenga u caktua të shërbente si pionier special në malet përreth Embejës, në Tanzani. «Gruaja ime, Meri, me dy fëmijët erdhën në nëntor dhe e kaluam gjithë natën në stacionin e autobusëve, ngaqë hotelet aty ishin plot. Edhe pse ishte ftohtë dhe binte shi, ne pritnim të shihnim se ç’drejtim do të jepte Jehovai. Të nesërmen në mëngjes e lashë familjen në stacion, dhe nisa të kërkoja ndonjë vend për t’u strehuar. Nuk e kisha idenë ku po shkoja, por mora me vete ca revista Kulla e Rojës. Kisha shpërndarë disa revista kur arrita te zyra e postës. Atje takova një burrë që quhej Xhonson. ‘Nga vjen e ku po shkon?’—më pyeti. I thashë se kisha ardhur të predikoja lajmin e mirë. Kur kuptoi që isha Dëshmitar i Jehovait më tha se ishte nga Lundazi i provincës lindore të Zambies dhe se ishte Dëshmitar i pagëzuar joaktiv. U morëm vesh që t’i çoja te shtëpia e tij familjen time me gjithë ç’kishim. Me kalimin e kohës Xhonsoni dhe gruaja e tij u forcuan prapë frymësisht dhe na ndihmuan të mësonim gjuhën suahili. Më vonë ai u kthye në Zambie dhe u bë një lajmëtar aktiv i lajmit të mirë. Nga përvoja kam mësuar të mos e nënvlerësoj kurrë aftësinë e Jehovait për të na ndihmuar si dhe mundësitë që kemi për të ndihmuar të tjerët.»
Shërbimi i plotkohor e çoi Bernard e Paulina Musingën bashkë me fëmijët e tyre të vegjël në vende të ndryshme si Ugandë, Kenia dhe Etiopi. Për një vizitë në ishujt Sejshel, Bernardi tregon: «Më 1976 isha caktuar të vizitoja një grup në ishullin e bukur të Pralanit. Njerëzit atje ishin katolikë të fortë dhe kishin lindur keqkuptime. Për shembull, djali i vogël i një lajmëtari të ri nuk kishte dashur të përdorte shenjën e plusit në matematikë, duke shpjeguar se ishte kryq dhe ai nuk besonte te kryqi. Për këtë, udhëheqësit fetarë kishin ngritur akuzën qesharake se ‘Dëshmitarët e Jehovait nuk i lejojnë fëmijët e tyre të mësojnë matematikë’. Në një mbledhje me ministrin e arsimit, me respekt, ne i shpjeguam bindjet tona dhe e sqaruam keqkuptimin. Marrëdhëniet miqësore që lidhëm me ministrin, hapën rrugën që të vinin misionarë në vend.»
[Figura]
Hepi Muaba Çisenga
[Figura]
Uilliam Lemp Çisenga
[Figura]
Bernard dhe Paulina Musinga
[Kutia dhe figura në faqet 191, 192]
«Po heq dorë nga e ardhmja jote!»
Mukosiku Snali
Lindur: 1928
Pagëzuar: 1951
Të dhëna: I diplomuar i Galaadit dhe ish-përkthyes, tani shërben si plak kongregacioni.
Ditën kur u pagëzova, misionari Harri Arnot foli me mua dhe më tha që kishte nevojë për përkthyes të gjuhës silozi. «A mund të na ndihmosh?»—më pyeti. Shpejt mora një letër caktimi dhe një kopje të revistës Kulla e Rojës. I hyra punës gjithë zell që atë mbrëmje. Përkthimi ishte i vështirë dhe duheshin orë të tëra të shkruaje me një penë të vjetër. Nuk kishte fjalor në gjuhën silozi. Ditën punoja në postë, kurse natën si përkthyes. Nganjëherë merrja një letër nga zyra e degës që më kujtonte: «Të lutemi, postoje menjëherë përkthimin.» Shpesh mendoja: ‘Pse nuk filloj shërbimin e plotkohor?’ Në fund, dhashë dorëheqjen nga puna në postë. Edhe pse eprorët kishin besim tek unë, dorëheqja ime ngriti dyshime. Mos kisha shpërdoruar fondet? Nga posta dërguan dy inspektorë evropianë për të parë. Ata kontrolluan me imtësi por nuk pati asnjë problem. Nuk e kuptonin pse po jepja dorëheqjen. Punëdhënësit më ofruan një ngritje në detyrë që të qëndroja dhe, kur unë nuk pranova, më paralajmëruan: «Po heq dorë nga e ardhmja jote!»
Por nuk ishte e vërtetë. Në vitin 1960 më ftuan në Bethel. Nuk kaloi shumë dhe më erdhi ftesa për të marrë pjesë në Shkollën e Galaadit. Isha i emocionuar. Fluturoja për herë të parë—për në Paris, pastaj Amsterdam e në fund në Nju Jork—dhe më kujtohet që mendoja: ‘Kështu ndihen, vallë, të mirosurit kur shkojnë në qiell?!’ Pritja e përzemërt në selinë botërore më preku thellë. Vëllezërit u treguan shumë të përulur dhe nuk kishin fare paragjykime. Më pas më caktuan të kthehesha në Zambie, ku vazhdova të ndihmoja në përkthim.
[Kutia dhe figura në faqen 194]
Më i shpejtë se shqiponjat
Katuku Enkobongo është invalid; nuk mund të ecë. Një të diel, gjatë vizitës së mbikëqyrësit qarkor, u përhap lajmi se forcat rebele po i afroheshin fshatit ku jetonte ai. Të gjithë ikën. Një nga të fundit që ikën, ishte mbikëqyrësi qarkor, Mianga Mabosho. Kur po i hipte biçikletës për të shpëtuar, ai dëgjoi një zë që i thirri nga një kasolle aty afër: «Vëllai im, mos do të më lësh këtu?» Ishte Katuku. Mbikëqyrësi e ndihmoi shpejt e shpejt të hipte në biçikletë që të dilnin nga fshati.
Rruga që morën drejt jugut të Zambies kalonte në një terren të vështirë. Vëllait Enkobongo iu desh të ngjitej duke u zvarritur në kodrat e rrëpirëta. Mbikëqyrësi kujton: «Edhe pse unë ngjitesha me të dy këmbët, ai arriti në majë të kodrës para meje! Thashë: ‘Ky njeri është vërtet i gjymtuar, por duket sikur ka krahë!’ Kur më në fund arritëm në një vend më të sigurt, ku na dhanë për të ngrënë, i kërkova vëllait të bënim një lutje. Fjalët e tij aq të ndiera m’i mbushën sytë me lot. Duke iu referuar Isaisë, kapitulli 40, ai u lut: ‘Fjalët e tua janë të vërteta, o Jehova. Djemtë do të lodhen e do të rraskapiten, dhe të rinjtë nuk do t’i mbajnë më këmbët, por ata që shpresojnë te ti, do të rimarrin fuqi. Ata do të ngrihen me krahë si shqiponjat, do të vrapojnë e s’do të rraskapiten, do të ecin e s’do të lodhen.’ Ai shtoi: ‘Faleminderit Jehova që më bëre më të shpejtë se shqiponjat e qiejve!’»
[Kutia dhe figura në faqet 204, 205]
Pantallona të shkurtra kaki dhe këpucë tenisi kafe
Filemon Kasipo
Lindur: 1948
Pagëzuar: 1966
Të dhëna: Shërben si mbikëqyrës udhëtues dhe instruktor e koordinator i ShSSh-së në Zambie.
Gjyshi më stërviti në shërbim. Më çonte shpesh te shokët e shkollës dhe më kërkonte t’u dëshmoja. Ai e kishte zakon të mbante një studim të rregullt familjar dhe askush nuk lejohej të dremiste! Unë e prisja gjithnjë me kënaqësi këtë studim.
U pagëzova në një lumë afër shtëpisë. Pas një muaji bëra fjalimin tim të parë në kongregacion. Më kujtohet që atë ditë kisha veshur pantallona të shkurtra të reja ngjyrë kaki dhe këpucë tenisi kafe. Por i kisha lidhur lidhëset e këpucëve aq fort, saqë nuk rrija dot rehat. Shërbëtori i kongregacionit e vuri re dhe, me dashamirësi, erdhi te podiumi e m’i liroi lidhëset, kurse unë nuk thashë asnjë fjalë. Fjalimi shkoi mjaft mirë, dhe mësova diçka nga ai gjest dashamirësie. E kuptoj që Jehovai më ka stërvitur shumë.
Kam parë me sytë e mi plotësimin e Isaisë 60:22. Rritja e numrit të kongregacioneve kërkon më tepër pleq e shërbëtorë ndihmës, që të jenë të përgatitur mirë për të mbajtur përgjegjësitë. ShSSh-ja po e plotëson këtë nevojë. Është me të vërtetë burim gëzimi të mësosh këta djem. Kam mësuar që, kur Jehovai të jep një punë, është e sigurt se do të të japë edhe frymën e tij të shenjtë.
[Kutia dhe figurat në faqet 207-209]
«Eh, kjo s’është asgjë!»
Eduard dhe Linda Finçi
Lindur: 1951
Pagëzuar: Përkatësisht më 1969 dhe 1966
Të dhëna: Të diplomuar të klasës së 69-të të Galaadit. Eduardi shërben si koordinator i Komitetit të Degës së Zambies.
Pas një kongresi, po udhëtonim me makinë në veri të vendit. Rrugët këtu janë të pakta, zakonisht ka vetëm shtigje. Disa kilometra larg një fshati, pamë njerëz që po vinin drejt nesh. Njëri prej tyre ishte i moshuar, i kërrusur dhe ecte me shkop. Çizmet i kishte lidhur dhe i kishte varur në sup, së bashku me një trastë të vogël me sendet e tij. Kur u afruam edhe ca, pamë se ai dhe të tjerët kishin distinktivët e kongresit. Ndaluam për t’i pyetur nga ishin. Vëllai i moshuar drejtoi ca trupin dhe tha: «E paske harruar shpejt. Ishim bashkë në Çansë për kongresin. Tani po i afrohemi shtëpisë.»
—Kur u larguat nga kongresi?—i pyetëm.
—Kur mbaroi programi, të dielën.
—Po sot është e mërkurë, pasdite. Keni ecur tri ditë?
—Po, madje mbrëmë dëgjuam ulërima luanësh.
—Jeni për t’u lavdëruar të gjithë për frymën e mrekullueshme që tregoni dhe për sakrificat që bëni, për të ndjekur kongreset.
Vëllai i moshuar, thjesht mblodhi plaçkat dhe filloi të ecte përsëri. «Eh, kjo s’është asgjë!—tha.—Kur të ktheheni, falënderojeni zyrën e degës për këtë vend të ri për të mbajtur kongreset. Vitin e kaluar na u desh të ecnim pesë ditë, kurse këtë vit vetëm tri.»
Shumica e kujtojnë vitin 1992 si një vit thatësire në Zambie. Ishim në një kongres, në brigjet e lumit Zambezi, rreth 200 kilometra më lart ujëvarës Viktoria. Në mbrëmje, vizituam disa familje, një pjesë e madhe e të cilave ishin mbledhur përreth zjarrit, përpara kasolleve të tyre të vogla. Një grup prej afro 20 vetash po këndonin këngë Mbretërie. Morëm vesh se kishin ecur tetë ditë për të ardhur në kongres. Por nuk u dukej se kishin bërë kushedi çfarë. Kishin hipur në kafshë fëmijët e vegjël, kishin ngarkuar ushqime, enë kuzhine dhe gjëra të tjera të nevojshme dhe ishin nisur për rrugë, duke fjetur ku t’i zinte nata.
Të nesërmen u njoftua se thatësira kishte dëmtuar shumë njerëz, dhe atyre që ishin në nevojë, po u jepej ndihmë. Atë mbrëmje, tre vëllezër erdhën te kasollja jonë. Ishin pa këpucë dhe me rroba të vjetra. Pritnim të na tregonin për dëmtimet që kishin pësuar nga thatësira. Por na thanë se ishin trishtuar pa masë kur kishin marrë vesh për vuajtjet e disa vëllezërve. Njëri nxori nga xhepi i xhaketës një zarf plot me para dhe tha: «Ju lutemi, mos i lini të uritur. Merrini këto, blijuni ca ushqime.» Kaq u prekëm, sa nuk arritëm as t’i falënderonim, pasi ikën para se ta merrnim veten. Nuk ishin përgatitur për këtë kur erdhën për kongresin, prandaj ky kontribut ishte një sakrificë e madhe nga ana e tyre. Përvoja si këto na afrojnë edhe më tepër me vëllezërit.
[Figurat]
Me gjithë vështirësitë, shumë veta bëjnë rrugë të gjata, që të ndjekin asambletë dhe kongreset
Sipër: gatimi i darkës, gjatë kongresit
Majtas: pjekin kuleç në një furrë të improvizuar
[Kutia dhe figura në faqet 211-213]
Të vendosur për t’u mbledhur së bashku
Aaron Mapulanga
Lindur: 1938
Pagëzuar: 1955
Të dhëna: Ka shërbyer si vullnetar në Bethel, si përkthyes dhe anëtar i Komitetit të Degës. Tani ka familjen e vet dhe shërben si plak kongregacioni.
Ishte viti 1974. Po mbanim kongresin, gati 10 kilometra në lindje të Kasamës. Edhe pse kryetari i fisit në këtë zonë na kishte dhënë leje për këtë grumbullim, policia ngulte këmbë që të shpërndaheshim. S’kaloi shumë dhe erdhi komandanti, një burrë trupmadh, së bashku me nja njëqind paraushtarakë, që rrethuan zonën e kongresit. Ndërsa vazhdonim programin, në një zyrë prej kashte po zhvillohej një diskutim i zjarrtë për lejen dhe nëse do të vihej himni kombëtar.
Kur më erdhi radha të mbaja pjesën që kisha në program, komandanti më ndoqi deri në podium, që të më ndalonte të mbaja fjalimin kyç. Auditori priste ç’do të ndodhte më tej. Ai ndenji pak minuta duke parë auditorin prej rreth 12.000 vetash e pastaj iku si i tërbuar. Pas fjalimit, po më priste prapa podiumit, shumë i inatosur. I urdhëroi njerëzit e tij të shpërndanin turmën, por mes oficerëve më të lartë shpërtheu një grindje, kështu që u larguan. Pak më vonë, u kthyen, kësaj here me një libër të madh. Komandanti e vuri mbi tavolinë para meje dhe më tha të lexoja një pjesë që e kishte nënvizuar. E lexova pa zë paragrafin.
«Ky libër është i saktë,—i thashë.—Thotë: ‘Oficeri ka autoritetin të shpërndajë çdo grumbullim që kërcënon paqen.’» Duke parë nga brezi dhe pistoletat që kishte ai, vazhdova: «I vetmi kërcënim këtu është prania juaj dhe e njerëzve tuaj, që jeni të armatosur. Kurse ne kemi vetëm Bibla.»
Menjëherë iu kthye një oficeri të zbulimit: «A s’të thashë? Ikim!» Kështu, më morën në rajonin e policisë.
Kur mbërritëm në zyrën e tij, i telefonoi një oficeri tjetër. Deri në atë kohë kishim biseduar në anglisht. Tani, me oficerin, po fliste në silozi. S’e dinte që edhe unë e kisha gjuhën amtare! Folën për mua, por unë ndenja i qetë dhe nuk i dhashë përshtypjen se po e kuptoja. Pasi uli receptorin, më tha: «Tani dëgjo!»
Ia ktheva në silozi: «Eni sha na teeleza!» që do të thotë: «Po, zotëri, po ju dëgjoj!» I habitur nga kjo, u ul dhe m’i nguli sytë për një kohë të gjatë. Pastaj u ngrit, shkoi te një frigorifer i madh në një cep të zyrës dhe mori një pije të ftohtë për mua. Atmosfera u bë pak më e qetë.
Më vonë, erdhi një vëlla që ishte biznesmen i respektuar në atë zonë. I dhamë komandantit disa sugjerime praktike që ia hoqën ca shqetësimet, dhe kështu përfundoi ajo situatë e tendosur. Me ndihmën e Jehovait, organizimi i kongreseve u bë më i lehtë.
[Kutia dhe figura në faqen 221]
Thatim si shkop
Majkëll Mukanu
Lindur: 1928
Pagëzuar: 1954
Të dhëna: Shërbeu si mbikëqyrës udhëtues dhe tani është në Bethelin e Zambies.
Qarku ku shërbeja shtrihej përgjatë një lugine pas një skarpati. Shpesh më shqetësonin mizat cece. Për të shmangur insektet dhe vapën e ditës, ngrihesha në orën 1 të mëngjesit dhe nisesha për rrugë, duke kaluar kodra e male për të arritur në kongregacionin tjetër. Ngaqë ecja kaq shumë, mbaja me vete pak gjëra. Nuk kisha ushqim të mjaftueshëm, prandaj isha bërë thatim si shkop. Vëllezërit menduan t’i shkruanin zyrës së degës të më ndryshonte caktim, sepse u dukej që herët a vonë do të vdisja, po të vazhdoja kështu. Kur ma thanë këtë, iu përgjigja: «Faleminderit për sugjerimin, po nuk duhet të harroni se caktimin ma ka dhënë Jehovai dhe ai mund ta ndryshojë. Nëse vdes, mos do të jem i pari këtu që ka vdekur? Më lini të vazhdoj. Po të vdes, njoftoni zyrën e degës.»
Tri javë më vonë, m’u ndryshua caktimi. Vërtet, disa herë mund të jetë sfidë t’i shërbejmë Jehovait, por ama duhet të vazhdojmë. Jehovai është Perëndia i lumtur dhe, nëse shërbëtorët e tij nuk janë të lumtur, mund të bëjë diçka që ata të vazhdojnë t’i shërbejnë të gëzuar.
[Kutia dhe figura në faqet 223, 224]
Nuk mbështetim besëtytnitë
Harkins Mukinga
Lindur: 1954
Pagëzuar: 1970
Të dhëna: Së bashku me të shoqen, shërbeu si mbikëqyrës udhëtues, kurse tani është në Bethelin e Zambies.
Kur udhëtonim, unë dhe gruaja, Ida, e merrnim me vete djalin e vetëm, që ishte dy vjeç. Vajtëm te një kongregacion ku vëllezërit na pritën shumë mirë. Të enjten në mëngjes, djali filloi të qante e s’pushonte. Në orën 8, shkova në mbledhjen për shërbim dhe e lashë djalin në duart e dashura të Idës. Pas një ore, ndërsa po drejtoja një studim biblik, më lajmëruan se djali ynë kishte vdekur. Veç pikëllimit që kishim, morëm vesh se disa vëllezër mendonin që dikush i kishte bërë magji. Duke arsyetuar, u përpoqëm t’i ndihmonin që ta hiqnin nga mendja këtë lloj frike shumë të përhapur në këtë zonë, por lajmi mori dhenë. U shpjegova se Satanai është i fuqishëm, por s’mund të dalë mbi Jehovain dhe shërbëtorët e Tij besnikë. ‘Kohët e vështira dhe ngjarjet e paparashikuara’ na ndodhin të gjithëve, po s’duhet të nxitojmë e të nxjerrim përfundime nga frika.—Ekl. 9:11.
Djali u varros të nesërmen dhe, pas funeralit, mbajtëm mbledhjen si zakonisht. Vëllezërit nxorën disa mësime nga kjo: ne nuk kemi frikë nga frymërat e liga dhe nuk mbështetim besëtytnitë. Edhe pse dhembja nga kjo humbje ishte shumë e thellë, e vazhduam atë javë të veçantë aktiviteti dhe pastaj u nisëm drejt një kongregacioni tjetër. Në vend që të na ngushëllonin kongregacionet për atë që na kishte ndodhur, i ngushëlluam dhe i inkurajuam ne, duke u thënë se, në të ardhmen e afërt, vdekja nuk do të ekzistojë më.
[Kutia dhe figura në faqet 228, 229]
Morëm guxim
Lenard Musonda
Lindur: 1955
Pagëzuar: 1974
Të dhëna: Është në shërbimin e plotkohor që nga viti 1976. Kaloi gjashtë vjet në veprën udhëtuese dhe tani shërben në Bethelin e Zambies.
Më kujtohet se rreth vitit 1985, vizitoja kongregacionet që ishin më në veri të vendit. Disa vjet më parë, qeveria na kishte kundërshtuar shumë në atë zonë. Sapo isha emëruar mbikëqyrës qarkor dhe ja, erdhi një rast për të treguar besim e guxim. Një ditë, pas mbledhjes për shërbim, u bëmë gati të shkonim te një fshat aty afër. Mirëpo një vëlla tha se kishte dëgjuar që, po të provonin të predikonin atje Dëshmitarët e Jehovait, gjithë fshati do të dilte për t’i rrahur. Edhe pse në fund të viteve 60 e në fillim të viteve 70 kishte pasur raste sulmesh nga turma njerëzish, nuk mendoja se do të na përgjigjej me dhunë një fshat i tërë tani.
Gjithsesi, kur dëgjuan këto fjalë, disa lajmëtarë u trembën dhe nuk erdhën me ne. Ne të tjerët, një numër mjaft i madh, morëm guxim dhe u nisëm drejt atij fshati. Ajo që ndodhi, na mahniti. Shpërndamë shumë revista dhe patëm biseda miqësore me ata që takuam. Por çuditërisht, disa që na panë kur hymë në fshat, ia mbathën me të katra. Pamë kusi të braktisura me gjellën që po derdhej në zjarr dhe shtëpi që ishin lënë hapur. Kështu, në vend që të na sulmonin, ata ia mbathën para nesh.
[Kutia dhe figura në faqet 232, 233]
M’u desh të vrapoja që të shpëtoja jetën
Darlington Sefuka
Lindur: 1945
Pagëzuar: 1963
Të dhëna: Ka shërbyer si pionier special, mbikëqyrës udhëtues dhe vullnetar në Bethelin e Zambies.
Ishte viti 1963 dhe kohët qenë të turbullta. Shpesh, kur dilnim në shërbim, banda të rinjsh që aktivizoheshin në politikë shkonin para nesh dhe u thoshin njerëzve të mos na dëgjonin. I kërcënonin se, po të na dëgjonin, do t’u thyenin xhamat e do t’u shqyenin dyert.
Një mbrëmje, vetëm dy ditë pas pagëzimit, më rrahën keqas 15 të rinj. Më doli gjak nga goja e nga hunda. Një mbrëmje tjetër, mua dhe një vëlla na sulmoi një grup me rreth 40 veta, të cilët na kishte ndjekur që nga shtëpia ku banoja. Më dha forcë meditimi për ato që kishte hequr Zotëria Jezu. Nga fjalimi që kishte mbajtur Xhon Xhejsëni në pagëzimin tim, kisha kuptuar se jeta për një të krishterë nuk do të ishte pa probleme. Kur ndodhën këto gjëra, nuk më habitën, po përkundrazi, më dhanë zemër.
Në atë kohë politikanët donin përkrahës në luftën për pavarësi, dhe asnjanësinë tonë e shihnin sikur ishim në anën e evropianëve dhe të amerikanëve. Krerët fetarë që përkrahnin grupet politike, bënë çmos t’i shtonin më tepër komentet negative për ne. Para pavarësisë situata ishte e vështirë, por mbeti një sfidë edhe më pas. Shumë vëllezër humbën punën, sepse nuk morën teserën e partisë. Disa lanë qytetet dhe u kthyen në fshatrat e tyre, duke pranuar punë me pagë të ulët që të shmangnin kërkesat për kontributet në mbështetje të aktiviteteve politike.
Gjatë adoleshencës, për mua kujdesej djali i tezes, që s’ishte Dëshmitar. Për shkak të qëndrimit tim asnjanës, familjen e tij e kërcënuan. Ata u frikësuan. Kështu që një ditë, para se të nisej për në punë, ai më tha: «Kur të kthehem në darkë, mos të të gjej këtu!» Në fillim mendova se po bënte shaka, pasi në qytet s’kisha të afërm të tjerë. S’kisha ku të shkoja. Por shumë shpejt e kuptova se e kishte seriozisht. Kur u kthye në darkë dhe më gjeti në shtëpi, u xhindos. Mori gurë dhe nisi të më gjuante. «Ik te qentë e tjerë si ti!»—ulëriti. M’u desh të vrapoja që të shpëtoja jetën.
Kur e mori vesh im atë, më dërgoi këtë mesazh: «Po të vazhdosh me këtë asnjanësinë tënde, mos më shkel më në shtëpi.» Ishte një çast i vështirë, sepse isha 18 vjeç. Kush do të kujdesej për mua? U kujdes kongregacioni! Shpesh meditoj për fjalët e mbretit David: «Edhe sikur nëna dhe babai të më braktisnin, Jehovai do të më merrte në gji.» (Psal. 27:10) Mund t’ju them me plot gojën se Jehovai e mban premtimin e tij.
[Kutia dhe figura në faqet 236, 237]
Falë sjelljes së mirë, fitova respektin e shumë mësuesve
Xhekson Kapobe
Lindur: 1957
Pagëzuar: 1971
Të dhëna: Shërben si plak kongregacioni.
Në vitin 1964, filluan përjashtimet e para nga shkolla. Zyra e degës i ndihmoi prindërit të kuptonin se duhej t’i përgatitnin fëmijët. Më kujtohet se një ditë, pasi u ktheva nga shkolla, babai më mori pranë dhe shqyrtuam Daljen 20:4, 5.
Kur rreshtoheshim para shkollës, rrija prapa që të shmangia debatet. Ata që nuk këndonin himnin kombëtar, i nxirrnin para gjithë nxënësve. Kur drejtori më pyeti pse nuk doja të këndoja, iu përgjigja duke përdorur Biblën. «Ti lexon, por nuk këndon!»—ma ktheu mësuesi. Më tha se i detyrohesha qeverisë, që kishte siguruar shkollën për të më mësuar të lexoja.
Së fundi, më përjashtuan nga shkolla, në shkurt të vitit 1967. U mërzita, se më pëlqente të mësoja dhe isha nxënës i mirë. Por babai, me gjithë presionin nga shokët e punës dhe nga familjarët jobesimtarë, më siguroi se po veproja si duhet. Edhe mamasë i bënë presion. Kur e shoqëroja në arë për të punuar, gratë e tjera e pyetnin me qesëndi: «Po pse nuk është në shkollë ky?»
Megjithatë, arsimimi im nuk mbaroi me kaq. Më 1972, filloi t’u kushtohej më shumë vëmendje klasave për të mësuar shkrim e lexim, brenda kongregacionit. Me kalimin e kohës, gjendja nëpër shkolla u qetësua disi. Shtëpia jonë ndodhej përballë shkollës, në anën tjetër të rrugës. Drejtori vinte shpesh për të marrë ujë të ftohtë për të pirë ose fshesa për klasat. Madje, një herë, erdhi për të kërkuar para hua! Dashamirësia e familjes sime duhet ta ketë prekur, sepse një ditë pyeti: «A ka dëshirë djali juaj të vazhdojë shkollën?» Babai i kujtoi se unë isha ende Dëshmitar i Jehovait. «Po s’ka gjë,—ia ktheu drejtori.—Në ç’klasë do që të fillosh?»—më pyeti. Zgjodha klasën e gjashtë. Ishte e njëjta shkollë, i njëjti drejtor, të njëjtët shokë klase. Ndryshimi i vetëm ishte që aftësitë e mia në të lexuar ishin më të mira se aftësitë e pjesës më të madhe të shokëve, falë klasave që kisha ndjekur në Sallën e Mbretërisë.
Ngaqë përpiqesha të mësoja dhe sillesha mirë, fitova respektin e shumë mësuesve dhe kjo ma lehtësoi jetën në shkollë. Studioja me zell dhe dhashë disa provime, që më ndihmuan të kisha punë me përgjegjësi në miniera dhe, më vonë, të mbaja familjen time. Jam i lumtur që nuk bëra kurrë kompromis duke kënduar himnin.
[Kutia dhe figura në faqet 241, 242]
«E si mund të rrimë pa predikuar?!»
Jonas Manjoni
Lindur: 1922
Pagëzuar: 1950
Të dhëna: Shërbeu më shumë se 20 vjet në Bethelin e Zambies. Tani është plak kongregacioni dhe pionier i rregullt.
Në mesin e Luftës II Botërore, im vëlla u kthye nga Tanzania me një Bibël dhe disa libra, ndër të cilët edhe Qeveria e Pajtimi. Botimet e Dëshmitarëve të Jehovait ishin ende të ndaluara, ndaj doja të dija pse bëhej gjithë kjo zhurmë për to. Lexova librin Pajtimi, por nuk e kuptova. Disa vjet më vonë, shkova për vizitë tek im vëlla dhe e shoqërova në një mbledhje kongregacioni. Në atë kohë nuk kishte Salla Mbretërie, ata thjesht mblidheshin në një vend të pastruar nga shkurret dhe të rrethuar me gardh bambuje. Nuk u përdor ndonjë skemë për fjalimin, por ishte vërtet e këndshme të dëgjoje një fjalim të bazuar drejtpërdrejt në Shkrime! Shpjegimi i Biblës ndryshonte krejt nga ai që bëhej në kishën ku shkoja unë, në të cilën të pranishmit mezi pritnin të nderonin flamurin dhe t’u binin daulleve. Mendoni që në kishë lindnin debate për dallimet fisnore, si edhe për gjuhën në të cilën duhej të këndonin! Kurse në atë mbledhje dëgjova këngë të bukura në lavdi të Jehovait dhe pashë familje të tëra të ulura bashkë, për të marrë ushqim frymor.
U pagëzova dhe ndërkohë vazhdova punën time si sanitar, punë që më çonte nëpër qyteza të ndryshme, në zonat minerare. Në vitin 1951, mora dy javë leje, gjatë të cilave ndihmova në zyrën e degës në Lusakë. Pak kohë më pas, më ftuan të shërbeja në Bethel. Në fillim punova në repartin e transportit dhe më vonë, kur zyra u transferua në Luanshia, punova në repartin e korrespondencës dhe në përkthim. Ndonëse në fillim të viteve 60 pati ndryshime politike, vëllezërit vazhduan të jepnin fryt e të mbanin asnjanësinë mes gjithë rrëmujës që u krijua.
Pati disa raste kur takova dr. Kenet Kaundën, që pas pak do të bëhej presidenti i Zambies. Një rast ishte në mars të 63-shit, kur e takova për t’i shpjeguar pse nuk pranonim të hynim në ndonjë parti dhe nuk blinim tesera partie. Kërkuam ndihmën e tij për t’i dhënë fund kërcënimit të kundërshtarëve politikë dhe ai na kërkoi më shumë informacione. Disa vjet më vonë, dr. Kaunda na ftoi në dhomën legjislative, ku patëm privilegjin të flitnim para presidentit dhe ministrave kryesorë. Mbledhja zgjati deri në mbrëmje vonë. Edhe pse nuk kishte gjë kundër Dëshmitarëve të Jehovait si grup fetar, presidenti na pyeti nëse mund të mblidheshim si fetë e tjera, por pa predikuar. «E si mund të rrimë pa predikuar?!—iu përgjigjëm.—Jezui predikonte. Ai nuk ndërtoi thjesht një tempull ngjitur me atë të farisenjve.»
Pavarësisht nga kërkesat tona, na u vu ndalimi për disa aspekte të shërbimit. Por, si gjithnjë, ne gjetëm mënyra për t’i dhënë nder e lavdi Jehovait që i përdor shërbëtorët e vet për të plotësuar qëllimin e tij.
[Kutia dhe figura në faqet 245, 246]
Isha i etur për të mësuar
Daniel Sakala
Lindur: 1964
Pagëzuar: 1996
Të dhëna: Shërben si plak kongregacioni.
Isha anëtar i Kishës Frymore të Sionit, kur mora një kopje të broshurës Të mësosh të lexosh dhe të shkruash. Edhe pse analfabet, isha i etur për të mësuar. Prandaj, pasi mora këtë botim, i kushtova shumë kohë. U kërkoja njerëzve të më ndihmonin të kuptoja fjalët e reja. Kështu, ndonëse pa mësues, përparova dhe, brenda një kohe të shkurtër, mësova gjërat elementare të shkrimit dhe leximit.
Tani mund të lexoja Biblën! Por zbulova disa aspekte që binin ndesh me praktikat e kishës sime. Kunati im, që ishte Dëshmitar i Jehovait, më dërgoi broshurën Frymërat e të vdekurve: A mund t’ju ndihmojnë apo t’ju bëjnë dëm? A ekzistojnë vërtet ato? Ajo ç’ka lexova më nxiti t’i bëja ca pyetje pastorit tim. Një ditë, kur isha në kishë, lexova Ligjin e përtërirë 18:10, 11 dhe pyeta: «Pse bëjmë gjëra që Bibla i dënon?»
«Ne duhet të bëjmë pjesën tonë»,—m’u përgjigj pastori. S’e kuptova këtë koment.
Pastaj lexova Eklisiastiun 9:5 dhe pyeta: «Pse u themi njerëzve të nderojnë të vdekurit, kur Bibla thotë se të vdekurit ‘s’janë të vetëdijshëm për asgjë’?» As pastori, as të pranishmit e tjerë nuk folën.
Më pas erdhën tek unë disa anëtarë të kishës. Më thanë: «Ne nuk jemi Dëshmitarë të Jehovait, prandaj pse s’duhet t’i respektojmë më të vdekurit dhe të ndjekim zakonet tona?» Kjo më çuditi. Edhe pse kisha përdorur vetëm Biblën gjatë bisedës, të gjithë kishin nxjerrë përfundimin se unë shoqërohesha me Dëshmitarët e Jehovait! Që nga ajo kohë nisa të shkoja në Sallën e Mbretërisë, bashkë me dy veta nga kisha ime e mëparshme. Brenda tre muajve të parë, inkurajova edhe disa nga familjarët e mi që të ndiqnin mbledhjet e krishtere. Tani, tre prej tyre janë të pagëzuar, ndër ta edhe ime shoqe.
[Tabela dhe grafiku në faqet 176, 177]
ZAMBIA—KRONOLOGJIA
1910
1911: Në Zambie mbërrijnë Studime mbi Shkrimet.
1919: Kozamu Muanzën dhe rreth 150 të tjerë i fshikullojnë dhe i burgosin.
1925: Zyra e Studentëve të Biblës në Kejptaun kufizon pagëzimet dhe predikimin.
1935: Qeveria kufizon importimin e literaturës. Ndalohen njëzet botime.
1936: Hapet depozita në Lusakë nën mbikëqyrjen e Luelin Filipsit.
1940
1940: Qeveria ndalon importimin dhe shpërndarjen e literaturës sonë. Rifillojnë pagëzimet.
1948: Mbërrijnë të diplomuarit e parë të Galaadit.
1949: Qeveria heq ndalimin e Watchtowerit.
1954: Zyra e degës transferohet në Luanshia.
1962: Zyra e degës transferohet në Kitve.
1969: Qeveria ndalon predikimin tonë publik.
1970
1975: Dëbohen misionarët.
1986: Misionarët lejohen të kthehen përsëri.
1993: Kushtohen godinat e tanishme të degës në Lusakë.
2000
2004: Në Lusakë kushtohet dega e zgjeruar.
2005: Në Zambie ka 127.151 lajmëtarë aktivë.
[Grafiku]
(Shiko botimin)
Gjithsej lajmëtarë:
Gjithsej pionierë:
130.000
65.000
1910 1940 1970 2000
[Hartat në faqen 169]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
REPUBLIKA DEMOKRATIKE E KONGOS
ZAMBIE
Kaputë
Mbalë
Isokë
Kasamë
Samfjë
Lundazi
Mufulirë
Kalulushi
Kitve
Luanshia
Kabve
LUSAKË
Senangë
Lumi Zambez
Livingston
BOTSVANË
ZIMBABVE
MOZAMBIK
MALAVI
[Figura që zë gjithë faqen 162]
[Figura në faqen 167]
Tomson Kangale
[Figura në faqen 170]
Luelin Filipsi
[Figura në faqen 178]
Harri Arnoti, Nejthën Nori, Kej e Xhon Xhejsëni dhe Jan Fergusoni në vitin 1952
[Figura në faqen 193]
Djathtas: Manda Ntompa me familjen në kampin e refugjatëve në Muange, 2001
[Figura në faqen 193]
Poshtë: Një kamp tipik refugjatësh
[Figura në faqen 201]
Klasa e parë e Shkollës së Stërvitjes për Shërbim në Zambie, 1993
[Figura në faqen 202]
Instruktorët e ShSSh-së, Riçard Frudi dhe Filemon Kasipo, takohen me një student
[Figura në faqen 206]
Vendet ku mbaheshin kongreset ndërtoheshin duke përdorur baltë, bar ose materiale të tjera vendëse
[Figura në faqen 215]
Majtas: Dramë biblike me veshje të kohëve të lashta, 1991
[Figura në faqen 215]
Poshtë: Kandidatë për pagëzim në kongresin krahinor «Lajmëtarë të paqes hyjnore», 1996
[Figura në faqen 235]
Z. Riçmond Smith me Felija Kaçasun dhe babanë e saj, Polin
[Figurat në faqen 251]
Punëtorë të gëzuar marrin pjesë në ndërtimin e degës së tanishme në Lusakë
[Figurat në faqet 252, 253]
(1, 2) Salla Mbretërie të ndërtuara kohët e fundit
(3, 4) Dega e Zambies, Lusakë
(5) Stivën Leti në kushtimin e zgjerimit të degës, dhjetor 2004
[Figura në faqen 254]
Komiteti i Degës, nga e majta në të djathtë: Albert Musonda, Alfred Kyhe, Eduard Finçi, Sajrës Niangu dhe Darëll Sharpi