Duke u ngritur me krahë si shqiponja
SI NDIHET një njeri pasi ka përballuar pesë vjet nëpër kampet e përqendrimit? I shkurajuar? I hidhëruar? Hakmarrës?
Megjithëse mund të duket e çuditshme, një njeri i tillë shkroi: «Jeta ime u pasurua më shumë nga sa mund të kisha shpresuar ndonjëherë.» Përse ndihej ashtu? Ai shpjegoi: «Gjeta strehë nën krahët e Më të Lartit dhe përjetova plotësimin e fjalëve të profetit Isaia, kur tha: ‘Ata që shpresojnë te Zoti fitojnë forca të reja, ngrihen me krahë si shqiponja, . . . ecin pa u lodhur.’»—Isaia 40:31.
Ky burrë i krishterë, trupi i të cilit u fshikullua nga trajtimi më i tmerrshëm që mund të imagjinohet, kishte një frymë që në kuptim figurativ fluturoi lart, një frymë që brutaliteti nazist nuk mundi ta mposhtte. Ashtu si Davidi, ai gjeti strehë në hijen e «krahëve» të Perëndisë. (Psalmi 57:1) Ky i krishterë përdori një krahasim të përmendur nga profeti Isaia, duke e krahasuar forcën e tij frymore me atë të një shqiponje që fluturon lart e më lart në qiell.
A ndihesh ndonjëherë i vënë përfund nga problemet? Pa dyshim edhe ty do të të pëlqente të gjeje strehë poshtë krahëve të Më të Lartit, ‘për t’u ngritur me krahë si shqiponja’. Për të kuptuar se si bëhet e mundur kjo gjë, është e dobishme të dimë diçka mbi shqiponjën, e cila përdoret shpeshherë në kuptim figurativ në Shkrime.
Nën flamurin e shqiponjës
Ndër të gjithë zogjtë që shikonin njerëzit e lashtë, shqiponja ishte ndoshta më e admiruara, për shkak të fuqisë dhe fluturimit të saj të madhërishëm. Shumë ushtri të lashta, duke përfshirë edhe ato të Babilonisë, të Persisë dhe të Romës, marshonin nën flamurin e shqiponjës. Ushtria e Kirit të Madh ishte një ndër to. Bibla profetizoi se ky mbret persian do të ishte si një shpend grabitqar që vjen nga lindja për të gëlltitur perandorinë babilonase. (Isaia 45:1; 46:11) Dyqind vjet pasi u shkrua kjo profeci, trupat e Kirit që kishin shqiponjën si flamur beteje, u lëshuan në qytetin e Babilonisë, si një shqiponjë që sulet mbi prenë e vet.
Shumë kohë më pas, luftëtarë si Karli i Madh, Napoleoni dhe vende si Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania kishin zgjedhur, gjithashtu, shqiponjën si simbolin e tyre. Izraelitëve u ishte urdhëruar të mos nderonin figura shqiponjash apo të ndonjë krijese tjetër. (Dalja 20:4, 5) Megjithatë, shkrimtarët biblikë përmendën tërthorazi karakteristikat e shqiponjës për të ilustruar mesazhin e tyre. Në këtë mënyrë, shqiponja, shpendi i përmendur më shpesh në Shkrime, është përdorur për të simbolizuar gjëra të tilla, si mençuria, mbrojtja hyjnore dhe shpejtësia.
Syri i shqiponjës
Pamja e mprehtë e shqiponjës ka qenë gjithmonë proverbiale. Edhe pse shqiponja e artë rrallëherë peshon më shumë se 5 kg, në të vërtetë syri i saj është më i madh se ai i njeriut dhe shikimi i saj është shumë më i mprehtë. Vetë Jehovai, duke e paraqitur aftësinë e Jobit si të një shqiponje që kërkon ushqim, tha: «Sytë e saj vrojtojnë larg.» (Jobi 39:27, 29) Në një libër të saj (All the Birds of the Bible), Alis Parmeli raporton se «njëherë një shqiponjë shquajti që 5 km larg një peshk të ngordhur që pluskonte në liqen dhe bëri një lëshim diagonal drejt e në vendin e saktë. Shqiponja jo vetëm që ishte e aftë të shikonte një objekt të vogël në një distancë shumë më të madhe sesa mund ta bëjë njeriu, por shpendi e mbajti peshkun nën vëzhgim të vazhdueshëm gjatë lëshimit të tij prej pesë kilometrash».
Për shkak të shikimit të saj të mprehtë, shqiponja është një simbol i përshtatshëm i mençurisë, një nga cilësitë kryesore të Jehovait. (Krahaso Ezekielin 1:10; Zbulesa 4:7.) Përse kështu? Mençuria përfshin parashikimin e pasojave të ndonjë veprimi që mund të ndërmarrim. (Proverbat 22:3) Shqiponja me aftësinë e saj për të parë në distancë të largët, mund ta dallojë rrezikun që nga larg dhe të marrë masa paraprake, ashtu si njeriu i matur në ilustrimin e Jezuit, i cili parashikoi mundësinë e një stuhie dhe e ndërtoi shtëpinë e tij në një terren shkëmbor. (Mateu 7:24, 25) Është interesante të thuhet se kur dikush përshkruhet në gjuhën spanjolle si një shqiponjë, do të thotë se ka mendjehollësi dhe aftësi shquese.
Nëse do të të jepet rasti të shikosh nga afër një shqiponjë, vëre mënyrën se si ajo i përdor sytë. Nuk të shikon me një vështrim të shpejtë; përkundrazi, duket se heton çdo hollësi në pamjen tënde. Po ashtu, një i mençur e analizon me kujdes një çështje, para se të marrë një vendim dhe nuk mbështetet në instiktin apo ndjenjat e tij. (Proverbat 28:26) Ndërsa shikimi i mprehtë i shqiponjës e bën atë një simbol të përshtatshëm të cilësisë hyjnore të mençurisë, edhe fluturimi i saj madhështor përdoret në kuptim të figurshëm nga shkrimtarët e Biblës.
«Rruga e shqiponjës në qiell»
«Rruga e shqiponjës në qiell» është mahnitëse si për shpejtësinë, ashtu edhe për mënyrën pa sforcim të fluturimit, duke mos ndjekur rrugën e paracaktuar dhe duke mos lënë gjurmë. (Proverbat 30:19) Shpejtësia e shqiponjës është përmendur në Vajtimet 4:19, ku ushtarët babilonas përshkruhen kështu: «Përndjekësit tanë kanë qenë më të shpejtë se shqiponjat e qiellit, na kanë ndjekur në malet.» Kur një shqiponjë që vërtitet sipër dallon prenë e saj, kthehet në kënd me krahët e vet dhe bën një lëshim pjerrtas, gjatë të cilit, sipas disa raporteve, mund të fitojë një shpejtësi mbi 130 km/orë. S’është për t’u habitur që Shkrimet e përdorin shqiponjën si një sinonim të shpejtësisë, veçanërisht kur bëhet fjalë për forcat luftarake.—2. Samuelit 1:23; Jeremia 4:13; 49:22.
Nga ana tjetër, Isaia i referohet fluturimit pa sforcim të shqiponjës. «Ata që shpresojnë te Zoti fitojnë forca të reja, ngrihen me krahë si shqiponja, vrapojnë pa u lodhur dhe ecin pa u lodhur.» (Isaia 40:31) Cili është sekreti i fluturimit pluskues të shqiponjës? Ngritja kërkon pak përpjekje, pasi shqiponja përdor termalet ose kollonat e ajrit të ngrohtë për t’u ngritur. Termalet janë të padukshme, megjithatë shqiponja është mjeshtre për t’i gjetur. Pasi të ketë përcaktuar termalin, shqiponja hap krahët dhe bishtin e rrotullohet brenda kollonës së ajrit të ngrohtë, i cili e ngre shqiponjën lart e më lart. Pasi të ketë arritur lartësinë e mjaftueshme, ajo largohet për në termalin tjetër, ku procesi përsëritet. Në këtë mënyrë, shqiponja mund të qëndrojë lart për orë të tëra me një harxhim minimal të energjisë.
Në Izrael, veçanërisht në luginën Rift, e cila shtrihet nga Ezion-geber në brigjet e Detit të Kuq deri në Dan, në veri, shqiponjat janë një pamje e njohur. Janë veçanërisht të shumta gjatë pranverës dhe vjeshtës, kur migrojnë. Në disa vite janë numëruar rreth 100.000 shqiponja. Kur dielli i mëngjesit ngroh ajrin, qindra grabitqarë mund të shihen, duke fluturuar mbi shkëmbinjtë që rrethojnë luginën Rift.
Fluturimi pa sforcim i shqiponjës është një ilustrim i shkëlqyer se si forca e Jehovait mund të na ngrejë frymësisht dhe emocionalisht, me qëllim që të mund të vazhdojmë veprën tonë. Ashtu si shqiponja nuk mund të ngjitet në këto lartësi me forcat e saj, edhe ne nuk mund ta përballojmë atë, nëse mbështetemi në aftësitë tona. «Për të gjitha gjërat kam forcë në saje të atij që më jep fuqi»,—shpjegoi apostulli Pavël. (Filipianëve 4:13, BR) Si një shqiponjë që kërkon vazhdimisht termale të padukshme, edhe ne «të vazhdojmë që të kërkojmë» forcën aktive të padukshme të Jehovait, përmes lutjeve tona të zjarrta.—Luka 11:9, 13.
Shqiponjat që migrojnë shpesh gjejnë termale, duke vrojtuar shpendë të tjerë që u shërbejnë si gjah. Natyralisti D. R. Makentash raportoi se në një rast ishin parë 250 shqiponja dhe korba, duke u sjellë rrotull lart në të njëjtin termal. Po ashtu, të krishterët sot mund të mësojnë të mbështeten në forcën e Jehovait, duke imituar shembujt besnikë të shërbëtorëve të tjerë të perëndishëm.—Krahaso 1. Korintasve 11:1.
Nën hijen e krahëve të shqiponjës
Një ndër periudhat më të rrezikshme në jetën e shqiponjës është kur mëson të fluturojë. Nuk janë të pakta shqiponjat që humbin jetën në këtë përçapje. Edhe kombi i ri i Izraelit ishte në rrezik, kur u largua nga Egjipti. Prandaj, Fjalët e Jehovait drejtuar izraelitëve ishin më se të përshtatshme: «Ju e patë atë që u bëra egjiptasve dhe si ju solla mbi krahë shqiponje pranë meje.» (Dalja 19:4) Tregohet për shqiponja që për pak kohë i kanë mbajtur zogjtë e vegjël në kurriz, në mënyrë që të vegjlit të mos binin gjatë përpjekjeve të tyre të para për të fluturuar. G. R. Draiver, duke komentuar në një botim (Palestine Exploration Quarterly) mbi këto raporte, tha: «Metafora që e përshkruan Jehovain, duke mbajtur izraelitët në krahë shqiponje, nuk është një fluturim i thjeshtë imagjinar, por bazohet në fakte të vërteta.»
Shqiponjat janë prindër shembullorë edhe në mënyra të tjera. Ato jo vetëm që u sigurojnë të vegjëlve ushqim në mënyrë të rregullt, por, gjithashtu, zogu nënë e copëton me kujdes mishin që zogu mashkull sjell në çerdhe, me qëllim që të vegjlit e saj të mund ta gëlltisin kollaj. Duke qenë se zakonisht i ndërtojnë çerdhet e tyre mbi shkëmbinj ose në pemë shtatlarta, zogjtë e vegjël ekspozohen ndaj elementëve atmosferikë. (Jobi 39:27, 28) Dielli përzhitës, i zakonshëm për vendet biblike, mund t’i ngordhte zogjtë e vegjël, po të mos kishin kujdesin e prindërve. Shqiponja e rritur shpalos krahët, nganjëherë për orë të tëra, për t’u bërë hije të vegjëlve të dobët.
Prandaj, është shumë e përshtatshme që krahët e shqiponjës përdoren në Shkrime si simbol i mbrojtjes hyjnore. Ligji i përtërirë 32:9-12 përshkruan se si i mbrojti Jehovai izraelitët gjatë udhëtimit të tyre nëpër shkretëtirë: «Meqenëse pjesa e Zotit është populli i tij, Jakobi është pjesa e trashëgimisë së tij. Ai e gjeti në një tokë të shkretë, në një vetmi të helmuar dhe të mjerë. Ai e rrethoi, u kujdes për të dhe e ruajti si bebja e syrit të tij. Ashtu si një shqiponjë nxit zogjtë e saj, fluturon mbi të vegjlit e saj, shtrin krahët e saj, i merr dhe i mbart mbi krahët e saj, Zoti e drejtoi vetë.» Jehovai do të na japë po këtë mbrojtje të dashur, nëse besojmë në të.
Rruga e shpëtimit
Nganjëherë, kur hasim probleme, mund të kuptojmë se kemi dëshirë të fluturojmë larg nga vështirësitë tona. Kjo ishte ndjenja që pati pikërisht Davidi. (Krahaso Psalmin 55:6, 7.) Por, megjithëse Jehovai ka premtuar të na ndihmojë, ndërsa përballojmë sprova dhe vuajtje në këtë sistem, ai nuk na ofron një shpëtim të plotë. Kemi këtë sigurim biblik: «Asnjë tundim nuk ju ka gjetur juve, përveç se tundimit njerëzor; por Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që t’ju tundojnë përtej fuqive tuaja, por me tundimin do t’ju japë dhe rrugëdalje, që ju të mund ta përballoni.»—1. Korintasve 10:13.
«Rrugëdalja» ose «rruga e shpëtimit» (King James Version) përfshin mësimin për të besuar në Jehovain. Këtë zbuloi Maks Liebster, komentet e të cilit u cituan në fillim të këtij artikulli. Gjatë viteve të kaluara nëpër kampet e përqendrimit, ai arriti të njihte dhe të mbështetej në Jehovain. Siç e kuptoi edhe Maksi, Jehovai na forcon përmes Fjalës, frymës dhe organizatës së tij. Edhe nëpër kampe, Dëshmitarët kërkuan bashkëbesimtarë dhe u ofruan atyre ndihmë frymore, duke ndarë me ta mendimet e Biblës dhe çfarëdolloj literature biblike që kishin në dispozicion. Ashtu siç kanë dëshmuar vazhdimisht të mbijetuarit besimplotë, Jehovai i forcoi. «I kërkoja vazhdimisht ndihmë Jehovait,—shpjegon Maksi,—dhe fryma e tij më mbështeti.»
Çfarëdolloj sprove të ndeshim, mund të besojmë në mënyrë të ngjashme në frymën e shenjtë të Perëndisë, me kusht që të vazhdojmë ta kërkojmë atë. (Mateu 7:7-11) Të gjallëruar nga kjo «fuqi përtej normales», ne do të fluturojmë dhe nuk do të na vënë përfund problemet. Do të vazhdojmë të ecim në rrugën e Jehovait dhe nuk do të lodhemi. Do të ngrihemi me krahë si shqiponja.—2. Korintasve 4:7; Isaia 40:31.
[Diçitura në faqen 10]
Ajo nuk të shikon me një vështrim të shpejtë
[Burimi i figurës në faqen 9]
Foto: Cortesía de GREFA
[Burimi i figurës në faqen 10]
Foto: Cortesía de Zoo de Madrid