«Izraeli i Perëndisë» dhe «shumica e madhe»
«Dhe ja, pashë një shumicë të madhe, të cilën askush nuk mund ta numëronte.»—ZBULESA 7:9, BR.
1-3. (a) Cilën perspektivë madhështore qiellore kanë të krishterët e mirosur? (b) Si u përpoq Satanai të shkatërronte kongregacionin e shekullit të parë? (c) Çfarë ndodhi në 1919-ën që tregoi se përpjekjet e Satanit për të korruptuar kongregacionin e të krishterëve të mirosur kishin dështuar?
THEMELIMI i «Izraelit të Perëndisë» në vitin 33 të e.s., ishte një hap i madh në plotësimin e qëllimeve të Jehovait. (Galatasve 6:16) Anëtarët e mirosur të tij kanë shpresë për të qenë krijesa të pavdekshme frymore dhe për të sunduar me Krishtin në Mbretërinë qiellore të Perëndisë. (1. Korintasve 15:50, 53, 54) Duke qenë në atë pozitë, ata luajnë një rol kryesor në shenjtërimin e emrit të Jehovait dhe në shtypjen e kokës së Kundërshtarit të madh, Satana Djallit. (Zanafilla 3:15; Romakëve 16:20) Nuk është për t’u habitur që Satanai bëri gjithçka që kishte në dorë për ta shkatërruar këtë kongregacion të ri, si duke e persekutuar, ashtu edhe duke u përpjekur ta korruptonte!—2. Timoteut 2:18; Juda 4; Zbulesa 2:10.
2 Derisa ishin gjallë apostujt, Satanai nuk arriti të zhvillonte apostazinë në kongregacion. Por, pas vdekjes së tyre, apostazia u përhap pa kufi. Së fundi, në sytë njerëzorë dukej se kongregacioni i pastër i krishterë i themeluar nga Jezui ishte korruptuar kur Satanai nxori parodinë e feve apostate, të njohura sot si i ashtuquajturi krishterim. (2. Selanikasve 2:3-8) Megjithatë, krishterimi i vërtetë qëndroi.—Mateu 28:20.
3 Në shëmbëlltyrën e tij të grurit dhe egjrës, Jezui paratha se të krishterët e vërtetë do të rriteshin për një kohë bashkë me «egjrat» ose të krishterët e rremë dhe kështu ndodhi. Por ai tha, gjithashtu, se gjatë ditëve të fundit «bijtë e mbretërisë», do të ndaheshin përsëri në mënyrë të dukshme nga «egjrat». (Mateu 13:36-43) Edhe kjo ndodhi pikërisht kështu. Në 1919-ën, të krishterët e mirosur të vërtetë dolën nga robëria e Babilonisë. Në mënyrë hyjnore, ata u pranuan si «skllavi besnik e i matur» dhe nisën me guxim predikimin e lajmit të mirë të Mbretërisë. (Mateu 24:14, 45-47; Zbulesa 18:4) Gati të gjithë ishin paganë, por pasi kishin besimin e Abrahamit, ata ishin në fakt ‘pasardhësit e Abrahamit’. Ata ishin anëtarë të «Izraelit të Perëndisë».—Galatasve 3:7, 26-29, BR.
«Shumica e madhe»
4. Cili grup i të krishterëve u bë i dukshëm veçanërisht në vitet ’30?
4 Fillimisht, ata që iu përgjigjën predikimit të këtyre të krishterëve të mirosur u bënë edhe ata izraelitë frymorë dhe mbetje e 144.000-ve me shpresë qiellore. (Zbulesa 12:17) Megjithatë, veçanërisht në 1930-ën, një grup tjetër u bë i dukshëm. Ata u identifikuan me ‘delet e tjera’ të shëmbëlltyrës së vathës së deleve. (Gjoni 10:16) Ata ishin dishepujt e Krishtit me shpresën e jetës së përhershme në një tokë parajsore. Ata ishin pasardhësit frymorë, nëse mund të themi kështu, të të krishterëve të mirosur. (Isaia 59:21; 66:22; krahaso 1. Korintasve 4:15, 16.) Ata e pranuan kongregacionin e mirosur të krishterë si skllavin besnik e të matur dhe ngjashëm vëllezërve të tyre të mirosur, ata kishin dashuri të thellë për Jehovain, besim në sakrificën e Jezuit, zell për lavdërimin e Perëndisë dhe gatishmëri për të vuajtur për hir të drejtësisë.
5. Si është kuptuar gjithnjë e më mirë pozita e deleve të tjera?
5 Në fillim, pozita e këtyre deleve të tjera nuk u kuptua mirë, por me kalimin e kohës gjërat u bënë më të qarta. Në 1932-shin, të krishterët e mirosur u inkurajuan t’i nxisnin delet e tjera për të marrë pjesë në veprën e predikimit, diçka që shumë dele të tjera po e bënin. Në 1934-ën, delet e tjera u inkurajuan t’i nënshtroheshin pagëzimit në ujë. Në 1935-ën, ato u identifikuan si «shumica e madhe» e kapitullit 7 të Zbulesës. Në 1938-ën, ata u ftuan të merrnin pjesë si vëzhgues në Përkujtimin e vdekjes së Jezu Krishtit. Në 1951-shin, burra të pjekur mes tyre u dalluan se ishin mes ‘princave’ që shërbenin si «një mbrojtje nga era dhe një strehë kundër uraganit». (Psalmi 45:16; Isaia 32:1, 2) Në 1953-shin, organizata tokësore e Perëndisë, pjesa më e madhe e së cilës në atë kohë përbëhej nga delet e tjera, shihej si bërthama e shoqërisë tokësore që do të ekzistonte në botën e re. Në 1985-ën, u kuptua se në bazë të sakrificës shpërblerëse të Jezuit, delet e tjera janë shpallur të drejta si miq të Perëndisë dhe me shpresën për të mbijetuar Harmagedonin.
6. Cilat janë pozitat relative të të mirosurve dhe të deleve të tjera dhe cilat pyetje lindin lidhur me këtë?
6 Deri tani, në këtë pjesë të fundit të «ditëve të fundit», pjesa më e madhe e 144.000-ve ka vdekur dhe ka marrë shpërblimin e saj qiellor. (2. Timoteut 3:1; Zbulesa 6:9-11; 14:13) Të krishterët me shpresë tokësore bëjnë tani pjesën më të madhe të predikimit të lajmit të mirë dhe e quajnë një privilegj të mbështesin vëllezërit e mirosur të Krishtit në këtë. (Mateu 25:40) Megjithatë, këta të mirosur janë skllavi besnik e i matur, përmes të cilit sigurohet ushqimi frymor gjatë këtyre ditëve të fundit. Cila do të jetë situata e deleve të tjera, kur të gjithë të mirosurit të kenë marrë shpërblimin e tyre qiellor? Çfarë masash do të merren për delet e tjera? Një vështrim i shkurtër i Izraelit të lashtë do të na ndihmojë t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve.
Një «Mbretëri priftërinjsh» tipike
7, 8. Deri në ç’masë ishte Izraeli i lashtë një mbretëri priftërinjsh dhe një komb i shenjtë nën besëlidhjen e Ligjit?
7 Kur Jehovai zgjodhi Izraelin si kombin e tij të veçantë, ai bëri një besëlidhje me ta, duke thënë: «Në qoftë se do ta dëgjoni me vëmendje zërin tim dhe zbatoni besëlidhjen time, do të jeni thesari im i veçantë ndërmjet tërë popujve, sepse gjithë toka është imja. Dhe do të jeni për mua një mbretëri priftërinjsh dhe një komb i shenjtë.» (Të Dalët 19:5, 6) Në bazë të besëlidhjes së Ligjit, Izraeli ishte populli i zgjedhur i Jehovait. Megjithatë, në ç’mënyrë do të plotësohej premtimi që përfshinte një mbretëri priftërinjsh dhe një komb të shenjtë?
8 Kur ishte akoma besnik, Izraeli pranoi sovranitetin e Jehovait dhe vetë atë si Mbretin e vet. (Isaia 33:22) Në këtë mënyrë, ata ishin një mbretëri. Por, siç u zbulua më vonë, premtimi për «një mbretëri» do të thoshte më shumë se kaq. Përveç kësaj, kur iu bindën Ligjit të Jehovait, ata ishin të pastër, të ndarë nga kombet përreth. Ata ishin një komb i shenjtë. (Ligji i përtërirë 7:5, 6) A ishin ata një mbretëri priftërinjsh? Në fakt, fisi i Levit në Izrael ishte veçuar për shërbimin në tempull dhe brenda atij fisi ishte priftëria levitike. Kur u inaugurua Ligji i Moisiut, meshkujt levitë u morën në shkëmbim për të parëlindurin e çdo familjeje jolevite.a (Të Dalët 22:29; Numrat 3:11-16, 40-51) Në këtë mënyrë, çdo familje në Izrael, si të themi, ishte përfaqësuar në shërbimin në tempull. Kjo mënyrë përfaqësimi ishte plotësimi më i afërt i arritjes së premtimit se kombi po bëhej një priftëri. Megjithatë, ata e paraqitën Jehovain para kombeve. Çdo i huaj që dëshironte të adhuronte Perëndinë e vërtetë, duhej të vepronte kështu në shoqëri me Izraelin.—2. Kronikave 6:32, 33; Isaia 60:10.
9. Ç’gjë e bëri Jehovain ta hidhte poshtë mbretërinë veriore të Izraelit ‘nga shërbimi ndaj tij si prift’?
9 Pas vdekjes së Solomonit, populli i Perëndisë u nda në kombin verior të Izraelit nën drejtimin e mbretit Jeroboam dhe në kombin jugor të Judës nën mbretin Rehoboam. Pasi tempulli, qendra e adhurimit të pastër, ishte në territorin e Judës, Jeroboami vendosi një formë të paligjshme adhurimi duke vënë figura viçash në territorin e tij kombëtar. Për më tepër, «ai ndërtoi edhe tempuj mbi vendet e larta dhe bëri priftërinj duke i marrë nga të gjitha shtresat, por që nuk ishin bij të Levit». (1. Mbretërve 12:31) Kombi verior u zhyt gjithnjë e më thellë në adhurimin e rremë, kur mbreti Akab lejoi që gruaja e tij e huaj, Jezabela, të vendoste në vend adhurimin e Baalit. Përfundimisht, Jehovai shpalli gjykimin mbi mbretërinë rebele. Përmes Hozeas ai tha: «Populli im vdes për mungesë njohurish. Duke qenë se ti ke refuzuar njohjen, edhe unë do të të refuzoj si prifti im.» (Hozea 4:6) Shpejt më pas, asirianët shkatërruan mbretërinë veriore të Izraelit.
10. Si e përfaqësoi Jehovain përpara kombeve mbretëria jugore e Judës kur ishte akoma besnike?
10 Ç’mund të themi për kombin jugor të Judës? Në ditët e Hezekisë, Jehovai u tha atyre përmes Isaisë: «Dëshmitarët e mi jeni ju, . . . bashkë me shërbëtorin që kam zgjedhur, . . . Populli që kam formuar për vete do të shpallë lëvdimet e mia.» (Isaia 43:10, 21; 44:21) Kur ishte akoma besnike, mbretëria jugore shërbeu për t’u shpallur kombeve lavdinë e Jehovait, për të tërhequr të përulurit në adhurimin e tij në tempull dhe për t’u shërbyer nga priftëria ligjore levite.
Të huaj në Izrael
11, 12. Përmend disa të huaj që vajtën t’i shërbenin Jehovait bashkë me Izraelin.
11 Sa për të huajt që iu përgjigjën kësaj dëshmie kombëtare, u morën masa në Ligjin dhënë Moisiut, gruaja e të cilit, Zipora, ishte Midianite. «Një përzierje e madhe njerëzish» nga joizraelitët ikën me Izraelin nga Egjipti dhe ishin të pranishëm kur u dha Ligji. (Të Dalët 2:16-22; 12:38; Numrat 11:4) Rahaba dhe familja e saj shpëtuan nga Jerikoja dhe më vonë u pranuan në kongregacionin hebre. (Josiu 6:23-25) Shpejt më pas, gideonitët bënë paqe me Izraelin dhe morën detyra lidhur me tabernakullin.—Josiu 9:3-27; shiko gjithashtu 1. Mbretërve 8:41-43; Estera 8:17.
12 Së fundi, të huajt shërbyen në pozita të larta. Uriahu, hititi, i shoqi i Betshebës u përfshi mes «burrave të fortë» të Davidit, si edhe amoniti Zelek. (1. Kronikave 11:26, 39, 41, BR; 2. Samuelit 11:3, 4) Ebed-melek, një etiopas, shërbeu në pallat dhe kishte të drejtë për të hyrë tek mbreti. (Jeremia 38:7-9) Pasi Izraeli u kthye nga mërgimi në Babiloni, nethinimëve joizraelitë iu dhanë përgjegjësi të mëdha në ndihmën ndaj priftërinjve. (Ezdra 7:24) Pasi një numër i këtyre të huajve besnikë apo banorëve të huaj, shihet si një shenjë paralajmëruese e shumicës së madhe sot, situata e tyre është me interes për ne.
13, 14. (a) Cilat ishin privilegjet dhe përgjegjësitë e prozelitëve në Izrael? (b) Si duhej t’i konsideronin izraelitët prozelitët besnikë?
13 Këta ishin prozelitë, adhurues të dedikuar të Jehovait nën Ligjin e Moisiut që ishin ndarë bashkë me izraelitët nga kombet. (Levitiku 24:22) Ata bënin sakrifica, qëndronin larg nga adhurimi i rremë dhe nga gjaku ashtu siç bënin izraelitët. (Levitiku 17:10-14; 20:2) Ata ndihmuan në ndërtimin e tempullit të Solomonit dhe u bashkuan në përtëritjen e adhurimit të vërtetë nën drejtimin e mbretërve Asa dhe Hezekia. (1. Kronikave 22:2; 2. Kronikave 15:8-14; 30:25) Kur Pjetri përdori çelësin e parë të Mbretërisë në Rrëshajët e vitit 33 të e.s., fjalët e tij u dëgjuan nga «hebrenj dhe prozelitë [johebrenj]». Ka të ngjarë që prej rreth tre mijë vetave që u pagëzuan atë ditë, disa të ishin prozelitë. (Veprat 2:10, 41) Pak më pas, një prozelit etiopas u pagëzua nga Filipi, para se Pjetri të përdorte çelsin përfundimtar të Mbretërisë me Kornelin dhe familjen e tij. (Mateu 16:19; Veprat 8:26-40; 10:30-48) Me sa duket, prozelitët nuk konsideroheshin paganë.
14 Megjithatë, pozita e prozelitëve në Izrael nuk ishte e njëjtë me atë të izraelitëve të lindur. Prozelitët nuk shërbyen si priftërinj dhe të parëlindurit e tyre nuk paraqiteshin në priftërinë levitike.b Gjithashtu, prozelitët nuk kishin vend për trashëgim në Izrael. Megjithatë, izraelitët ishin urdhëruar të tregonin kujdes për prozelitët besnikë dhe t’i konsideronin ata si vëllezër.—Levitiku 19:33, 34.
Kombi frymor
15. Çfarë rezultoi kur Izraeli natyror refuzoi të pranonte Mesinë?
15 Ligji u dha për ta mbajtur Izraelin të pastër dhe të ndarë nga kombet përreth. Megjithatë, shërbeu edhe për një qëllim tjetër. Apostulli Pavël shkroi: «Ligji qe mësuesi ynë për te Krishti, që ne të shfajësohemi me anë të besimit.» (Galatasve 3:24) Mjerisht, pjesa më e madhe e izraelitëve dështuan të udhëhiqeshin me anë të Ligjit tek Krishti. (Mateu 23:15; Gjoni 1:11) Prandaj, Perëndia Jehova e hodhi poshtë atë komb dhe bëri që të lindë «Izraeli i Perëndisë». Për më tepër, ai e shtriu tek johebrenjtë ftesën për t’u bërë qytetarë plotësisht të lirë në këtë Izrael të ri. (Galatasve 3:28; 6:16) Në këtë komb të ri e ka plotësimin e mrekullueshëm e përfundimtar, premtimi i Jehovait në Të Dalët 19:5, 6 lidhur me një priftëri mbretërore. Në ç’mënyrë?
16, 17. Në ç’kuptim të krishterët e mirosur në tokë janë «mbretërorë»? Një «priftëri»?
16 Pjetri citoi Të Dalët 19:6, kur u shkroi të krishterëve të mirosur të ditëve të tij: «Ju jeni ‘një racë e zgjedhur, një priftëri mbretërore, një komb i shenjtë, një popull për zotërim të veçantë’.» (1. Pjetrit 2:9) Çfarë do të thotë kjo? A janë mbretër të mirosurit e krishterë në tokë? Jo, mbretërimi i tyre është akoma në të ardhmen. (1. Korintasve 4:8) Megjithatë, ata janë «mbretërorë» në kuptimin se janë zgjedhur për privilegje të ardhshme mbretërore. Edhe tani ata janë një komb nën një mbret, Jezuin, i vendosur nga Sovrani i madh, Perëndia Jehova. Pavli shkroi: «[Jehovai] na nxori nga pushteti i errësirës dhe na çoi në mbretërinë e Birit të tij të dashur.»—Kolosianëve 1:13.
17 A janë një priftëri të krishterët e mirosur në tokë? Në njëfarë mënyre, po. Si një kongregacion, ata i shërbejnë një funksioni priftëror të padiskutueshëm. Pjetri e shpjegoi këtë kur tha: «Edhe ju . . . ndërtoheni për të qenë një shtëpi frymërore, një priftëri e shenjtë.» (1. Pjetrit 2:5; 1. Korintasve 3:16) Sot, mbetja e të krishterëve të mirosur si trup, është «skllavi besnik e i matur», kanali i shpërndarjes së ushqimit frymor. (Mateu 24:45-47, BR) Ashtu si në rastin e Izraelit të lashtë, kushdo që dëshironte të adhuronte Jehovain duhej ta bënte këtë duke u shoqëruar me këta të krishterë të mirosur.
18. Çfarë përgjegjësie kryesore ka kongregacioni i të krishterëve të mirosur në tokë si priftëri?
18 Për më tepër, të krishterët e mirosur morën nga Izraeli privilegjin për të dëshmuar për madhështinë e Jehovait mes kombeve. Konteksti tregon se kur Pavli i quajti të krishterët e mirosur një priftëri mbretërore, ai kishte në mendje veprën e predikimit. Në fakt, ai ndërthuri një citim të premtimit të Jehovait në Të Dalët 19:6 me fjalët e Tij drejtuar Izraelit në Isainë 43:21, kur tha: «Ju jeni . . . priftëri mbretërore, . . . që të shpallni mrekullitë e atij që ju thirri nga terri në dritën e tij të mrekullueshme.» (1. Pjetrit 2:9) Në përputhje me këtë, Pavli foli për shpalljen e mrekullive të Jehovait si një sakrificë tempulli. Ai shkroi: «Me anë të tij [Jezuit], pra, le t’i ofrojmë vazhdimisht Perëndisë një flijim lavdie, domethënë frytin e buzëve që rrëfejnë emrin e tij.»—Hebrenjve 13:15.
Një plotësim qiellor
19. Cili është plotësimi i madh e përfundimtar i premtimit se Izraeli do të ishte një mbretëri priftërinjsh?
19 Megjithatë, Të Dalët 19:5, 6 përfundimisht ka një plotësim të lavdishëm më madhështor. Në librin e Zbulesës, apostulli Gjon dëgjon krijesa qiellore duke zbatuar këtë shkrim, ndërsa lavdërojnë Jezuin e ringjallur: «Ti u there, dhe me gjakun tënd na bleve te Perëndia nga çdo fis, gjuhë, popull dhe komb, dhe na bëre mbretër dhe priftër për Perëndinë tonë, dhe do të mbretërojmë mbi dhe.» (Zbulesa 5:9, 10) Në kuptimin e vet përfundimtar, priftëria mbretërore është Mbretëria qiellore e Perëndisë, autoriteti sundues për të cilin Jezui na tha të luteshim. (Luka 11:2) Të 144.000 të krishterët e mirosur që qëndrojnë besnikë deri në vdekje, do të kenë një pjesë në atë rregullim të Mbretërisë. (Zbulesa 20:4, 6) Çfarë plotësimi i mrekullueshëm i premtimit që ia dha kohë më parë Moisiut!
20. Cilës pyejte duhet akoma t’i përgjigjemi?
20 Ç’ka të bëjë e gjithë kjo me situatën e shumicës së madhe dhe të ardhmen e tyre, kur të gjithë të mirosurit të kenë marrë trashëgiminë e tyre të mrekullueshme? Kjo gjë do të qartësohet në artikullin e fundit të kësaj serie.
[Shënimet]
a Kur u inaugurua priftëria izraelite, bijtë e parëlindur të fiseve jolevite të Izraelit dhe meshkujt e fiseve të Levit u numëruan. Kishte 273 të parëlindur më shumë se meshkuj levitë. Kështu, Jehovai urdhëroi që të paguheshin pesë sikla për secilin nga 273 si shpërblerje për teprinë.
b Shumica e madhe e përzier e joizraelitëve ishin të pranishëm kur u inaugurua Ligji në vitin 1513 p.e.s., por të parëlindurit e tyre nuk u përfshinë, kur levitët u morën si të tillë në shkëmbim të të parëlindurve të Izraelit. (Shiko paragrafin 8.) Prandaj, levitët nuk u morën në shkëmbim të të parëlindurve të këtyre joizraelitëve.
A mund të shpjegosh?
◻ Si është kuptuar gjithnjë e më mirë pozita e deleve të tjera?
◻ Përse Jehovai e hodhi poshtë mbretërinë veriore të Izraelit nga shërbimi ndaj tij si prift?
◻ Cila ishte pozita e Judës përpara kombeve, kur ishte akoma besnike?
◻ Cila ishte pozita e prozelitëve besnikë në Izrael?
◻ Në ç’mënyrë shërbeu kongregacioni i mirosur si një mbretëri priftërinjsh?
[Figura në faqen 16]
Si priftëri mbretërore, të krishterët e mirosur shpallin lavdinë e Jehovait mbi tokë
[Figura në faqen 18]
Plotësimi përfundimtar në Të Dalët 19:6 është Mbretëria