Bibla
Përkufizimi: Fjala e shkruar e Perëndisë Jehova për njerëzimin. Ai përdori 40 njerëz si sekretarë, që e shkruan atë gjatë një periudhe prej 16 shekujsh, ndërkohë që ai vetë e drejtoi në mënyrë aktive shkrimin e Biblës me frymën e tij. Prandaj, ajo është e frymëzuar nga Perëndia. Një pjesë e madhe e Biblës përmban shpallje të vetë Jehovait, si dhe hollësi për mësimet dhe veprimtaritë e Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë. Në to gjejmë kërkesat e Perëndisë për shërbëtorët e tij, dhe çfarë do të bëjë ai për të plotësuar qëllimin e tij madhështor për tokën. Që të na e thellojë vlerësimin për këto gjëra, Jehovai ka ruajtur në Bibël ngjarje që tregojnë se çfarë ndodh kur individë dhe kombe ia vënë veshin Perëndisë dhe veprojnë në përputhje me qëllimin e tij, si edhe çfarë ndodh kur ata bëjnë sipas kokës së vet. Me anë të këtij tregimi të besueshëm historik, Jehovai na njeh me marrëdhëniet e tij me njerëzimin, si dhe me personalitetin e vet të mrekullueshëm.
Arsye për të shqyrtuar Biblën
Vetë Bibla thotë se vjen nga Perëndia, Krijuesi i njerëzimit
2 Tim. 3:16, 17: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë krejtësisht i zoti, plotësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.»
Zbul. 1:1: «Zbulesa e Jezu Krishtit, të cilën Perëndia ia dha për t’u treguar skllevërve të vet ato që do të ndodhin së shpejti.»
2 Sam. 23:1, 2: «Fjalët e Davidit, birit të Jeseut. . . . Fryma e Jehovait foli nëpërmjet meje, dhe fjala e tij ishte në gjuhën time.»
Isa. 22:15: «Kështu thotë Zotëria Sovran, Jehovai i ushtrive.»
Është normale të mendojmë që mesazhi i Perëndisë për gjithë njerëzimin, të jetë në dispozicion anembanë globit. E tërë ose pjesërisht, Bibla është përkthyer në pothuajse 2.000 gjuhë. Janë shpërndarë miliarda kopje. «Bibla është libri më i shpërndarë në histori. Është mbase edhe libri që ka pasur më shumë ndikim. Janë shpërndarë më shumë kopje të Biblës, se të ndonjë libri tjetër. Ajo është përkthyer më shumë herë dhe në më shumë gjuhë, se çdo libër tjetër.»—The World Book Encyclopedia (1984), vëll. 2, f. 219.
Profecitë e Biblës shpjegojnë domethënien e kushteve botërore
Shumë krerë botërorë e pranojnë se njerëzimi është buzë shkatërrimit. Bibla i paratha kushte të tilla mjaft kohë më parë; ajo shpjegon domethënien e tyre, dhe tregon rezultatin. (2 Tim. 3:1-5; Luka 21:10, 11, 31) Ajo na tregon se ç’duhet të bëjmë që të mbijetojmë shkatërrimin që i kanoset botës, me mundësinë që të fitojmë jetën e përhershme nën kushte të drejta këtu në tokë.—Sof. 2:3; Gjoni 17:3; Psal. 37:10, 11, 29.
Bibla na ndihmon të kuptojmë qëllimin e jetës
Ajo u përgjigjet pyetjeve të tilla, si: nga erdhi jeta? (Vep. 17:24-26) Përse ekzistojmë? Vetëm që të jetojmë disa vjet, të marrim ç’të mundim nga jeta, e pastaj të vdesim?—Zan. 1:27, 28; Rom. 5:12; Gjoni 17:3; Psal. 37:11; Psal. 40:8.
Bibla na tregon se si mund t’i kemi ato gjëra, të cilat njerëzit që e duan drejtësinë, i dëshirojnë më shumë
Ajo na thotë se ku mund të gjejmë shoqëri të shëndetshme, njerëz që e duan vërtet njëri-tjetrin (Gjoni 13:35), çfarë na garanton se do të kemi ushqim të mjaftueshëm për vete dhe për familjet tona (Mat. 6:31-33; Prov. 19:15; Efes. 4:28), si mund të jemi të lumtur, pavarësisht nga kushtet e vështira në të cilat jetojmë.—Psal. 1:1, 2; 34:8; Luka 11:28; Vep. 20:35.
Ajo shpjegon se Mbretëria e Perëndisë, qeveria e tij, do ta zëvendësojë këtë sistem të lig (Dan. 2:44), dhe, nën sundimin e kësaj mbretërie, njerëzimi do të gëzojë një shëndet të përsosur dhe jetë të përhershme.—Zbul. 21:3, 4; krahaso Isainë 33:24.
Sigurisht, ia vlen të shqyrtohet një libër që pohon se është nga Perëndia, që shpjegon domethënien e kushteve botërore dhe qëllimin e jetës, dhe që tregon se si do të zgjidhen hallet tona.
Prova që është e frymëzuar
Është plot me profeci që pasqyrojnë një njohje të hollësishme të së ardhmes; diçka e pamundur për njerëzit
2 Pjet. 1:20, 21: «Asnjë profeci e Shkrimit nuk buron nga ndonjë interpretim personal. Sepse profecia nuk ka ardhur kurrë nga vullneti i njeriut, por njerëzit kanë thënë atë që erdhi nga Perëndia, ndërsa ishin të shtyrë nga fryma e shenjtë.»
◼ Profecia: Isa. 44:24, 27, 28; 45:1-4: «Jehovai . . . Ai që u thotë ujërave të thella: ‘Avullohuni dhe të gjithë lumenjtë e tu do t’i thaj’, Ai që thotë për Kirin: ‘Ai është bariu im dhe do të kryejë plotësisht gjithçka që më pëlqen’, madje edhe atë që thashë për Jerusalemin: ‘Do të rindërtohet’, dhe për tempullin: ‘Do të hidhen themelet e tua.’ Kështu i thotë Jehovai të mirosurit të tij, Kirit, të cilin e kapi nga dora e djathtë, për të nënshtruar para tij kombe, që të zgjidhë ijët e mbretërve; për të hapur para tij dyert dykanatëshe, që as portat të mos mbyllen: ‘Unë do të eci para teje dhe do të sheshoj vendet e ngritura të tokës. Do të copëtoj dyert prej bakri dhe do të thyej shulat prej hekuri. . . . Për hir të Jakobit, shërbëtorit tim, dhe të Izraelit, të zgjedhurit tim, unë të thirra në emër.’» (Shkrimet e Isaisë përfunduan aty rreth vitit 732 p.e.s.)
◻ Përmbushja: kur u shkrua kjo profeci, Kiri s’kishte lindur ende. Judenjtë nuk shkuan në mërgim në Babiloni para viteve 617-607 p.e.s., dhe Jerusalemi e tempulli i tij nuk u shkatërruan para vitit 607 p.e.s. Profecia nisi të përmbushej me hollësi, që në vitin 539 p.e.s. Kiri i devijoi ujërat e lumit Eufrat në një liqen artificial; portat e Babilonisë nga ana e lumit u lanë hapur në mënyrë të pakujdesshme gjatë festimeve në qytet, dhe Babilonia u pushtua nga medët dhe persët, nën udhëheqjen e Kirit. Pas kësaj, Kiri i liroi mërgimtarët judenj dhe i ktheu në Jerusalem, duke i porositur që të rindërtonin tempullin atje.—The Encyclopedia Americana (1956), vëll. III, f. 9; Light From the Ancient Past (Prinston, 1959), Xhek Finegan, f. 227-229; «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm» (Nju-Jork, 1983, angl.), f. 282, 284, 295.
◼ Profecia: Jer. 49:17, 18: «Edomi do të bëhet për të ngjallur habi. Kushdo që do të kalojë nëpër të, do t’ia ngulë sytë i befasuar e do të fërshëllejë për të gjitha plagët e tij. Ashtu siç u përmbys Sodoma, Gomorra dhe qytetet e saj fqinje,—thotë Jehovai,—po ashtu atje nuk do të banojë asnjeri.» (Shkrimi i profecive të Jeremisë përfundoi aty nga viti 580 p.e.s.)
◻ Përmbushja: «Ata [edomitët] u dëbuan nga Palestina në shekullin e 2-të P.K., nga Judë Makabeu, dhe në vitin 109 P.K., Gjon Irkani, udhëheqës makabeas, e shtriu mbretërinë e Judës derisa përfshiu edhe pjesën perëndimore të tokave edomite. Në shekullin e 1-rë P.K., pushtimi romak fshiu edhe gjurmën e fundit të pavarësisë edomite. . . . Pas shkatërrimit të Jerusalemit nga romakët, në vitin 70 A.D. . . . emri Idumea [Edomi] u zhduk nga historia.» (The New Funk & Wagnalls Encyclopedia, 1952, vëll. 11, f. 4114) Vëreni se përmbushja shtrihet deri në ditët tona. Në asnjë mënyrë nuk mund të debatohet që kjo profeci u shkrua pasi kishin ndodhur ngjarjet.
◼ Profecia: Luka 19:41-44; 21:20, 21: «Ai [Jezu Krishti] pa qytetin, qau për të dhe tha: ‘Për ty do të vijnë ditët kur armiqtë do të ngrenë përreth teje një fortifikatë me hunj të mprehtë, do të të rrethojnë dhe do të të shkaktojnë vuajtje nga çdo anë, do të të shembin përtokë bashkë me fëmijët që ke brenda dhe nuk do të lënë te ti gur mbi gur, sepse nuk e dallove kohën kur u hetove.’» Dy ditë më pas, ai i këshilloi dishepujt e vet: «Kur ta shikoni Jerusalemin të rrethuar nga ushtritë e fushuara, atëherë dijeni se shkretimi i tij është afruar. Atëherë ata në Jude le të fillojnë të ikin në male, ata që janë brenda qytetit, të largohen.» (Kjo profeci u tha nga Jezu Krishti në vitin 33 të e.s.)
◻ Përmbushja: Jerusalemi u rebelua kundër Romës, dhe në vitin 66 të e.s. ushtria romake nën drejtimin e Cest Galit, sulmoi qytetin. Por, sikurse raporton historiani jude Jozefi, komandanti romak «papritur i thirri njerëzit e tij, braktisi shpresën për fitore, edhe pse s’kishte pësuar asnjë disfatë dhe duke vepruar kundër çdo arsyeje, u tërhoq nga Qyteti». (Josephus, the Jewish War, Penguin Classics, 1969, f. 167) Kjo u krijoi mundësinë të krishterëve të dilnin nga qyteti. Në fakt, sipas Eusebit të Pamfilisë, ata dolën dhe shkuan në Pela, përtej Jordanit. (Ecclesiastical History, përkthyer në anglisht nga C. F. Crusé, Londër, 1894, f. 75) Më vonë, rreth Pashkës së vitit 70 të e.s., qytetin e rrethoi gjeneral Titi, i cili vetëm brenda tri ditëve ngriti një gardh rrethues 7,2 km të gjatë dhe, pesë muaj më vonë, Jerusalemi ra. «Jerusalemi vetë u shkatërrua në mënyrë sistematike, kurse Tempulli mbeti një rrënojë. Zbulimet arkeologjike na tregojnë sot se sa i efektshëm ishte shkatërrimi i ndërtesave judaike në të gjithë vendin.»—The Bible and Archaeology (Grand Rapids, Miç.; 1962), J. A. Tompson, f. 299.
Ajo që thotë Bibla është e saktë shkencërisht edhe për çështje, të cilat kërkuesit njerëzorë i zbuluan vetëm kohë më vonë
Origjina e universit: Zan. 1:1: «Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.» Në vitin 1978, astronomi Robert Xhestrou shkroi: «Tani shohim, se dëshmitë astronomike na çojnë drejt pikëpamjes biblike për prejardhjen e botës. Ndryshojnë hollësitë, por elementet themelore në raportet astronomike dhe biblike të Zanafillës janë të ngjashme: zinxhiri i ngjarjeve që të çon deri tek njeriu, filloi papritmas dhe shpejt, në një moment të caktuar të kohës, me një shkreptimë drite dhe energjie.»—God and the Astronomers (Nju-Jork, 1978), f. 14.
Forma e planetit Tokë: Isa. 40:22: «Është Dikush që banon mbi rruzullin e tokës.» Në kohët e lashta, ekzistonte mendimi i përgjithshëm se Toka ishte e sheshtë. Vetëm mbi 200 vjet pasi ishte shkruar ky varg i Biblës, një shkollë filozofike greke arsyetoi se Toka kishte të ngjarë të ishte sferike, dhe u desh të kalonin edhe 300 vjet të tjerë, që një astronom grek të llogariste rrezen e përafërt të Tokës. Megjithatë, as në atë kohë, ideja e një toke sferike nuk ishte një pikëpamje e pranuar gjerësisht. Vetëm në shekullin e 20-të njerëzit patën mundësi të udhëtonin me aeroplan, dhe më vonë akoma të shkonin në hapësirën e jashtme, madje deri në Hënë, duke përftuar në këtë mënyrë një pamje të qartë të «rruzullit» të horizontit tokësor.
Jeta shtazore: Lev. 11:6: «Lepuri . . . është ripërtypës.» Megjithëse ky pohim u sulmua për shumë kohë nga disa kritikë, më në fund, në shekullin e 18-të, britaniku Uilliam Kauper e vëzhgoi që lepuri ripërtypet. Mënyra e pazakontë se si e bën këtë ky gjitar, u përshkrua në vitin 1940 në Proceedings of the Zoological Society of London, vëll. 110, Seria A, f. 159-163.
Harmonia e saj e brendshme është domethënëse
Ky fakt është veçanërisht kuptimplotë, po të mbajmë parasysh që librat e Biblës u shkruan nga pothuajse 40 burra, mes të cilëve kishte mbretër, profetë, barinj, taksambledhës dhe mjekë. Ata shkruan gjatë një periudhe prej 1.610 vjetësh, duke e bërë kështu të pamundur çdo marrëveshje të fshehtë. E megjithatë, shkrimet e tyre përputhen, madje edhe në hollësitë më të vogla. Që të kuptojmë se deri në ç’masë ndërthuren me harmoni pjesë të ndryshme të Biblës, duhet ta lexojmë e ta studiojmë vetë.
Si mund të jemi të sigurt që Bibla nuk është ndryshuar?
«Për sa i përket numrit të dorëshkrimeve të lashta që vërtetojnë një shkrim dhe numrit të viteve që ndajnë origjinalin nga dorëshkrimet që e vërtetojnë, Bibla ka një avantazh të padiskutueshëm në krahasim me veprat klasike [të Homerit, Platonit, etj.]. . . . Numri i të gjitha dorëshkrimeve klasike së bashku, është vetëm një grusht, në krahasim me ato biblike. Asnjë libër tjetër i lashtë nuk është i dokumentuar kaq mirë sa Bibla.»—The Bible From the Beginning (Nju-Jork, 1929), P. Marion Sims, f. 74, 76.
Një raport i botuar në vitin 1971 tregon se ekzistojnë mbase 6.000 kopje të shkruara me dorë, që përmbajnë të plota ose pjesërisht Shkrimet Hebraike; kopja më e vjetër daton në shekullin e tretë p.e.s. Kurse, për sa u përket Shkrimeve Greke, ekzistojnë rreth 5.000 kopje në greqisht, më e vjetra e të cilave daton prapa në fillimet e shekullit të dytë të e.s. Ekzistojnë edhe shumë kopje të përkthimeve të hershme në gjuhë të tjera.
Në parathënien e një vepre me shtatë vëllime, sër Frederik Kenion shkroi: «Përfundimi më i parë dhe më i rëndësishëm që del nga shqyrtimi i tyre [papiruseve], është fakti i kënaqshëm që ato vërtetojnë saktësinë e teksteve ekzistuese. Nuk duket asnjë ndryshim tronditës ose thelbësor as në Besëlidhjen e Vjetër, as në të Renë. Nuk ka as heqje ose shtime pjesësh, dhe as ndryshime që prekin fakte ose doktrina jetësore. Ndryshimet e tekstit prekin çështje të vogla, si rendi i fjalëve ose se cilat fjalë ishin përdorur saktësisht . . . Gjithsesi, rëndësia e tyre parësore është se vërtetojnë me prova, të cilat kanë një datë më të hershme se ato që kishim deri tani, integritetin e teksteve tona ekzistuese.»—The Chester Beatty Biblical Papyri (Londër, 1933), f. 15.
Është e vërtetë që disa përkthime të Biblës u përmbahen më ngushtësisht gjuhëve origjinale, sesa disa përkthime të tjera. Parafrazimet moderne të Biblës kanë marrë guximin të ndryshojnë disa herë domethënien origjinale. Disa përkthyes kanë lejuar që bindjet e tyre personale, të ndikojnë në përkthimet që kanë bërë. Sidoqoftë, mangësi të tilla mund të dallohen, duke krahasuar përkthime të ndryshme.
Nëse dikush thotë:
‘Unë nuk besoj te Bibla’
Mund të përgjigjesh: ‘Megjithatë, a besoni që ka një Perëndi? . . . A mund t’ju pyes se çfarë keni të vështirë të pranoni nga Bibla?’
Ose mund të thuash: ‘A mund t’ju pyes nëse keni menduar kështu gjithmonë? . . . Këto fjalë i kam dëgjuar edhe nga të tjerë, edhe pse nuk e kanë studiuar ndonjëherë seriozisht Biblën. Por, përderisa Bibla e thotë qartë se është një mesazh nga vetë Perëndia, dhe se ai na ofron jetën e përhershme, po të besojmë e të jetojmë në përputhje me fjalën e tij, a nuk mendoni se, të paktën, do t’ia vlente ta shqyrtonim Biblën, për të parë nëse ato që thuhen aty, janë apo jo të vërteta? (Përdor materialin në faqet 54-57.)’
‘Bibla bie në kundërshtim me veten’
Mund të përgjigjesh: ‘Ma kanë thënë edhe të tjerë këtë, por askush s’ka mundur të më tregojë në të vërtetë ndonjë kontradiktë. Unë vetë, gjatë leximit personal të Biblës, nuk kam hasur kurrë ndonjë. A mund të më jepni një shembull?’ Pastaj mund të shtosh: ‘Ajo që kam kuptuar unë, është se shumë njerëz s’mund t’u përgjigjen pyetjeve, për të cilat Bibla i vë në mendime. Për shembull: ku e gjeti gruan Kaini? (Përdor materialin në faqet 315, 316.)’
‘Biblën e kanë shkruar njerëzit’
Mund të përgjigjesh: ‘Është e vërtetë. E kanë shkruar rreth 40 veta. Megjithatë, ajo u frymëzua nga Perëndia.’ Pastaj mund të shtosh: (1) ‘Ç’do të thotë kjo? Që shkrimin e drejtoi Perëndia, sikurse një biznesmen përdor sekretaren e tij për t’i shkruar një letër.’ (2) ‘Ideja që mund të marrim mesazhe nga dikush në hapësirë, nuk duhet të na habitë. Edhe njerëzit kanë dërguar mesazhe dhe fotografi nga Hëna. Si e bëjnë këtë? Duke përdorur ligjet, që vetë Perëndia i vuri në veprim shumë kohë më parë.’ (3) ‘Megjithatë, si mund të jemi të sigurt që fjalët e Biblës janë vërtet nga Perëndia? Ajo përmban informacione që s’mund të kenë ardhur nga burime njerëzore. Për shembull: hollësitë për të ardhmen, të cilat gjithnjë kanë dalë plotësisht të sakta. (Për shembuj, shih faqet 54-56, dhe 82-86, te tema «Ditët e fundit».)’
‘Të gjithë e interpretojnë Biblën sipas qejfit’
Mund të përgjigjesh: ‘Megjithatë, kuptohet se nuk kanë të gjithë të drejtë.’ Pastaj mund të shtosh: (1) ‘Të shtrembërosh Shkrimet, që t’ua përshtatësh ideve personale, mund të shkaktojë dëme të përhershme. (2 Pjet. 3:15, 16)’ (2) ‘Dy gjëra mund të na ndihmojnë që ta kuptojmë saktësisht Biblën. Së pari, të shqyrtojmë kontekstin (vargjet ku përfshihet) e çdo pohimi. Pastaj, t’i krahasojmë këto vargje me vargje të tjera të Biblës, që flasin për të njëjtën gjë. Në këtë mënyrë, e lëmë vetë Fjalën e Perëndisë të na drejtojë mendimet, dhe, kështu, interpretimin nuk e bëjmë ne, por ai vetë. Këtë gjë bëjnë botimet e Dëshmitarëve të Jehovait.’ (Shih faqet 75, 76, te tema «Dëshmitarët e Jehovait».)
‘S’është praktike për kohën tonë’
Mund të përgjigjesh: ‘Kurse ne na interesojnë gjëra që janë praktike sot, apo jo?’ Pastaj mund të shtosh: (1) ‘A mendoni se është praktike t’u japësh fund luftërave? . . . A s’jeni dakord që një fillim i mbarë për këtë do të ishte që njerëzit të mësonin të jetonin në paqe me njerëz të një kombi tjetër? . . . Bibla ka parathënë pikërisht këtë. (Isa. 2:2, 3) Kjo po ndodh sot mes Dëshmitarëve të Jehovait, falë arsimimit biblik.’ (2) ‘Duhet diçka më shumë: zhdukja e të gjithë njerëzve dhe kombeve që shkaktojnë luftëra. A mund të ndodhë një gjë e tillë? Po, dhe Bibla shpjegon se si. (Dan. 2:44; Psal. 37:10, 11)’
Ose mund të thuash: ‘E kuptoj shqetësimin tuaj. Një manual që s’është praktik, kot që ta përdorim, apo jo?’ Pastaj mund të shtosh: ‘A mendoni se është praktik një libër, i cili siguron këshilla të shëndetshme që na japin mundësi të kemi një familje të lumtur? . . . Teoritë dhe zakonet për jetën familjare, kanë ndryshuar shpeshherë, dhe rezultatet që shohim sot, s’janë të mira. Mirëpo, ata që i njohin dhe i zbatojnë këshillat e Biblës, kanë familje të qëndrueshme e të lumtura. (Kolos. 3:12-14, 18-21)’
‘Bibla është një libër i mirë, megjithatë, e vërteta absolute nuk ekziston’
Mund të përgjigjesh: ‘Është e vërtetë që të gjithë duket se kanë opinione të ndryshme. Edhe sikur dikush të mendojë se e ka zgjidhur një punë, shpesh zbulon që s’ka marrë parasysh të paktën ndonjë faktor tjetër. Megjithatë, ekziston dikush që nuk e ka këtë kufizim. Kush mendoni se është? . . . Po, Krijuesi i universit.’ Pastaj mund të shtosh: (1) ‘Ja përse Jezu Krishti i tha atij: «Fjala jote është e vërteta.» (Gjoni 17:17) Kjo e vërtetë gjendet në Bibël. (2 Tim. 3:16, 17)’ (2) ‘Perëndia nuk do që ne të qorrollisemi në padije, përkundrazi ka thënë se vullneti i tij është që të fitojmë njohurinë e saktë të së vërtetës. (1 Tim. 2:3, 4) Bibla u përgjigjet në mënyrë vërtet të kënaqshme pyetjeve, si . . . ’ (Që të ndihmosh disa njerëz, së pari mund të jetë e nevojshme t’u flasësh për disa prova të ekzistencës së Perëndisë. Shih faqet 278-285, te tema «Perëndia».)
‘Bibla është një libër për të bardhët’
Mund të përgjigjesh: ‘Është e vërtetë se ata kanë shtypur shumë kopje të Biblës. Mirëpo, Bibla nuk thotë se një racë është më e mirë se një tjetër.’ Pastaj mund të shtosh: (1) ‘Bibla vjen nga Krijuesi ynë, dhe ai është i paanshëm. (Vep. 10:34, 35)’ (2) ‘Fjala e Perëndisë u jep njerëzve nga të gjitha kombet dhe fiset mundësinë e jetës së përhershme këtu në tokë, nën Mbretërinë e tij. (Zbul. 7:9, 10, 17)’
Ose mund të thuash: ‘S’është e vërtetë! Vetë Krijuesi i njerëzimit i zgjodhi njerëzit, të cilët më pas i frymëzoi që të shkruanin 66 librat e Biblës. Është përgjegjësi e tij, që zgjodhi të përdorte njerëz me ngjyrë të hapur të lëkurës. Gjithsesi, mesazhi i Biblës nuk ishte kufizuar vetëm për të bardhët.’ Pastaj mund të shtosh: (1) ‘Vëreni çfarë tha Jezui . . . (Gjoni 3:16) Fjala «kushdo» përfshin njerëz të çdo lloj ngjyre lëkure. Përpara se të ngjitej në qiell, Jezui u tha këto fjalë lamtumire dishepujve të tij . . . (Mat. 28:19)’ (2) ‘Është interesante se shkrimi te Veprat 13:1 flet për një njeri, të cilin e quanin Niger, që do të thotë «i zi». Ai ishte një nga profetët dhe mësuesit e kongregacionit të Antiokisë, në Siri.’
‘Unë besoj vetëm te Bibla ime’
Mund të përgjigjesh: ‘Nëse mund ta merrni, do të kisha dëshirë t’ju tregoja diçka, që mua më ka inkurajuar së tepërmi.’
Ose mund të thuash: ‘Shumë veta e përdorin atë version të Biblës, dhe unë kam një kopje të saj në bibliotekën time.’ Pastaj mund të shtosh: (1) ‘A e dini se fillimisht Bibla u shkrua në hebraisht, aramaisht dhe greqisht? . . . Dini të lexoni në këto gjuhë? . . . Prandaj, duhet të jemi mirënjohës që Bibla është përkthyer në shqip.’ (2) ‘Kjo tabelë [Tabela e librave të Biblës (BR)] tregon që Zanafilla, libri i parë i Biblës, përfundoi në vitin 1513 p.e.s. A e dinit që, pasi u shkrua Zanafilla, kaluan rreth 3.400 vjet para se Bibla të përkthehej në gjuhën shqipe?’ (3) ‘Që nga ajo kohë, shqipja ka pësuar shumë ndryshime. Disa prej tyre i kemi parë edhe gjatë jetës sonë, apo jo? . . . Prandaj, shyqyr që kemi përkthime moderne, të cilat shprehin me shumë merak po ato mendime origjinale në gjuhën që përdorim sot.’
‘Ju keni Biblën tuaj’
Shih temën «Përkthimi Bota e Re».