Profeci për Mesinë
DUKE ditur se çfarë kishin shkruar Isaia dhe profetë të tjerë për Mesinë, kombi jude e priste prej kohësh ardhjen e tij. Në të vërtetë, në ditët e Jezuit, një pjesë e mirë e judenjve «ishte në pritje» të shfaqjes së afërt të Mesisë. (Luka 3:15) Është domethënës fakti që profecitë biblike përmbajnë hollësi të jashtëzakonshme për jetën e Mesisë. Asnjë qenie njerëzore nuk mund të parashikonte ngjarje të tilla dhe as të bënte të mundur që të përmbusheshin gjithë ato hollësi në jetën e Jezuit.
Hollësi rreth lindjes së Mesisë. Isaia paratha se Mesia ose Krishti, do të lindte nga një virgjëreshë. Pasi përshkroi lindjen në rrethana të mrekullueshme të Jezuit, apostulli Mate shkroi: «Në të vërtetë, e gjithë kjo ndodhi që të përmbushej ajo që Jehovai kishte thënë nëpërmjet profetit të tij: ‘Ja, virgjëresha do të mbetet shtatzënë e do të lindë një djalë.’» (Mateu 1:22, 23; Isaia 7:14) Isaia gjithashtu paratha se Krishti do të ishte pasardhës i Davidit, duke përmendur me emër Jeseun, babanë e Davidit. Jezui vërtet rridhte drejtpërdrejt nga linja e Davidit. (Mateu 1:6, 16; Luka 3:23, 31, 32) Prandaj, para se të lindte Jezui, engjëlli Gabriel i tha Marisë, nënës së Jezuit: «Perëndia . . . do t’i japë fronin e Davidit, të atit.»—Luka 1:32, 33; Isaia 11:1-5, 10; Romakëve 15:12.
Hollësi për jetën e Mesisë. Në sinagogën e Nazaretit, Jezui, tashmë i rritur, lexoi me zë nga profecia e Isaisë, ku thuhej: «Fryma e Jehovait është mbi mua, sepse ai më mirosi që t’u shpall lajmin e mirë të varfërve.» Duke e lidhur këtë profeci me veten, Jezui tha: «Sot, ky shkrim që sapo dëgjuat, u përmbush.» (Luka 4:17-21; Isaia 61:1, 2) Isaia paratha gjithashtu se Jezui do t’i trajtonte me mirëdashje, butësi dhe përulësi ata që kishin nevojë për shërim. Mateu shkruan: «Atë e ndoqën pas shumë veta, dhe ai i shëroi të gjithë, por i urdhëroi prerazi të mos tregonin për të, që të përmbushej ajo që u tha nëpërmjet profetit Isaia . . . ‘Ai nuk do të grindet, as do të bërtasë fort . . . Ai nuk do ta dërrmojë kallamin e thyer.’»—Mateu 8:16, 17; 12:10-21; Isaia 42:1-4; 53:4, 5.
Hollësi për vuajtjet e Mesisë. Isaia profetizoi se Mesia nuk do të pranohej nga shumica në Izrael, por do të bëhej «gur pengese» për ta. (1 Pjetrit 2:6-8; Isaia 8:14, 15) Dhe vërtet, pavarësisht nga mrekullitë e shumta që kreu Jezui, njerëzit «nuk po tregonin besim tek ai, që të përmbusheshin fjalët e profetit Isaia: ‘O Jehova, kush tregoi besim tek ajo që dëgjoi nga ne?’» (Gjoni 12:37, 38; Isaia 53:1) Një arsye pse judenjtë nuk treguan besim te Jezui si Mesia, ishte besimi i përhapur, por i gabuar, se Mesia, sapo të vinte, do ta çlironte kombin nga sundimi romak dhe do të rivendoste në tokë një mbretëri të pavarur davidike. Ngaqë Jezui vuajti dhe vdiq, shumë judenj nuk mund ta pranonin si Mesia. Por në të vërtetë, Isaia kishte parathënë se Mesia do të vuante para se të bëhej Mbret.
Në librin e Isaisë, në mënyrë profetike, Mesia thotë: «E shtrova kurrizin para atyre që më goditnin . . . Nuk ua fsheha fytyrën poshtërimeve dhe të pështyrave.» Mateu tregon se çfarë ndodhi kur Jezui po gjykohej: «E pështynë në fytyrë dhe i gjuajtën me grushta. Të tjerë i ranë me shuplaka.» (Isaia 50:6; Mateu 26:67) «Pranoi ta mundonin, megjithatë nuk e hapi gojën.»—shkroi Isaia. Kështu, kur Pilati e pyeti Jezuin për akuzat që i kishin bërë judenjtë, Jezui «nuk iu përgjigj dhe nuk tha asnjë fjalë, prandaj guvernatori u çudit shumë».—Isaia 53:7; Mateu 27:12-14; Veprat 8:28, 32-35.
Hollësi për vdekjen e Mesisë. Profecia e Isaisë vazhdoi të përmbushej gjatë vdekjes së Jezuit, e madje edhe më pas. Isaia paratha: «Kur të vdesë, varri i tij do të jetë mes të ligjve dhe të pasurve.» (Isaia 53:9) Si mund të përmbushej kjo profeci në dukje kontradiktore? Kur Jezui vdiq, ai u vu në shtyllë midis dy kusarëve. (Mateu 27:38) Por më vonë, Jozefi i pasur nga Arimatea e vuri trupin e Jezuit në varrin e tij të sapohapur. (Mateu 27:57-60) Në fund, vdekja e Jezuit përmbushi një nga elementët më të rëndësishëm të profecisë së Isaisë. Duke folur për Mesinë, Isaia tha: «I drejti, shërbëtori im, do të bëjë që shumë njerëz të konsiderohen të drejtë dhe do të mbajë mbi vete fajet e tyre.» Vërtet, vdekja e Jezuit siguroi shpërblesën në mënyrë që barra e mëkatit të hiqej nga gjithë njerëzit besnikë.—Isaia 53:8, 11; Romakëve 4:25.
Profeci me përmbushje të sigurt
Për të përcaktuar me anë të Shkrimeve se kush ishte Mesia, apostujt dhe vetë Jezui i referoheshin më shpesh profecisë së Isaisë sesa librave të tjerë biblikë. Megjithatë, libri i Isaisë nuk ishte i vetmi që paratha të ardhmen. Edhe shumë profeci të tjera nga Shkrimet Hebraike gjejnë përmbushje te Jezui, te Mbretëria e tij dhe te gjërat e mira që kjo Mbretëri do të sjellë në të ardhmen.a (Veprat 28:23; Zbulesa 19:10) Po sa e sigurt ishte që këto profeci do të përmbusheshin? Jezui u tha judenjve që po dëgjonin: «Mos mendoni se erdha të zhvleftësoj Ligjin ose fjalët e profetëve [domethënë Shkrimet Hebraike]. Nuk erdha për të zhvleftësuar, por për të plotësuar. Vërtet po ju them se më shpejt do të zhdukej qielli dhe toka, sesa të zhdukej shkronja më e vogël ose një pjesëz e një shkronje nga Ligji, pa ndodhur më parë gjithë këto gjëra.»—Mateu 5:17, 18.
Jezui foli edhe për përmbushjen e profecive biblike te ngjarjet që kishin të bënin me të dhe me të ardhmen. (Danieli 9:27; Mateu 15:7-9; 24:15) Më tej, Jezui dhe vetë dishepujt e tij parathanë ngjarjet që do të ndodhnin pas kohës së tyre, përfshirë edhe shumë që i kemi parë të përmbushen në ditët e sotme. Artikulli tjetër do të flasë për këto dhe përmbushje të tjera të profecive biblike që do të ndodhin në të ardhmen.
[Shënimi]
a Për më shumë informacion rreth profecive që janë përmbushur te Jezui, shih librin Çfarë mëson vërtet Bibla? në faqen 200, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Figura në faqen 4]
«Virgjëresha . . . do të lindë një djalë»
[Figura në faqen 5]
«Nuk ua fsheha fytyrën poshtërimeve»