Delet e tjera dhe besëlidhja e re
«Të huajt . . . , të gjithë ata që mbajnë sabatin për të mos e përdhosur dhe që rrokin besëlidhjen time, edhe ata do t’i sjell në malin tim të shenjtë.»—ISAIA 56:6, 7, BR.
1. (a) Sipas vizionit të Gjonit, çfarë kryhet ndërsa mbahen erërat e gjykimit të Jehovait? (b) Çfarë shumice të jashtëzakonshme pa Gjoni?
NË VIZIONIN e katërt në librin e Zbulesës, apostulli Gjon pa se erërat shkatërrimtare të gjykimit të Jehovait mbaheshin, ndërkohë që po plotësohej vulosja e të gjithë pjesëtarëve të «Izraelit të Perëndisë». Këta janë të parët që bekohen nëpërmjet Jezuit, pjesës kryesore të farës së Abrahamit. (Galatasve 6:16; Zanafilla 22:18; Zbulesa 7:1-4) Në po këtë vizion, Gjoni pa «një shumicë të madhe, të cilën askush nuk ishte në gjendje ta numëronte, nga të gjitha kombet, fiset, popujt dhe gjuhët . . . , që thërritnin me zë të lartë, duke thënë: ‘Shpëtimin ia detyrojmë Perëndisë sonë, i cili është ulur në fron, dhe Qengjit.’» (Zbulesa 7:9, 10, BR) Me thënien «shpëtimin ia detyrojmë . . . Qengjit», shumica e madhe tregon se edhe ata janë bekuar me anë të Farës së Abrahamit.
2. Kur u shfaq shumica e madhe dhe si identifikohet ajo?
2 Kjo shumicë e madhe u dallua si e tillë në vitin 1935 dhe sot numëron më shumë se pesë milionë. Të shënuar për të mbijetuar mjerimin e madh, pjesëtarët e saj do të veçohen për jetë të përhershme, kur Jezui të ndajë «delet» nga «cjeptë». Të krishterët e shumicës së madhe ndodhen mes «deleve të tjera» në ilustrimin e vathës, që bëri Jezui. Ata shpresojnë të jetojnë përgjithmonë në një tokë parajsore.—Mateu 25:31-46; Gjoni 10:16; Zbulesa 21:3, 4.
3. Në ç’mënyrë janë të ndryshëm të krishterët e mirosur dhe delet e tjera në lidhje me besëlidhjen e re?
3 Për 144.000-t, bekimi i besëlidhjes abrahamike administrohet nëpërmjet besëlidhjes së re. Si pjesëmarrës në këtë besëlidhje, ata vihen «nën dashamirësinë e pamerituar» dhe «nën ligj drejt Krishtit». (Romakëve 6:15; 1. Korintasve 9:21) Pra, vetëm 144.000 pjesëtarët e Izraelit të Perëndisë kanë ngrënë dhe pirë me të drejtë nga emblemat, gjatë Përkujtimit të vdekjes së Jezuit dhe vetëm me ta e bëri Jezui besëlidhjen e tij për një Mbretëri. (Luka 22:19, 20, 29) Pjesëtarët e shumicës së madhe nuk janë pjesëmarrës në besëlidhjen e re. Megjithatë, ata shoqërohen me Izraelin e Perëndisë dhe jetojnë me ta në «vendin» e tyre. (Isaia 66:8) Kështu që është e arsyeshme të thuhet se edhe ata vihen nën dashamirësinë e pamerituar të Jehovait dhe nën ligj drejt Krishtit. Edhe pse nuk janë pjesëmarrës në besëlidhjen e re, ata janë përfitues të saj.
«Të huajt» dhe «Izraeli i Perëndisë»
4, 5. (a) Sipas Isaisë, cili grup do t’i shërbejë Jehovait? (b) Si është përmbushur mbi shumicën e madhe Isaia 56:6, 7?
4 Profeti Isaia shkroi: «Të huajt që janë bashkuar me Jehovain për t’i shërbyer dhe për të dashur emrin e Jehovait, që t’i bëhen shërbëtorë, të gjithë ata që mbajnë sabatin për të mos e përdhosur dhe që rrokin besëlidhjen time, edhe ata do t’i sjell në malin tim të shenjtë dhe do t’i bëjë të gëzojnë brenda shtëpisë sime të lutjes. Ofertat e tyre të djegura dhe flijimet e tyre do të jenë për pranim mbi altarin tim.» (Isaia 56:6, 7, BR) Në Izrael, kjo donte të thoshte se «të huajt», joizraelitët, do të adhuronin Jehovain, duke dashur emrin e tij, duke iu bindur kushteve të besëlidhjes së Ligjit, duke mbajtur sabatin dhe duke ofruar flijime në tempull, në «shtëpinë e lutjes» të Perëndisë.—Mateu 21:13.
5 Në ditët tona, «të huajt që janë bashkuar me Jehovain», janë shumica e madhe. Këta i shërbejnë Jehovait në shoqëri me Izraelin e Perëndisë. (Zaharia 8:23, BR) Ata ofrojnë të njëjtat flijime të pranueshme që ofron Izraeli i Perëndisë. (Hebrenjve 13:15, 16) Ata adhurojnë në tempullin frymor të Perëndisë, në ‘shtëpinë e tij të lutjes’. (Krahaso Zbulesën 7:15.) A e mbajnë ata sabatin javor? As të mirosurve dhe as deleve të tjera nuk u është urdhëruar ta bëjnë këtë. (Kolosianëve 2:16, 17) Megjithatë, Pavli u tha të krishterëve të mirosur hebrenj: «Mbetet një pushim sabati për popullin e Perëndisë. Sepse njeriu që ka hyrë në pushimin e Perëndisë, ka pushuar edhe vetë nga veprat e tij, ashtu siç pushoi Perëndia prej të vetave.» (Hebrenjve 4:9, 10, BR) Ata hebrenj hynë në këtë «pushim sabati», kur iu nënshtruan «drejtësisë së Perëndisë» dhe pushuan së u përpjekuri për t’u justifikuar me anë të veprave të Ligjit. (Romakëve 10:3, 4, BR) Të krishterët e mirosur johebrenj gëzojnë të njëjtin pushim, duke iu nënshtruar drejtësisë së Jehovait. Në këtë pushim, shumica e madhe bashkohet me ta.
6. Në ç’mënyrë e rrokin sot delet e tjera besëlidhjen e re?
6 Më tej, delet e tjera rrokin besëlidhjen e re, ashtu si të huajt e lashtësisë rrokën besëlidhjen e Ligjit. Në ç’mënyrë? Jo duke u bërë pjesëmarrës në të, por duke iu nënshtruar ligjeve që kishin lidhje me të dhe duke përfituar prej rregullimeve të saj. (Krahaso Jereminë 31:33, 34.) Ashtu si shokët e tyre të mirosur, delet e tjera e kanë ligjin e Jehovait të shkruar ‘në zemrën e tyre’. Ata duan dhe u binden thellësisht urdhërimeve dhe parimeve të Jehovait. (Psalmi 37:31; 119:97) Ashtu si të krishterët e mirosur, ata e njohin Jehovain. (Gjoni 17:3) Ç’të themi për rrethprerjen? Rreth 1.500 vjet përpara bërjes së besëlidhjes së re, Moisiu i nxiti izraelitët: «Ju duhet të rrethpritni lafshën e zemrave tuaja.» (Ligji i përtërirë 10:16, BR; Jeremia 4:4) Edhe pse rrethprerja e detyrueshme mishore kaloi bashkë me Ligjin, si të mirosurit, ashtu dhe delet e tjera, duhet të ‘rrethpresin’ zemrat e tyre. (Kolosianëve 2:11) Së fundi, Jehovai fal gabimin e deleve të tjera, mbi bazën e ‘gjakut të derdhur të besëlidhjes’ të Jezuit. (Mateu 26:28; 1. Gjonit 1:9; 2:2) Perëndia nuk i adopton ato si bij frymorë, siç bën me 144.000-t. Por i deklaron të drejta delet e tjera, në atë kuptim që Abrahami u deklarua i drejtë si mik i Perëndisë.—Mateu 25:46; Romakëve 4:2, 3; Jakovit 2:23.
7. Cila perspektivë hapet sot për delet e tjera, të cilat deklarohen të drejta, ashtu siç u deklarua Abrahami?
7 Për 144.000-t, të qenët të deklaruar të drejtë hap rrugën për pasjen e shpresës së sundimit bashkë me Jezuin në Mbretërinë qiellore. (Romakëve 8:16, 17; Galatasve 2:16) Për delet e tjera, të qenët të deklaruar të drejtë si miq të Perëndisë u lejon të përqafojnë shpresën e jetës së përhershme në një tokë parajsore, ose duke mbijetuar Harmagedonin, si pjesë e shumicës së madhe, ose nëpërmjet ‘ringjalljes së të drejtëve’. (Veprat 24:15) Çfarë privilegji të kesh një shpresë të tillë dhe të jesh mik i Sovranit të universit, të jesh «një mysafir në tendën [e tij]»! (Psalmi 15:1, 2, BR) Po, si të mirosurit, ashtu dhe delet e tjera, janë bekuar në një mënyrë të mrekullueshme nëpërmjet Jezuit, Farës së Abrahamit.
Një Ditë Shlyerje më e madhe
8. Çfarë parafytyrohej me anë të flijimeve të Ditës së Shlyerjes nën Ligj?
8 Kur po trajtonte besëlidhjen e re, Pavli u kujtoi lexuesve të tij Ditën e Shlyerjes vjetore nën besëlidhjen e Ligjit. Atë ditë, ofroheshin flijime më vete: një për fisin priftëror të Levit dhe një tjetër për 12 fiset jopriftërore. Prej shumë kohësh është shpjeguar se kjo parafytyronte flijimin e madh të Jezuit, nga i cili do të përfitonin si të 144.000-t me shpresë qiellore, ashtu dhe me miliona që kanë shpresë tokësore.a Pavli tregoi se në përmbushjen e asaj dite, dobitë e flijimit të Jezuit administrohen nëpërmjet një Dite Shlyerjeje më të madhe nën besëlidhjen e re. Si Kryeprift i kësaj dite më të madhe, Jezui dha jetën e tij të përsosur si një flijim shlyerës, që të arrinte të merrte një «çlirim të përhershëm» për njerëzit.—Hebrenjve 9:11-24, BR.
9. Duke qenë në besëlidhjen e re, çfarë mundën të përqafonin të krishterët e mirosur hebrenj?
9 Shumë të krishterë hebrenj të shekullit të parë ishin ende «të zellshëm për Ligjin [e Moisiut]». (Veprat 21:20, BR) Pra, në mënyrë të përshtatshme, Pavli u kujton: «[Jezui] është ndërmjetës i një besëlidhjeje të re, në mënyrë që, meqenëse ka ndodhur një vdekje për çlirimin e tyre me anë të shpërblerjes nga shkeljet nën besëlidhjen e mëparshme, ata që janë thirrur, të mund të marrin premtimin e trashëgimisë së përhershme.» (Hebrenjve 9:15, BR) Besëlidhja e re i çliroi të krishterët hebrenj nga besëlidhja e vjetër, e cila ekspozonte gjendjen e tyre mëkatare. Në saje të besëlidhjes së re, ata mundën të përqafonin «premtimin e trashëgimisë së përhershme [qiellore]».
10. Për çfarë e falënderojnë Perëndinë të mirosurit dhe delet e tjera?
10 «Kushdo» që «ushtron besim në Birin» do të përfitojë nga flijimi shpërblerës. (Gjoni 3:16, 36) Pavli tha: «Krishti u ofrua një herë e përgjithmonë, për të bartur mëkatet e shumë vetave; kur të shfaqet herën e dytë, kjo do të jetë duke lënë mënjanë mëkatin dhe do t’u ndodhë atyre që e kërkojnë me zell për shpëtimin e tyre.» (Hebrenjve 9:28, BR) Sot, ata që kërkojnë me zell Jezuin, përfshijnë të krishterët e mirosur të mbijetuar të Izraelit të Perëndisë dhe milionat që përbëjnë shumicën e madhe, që kanë, gjithashtu, një trashëgimi të përhershme. Që të dyja klasat falënderojnë Perëndinë për besëlidhjen e re dhe për bekimet jetëdhënëse që lidhen me të, duke përfshirë Ditën më të madhe të Shlyerjes dhe shërbimin e Kryepriftit, Jezuit, në Më të Shenjtën qiellore.
Të zënë në shërbimin e shenjtë
11. Me ndërgjegje të pastruara nëpërmjet sakrificës së Jezuit, çfarë bëjnë me lumturi si të mirosurit, ashtu dhe delet e tjera?
11 Në letrën e tij drejtuar hebrenjve, Pavli theksoi vlerën më të lartë të flijimit të Jezuit në rregullimin e besëlidhjes së re, në krahasim me ofertat për mëkatin nën besëlidhjen e vjetër. (Hebrenjve 9:13-15) Flijimi më i mirë i Jezuit është në gjendje ta «pastrojë ndërgjegjen tonë nga veprat e vdekura, që ne t’i bëjmë shërbim të shenjtë Perëndisë së gjallë». Për të krishterët hebrenj, «veprat e vdekura» përfshinin «shkeljet nën besëlidhjen e mëparshme». Për të krishterët sot, ato përfshijnë mëkatet e kryera në të kaluarën, për të cilat ka pasur një pendim të vërtetë dhe që Perëndia i ka falur. (1. Korintasve 6:9-11) Me ndërgjegje të pastruara, të krishterët e mirosur i bëjnë «shërbim të shenjtë Perëndisë së gjallë». Po kështu bën edhe shumica e madhe. Duke qenë se e kanë pastruar ndërgjegjen e tyre nëpërmjet «gjakut të Qengjit», ata ndodhen në tempullin e madh frymor të Perëndisë, ‘duke i bërë atij shërbim të shenjtë ditë e natë’.—Zbulesa 7:14, 15, BR.
12. Si e tregojmë se kemi «sigurinë e plotë të besimit»?
12 Veç kësaj, Pavli tha: «Le të afrohemi me zemra të sinqerta në sigurinë e plotë të besimit, duke qenë se me anë të spërkatjes na janë pastruar zemrat nga një ndërgjegje e ligë dhe na janë larë trupat me ujë të pastër.» (Hebrenjve 10:22, BR) Si mund të tregojmë se kemi «sigurinë e plotë të besimit»? Pavli i nxiti të krishterët hebrenj: «Le të mbajmë të patundur deklarimin publik të shpresës sonë [qiellore] pa u lëkundur, sepse ai që premtoi është i besueshëm. Le të marrim në konsideratë njëri-tjetrin për t’u nxitur në dashuri dhe në vepra të shkëlqyera, duke mos harruar të mbledhurin tonë së bashku, siç e kanë zakon disa, por duke inkurajuar njëri-tjetrin, dhe aq më tepër ndërsa shihni ditën që po afrohet.» (Hebrenjve 10:23-25, BR) Nëse besimi ynë është i gjallë, edhe ne nuk do të «harrojmë të mbledhurin tonë së bashku». Ne do të jemi të kënaqur të nxitim vëllezërit tanë dhe të nxitemi prej tyre në dashuri e në vepra të shkëlqyera, si dhe të forcohemi për veprën jetësore të deklarimit publikisht të shpresës sonë, qoftë ajo tokësore ose qiellore.—Gjoni 13:35.
«Besëlidhja e përhershme»
13, 14. Në cilat aspekte është e përhershme besëlidhja e re?
13 Çfarë ndodh kur të fundit nga 144.000-t realizojnë shpresën e tyre qiellore? A do të pushojë së u aplikuari besëlidhja e re? Në atë kohë, në tokë nuk do të ketë asnjë pjesëtar të mbetur nga Izraeli i Perëndisë. Të gjithë pjesëmarrësit në besëlidhje do të jenë me Jezuin «në mbretërinë e Atit të [tij]». (Mateu 26:29) Por ne mbajmë mend fjalët e Pavlit në letrën e tij drejtuar hebrenjve: «Perëndia i paqes . . . ngriti së vdekuri bariun e madh të deleve me gjakun e një besëlidhjeje të përhershme.» (Hebrenjve 13:20, BR; Isaia 55:3) Në ç’kuptim është e përhershme besëlidhja e re?
14 Së pari, ndryshe nga besëlidhja e Ligjit, ajo nuk do të zëvendësohet kurrë. Së dyti, rezultatet e veprimit të saj janë të përhershme, ashtu siç është pozita mbretërore e Jezuit. (Krahaso Lukën 1:33 me 1. Korintasve 15:27, 28.) Mbretëria qiellore ka një vend të përjetshëm në qëllimet e Jehovait. (Zbulesa 22:5) Së treti, delet e tjera do të vazhdojnë të përfitojnë nga rregullimi i besëlidhjes së re. Gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit, njerëzit besimplotë do të vazhdojnë t’i «bëjnë [Jehovait] shërbim të shenjtë ditë e natë në tempullin e tij», ashtu siç bëjnë tani. Jehovai nuk do t’ua tërheqë përsëri vëmendjen te mëkatet e tyre të kaluara, të cilat u falën mbi bazën e «gjakut të besëlidhjes» të Jezuit. Ata do të vazhdojnë të gëzojnë një qëndrim të drejtë si miq të Jehovait dhe ligji i tij do të jetë ende i shkruar në zemrat e tyre.
15. Përshkruaj marrëdhënien e Jehovait me adhuruesit e tij tokësorë në botën e re.
15 A do të jetë në gjendje atëherë Jehovai që për këta shërbëtorë njerëzorë të thotë, ‘Unë jam Perëndia i tyre dhe ata janë populli im’? Po. «Ai do të banojë me ta dhe ata do të jenë popujt e tij. Perëndia vetë do të jetë me ta.» (Zbulesa 21:3, BR) Ata do të bëhen «kampi i të shenjtëve», përfaqësuesit tokësorë të «qytetit të dashur», nuses qiellore të Jezu Krishtit. (Zbulesa 14:1; 20:9; 21:2) E gjithë kjo do të jetë e mundur për shkak të besimit të tyre në ‘gjakun e derdhur të besëlidhjes’ të Jezuit dhe për shkak të nënshtrimit të tyre ndaj mbretërve dhe priftërinjve qiellorë, të cilët sa qenë në tokë, ishin Izraeli i Perëndisë.—Zbulesa 5:10.
16. (a) Çfarë mundësish i presin ata që ringjallen në tokë? (b) Çfarë bekimesh do të vijnë në fund të një mijë vjetëve?
16 Ç’të themi për të vdekurit e ringjallur në tokë? (Gjoni 5:28, 29) Edhe ata do të jenë të ftuar që ‘të bekohen’ me anë të Jezuit, Farës së Abrahamit. (Zanafilla 22:18) Edhe atyre do t’u duhet të duan emrin e Jehovait, duke i shërbyer atij, duke ofruar sakrifica të pranueshme dhe duke i bërë shërbim të shenjtë në shtëpinë e tij të lutjes. Ata që veprojnë kështu, do të hyjnë në pushimin e Perëndisë. (Isaia 56:6, 7) Në fund të një mijë vjetëve, të gjithë personat besimplotë do të jenë çuar në përsosmëri njerëzore nëpërmjet shërbesës së Jezu Krishtit dhe të 144.000 priftërinjve të tjerë. Ata do të jenë të drejtë, jo thjesht të deklaruar të drejtë si miq të Perëndisë. Ata do të «vijnë në jetë», duke qenë plotësisht të lirë nga mëkati dhe vdekja, të trashëguara prej Adamit. (Zbulesa 20:5; 22:2) Ç’bekim do të jetë ky! Nga perspektiva jonë sot, duket se vepra priftërore e Jezuit dhe e 144.000-ve atëherë do të jetë përmbushur. Bekimet e Ditës më të madhe të Shlyerjes do të jenë aplikuar plotësisht. Më tej, Jezui do t’ia ‘dorëzojë mbretërinë Perëndisë dhe Atit të tij’. (1. Korintasve 15:24) Atëherë do të jetë një provë e fundit për njerëzimin e më pas Satanai dhe demonët e tij do të shkatërrohen përgjithmonë.—Zbulesa 20:7, 10.
17. Duke pasur parasysh gëzimin që na pret, çfarë duhet të jetë i vendosur të bëjë secili prej nesh?
17 Çfarë roli, nëse e ka një të tillë, do të luajë «besëlidhja e përhershme» në epokën emocionuese që do të fillojë atëherë? Nuk na takon neve ta themi. Tani për tani, mjafton ajo që ka zbuluar deri më sot Jehovai. Kjo na lë të mahnitur. Vetëm mendo: jetë e përhershme si pjesë e ‘qiejve të rinj dhe e një toke të re’! (2. Pjetrit 3:13) Asgjë mos e dobësoftë dëshirën tonë për të trashëguar këtë premtim! Të qëndrosh i vendosur mund të mos jetë e lehtë. Pavli tha: «Ju keni nevojë për qëndrueshmëri që, pasi të keni bërë vullnetin e Perëndisë, të merrni përmbushjen e premtimit.» (Hebrenjve 10:36, BR) Megjithatë, mos harro se çdo problem që duhet kapërcyer, çdo kundërshtim që duhet mposhtur, bëhet i papërfillshëm në krahasim me gëzimin që na pret. (2. Korintasve 4:17) Pra, askush nga ne mos qoftë «lloji që sprapset drejt shkatërrimit»! Përkundrazi, le të provojmë se jemi «lloji që ka besim për ruajtjen gjallë të shpirtit». (Hebrenjve 10:39, BR) Të gjithë ne paçim besim të plotë në Jehovain, Perëndinë e besëlidhjeve, për bekimin e përjetshëm të secilit dhe të kujtdo prej nesh!
[Shënimi]
a Shiko Mbijetesë për në një tokë të re, kapitulli 13, botuar nga Shoqata Watchtower Bible and Tract of New York, Inc., anglisht.
A e kuptove?
◻ Përveç të krishterëve të mirosur, cilët po bekohen nëpërmjet Farës së Abrahamit?
◻ Duke qenë të bekuara nëpërmjet besëlidhjes së re, në ç’mënyrë delet e tjera janë si prozelitët nën besëlidhjen e vjetër?
◻ Si janë bekuar delet e tjera nëpërmjet rregullimit të Ditës më të madhe të Shlyerjes?
◻ Pse Pavli e quajti besëlidhjen e re një «besëlidhje të përhershme»?
[Kutia në faqen 21]
Shërbim i shenjtë në tempull
Shumica e madhe adhuron bashkë me të krishterët e mirosur në oborrin tokësor të tempullit të madh frymor të Jehovait. (Zbulesa 7:14, 15; 11:2) Nuk ka asnjë arsye për të nxjerrë përfundimin se ata ndodhen në një Oborr më vete të johebrenjve. Kur Jezui ishte në tokë, në tempull ndodhej një Oborr i johebrenjve. Megjithatë, në planet e frymëzuara hyjnisht për tempujt e Solomonit dhe të Ezekias, nuk ishin marrë masa për një Oborr të johebrenjve. Në tempullin e Solomonit ndodhej një oborr i jashtëm, ku izraelitë dhe prozelitë, burra dhe gra, adhuronin së bashku. Ky është modeli profetik i oborrit tokësor të tempullit frymor, ku Gjoni pa shumicën e madhe duke bërë shërbim të shenjtë.
Megjithatë, vetëm priftërinjtë dhe levitët mund të hynin në oborrin e brendshëm, ku ndodhej altari i madh, vetëm priftërinjtë mund të hynin në të Shenjtën dhe vetëm kryeprifti mund të hynte në Më të Shenjtën. Për oborrin e brendshëm dhe për të Shenjtën është kuptuar se ishin hija e gjendjes unike frymore të të krishterëve të mirosur në tokë. Më e Shenjta përfaqëson vetë qiellin, ku të krishterët e mirosur marrin jetë të pavdekshme bashkë me Kryepriftin e tyre qiellor.—Hebrenjve 10:19, 20.
[Figura në faqen 23]
Duke pasur parasysh gëzimin që na pret, le të ‘kemi besim për ruajtjen gjallë të shpirtit’