Kapitulli shtatëmbëdhjetë
Të huaj të mbledhur në shtëpinë e lutjes të Perëndisë
1, 2. Cili njoftim drithërues u bë në vitin 1935 dhe pjesë e çfarë gjëje ishte kjo?
TË PREMTEN, më 31 maj 1935, në një kongres të mbajtur në Uashington D.C., Xhozef F. Radhërfordi foli para auditorit për identitetin e «shumicës së madhe», të parë në vizion nga apostulli Gjon. Në pikën kulmore të fjalimit, vëllai Radhërford pyeti: «Ju lutem, a mund të ngrihen në këmbë të gjithë ata që kanë shpresën për të jetuar përgjithmonë në tokë?» Sipas njërit prej të pranishmëve, «më shumë se gjysma e auditorit u ngrit në këmbë». Pastaj, oratori tha: «Ja, shumica e madhe!» Një tjetër e pranishme kujton: «Në fillim pati një moment qetësie, pastaj një britmë gëzimi dhe brohoritje të forta e të gjata.»—Zbulesa 7:9.
2 Ky ishte një moment i spikatshëm në përmbushjen që po i ndodhte një profecie të shkruar rreth 2.700 vjet më parë, e cila shfaqet në Biblat tona si kapitulli 56 i Isaisë. Ashtu si shumë profeci të tjera të librit të Isaisë, kjo profeci përmban edhe mesazhe ngushëlluese, edhe paralajmërime të ashpra. Në zbatimin e parë, ajo i drejtohet popullit me të cilin Perëndia ka bërë një besëlidhje që jeton në kohën e Isaisë, por ajo gjen përmbushje shumë shekuj më pas, në ditët tona.
Çfarë kërkohet për të shpëtuar?
3. Nëse e kërkojnë shpëtimin nga Perëndia, çfarë duhet të bëjnë judenjtë?
3 Kapitulli 56 i Isaisë fillon me një këshillë që u drejtohet judenjve. Megjithatë, të gjithë adhuruesit e vërtetë duhet t’i vënë veshin asaj që shkruan profeti. Lexojmë: «Kjo është ajo që ka thënë Jehovai: ‘Zbatoni drejtësinë dhe bëni atë që është e drejtë. Sepse shpëtimi im është duke ardhur dhe drejtësia ime është duke u zbuluar. Lum njeriu i vdekshëm që e bën këtë dhe biri i njeriut që e rrok atë, duke mbajtur sabatin me qëllim që të mos e përdhosë dhe duke e mbajtur dorën me qëllim që të mos bëjë asnjë të keqe.’» (Isaia 56:1, 2) Banorët e Judës, të cilët kërkojnë që Perëndia t’i shpëtojë, duhet t’i binden Ligjit të Moisiut duke zbatuar drejtësinë e duke bërë një jetë të drejtë. Pse? Sepse vetë Jehovai është i drejtë. Ata që ndjekin drejtësinë gëzojnë lumturinë që vjen nga pasja e miratimit të Jehovait.—Psalmi 144:15b.
4. Pse mbajtja e sabatit është e rëndësishme për Izraelin?
4 Profecia e vë theksin te mbajtja e sabatit, pasi ai është një aspekt i rëndësishëm i Ligjit të Moisiut. Në të vërtetë, një nga arsyet për të cilat banorët e Judës, më së fundi, shkojnë në mërgim, është sepse kanë lënë pas dore sabatin. (Levitiku 26:34, 35; 2 Kronikave 36:20, 21) Sabati është një shenjë e marrëdhënies së veçantë që ka Jehovai me judenjtë, dhe ata që e mbajnë sabatin tregojnë se e vlerësojnë këtë marrëdhënie. (Dalja 31:13) Veç kësaj, mbajtja e sabatit do t’u kujtonte bashkëkohësve të Isaisë që Jehovai është Krijuesi. Gjithashtu, do t’u sillte ndër mend mëshirën që ai kishte treguar ndaj tyre. (Dalja 20:8-11; Ligji i përtërirë 5:12-15) Së fundi, duke mbajtur sabatin do të sigurohej një mënyrë e rregullt dhe e organizuar për të adhuruar Jehovain. Duke pushuar një ditë në javë e duke mos u marrë me punët e tyre të zakonshme, banorët e Judës do të kishin mundësi të luteshin, të studionin dhe të meditonin.
5. Si mund ta zbatojnë në parim të krishterët këshillën për të mbajtur sabatin?
5 Por, ç’të themi për të krishterët? A zbatohet për ta nxitja për të mbajtur sabatin? Jo drejtpërdrejt, pasi të krishterët nuk janë nën Ligj, e kështu që nuk u kërkohet të mbajnë sabatin. (Kolosianëve 2:16, 17) Megjithatë, apostulli Pavël shpjegoi se për të krishterët besnikë ka «një pushim sabati». Ky «pushim sabati» përfshin që ata të kenë besim në flijimin shpërblyes të Jezuit për shpëtimin dhe të mos kenë më besim vetëm te veprat. (Hebrenjve 4:6-10) Prandaj, fjalët e profecisë së Isaisë lidhur me sabatin u kujtojnë shërbëtorëve të Jehovait sot nevojën jetësore për të pasur besim në rregullimin e Jehovait për shpëtimin. Ato shërbejnë, gjithashtu, si një përkujtues i shkëlqyer i nevojës për të kultivuar një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain dhe për të qenë adhurues të rregullt e konsekuentë të tij.
Ngushëllim për të huajin dhe për eunukun
6. Cilat janë dy grupet, të cilave u kushtohet vëmendje tani?
6 Tani, Jehovai u drejtohet dy grupeve që dëshirojnë t’i shërbejnë atij, por që sipas Ligjit të Moisiut nuk janë të kualifikuara për t’u bërë pjesë e kongregacionit jude. Lexojmë: «I huaji që është bashkuar me Jehovain të mos thotë: ‘Pa dyshim, Jehovai do të më ndajë nga populli i tij.’ As eunuku të mos thotë: ‘Ja, jam një pemë e thatë.’» (Isaia 56:3) I huaji ka frikë se mos e ndajnë nga Izraeli. Eunuku shqetësohet se nuk do të lindë kurrë fëmijë që të ruajnë emrin e tij. Të dyja grupet duhet të marrin zemër. Para se të shohim përse, le të shqyrtojmë se ç’pozitë kanë ata nën Ligj, lidhur me kombin e Izraelit.
7. Çfarë kufizimesh u vë Ligji të huajve në Izrael?
7 Të huajve të parrethprerë nuk u lejohet të marrin pjesë bashkë me Izraelin në adhurim. Për shembull, nuk u lejohet të marrin pjesë në kremtimin e pashkës. (Dalja 12:43) Të huajt që nuk i thyejnë në mënyrë flagrante ligjet e vendit gëzojnë drejtësi dhe u tregohet mikpritje, por nuk kanë lidhje të qëndrueshme me kombin. Sigurisht, disa e përqafojnë plotësisht Ligjin, dhe si shenjë e kësaj, burrat rrethpriten. Pas kësaj ata bëhen prozelitë, pra, gëzojnë privilegjin të adhurojnë në oborrin e shtëpisë së Jehovait dhe shihen si pjesë e kongregacionit të Izraelit. (Levitiku 17:10-14; 20:2; 24:22) Megjithatë, as prozelitët nuk janë pjesëmarrës me të drejta të plota në besëlidhjen që Jehovai ka bërë me Izraelin dhe nuk kanë trashëgimi trualli në Tokën e Premtuar. Të huajt e tjerë mund të luten duke u drejtuar nga tempulli dhe, me sa duket, mund të ofrojnë flijime nëpërmjet priftërisë, në qoftë se ato bëhen në përputhje me Ligjin. (Levitiku 22:25; 1 Mbretërve 8:41-43) Por izraelitët nuk duhet të kenë një shoqëri të ngushtë me ta.
Eunukëve u jepet një emër që zgjat deri në kohë të pacaktuar
8. (a) Si konsideroheshin eunukët nën Ligj? (b) Si përdoreshin eunukët në kombet pagane dhe kujt mund t’i referohet ndonjëherë termi «eunuk»?
8 Eunukëve, edhe nëse i kanë lindur prindër judenj, u mohohet anëtarësia me të drejta të plota në kombin e Izraelit.a (Ligji i përtërirë 23:1) Në disa kombe pagane të kohëve biblike, eunukët kishin një vend të veçantë dhe ishte zakon që disa nga fëmijët e kapur rob në luftë të tridheshin. Eunukët caktoheshin si zyrtarë në oborret mbretërore. Një eunuk mund të ishte «rojtar i grave», «rojtar i konkubinave» ose shërbëtor i mbretëreshës. (Estera 2:3, 12-15; 4:4-6, 9) Nuk ka asnjë dëshmi që tregon se izraelitët ndiqnin praktika të tilla ose që eunukët ishin veçanërisht të kërkuar për t’u përdorur në shërbim të mbretërve izraelitë.b
9. Cilat fjalë ngushëlluese u drejton Jehovai atyre që janë fizikisht eunukë?
9 Përveç faktit që mund ta adhurojnë Perëndinë e vërtetë vetëm në mënyrë të kufizuar, ata që janë fizikisht eunukë në Izrael vuajnë edhe për shkak të poshtërimit të madh që u bëhet, sepse nuk mund të lindin fëmijë të cilët do të trashëgonin emrin e familjes. Prandaj, sa ngushëlluese janë fjalët vijuese të profecisë! Aty lexohet: «Kjo është ajo që Jehovai u ka thënë eunukëve që mbajnë sabatet e mia, që kanë zgjedhur atë në të cilën unë jam kënaqur dhe që kanë rrokur besëlidhjen time: ‘Unë do t’u jap atyre në shtëpinë time dhe brenda mureve të mia një monument dhe një emër, diçka më të mirë se bijtë dhe bijat. Do t’u jap një emër që zgjat deri në kohë të pacaktuar, një emër që nuk do të shuhet.’»—Isaia 56:4, 5.
10. Kur ndryshoi gjendja e eunukëve dhe cilin privilegj kanë pasur mundësi të kenë ata që atëherë?
10 Po, do të vijë koha kur edhe të qenët eunuk në kuptimin fizik nuk do të jetë më një pengesë për t’u pranuar plotësisht si shërbëtor i Jehovait. Nëse do të tregojnë bindje, eunukët do të kenë «një monument» ose një vend në shtëpinë e Jehovait, si dhe një emër, pra, diçka më të mirë se bijtë dhe bijat. Kur ndodh kjo? Pas vdekjes së Jezu Krishtit. Në atë kohë, besëlidhja e vjetër e Ligjit u zëvendësua nga besëlidhja e re dhe Izraeli sipas mishit u zëvendësua nga ‘Izraeli i Perëndisë’. (Galatasve 6:16) Që atëherë, të gjithë ata që kanë ushtruar besim kanë mundur ta adhurojnë Perëndinë në mënyrë të pranueshme. Dallimet sipas mishit dhe gjendja fizike nuk kanë më rëndësi. Ata që qëndrojnë besnikë, pavarësisht nga gjendja e tyre fizike, do të kenë «një emër që zgjat deri në kohë të pacaktuar . . . që nuk do të shuhet». Jehovai nuk do t’i harrojë. Emrat e tyre do të shkruhen në ‘librin [e tij] të kujtimit’ dhe, në kohën e duhur sipas Perëndisë, do t’u jepet jeta e përhershme.—Malakia 3:16; Proverbat 22:1; 1 Gjonit 2:17.
Të huajt adhurojnë me popullin e Perëndisë
11. Çfarë nxiten të huajt të bëjnë, me qëllim që të bekohen?
11 Por, ç’të themi për të huajt? Tani profecia u drejtohet këtyre dhe Jehovai ka fjalë shumë ngushëlluese për ta. Isaia shkruan: «Të huajt që janë bashkuar me Jehovain për t’i shërbyer e për të dashur emrin e Jehovait, me qëllim që të bëhen shërbëtorë të tij, të gjithë ata që mbajnë sabatin me qëllim që të mos e përdhosin dhe që rrokin besëlidhjen time, do t’i sjell, gjithashtu, në malin tim të shenjtë dhe do t’i bëj të gëzojnë brenda shtëpisë sime të lutjes. Blatimet e plota të djegura dhe flijimet e tyre do të jenë për pranim në altarin tim. Sepse shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje për të gjithë popujt.»—Isaia 56:6, 7.
12. Çfarë kuptueshmërie ekzistonte dikur për profecinë e Jezuit rreth ‘deleve të tjera’?
12 Në kohën tonë, «të huajt» janë shfaqur në mënyrë graduale. Para Luftës I Botërore, u kuptua se do të shpëtonin një numër më i madh individësh sesa numri i atyre me shpresën për të sunduar në qiell me Jezuin, të cilët sot njihen si Izraeli i Perëndisë. Studentët e Biblës ishin të vetëdijshëm për fjalët e Jezuit në Gjonin 10:16: «Kam dele të tjera, që nuk janë të kësaj vathe; edhe ato duhet t’i sjell, dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim e do të bëhen një kope e vetme nën një bari të vetëm.» Ishte kuptuar se këto «dele të tjera» ishin një klasë tokësore. Por shumica e studentëve të Biblës besonin se delet e tjera do të shfaqeshin gjatë mbretërimit mijëvjeçar të Jezu Krishtit.
13. Pse u arsyetua se delet e përmendura në kapitullin 25 të Mateut duhej të shfaqeshin gjatë ditëve të fundit të këtij sistemi?
13 Më vonë, u bë përparim në kuptueshmërinë e një shkrimi tjetër që ka lidhje me argumentin në fjalë dhe që flet për dele. Në kapitullin 25 të Mateut gjendet shëmbëlltyra e deleve dhe e cjepve që tregoi Jezui. Sipas asaj shëmbëlltyre, deleve u jepet jeta e përhershme, sepse mbështetin vëllezërit e Jezuit. Prandaj, ato përbëjnë një klasë të ndarë nga vëllezërit e mirosur të Krishtit. Në vitin 1923, gjatë një kongresi në Los Anxhelos të Kalifornisë, në SHBA, u shpjegua se ato dele nuk duhet të shfaqen gjatë Mijëvjeçarit, por gjatë ditëve të fundit të këtij sistemi. Pse? Sepse Jezui e tregoi këtë shëmbëlltyrë si pjesë të përgjigjes ndaj pyetjes: «Kur do të jenë këto gjëra dhe cila do të jetë shenja e pranisë sate dhe e përfundimit të sistemit?»—Mateu 24:3.
14, 15. Si u bë përparim në lidhje me kuptueshmërinë për pozitën e deleve të tjera në kohën e fundit?
14 Gjatë viteve 20 të shekullit të 20-të, disa individë që shoqëroheshin me Studentët e Biblës filluan të ndienin se fryma e Jehovait nuk po u jepte dëshmi që kishin thirrjen qiellore. E megjithatë, ata ishin shërbëtorë të zellshëm të Perëndisë më të Lartë. Pozita e tyre u kuptua më mirë në vitin 1931, kur u botua libri Shfajësimi. Si pjesë e një trajtimi varg për varg të librit biblik të Ezekielit, në librin Shfajësimi shpjegohej vegimi i ‘burrit’ me kallamarin prej briri të shkruesit. (Ezekieli 9:1-11) Ky «burrë» shihet tek kalon përmes Jerusalemit dhe bën një shenjë në ballin e atyre që psherëtijnë dhe vajtojnë për gjërat e neveritshme që kryhen atje. ‘Burri’ përfaqëson vëllezërit e Jezuit, mbetjen e të krishterëve të mirosur, e cila është gjallë në tokë në kohën e gjykimit të Jerusalemit antitipik, të ashtuquajturit krishterim. Ata që shënohen janë delet e tjera që jetojnë gjatë asaj kohe. Në vegim ata kursehen kur ekzekutuesit e dërguar nga Jehovai hakmerren ndaj atij qyteti apostat.
15 Në vitin 1932, një kuptueshmëri më e thellë e dramës profetike të Jehut (mbret i Izraelit) dhe Jehonadabit (një përkrahës joizraelit) tregoi se si këto dele të tjera veprojnë në mbështetje të vëllezërve të mirosur të Krishtit, ashtu si Jehonadabi shoqëroi dhe mbështeti Jehun në shkatërrimin e adhurimit të Baalit. Së fundi, në vitin 1935, u kuptua se delet e tjera që jetojnë gjatë kohës së fundit të këtij sistemi janë shumica e madhe që pa në vegim apostulli Gjon. Kjo u shpjegua për herë të parë në kongresin e përmendur në fillim, në Uashington D.C., kur Xhozef F. Radhërfordi iu referua atyre me shpresë tokësore me termin ‘shumica e madhe’.
16. Çfarë privilegjesh dhe përgjegjësish kanë «të huajt»?
16 Kështu, u kuptua pak nga pak se «të huajt» kanë një rol të rëndësishëm në qëllimet e Jehovait, gjatë këtyre ditëve të fundit. Ata vijnë tek Izraeli i Perëndisë për të adhuruar Jehovain. (Zakaria 8:23) Bashkë me këtë komb frymor, ata i paraqesin Perëndisë flijime të pranueshme dhe hyjnë në pushimin e sabatit. (Hebrenjve 13:15, 16) Veç kësaj, ata adhurojnë në tempullin frymor të Perëndisë, i cili ashtu si tempulli i Jerusalemit, është «shtëpi lutjeje për të gjitha kombet». (Marku 11:17) Ata ushtrojnë besim në flijimin shpërblyes të Jezu Krishtit, ‘duke i larë petkat e tyre të gjata e duke i zbardhur në gjakun e Qengjit’. Gjithashtu, i shërbejnë Jehovait vazhdimisht, ‘duke i bërë atij shërbim të shenjtë ditë e natë’.—Zbulesa 7:14, 15.
17. Në ç’mënyrë e rrokin besëlidhjen e re të huajt e kohëve tona?
17 Këta të huaj të kohëve tona e rrokin besëlidhjen e re në kuptimin që, duke u shoqëruar me Izraelin e Perëndisë, gëzojnë dobitë dhe bekimet që vijnë nëpërmjet besëlidhjes së re. Ndonëse nuk janë pjesëmarrës në këtë besëlidhje, ata u nënshtrohen me gjithë zemër ligjeve që lidhen me të. Në këtë mënyrë, ligji i Jehovait është në zemrat e tyre dhe ata arrijnë ta njohin Jehovain si Atin e tyre qiellor e si Sovranin më të lartë.—Jeremia 31:33, 34; Mateu 6:9; Gjoni 17:3.
18. Ç’vepër mbledhjeje po kryhet gjatë kohës së fundit?
18 Profecia e Isaisë vazhdon: «Shprehja e Zotërisë Sovran Jehova, i cili po mbledh të shpërndarët e Izraelit, është: ‘Do të mbledh bashkë me të, të tjerë përveç atyre që tashmë janë mbledhur prej tij.’» (Isaia 56:8) Gjatë kohës së fundit, Jehovai ka mbledhur «të shpërndarët e Izraelit», ata të mbetjes së mirosur. Përveç tyre, ai po mbledh të tjerë, ata të shumicës së madhe. Së bashku, ata adhurojnë në paqe dhe harmoni nën mbikëqyrjen e Jehovait dhe të mbretit të tij të hipur në fron, Krishtit Jezu. Për shkak të besnikërisë së tyre ndaj qeverisë së Jehovait drejtuar nga Krishti, Bariu i Shkëlqyer ka bërë që ata të jenë një kope e vetme e bashkuar dhe e gëzuar.
Roja të verbra, qen pa zë
19. Cila ftesë u bëhet kafshëve të egra të fushës e të pyllit?
19 Fjalët e ngrohta dhe ndërtuese që u përmendën më sipër, pasohen nga një kontrast i habitshëm e pothuajse tronditës. Jehovai është i gatshëm të veprojë me mëshirë ndaj të huajve dhe eunukëve. Por shumë nga ata që pohojnë se janë pjesë e kongregacionit të Perëndisë dënohen dhe i pret ndëshkimi. Për më tepër, ata nuk janë të denjë, madje, as për një varrim si duhet, por meritojnë vetëm të gllabërohen nga kafshët grabitqare. Prandaj, lexojmë: «Të gjitha ju kafshë të egra të fushës së hapur, ejani të hani, të gjitha ju kafshë të egra në pyll.» (Isaia 56:9) Nga se do të përbëhet banketi i këtyre kafshëve të egra? Profecia do ta shpjegojë. Me këtë, ajo mund të na kujtojë fundin që i pret ata që do t’i kundërvihen Perëndisë në luftën e ardhshme të Harmagedonit, trupat e vrarë të të cilëve do t’u lihen zogjve të qiellit për t’i gllabëruar.—Zbulesa 19:17, 18.
20, 21. Cilat të meta i bëjnë udhëheqësit fetarë të padobishëm si udhërrëfyes frymorë?
20 Profecia vazhdon: «Rojat e tij janë të verbra. Askush prej tyre nuk ka vënë re. Janë të gjithë qen pa zë; nuk janë në gjendje të lehin, dihatin, shtrihen, u pëlqen të dremitin. Janë, madje, qen që e kanë të fortë dëshirën e shpirtit; nuk kanë njohur të ngopur. Janë, gjithashtu, barinj që nuk kanë ditur si të kuptojnë. Janë drejtuar të gjithë për në rrugën e vet, secili për fitimin e vet të padrejtë nga kufiri i tij: ‘Ejani! Më lini të marr pak verë dhe le të pimë pije dehëse deri sa të mos mbajmë. Dhe e nesërmja do të jetë, me siguri, tamam si e sotmja, madhështore në një masë shumë më të madhe.’»—Isaia 56:10-12.
21 Udhëheqësit fetarë të Judës pohojnë se adhurojnë Jehovain. Pretendojnë se janë «rojat e tij». Por ata janë të verbër frymësisht, të pazë dhe gjumashë. Nëse nuk mund të rrinë vigjilentë dhe të japin alarmin për rrezikun, për çfarë duhen atëherë? Këto roja fetare janë pa kuptueshmëri dhe nuk janë të kualifikuar të drejtojnë frymësisht njerëzit ngjashëm deleve. Për më tepër, janë të korruptuar. Kanë dëshira egoiste të pangopshme. Në vend që të ndjekin drejtimin e Jehovait, ndjekin rrugën e tyre, kërkojnë fitime të padrejta, jepen me tepri pas pijeve dehëse dhe i nxitin edhe të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë. Kaq të pavetëdijshëm janë për gjykimin e afërt që do të vijë nga Perëndia, saqë u thonë njerëzve se gjërat do të shkojnë shkëlqyeshëm.
22. Në ç’mënyrë udhëheqësit fetarë të kohës së Jezuit janë si ata të Judës së lashtë?
22 Diku më parë në profecinë e tij Isaia ka përdorur një gjuhë figurative të ngjashme për të përshkruar udhëheqësit jobesnikë fetarë të Judës, të cilët ishin të dehur frymësisht, të përgjumur dhe pa kuptueshmëri. Ata i ngarkonin njerëzit me tradita njerëzore, u thoshin gënjeshtra fetare dhe mbështeteshin në ndihmën e Asirisë në vend që t’i drejtoheshin Perëndisë. (2 Mbretërve 16:5-9; Isaia 29:1, 9-14) Në mënyrë të qartë, ata nuk kanë nxjerrë asnjë mësim. Mjerisht, i njëjti lloj udhëheqësish ekzistonte edhe në shekullin e parë. Në vend që të përqafonin lajmin e mirë që u solli vetë Biri i Perëndisë, ata e hodhën poshtë Jezuin dhe komplotuan për ta vrarë. Jezui i quajti haptazi «udhërrëfyes të verbër», duke shtuar se nëse «një i verbër drejton një të verbër, të dy do të bien në gropë».—Mateu 15:14.
Rojat e kohës së sotme
23. Cila profeci e Pjetrit lidhur me udhëheqësit fetarë është përmbushur?
23 Apostulli Pjetër paralajmëroi se do të ngriheshin, gjithashtu, mësues të rremë për të mashtruar të krishterët. Ai shkroi: «Mes popullit [të Izraelit] kishte edhe profetë të rremë, ashtu si do të ketë edhe mes jush mësues të rremë. Pikërisht këta do të futin tinëzisht sekte shkatërruese e do të mohojnë madje edhe pronarin që i bleu, duke sjellë mbi veten një shkatërrim të shpejtë.» (2 Pjetrit 2:1) Cili ka qenë rezultati i mësimeve të rreme dhe i sektarizmit të këtyre mësuesve të rremë? Ka qenë i ashtuquajturi krishterim, udhëheqësit fetarë të të cilit sot luten që Perëndia të bekojë miqtë e tyre politikanë dhe më pas premtojnë një të ardhme të ndritur. Udhëheqësit fetarë të të ashtuquajturit krishterim kanë treguar se janë të verbër, të pazë dhe të përgjumur për sa u përket gjërave frymore.
24. Çfarë uniteti ekziston ndërmjet Izraelit frymor dhe të huajve?
24 Megjithatë, Jehovai po sjell miliona të huaj që të adhurojnë bashkë me të fundit që kanë mbetur nga Izraeli i Perëndisë në shtëpinë e tij të madhe frymore të lutjes. Këta të huaj, ndonëse nga shumë kombe, raca dhe gjuhë, janë në unitet me njëri-tjetrin dhe me Izraelin e Perëndisë. Ata janë të bindur se shpëtimi mund të vijë vetëm nga Perëndia Jehova nëpërmjet Jezu Krishtit. Të motivuar nga dashuria për Jehovain, ata bashkohen me vëllezërit e mirosur të Krishtit në shpalljen e besimit të tyre. Gjithashtu, ata i ngushëllojnë së tepërmi fjalët e apostullit të frymëzuar, i cili shkroi: «Po të shpallësh publikisht atë ‘fjalë në vetë gojën tënde’, se Jezui është Zotëri dhe po të ushtrosh besim në zemrën tënde se Perëndia e ngriti atë prej të vdekurve, do të shpëtosh.»—Romakëve 10:9.
[Shënimet]
a Me kalimin e kohës, termi «eunuk» u përdor për t’iu referuar një zyrtari të oborrit mbretëror, pa nënkuptuar gjymtimin seksual. Meqenëse etiopasi i pagëzuar nga Filipi duket se ishte prozelit (ai u pagëzua para se kjo mundësi të hapej për jojudenjtë e parrethprerë), ai duhet të ketë qenë një eunuk në këtë kuptim.—Veprat 8:27-39.
b Ebed-Meleku, i cili i erdhi në ndihmë Jeremisë dhe kishte mundësi të takohej drejtpërdrejt me mbretin Sedekia, thirret me titullin eunuk. Ky titull, duket, se i referohet pozitës së tij si zyrtar i oborrit të mbretit dhe jo gjymtimit fizik.—Jeremia 38:7-13.
[Figura në faqen 250]
Sabati do të ishte një rast për t’u lutur, për të studiuar dhe për të medituar
[Figurat në faqen 256]
Pozita e deleve të tjera u shpjegua qartë në një kongres në Uashington D.C., në vitin 1935 (poshtë paraqitet pagëzimi, në të djathtë programi)
[Figura në faqen 259]
Kafshëve të egra u bëhet ftesë të vijnë e të bëjnë banket
[Figurat në faqen 261]
Të huajt dhe Izraeli i Perëndisë janë në unitet me njëri-tjetrin