KAPITULLI 104
Judenjtë dëgjojnë zërin e Perëndisë, por a tregojnë besim?
SHUMË VETA DËGJOJNË ZËRIN E PERËNDISË
BAZA PËR GJYKIM
Është e hënë, 10 nisan, dhe Jezui ndodhet në tempull e po flet për vdekjen që po i afrohet. I shqetësuar si do të ndikojë kjo te reputacioni i të Atit, ai thotë: «O Atë, jepi lavdi emrit tënd!» Atëherë nga qielli dëgjohet një zë i fuqishëm, që thotë: «I kam dhënë lavdi dhe do t’i jap lavdi përsëri.»—Gjoni 12:27, 28.
Të pranishmit në tempull hutohen. Disa mendojnë se është bubullimë, kurse të tjerë thonë: «Atij i foli një engjëll.» (Gjoni 12:29) Në të vërtetë ka folur vetë Jehovai! Nuk është hera e parë që njerëzit dëgjojnë zërin e Jehovait, që kur Jezui ka filluar shërbimin e tij në tokë.
Kur Jezui u pagëzua , tre vjet e gjysmë më parë, Gjon Pagëzori dëgjoi Perëndinë të thoshte për Jezuin: «Ky është Biri im, Biri im i dashur, që unë e kam miratuar.» Më vonë, pas Festës së Kalimit të vitit 32 të e.s., Jezui u shpërfytyrua para Jakovit, Gjonit dhe Pjetrit. Ata tre burra dëgjuan Perëndinë që shpalli: «Ky është Biri im, Biri im i dashur, që unë kam miratuar. Dëgjojeni.» (Mateu 3:17; 17:5) Ndërsa kësaj radhe, Jehovai po flet që ta dëgjojnë shumë veta.
Jezui thotë: «Ky zë nuk u dëgjua për mua, por për ju.» (Gjoni 12:30) Kjo provon se Jezui është vërtet Biri i Perëndisë, Mesia i parathënë.
Me jetën e tij besnike, Jezui tregoi si duhet të jetojmë dhe vërtetoi se Satana Djalli, sundimtari i kësaj bote, meriton të shkatërrohet. Jezui tha: «Tani kjo botë po gjykohet; tani sundimtari i kësaj bote do të flaket tej.» Vdekja e Jezuit do të jetë fitore dhe jo humbje. Si ka mundësi? Ai shpjegon: «Megjithatë, kur të më ngrenë nga toka, unë do të tërheq tek unë njerëz të çdo lloji.» (Gjoni 12:31, 32) Pra, me anë të vdekjes në një shtyllë torture, Jezui do të tërheqë njerëz të tjerë, duke u çelur rrugën për jetën e përhershme.
Kur njerëzit dëgjojnë se ‘do ta ngrenë’, i thonë: «Nga Ligji kemi dëgjuar se Krishti do të mbetet në jetë të jetëve. Si na thua tani se Birin e njeriut duhet ta ngrenë nga toka? E kush është ky Bir i njeriut?» (Gjoni 12:34) Edhe pse i kanë të gjitha provat, e madje dëgjuan zërin e vetë Perëndisë, shumica nuk e pranojnë se Jezui është vërtet Biri i njeriut, Mesia i premtuar.
Siç ka bërë edhe më parë, Jezui i referohet vetes si «drita». (Gjoni 8:12; 9:5) Ai i nxit dëgjuesit: «Drita do të jetë mes jush edhe për pak. Ecni sa e keni dritën, që errësira të mos triumfojë mbi ju. . . . Sa e keni dritën, tregoni besim tek ajo, që të bëheni bij të dritës.» (Gjoni 12:35, 36) Pas kësaj largohet, sepse e di që nuk duhet të vdesë në 10 nisan, por në 14 nisan, në Festën e Kalimit. Këtë ditë ‘do ta ngrenë’, pra do ta gozhdojnë në shtyllë.—Galatasve 3:13.
Nga shërbimi i Jezuit, kuptohet qartë se mungesa e besimit të judenjve ishte pjesë e përmbushjes së profecive. Isaia kishte parathënë se sytë do t’u verboheshin e zemrat do t’u ngurtësoheshin, që të mos ktheheshin për t’u shëruar. (Isaia 6:10; Gjoni 12:40) Vërtet, shumica e judenjve i hedhin poshtë me kokëfortësi provat se Jezui është Çlirimtari i tyre i premtuar, udha drejt jetës.
Nikodemi, Jozefi nga Arimatea dhe shumë krerë të tjerë «treguan besim» te Jezui. Por, a do ta tregojnë me vepra besimin apo do ta fshehin nga frika se mos i përjashtojnë nga sinagoga a ngaqë ‘duan lavdinë e njerëzve’?—Gjoni 12:42, 43.
Jezui shpjegon se ç’do të thotë të tregosh besim tek ai: «Kush tregon besim tek unë, nuk tregon besim vetëm tek unë, por edhe tek ai që më dërgoi. Kush më sheh mua, sheh edhe Atë që më dërgoi.» Të vërtetat që Perëndia e udhëzoi Jezuin të mësonte dhe që ai po vazhdon të shpallë, janë kaq jetësore, sa Jezui thotë: «Atë që më shpërfill mua dhe nuk i pranon fjalët e mia, ka kush e gjykon. Fjalët e mia do ta gjykojnë atë në ditën e fundit.»—Gjoni 12:44, 45, 48.
Jezui përfundon me fjalët: «Unë nuk fola nga vetja, por vetë Ati që më dërgoi, më urdhëroi çfarë të them e çfarë të mësoj. Unë e di se zbatimi i urdhërimeve të tij do të thotë jetë e përhershme.» (Gjoni 12:49, 50) Jezui e di se pas pak ditësh do të derdhë gjakun e vet si flijim për njerëzit që tregojnë besim tek ai.—Romakëve 5:8, 9.