Mosmarrëveshja e Jehovait me kombet
«Zhurma do të arrijë deri në skajet e tokës, sepse Zoti ka një mosmarrëveshje me kombet.»—JEREMIA 25:31.
1, 2. (a) Ç’ndodhi në Jude pas vdekjes së mbretit Josia? (b) Kush ishte mbreti i fundit i Judesë dhe si vuajti ai për shkak të pabesnikërisë së vet?
TOKA e Judesë po kalonte kohë të vështira. Një mbret i mirë, Josia, e kishte përmbajtur përkohësisht zemërimin përvëlues të Jehovait. Por çfarë ndodhi pasi Josia u vra në vitin 629 p.e.s.? Mbretërit që e pasuan atë e çnderuan Jehovain.
2 Mbreti i fundit i Judesë, Sedekia, djali i katërt i Josias, siç pohon 2. Mbretërit 24:19, vazhdoi të bënte «atë që është e keqe në sytë e Zotit, në të gjitha, ashtu si kishte vepruar [vëllai i tij i madh] Jehojakimi». Rezultati? Nabukodonosori erdhi kundër Jeruzalemit, e zuri rob Sedekian, ia vrau të bijtë në sy të tij, atë vetë e verboi dhe e çoi në Babiloni. Për më tepër, babilonasit morën si plaçkë lufte enët që përdoreshin në adhurimin e Jehovait, duke i vënë flakën tempullit dhe qytetit. Ata që mbijetuan, mërguan në Babiloni.
3. Cila periudhë filloi me shkatërrimin e Jeruzalemit në vitin 607 p.e.s. dhe çfarë pritej të ndodhte në fundin e kësaj periudhe?
3 Ai vit, 607 p.e.s., nuk shënoi vetëm shkatërrimin përfundimtar të Jeruzalemit, por edhe fillimin e «kohëve të të caktuara të kombeve», për të cilat flitet në Lukën 24:14. Kjo periudhë prej 2.520 vjetësh mbaroi në shekullin tonë, në vitin 1914. Prej atij viti, erdhi koha që Jehovai, me anë të Birit të tij të kurorëzuar, Jezu Krishtit, që është më i madh se Nabukodonosori, të shpallë dhe të ekzekutojë gjykimin mbi botën e korruptuar. Ky gjykim fillon me ekuivalentin e sotëm të Judesë, i cili deklaron se përfaqëson Perëndinë dhe Krishtin mbi tokë.
4. Cilat pyetje lindin në lidhje me profecinë e Jeremisë?
4 A shohim ndonjë paralelizëm midis trazirës gjatë viteve të muzgëta të Judesë nën mbretërit e saj—me ngjarjet shkatërruese që u derdhën mbi kombet fqinje—dhe trazirës në të ashtuquajturin krishterim sot? Sigurisht që po! Çfarë tregon, pra, profecia e Jeremisë mbi mënyrën se si do t’i trajtojë Jehovai çështjet sot? Le të shohim.
5, 6. (a) Qysh nga 1914, si është e ngjashme situata në të ashtuquajturin krishterim me atë në Jude, pak para shkatërrimit të saj? (b) Çfarë lajmi i ka çuar Jeremia modern të ashtuquajturit krishterim?
5 Matematikani dhe filozofi britanik Bertrand Russell komentoi rreth 40 vjet më parë: «Që prej 1914-ës, çdokush që i kupton prirjet e botës është i shqetësuar thellësisht për atë që duket si një marshim fatal dhe parapërcaktues drejt shkatërrimit gjithnjë e më të madh.» Edhe burri i shtetit gjerman Konrad Adenauer pohoi: «Siguria dhe qetësia janë zhdukur nga jeta e njerëzve që nga 1914-a.»
6 Sot, ashtu si edhe në ditët e Jeremisë, afrimi i fundit të sistemit të gjërave karakterizohet nga derdhja e lumenjve me gjak të pafajshëm, e dukshme veçanërisht në dy luftërat botërore të këtij shekulli. Në pjesën më të madhe, këto luftëra u zhvilluan nga kombet e të ashtuquajturit krishterim, që pohojnë se adhurojnë Perëndinë e Biblës. Çfarë hipokrizie! Nuk habitemi që Jehovai u ka dërguar atyre Dëshmitarët e tij, me fjalët e Jeremisë 25:5, 6: «Të kthehet secili nga rruga e tij e keqe dhe nga veprimet e liga . . . Mos shkoni pas perëndive të tjera për t’u shërbyer dhe për të rënë përmbys para tyre, mos provokoni zemërimin tim me veprën e duarve tuaja, dhe unë nuk do t’ju bëj asnjë të keqe.»
7. Çfarë prove kemi që i ashtuquajturi krishterim nuk i ka përfillur paralajmërimet e Jehovait?
7 Megjithatë, kombet e të ashtuquajturit krishterim nuk janë kthyer. Kjo u demonstrua në sakrificat e mëtejshme që ata i bënë perëndisë së luftës në Kore dhe Vietnam. Ata vazhdojnë të financojnë tregtarët e vdekjes, prodhuesit e armëve. Vendet e të ashtuquajturit krishterim siguruan pjesën më të madhe të gati një trilion dollarëve të harxhuar për armatimet gjatë viteve ’80. Nga viti 1951 deri në 1991-shin, vetëm shpenzimet ushtarake të Shteteve të Bashkuara e tejkaluan fitimin neto të të gjitha korporatave amerikane së bashku. Qysh kur fundi i Luftës së Ftohtë u shpall me të madhe, ka pasur një shkurtim të armëve bërthamore të dala jashtë përdorimit, megjithatë një arsenal i madh me armë të tjera vdekjeprurëse ekziston dhe vazhdon të fuqizohet. Ndonjë ditë ato mund të përdoren.
Gjykimi kundër mbretërisë toleruese të të ashtuquajturit krishterim
8. Si do të plotësohen fjalët e Jeremisë 25:8, 9 mbi të ashtuquajturin krishterim?
8 Fjalët e mëtejshme të Jehovait, që i gjejmë në Jereminë 25:8, 9, zbatohen tani veçanërisht për të ashtuquajturin krishterim që nuk ka mundur të jetojë në lartësinë e normave të krishtere të drejtësisë: «Prandaj kështu thotë Zoti i ushtrive: ‘Duke qenë se nuk keni dëgjuar fjalët e mia; ja, unë do të dërgoj të marr tërë kombet e veriut,-thotë Zoti,-dhe Nabukadnetsarin, mbretin e Babilonisë, shërbyesin tim, dhe do t’i sjell kundër këtij vendi dhe kundër banorëve të tij, kundër tërë kombeve rreth e qark dhe do të caktoj shfarosjen e tyre dhe do t’i bëj objekt habie, talljeje dhe pikëllimi të përhershëm.’» Prandaj, mjerimi i madh do të fillojë nga i ashtuquajturi krishterim, që pohon se është popull i Perëndisë, duke u shtrirë më në fund në mbarë botën, në «kombet rreth e qark».
9. Në cilat mënyra gjendja frymore e të ashtuquajturit krishterim është keqësuar në kohën tonë?
9 Një herë e një kohë, në të ashtuquajturin krishterim Bibla respektohej, martesa dhe jeta familjare pothuajse kudo shiheshin si burim lumturie, njerëzit ngriheshin herët dhe e gjenin shpërblimin në punën e tyre të përditshme. Shumë veta freskoheshin duke lexuar dhe duke studiuar Fjalën e Perëndisë mbrëmjeve, në dritën e kandilit. Por sot, përzierja seksuale, divorci, abuzimi i drogës dhe dehja, kriminaliteti, lakmia, dëshira e paktë për punë, ngjitja pas televizorit dhe vese të tjera e kanë korruptuar jetën në një shkallë alarmuese. Kjo i paraprin shkatërrimit që Perëndia Jehova është gati për të ekzekutuar mbi mbretërinë toleruese të të ashtuquajturit krishterim.
10. Përshkruaj gjendjen e të ashtuquajturit krishterim pas ekzekutimit të gjykimit të Jehovait.
10 Siç lexojmë në kreun 25 të Jeremisë, vargjet 10 dhe 11, Jehovai deklaron: «Do të bëj të heshtin në mes tyre britmat e gëzimit dhe të kënaqësisë, zëri i dhëndrit dhe ai i nuses, zhurma e mokrës dhe drita e llambës. Tërë ky vend do të bëhet një shkreti dhe një objekt habie.» Do të jetë me të vërtetë habitëse kur tempujt e fuqishëm dhe pallatet luksoze të të ashtuquajturit krishterim të shemben në shkatërrim. Sa do të shtrihet ky shkatërrim? Në kohën e Jeremisë, shkretimi i Judesë dhe i kombeve fqinje zgjati 70 vjet, e cila sipas Psalmit 90:10 është kohëzgjatja tipike e një jete. Ekzekutimi i gjykimit të Jehovait sot do të jetë i plotë, i përhershëm.
Gjykimi kundër Babilonisë së Madhe
11. Cili do të jetë mjeti për të shkatërruar të ashtuquajturin krishterim? Përse?
11 Siç parathotë Zbulesa 17:12-17, do të vijë koha kur Jehovai do të fillojë veprimin e tij të çuditshëm, duke vënë në zemrat e «të dhjetë brirëve»—anëtarë të militarizuar të Kombeve të Bashkuara—«të kryejnë mendjen e tij» për shkatërrimin e perandorisë botërore të fesë së rreme. Si do të ndodhë kjo? Ka mënyra të ndryshme në të cilat «dhjetë brirët» e kreut 17 të Zbulesës, duke folur me gjuhën e vargut 16, mund «ta urrejnë laviren . . . dhe ta djegin në zjarr». Është e vërtetë se armët bërthamore janë përhapur dhe po përhapen akoma në shumë pika të rrezikshme mbi tokë. Por duhet të presim dhe të shohim se si do të vendosë Jehovai në zemrat e sundimtarëve politikë ekzekutimin e hakmarrjes së tij.
12. (a) Ç’ndodhi me Babiloninë pasi shkatërroi Jeruzalemin? (b) Çfarë do t’u ndodhë kombeve pas shkatërrimit të të ashtuquajturit krishterim?
12 Në kohët e lashta, i erdhi radha Babilonisë të provonte zemërimin përvëlues të Jehovait. Prandaj, duke filluar me kreun 25 të Jeremisë, vargu 12, profecia i sheh çështjet nga një këndvështrim tjetër i ndryshëm. Duke mos qenë më në rolin e Ekzekutuesit të dërguar nga Jehovai, Nabukodonosori dhe Babilonia përfshihen tanimë midis të gjitha kombeve të botës. Kjo është e ngjashme me gjendjen sot. «Të dhjetë brirët» e kreut 17 të Zbulesës do ta shkatërrojnë fenë e rreme, por edhe ata vetë do të vuajnë shkatërrimin bashkë me «mbretërit [e tjerë] të dheut», siç përshkruan kreu 19 i Zbulesës. Jeremia 25:13, 14 përshkruan se si vjen në gjykim Babilonia, bashkë me «të gjitha kombet» që kanë shfrytëzuar popullin e Jehovait. Jehovai e përdori Nabukodonosorin si ekzekutues në ndëshkimin e Judesë. Megjithatë, ai dhe mbretërit e mëvonshëm babilonas e ngritën veten me krenari kundër Jehovait, siç tregon për shembull, dhunimi i enëve të tempullit të Jehovait. (Danieli 5:22, 23) Dhe kur babilonasit shkatërruan Jeruzalemin, kombet fqinje të Judesë—Moabi, Amoni, Tiri, Edoma dhe të tjera—u gëzuan dhe u tallën me popullin e Perëndisë. Edhe ata duhet të marrin shpërblimin e duhur nga Jehovai.
Gjykimi kundër «të gjitha kombeve»
13. Çfarë nënkuptohet me «këtë kupë vere të zemërimit» dhe çfarë u ndodh atyre që pijnë kupën?
13 Pastaj, Jeremia deklaron në kapitullin 25, vargjet 15 dhe 16: «Sepse kështu më ka thënë Zoti, Perëndia i Izraelit: ‛Merr nga dora ime këtë kupë vere të zemërimit tim dhe bëj që të pinë tërë kombet te të cilët do të të dërgoj. Ata do të pinë, do t’u merren këmbët dhe do të çmenden për shkak të shpatës që do të dërgoj në mes të tyre.’» Çfarë është një «kupë vere e zemërimit të Jehovait»? Në Mateun 26:39, 42 dhe në Gjonin 18:11, Jezui foli për një «kupë» si simbol i vullnetit të Perëndisë për të. Në mënyrë të ngjashme, një kupë është përdorur për të simbolizuar vullnetin e Jehovait që kombet të pinë hakmarrjen e tij hyjnore. Jeremia 25:17-26 i rendit këto grupe kombëtare që simbolizojnë kombet sot.
14. Në përputhje me profecinë e Jeremisë, kush duhet të pijë nga kupa e verës së zemërimit të Jehovait dhe çfarë simbolizon kjo për ditët tona?
14 Pasi i ashtuquajturi krishterim, ashtu si edhe Juda, të jetë bërë «një vend i shkretuar, një objekt habie, diçka për t’u fishkëllyer dhe një mallkim», shkatërrimi do të shtrihet mbi të gjithë perandorinë botërore të fesë së rreme. Më tej, e gjithë bota, e simbolizuar nga Egjipti, duhet të pijë nga kupa e verës së zemërimit të Jehovait! Po, «tërë mbretërit e veriut, që janë afër ose larg, si njëri ashtu edhe tjetri, dhe tërë mbretëritë e botës që janë mbi faqen e dheut» duhet të pinë. Më në fund, «dhe mbreti i Sheshakut do të pijë mbas tyre». Po kush është ky «mbreti i Sheshakut»? Sheshak është një emër simbolik, një kriptogram apo kod, për Babiloninë. Ashtu siç ishte mbret i padukshëm mbi Babiloninë, Satanai është edhe «sundimtari i botës» në këto ditë, siç ka treguar edhe Jezui. (Gjoni 14:30) Pas kësaj, Jeremia 25:17-26 paralelisht me Zbulesën, kapitulli 18 deri 20, qartësojnë radhën e ngjarjeve ndërsa kupa e zemërimit të Jehovait kalon përreth. Së pari, duhet të bjerë perandoria botërore e fesë së rreme, pastaj fuqitë politike dhe në fund vetë Satanai do të hidhet në humnerë.—Zbulesa 18:8; 19:19-21; 20:1-3.
15. Çfarë do të ndodhë kur të dëgjohet thirrja për «paqe dhe siguri»?
15 Është folur shumë për paqen dhe sigurinë që nga fundi i supozuar i Luftës së Ftohtë, nga e cila mbeti vetëm një superfuqi. Siç deklaron Zbulesa 17:10, kjo superfuqi, koka e shtatë e bishës së egër, duhet ‘të mbetet pak kohë’. Por kjo «pak kohë» po i afrohet fundit. Së shpejti, të gjitha thirrjet politike për «paqe dhe siguri» do të ndiqen nga «një shkatërrim i papritur [që] do të bjerë mbi ta». Kështu pohon apostulli Pavël.—1. Selanikasve 5:2, 3.
16, 17. (a) Nëse ndokush përpiqet që t’i shpëtojë gjykimit të Jehovait, cili do të jetë rezultati? (b) Cila do të jetë mënyra shkatërruese me të cilën vullneti i Jehovait do të vendoset së shpejti mbi tokë?
16 I gjithë sistemi botëror i Satanait, duke filluar me të ashtuquajturin krishterim, duhet të pijë nga kupa e hakmarrjes së Jehovait. Këtë e tregon edhe urdhri i tij i mëtejshëm për Jereminë, në kreun 25, vargjet 27 deri 29: «Ti, pra, do t’u thuash atyre: ‘Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Pini, dehuni dhe villni; rrëzohuni pa u ngritur më nga shpata që do të dërgoj në mes jush. Dhe në qoftë se nuk pranojnë nga dora jote kupën e pirjes, u thuaj atyre: Kështu thotë Zoti i ushtrive: Ju pa tjetër do të pini. Sepse ja, unë po filloj të dënoj qytetin në të cilin përmendet emri im, dhe ju do të mbeteni plotësisht pa u ndëshkuar? Jo, nuk do të mbeteni të pandëshkuar, sepse unë do të thërres shpatën mbi të gjithë banorët e tokës’-thotë Zoti i ushtrive.»
17 Këto janë fjalë të forta, në fakt, fjalë që të fusin frikën, sepse janë thënë prej Zotërisë Sovran të të gjithë universit, Perëndisë Jehova. Gjatë mijëra vjetëve, ai ka duruar blasfemitë, sharjet dhe urrejtjen që është grumbulluar mbi emrin e tij të shenjtë. Më në fund ka ardhur koha që ai t’i përgjigjet lutjes që Biri i tij i dashur, Jezu Krishti, u mësoi dishepujve të tij kur ishte ende mbi tokë: «Ju, pra, lutuni kështu: Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt. Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell.» (Mateu 6:9, 10) Është vullnet i Jehovait që Jezui të veprojë si shpata e Tij në ekzekutimin e hakmarrjes.
18, 19. (a) Kush kalëron për të fituar në emër të Jehovait dhe çfarë duhet të presë ai përpara plotësimit të fitores së tij? (b) Çfarë ngjarjesh të frikshme do të ndodhin mbi tokë, pasi engjëjt të lëshojnë erën e stuhishme të zemërimit të Jehovait?
18 Në kreun 6 të Zbulesës, lexojmë së pari se Jezui kalëronte mbi një kalë të bardhë «si fitimtar dhe për të fituar». (Vargu 2) Kjo filloi me kurorëzimin e tij si Mbret qiellor, në vitin 1914. Kuaj dhe kalorës të tjerë e pasojnë atë, duke përfaqësuar luftën totale, zi buke dhe murtajën që kanë goditur tokën tonë që atëherë. Por kur do të mbarojë gjithë kjo trazirë? Kreu 7 i Zbulesës na informon se katër engjëj janë duke mbajtur «të katër erërat e dheut», derisa Izraeli frymor dhe një shumicë e madhe e dalë nga të gjitha kombet të mblidhej për shpëtim. (Vargu 1) Po pastaj?
19 Kreu 25 i Jeremisë, vazhdon në vargjet 30 dhe 31: «Zoti vrumbullon që lart dhe bën që të dëgjohet zëri i tij nga banesa e tij e shenjtë; ai do të vrumbullojë me forcë kundër vathës së tij; do të lëshojë një britmë si ata që shtrydhin rrushin kundër gjithë banorëve të tokës. Zhurma do të arrijë deri në skajet e tokës, sepse Zoti ka një mosmarrëveshje me kombet, do të hyjë në gjyq me çdo mish të gjallë dhe do t’i lërë të pabesët në mëshirë të shpatës, thotë Zoti.» Asnjë komb nuk do të shpëtojë pa pirë këtë kupë të zemërimit të Jehovait. Është urgjente, pra, që të gjithë njerëzit me zemër të drejtë të ndahen nga ligësia e kombeve, përpara se të katër engjëjt të lëshojnë stuhinë e vrullshme të zemërimit të Jehovait. Me të vërtetë e vrullshme, sepse profecia e Jeremisë vazhdon në vargjet 32 dhe 33:
20. Cili skenar zbulon rreptësinë e gjykimit të Jehovait, por përse ky veprim është i nevojshëm?
20 «Kështu thotë Zoti i ushtrive: ‛Ja, një mjerim do të kalojë nga një komb te tjetri dhe një shakullinë e madhe do të ngrihet nga skajet e tokës. Atë ditë ata që janë vrarë nga Zoti do të jenë kudo, nga njëri skaj i tokës te tjetri; nuk do të qahen dhe as do të mblidhen dhe do të varrosen, por do të bëhen pleh mbi faqen e dheut’.» Me të vërtetë një skenar i frikshëm, por ky veprim është i nevojshëm me qëllim që të pastrojë tokën nga e gjithë ligësia, përpara se të sjellë Parajsën e premtuar nga Perëndia.
Barinj që bërtasin dhe klithin
21, 22. (a) Cilët janë barinjtë e Izraelit në Jereminë 25:34-36 dhe përse janë të detyruar të bërtasin? (b) Cilët barinj modernë meritojnë zemërimin e Jehovait dhe përse?
21 Vargjet 34 deri 36 flasin më tej për gjykimin e Jehovait, duke thënë: «Bërtisni, o barinj, klithni: rrotullohuni në pluhur, o drejtues të kopesë, sepse ditët e therjes suaj janë plotësuar, dhe do të rrëzoheni si një enë e çmuar. Barinjtë nuk do të kenë asnjë mundësi të ikin, dhe rojet e kopesë asnjë rrugë shpëtimi. Do të dëgjohet britma e barinjve dhe rënkimi i drejtuesve të kopesë, sepse Zoti është duke shkatërruar kullotën e tyre.»
22 Cilët janë këta barinj? Nuk janë krerët fetarë, që tashmë kanë pirë nga zemërimi i Jehovait. Ata janë barinjtë militaristë, të përshkruar gjithashtu në Jereminë 6:3, të cilët grumbullojnë ushtritë e tyre në tufa, për të sfiduar Jehovain. Ata janë sundimtarët politikë që janë pasuruar në kurriz të atyre mbi të cilët sundojnë. Shumë prej tyre janë matrapazë, mjeshtër të korrupsionit. Ata janë treguar të ngadalshëm për të lehtësuar zinë e bukës që ka sakatuar popullsi të tëra në vende të pazhvilluara. Ata pasurojnë «drejtuesit e kopesë», si tregtarët e armëve dhe lakmitarët që shkatërrojnë ambientin, duke refuzuar të sigurojnë ndihmë mjekësore dhe ushqim që me një kosto shumë të vogël mund të shpëtonte dhjetëra milion fëmijë që vdesin.
23. Përshkruaj gjendjen e zotërimeve të Satanait pas veprave shkatërruese të Jehovait.
23 Nuk habitemi që kreu 25 i Jeremisë, në vargjet 37 dhe 38 përfundon duke thënë për ata që me egoizëm kërkonin vetëm paqe për veten: «Dhe vathët e qeta janë shkatërruar për shkak të zemërimit të madh të Zotit. Ai e ka lënë si një luan i vogël strehën e tij, sepse vendi i tyre është bërë një shkretëtirë për shkak të tërbimit të shtypësit, për shkak të zemërimit të zjarrtë të Zotit.» Me të vërtetë habitëse! Megjithatë, zemërimi i zjarrtë i Jehovait do të shprehet sigurisht nëpërmjet Atij që përshkruhet në Zbulesën 19:15, 16 si «Mbret i mbretërve dhe Zot i zotërve», që i kullot kombet me një skeptër hekuri. Po pastaj?
24. Çfarë bekimesh do të sjellë për njerëzimin e drejtë shkatërrimi i fesë së rreme dhe i pjesës tjetër të botës së Satanait?
24 A ke mbijetuar ndonjëherë nga ndonjë uragan apo taifun? Kjo mund të jetë një përvojë e tmerrshme. Por mëngjesin vijues, edhe pse përreth mund të shohësh shkatërrim, ajri është kaq i pastër dhe qetësia kaq freskuese, saqë mund të falënderosh Jehovain për këtë ditë jashtëzakonisht të mrekullueshme. Po kështu, pasi erërat e stuhishme të mjerimit të madh të jenë qetësuar, mund të shohësh tokën me mirënjohje që je gjallë dhe gati për të marrë pjesë në punën e mëtejshme të Jehovait, për të pastruar tokën në një parajsë të lavdishme. Mosmarrëveshja e Jehovait me kombet do të ketë mbërritur fundin e saj të madh, duke shenjtëruar emrin e tij dhe duke hapur rrugën që të bëhet vullneti i tij mbi tokë nën Sundimin Mijëvjeçar të Mbretërisë Mesianike. Ardhtë sa më parë kjo Mbretëri!
Rishikim i paragrafëve 5-24 të këtij artikulli
◻ Cilat rrugë hipokrite të të ashtuquajturit krishterim janë tani në prag të gjykimit?
◻ Çfarë pamje të gjerë të gjykimit marrim në Jereminë 25:12-38?
◻ Cila kupë e hakmarrjes po kalon mbi të gjitha kombet?
◻ Cilët janë barinjtë që klithin e bërtasin dhe përse shqetësohen ata?
[Figura në faqen 18]
Jehovai e ka zgjedhur mjetin për shkatërrimin e të ashtuquajturit krishterim
[Figura në faqen 23]
Pas erërave të stuhishme të mjerimit të madh, do të shfaqet toka e pastruar