Kapitulli dy
Shërben në «ditët e fundit»
1, 2. (a) Ç’vegim pa Jeremia që i tregoi se cila do të ishte tema e shpalljeve të tij profetike? (b) Pse duhet të të interesojë mesazhi i Jeremisë?
«ÇFARË sheh?»—e pyeti Perëndia profetin që sapo kishte caktuar. «Shoh një kazan dhe po i fryjnë zjarrit në të,—u përgjigj i riu Jeremia.—Gryka e tij është drejt jugut.» Ky vegim ishte një nga treguesit e parë të llojit të shpalljeve që do të bënte Jeremia. (Lexo Jereminë 1:13-16.) Jehovai po parathoshte se gjëma, si një lëng përvëlues, do të derdhej nga ky kazan figurativ mbi Judën, sepse aty mbizotëronte pabesia. Si mendon, pse gryka e kazanit ishte kthyer nga jugu? Tregonte se gjëma do të vinte nga veriu, domethënë Babilonia do ta pushtonte nga ai drejtim. Pikërisht kështu ndodhi. Në vitet që kaloi si profet, Jeremia pa me sytë e tij edhe raste të tjera kur u derdh ky kazan që ziente, derisa arriti kulmin me shkatërrimin e Jerusalemit.
2 Babilonia nuk ekziston më, por mesazhet profetike të Jeremisë duhet të të interesojnë. Përse? Sepse po jeton në «ditët e fundit», kur shumë veta thonë se janë të krishterë, e megjithatë ata vetë dhe kishat e tyre nuk kanë miratimin e Perëndisë. (Jer. 23:20) Ndryshe nga ata, ti dhe Dëshmitarët e tjerë, ashtu si Jeremia, po predikoni një mesazh që përmban jo vetëm gjykim, por edhe shpresë.
3. (a) Si është renditur materiali në librin biblik të Jeremisë? (b) Cili është synimi i kapitullit të dytë të këtij botimi?
3 Me sa duket, Jeremia nuk i dokumentoi ngjarjet ndërsa ndodhnin, por ia diktoi tregimin e tij një sekretari, në pjesën e fundit të kohës që shërbeu si profet. (Jer. 25:1-3; 36:1, 4, 32) Libri nuk ndjek radhën kronologjike, sepse shumë pjesë të tij Jeremia i renditi sipas argumentit. Prandaj, do të jetë me dobi të kesh një tablo të përgjithshme të sfondit historik të librave të Jeremisë e të Vajtimeve, si dhe radhën sipas së cilës ndodhën ngjarjet. Shiko tabelën në faqen 19. Duke ditur kush ishte mbret i Judës në një kohë të caktuar e, në disa raste, ç’po ndodhte në Judë e përreth saj, do të kuptosh më mirë atë që tha ose që bëri Jeremia. Gjithashtu, do të jesh më i përgatitur të nxjerrësh dobi nga mesazhet që shpalli Perëndia për popullin e Tij nëpërmjet Jeremisë.
JEREMIA DHE PERIUDHA NË TË CILËN JETOI
4-6. Në ç’situatë ishte populli i lashtë i Perëndisë në dhjetëvjeçarët para se Jeremia të caktohej si profet?
4 Jeremia profetizoi gjatë një periudhe me ndryshime të stuhishme. Ishte një kohë rivaliteti mes Asirisë, Babilonisë dhe Egjiptit. Afro 93 vjet para se Jeremia të niste shërbimin si profet, Asiria mundi mbretërinë dhjetëfisëshe të Izraelit dhe çoi në mërgim shumë nga banorët e saj. Në atë kohë, Jehovai e mbrojti nga sulmi i Asirisë Jerusalemin dhe mbretin e tij besnik, Hezekinë. Ndoshta të kujtohet se si, me anë të një mrekullie, Perëndia vrau 185.000 ushtarë armiq. (2 Mbret. 19:32-36) Një nga djemtë e Hezekisë ishte Manaseu. Me sa duket, Jeremia lindi gjatë mbretërimit 55-vjeçar të Manaseut, një kohë kur Juda ra nën kontrollin e Asirisë.—2 Kron. 33:10, 11.
5 Jeremia shkroi Librin e Parë dhe të Dytë të Mbretërve, ku lexojmë se Manaseu i rindërtoi vendet e larta që i ati i kishte shkatërruar. I ngriti altarë Baalit dhe ushtrisë së qiejve, madje edhe në tempullin e Jehovait. Gjithashtu, derdhi shumë gjak të pafajshëm, duke i ofruar birin e tij si flijim të djegur një perëndie të rremë. Me pak fjalë, «bëri në një masë të madhe atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait». Për shkak të gjithë kësaj ligësie, Perëndia dekretoi se mbi Jerusalemin dhe Judën do të binte gjëma, siç kishte rënë tashmë mbi Samarinë dhe Izraelin. (2 Mbret. 21:1-6, 12-16) Pasi vdiq Manaseu, i biri, Amoni, vazhdoi praktikat idhujtare të të atit, por shpejt gjërat do të ndryshonin. Pas dy vjetësh, Amoni u vra dhe, në vitin 659 p.e.s., në fron hipi i biri, Josia tetëvjeçar.
6 Gjatë mbretërimit 31-vjeçar të Josisë, Babilonia nisi të kishte gjithnjë e më shumë pushtet se Asiria. Në këtë situatë, Josia pa një mundësi për të rifituar pavarësinë e Judës nga sundimi i huaj. Ndryshe nga i ati dhe gjyshi, Josia i shërbeu me besnikëri Jehovait dhe bëri reforma fetare të mëdha. (2 Mbret. 21:19–22:2) Vitin e 12-të të mbretërimit të tij, Josia shkatërroi vendet e larta, shtyllat e shenjta dhe shëmbëlltyrat fetare të rreme që ishin shpërndarë në gjithë mbretërinë, e më pas urdhëroi të meremetohej tempulli i Jehovait. (Lexo 2 Kronikave 34:1-8.) Vlen të përmendet se Jeremia u caktua si profet i Perëndisë në vitin e 13-të të mbretërimit të Josisë (647 p.e.s.).
Si do të ishe ndier po të kishe qenë profet në ditët e Jeremisë?
7, 8. (a) Si ndryshonte mbretërimi i Josisë nga ai i pararendësve të tij, Manaseut dhe Amonit? (b) Ç’njeri ishte Josia? (Shih kutinë në faqen 20.)
7 Ndërsa meremetohej tempulli, në vitin e 18-të të mbretërimit të Josisë së mirë, kryeprifti gjeti «librin e ligjit». Mbreti i tha sekretarit t’ia lexonte. Josia i dalloi gabimet e popullit të tij, kërkoi udhëheqjen e Jehovait me anë të profeteshës Hulda dhe i nxiti nënshtetasit të zbatonin urdhërimet e Perëndisë. Hulda e informoi Josinë se Jehovai do t’u sillte «gjëmën» judenjve sepse ishin të pabesë. Megjithatë, për shkak të qëndrimit të mirë të Josisë ndaj adhurimit të pastër, kjo gjëmë nuk do të vinte sa të ishte gjallë ai.—2 Mbret. 22:8, 14-20.
8 Mbreti Josia i shtoi përpjekjet për të zhdukur çdo gjurmë idhujtarie. Kaq i vendosur ishte, sa hyri edhe në territorin që dikur i përkiste mbretërisë veriore të Izraelit dhe hoqi vendin e lartë dhe altarin në Bethel. Gjithashtu, mori masa që të bëhej një kremtim i jashtëzakonshëm i Pashkës. (2 Mbret. 23:4-25) Mendo sa duhet ta ketë kënaqur kjo Jereminë! Por ishte e vështirë t’i nxitje njerëzit të kthenin rrugë. Manaseu dhe Amoni e kishin zhytur popullin në adhurimin e degraduar të idhujve, prandaj gjendja frymore e tyre kishte arritur një pikë kritike. Pavarësisht nga reformat e Josisë, Perëndia e shtyu Jereminë të theksonte se perënditë e judenjve ishin aq të shumta sa edhe qytetet e tyre. Bashkëkombësit e profetit ishin si një grua jobesnike. E kishin lënë Jehovain dhe ishin kurvëruar me perënditë e huaja. Jeremia shpalli: «Po aq sa janë rrugët e Jerusalemit, ju keni vënë altarë për gjënë e turpshme, altarë për t’i paraqitur tym blatimi Baalit.»—Lexo Jereminë 11:1-3, 13.
9. Cilat ngjarje ndërkombëtare karakterizuan vitet e fundit të mbretërimit të Josisë?
9 Judenjtë nuk ndryshuan kur Jeremia u shpalli këto mesazhe. Edhe kombet përreth vazhduan të luftonin për të pasur nën kontroll rajonin. Në vitin 632 p.e.s., forcat e bashkuara të babilonasve dhe medëve pushtuan Ninevinë, kryeqytetin asirian. Tre vjet më vonë, Nekoja, faraoni i Egjiptit, e udhëhoqi ushtrinë e tij në veri, për të ndihmuar asirianët që ishin në luftë. Për arsye që në Bibël nuk janë thënë, Josia u përpoq t’i kthente mbrapsht forcat egjiptiane në Megido, por u plagos për vdekje. (2 Kron. 35:20-24) Ç’ndryshime politike e fetare do të sillte për Judën kjo ngjarje e trishtueshme? E çfarë sfidash të reja do të haste Jeremia?
KLIMA FETARE NDRYSHON
10. (a) Në ç’kuptim periudha pas vdekjes së Josisë ishte e ngjashme me kohët tona? (b) Si mund të nxjerrësh dobi duke shqyrtuar sjelljen e Jeremisë?
10 Përfytyro si duhet të jetë ndier Jeremia kur ka marrë vesh vdekjen e Josisë! I pikëlluar, ai thuri këngë të përvajshme për mbretin. (2 Kron. 35:25) Tashmë kjo ishte një kohë e trazuar, dhe paqëndrueshmëria ndërkombëtare solli presione mbi Judën. Fuqitë rivale—Egjipti, Asiria dhe Babilonia—po luftonin për të marrë nën kontroll rajonin. Edhe brenda Judës, me vdekjen e Josisë, klima fetare kishte ndryshuar. Ky ishte fundi i një mbretërimi që në përgjithësi e favorizonte aktivitetin e Jeremisë dhe fillimi i një mbretërimi armiqësor. Shumë vëllezër në kohët e sotme kanë përjetuar një ndryshim të ngjashëm, nga njëfarë lirie adhurimi në përndjekje e ndalime. Kush e di sa prej nesh do të përjetojnë së shpejti ndryshime të ngjashme?! Si mund të ndikojnë këto te ne? Çfarë mund të na duhet të bëjmë që të mbajmë integritetin? Me këto pyetje në mendje, do të jetë inkurajuese të vërejmë çfarë sfidash kaloi me sukses Jeremia.
11. Ç’ndodhi në Judë pas vdekjes së Josisë?
11 Banorët e Judës vunë në fron në Jerusalem të birin e Josisë, Jehoahazin. Ky, i njohur edhe si Shalumi, mbretëroi vetëm tre muaj. Kur faraoni Neko u kthye drejt jugut, pasi kishte luftuar kundër babilonasve, e hoqi mbretin e ri dhe e mori në Egjipt. Jeremia tha se Jehoahazi ‘nuk do të kthehej më’. (Jer. 22:10-12; 2 Kron. 36:1-4) Në vend të tij, Nekoja vuri në fron Jehojakimin, një nga bijtë e tjerë të Josisë. Jehojakimi nuk ndoqi shembullin e mirë të të atit. Në vend që të vazhdonte reformat e nisura prej tij, ai praktikoi idhujtarinë.—Lexo 2 Mbretërve 23:36, 37.
12, 13. (a) Ç’klimë fetare mbizotëronte në vend, në fillim të mbretërimit të Jehojakimit? (b) Si e trajtuan Jereminë udhëheqësit fetarë judenj?
12 Në fillim të mbretërimit të Jehojakimit, Jehovai i tha Jeremisë të shkonte në tempull e t’i dënonte haptazi judenjtë për ligësinë e tyre. Ata e konsideronin tempullin e Jehovait si një hajmali që do t’i mbronte. Por, nëse vazhdonin ‘të vidhnin, të vritnin, të kryenin kurorëshkelje, të bënin betime të rreme, t’i paraqitnin tym blatimi Baalit e të ecnin pas perëndive të tjera’, Jehovai do ta braktiste tempullin e tij. Të njëjtën gjë do të bënte me hipokritët që adhuronin në atë tempull, ashtu siç braktisi tabernakullin në Shiloh, në ditët e kryepriftit Eli. Vendi i Judës ‘do të bëhej një shkreti’. (Jer. 7:1-15, 34; 26:1-6)a Mendo sa guxim i duhej Jeremisë që të shpallte atë mesazh! Me siguri, e bëri këtë në publik, para njerëzve me pushtet e me influencë. Edhe sot, disa vëllezër e motra kanë ndier se u është dashur guxim që të bëjnë shërbim rrugor ose t’u flasin njerëzve të pasur a të rëndësishëm. Megjithatë, mund të jemi të sigurt për këtë: Perëndia do të na mbështetë patjetër, siç mbështeti Jereminë.—Hebr. 10:39; 13:6.
13 Si do të reagonin udhëheqësit fetarë ndaj fjalëve të Jeremisë, në atë klimë fetare e politike që mbizotëronte në Judë? Siç tha vetë profeti, «priftërinjtë, profetët dhe tërë populli [më] kapën dhe [më] thanë: ‘Ke për të vdekur!’» Ishin të tërbuar dhe thoshin: «Ky njeri e ka hak dënimin me vdekje.» (Lexo Jereminë 26:8-11.) Por, kundërshtarët e Jeremisë nuk fituan dot. Jehovai ishte me profetin dhe e çliroi. Sa për vetë Jereminë, ai nuk lejoi që ta frikësonte pamja kërcënuese e kundërshtarëve ose numri i tyre. As ti nuk duhet të frikësohesh.
Çfarë kontrasti ekzistonte mes kushteve gjatë mbretërimit të Manaseut, Amonit dhe Josisë? Ç’mund të mësosh nga mënyra si e përballoi Jeremia caktimin e tij të vështirë?
«SHKRUAJ . . . GJITHË FJALËT»
14, 15. (a) Ç’punë nisën Jeremia dhe sekretari i tij, Baruku, vitin e katërt të mbretërimit të Jehojakimit? (b) Ç’njeri ishte Jehojakimi? (Shih kutinë në faqen 25.)
14 Vitin e katërt të mbretërimit të Jehojakimit, Jehovai i tha Jeremisë t’i hidhte me shkrim të gjitha fjalët që i kishte thënë që nga ditët e Josisë. Kështu, Jeremia i diktoi sekretarit të tij, Barukut, gjithçka që i kishte thënë Perëndia gjatë 23 vjetëve. Mesazhet e tij të gjykimit përfshinin rreth 20 mbretër e mbretëri. Jeremia e urdhëroi Barukun ta lexonte me zë këtë rrotull në shtëpinë e Jehovait. Me cilin synim? «Ndoshta ata të shtëpisë së Judës do të dëgjojnë për tërë gjëmën që kam ndër mend t’u sjell,—tha Jehovai,—dhe do të kthehen secili nga udha e vet e ligë, e unë të fal fajin dhe mëkatin e tyre.»—Jer. 25:1-3; 36:1-3.
15 Kur një oborrtar ia lexoi rrotullën mbretit Jehojakim, ky e grisi dhe e dogji. Pastaj, urdhëroi që t’i sillnin Jereminë dhe Barukun, «por Jehovai i fshehu». (Lexo Jereminë 36:21-26.) Kaq i keq ishte Jehojakimi, saqë, përmes profetit të vet, Jehovai shpalli se ‘do ta varrosnin si një gomar. Do ta tërhiqnin zvarrë e do ta flaknin tutje, matanë portave të Jerusalemit’. (Jer. 22:13-19) A mendon se kjo profeci e gjallë mund të mos merret seriozisht, sikur Jeremia e ka tepruar paksa?
16. Cilin mesazh pozitiv shpalli Jeremia?
16 Edhe pse iu desh të shpallte mesazhe të tilla gjykimi, Jeremia nuk ishte profet gjëmash. Ai shpalli edhe një mesazh shprese. Jehovai do të çlironte nga armiqtë një mbetje të Izraelit dhe do t’i rivendoste në vendin e tyre, ku do të banonin të sigurt. Ai do të lidhte me popullin e tij «një besëlidhje të përjetshme» e «të re» dhe do t’ua shkruante në zemër ligjin e tij. Do t’ua falte fajet dhe nuk do t’ua kujtonte më mëkatet. Për më tepër, një pasardhës i Davidit ‘do të gjykonte me drejtësi e do të bënte atë që ishte e drejtë në vend’. (Jer. 31:7-9; 32:37-41; 33:15) Këto profeci do të përmbusheshin në dhjetëvjeçarët dhe shekujt që do të vinin. Madje kjo përmbushje ndikon në jetën tonë dhe mund të na japë shpresë për një të ardhme të përhershme. Por, në ditët e Jeremisë, armiqtë e Judës i vazhduan manovrat e tyre.—Lexo Jereminë 31:31, 33, 34; Hebrenjve 8:7-9; 10:14-18.
NGRITJA E BABILONISË
17, 18. Cilat ngjarje ndërkombëtare karakterizuan vitet e fundit të mbretërimit të Jehojakimit dhe atij të Zedekisë?
17 Në vitin 625 p.e.s., babilonasit dhe egjiptianët u ndeshën në një betejë vendimtare në Karkemish, pranë lumit Eufrat, rreth 600 kilometra në veri të Jerusalemit. Mbreti Nabukodonosor i mundi forcat ushtarake të faraonit Neko dhe i dha fund pushtetit egjiptian në atë rajon. (Jer. 46:2) Tani Judën e kishte nën kontroll Nabukodonosori, dhe Jehojakimi u detyrua të bëhej shërbëtori i tij. Mirëpo, pasi duroi tre vjet si vasal, Jehojakimi ngriti krye. (2 Mbret. 24:1, 2) Si pasojë, në vitin 618 p.e.s., Nabukodonosori dhe ushtria e tij marshuan në Judë dhe rrethuan Jerusalemin. Përpiqu të imagjinosh ç’kohë e trazuar ishte ajo, qoftë edhe për Jereminë, profetin e Perëndisë. Me sa duket, Jehojakimi vdiq gjatë këtij rrethimi.b Pasi qëndroi vetëm tre muaj në fronin e Judës, i biri, Jehojakini, iu dorëzua babilonasve. Nabukodonosori ia zhvati Jerusalemit gjithë pasuritë dhe çoi në mërgim Jehojakinin, familjen e mbretit dhe ato të fisnikëve të Judës, burrat e fuqishëm të kombit dhe artizanët. Ndër të mërguarit ishin edhe Danieli, Hananiahu, Mishaeli dhe Azariahu.—2 Mbret. 24:10-16; Dan. 1:1-7.
18 Më pas, Nabukodonosori bëri mbret të Judës Zedekinë, një nga djemtë e tjerë të Josisë. Ai do të ishte mbreti i fundit tokësor i linjës së Davidit. Mbretërimi i tij përfundoi në vitin 607 p.e.s., kur u shkatërruan Jerusalemi dhe tempulli. (2 Mbret. 24:17) Megjithatë, të 11 vitet e mbretërimit të Zedekisë u karakterizuan nga tensione të mëdha shoqërore e politike në Judë. Natyrisht, Jeremia duhej t’i besonte plotësisht Atij që e kishte caktuar si profet.
19. Si reaguan bashkëkohësit e Jeremisë ndaj mesazhit të tij dhe pse duhet të të interesojë kjo?
19 Vëre veten në vend të Jeremisë. Që nga koha e Josisë, ai kishte parë trazira politike dhe përkeqësim të gjendjes frymore të popullit të Perëndisë. Por, e dinte se gjërat do të keqësoheshin edhe më tepër. Njerëzit e qytetit të tij i thanë: «Mos profetizo në emër të Jehovait, se do të vdesësh nga dora jonë!» (Jer. 11:21) Edhe kur profecitë e Jeremisë u plotësuan, judenjtë thanë: «Nuk do ta dëgjojmë fjalën që na the në emër të Jehovait.» (Jer. 44:16) E megjithatë ishte në lojë jeta e njerëzve, pikërisht si sot. Ashtu si mesazhi i Jeremisë, edhe mesazhi që po shpall ti vjen nga Jehovai. Prandaj, duke shqyrtuar si e mbrojti Jehovai profetin e tij gjatë periudhës që çoi në rënien e Jerusalemit, mund të të shtohet zelli për shërbimin.
Ç’mund të mësojmë nga qëndrimi që mbajti Jeremia gjatë mbretërimit të Jehojakimit? Cilën profeci të jashtëzakonshme që përfshin edhe kohët tona, paratha Jeremia?
DITËT E FUNDIT TË NJË DINASTIE
20. Pse periudha e mbretërimit të Zedekisë ishte veçanërisht e vështirë për Jereminë? (Shih kutinë në faqen 29.)
20 Ndoshta vitet më të vështira për Jereminë si profet, ishin gjatë mbretërimit të Zedekisë. Ashtu si shumë pararendës të tij, Zedekia «bëri atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait». (Jer. 52:1, 2) Ai ishte vasal i babilonasve dhe Nabukodonosori e vuri të betohej në emër të Jehovait se do t’i nënshtrohej mbretit të Babilonisë. Pavarësisht nga kjo, në fund Zedekia u rebelua. Ndërkohë, armiqtë e Jeremisë i bënë shumë presion që të përkrahte rebelimin.—2 Kron. 36:13; Ezek. 17:12, 13.
21-23. (a) Cilat ishin dy grupet kundërshtare në Judë gjatë mbretërimit të Zedekisë? (b) Si e trajtuan Jereminë për shkak të qëndrimit që mbajti, e pse duhet të të interesojë kjo?
21 Me sa duket, aty nga fillimi i mbretërimit të Zedekisë, në Jerusalem erdhën lajmëtarë nga mbretërit e Edomit, Moabit, Amonit, Tirit dhe Sidonit. Ndoshta kishin si synim ta bindnin Zedekinë të bashkohej në një aleancë kundër Nabukodonosorit. Kurse Jeremia e nxiti Zedekinë t’i nënshtrohej Babilonisë. Në përputhje me këtë, Jeremia u dha lajmëtarëve nga një zgjedhë për t’u treguar se edhe kombet e tyre duhej t’u shërbenin babilonasve. (Jer. 27:1-3, 14)c Ky qëndrim që mbajti Jeremia nuk u prit mirë. Veç kësaj, Hananiahu ia bëri edhe më të vështirë shpalljen e këtij mesazhi jo të favorshëm. Ai ishte një profet i rremë që pohoi publikisht, në emër të Perëndisë, se zgjedha babilonase do të thyhej. Kurse Jehovai tha nëpërmjet Jeremisë se brenda vitit Hananiahu mashtrues do të vdiste. Pikërisht ashtu ndodhi.—Jer. 28:1-3, 16, 17.
22 Tani Juda ishte ndarë në dy grupe kundërshtare: ata që ishin pro nënshtrimit ndaj Babilonisë dhe ata që nxitnin rebelimin. Në fund, në vitin 609 p.e.s., Zedekia u rebelua duke i kërkuar ndihmë ushtarake Egjiptit. Pas kësaj, Jeremia duhej të duronte histerinë nacionaliste të atyre që përkrahnin rebelimin. (Jer. 52:3; Ezek. 17:15) Nabukodonosori me ushtritë e tij u kthyen në Judë që të shtypnin kryengritjen, pushtuan gjithë qytetet e Judës dhe rrethuan sërish Jerusalemin. Në këtë kohë kritike, mesazhi i Jeremisë për Zedekinë dhe nënshtetasit e tij ishte se Jerusalemi do të binte në dorë të babilonasve. Të gjithë ata që do të rrinin në qytet, i priste vdekja. Ata që do të dilnin e do t’u dorëzoheshin kaldeasve, do të shpëtonin.—Lexo Jereminë 21:8-10; 52:4.
23 Princat e Judës pohuan se Jeremia ishte një tradhtar që po kalonte në anën e babilonasve. Ndonëse ai u tha se kjo s’ishte e vërtetë, ata e goditën dhe e futën në burg. (Jer. 37:13-15) Prapëseprapë, Jeremia nuk e zbuti mesazhin e Jehovait. Prandaj, princat e bindën Zedekinë që të urdhëronte ta vritnin Jereminë. E hodhën profetin në një sternë që s’kishte ujë, ku mund të kishte vdekur në llucë, por e shpëtoi Ebed-Meleku, një etiopas që shërbente në shtëpinë e mbretit. (Jer. 38:4-13) Sa shpesh janë përballur me rreziqe shërbëtorët e Jehovait në kohët e sotme, ngaqë me ndërgjegje kanë refuzuar të përfshihen në konflikte politike! Me siguri, përvoja e Jeremisë mund të të japë forcë që t’i përballosh e t’i kapërcesh sprovat.
24. Përshkruaj ngjarjet që ndodhën në vitin 607 p.e.s.
24 Më në fund, në vitin 607 p.e.s., babilonasit hapën një të çarë në muret e Jerusalemit dhe qyteti ra në duart e tyre. Ushtritë e Nabukodonosorit dogjën tempullin e Jehovait, rrafshuan muret e qytetit dhe therën fisnikët e Judës. Zedekia u orvat t’ia mbathte, por e kapën dhe e sollën para pushtuesit të tij. Ia therën të bijtë para syve dhe pastaj Nabukodonosori urdhëroi ta verbonin, ta lidhnin me vargonj dhe ta çonin në Babiloni. (Jer. 39:1-7) Pra, fjalët e Jeremisë për Judën dhe Jerusalemin ishin plotësuar. Në vend që të gëzonte, profeti i Perëndisë vajtoi për gjëmën që i kishte rënë popullit të tij. Ndjenjat që shprehu, mund t’i lexojmë në librin biblik të Vajtimeve. Ky libër duhet të na prekë thellë.
AKTIVITETI I JEREMISË MES MBETJES SË JUDËS
25, 26. (a) Ç’ndodhi pas rënies së Jerusalemit? (b) Si reaguan bashkëkohësit e Jeremisë ndaj mesazhit të tij, pas rënies së Jerusalemit?
25 Ç’po ndodhte me Jereminë ndërsa zhvilloheshin ato ngjarje dramatike? Princat e Jerusalemit e kishin burgosur, kurse pushtuesit babilonas e trajtuan me dashamirësi, duke e liruar. Më vonë, për shkak të rrethanave që s’i kishte nën kontroll, Jeremia u gjend mes disa judenjve që po i çonin robër, por më pas e lanë të lirë. Ai kishte ende punë për të bërë në shërbim të Perëndisë dhe mes të mbijetuarve. Nabukodonosori emëroi Gedaliahun si guvernator të vendit të pushtuar dhe u premtoi judenjve që mbetën se do të kishin paqe nëse i shërbenin atij, mbretit të Babilonisë. Por disa judenj të pakënaqur e vranë Gedaliahun. (Jer. 39:13, 14; 40:1-7; 41:2) Jeremia i nxiti judenjtë që kishin mbetur, të vazhdonin të banonin aty ku ishin e të mos kishin frikë nga mbreti i Babilonisë. Por, udhëheqësit e tyre e quajtën gënjeshtar Jereminë dhe ikën në Egjipt, duke i marrë me zor atë dhe Barukun. Megjithatë, Jeremia profetizoi se Nabukodonosori do të mësynte e do ta pushtonte edhe atë vend e do t’u sillte gjëmën refugjatëve judenj.—Jer. 42:9-11; 43:1-11; 44:11-13.
26 Përsëri, bashkëkombësit e Jeremisë nuk e dëgjuan profetin e vërtetë të Perëndisë. Përse? Ata arsyetuan: «Që kur nuk i paraqitëm më tym blatimi ‘mbretëreshës së qiejve’ dhe nuk derdhëm më blatim në pije për të, na ka munguar çdo gjë, dhe na ka ardhur fundi nga shpata e nga zia e bukës.» (Jer. 44:16, 18) Në ç’gjendje frymore të trishtueshme kishin rënë bashkëkohësit e Jeremisë! Nga ana tjetër, duhet të inkurajohemi shumë duke ditur se një njeri i papërsosur mund t’i qëndrojë besnik Jehovait, edhe kur është i rrethuar nga njerëz jobesnikë.
27. Ç’dimë për vitet e fundit të shërbimit të Jeremisë si profet?
27 Ngjarja e fundit që dokumentoi Jeremia daton në vitin 580 p.e.s., kur pasuesi i Nabukodonosorit, Evil-Merodaku, liroi nga burgu Jehojakinin. (Jer. 52:31-34) Tashmë Jeremia duhet të ketë qenë rreth 90 vjeç. Nuk kemi të dhëna të besueshme se si mbaroi jeta e tij. Ka të ngjarë që vitet e fundit t’i ketë kaluar në Egjipt e të ketë vdekur besnik atje, pasi kishte kaluar rreth 67 vjet në shërbim special ndaj Jehovait. Shërbeu si gjatë viteve kur u nxit adhurimi i vërtetë, ashtu edhe gjatë viteve të shumta kur rrethohej nga adhurimi apostat. Disa njerëz me frikë Perëndie e dëgjuan. Por shumica i hodhën poshtë mesazhet që shpalli, e madje dolën hapur si armiq të tij. A do të thotë kjo se Jeremia dështoi? Aspak! Që në fillim, Jehovai i kishte thënë: «Ata kanë për të luftuar kundër teje, por nuk do të të mposhtin, sepse unë jam me ty.» (Jer. 1:19) Caktimi që kemi sot si Dëshmitarë të Jehovait ngjan me atë të Jeremisë. Prandaj, mund të presim që edhe reagimi i njerëzve të jetë i ngjashëm. (Lexo Mateun 10:16-22.) Atëherë, ç’mund të mësojmë nga Jeremia dhe me cilin qëndrim duhet ta kryejmë shërbimin? Le t’i shqyrtojmë këto pyetje.
Ç’ndodhi me Zedekinë e me nënshtetasit e tij që hodhën poshtë mesazhin e Jeremisë? Ç’mendon ti për Jereminë?
a Ngjashmëria mes Jeremisë 7:1-15 dhe 26:1-6 i ka shtyrë disa të mendojnë se të dyja pjesët i referohen të njëjtës ngjarje.
b Te Danieli 1:1, 2 thuhet se Jehojakimi iu dha në dorë Nabukodonosorit në vitin e tretë të mbretërimit të tij, me sa duket si vasal. Kjo mund të nënkuptojë se mbreti vdiq gjatë rrethimit, që përfundoi me shtypjen e revoltës dhe mposhtjen e Jerusalemit. Jozef Flavi raportoi se Nabukodonosori e vrau Jehojakimin dhe ia hodhi trupin jashtë mureve të Jerusalemit, pa e varrosur. Por, Bibla nuk raporton si u përmbush profecia për vdekjen e Jehojakimit.—Jer. 22:18, 19; 36:30.
c Referimi që i bëhet Jehojakimit te Jeremia 27:1 mund të jetë gabim i një kopisti, pasi vargjet 3 dhe 12 i referohen Zedekisë.