Kur u shkatërrua Jerusalemi i lashtë?—Pjesa e parë
Pse ka rëndësi? Çfarë tregojnë dëshmitë?
Ky është i pari nga dy artikujt e numrave të njëpasnjëshëm të Kullës së Rojës që trajtojnë pyetje akademike për datën e shkatërrimit të Jerusalemit të lashtë. Kjo seri me dy pjesë paraqet përgjigje të nxjerra nga kërkime të kujdesshme e të bazuara në Bibël të pyetjeve që i kanë pështjelluar disa lexues.
«Sipas historianëve e arkeologëve, viti 586 ose 587 p.e.s. zakonisht pranohet si viti kur u shkatërrua Jerusalemi.a Pse Dëshmitarët e Jehovait thonë se kjo ndodhi në vitin 607 p.e.s.? Ku bazoheni për këtë datë?»
KËSHTU shkroi një nga lexuesit tanë. Por pse duhet të na interesojë data e saktë kur mbreti babilonas Nabukodonosori II, shkatërroi qytetin e Jerusalemit? Së pari, ngjarja shënoi një pikë kthese të rëndësishme në historinë e popullit të Perëndisë. Një historian tha se ajo ngjarje çoi në «katastrofë, që ishte vërtet katastrofa përfundimtare». Data shënoi fundin e tempullit që kishte qenë epiqendra e adhurimit të Perëndisë së Plotfuqishëm për më se 400 vjet. Një psalmist i Biblës vajtoi: «O Perëndi, . . . kanë përdhosur tempullin tënd të shenjtë, e kanë katandisur Jerusalemin në një grumbull gërmadhash.»—Psalmi 79:1, Diodati i Ri (Dio).b
Së dyti, kur dini vitin e saktë kur filloi «katastrofa përfundimtare» dhe kur kuptoni si rivendosja e adhurimit të vërtetë në Jerusalem përmbushi një profeci të saktë biblike, do të jeni më të sigurt për besueshmërinë e Fjalës së Perëndisë. Atëherë, pse Dëshmitarët e Jehovait i përmbahen një date që ndryshon 20 vjet nga kronologjia e pranuar gjerësisht? E thënë shkurt, për shkak të dëshmive të vetë Biblës.
«Shtatëdhjetë vjet», për kë?
Vite para shkatërrimit, profeti jude, Jeremia, siguroi një të dhënë thelbësore për të kuptuar kronologjinë biblike. Ai paralajmëroi ‘tërë banorët e Jerusalemit’ duke thënë: «Tërë ky vend do të bëhet një shkreti dhe një objekt habie dhe këta kombe do t’i shërbejnë mbretit të Babilonisë shtatëdhjetë vjet me radhë.» (Jeremia 25:1, 2, 11, Dio) Më vonë profeti shtoi: «Kështu thotë Jehovai: ‘Kur të mbushen shtatëdhjetë vjetët në Babiloni, unë do të drejtoj vëmendjen nga ju dhe do të përmbush fjalën time të mirë për t’ju kthyer në këtë vend.’» (Jeremia 29:10) Ç’domethënie kanë «shtatëdhjetë vjetët»? Dhe, si na ndihmon kjo periudhë të përcaktojmë datën e shkatërrimit të Jerusalemit?
Në vend që të thonë 70 vjet «në Babiloni», mjaft përkthime thonë «për Babiloninë», Dio. Prandaj disa historianë pretendojnë se kjo periudhë 70-vjeçare i referohet Perandorisë Babilonase. Sipas kronologjisë jobiblike, babilonasit sunduan Judën dhe Jerusalemin e lashtë për rreth 70 vjet, afërsisht nga viti 609 p.e.s. deri në vitin 539 p.e.s. kur kryeqyteti i Babilonisë u zaptua.
Megjithatë, Bibla tregon se 70 vjetët ishin një periudhë e rëndë ndëshkimi nga Perëndia, që kishte qëllim pikërisht popullin e Judës e të Jerusalemit, të cilët ishin nën besëlidhjen që t’i bindeshin atij. (Dalja 19:3-6) Kur nuk pranuan të ktheheshin nga rrugët e këqija, Perëndia tha: «Unë po dërgoj . . . Nabukodonozorin, mbretin e Babilonit . . . kundër këtij vendi, kundër banorëve të tij dhe kundër të gjithë popujve që janë rreth tij.» (Jeremia 25:4, 5, 8, 9, Bibla Simon Filipaj, DSF) Ndërkohë që edhe kombet përreth do të vuanin zemërimin e Babilonisë, Jeremia i quajti shkatërrimin e Jerusalemit dhe 70 vjetët e mërgimit që do të vinin, ‘ndëshkimi i popullit tim’, pasi Jerusalemi kishte «mëkatuar rëndë».—Vajtimet 1:8; 3:42; 4:6, Dio.
Pra, sipas Biblës, 70 vjetët ishin një periudhë e rëndë ndëshkimi për Judën, dhe Perëndia përdori babilonasit si mjetin për këtë ndëshkim të ashpër. Prapëseprapë, Ai u tha judenjve: ‘Kur të mbushen shtatëdhjetë vjet unë do t’ju rikthej në këtë vend’, në vendin e Judës e të Jerusalemit.—Jeremia 29:10, Dio.
Kur filluan «shtatëdhjetë vjetët»?
Historiani i frymëzuar Ezdra, i cili jetoi pasi ishte përmbushur profecia e Jeremisë për 70 vjetët, shkroi për mbretin Nabukodonosor: «Ai mori robër në Babiloni ata që i shpëtuan shpatës. Këta u bënë shërbëtorët e tij dhe të bijve të tij deri kur filloi të sundonte fuqia mbretërore e Persisë, që të përmbushej fjala që tha Jehovai nëpërmjet gojës së Jeremisë, derisa vendi të shlyente sabatet e tij. Vendi e mbajti sabatin gjatë gjithë ditëve që qe i shkretuar, që të mbusheshin shtatëdhjetë vjet.»—2 Kronikave 36:20, 21.
Kështu, gjatë 70 vjetëve, vendi i Judës dhe i Jerusalemit do të mbante «sabatet». Kjo do të thoshte se toka nuk do të kultivohej, nuk do të mbillej dhe nuk do të krasiteshin vreshtat. (Levitiku 25:1-5, Dio) Populli i Perëndisë u tregua i pabindur e mëkatet e tyre mund të kenë përfshirë edhe mosmbajtjen e të gjitha viteve të sabatit. Për këtë arsye, iu dha si ndëshkim që vendi i tyre të mos punohej e të lihej i shkretë për 70 vjet.—Levitiku 26:27, 32-35, 42, 43.
Kur u bë i shkretë e i papunuar vendi i Judës? Ç’është e vërteta, babilonasit, nën komandën e Nabukodonosorit, e sulmuan në dy vite të ndryshme Jerusalemin. Kur nisën 70 vjetët? Patjetër që jo pasi Nabukodonosori rrethoi për herë të parë Jerusalemin. Pse jo? Ndonëse në atë rast Nabukodonosori mori shumë robër nga Jerusalemi në Babiloni, la edhe të tjerë në vend. Gjithashtu nuk e shkatërroi qytetin. Pasi kaluan vite nga ky dëbim i parë, ata që mbetën në Judë, ‘shtresa e ulët e popullsisë’, jetuan në sajë të bujqësisë. (2 Mbretërve 24:8-17) Por më pas gjërat ndryshuan në mënyrë drastike.
Një revoltë judaike i solli përsëri babilonasit në Jerusalem. (2 Mbretërve 24:20; 25:8-10) Ata e rrafshuan qytetin, përfshirë tempullin e tij të shenjtë dhe mjaft banorë i çuan robër në Babiloni. Brenda dy muajsh, «tërë populli [ata që ishin lënë në vend], nga më i vogli deri te më i madhi dhe kapitenët e trupave u ngritën dhe shkuan në Egjipt, sepse kishin frikë nga Kaldeasit [babilonasit]». (2 Mbretërve 25:25, 26, Dio) Vetëm atëherë, muajin e shtatë të atij viti, që sipas kalendarit judaik i bie Tishër (shtator/tetor), mund të thuhej se vendi, që tashmë ishte i shkretë e i papunuar, nisi të mbante sabatin. Të mërguarve judenj në Egjipt, Perëndia u tha me anë të Jeremisë: «Ju e patë të gjithë të keqen që e solla mbi Jerusalem dhe mbi të gjitha qytetet e Judës: ja, sot janë një rrënojë pa banorë.» (Jeremia 44:1, 2, DSF) Pra, me sa duket, kjo ngjarje shënoi pikënisjen e 70 vjetëve. Në cilin vit filloi kjo periudhë? Që t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje, duhet të kuptojmë se kur përfundoi ajo.
Kur mbaruan «shtatëdhjetë vjetët»?
Profeti Daniel, i cili jetoi «deri në ardhjen e mbretërisë së Persisë», ishte në Babiloni dhe llogariti se kur do të përfundonin 70 vjetët. Ai shkroi: «Unë, Danieli, kuptova nga librat numrin e viteve në të cilët, sipas fjalës të Zotit që i ishte drejtuar Jeremias duhet të kryheshin shkretimet e Jerusalemit, domethënë shtatëdhjetë vjet.»—Danieli 9:1, 2, Dio.
Ezdra mendoi thellë rreth profecive të Jeremisë dhe e lidhi përfundimin e ‘shtatëdhjetë vjetëve’ me kohën kur «Zoti e nxiti frymën e Kirit, mbret të Persisë, që të nxirrte një dekret». (2 Kronikave 36:21, 22, Dio) Kur u liruan judenjtë? Dekreti që i jepte fund mërgimit të tyre doli «vitin e parë të Kirit si mbret i Persisë». (Shih kutinë «Një datë e rëndësishme në histori».) Kështu, në vjeshtën e vitit 537 p.e.s., judenjtë ishin kthyer në Jerusalem që të rivendosnin adhurimin e vërtetë.—Ezdra 1:1-5; 2:1; 3:1-5.
Kështu, sipas kronologjisë biblike, 70 vjetët ishin periudhë kohore e mirëfilltë që përfunduan në vitin 537 p.e.s. Po të zbresim 70 vjet nga ky vit, data e nisjes së kësaj periudhe i bie viti 607 p.e.s.
Por, nëse dëshmitë e Shkrimeve të frymëzuara tregojnë qartë se Jerusalemi u shkatërrua në vitin 607 p.e.s., pse shumë autoritete këmbëngulin për vitin 587 p.e.s.? Ata bazohen në dy burime informacioni: te shkrimet e historianëve të lashtë dhe te kanoni i Ptolemeut. A janë këto burime më të besueshme se Shkrimet e frymëzuara? Le ta shohim.
Sa të saktë ishin historianët e lashtë?
Historianët që jetuan afër kohës kur Jerusalemi u shkatërrua, japin informacione të përziera për mbretërit neobabilonas.c (Shih kutinë «Mbretërit neobabilonas».) Rrjedha e ngjarjeve në të dhënat e tyre kronologjike nuk përputhet me atë të Biblës. Sidoqoftë, sa të besueshme janë shkrimet e tyre?
Një nga historianët që jetoi më afër periudhës neobabilonase ishte Berosi, një babilonas që ishte «prift i Belit». Vepra e tij origjinale, Babyloniaca, e shkruar rreth vitit 281 p.e.s., ka humbur dhe janë ruajtur vetëm fragmente të saj në veprat e historianëve të tjerë. Berosi pohoi se përdori «libra që ishin ruajtur me shumë kujdes në Babiloni».1 A ishte vërtet një historian i saktë? Le të marrim një shembull.
Berosi shkroi se mbreti asirian, Senakeribi, pasoi «mbretërimin e të vëllait» dhe «pas tij, i biri [Esar-Hadoni sundoi] për 8 vjet, pas të cilit erdhi Samugi [Shamash-Shuma-Ukini] për 21 vjet». (III, 2.1, 4) Megjithatë, dokumentet historike babilonase të shkruara mjaft kohë para periudhës së Berosit, thonë se Senakeribi pasoi në fron të atin, Sargonin II, jo të vëllanë. Për Esar-Hadonin thonë se sundoi për 12 vjet, jo 8, dhe për Shamash-Shuma-Ukinin se sundoi për 20 vjet e jo për 21. Studiuesi Robart J. van der Spek, ndonëse e pranon se Berosi është konsultuar me kronikat babilonase, shkroi: «Kjo nuk e pengoi të bënte shtesa e interpretime nga vetja.»2
Si e shohin studiues të tjerë Berosin? Stenli M. Bursteini, i cili i studioi imtësisht veprat e Berosit, thotë: «Në të kaluarën Berosi zakonisht është konsideruar historian.» Por përfundoi me fjalët: «Si historian, vepra e tij nuk është në lartësinë e duhur. Edhe në gjendjen e tanishme të paplotë, është e habitshme që Babyloniaca përmban një sërë gabimesh për fakte të thjeshta. . . . Për një historian do të ishte e papranueshme të bënte gabime të tilla, kështu që Berosi nuk kishte qëllim të dokumentonte histori.»3
Çfarë mendoni po të mbani parasysh sa u tha më sipër? A duhen konsideruar të sakta të gjitha llogaritjet e Berosit? Dhe, ç’të themi për historianët e tjerë të lashtë, të cilët, pjesën më të madhe të kronologjisë së tyre e kanë bazuar në të dhënat e Berosit? A mund të quhen vërtet të besueshme përfundimet e tyre historike?
Kanoni i Ptolemeut
Kanoni mbretëror i Klaud Ptolemeut, astronom i shekullit të dytë të e.s., përdoret gjithashtu në mbështetje të datës tradicionale 587 p.e.s. Lista e mbretërve që bëri Ptolemeu konsiderohet si shtylla e kronologjisë së historisë së lashtë, përfshirë periudhën neobabilonase.
Ptolemeu e përpiloi listën e tij rreth 600 vjet pasi mbaroi periudha neobabilonase. Atëherë, si e përcaktoi datën kur filloi të mbretëronte mbreti i parë i listës së tij? Ptolemeu shpjegoi se kishte përdorur llogaritjet astronomike, bazuar pjesërisht tek eklipset. Ai tha se nga këto «kemi llogaritur kur e ka filluar mbretërimin Nabonasari», mbreti i parë i listës së tij.4 Prandaj, Kristofer Uokeri i Muzeut Britanik thotë se kanoni i Ptolemeut ishte «një skemë artificiale që t’u siguronte astronomëve një kronologji koherente» dhe nuk u bë «që t’u siguronte historianëve një dokumentim të saktë të hipjes në fron dhe të vdekjes së mbretërve».5
Leo Depoti, një nga mbrojtësit më të zjarrtë të Ptolemeut, shkruan: «Dihet prej kohësh se kanoni është i besueshëm nga ana astronomike, por kjo nuk do të thotë automatikisht se është i besueshëm nga ana historike.» Për sa i përket kësaj liste mbretërish, profesor Depoti shton: «Sa për sundimtarët më të hershëm, [ku futen edhe mbretërit neobabilonas], do të ishte e nevojshme që kanoni të krahasohej me dokumentimin kuneiform për të shqyrtuar mbretëritë njëra pas tjetrës.»6
Çfarë është ky ‘dokumentim kuneiform’ që na jep mundësi të llogaritim saktësinë historike të kanonit të Ptolemeut? Përfshin kronikat babilonase, listat e mbretërve dhe pllakat e fushës së ekonomisë—dokumente kuneiforme të shkruara nga skribët që jetuan gjatë ose afër kohëve neobabilonase.7
A përputhet lista e Ptolemeut me dokumentimet kuneiforme? Kutia «A përputhet kanoni i Ptolemeut me pllakat e lashta?» (shih më poshtë), tregon një pjesë të kanonit që e krahason me një dokument të lashtë kuneiform. Vër re se Ptolemeu radhit vetëm katër mbretër që sunduan midis sundimtarëve babilonas Kandalan dhe Nabonid. Sidoqoftë, Lista e Mbretërve Urukë, që është pjesë e dokumentimit kuneiform, zbulon se ndërmjet tyre sunduan shtatë mbretër. Mos ishin mbretërimet e tyre të shkurtra e të parëndësishme? Një prej tyre, sipas pllakave kuneiforme të fushës së ekonomisë, sundoi për shtatë vjet.8
Ka edhe dëshmi të forta nga dokumentet kuneiforme se, para mbretërimit të Nabopolasarit (mbretit të parë të periudhës neobabilonase), në Babiloni sundoi një tjetër mbret (Ashur-Etel-Ilani) për katër vjet. Gjithashtu, për më se një vit, nuk pati mbret në vend.9 E megjithatë, gjithë kjo nuk është përfshirë në kanonin e Ptolemeut.
Pse nuk i përmendi Ptolemeu disa sundimtarë? Me sa duket nuk i konsideroi sundimtarë të ligjshëm të Babilonisë.10 Për shembull, nuk përmendi Labashi-Mardukun, një mbret neobabilonas. Por, sipas dokumenteve kuneiforme, mbretërit që përjashtoi Ptolemeu faktikisht sunduan në Babiloni.
Në përgjithësi kanoni i Ptolemeut konsiderohet i saktë. Por, duke pasur parasysh ato që nuk përmendi, a duhet mbajtur vërtet si kronologji historike e padiskutueshme?
Përfundimi i bazuar në këtë dëshmi
Të bëjmë një përmbledhje. Bibla thotë qartë se ka pasur një mërgim prej 70 vjetësh. Ka dëshmi të forta dhe mjaft studiues janë dakord se të mërguarit judenj u kthyen në vendlindje në vitin 537 p.e.s. Po të numërojmë prapa nga ky vit, shkatërrimi i Jerusalemit i bie në vitin 607 p.e.s. Edhe pse historianët e lashtë dhe kanoni i Ptolemeut bien ndesh me këtë datë, për saktësinë e shkrimeve të tyre ngrihen pyetje me vend. Vërtet, këto dy linja dëshmie zor se japin aq prova sa të përmbysin kronologjinë biblike.
Megjithatë, mbeten edhe pyetje të tjera. A është e vërtetë se nuk ka asnjë dëshmi historike që mbështet vitin 607 p.e.s. të bazuar në Bibël? Çfarë dëshmojnë dokumentet kuneiforme të datueshme, mjaft prej të cilave u shkruan nga dëshmitarë okularë të lashtë? Këto pyetje do t’i shqyrtojmë në artikullin vijues.
[Shënimet]
a Në burimet jobiblike përmenden të dyja vitet. Për lehtësi, në këtë seri do t’i referohemi vitit 587 p.e.s. Shkurtimi p.e.s. do të thotë «para erës sonë».
b Dëshmitarët e Jehovait botojnë një përkthim të besueshëm të Biblës të njohur si Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re. Gjithsesi, nëse nuk jeni Dëshmitarë të Jehovait, mund të doni të përdorni përkthime të tjera kur shqyrtoni tema biblike. Ky artikull citon disa përkthime biblike të pranuara gjerësisht.
c Perandoria neobabilonase nisi me mbretërimin e Nabopolasarit, i ati i Nabukodonosorit, dhe përfundoi me mbretërimin e Nabonidit. Kjo periudhë u intereson studiuesve, pasi mbulon pjesën më të madhe të shkretimit 70-vjeçar.
[Kutia dhe figura në faqen 28]
NJË DATË E RËNDËSISHME NË HISTORI
Viti 539 p.e.s., kur Kiri II pushtoi Babiloninë, është llogaritur duke përdorur si dëshmi:
▪ Burimet e lashta historike dhe pllakat kuneiforme. Diodori i Sicilisë (rreth 80-20 p.e.s.) shkroi se Kiri u bë mbret i Persisë «vitin e parë të Olimpiadës së pesëdhjetë e pestë». (Historical Library, libri IX, 21) Ky ishte viti 560 p.e.s. Historiani grek Herodoti (rreth 485-425 p.e.s.) tha se Kiri u vra «pasi kishte mbretëruar për njëzet e nëntë vjet», që i bie të ketë vdekur gjatë moshës 30-vjeçare, në vitin 530 p.e.s. (Histories, libri I, Clio, 214) Pllakat kuneiforme tregojnë se Kiri sundoi në Babiloni nëntë vjet para se të vdiste. Kështu nëntë vjet para vdekjes së tij në vitin 530 p.e.s., na çojnë pas në vitin 539 p.e.s., viti kur Kiri pushtoi Babiloninë.
Vërtetimin e një pllake kuneiforme. Një pllakë argjile astronomike e Babilonisë (BM 33066) vërteton datën e vdekjes së Kirit në vitin 530 p.e.s. Edhe pse pllaka ka disa gabime që lidhen me pozicionet astronomike, ajo përmban përshkrimet e dy eklipseve hënore që thotë se ndodhën në vitin e shtatë të Kambisit II, biri dhe pasardhësi i Kirit. Është vërtetuar se këto ishin eklipse hënore të dukshme në Babiloni më 16 korrik 523 p.e.s., dhe më 10 janar 522 p.e.s. Kështu fillimi i vitit të shtatë të Kambisit i bie në pranverën e vitit 523 p.e.s. Kjo do të thotë se viti i tij i parë si mbret ishte viti 529 p.e.s. Pra, viti i fundit i Kirit i bie të ketë qenë viti 530 p.e.s., dhe kjo e bën vitin 539 p.e.s. vitin e tij të parë të sundimit në Babiloni.
[Burimi]
Pllaka: © The Trustees of the British Museum
[Kutia në faqen 31]
NJË PËRMBLEDHJE E SHKURTËR
▪ Historianët jobiblikë zakonisht thonë se Jerusalemi u shkatërrua në vitin 587 p.e.s.
▪ Kronologjia biblike tregon qartë se shkatërrimi ndodhi në vitin 607 p.e.s.
▪ Historianët jobiblikë kryesisht i bazojnë përfundimet e tyre në shkrimet e historianëve të lashtë dhe në kanonin e Ptolemeut.
▪ Shkrimet e historianëve të lashtë përmbajnë gabime të mëdha dhe nuk përputhen gjithnjë me dokumentimet e pllakave prej argjile.
[Kutia në faqen 31]
Shënime
1. Babyloniaca (Chaldaeorum Historiae), libri i parë, 1.1.
2. Studies in Ancient Near Eastern World View and Society, faqja 295.
3. The Babyloniaca of Berossus, faqja 8.
4. Almagest, III, 7, përkthyer nga Xh. Xh. Tumeri, te Ptolemy’s Almagest, botuar më 1998, faqja 166. Ptolemeu e dinte se astronomët babilonas përdornin skema matematike që të «llogaritnin» kohën e eklipseve të kaluara e të ardhshme, pasi zbuluan se eklipset e të njëjtit lloj përsëriten çdo 18 vjet.—Almagest, IV, 2.
5. Mesopotamia and Iran in the Persian Period, faqet 17-18.
6. Journal of Cuneiform Studies, vëllimi 47, 1995, faqet 106-107.
7. Shkrimi kuneiform ishte një formë shkrimi ku një skrib bënte shenja të ndryshme në sipërfaqen e një pllake të butë argjile duke përdorur një kunj me majë të mprehtë.
8. Sin-Sharra-Ishkuni sundoi për shtatë vjet dhe 57 pllaka të fushës së ekonomisë të këtij mbreti datojnë që nga viti kur hipi në fron e deri në vitin e shtatë. Shih Journal of Cuneiform Studies, vëllimi 35, 1983, faqet 54-59.
9. Pllakë e fushës së ekonomisë C.B.M. 2152 që daton në vitin e katërt të Ashur-Etel-Ilanit. (Legal and Commercial Transactions Dated in the Assyrian, Neo-Babylonian and Persian Periods—Chiefly From Nippur, nga A.T. Klei, 1908, faqja 74.) Gjithashtu, Mbishkrimet e Nabonidit të Haranit, (H1B), I, rreshti 30, e radhit atë menjëherë para Nabopolasarit. (Anatolian Studies, vëll. VIII, 1958, faqet 35, 47.) Për periudhën pa mbret shih Kronikën 2, rreshti 14, të botimit Assyrian and Babylonian Chronicles, faqet 87-88.
10. Disa studiues thonë se Ptolemeu, i cili mendohet të ketë renditur vetëm mbretër babilonas, nuk i përmendi disa mbretër pasi këta thirreshin me titullin «Mbret i Asirisë». Gjithsesi, siç do ta vëreni në kutinë e faqes 30, edhe disa mbretër të kanonit të Ptolemeut kishin titullin «Mbret i Asirisë». Pllakat e fushës së ekonomisë, shkronjat kuneiforme dhe mbishkrimet tregojnë qartë se mbretërit Ashur-Etel-Ilan, Sin-Shumu-Lishir dhe Sin-Sharra-Ishkuni sunduan në Babiloni.
[Tabela dhe figura në faqen 29]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin)
MBRETËRIT NEOBABILONAS
Nëse këta historianë janë të besueshëm, pse nuk përputhen me njërin-tjetrin?
Mbretërit
Nabopolasari
BEROSI rreth 350-270 p.e.s. (21)
POLIHISTORI 105-? p.e.s. (20)
JOZEFI 37-?100 të e.s. (—)
PTOLEMEU rreth 100-170 të e.s. (21)
Nabukodonosori II
BEROSI rreth 350-270 p.e.s. (43)
POLIHISTORI 105-? p.e.s. (43)
JOZEFI 37-?100 të e.s. (43)
PTOLEMEU rreth 100-170 të e.s. (43)
Amel-Marduku
BEROSI rreth 350-270 p.e.s. (2)
POLIHISTORI 105-? p.e.s. (12)
JOZEFI 37-?100 të e.s. (18)
PTOLEMEU rreth 100-170 të e.s. (2)
Neriglisari
BEROSI rreth 350-270 p.e.s. (4)
POLIHISTORI 105-? p.e.s. (4)
JOZEFI 37-?100 të e.s. (40)
PTOLEMEU rreth 100-170 të e.s. (4)
Labashi-Marduku
BEROSI rreth 350-270 p.e.s. (9 muaj)
POLIHISTORI 105-? p.e.s. (—)
JOZEFI 37-?100 të e.s. (9 muaj)
PTOLEMEU rreth 100-170 të e.s. (—)
Nabonidi
BEROSI rreth 350-270 p.e.s. (17)
POLIHISTORI 105-? p.e.s. (17)
JOZEFI 37-?100 të e.s. (17)
PTOLEMEU rreth 100-170 të e.s. (17)
(#) = Kohëzgjatja e sundimit të mbretërve e shprehur në vite sipas historianëve të lashtë
[Burimi]
Fotografia: me mirësjellje nga Muzeu Britanik
[Tabela dhe figurat në faqen 30]
(Për tekstin e faqosur, shih botimin)
A PËRPUTHET KANONI I PTOLEMEUT ME PLLAKAT E LASHTA?
Ptolemeu nuk përmend disa mbretër në listën e tij. Pse?
KANONI I PTOLEMEUT
Nabonasari
Nabu-Nadin-Zeri (Nadinu)
Mukin-Zeri dhe Puli
Ululai (Shalmaneseri V) «Mbret i Asirisë»
Merodak-Baladani
Sargoni II «Mbret i Asirisë»
Periudha e parë pa mbret
Bel-Ibni
Ashur-Nadin-Shumi
Nergal-Ushezibi
Mushezib-Marduku
Periudha e dytë pa mbret
Esar-Hadoni «Mbret i Asirisë»
Shamash-Shuma-Ukini
Kandalani
Nabopolasari
Nabukodonosori
Amel-Marduku
Neriglisari
Labashi-Marduku
Nabonidi
Kiri
Kambisi
LISTA E MBRETËRVE URUKË SIPAS PLLAKAVE TË LASHTA
Kandalani
Sin-Shumu-Lishiri
Sin-Sharra-Ishkuni
Nabopolasari
Nabukodonosori
Amel-Marduku
Neriglisari
Nabonidi
[Figura]
Kronikat babilonase janë pjesë e dokumentimit kuneiform. Ky dokumentim na ndihmon të përcaktojmë sa i saktë është kanoni i Ptolemeut
[Burimi]
Fotografia: me mirësjellje nga Muzeu Britanik
[Burimi i figurës në faqen 31]
Fotografia: me mirësjellje nga Muzeu Britanik