Kapitulli trembëdhjetë
«Jehovai ka bërë atë që kishte ndër mend»
1. Ç’tha Jeremia për profecitë e Jehovait, pasi Jerusalemi u shkatërrua krejt?
JERUSALEMI është i shkatërruar. Nga zjarret që kanë vënë pushtuesit babilonas ngrihet ende tym. Jeremisë i ushtojnë në vesh ulërimat tronditëse të atyre që vriteshin. Perëndia i kishte thënë ç’do të ndodhte dhe ngjarjet rrodhën tamam ashtu. «Jehovai ka bërë atë që kishte ndër mend»,—psherëtin profeti. Ç’tragjedi ishte rënia e Jerusalemit!—Lexo Vajtimet 2:17.
2. Përmbushjen e cilës profeci të thënë shekuj më parë, pa Jeremia?
2 Po, Jeremia pa përmbushjen e shumë profecive që iu thanë popullit të Perëndisë, edhe të profecive të lashta. Shekuj më parë, Moisiu i vuri përpara Izraelit pasojat e bindjes ose mosbindjes ndaj Perëndisë, «bekimin» ose «mallkimin». Jehovai donte më të mirën për popullin e tij, donte bekimin. Nga ana tjetër, mallkimet që do të vinin si pasojë e mosbindjes, do të ishin të tmerrshme. Moisiu paralajmëroi, e më vonë Jeremia përsëriti, se ata që shpërfillnin dhe kundërshtonin Jehovain, do të arrinin deri aty sa ‘të hanin mishin e bijve dhe të bijave të veta’. (Ligj. 30:19, 20; Jer. 19:9; Lev. 26:29) Disa kanë pyetur: «A mund të ndodhte vërtet një gjë kaq e tmerrshme?» Ja që ndodhi gjatë rrethimit babilonas, kur nuk kishte më ushqim. Jeremia raportoi: «Gratë e dhembshura kanë zier fëmijët me duart e veta. Ata kanë shërbyer si ushqim gjatë rrënimit të bijës së popullit tim.» (Vajt. 4:10) Çfarë tragjedie!
3. Me ç’qëllim i dërgonte Perëndia profetët te populli i tij?
3 Natyrisht, kur caktoi profetë si Jeremia, qëllimi i Jehovait nuk ishte thjesht të lajmëronte gjëmën që e priste popullin. Perëndia donte që ata të ktheheshin në udhën e besnikërisë. Donte që mëkatarët të pendoheshin. Këtë e nxori në pah Ezdra kur tha: «Jehovai, Perëndia i paraardhësve të tyre, vazhdoi t’u dërgonte paralajmërime me anë të lajmëtarëve të tij. Ai u dërgonte vazhdimisht, sepse i dhimbsej populli i tij dhe banesa e vet.»—2 Kron. 36:15; lexo Jereminë 26:3, 12, 13.
4. Si ndihej Jeremia për mesazhin që shpallte?
4 Ashtu si Jehovai, edhe Jeremia ndiente dhembshuri për popullin. Kjo shihet nga ajo që tha para se të binte Jerusalemi. E trazonte thellësisht katastrofa që u kanosej. Ajo mund të shmangej, sikur populli të dëgjonte mesazhin e Jeremisë dhe të bindej! Përpiqu t’i përfytyrosh ndjenjat e Jeremisë teksa shpallte mesazhin e Perëndisë. Ai thoshte: «O zorrët e mia, zorrët e mia! Kam dhembje të forta në zemër. Zemra ime është e trazuar. Nuk mund të hesht, sepse shpirti im ka dëgjuar tingullin e bririt, kushtrimin për luftë.» (Jer. 4:19) Nuk mund të heshtte përballë gjëmës që u kanosej.
PSE ISHTE KAQ I SIGURT?
5. Pse Jeremia ishte i bindur për mesazhin që predikonte?
5 Pse ishte kaq i bindur Jeremia se ajo që profetizonte do të ndodhte? (Jer. 1:17; 7:30; 9:22) Ai ishte njeri me besim, që i kishte studiuar Shkrimet dhe e dinte se Jehovai është Perëndia i profecive të vërteta. Historia dëshmonte se Jehovai kishte aftësinë të parathoshte ngjarje që dukeshin të pamundura nga pikëpamja njerëzore, siç ishte çlirimi i Izraelit nga skllavëria në Egjipt. Jeremia e njihte tregimin për Daljen nga Egjipti, si dhe fjalët e një dëshmitari okular. Josiu u kishte kujtuar izraelitëve të tjerë: «Ju e dini mirë me gjithë zemër e me gjithë shpirt se nuk mbeti pa u plotësuar as edhe një fjalë nga të gjitha të mirat që ju tha Jehovai, Perëndia juaj. Të gjitha dolën të vërteta. Asnjë nuk mbeti pa u plotësuar.»—Jos. 23:14.
6, 7. (a) Pse duhet të të interesojnë deklaratat profetike të Jeremisë? (b) Ç’do të të ndihmojë të jesh i bindur për mesazhin që predikon?
6 Pse duhet të vazhdosh t’u kushtosh vëmendje profecive që tha Jeremia? Së pari, sepse ai kishte arsye për të qenë i sigurt se fjalët e Jehovait do të përmbusheshin patjetër. Së dyti, sepse disa paralajmërime që dha Perëndia nëpërmjet Jeremisë po përmbushen tani dhe presim ende të shohim përmbushjen e të tjerave. Së treti, sepse numri i madh i paralajmërimeve që dha në emër të Perëndisë, si edhe forca me të cilën i dha, e dallojnë Jereminë si një shërbëtor të jashtëzakonshëm të Tij. Një studiues thotë: «Edhe përballë profetëve të tjerë, Jeremia ngrihet si një gjigant.» Kaq profet i rëndësishëm konsiderohej Jeremia në historinë e marrëdhënieve të Perëndisë me popullin e Tij, saqë, kur fliste Jezui, disa që e dëgjonin besonin se duhej të ishte Jeremia.—Mat. 16:13, 14.
7 Ashtu si Jeremia, edhe ti jeton në një kohë kur po përmbushen profeci biblike jetësore. E po ashtu si Jeremia, duhet të jesh i bindur se premtimet e Perëndisë janë të vërteta. (2 Pjet. 3:9-14) Si ta bësh këtë? Vazhdo të forcosh besimin se Fjala profetike e Perëndisë është absolutisht e besueshme. Me këtë në mendje, do të rishikojmë tani disa profeci që Jeremia i shpalli dhe i pa të përmbusheshin. Të tjera që do të shqyrtojmë, u përmbushën më vonë. Të tjera akoma ndikojnë drejtpërdrejt te ti tani dhe do të ndikojnë në të ardhmen tënde. Urojmë që ky rishikim të të forcojë besimin te Fjala profetike e Jehovait, që të jesh edhe më i bindur se ‘ai do të bëjë atë që ka ndër mend’.—Vajt. 2:17.
Pse dërgoi profetë Perëndia? Pse u beson profecive për shkatërrimin që po afrohet me të shpejtë?
PROFECI QË JEREMIA I THA DHE I PA TË PËRMBUSHESHIN
8, 9. Cili është një nga tiparet dalluese të Biblës?
8 Ka shumë njerëz që përpiqen të parashikojnë të ardhmen. Për shembull, janë ekonomistët, politikanët, spiritistët dhe parashikuesit e motit. Pa dyshim, e ke vënë re sa e vështirë është të parashikosh me saktësi qoftë edhe gjëra të thjeshta, që mund të ndodhin brenda disa ditësh ose javësh. Por, profecitë e sakta janë një nga tiparet dalluese të Biblës. (Isa. 41:26; 42:9) Të gjitha profecitë e Jeremisë, për të ardhmen e afërt ose të largët, ishin të pagabueshme. Shumë prej tyre kishin të bënin me individë e kombe. Le të shohim fillimisht disa profeci që u përmbushën gjatë jetës së Jeremisë.
9 Kush mund ta parashikojë sot si do të jetë skena e botës pas një a dy vjetësh? Për shembull, cili analist i çështjeve ndërkombëtare mund të parashikojë me saktësi nëse do të ketë ndonjë ndryshim të fuqive politike? Kurse Jeremia, nën frymëzim hyjnor, paratha se Babilonia do ta zgjeronte sferën e saj të ndikimit. Ai tha se Babilonia ishte ‘kupa e artë’ me të cilën Jehovai do të derdhte zemërimin e tij kundër Judës dhe shumë qyteteve e popujve përreth, duke i detyruar të bëheshin skllevër. (Jer. 51:7) Pikërisht këtë përjetuan Jeremia dhe bashkëkohësit e tij.—Krahaso Jereminë 25:15-29; 27:3-6; 46:13.
10. Ç’paratha Jehovai për katër mbretër judenj?
10 Jehovai e përdori Jereminë edhe për të treguar fundin që do të kishin katër mbretër judenj. Për Jehoahazin ose Shalumin, bir i mbretit Josia, Perëndia paratha se do ta çonin në mërgim e nuk do të kthehej më kurrë në Judë. (Jer. 22:11, 12) Pikërisht kështu ndodhi. (2 Mbret. 23:31-34) Perëndia shpalli se pasuesin e Jehoahazit në fron, Jehojakimin, do ta varrosnin «si një gomar». (Jer. 22:18, 19; 36:30) Bibla nuk specifikon si vdiq ai ose ç’ndodhi me kufomën e tij, por tregon se i biri, Jehojakini, e pasoi në fron gjatë rrethimit të Jerusalemit. Jeremia paratha se Jehojakini (i njohur edhe si Koniahu ose Jekonia) do të çohej në mërgim në Babiloni e do të vdiste atje. (Jer. 22:24-27; 24:1) Kjo ndodhi. Ç’të themi për mbretin e fundit, Zedekinë? Jeremia paratha se ai do t’u jepej në dorë armiqve, të cilët nuk do të tregonin dhembshuri për të. (Jer. 21:1-10) Çfarë ndodhi? Armiqtë e kapën, ia therën bijtë para syve, e verbuan dhe e çuan në Babiloni, ku vdiq. (Jer. 52:8-11) Po, të gjitha këto profeci u përmbushën.
11. Kush ishte Hananiahu dhe çfarë paratha Jehovai për të?
11 Në kapitullin e 28-të të Jeremisë lexojmë se gjatë mbretërimit të Zedekisë, profeti i rremë Hananiah e kundërshtoi deklaratën që Jehovai kishte bërë nëpërmjet Jeremisë, lidhur me sundimin babilonas mbi Jerusalemin. Duke shpërfillur fjalën e Perëndisë, Hananiahu tha se zgjedha e skllavërisë që Nabukodonosori kishte vënë mbi Judën e mbi kombet e tjera, do të thyhej. Por, nën drejtimin e Jehovait, Jeremia demaskoi gënjeshtrën e Hananiahut, u kundërpërgjigj se shumë kombe do të duhej t’u shërbenin babilonasve dhe i tha profetit të rremë se brenda vitit do të vdiste. Ndodhi pikërisht kështu.—Lexo Jereminë 28:10-17.
12. Si reaguan shumica e bashkëkohësve të Jeremisë ndaj mesazhit të tij profetik kryesor?
12 Natyrisht, mesazhi profetik kryesor që i dha Perëndia Jeremisë përqendrohej në rënien e vetë Jerusalemit. Herë pas here, Jehovai paralajmëroi se, nëse judenjtë nuk pendoheshin për idhujtarinë, padrejtësinë dhe dhunën e tyre, qyteti do të binte. (Jer. 4:1; 16:18; 19:3-5, 15) Shumë bashkëkohës të Jeremisë mendonin se Jehovai s’do ta bënte kurrë një gjë të tillë. Në Jerusalem ndodhej tempulli i Perëndisë. Si mund të lejonte ai që të shkatërrohej ky vend i shenjtë?! S’ka për të ndodhur kurrë, mendonin. E megjithatë, ti e di se Jehovai nuk gënjen. Ai bëri atë që kishte ndër mend.—Jer. 52:12-14.
13. (a) Si ngjajnë ditët tona me ato të Jeremisë? (b) Pse duhet të të interesojnë premtimet që u bëri Perëndia disa individëve në kohën e Jeremisë?
13 Sot populli i Perëndisë ndodhet në një situatë të ngjashme me shërbëtorët besnikë të Jehovait në kohën e Jeremisë. E dimë se së shpejti Jehovai do të sjellë gjëmën mbi të gjithë ata që nuk duan t’ua vënë veshin paralajmërimeve të tij. Megjithatë, mund të marrim zemër nga premtimet e tij profetike, ashtu si ata judenj që mbanin adhurimin e pastër në kohën e Jeremisë. Ngaqë rekabitët iu bindën me besnikëri Jehovait dhe urdhrave të paraardhësit të tyre, Jehovai tha se do të mbijetonin kur të binte Jerusalemi. Ata mbijetuan. Këtë e vërteton fakti që më vonë, mes atyre që ndihmuan për meremetimin e Jerusalemit gjatë kohës kur Nehemia ishte guvernator, përmendet edhe «Malkijahu, biri i Rekabit». (Neh. 3:14; Jer. 35:18, 19) Jehovai e siguroi edhe Ebed-Melekun se do të mbijetonte, ngaqë kishte besim tek Ai dhe mbështeti Jereminë. (Jer. 38:11-13; 39:15-18) Po kështu, Perëndia premtoi se Baruku, shoku i Jeremisë, do të merrte «si plaçkë shpirtin» e tij. (Jer. 45:1, 5) Ç’përfundim nxjerr nga plotësimi i këtyre profecive? Çfarë mendon se do të bëjë Jehovai për ty nëse qëndron besnik?—Lexo 2 Pjetrit 2:9.
Si ndikoi tek Ebed-Meleku, Baruku dhe te rekabitët fakti që Jehovai i përmbush gjithnjë profecitë? Ç’mendon ti për këto profeci?
PROFECI QË U PËRMBUSHËN MË VONË
14. Pse ishte e jashtëzakonshme profecia e Perëndisë për Babiloninë?
14 Perëndia paratha se Nabukodonosori nuk do të pushtonte vetëm Judën, por edhe Egjiptin. (Jer. 25:17-19) Kjo duhet të jetë dukur e pamundur, sepse Egjipti ishte shumë i fuqishëm, e madje sundonte mbi Judën. (2 Mbret. 23:29-35) Pas rënies së Jerusalemit, një mbetje judenjsh planifikuan të iknin nga vendi e të gjenin strehë dhe siguri në Egjipt. Donin ta bënin këtë edhe pse Jehovai i kishte paralajmëruar të mos e bënin, dhe u kishte thënë se po të rrinin në Judë, do t’i bekonte. Nga ana tjetër, nëse do të iknin në Egjipt, shpata nga e cila kishin frikë, do t’i zinte atje. (Jer. 42:10-16; 44:30) Në shkrimet e Jeremisë nuk thuhet nëse ai e pa me sytë e tij pushtimin e Egjiptit nga babilonasit. Por është e sigurt se refugjatët izraelitë përjetuan përmbushjen e profecive të Jehovait kur babilonasit e pushtuan Egjiptin në fillim të shekullit të gjashtë p.e.s.—Jer. 43:8-13.
15, 16. Si u plotësua fjala e Perëndisë për çlirimin e popullit të tij?
15 Jeremia profetizoi edhe për fundin e vetë Babilonisë, pushtueses së Egjiptit. Një shekull para se të ndodhte, Jeremia parashikoi me saktësi rënien e papritur të Babilonisë. Si do të ndodhte kjo? Profeti i Perëndisë paratha se ujërat që e mbronin, ‘do të thaheshin’ dhe burrat e saj të fuqishëm nuk do të luftonin. (Jer. 50:38; 51:30) Këto profeci u përmbushën me hollësi kur medët dhe persët devijuan ujërat e lumit Eufrat, kaluan përmes shtratit të lumit dhe hynë në qytet, duke i zënë në befasi babilonasit. Po kaq domethënëse do të të duket deklarata se qyteti do të bëhej një vend i shkretë dhe i pabanuar. (Jer. 50:39; 51:26) Edhe sot e kësaj dite, vendi i shkretë ku dikur ndodhej Babilonia e fuqishme, dëshmon për saktësinë e profecive hyjnore.
16 Nëpërmjet Jeremisë, Jehovai shpalli se judenjtë do t’u shërbenin 70 vjet babilonasve. Pastaj, Perëndia do ta kthente popullin në vendin e tij. (Lexo Jereminë 25:8-11; 29:10.) Danieli kishte besim të plotë te kjo profeci dhe e përdori për të përcaktuar kur do të mbaronte ‘shkretimi i Jerusalemit’. (Dan. 9:2) Ezdra tha se ‘Jehovai zgjoi frymën e Kirit, mbretit të Persisë’ që kishte pushtuar Babiloninë, për t’i kthyer judenjtë në vendin e tyre, «që të përmbushej fjala e Jehovait që kishte dalë nga goja e Jeremisë». (Ezd. 1:1-4) Pastaj, të kthyerit do të kënaqeshin me paqen e vendit të tyre dhe do të rivendosnin adhurimin e pastër atje, siç kishte parathënë Jeremia.—Jer. 30:8-10; 31:3, 11, 12; 32:37.
17. Shpjego pse fjalët e Jeremisë për ‘qarjen’ në Ramah mund t’u referohen dy rasteve të ndryshme.
17 Jeremia dokumentoi edhe profeci që e kishin përmbushjen në të ardhmen e largët. Ai tha: «Kështu thotë Jehovai: ‘Në Ramah dëgjohet një zë, vajtime dhe të qara të hidhura. Është Rakela që qan bijtë e saj. Ajo nuk pranon të ngushëllohet për bijtë e vet, sepse ata nuk janë më.’» (Jer. 31:15) Duket se robërit judenj i mblodhën në qytetin e Ramahut, rreth 8 kilometra në veri të Jerusalemit, pas shkretimit të tij në vitin 607 p.e.s. Madje në Ramah mund të jenë ekzekutuar disa të burgosur. Kjo mund të ketë shkaktuar një përmbushje të parë të profecisë, sikur të ishte Rakela që po qante për vdekjen e ‘bijve’ të vet. Megjithatë, më shumë se gjashtë shekuj më vonë, mbreti Herod urdhëroi të vriteshin foshnjat meshkuj në Betlehem. Mateu, një nga shkrimtarët e ungjijve, shpjegoi se Jeremia e kishte parathënë reagimin e hidhur ndaj kësaj masakre.—Mat. 2:16-18.
18. Si u përmbush profecia e Perëndisë për Edomin?
18 Edhe një profeci tjetër u përmbush në shekullin e parë të erës sonë. Nëpërmjet tij, Perëndia paratha se Edomi ishte një nga kombet që do të vuante nga pushtimi babilonas. (Jer. 25:15-17, 21; 27:1-7) Por, fjala hyjnore nuk u ndal me kaq. Edomi do të bëhej si Sodoma dhe Gomorra. Ti e kupton çfarë do të thotë kjo, pra që nuk do të banohej në jetë të jetëve, nuk do të ekzistonte më. (Jer. 49:7-10, 17, 18) Pikërisht kështu ndodhi. Si mendon, ku mund t’i gjesh tani emrat Edom dhe edomitë? Në ndonjë hartë të kohëve të sotme? Jo. Kryesisht gjenden në librat e historisë së lashtë dhe asaj biblike, ose në hartat që flasin për atë kohë. Jozef Flavi tregon se në shekullin e dytë p.e.s., edomitët u detyruan të përqafonin judaizmin. Më pas, me shkatërrimin e Jerusalemit në vitin 70 të e.s., nuk ekzistuan më si popull më vete.
19. Çfarë zbulon libri i Jeremisë për aftësinë e Perëndisë që t’i përmbushë profecitë?
19 Siç mund ta shohësh, libri i Jeremisë është i mbushur plot, kapitull pas kapitulli, me profeci për njerëz e kombe. Shumica e këtyre profecive tashmë është përmbushur. Mjafton vetëm kjo që ky libër të jetë i denjë për t’i kushtuar vëmendje e për ta studiuar, sepse të vërteton diçka për Perëndinë e madh. Jehovai ka bërë atë që kishte ndër mend dhe do të vazhdojë ta bëjë. (Lexo Isainë 46:9-11.) Kjo të forcon besimin te profecitë që përmban Bibla. Në fakt, përmbushja e disa profecive që dokumentoi Jeremia ndikon drejtpërdrejt te ti dhe tek e ardhmja jote. Le të shqyrtojmë disa prej tyre, në pjesën tjetër të këtij kapitulli.
Cilat janë disa profeci që u përmbushën pas vdekjes së Jeremisë? Përse janë të rëndësishme për ty?
PROFECI QË NDIKOJNË TE TI
20-22. Pse mund të themi se profecitë biblike, përfshirë edhe disa në librin e Jeremisë, kanë më shumë se një përmbushje? Ilustroje.
20 Një profeci biblike mund të ketë më shumë se një përmbushje. I tillë është rasti i përgjigjes që i dha Jezui pyetjes së dishepujve për shenjën ‘e pranisë së tij dhe të përfundimit të sistemit’. (Mat. 24:3) Ajo pati një përmbushje në vitet 66 deri 70 të e.s. Por, është e qartë se në disa aspekte kjo profeci do të përmbushet ende gjatë ‘shtrëngimit të madh’ që do të vijë mbi gjithë këtë sistem të lig. Ky shtrëngim do të jetë «aq [i] madh, sa nuk ka pasur që nga fillimi i botës e deri tani, dhe as që do të ketë përsëri». (Mat. 24:21) Paralele të ngjashme ka në profecitë që dokumentoi Jeremia. Disa prej tyre patën një përmbushje fillestare në vitin 607 p.e.s., por edhe një përmbushje të dytë, që do të ndodhte shumë më vonë, siç e pamë në rastin e ‘Rakelës që qante bijtë e saj’. (Jer. 31:15) Po, disa gjëra që paratha Jeremia kanë të bëjnë me kohën në të cilën jetojmë dhe përmbushja e tyre ndikon te ne personalisht.
21 Këtë mund ta shohësh nga libri i Zbulesës. Nën frymëzim, apostulli Gjon iu referua sërish profecive që kishte thënë Jeremia për rënien e Babilonisë në vitin 539 p.e.s. Në librin e Zbulesës gjejmë paralele mes kësaj ngjarjeje të mëparshme dhe asaj që pritet të ndodhë në shkallë më të gjerë. Ndër profecitë që tha Jeremia e që u përmbushën në kohët tona, ishte njëra për rënien e një perandorie të madhe, perandorisë botërore të fesë së rreme, ‘Babilonisë së Madhe’. (Zbul. 14:8; 17:1, 2, 5; Jer. 50:2; 51:8) Populli i Perëndisë duhej ‘të dilte prej saj’, që të mos pësonte të njëjtin fund. (Zbul. 18:2, 4; Jer. 51:6) Ujërat e atij qyteti, që simbolizonin popujt ose përkrahësit e tij, ‘do të thaheshin’.—Jer. 51:36; Zbul. 16:12.
22 Në të ardhmen pritet të përmbushet premtimi se Perëndia do të hakmerret mbi fenë e rreme që e ka keqtrajtuar popullin e tij. Jehovai ‘do t’ia shpaguajë tamam siç ka vepruar ajo me të tjerët’. (Jer. 50:29; 51:9; Zbul. 18:6) Kudo ku sundon feja e rreme do të bëhet një shkreti e pabanuar.—Jer. 50:39, 40.
23. Cila rivendosje frymore e parathënë nga Jeremia ndodhi në shekullin e 20-të?
23 Siç mund ta kesh vënë re, profecitë që tha Jeremia kanë edhe një ton optimist. Kështu, ai paratha rivendosjen e adhurimit të vërtetë në tokë, në kohët e sotme. Çlirimi i robërve judenj nga qyteti i lashtë i Babilonisë kishte ngjashmëri me çlirimin e popullit të sotëm të Perëndisë nga Babilonia e Madhe, pasi u vendos në qiell Mbretëria. Në kuptimin frymor, Jehovai e rivendosi popullin e tij në adhurimin e pastër dhe kjo gjendje e tyre u karakterizua nga falënderimet dhe gëzimi. Ai i ka bekuar përpjekjet e tyre për të ndihmuar të tjerë që të adhurojnë atë dhe të ushqehen mirë frymësisht. (Lexo Jereminë 30:18, 19.) Gjithashtu, nga përvoja jote, ti e di se në kohët tona Jehovai e ka përmbushur premtimin për t’i dhënë popullit të tij barinj, domethënë burra të pjekur frymësisht që kujdesen vërtet për kopenë dhe e mbrojnë atë.—Jer. 3:15; 23:3, 4.
24. Cilat fjalë të fuqishme të Jeremisë mbeten ende për t’u përmbushur?
24 Fjalët që i tha Jeremia popullit të lashtë të Perëndisë përmbanin edhe premtimin për gjëra më të mira për besnikët, edhe paralajmërimin për një shkatërrim për ata që nuk e ruanin marrëdhënien me Jehovain. Njësoj është edhe sot. S’kemi si të mos e shohim urgjencën e paralajmërimit të nënkuptuar në këto fjalë: «Atë ditë të vrarët nga Jehovai do të jenë nga njëri skaj i tokës në tjetrin. Ata nuk do t’i vajtojnë, as do t’i mbledhin a t’i varrosin. Do të bëhen si pleh në faqen e dheut.»—Jer. 25:33.
25. Cilën përgjegjësi ka sot populli i Perëndisë?
25 Po, ashtu si Jeremia, ne jetojmë në kohë kritike. Si në ditët e tij, reagimi i njerëzve ndaj mesazhit të Jehovait do të nënkuptojë jetë ose vdekje për ta. Shërbëtorët e sotëm të Perëndisë nuk janë profetë. Nuk jemi të frymëzuar t’u shtojmë diçka fjalëve të pagabueshme e të vërteta të Jehovait që gjenden në Bibël. Gjithsesi, jemi ngarkuar të predikojmë lajmin e mirë për Mbretërinë gjithë ditët, deri në përfundimin e sistemit. (Mat. 28:19, 20) Sigurisht që nuk duam ‘t’i vjedhim fjalët e Jehovait’ duke ua fshehur njerëzve se çfarë do të ndodhë së shpejti. (Lexo Jereminë 23:30.) Jemi të vendosur të mos ua heqim aspak forcën dhe efektin fjalëve të tij. Shumë profeci të Perëndisë që shpalli Jeremia, tashmë janë përmbushur. Kjo na siguron se edhe ato që mbeten për t’u përmbushur, janë plotësisht të besueshme. Duhet t’ua themi njerëzve se Perëndia pa dyshim ‘do të bëjë atë që ka ndër mend dhe atë që ka urdhëruar kohë më parë’.—Vajt. 2:17.
26. Cila profeci mbetet për t’u shqyrtuar?
26 Shqyrtimi i veprimtarisë së Jeremisë si profet dhe i mesazhit të tij nuk do të ishte i plotë pa u kushtuar vëmendje premtimeve madhështore të Jehovait për «një besëlidhje të re» me popullin e tij, ligjet e së cilës do t’ua shkruante në zemër. (Jer. 31:31-33) Kjo profeci dhe përmbushja e saj, që do të ndikojë drejtpërdrejt te ti, do të shqyrtohen në kapitullin vijues.
Cilat profeci të librit të Jeremisë janë përmbushur në kohët e sotme? Ç’mendon për profecitë që mbeten për t’u përmbushur?