Balsami i Galaadit—Balsami që shëron
NJË histori e njohur në librin biblik të Zanafillës tregon se si vëllezërit e shitën Jozefin te disa tregtarë ismaelitë që udhëtonin për në Egjipt. Karvani i tregtarëve ishte nga Galaadi dhe devetë po transportonin për në Egjipt balsam e mallra të tjera. (Zanafilla 37:25) Ky tregim i shkurtër lë të nënkuptohet se balsami që vinte nga Galaadi ishte tepër i kërkuar në Lindjen e Mesme në lashtësi, pasi vlerësohej për vetitë e tij të veçanta shëruese.
Megjithatë, në shekullin e gjashtë p.e.s, profeti Jeremia pyeti i trishtuar: «Vallë nuk ka balsam në Galaad?» (Jeremia 8:22) Çfarë e shtyu Jereminë të bënte këtë pyetje? Çfarë është balsami? A ka sot ndonjë lloj balsami që është i dobishëm për të shëruar?
Balsami në kohët biblike
Fjala balsam është një term i përgjithshëm për të përshkruar një substancë aromatike dhe zakonisht vajore e rrëshinore, që sekretohet nga lloje të ndryshme bimësh e shkurresh. Vaji i balsamit, i përdorur shpesh për temjan e parfume, ishte një nga lukset e botës së lashtë në Lindjen e Mesme. Përmendet si një nga përbërësit e vajit të shenjtë për mirosje dhe të temjanit, që përdoreshin në tabernakull pak pasi izraelitët dolën nga Egjipti. (Dalja 25:6; 35:8) Po ashtu, vaji i balsamit ishte ndër dhuratat bujare që mbretëresha e Shebës i çoi mbretit Solomon. (1 Mbretërve 10:2, 10) Esterës i bënë për «gjashtë muaj» trajtime kozmetike dhe masazhe «me vaj balsami», përpara se të paraqitej te mbreti pers Asuer.—Estera 1:1; 2:12.
Ndonëse vaji i balsamit vinte nga vise të ndryshme të Lindjes së Mesme, balsami i Galaadit prodhohej në Tokën e Premtuar, në Galaad, rajoni në lindje të lumit Jordan. Patriarku Jakob e konsideroi balsamin si një nga «prodhimet më të zgjedhura të vendit» dhe e çoi si dhuratë në Egjipt. (Zanafilla 43:11) Edhe profeti Ezekiel e renditi balsamin mes mallrave që Juda dhe Izraeli eksportonin në Tir. (Ezekieli 27:17) Balsami ishte i njohur për vetitë e tij të veçanta mjekësore. Në literaturën e lashtë përmenden shpesh fuqitë kuruese e ripërtëritëse të këtij balsami, kryesisht në lidhje me shërimin e plagëve.
Balsam për një komb të sëmurë
Pse atëherë, Jeremia ngriti pyetjen: «Vallë nuk ka balsam në Galaad?» Për të kuptuar këtë, duhet të shqyrtojmë se si ishte kombi i Izraelit në atë kohë. Më parë, profeti Isaia përshkroi në mënyrë të gjallë se në ç’gjendje të mjerueshme ishte marrëdhënia e tyre me Perëndinë: «Nga tabani i këmbës deri te koka s’ka as edhe një grimë të shëndoshë. Plagët, të nxirat dhe të fshikurat e freskëta as janë pastruar nga qelbi, as janë lidhur.» (Isaia 1:6) Në vend që ta pranonte gjendjen e tij të mjerë dhe të kërkonte një kurë, kombi vazhdoi në udhën e tij rebele. Në kohën e tij, Jeremia vetëm sa mundi të shprehte pikëllimin e tij me këto fjalë: «Ata kanë hedhur poshtë fjalën e Jehovait, e ç’mençuri kanë?» Sikur të ishin kthyer te Jehovai, ai do t’i kishte shëruar. «Vallë nuk ka balsam në Galaad?» Vërtet një pyetje që të bën të mendosh!—Jeremia 8:9.
Bota e sotme është në shumë mënyra plot ‘plagë, të nxira dhe të fshikura të freskëta’. Njerëzit vuajnë nga varfëria, padrejtësia, egoizmi, mungesa e mirëdashjes, dhe të gjitha këto ngaqë dashuria për Perëndinë e të afërmin është ftohur. (Mateu 24:12; 2 Timoteut 3:1-5) Shumë veta ndihen të përjashtuar nga shoqëria për shkak të racës, prejardhjes etnike ose moshës. Përveç këtyre problemeve, ata përjetojnë edhe më shumë dhembje nga uria, sëmundjet, luftërat dhe vdekja. Ashtu si Jeremia, shumë besimtarë të sinqertë pyesin veten nëse ka «balsam në Galaad» për të lidhur plagët emocionale e shpirtërore të atyre që po vuajnë.
Lajmi i mirë që shëron
Në kohën e Jezuit, e njëjta pyetje i mundonte të përulurit. Por ata nuk u lanë pa përgjigje. Në sinagogën në Nazaret, në fillim të vitit 30 të e.s., Jezui lexoi nga rrotulla e Isaisë duke thënë: «Jehovai më ka mirosur që t’u them lajmin e mirë zemërbutëve. Ai më ka dërguar që t’u lidh plagën zemërvrarëve.» (Isaia 61:1) Pastaj, Jezui ia zbatoi këto fjalë vetes, duke u paraqitur kështu si Mesia, i cili kishte caktimin për të shpallur një mesazh ngushëllimi.—Luka 4:16-21.
Gjatë shërbimit të tij, Jezui predikoi me zell lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. (Mateu 4:17) Në Predikimin në Mal, ai u premtoi njerëzve të munduar se situata e tyre do të ndryshonte: «Lum ju që tani qani, sepse do të qeshni!» (Luka 6:21) Duke lajmëruar ardhjen e Mbretërisë së Perëndisë—një mesazh shprese—Jezui ‘ua lidhi plagën zemërvrarëve’.
Në kohën tonë, ‘lajmi i mirë për mbretërinë’ mbetet po aq ngushëllues. (Mateu 6:10; 9:35) Për shembull, le të shohim rastin e Rozhesë dhe Liljanës. Në janar të vitit 1961, mësuan për herë të parë rreth premtimit të Perëndisë për jetën e përhershme, që për ta ishte si një balsam qetësues. «Hodha valle rreth e përqark kuzhinës për atë që po mësoja. Isha shumë e lumtur»,—kujton Liljana. Rozheja, i cili në atë kohë kishte dhjetë vjet që ishte pjesërisht i paralizuar, shton: «Gjeta gëzim të vërtetë, gëzimin për të jetuar, falë shpresës së mrekullueshme të ringjalljes dhe se të gjitha dhembjet e sëmundjet do të marrin fund.»—Zbulesa 21:4.
Në vitin 1970 atyre u vdiq djali 11-vjeçar. Por nuk u zhytën në dëshpërim. E ndien personalisht se Jehovai «shëron zemërvrarët dhe lidh plagët e tyre të dhembshme». (Psalmi 147:3) Shpresa që kishin i ngushëlloi. Për rreth 50 vjet, lajmi i mirë për Mbretërinë e Perëndisë që do të vijë së shpejti, u ka sjellë atyre paqe dhe kënaqësi.
Një shërim i ardhshëm
Pra, a ka sot «balsam në Galaad»? Po, sot ka ende balsam shpirtëror. Ngushëllimi dhe shpresa që jep lajmi i mirë për Mbretërinë mund t’ua lidhë plagën zemërvrarëve. A do të doje ta përjetoje një shërim të tillë? Gjithçka që duhet të bësh është ta pranosh me gjithë zemër mesazhin ngushëllues nga Fjala e Perëndisë dhe ta lejosh të të mbushë jetën. Tashmë miliona njerëz e kanë bërë këtë.
Shërimi që vjen falë këtij balsami, paraqet në mënyrë paraprake lehtësimin më të madh që pritet të vijë. Po afrohet me të shpejtë koha kur Perëndia Jehova do të sjellë «shërimin e kombeve», të cilat do të kenë mundësinë për të jetuar përgjithmonë. Në atë kohë, «asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’» Po, ka ende «balsam në Galaad»!—Zbulesa 22:2; Isaia 33:24.
[Figura në faqen 23]
Fuqia shëruese e lajmit të mirë për Mbretërinë e Perëndisë vazhdon edhe sot t’ua lehtësojë dhembjen zemërvrarëve