Të jemi të guximshëm si Jeremia
«Shpreso te Jehovai; ji i guximshëm dhe zemra jote le të jetë e fortë! Po, shpreso te Jehovai.»—PSALMI 27:14, BR.
1. Çfarë bekime të bollshme gëzojnë Dëshmitarët e Jehovait?
DËSHMITARËT E JEHOVAIT jetojnë në një parajsë frymore. (Isaia 11:6-9) Në mes të kësaj bote plot shqetësime ata jetojnë në një mjedis frymor të pashoq me të bashkëkrishterët të cilët janë në paqe me Perëndinë Jehova dhe me njëri-tjetrin. (Psalmi 29:11; Isaia 54:13) Parajsa e tyre frymore po zgjerohet. Të gjithë ata që ‘bëjnë vullnetin e Perëndisë me gjithë shpirt’ bëjnë pjesën e tyre për zgjerimin e saj. (Efesianëve 6:6) Si? Duke jetuar sipas parimeve të Biblës dhe duke i mësuar të tjerët që të bëjnë të njëjtën gjë. Në këtë mënyrë i ftojnë ata që të nxjerrin dobi nga bekimet e bollshme të kësaj parajse.—Mateu 28:19, 20; Gjoni 15:8.
2, 3. Çfarë përballojnë të krishterët e vërtetë?
2 Megjithatë, fakti që jetojmë në një parajsë frymore nuk do të thotë se nuk do të përballojmë sprova. Jemi ende të papërsosur dhe provojmë dhembjet e sëmundjes, të pleqërisë dhe së fundi të vdekjes. Për më tepër, jemi dëshmitarë të përmbushjes së profecive që kanë të bëjnë me «ditët e fundit». (2 Timoteut 3:1) Luftërat, krimet, sëmundjet, uria dhe vështirësi të tjera të mëdha e mundojnë të gjithë njerëzimin dhe Dëshmitarët e Jehovait nuk bëjnë përjashtim.—Marku 13:3-10; Luka 21:10, 11.
3 Përveç të gjithë këtyre gjërave, jemi plotësisht të vetëdijshëm se jashtë mjedisit të ngrohtë të parajsës sonë frymore, fryjnë erërat e ftohta të kundërshtimit. Jezui i paralajmëroi ithtarët e tij: «Ngaqë nuk jeni pjesë e botës, por unë ju kam zgjedhur nga bota, për këtë bota ju urren. Mbani mend fjalën që ju thashë: Skllavi nuk është më i madh se Zotëria i tij. Nëse më kanë persekutuar mua, do t’ju persekutojnë edhe ju.» (Gjoni 15:18-21) Gjërat nuk janë ndryshe sot. Shumica e njerëzve ende nuk e kupton ose nuk e vlerëson mënyrën tonë të adhurimit. Disa na kritikojnë, na tallin ose madje, siç paralajmëroi Jezui, na urrejnë. (Mateu 10:22) Shpesh, jemi shënjestër e keqinformimeve dhe të propagandës keqdashëse të bërë nëpërmjet medias. (Psalmi 109:1-3) Po, të gjithë përballojmë rrethana të vështira dhe disa prej nesh mund të fillojnë të shkurajohen. Si mund të qëndrojmë?
4. Te kush kërkojmë ndihmë që të qëndrojmë?
4 Jehovai do të na ndihmojë. Nën frymëzim psalmisti shkroi: «Të shumta janë vuajtjet e njeriut të drejtë, por Zoti e çliron nga të gjitha.» (Psalmi 34:19; 1 Korintasve 10:13) Shumë nga ne mund të dëshmojnë se kur kemi besim të plotë te Jehovai, ai na jep forcën për t’i qëndruar çdo vështirësie. Dashuria që kemi për të dhe gëzimi që shtrihet përpara nesh na ndihmojnë të luftojmë shkurajimin dhe frikën. (Hebrenjve 12:2) Kështu, me gjithë vështirësitë, ne vazhdojmë të qëndrojmë të patundur.
Fjala e Perëndisë e forcoi Jereminë
5, 6. (a) Cilët janë disa shembuj të adhuruesve të vërtetë që mundën të qëndronin? (b) Si u përgjigj Jeremia kur u thirr të shërbente si profet?
5 Gjatë gjithë historisë shërbëtorët besnikë të Jehovait kanë gjetur gëzim pavarësisht nga rrethanat e vështira. Disa jetuan në kohë gjykimesh, kur Jehovai ekzekutoi zemërimin e tij mbi të pabesët. Midis adhuruesve të tillë besnikë ishin Jeremia dhe disa bashkëkohës të tij, si edhe të krishterët e shekullit të parë. Këta shembuj historikë janë dokumentuar në Bibël që të na japin zemër dhe mund të mësojmë shumë duke i studiuar. (Romakëve 15:4) Për shembull, shqyrtoni rastin e Jeremisë.
6 Në moshë të re Jeremia u thirr që të shërbente si profet në Judë. Ky nuk ishte një caktim i lehtë. Shumë veta adhuronin perëndi të rreme. Kur Jeremia nisi shërbimin e tij, ishte mbret Josia besnik. Megjithatë, të gjithë mbretërit pasues u treguan të pabesë dhe shumica e atyre që kishin përgjegjësinë për t’i mësuar njerëzit, pra profetët dhe priftërinjtë, nuk ishin në anën e së vërtetës. (Jeremia 1:1, 2; 6:13; 23:11) Atëherë, si u ndie Jeremia kur Jehovai e thirri që të bëhej profet? Pati frikë. (Jeremia 1:8, 17) Jeremia shkroi për reagimin që pati në fillim: «Unë u përgjigja: ‘Mjerisht, o Zot, Zot, unë nuk di të flas, sepse jam një djalosh.’»—Jeremia 1:6.
7. Çfarë reagimi hasi Jeremia në territorin e tij? Si u ndie ai?
7 Njerëzit në territorin e Jeremisë ishin kryesisht indiferentë dhe shpesh ai hasi kundërshtim të ashpër. Në një rast, Pashkuri, një prift, e goditi dhe e vuri Jereminë nën vargonj druri. Jeremia shkroi se si u ndie në atë rast: «Unë thashë: ‘Nuk do ta përmend më dhe nuk do të flas më në emër të tij.’» Ndoshta ndonjëherë edhe ti je ndier po njësoj dhe ke dashur të dorëzohesh. Vër re se çfarë e ndihmoi Jereminë të ngulmonte. Ai tha: «Fjala [ose mesazhi i Perëndisë] ishte në zemrën time si një zjarr flakërues, i mbyllur në kockat e mia; përpiqesha ta përmbaja, por nuk mundesha.» (Jeremia 20:9) A ka Fjala e Perëndisë të njëjtin ndikim te ty?
Shokët e Jeremisë
8, 9. (a) Çfarë dobësie shfaqi profeti Urijah? Cila ishte pasoja? (b) Pse u shkurajua Baruku? Si u ndihmua ai?
8 Jeremia nuk ishte vetëm në veprën e tij profetike. Ai kishte shokë dhe kjo duhet t’i ketë dhënë zemër atij. Sidoqoftë, disa herë shokët e tij nuk vepruan me mençuri. Për shembull, një profet i quajtur Urijah po shpallte me zell paralajmërime kundër Jerusalemit dhe Judës «me fjalë krejt të ngjashme me ato të Jeremias». Por, kur mbreti Jehojakim urdhëroi që Urijahu të vritej, profeti ia mbathi nga frika në Egjipt. Kjo gjë nuk e shpëtoi. Njerëzit e mbretit e ndoqën, e kapën dhe e sollën përsëri në Jerusalem ku pastaj e vranë. Sa do ta ketë tronditur kjo Jereminë!—Jeremia 26:20-23.
9 Një shok tjetër i Jeremisë ishte sekretari i tij, Baruku. Baruku ishte një mbështetje e shkëlqyer për Jereminë, por në një rast edhe ai nuk po i shihte gjërat nga këndvështrimi frymor. Baruku filloi të ankohej duke thënë: «Mjerë unë, sepse Zoti i shton hidhërimin dhembjes sime; unë jam lodhur së rënkuari dhe nuk gjej prehje.» I shkurajuar, ai filloi të humbiste vlerësimin për gjërat frymore. Megjithatë, me mirëdashje Jehovai i dha Barukut këshilla të mençura dhe ai ndreqi pikëpamje. Më pas, atij iu dha siguria se do të mbijetonte nga shkatërrimi i Jerusalemit. (Jeremia 45:1-5) Sa duhet të jetë inkurajuar Jeremia kur Baruku rifitoi ekuilibrin frymor!
Jehovai e mbështeti profetin e tij
10. Çfarë premtimesh i bëri Jehovai Jeremisë?
10 Ajo që është më e rëndësishmja, është se Jehovai nuk e braktisi Jereminë. Ai e kuptoi si ndihej profeti dhe i dha atij forcën dhe mbështetjen që i nevojitej. Për shembull, në fillim të shërbimit të tij, kur Jeremia shprehu dyshime nëse kualifikohej si profet, Jehovai i tha: «Mos ki frikë para tyre, sepse unë jam me ty për të të çliruar, thotë Zoti.» Pastaj, pasi i dha profetit informacione për caktimin e tij, Jehovai tha: «Ata do të luftojnë kundër teje por nuk do të të mundin sepse unë jam me ty për të të çliruar, thotë Zoti.» (Jeremia 1:8, 19) Sa ngushëllues ishte ky premtim! Dhe Jehovai e mbajti fjalën.
11. Si e dimë se Jehovai e mbajti premtimin për ta mbështetur Jereminë?
11 Kështu, pasi kishte qenë nën vargonj dhe e kishin nxjerrë përpara të gjithëve që ta tallnin, Jeremia tha me siguri të plotë: «Zoti është me mua si një hero i fuqishëm; prandaj ndjekësit e mi do të pengohen dhe nuk do të kenë epërsi; do të turpërohen me të madhe.» (Jeremia 20:11) Në vitet e mëvonshme kur u bënë përpjekje për të vrarë Jereminë, Jehovai vazhdoi të ishte me të. Jeremia, ashtu si Baruku, mbijetoi nga shkatërrimi i Jerusalemit si njeri i lirë, kurse përndjekësit e tij dhe të gjithë ata që i shpërfillën paralajmërimet e tij ose vdiqën, ose i morën me forcë si robër në Babiloni.
12. Çfarë duhet të mbajmë në mendje, pavarësisht nga arsyet që mund të na shkurajojnë?
12 Ashtu si Jeremia, sot shumë Dëshmitarë të Jehovait kalojnë mundime. Siç e thamë më parë, disa prej tyre shkaktohen nga papërsosmëritë tona, të tjerat nga gjendja e pështjelluar në të cilën gjendet bota dhe të tjera nga ata që e kundërshtojnë veprën tonë. Këto mundime mund të jenë shkurajuese. Ashtu si Jeremia, edhe ne mund të arrijmë në atë pikë sa të dyshojmë nëse mund të vazhdojmë apo jo në shërbimin tonë. Vërtet, mund të presim që të shkurajohemi herë pas here. Shkurajimi vë në provë thellësinë e dashurisë sonë për Jehovain. Prandaj, le të jemi të vendosur që të mos e lejojmë shkurajimin të na largojë nga shërbimi i Jehovait, siç ndodhi me Urijahun. Përkundrazi, le të imitojmë Jereminë dhe le të jemi të sigurt se Jehovai do të na mbështetë.
Si ta luftojmë shkurajimin?
13. Si mund të ndjekim shembullin e Jeremisë dhe të Davidit?
13 Jeremia fliste rregullisht me Perëndinë Jehova, duke i shprehur ndjenjat e tij më të thella dhe duke i kërkuar forcë. Ky është një shembull i shkëlqyer për t’u ndjekur. Davidi i kohëve biblike, i cili mbështetej tek i njëjti Burim force, shkroi: «Vëru veshin fjalëve të mia, o Zot; dëgjo me vëmendje ankimin tim. Dëgjo zërin e britmës sime, o mbreti im dhe Perëndia im, sepse ty të drejtoj lutjen time.» (Psalmi 5:1, 2) Në përshkrimin e frymëzuar të jetës së Davidit tregohet se Jehovai iu përgjigj vazhdimisht lutjeve të Davidit për ndihmë. (Psalmi 18:1, 2; 21:1-5) Në të njëjtën mënyrë, kur presionet janë të mëdha ose problemet duken të pakapërcyeshme, është shumë ngushëlluese t’i drejtohemi Jehovait në lutje dhe t’i hapim zemrën. (Filipianëve 4:6, 7; 1 Selanikasve 5:16-18) Jehovai nuk tregohet indiferent ndaj lutjes sonë. Përkundrazi, ai na siguron se ‘interesohet për ne’. (1 Pjetrit 5:6, 7) Gjithsesi, nuk do të ishte e arsyeshme t’i lutemi Jehovait dhe pastaj të mos dëgjojmë se çfarë na thotë ai, apo jo?
14. Çfarë ndikimi patën fjalët e Jehovait te Jeremia?
14 Si na flet Jehovai? Le të shqyrtojmë përsëri rastin e Jeremisë. Meqë Jeremia ishte profet, Jehovai komunikonte drejtpërdrejt me të. Jeremia përshkruan ndikimin e fjalëve të Perëndisë në zemrën e tij: «Kur më erdhën fjalët e tua, i përpija, fjala jote për mua u bë gëzim e hare i zemrës sime, sepse u quajta me emrin tënd, o Zot, Hyji i Ushtrive.» (Jeremia 15:16, Dom Simon Filipaj) Po, Jeremia gjente kënaqësi që quhej ose thirrej me emrin e Perëndisë dhe fjalët e Tij ishin të çmuara për profetin. Prandaj, ashtu si apostulli Pavël, edhe Jeremia kishte dëshirë të zjarrtë të shpallte mesazhin që i ishte besuar.—Romakëve 1:15, 16.
15. Si mund t’i rrënjosim në zemrën tonë fjalët e Jehovait? Çfarë duhet të kemi parasysh që të bëhemi të vendosur për të mos qëndruar në heshtje?
15 Jehovai nuk komunikon drejtpërdrejt me ndonjë njeri sot. Sidoqoftë ne kemi fjalët e Perëndisë në faqet e Biblës. Prandaj, nëse jemi seriozë në lidhje me studimin e Biblës dhe meditojmë thellë për atë që mësojmë, fjalët e Perëndisë do të bëhen edhe për ne ‘gëzimi dhe hareja’ e zemrës sonë. Për më tepër mund të jemi shumë të lumtur që mbajmë emrin e Jehovait kur ua themi këto fjalë edhe të tjerëve. Le të mos harrojmë kurrë se asnjë popull tjetër në botë sot nuk e shpall emrin e Jehovait. Vetëm Dëshmitarët e Tij njoftojnë lajmin e mirë të Mbretërisë së vendosur të Perëndisë dhe i mësojnë zemërbutët që të bëhen dishepuj të Jezu Krishtit. (Mateu 28:19, 20) Sa të bekuar që jemi! Duke pasur parasysh gjërat që na ka besuar me dashuri Jehovai, si mund të qëndrojmë në heshtje?
Të jemi vigjilentë ndaj shoqërive
16, 17. Çfarë pikëpamjeje kishte Jeremia për shoqëritë? Si mund ta imitojmë?
16 Jeremia tregon diçka tjetër që e ndihmoi të ishte i guximshëm. Ai tha: «Nuk u ula në kuvendin e tallësve, as nuk u gëzova; por për shkak të dorës sate unë u ula veçmas, sepse ti më kishe mbushur me indinjatë.» (Jeremia 15:17) Jeremia parapëlqente të qëndronte vetëm, sesa të lejonte që shoqëritë e këqija të ndikonin për keq tek ai. Ne sot i shohim gjërat në të njëjtën mënyrë. Nuk e harrojmë kurrë paralajmërimin e apostullit Pavël se «shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme», madje edhe ato zakone të dobishme që i kemi pasur prej shumë vitesh.—1 Korintasve 15:33.
17 Për shkak të shoqërive të këqija fryma e botës mund të ndotë mënyrën tonë të të menduarit. (1 Korintasve 2:12; Efesianëve 2:2; Jakovi 4:4) Prandaj, le të stërvitim aftësitë tona perceptuese që të identifikojmë shoqëritë e dëmshme dhe t’u shmangemi atyre. (Hebrenjve 5:14) Nëse Pavli do të jetonte sot në tokë, çfarë mendoni se do t’i thoshte një të krishteri që sheh filma me përmbajtje imorale a të dhunshme ose sporte të dhunshme? Si do ta këshillonte ai një vëlla që lidh miqësi me individë krejtësisht të panjohur me anë të Internetit? Çfarë do të mendonte për një të krishterë që kalon shumë orë duke luajtur me videolojëra ose duke parë televizor, por nuk ka zakone të mira të studimit personal?—2 Korintasve 6:14b; Efesianëve 5:3-5, 15, 16.
Le të vazhdojmë të qëndrojmë në parajsën frymore
18. Çfarë do të na ndihmojë të qëndrojmë të fortë frymësisht?
18 E çmojmë shumë parajsën tonë frymore. Nuk ka asgjë në botën e sotme që t’i ngjajë sadopak asaj. Madje edhe jobesimtarët flasin mirë për dashurinë, kujdesin dhe mirëdashjen që të krishterët kanë për njëri-tjetrin. (Efesianëve 4:31, 32) Megjithatë, tani më shumë se kurrë duhet të luftojmë shkurajimin. Shoqëritë e mira, lutja dhe zakonet e mira të studimit mund të na ndihmojnë që të qëndrojmë të fortë frymësisht. Ato do të na forcojnë të përballojmë çdo sprovë, duke pasur siguri të plotë te Jehovai.—2 Korintasve 4:7, 8.
19, 20. (a) Çfarë do të na ndihmojë të qëndrojmë? (b) Cilëve u drejtohet artikulli vijues? Për cilët është gjithashtu me interes?
19 Nuk duhet t’i lejojmë kurrë ata që e urrejnë mesazhin biblik, që të na frikësojnë dhe të na shtyjnë të bëjmë kompromis me besimin tonë. Ashtu si armiqtë që e përndoqën Jereminë, ata që luftojnë kundër nesh, po luftojnë kundër Perëndisë. Nuk do të fitojnë. Jehovai, i cili është shumë më i fortë se kundërshtarët tanë, na thotë: «Shpreso te Jehovai; ji i guximshëm dhe zemra jote le të jetë e fortë. Po, shpreso te Jehovai.» (Psalmi 27:14, BR) Duke shpresuar me gjithë zemër te Jehovai, qofshim të vendosur për të mos u dorëzuar duke bërë atë që është e shkëlqyer. Le të jemi të sigurt se, ashtu si Jeremia dhe Baruku, edhe ne do të korrim nëse nuk lodhemi!—Galatasve 6:9.
20 Për shumë të krishterë, të luftojnë shkurajimin është një betejë e vazhdueshme. Megjithatë, të rinjtë hasin vështirësi të veçanta. Por edhe ata kanë mundësi të shkëlqyera përpara tyre. Artikulli vijues u drejtohet drejtpërdrejt të rinjve. Ai do të jetë gjithashtu me interes për prindërit dhe për të gjithë të rriturit e kushtuar në kongregacion që me fjalët, me shembullin dhe me mbështetjen e drejtpërdrejtë janë në gjendje t’i ndihmojnë më të rinjtë në kongregacion.
Si do të përgjigjeshit?
• Pse mund të presim rrethana shkurajuese? Te kush duhet të kërkojmë ndihmë?
• Si e kapërceu Jeremia shkurajimin, megjithëse pati një caktim të vështirë?
• Çfarë do të na ndihmojë që të kemi «gëzim e hare» në zemër, madje edhe në mes të vështirësive?
[Figura në faqen 9]
Jeremia mendonte se ishte shumë i ri dhe pa përvojë për t’u bërë profet
[Figura në faqen 10]
Edhe kur po e përndiqnin, Jeremia e dinte se Jehovai ishte me të «si një hero i fuqishëm»