Kapitulli njëmbëdhjetë
«Barinj siç ma do zemra»
1, 2. (a) Ç’mund të ndodhë nëse një kope me dele është e pambrojtur? (b) Çfarë përfshinte puna e një bariu në kohët biblike?
KUR Hirojasu nga Japonia ishte i vogël, e ëma bleu një dele e një dash. Ai u kujdes për to dhe delja polli dy qengja në vit, kështu që kopeja nisi të shtohej. Kur ishte 12 vjeç, Hirojasu kishte 12 a 13 dele. «Një mëngjes herët, ndërsa isha ende në shtrat,—kujton ai,—i dëgjova të blegërinin. Nuk dola menjëherë. Kur më në fund shkova tek ato, pashë një kope me qen të egër që po iknin me vrap, kurse qengjat e mi ishin me bark të shqyer. Nisa të kërkoja si i marrë delen mëmë. Kur e gjeta, ende merrte frymë, por ishte zhytur në një pellg me gjak. Vetëm dashi mbeti gjallë. M’u thye zemra. Duhej të kisha shkuar ta kontrolloja kopenë që herën e parë kur i dëgjova. Ishin të pambrojtura kundër qenve.»
2 Në kohët biblike, thuajse të gjithë e njihnin punën e bariut. Ai duhej ta çonte kopenë në kullota e të sigurohej që kafshët që i ishin lënë nën kujdes, të ushqeheshin mirë. Gjithashtu, i mbronte nga grabitqarët dhe kërkonte delet e humbura. (1 Sam. 17:34-36) Bariu sigurohej që kopeja e tij të pushonte e qetë. Ndihmonte gjatë lindjes së qengjave dhe kujdesej për ta. Shumë shkrimtarë të Biblës, ndër ta edhe Jeremia, e përdorën figurën e bariut si metaforë për burrat që kanë përgjegjësinë të kujdesen për njerëzit, si sundimtarë të tyre ose si mbikëqyrës frymorë.
3. Për çfarë e kishte fjalën Jeremia kur përdori termat ‘bari’ dhe ‘kullotje’?
3 Disa në kongregacionin e krishterë mund t’i shohin pleqtë si barinj vetëm kur këta vizitojnë vëllezërit që t’i ndihmojnë e t’i inkurajojnë. Por, nga mënyra si i përdori Jeremia termat ‘bari’ dhe ‘kullotje’, kuptojmë se iu referua të gjitha aspekteve të marrëdhënies mes mbikëqyrësve të Judës dhe popullit. Shpesh Perëndia i dënonte princat, profetët dhe priftërinjtë e Judës si barinj të këqij, sepse nuk vepronin për të mirën e njerëzve të thjeshtë. (Jer. 2:8) Ata i keqtrajtonin, i mashtronin dhe i linin pas dore «delet», ndërsa me egoizëm ndiqnin interesat e tyre. E lanë popullin e Perëndisë në një gjendje tronditëse duke e braktisur frymësisht. Jehovai tha «mjerë» ata barinj të rremë. Pastaj e siguroi popullin se do t’u jepte barinj të vëmendshëm e të dashur, që do ta mbronin vërtet kopenë.—Lexo Jereminë 3:15; 23:1-4.
4. Kush kujdeset sot për kopenë e Perëndisë dhe me cilën frymë?
4 Premtimi i Perëndisë pati një përmbushje kryesore te Kryebariu i deleve të Jehovait, Jezui, i cili u bë Kreu i kongregacionit të krishterë. Ai e quajti veten «bariu i shkëlqyer» që tregonte dhembshuri të vërtetë për ata që drejtonte. (Gjoni 10:11-15) Sot, Jehovai po përdor nënbarinj që të kujdesen për kopenë e tij në tokë, qoftë vëllezër të mirosur të klasës së skllavit të besueshëm e të matur, qoftë pleq të ndërgjegjshëm nga ‘shumica e madhe’. (Zbul. 7:9) Këta barinj përpiqen të pasqyrojnë frymën vetëmohuese të Jezuit. Duan ta ushqejnë kongregacionin e të kujdesen për të, siç bëri Krishti. Mjerë kushdo që i lë pas dore ose sillet si zot me vëllezërit e tij a që mban një qëndrim të ashpër e arrogant ndaj tyre! (Mat. 20:25-27; 1 Pjet. 5:2, 3) Çfarë kërkon Jehovai te barinjtë e krishterë sot? Ç’mund të mësojmë nga shkrimet e Jeremisë për qëndrimet dhe motivet e përshtatshme që duhet të kenë pleqtë ndërsa kujdesen për përgjegjësitë e tyre? Le të shqyrtojmë rolet e tyre si ata që sigurojnë ndihmë, kujdes e mbrojtje, si mësues brenda e jashtë kongregacionit dhe si gjykatës.
SIGUROJNË KUJDES E MBROJTJE
5-7. (a) Në ç’mënyrë do Jehovai që të kujdesen pleqtë për delet e tij dhe përse? (b) Si mund të tregojnë pleqtë dashuri të vërtetë për vëllezërit, edhe për ata që janë larguar?
5 Apostulli Pjetër e quajti Jehovain «bariu dhe mbikëqyrësi i shpirtrave» tanë. (1 Pjet. 2:25) Çfarë qëndrimi shfaq Perëndia ndaj «deleve» të tij? Përgjigjen e gjejmë duke u kthyer sërish në kohën e Jeremisë. Pasi kritikoi barinjtë e këqij që shpërndanë dhe lanë pas dore kopenë, Jehovai tha se ‘do t’i mblidhte’ delet e tij e do t’i kthente në kullotën e tyre. Premtoi se do të caktonte mbi to barinj të mirë, ‘që do t’i kullotnin vërtet’ dhe do të kujdeseshin që populli i tij të mbrohej nga armiqtë e egër. (Jer. 23:3, 4) Po, për Jehovain delet e tij ishin të çmuara. Edhe delet që ka sot, janë të çmuara për të. Ka paguar një çmim të lartë për mirëqenien e tyre të përhershme.—1 Pjet. 1:18, 19.
6 Njësoj si barinjtë e mirëfilltë, mbikëqyrësit e krishterë nuk duhet ta lënë pas dore kujdesin për kongregacionin. Nëse shërben si plak, a përpiqesh të jesh syçelë ndaj çdo shenje vuajtjeje që shfaqin vëllezërit dhe a je i gatshëm t’i ndihmosh menjëherë? Mbreti i mençur Solomon shkroi: «Duhet ta njohësh mirë gjendjen e kopesë sate. Jepu me gjithë zemër pas tufave të tua.» (Prov. 27:23) Në këtë varg theksohet papërtueshmëria e barinjve të mirëfilltë, megjithatë në parim mund të zbatohet për kujdesin që sigurojnë barinjtë frymorë në kongregacion. Nëse shërben si plak, a po lufton me ndërgjegje kundër çdo prirjeje për të sunduar mbi të tjerët? Vetë fakti që Pjetri përmendi sjelljen «si zotër me ata që janë trashëgimia e Perëndisë», tregon se është më se e mundur që një plak të veprojë kështu. Si të ndihmosh që ‘kopeja të pushojë’, siç përshkruhet te Jeremia 33:12? (Lexoje.) Sidomos prindërit e vetëm, vejushat, familjet me njerk, të moshuarit e të rinjtë mund të kenë nevojë për vëmendje e ndihmë.
7 Siç mund të bëjë një bari me delet e mirëfillta, një bari në kongregacion nganjëherë duhet të kërkojë e të ndihmojë individët që, për një arsye a për një tjetër, janë larguar nga kopeja. Do t’i duhet vetëmohim e përulësi për ta bërë këtë. Me durim ai kalon kohë duke u kujdesur për nevojat e atyre që i janë besuar të mbikëqyrë. Pleqtë e kongregacionit do të bënin mirë të pyetnin veten me ndershmëri: «Deri në ç’masë përpiqem të inkurajoj e të ndërtoj, në vend që të dënoj e të kritikoj? A dua sinqerisht të përmirësohem?» Nganjëherë mund të kërkohen përpjekje të përsëritura që ta ndihmosh dikë t’i shohë gjërat nga këndvështrimi i Perëndisë. Nëse një vëlla ose një motër ngurron të pranojë këshillat biblike (jo thjesht opinionin personal të plakut ose të pleqve), mbaj në mend Bariun dhe Mbikëqyrësin e Madh, Jehovain. Me durim ai ‘i foli’ vazhdimisht popullit të tij rebel dhe u përpoq ta ndihmonte. (Jer. 25:3-6) Shumica e shërbëtorëve të Perëndisë sot nuk praktikojnë gjëra të këqija, por, kur duhen dhënë këshilla, një plak duhet t’i japë njësoj siç i dha Jehovai.
8. Si mund ta imitojnë barinjtë frymorë shembullin e Jeremisë?
8 Jeremia u lut për judenjtë, për aq kohë sa kishte ende shpresë që të ktheheshin te Jehovai. I tha Perëndisë: «Kujto se si dola para teje për të folur mirë për ta, që ta ndalja tërbimin tënd ndaj tyre.» (Jer. 18:20) Nga këto fjalë mund të shohësh se Jeremia kërkonte cilësitë e mira te vëllezërit e tij dhe nuk mendonte keq për ta. Sot, mbikëqyrësit e krishterë duhet të imitojnë qëndrimin e Jeremisë derisa të ketë dëshmi të qartë se një njeri e ka vendosur në zemër të bëjë të keqen dhe nuk pendohet. Një hap pozitiv është t’i lavdërosh të tjerët për gjërat e mira që po bëjnë e të lutesh për ta dhe me ta.—Mat. 25:21.
Ç’premtim bëri Perëndia nëpërmjet Jeremisë për sa u përket barinjve frymorë? Si mund të sigurojnë kujdes e mbrojtje mbikëqyrësit e krishterë?
«ATA DO T’JU USHQEJNË»
9, 10. Pse të jesh bari i mirë (plak kongregacioni) do të thotë të jesh mësues?
9 Në përputhje me fjalët që lexojmë te Jeremia 3:15, barinjtë e krishterë duhet ‘t’i ushqejnë të tjerët me njohuri e gjykim të thellë’, pra të shërbejnë si mësues. (1 Tim. 3:2; 5:17) Jehovai i premtoi popullit të tij se barinjtë e mirë do ta bënin këtë. Gjithashtu, i nxiti judenjtë të pranonin ndreqjen që do t’u jepte profeti i tij, Jeremia. (Lexo Jereminë 6:8.) Që të jenë të shëndetshme, delet kanë nevojë për ushqim. Po kështu, që të jenë të shëndetshëm frymësisht, shërbëtorët e Perëndisë kanë nevojë për ushqim e drejtim nga Shkrimet.
10 Për sa i takon mësimdhënies, pleqtë kanë një rol të dyfishtë: të ndihmojnë ata që janë tashmë në kongregacion dhe ata që ende nuk janë të krishterë të vërtetë. Për këtë rol të dytë, s’duhet të harrojmë se një nga arsyet kryesore pse ekziston kongregacioni i krishterë është që të predikojë lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. Prandaj, pleqtë duhet të jenë ungjillëzues të zellshëm. (Jer. 1:7-10) Si të tillë, ata përmbushin përgjegjësinë që kanë ndaj Perëndisë dhe lënë shembullin e mirë për vëllezërit e tyre. Nëse je plak, a ke parë se kur predikon rregullisht përkrah vëllezërve e motrave të ndryshëm, mund t’i ndihmosh të përmirësojnë aftësitë e mësimdhënies e të përmirësosh edhe të tuat? Kur merr drejtimin me zell në predikim, po jep një inkurajim jetësor që mund ta ndihmojë të gjithë kongregacionin të përparojë.
11, 12. Cilit aspekt duhet t’i kushtojë vëmendje një plak, nëse do që të jetë bari i mirë?
11 Mësimdhënia që japin pleqtë në kongregacion duhet të bazohet në Bibël, pasi vetëm kështu do të jetë ushqim frymor i shëndetshëm. Prandaj, mund të kuptosh se, për të qenë mësues të efektshëm, barinjtë e kongregacionit duhet të jenë studiues të zellshëm të Fjalës së Perëndisë. Krahasoje këtë me arsyen që theksoi Jeremia përse udhëheqësit e popullit të tij nuk ishin të efektshëm: «Barinjtë janë sjellë pa arsye dhe nuk e kanë kërkuar Jehovain. Ja pse nuk kanë vepruar me gjykim të thellë dhe gjithë kopetë e tyre janë shpërndarë.» (Jer. 10:21) Ata që duhej të ishin mësues, nuk po ndiqnin parimet biblike dhe nuk po e kërkonin Perëndinë. Si pasojë, s’kishin si të vepronin me mençuri të vërtetë. Jeremia shpalli një denoncim edhe më të fortë për të ashtuquajturit profetë.—Lexo Jereminë 14:14, 15.
12 Ndryshe nga ata barinj të rremë, mbikëqyrësit e krishterë studiojnë dhe imitojnë shembullin e Jezuit. Kështu mund të shërbejnë si barinj të mençur të kopesë. Ndoshta e kanë të vështirë ta programojnë rregullisht këtë studim, duke pasur parasysh gjithë gjërat që kërkojnë kohën dhe vëmendjen e tyre. Por, nëse shërben si plak, a je plotësisht i bindur se mësimi yt mund të jetë i dobishëm e i vërtetë dhe të pasqyrojë njohuri e gjykim të thellë vetëm kur e bazon në Fjalën e Perëndisë dhe në drejtimin që jep klasa e skllavit të besueshëm e të matur? Nëse e ndien se nuk po e zbaton si më parë programin e studimin personal, ç’do të bësh që të vazhdosh të jesh i ndryshëm nga barinjtë e rremë të kohës së Jeremisë?
13. Çfarë e ndihmoi Jereminë të ishte mësues i mirë dhe ç’mund të mësojnë prej tij mbikëqyrësit e krishterë sot?
13 Diçka që e bënte veçanërisht të efektshëm si mësues Jereminë, ishte përdorimi i ilustrimeve. Natyrisht që atë e mësonte Jehovai. Sa e paharrueshme do të kishte qenë ta shihje tek përplaste përtokë një enë balte dhe thoshte se në të njëjtën mënyrë do të thyhej Jerusalemi dhe populli i tij! (Jer. 19:1, 10, 11) Një rast tjetër është kur Jeremia bëri dhe vuri në qafë një zgjedhë druri për të treguar vuajtjet dhe skllavërinë e rëndë të popullit të tij në Babiloni. (Jer., kap. 27-28) Pleqtë e kongregacionit tënd nuk janë udhëzuar nga Perëndia të bëjnë veprime kaq dramatike për të ilustruar ndonjë pikë. Megjithatë, a nuk e vlerëson kur ndërthurin në mësimdhënien e tyre edhe ilustrime e përvoja të përshtatshme? Ilustrimet dhe shembujt e menduar mirë dhe të përshtatshëm mund të jenë të fuqishëm e motivues.
14. (a) Pse e përdori Jeremia si ilustrim ‘balsamin në Galaad’? (b) Si t’i ndihmojnë pleqtë e krishterë vëllezërit e tyre që të kenë shëndet të mirë frymor?
14 Sa mirënjohës jemi për mësimdhënien e këtyre barinjve të krishterë! Në kohën e tij, Jeremia kuptoi se populli kishte nevojë për shërim frymor. Ai pyeti: «Vallë nuk ka balsam në Galaad? Dhe nuk ka asnjë shërues atje?» (Jer. 8:22) Në Galaad, pjesë e Izraelit në lindje të Jordanit, kishte balsam të mirëfilltë. Ky vaj bimor aromatik njihej për vetitë mjekësore dhe shpesh vihej mbi plagë për t’i qetësuar e kuruar. Por nuk kishte shërim frymor. Pse jo? Jeremia u shpreh: «Profetët profetizojnë gënjeshtra, kurse priftërinjtë shtypin popullin me gjithë fuqinë e tyre. E megjithatë popullit tim i ka pëlqyer kështu.» (Jer. 5:31) Po sot? A nuk je dakord se ka «balsam në Galaad», domethënë në kongregacionin tënd? Balsamin qetësues mund ta krahasojmë me ngushëllimin që sigurojnë barinjtë e kujdesshëm të krishterë duke i drejtuar me dashuri vëllezërit te parimet biblike, duke qenë ndërtues e duke u lutur për ta dhe me ta.—Jak. 5:14, 15.
Cilat aspekte të mësimdhënies së pleqve në kongregacionin tënd vlerëson veçanërisht? Çfarë e bën të efektshme mësimdhënien e tyre?
«KËSHTU THOTË JEHOVAI»
15, 16. Pse duan vëmendje edhe delet e mirëfillta, edhe ato frymore?
15 Përfytyro gëzimin e një bariu kur puna e lodhshme dhe orët e gjata i shpërblehen me lindjen e qengjave të shëndetshëm! Por, ai e di se qengjave u duhet kushtuar vëmendje që të rriten mirë. Bariu duhet të sigurohet që të marrin ushqimin e duhur. Kur lindin, qengjat e kanë bishtin të gjatë dhe mund t’u zvarritet në pleh e pluhur. Bariu do që kafshët e tij të mbeten të pastra e të shëndetshme, prandaj mund t’ua presë bishtin me zotësi që të mos u shkaktojë dhembje të panevojshme. Edhe barinjtë e dashur frymorë u kushtojnë vëmendje deleve, domethënë pjesëtarëve të kongregacionit të tyre. (Gjoni 21:16, 17) Ata mbushen me gëzim edhe kur shohin që të interesuarit marrin hapa për t’u bërë të krishterë të vërtetë. Mbikëqyrësit frymorë duan që të gjitha delet, të reja a të moshuara, të jenë të shëndetshme e të ushqyera siç duhet, prandaj u kushtojnë vëmendje pareshtur dhe ndërhyjnë kur është nevoja. Patjetër, kjo vepër përfshin t’u kujtojnë vëllezërve të tyre ‘atë që ka thënë Jehovai’, domethënë çfarë mësojnë Shkrimet.—Jer. 2:2, 5; 7:5-7; 10:2; Titit 1:9.
16 Jeremisë i duhej guxim që të shpallte mesazhin e Perëndisë. Njësoj është edhe me mbikëqyrësit e kongregacionit, sidomos në rastet kur duhet të flasin për të mbrojtur vëllezërit. Për shembull, ndoshta një bari frymor e sheh të nevojshme të ndërhyjë për të mos e lënë një ‘qengj të porsalindur’ ose edhe një ‘dele’ të rritur, të ndoten nga pisllëku i botës së Satanait. Mbase ai që është në rrezik as që ka kërkuar këshilla. Gjithsesi, a do të rrinte e të bënte sehir një bari i ndërgjegjshëm ndërsa një pjesëtar i kopesë së tij hynte në telashe? Natyrisht që jo. As do ta trajtonte me lehtësi këtë situatë, duke u hequr sikur çdo gjë shkon mirë, kur duket qartë se nuk është kështu dhe se një bashkëshërbëtor mund të arrijë deri aty sa të humbë paqen me Jehovain.—Jer. 8:11.
17. Kur dhe si mund t’i duhet një bariu t’i kushtojë vëmendje të veçantë një deleje?
17 Sikur një dele e shkujdesur të tundohej për t’u endur larg kopesë, një bari syçelë menjëherë do ta drejtonte sërish në udhë të sigurt. (Lexo Jereminë 50:6, 7.) Po kështu, nganjëherë një mbikëqyrësi i duhet të arsyetojë me vendosmëri, por me dashuri, me ata që po enden në situata të rrezikshme. Për shembull, mund të vërë re se një çift të fejuarish po kalojnë kohë bashkë pa një shoqërues në vende ku mund t’i mposhtë pasioni. Si plak i dashur e mirëkuptues, ai mund ta ndihmojë çiftin të shmangë këto rrethana komprometuese. Do të bëjë kujdes që të mos i akuzojë, por ndoshta do t’i paralajmërojë për mundësitë që të çojnë në një sjellje që Jehovai e urren. Ashtu siç bëri Jeremia, pleqtë besnikë e dënojnë atë që dënon Perëndia. Kështu imitojnë Jehovain, i cili, ndonëse nuk është i ashpër, iu lut popullit të tij nëpërmjet profetit: «Ju lutem, mos e bëni këtë gjë të neveritshme që e urrej.» (Jer. 5:7; 25:4, 5; 35:15; 44:4) A e vlerëson vërtet merakun që tregojnë për kopenë barinjtë e dashur?
18. Ç’rezultate inkurajuese arrihen nga përpjekjet e barinjve frymorë?
18 Sigurisht, jo të gjithë ata që Jeremia këshilloi, e dëgjuan. Por disa, po. Për shembull, kur Baruku, shok dhe sekretar i Jeremisë, kishte nevojë për këshilla të forta, ai nuk ngurroi ta këshillonte. (Jer. 45:5) Cili ishte rezultati? Baruku pati miratimin e Perëndisë dhe mbijetoi kur u shkatërrua Jerusalemi. Edhe sot, kur ndihma që u japin bashkëbesimtarëve ka rezultate të mira, pleqtë e kongregacionit marrin zemër që ‘të vazhdojnë t’i kushtohen nxitjes dhe mësimdhënies’ jetëshpëtuese.—1 Tim. 4:13, 16.
DISIPLINË «NË MASËN E DUHUR»
19, 20. Çfarë përgjegjësie kanë pleqtë kur kanë të bëjnë me keqbërësit?
19 Një rol tjetër që kanë mbikëqyrësit sot, është ai i gjykatësve frymorë. Në raste të rralla, pleqtë mund të kenë të bëjnë me mëkatarë të vullnetshëm. Ata duan t’i ndihmojnë që të pendohen. Me dashamirësi, por drejtpërdrejt, Jehovai i inkurajoi keqbërësit të linin udhët e këqija. (Jer. 4:14) Por, nëse dikush në kongregacion nuk e braktis udhën mëkatare, mbikëqyrësit duhet të veprojnë për ta mbrojtur kopenë nga ky ndikim që mund t’i korruptojë. Siç udhëzojnë Shkrimet, atyre mund t’u duhet ta përjashtojnë keqbërësin. Jehovai pret që në këto rrethana pleqtë të veprojnë sipas drejtësisë së tij. Shembullor në këtë ishte mbreti i mirë Josia. «Ai mbronte çështjen ligjore të të munduarit dhe të të varfrit.» Po imitonte Perëndinë, i cili e do drejtësinë. Kështu, duke marrë si bazë veprimet e Josisë, Jehovai mund të pyeste: «A nuk do të thotë kjo të më njohësh mua?» Ngaqë gjykonte me drejtësi dhe bënte atë që është e drejtë, Josisë «i shkoi mbarë». A nuk ndihesh më i sigurt kur pleqtë e kongregacionit tënd përpiqen të imitojnë shembullin e Josisë?—Jer. 22:11, 15, 16.
20 Ji i bindur se Jehovai i disiplinon «në masën e duhur» keqbërësit. (Jer. 46:28) Kështu, në varësi të rrethanave dhe të qëndrimit të shfaqur, pleqve mund t’u duhet t’i këshillojnë, t’u bëjnë thirrje ose t’i qortojnë bashkëbesimtarët. Mund të lindë nevoja edhe për ta përjashtuar një keqbërës të papenduar. Në rast të tillë, pleqtë nuk luten në publik për atë që është përjashtuar e që po ndjek një udhë mëkatare, pasi kjo do të ishte e kotë.a (Jer. 7:9, 16) Megjithatë, ata imitojnë Perëndinë duke i treguar të përjashtuarit si mund të rifitojë miratimin e Tij. (Lexo Jereminë 33:6-8.) Ndonëse përjashtimi mund të jetë i dhembshëm, të jemi të sigurt se normat e Perëndisë janë të drejta dhe më të mirat për këdo.—Vajt. 1:18.
21. Cila duhet të jetë gjendja e kopesë së Perëndisë dhe si mund të kontribuosh edhe ti për këtë?
21 Kur barinjtë e kongregacionit dallojnë dhe zbatojnë parimet hyjnore të frymëzuara, kopeja do të jetë e ushqyer, e shëndetshme dhe e mbrojtur. (Psal. 23:1-6) Ndërsa përmbushin përgjegjësinë serioze të kujdesit për delet e Perëndisë, mbikëqyrësit e krishterë mund të nxjerrin dobi nga ajo që na thotë Jeremia për qëndrimet dhe motivet, të përshtatshme e të papërshtatshme. Prandaj, secili nga ne mund të pyesë: «A do të vazhdoj të tregoj vlerësim për mënyrën që ka zgjedhur Jehovai për të mësuar, udhëhequr e mbrojtur popullin e tij, duke mbështetur barinjtë që e ‘kullotin vërtet’ kopenë ‘me njohuri dhe gjykim të thellë’?»—Jer. 3:15; 23:4.
Në cilat rrethana duhet të veprojnë me guxim mbikëqyrësit? Ç’pret Jehovai nga pleqtë e krishterë kur veprojnë si gjykatës?
a Shih Kullën e Rojës, 1 dhjetor 2001, faqet 30-31.