Gjykimi i Jehovait kundër mësuesve të rremë
«Edhe ndërmjet profetëve të Jeruzalemit kam parë gjëra të ndyra: kryejnë shkelje të kurorës, ecin në mënyrë të rreme . . . Për mua janë që të gjithë si Sodoma, dhe banorët e tij si Gomora.»—JEREMIA 23:14.
1. Përse kanë mbi vete një përgjegjësi shumë të rëndë ata që merren me mësimin hyjnor?
CILIDO që merret me mësimin hyjnor ka një përgjegjësi të rëndë. Jakovi 3:1 paralajmëron: «Vëllezër të mi, mos u bëni shumë mësues, duke ditur se do të kemi një gjykim të ashpër.» Po, mësuesit e Fjalës së Perëndisë, në krahasim me të krishterët e tjerë në përgjithësi, kanë një përgjegjësi më të madhe, për të cilën do të japin llogari. Çfarë do të thotë kjo për ata që dalin se janë mësues të rremë? Le të shohim gjendjen në ditët e Jeremisë. Do të shohim se si e pasqyron kjo atë që po ndodh sot.
2, 3. Çfarë gjykimi bëri Jehovai nëpërmjet Jeremisë në lidhje me mësuesit e rremë të Jeruzalemit?
2 Në vitin 647 p.e.s., viti i trembëdhjetë i sundimit të mbretit Josia, Jeremia ishte emëruar si profet i Jehovait. Jehovai kishte një ankesë kundër Judës, prandaj dërgoi Jereminë për ta deklaruar. Profetët, apo mësuesit e rremë të Jeruzalemit, bënin «gjëra të ndyra» në sytë e Perëndisë. Ligësia e tyre ishte aq e madhe, saqë Perëndia e krahasoi Jeruzalemin dhe Judën me Sodomën dhe Gomorrën. Kapitulli 23 i Jeremisë na flet për këtë. Vargu 14 thotë:
3 «Edhe ndërmjet profetëve të Jeruzalemit kam parë gjëra të ndyra: kryejnë shkelje të kurorës, ecin në mënyrë të rreme, përforcojnë duart e keqbërësve, dhe kështu asnjeri nuk largohet nga rruga e keqe që ka marrë. Për mua janë që të gjithë si Sodoma, dhe banorët e tij si Gomora.»
4. Si krahasohet shembulli i keq moral i mësuesve të Jeruzalemit me të ashtuquajturin krishterim sot?
4 Po, vetë këta profetë apo mësues, lanë një shembull moral shumë të keq dhe në fakt, nxitën popullin për të vepruar njësoj. Hidhi një sy gjendjes së të ashtuquajturit krishterim sot! A nuk është njësoj si në ditët e Jeremisë? Sot, klerikët i lejojnë tradhtarët bashkëshortorë dhe homoseksualët në radhët e tyre, madje u japin të kryejnë edhe shërbesa në kishë. A duhet të habitemi që edhe shumë anëtarë të këtyre kishave janë imoralë?
5. Përse gjendja imorale e të ashtuquajturit krishterim e tejkalon atë të Sodomës dhe të Gomorrës?
5 Jehovai i krahasoi banorët e Jeruzalemit me ata të Sodomës dhe të Gomorrës. Por gjendja morale e të ashtuquajturit krishterim e tejkalon atë të Sodomës dhe të Gomorrës. Po, ajo është shumë më e qortueshme në sytë e Jehovait. Mësuesit e tyre e fyejnë kodin moral të krishterë. Dhe kjo prodhon një klimë degraduese morale, në të cilën gjenden mashtrime të çdo lloji për të bërë atë që është e keqe. Kaq e përhapur është kjo gjendje morale, saqë e keqja sot shihet si normale.
«Ecin në mënyrë të rreme»
6. Çfarë tha Jeremia mbi ligësinë e profetëve të Jeruzalemit?
6 Shiko tani se çfarë deklaron vargu 14 mbi profetët e Jeruzalemit. Ata «ecin në mënyrë të rreme». Ndërsa pjesa e fundit e vargut 15 thotë: «Sepse nga profetët e Jeruzalemit pabesia është përhapur në tërë vendin.» Pastaj, vargu 16 shton: «Kështu thotë Zoti i ushtrive: ‘Mos dëgjoni fjalët e profetëve që ju bëjnë profeci. Ata ju bëjnë të këqinj; ju parashtrojnë vegimet e zemrave të tyre dhe jo atë që del nga goja e Zotit.’»
7, 8. Përse kleri i të ashtuquajturit krishterim është ngjashëm profetëve të rremë të Jeruzalemit dhe si ka ndikuar kjo mbi anëtarët e kishave?
7 Ashtu si profetët e rremë të Jeruzalemit, kleri i të ashtuquajturit krishterim ecën në mënyrë të rreme, duke përhapur doktrina apostate, mësime që nuk gjenden në Fjalën e Perëndisë. Cilat janë disa nga këto mësime të rreme? Pavdekshmëria e shpirtit, Triniteti, purgatori dhe ferri i zjarrtë që i mundon njerëzit përgjithnjë. Ata i gudulisin, gjithashtu, veshët e dëgjuesve të tyre, duke predikuar gjëra që njerëzve u pëlqejnë të dëgjojnë. Ata shpallin se asnjë gjëmë nuk do të bjerë mbi atë që ata e quajnë krishterim, sepse ka paqen e Perëndisë. Por klerikët «parashtrojnë vegimet e zemrave të tyre». Këto janë të rreme. Ata që i besojnë këto gënjeshtra, po helmohen frymësisht. Po mashtrohen për në rrugën e tyre të shkatërrimit!
8 Shqyrto se çfarë thotë Jehovai për këta mësues të rremë në vargun 21: «Unë nuk i kam dërguar ata profetë; por ata kanë vrapuar; nuk u kam folur atyre, por ata kanë profetizuar.» Edhe sot, kleri nuk është dërguar nga Perëndia dhe as që mëson të vërtetat e Tij. Rezultati? Midis anëtarëve të kishave ekziston një injorancë e frikshme biblike, sepse shërbyesit e tyre i ushqejnë me filozofi botërore.
9, 10. (a) Çfarë ëndrrash panë mësuesit e rremë të Jeruzalemit? (b) Në ç’mënyrë kleri i të ashtuquajturit krishterim mëson në mënyrë të ngjashme «ëndrra të rreme»?
9 Për më tepër, sot kleri përhap shpresa të rreme. Vërej vargun 25: «Kam dëgjuar atë që thonë profetët që profetizojnë gënjeshtra në emrin tim, duke thënë: ‘Pashë një ëndërr, pashë një ëndërr!’» Çfarë ëndrrash janë ato? Vargu 32 na thotë: «Ja, unë jam kundër atyre që profetizojnë ëndrra të rreme,—thotë Zoti,—dhe ia tregojnë popullit tim dhe e prishin atë me gënjeshtrat dhe me mburrësitë e tyre, megjithëse unë nuk i kam dërguar dhe as nuk u kam dhënë ndonjë urdhër; prandaj nuk do të jenë aspak të vlefshëm për këtë popull,—thotë Zoti.»
10 Çfarë ëndrrash, apo shpresash të rreme ka mësuar kleri? Për shembull, që shpresa e vetme e njerëzve për paqe dhe siguri sot është OKB-ja, «shpresa e fundit për pajtim dhe paqe», «forumi më i lartë i paqes dhe i drejtësisë», «shpresa kryesore e përkohshme për paqe botërore». Çfarë zhgënjimi! Shpresa e vetme për njerëzimin është Mbretëria e Perëndisë. Por kleri nuk predikon, as mëson të vërtetën mbi qeverinë qiellore, e cila ishte tema kryesore e predikimit të Jezuit.
11. (a) Çfarë ndikimi të keq patën mësuesit e rremë të Jeruzalemit edhe mbi vetë emrin e Perëndisë? (b) Në kontrast me klasën e Jeremisë, çfarë kanë bërë sot mësuesit e rremë fetarë në lidhje me emrin e Perëndisë?
11 Vargu 27 ka ende për të thënë. «Ata mendojnë që populli im do të harrojë emrin tim me ëndrrat e tyre që i tregojnë njëri-tjetrit, ashtu si etërit e tyre harruan emrin tim për Baalin.» Profetët e rremë të Jeruzalemit bënë që populli të harronte emrin e Perëndisë. A nuk po bëjnë të njëjtën gjë edhe sot mësuesit e rremë fetarë? Edhe më keq akoma, ata e fshehin emrin e Perëndisë, Jehova. Ata mësojnë se nuk është e nevojshme ta përdorim atë dhe e heqin prej përkthimeve të tyre të Biblës. Ata kundërshtojnë fuqishëm cilindo që u mëson njerëzve se emri i Perëndisë është Jehova. Por klasa e Jeremisë, mbetja e të krishterëve të mirosur me frymë, bashkë me shokët e tyre, kanë bërë pikërisht ashtu siç tha Jezui. Ata u kanë mësuar miliona vetave emrin e Perëndisë.—Gjoni 17:6.
Demaskohet faji i tyre
12. (a) Përse rëndon mbi mësuesit e rremë fetarë një faj i madh gjaku? (b) Cili ka qenë roli i klerit në dy luftërat botërore?
12 Klasa e Jeremisë i ka demaskuar vazhdimisht klerikët, si mësues të rremë që po e udhëheqin kopenë e tyre për në rrugën e gjerë të shkatërrimit. Po, mbetja e ka bërë të qartë se përse këta ëndërrimtarë e meritojnë gjykimin e Jehovait kundër tyre. Për shembull, shërbëtorët e Jehovait i janë referuar shpesh Zbulesës 18:24, e cila thotë se në Babiloninë e Madhe është gjetur gjaku «i gjithë atyre që janë vrarë mbi dhe». Mendo mbi gjithë ato luftëra që janë zhvilluar për shkak të dallimeve fetare. Sa i madh është faji i gjakut mbi mësuesit e rremë fetarë! Mësimet e tyre kanë shkaktuar ndarje dhe i kanë dhënë shtytje urrejtjes midis njerëzve me besime dhe grupe të ndryshme kombëtare. Në lidhje me Luftën I Botërore, një libër thotë: «Klerikët i dhanë luftës domethënien e saj apasionuese dhe impulsin frymor. . . . Në këtë mënyrë, kisha u bë pjesë përbërëse e sistemit të luftës.» (Preachers Present Arms) E njëjta gjë u vërtetua edhe në Luftën II Botërore. Kleri i mbështeti plotësisht kombet ndërluftuese dhe i bekoi trupat e tyre. Dy luftëra botërore nisën në të ashtuquajturin krishterim dhe gjatë tyre bashkëbesimtarët masakruan njëri-tjetrin. Fraksione fetare dhe jofetare brenda të ashtuquajturit krishterim vazhdojnë të shkaktojnë gjakderdhje edhe në ditët tona. Sa ndikim të tmerrshëm kanë pasur mësimet e tyre të rreme!
13. Si provon Jeremia 23:22 se kleri i të ashtuquajturit krishterim nuk ka asnjë lidhje me Jehovain?
13 Vërej, të lutemi, kapitullin 23 të Jeremisë në vargun 22: «Por, sikur të kishin marrë pjesë në këshillën time [në grupin tim të ngushtë, BR], atëherë do të bënin që populli im të dëgjonte fjalët e mia, dhe kështu do ta largonin nga rruga e tyre e keqe dhe nga ligësia e veprimeve të tyre.» Sikur profetët fetarë të të ashtuquajturit krishterim të kishin qëndruar në grupin e ngushtë të Jehovait, në një lidhje të afërt me të, si një skllav besnik dhe i matur, atëherë edhe ata do të jetonin sipas normave të Perëndisë. Dhe do të bënin që popujt e të ashtuquajturit krishterim të dëgjonin vetë fjalët e Perëndisë. Përkundrazi, mësuesit e sotëm të rremë i kanë bërë ithtarët e tyre shërbëtorë të verbër të Kundërshtarit të Perëndisë, Satana Djallit.
14. Çfarë demaskimi i fuqishëm i klerit të të ashtuquajturit krishterim u deklarua në 1958-ën?
14 Klasa e Jeremisë e ka demaskuar fuqishëm klerin. Për shembull, në Asamblenë Ndërkombëtare «Vullneti Hyjnor», që u mbajt nga Dëshmitarët e Jehovait në vitin 1958 në Nju Jork, zv/kryetari i Shoqatës Watch Tower paraqiti një deklaratë që pjesërisht thoshte: «Pa folur me dy gjuhë dhe pa asnjë ngurrim, ne deklarojmë se ky shkak rrënjësor i çdo krimi, keqbërjeje, urrejtjeje, lufte, paragjykimi, . . . dhe çrregullimi ekstrem është feja e gabuar, feja e rreme; prapa së cilës fshihet armiku i padukshëm i njeriut, Satana Djalli. Njerëzit që kanë përgjegjësinë më të madhe për gjendjen e botës janë mësuesit dhe udhëheqësit fetarë; dhe më fajtorët midis tyre janë klerikët fetarë të të ashtuquajturit krishterim. . . . Pas gjithë këtyre viteve që nga Lufta I Botërore, i ashtuquajturi krishterimit ndodhet përpara Perëndisë në një pozitë të tillë si edhe Izraeli në ditët e Jeremisë. Po, i ashtuquajturi krishterim është përballë një shkatërrimi shumë më të frikshëm dhe shkretues, sesa ai që Jeremia pa të ndodhte mbi Jeruzalem.»
Gjykimi i mësuesve të rremë
15. Çfarë profecish mbi paqen ka bërë kleri? A do të përmbushen ato?
15 Me gjithë këtë paralajmërim, si ka vepruar kleri që nga ajo kohë? Ashtu siç raporton vargu 17: «U flasin vazhdimisht atyre që më përbuzin: ‘Zoti ka thënë: Do të keni paqe’; dhe gjithë atyre që ecin në kryeneçësinë e zemrës së tyre: ‘Asnjë e keqe nuk do t’ju vijë.’» A është e vërtetë kjo? Jo! Jehovai do ta demaskojë falsitetin e këtyre profecive të klerit. Ai nuk do t’i përmbushë fjalët që thonë ata në emër të tij. Sidoqoftë, siguria e rreme që jep kleri për paqe me Perëndinë është shumë mashtruese!
16. (a) Cila është klima morale e kësaj bote dhe kush merr pjesë në përgjegjësinë për këtë? (b) Çfarë po bën klasa e Jeremisë në lidhje me pikëpamjet e degraduara morale të kësaj bote?
16 Ndoshta mendon: «Çfarë, unë të mashtrohem nga mësimet e rreme të klerikëve! Kurrë!» E pra, mos ji kaq i sigurt! Mos harro se mësimet e rreme të klerit kanë nxitur një klimë mashtruese dhe të tmerrshme morale. Mësimet e tyre të lira justifikojnë pothuajse çdo gjë, pavarësisht sa e pamoralshme është. Dhe kjo klimë e degjeneruar morale depërton në të gjitha fushat e zbavitjeve, në kinema, në TV, në revista dhe në muzikë. Duhet, pra, të ushtrojmë kujdesin më të madh që të mos biem nën ndikimin e kësaj atmosfere tinzare dhe tërheqëse të degradimit moral. Të rinjtë mund të bien në grackën e videove dhe të muzikës poshtëruese. Mos harro se qëndrimi i njerëzve të sotëm që lejon gjithçka, është rezultat i drejtpërdrejtë i mësimeve të rreme të klerit dhe i dështimit të tij në mbështetje të normave të drejta të Perëndisë. Klasa e Jeremisë po i lufton këto pikëpamje imorale dhe po i ndihmon shërbëtorët e Jehovait që të hedhin të keqen që po përpin të ashtuquajturin krishterim.
17. (a) Çfarë gjykimi do të vinte, sipas Jeremisë, mbi Jeruzalemin e lig? (b) Çfarë do të ndodhë së shpejti mbi të ashtuquajturin krishterim?
17 Çfarë gjykimi do të marrin mësuesit e rremë të të ashtuquajturit krishterim prej Gjykatësit të madh, Jehovait? Vargjet 19, 20, 39 dhe 40 përgjigjen: «Ja furtuna e Zotit po shpërthen me tërbim, një furtunë e tmerrshme do të shpërthejë mbi kryet e të pabesëve. Zemërimi i Zotit nuk do të qetësohet deri sa të ketë kryer dhe plotësuar synimet e zemrës së tij; . . . ja, unë do t’ju harroj plotësisht dhe do t’ju hedh larg fytyrës sime, ju dhe qytetin që ju kisha dhënë juve dhe etërve tuaj, dhe do t’ju mbuloj me turp të përjetshëm, që nuk do të harrohet kurrë.» E gjithë kjo ndodhi mbi Jeruzalemin e lig dhe mbi tempullin e tij dhe tani një gjëmë e ngjashme do të pllakosë së shpejti mbi të ashtuquajturin krishterim të lig!
Deklarojmë «barrën e Jehovait»
18, 19. Cila ishte «barra e Jehovait» që lajmëroi Jeremia në Jude dhe çfarë përfshinte ajo?
18 Cila është, pra, përgjegjësia e klasës së Jeremisë dhe e shokëve të tyre? Vargu 33 na thotë: «Kur ky popull ose profeti a një prift të të pyesë, duke thënë: ‘Cila është barra e Jehovait?’, ti duhet gjithashtu t’u thuash atyre: ‘Ti, o popull, oh çfarë barre je ti! Dhe unë me siguri do të të braktis’, është deklarata e Jehovait.»—BR.
19 Fjala hebreje e përkthyer «barrë» ka një domethënie të dyfishtë. Ajo mund t’i referohet një lajmërimi të rëndë hyjnor ose diçkaje që e shtyp dikë apo e lodh. Në këtë rast, shprehja «barra e Jehovait» i referohet një profecie të rëndë: lajmërimit se Jeruzalemi ishte dënuar me shkatërrim. A u pëlqente njerëzve të dëgjonin një deklaratë të tillë të rëndë profetike, që Jeremia ua bënte vazhdimisht prej Jehovait? Jo, njerëzit u tallën me Jereminë: «Çfarë profecie (barre) ke tani? Jemi të sigurt se profecia jote do të jetë një tjetër barrë e bezdisshme!» Por çfarë u tha Jehovai? «Ti, o popull, oh çfarë barre je ti! Dhe unë me siguri do të të braktis.» Po, ata njerëz ishin një barrë për Jehovain dhe ai do t’i hidhte, për të mos i pasur më barrë mbi vete.
20. Çfarë është sot «barra e Jehovait»?
20 Cila është «barra e Jehovait» sot? Është lajmi i rëndë profetik nga Fjala e Perëndisë. Është një lajm me peshën e dënimit, sepse lajmëron shkatërrimin e pashmangshëm të të ashtuquajturit krishterim. Sa për ne si popull i Jehovait, kemi përgjegjësinë e rëndë për ta deklaruar këtë «barrë të Jehovait». Ndërsa fundi afrohet, ne duhet t’u themi të gjithëve se njerëzit e pabindur të të ashtuquajturit krishterim janë një «barrë», po, «oh çfarë barre» për Perëndinë Jehova dhe se ai së shpejti do ta heqë qafe këtë «barrë», duke i braktisur ata në shkatërrim.
21. (a) Përse u shkatërrua Jeruzalemi në vitin 607 p.e.s.? (b) Çfarë ndodhi pas shkatërrimit të Jeruzalemit me profetët e rremë dhe me profetin e vërtetë të Jehovait dhe çfarë sigurie jep kjo për ne sot?
21 Gjykimi i Jehovait u ekzekutua në ditët e Jeremisë, kur babilonasit e shkatërruan Jeruzalemin në vitin 607 p.e.s. Siç u profetizua, ky ishte një ‘turp i përjetshëm’ për ata izraelitë kokëfortë dhe të pabesë. (Jeremia 23:39, 40) U tregoi atyre se Jehovai, të cilin vazhdimisht e kishin çnderuar, më në fund i kishte braktisur në pasojat e ligësisë së tyre. Gojët e profetëve të tyre të rremë dhe mendjemëdhenj më në fund u mbyllën. Megjithatë, goja e Jeremisë vazhdoi të profetizonte. Jehovai nuk e braktisi atë. Në përputhje me këtë shembull, Jehovai nuk do ta braktisë klasën e Jeremisë, kur vendimi i tij i rëndë do t’i marrë jetën klerit të të ashtuquajturit krishterim dhe atyre që besojnë në gënjeshtrat e tij.
22. Në çfarë gjendje do të katandiset i ashuquajturi krishterim nga gjykimi i Jehovait?
22 Po, pasi të zhvishet nga pasuritë e tij dhe pasi të jetë ekspozuar me turp, i ashtuquajturi krishterim fetar do të gjendet në një situatë të ngjashme me atë të Jeruzalemit të shkretuar dhe të pabanuar pas vitit 607 p.e.s. Ky është gjykimi i merituar që Jehovai ka dekretuar kundër mësuesve të rremë. Ky gjykim nuk do të dështojë. Siç u vërtetua çdo lajm paralajmërues dhe i frymëzuar i Jeremisë në të kaluarën, ashtu do të vërtetohen edhe në përmbushjen e tyre në këto ditë të sotme. Pra, le të jemi si Jeremia. Le t’u deklarojmë pa frikë popujve «barrën e Jehovait», në mënyrë që të dinë se përse po bie pesha shtypëse e gjykimit të tij të drejtë mbi të gjithë mësuesit e rremë fetarë!
Pyetje për përsëritje
◻ Sa i keq ishte Jeruzalemi i lashtë nga pikëpamja e Jehovait?
◻ Në ç’mënyrë i ashtuquajturi krishterim ka ‛ecur në mënyrë të rreme’?
◻ Si është demaskuar faji i klerit të ditëve të sotme?
◻ Cila «barrë e Jehovait» po deklarohet tani?
[Figura në faqen 8]
Profetët e Jeruzalemit kryen «gjëra të ndyra»
[Figura në faqen 9]
«Ju parashtrojnë vegimet e zemrave të tyre»
[Figura në faqen 10]
Jeruzalemi pas shkatërrimit, ilustron përfundimin e të ashtuquajturit krishterim