Ata bënë vullnetin e Jehovait
Danieli i shërbeu Perëndisë pa u lëkundur
RRALLË ndodh që rrjedha e historisë të ndryshojë gjatë natës. Megjithatë, kjo gjë ndodhi në vitin 539 p.e.s., kur perandoria e Babilonisë u rrëzua nga medët dhe persët vetëm brenda pak orësh. Deri në atë vit, profeti i Jehovait, Danieli, jetonte si një jude i mërguar në Babiloni për pothuajse 80 vjet. Ka të ngjarë që në moshën 90-vjeçare, Danielit i duhej të përballonte një nga sprovat më të mëdha të integritetit të tij ndaj Perëndisë.
Pas rënies së Babilonisë, u duk se për Danielin gjërat shkonin shumë mirë. Mbreti i ri ishte Dari nga Media, një burrë 62-vjeçar që e shihte në mënyrë të favorshme Danielin. Një nga veprimet e para të Darit si mbret, ishte caktimi i 120 satrapëve dhe ngritja e tre burrave në rangun e zyrtarëve të lartë.a Danieli ishte njëri prej këtyre tre burrave të favorizuar. Duke e njohur potencialin e jashtëzakonshëm të Danielit, Dari kishte madje si qëllim që t’i jepte pozitën e kryeministrit! Por pikërisht atëherë, ndodhi diçka që ndryshoi papritur planet e mbretit.
Një plan dredharak
Zyrtarët e lartë që shërbenin bashkë me Danielin, të shoqëruar nga një grup i madh satrapësh, iu afruan mbretit me një ide intriguese. Ata i kërkuan Darit që të vendoste një ligj, i cili përcaktonte: «Kushdo që gjatë tridhjetë ditëve do t’i drejtojë një kërkesë cilësdo perëndie a njeriu përveç teje, o mbret, të hidhet në gropën e luanëve.» (Danieli 6:7) Ndoshta Darit i është dukur se këta burra po tregonin hapur besnikërinë e tyre ndaj tij. Gjithashtu, ai mund të ketë arsyetuar se ky ligj do ta ndihmonte, si i huaj që ishte, për të përforcuar pozitën e tij si kreu i mbretërisë.
Megjithatë, zyrtarët e lartë dhe satrapët nuk e propozuan këtë dekret për forcimin e pozitave të mbretit. Ata «kërkuan të gjenin një pretekst kundër Danielit lidhur me administrimin e mbretërisë, por nuk mundën të gjejnë asnjë pretekst ose korruptim, sepse ai ishte besnik dhe nuk mundën të gjejnë tek ai asnjë gabim apo korruptim». Kështu, këta njerëz dredharakë arsyetuan: «Nuk do të gjejmë kurrë ndonjë pretekst kundër Danielit, veçse po ta gjejmë kundër tij në vet ligjin e Perëndisë së tij.» (Danieli 6:4, 5) Të vetëdijshëm që Danieli i lutej Jehovait çdo ditë, ata u përpoqën ta cilësonin këtë si një krim që dënohet me vdekje.
Ndoshta zyrtarët e lartë dhe satrapët ushqenin armiqësi kundrejt Danielit, sepse ai «shkëlqente mbi prefektët dhe satrapët e tjerë, sepse ai kishte një frymë më të lartë dhe mbreti mendonte ta vendoste mbi tërë mbretërinë». (Danieli 6:3) Ndershmëria e Danielit mund të kishte krijuar një kufizim të papëlqyeshëm për korruptimin dhe rryshfetet. Pavarësisht nga situata, këta burra e bindën mbretin ta firmoste dekretin, duke e bërë atë pjesë të «ligjit të medasve dhe të persianëve, që është i parevokueshëm».—Danieli 6:8, 9.
Danieli qëndron i palëkundur
A pushoi Danieli së iu luturi Jehovait, pasi mori vesh statutin? Në asnjë mënyrë, jo! I gjunjëzuar në çatinë e shtëpisë së tij, ai i lutej Perëndisë tri herë në ditë, «siç e bënte zakonisht më parë». (Danieli 6:10) Ndërsa ai po lutej, armiqtë e tij «erdhën duke bërë zhurmë dhe e gjetën Danielin që po i lutej dhe përlutej Perëndisë së tij». (Danieli 6:11) Kur ata ia parashtruan çështjen mbretit, Dari u shqetësua sepse ligji që ai kishte firmosur do të përfshinte edhe Danielin. Tregimi na thotë se ai «u përpoq derisa përfundoi dielli ta shkëputë nga duart e tyre», por edhe mbreti nuk mund ta shfuqizonte ligjin që e kishte dekretuar vetë. Kështu, Danieli u hodh në gropën e luanëve, që me sa duket ishte një vend i gërrmuar thellë apo një vend i nëndheshëm. «Perëndia yt, të cilit ti i shërben pa u lëkundur, do të vijë vetë të të shpëtojë»,—e siguroi mbreti Danielin.—Danieli 6:12-16, BR.
Pas një nate të pagjumë dhe agjërimi, Dari nxitoi drejt gropës. Danieli ishte gjallë dhe i padëmtuar! Reagimi i mbretit ishte i menjëhershëm. Si shpagim, ai hodhi në gropën e luanëve armiqtë e Danielit dhe familjet e tyre. Gjithashtu, Dari bëri të ditur në mbarë mbretërinë që «në të gjithë sundimin e mbretërisë sime të dridhen dhe të kenë frikë para Perëndisë së Danielit».—Danieli 6:17-27.
Mësim për ne
Danieli ishte një shembull i shkëlqyer i besimit të plotë. Madje edhe mbreti, i cili nuk adhuronte Jehovain, kishte vënë re se Danieli i shërbente atij «pa u lëkundur». (Danieli 6:16, 20) Rrënja e fjalës aramaike të përkthyer «pa u lëkundur», në thelb do të thotë «të lëvizësh në një rreth». Ajo jep idenë e vazhdimësisë. Sa mirë e përshkruan kjo, integritetin e pathyeshëm të Danielit ndaj Jehovait!
Ai zhvilloi një model palëkundshmërie kohë më parë se të hidhej në gropën e luanëve. Që në moshë të re, kur ishte rob në Babiloni, ai nuk pranoi të hante apo të pinte ushqime që ishin të ndaluara nga Ligji i Moisiut, apo që ishin të ndotura nga rituali pagan. (Danieli 1:8) Më vonë, me guxim ai i shpalli mbretit të Babilonisë, Nabukodonosorit, mesazhin e Perëndisë. (Danieli 4:19-25) Vetëm pak orë para rënies së Babilonisë, Danieli i shpalli pa frikë mbretit Belshazar gjykimin e Perëndisë. (Danieli 5:22-28) Pra, kur u gjend përballë gropës së luanëve, ai vazhdoi me besim të plotë në rrugën që tashmë kishte vendosur.
Edhe ti mund t’i shërbesh Jehovait pa u lëkundur. A je në moshë të re? Atëherë vepro që tani për zhvillimin e një modeli vazhdimësie, duke hedhur tej shoqërinë e keqe të kësaj bote dhe sjelljen e korruptuar. Nëse ke qenë duke i shërbyer Jehovait për një kohë të gjatë, mba një model qëndrueshmërie me besim të plotë. Mos u tërhiq, sepse çdo sprovë që përballojmë, na jep një mundësi për t’i treguar Jehovait se jemi të vendosur për t’i shërbyer pa u lëkundur.—Filipianëve 4:11-13.
[Shënimi]
a Termi «satrap» (që fjalë për fjalë do të thotë «mbrojtës i mbretërisë») i referohet një qeveritari të caktuar nga mbreti persian për të shërbyer si një kryerregullator në një qark juridiksioni. Si një zyrtar përfaqësues i mbretit, ai ishte përgjegjës për mbledhjen e taksave dhe pagimin e haraçit oborrit mbretëror.