Afrojuni Perëndisë
«I Lashti i Ditëve u ul»
«ASKUSH s’e ka parë asnjëherë Perëndinë»,—thotë Bibla. (Gjoni 1:18) Pamja e Perëndisë është kaq e lavdishme, sa asnjë krijesë prej mishi e gjaku nuk mund ta shohë dhe të mbetet në jetë. (Dalja 33:20) Megjithatë, në disa raste të dokumentuara, Jehovai u dha një vegim disa burrave të zgjedhur ku përshkruhej një pamje e qiellit. Një nga këta burra ishte profeti Daniel. Pa dyshim, ai u mbush me nderim nga ajo që pa, siç duhet të ndodhë edhe me ne. Shiko si e përshkruan Danieli këtë vegim që pati privilegjin të shihte.a—Lexo Danielin 7:9, 10.
«I Lashti i Ditëve.» Titulli «I Lashti i Ditëve», që e përdor vetëm Danieli, tregon për «dikë të shkuar në moshë (ose të moçëm)». (Danieli 7:9, 13, 22) Sa i moçëm është Jehovai? Meqë është «Mbreti i përjetësisë», ekzistenca e tij shtrihet pafundësisht në të kaluarën dhe përgjithmonë në të ardhmen. (1 Timoteut 1:17; Juda 25) Ekzistenca e përjetshme e Perëndisë na siguron se ka mençuri të pakufishme, pasi Bibla e lidh moshën me mençurinë. (Jobi 12:12) Kuptohet, është e vështirë që mendja jonë e kufizuar ta konceptojë ekzistencën e përjetshme. Por, a duhet të presim vërtet që ta kuptojmë Perëndinë që ka mençuri të pashoqe?—Romakëve 11:33, 34.
Vër re se i Lashti i Ditëve «u ul». Për ç’qëllim? Vargjet përreth na japin disa të dhëna duke përdorur terma të tillë, si «Trupi Gjykues» dhe «gjykimi». (Danieli 7:10, 22, 26) Kështu, në vegim Jehovai ishte ulur si Gjykatës. Kë do të gjykonte? Kombet e tokës, që më parë në vegimin e Danielit përshkruhen si bisha.b (Danieli 7:1-8) Çfarë Gjykatësi është Jehovai?
«Rrobat i kishte të bardha si bora dhe flokët e kokës si lesh i pastër.» E bardha është simbol i drejtësisë dhe i pastërtisë. Leshi i disa lloje delesh është i bardhë. Kështu, flokët ngjashëm leshit janë të bardhë. A e imagjinon dot çfarë pa Danieli? A e përfytyron dot një Gjykatës flokëbardhë, ndoshta me një veshje të bardhë si bora? Këto përshkrime na sigurojnë se gjykimet e Jehovait janë të drejta e të mençura. Ai është Gjykatësi që meriton besimin dhe respektin tonë më të thellë.
Ai është Gjykatësi që meriton besimin dhe respektin tonë më të thellë
«Një mijë mijëra i shërbenin dhe dhjetë mijë herë dhjetë mijë qëndronin pikërisht përpara tij.» Kush janë këta shërbëtorë qiellorë? Bibla i identifikon engjëjt si ‘shërbëtorët e tij [të Perëndisë]’. (Psalmi 104:4) Ndoshta me qindra milionë në numër, engjëjt e Perëndisë janë të angazhuar ‘duke përmbushur fjalën e tij’ dhe ‘duke kryer vullnetin e tij’. (Psalmi 103:20, 21) A s’është kjo një provë tjetër e mençurisë së pakufishme të Perëndisë? Kush tjetër veç Jehovait mund ta mbajë këtë ushtri të stërmadhe qiellore, të organizuar dhe të angazhuar për një kohë jashtëzakonisht të gjatë?
Vegimi i Danielit na nxit të kemi besim te Jehovai, i Lashti i Ditëve. Gjykimet e tij janë të drejta dhe mençuria e tij është e besueshme. Pse të mos mësosh më tepër si t’i afrohesh këtij Perëndie tejet të mençur?
Sugjerim për leximin e Biblës gjatë tetorit:
a Danieli nuk e pa vërtet Perëndinë. Përkundrazi, Perëndia i nguliti pamje të gjalla në mendje. Më pas, kur përshkroi vegimin, Danieli përdori figura letrare, përfshirë antropomorfizmat—përshkrime të Perëndisë me tipare njerëzore. Këto përshkrime na ndihmojnë ta kuptojmë më mirë Perëndinë dhe nuk duhen marrë në kuptimin e mirëfilltë.
b Për një trajtim të vegimit të bishave që pa Danieli, shih librin Kushtoju vëmendje profecive të Danielit!, kapitullin 9, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.