-
Kush mund t’i bëjë ballë Princit të princave?Kushtoju vëmendje profecive të Danielit!
-
-
21. Cilët zënë një «vend të shenjtë», të cilin fuqia e shtatë botërore orvatet ta shkretojë?
21 Sot, ata që kanë mbetur nga 144.000-t janë përfaqësues tokësorë të «Jerusalemit qiellor», Mbretërisë së Perëndisë që i ngjan një qyteti, dhe masës së marrë nëpërmjet tempullit të tij. (Hebrenjve 12:22, 28; 13:14) Në këtë kuptim, ata zënë një «vend të shenjtë», të cilin fuqia e shtatë botërore përpiqet ta shkelë dhe ta shkretojë. (Danieli 8:13) Duke folur për atë vend të shenjtë edhe si për «vendin e vendosur të shenjtërores [së Jehovait]», Danieli thotë: «Prej tij [Jehovait] u hoq tipari i qëndrueshëm dhe vendi i vendosur i shenjtërores së tij u hodh poshtë. Dhe vetë një ushtri u dorëzua gradualisht, bashkë me flijimin e vazhdueshëm, për shkak të shkeljes; dhe vazhdoi ta hidhte përtokë të vërtetën, veproi dhe pati sukses.» (Danieli 8:11, 12) Si u përmbush kjo?
22. Në ç’mënyrë kreu një «shkelje» të konsiderueshme fuqia e shtatë botërore gjatë Luftës II Botërore?
22 Çfarë përjetuan Dëshmitarët e Jehovait gjatë Luftës II Botërore? Ata vuajtën nën një persekutim intensiv! Ky persekutim filloi në vendet naziste dhe fashiste. Por shpejt ‘e vërteta u hodh përtokë’ në mbarë zotërimin e gjerë të ‘bririt të vogël, fuqia e të cilit ishte bërë e madhe’. «Ushtria» e lajmëtarëve të Mbretërisë dhe vepra e tyre e predikimit të «lajmit të mirë» u ndalua pothuajse në të gjithë Komonuelthin Britanik. (Marku 13:10) Kur rekrutuan efektivin e tyre ushtarak, këto kombe refuzuan t’i përjashtonin Dëshmitarët e Jehovait nga shërbimi ushtarak, duke mos treguar aspak respekt për emërimin e tyre teokratik si shërbëtorë të Perëndisë. Në Shtetet e Bashkuara, shërbëtorët besimplotë të Jehovait përjetuan dhunën e turmave të egërsuara dhe poshtërimin në forma të ndryshme. Fuqia e shtatë botërore, në të vërtetë, u përpoq të hiqte një flijim lavdie, «frytin e buzëve», që i ofrohet rregullisht Jehovait nga populli i vet si «tipari i qëndrueshëm» i adhurimit të tyre. (Hebrenjve 13:15) Në këtë mënyrë, kjo fuqi botërore kreu «shkeljen» e pushtimit të zotërimit të ligjshëm të Perëndisë Më të Lartë, «vendin e vendosur të shenjtërores së tij».
-
-
Kush mund t’i bëjë ballë Princit të princave?Kushtoju vëmendje profecive të Danielit!
-
-
«VENDI I SHENJTË» I ÇUAR NË GJENDJEN E DUHUR
24. Cilën siguri na jep Danieli 8:14?
24 Askush nuk mund t’i bëjë ballë Princit të princave, madje as edhe një mbret aq ‘i egër në pamje’ sa fuqia botërore anglo-amerikane! Orvatjet e këtij mbreti për të shkretuar shenjtëroren e Perëndisë nuk kanë sukses. Pas një periudhe prej «dy mijë e treqind mbrëmjesh dhe mëngjesesh,— thotë lajmëtari engjëllor,—vendi i shenjtë do të çohet me siguri në gjendjen e tij të duhur» ose «do të dalë fitimtar».—Danieli 8:13, 14, The New English Bible.
25. Sa e gjatë është periudha profetike prej 2.300 ditësh dhe me cilën ngjarje duhet lidhur ajo?
25 Të 2.300 ditët përbëjnë një periudhë profetike. Kështu që në të përfshihet një vit profetik prej 360 ditësh. (Zbulesa 11:2, 3; 12:6, 14) Pra, këto 2.300 ditë do të ishin baras me 6 vjet, 4 muaj dhe 20 ditë. Kur ishte kjo periudhë? E pra, në vitet 30, populli i Perëndisë në vende të ndryshme filloi të përjetonte persekutimin në rritje. Edhe gjatë Luftës II Botërore, Dëshmitarët e Jehovait u persekutuan egërsisht në vendet e fuqisë botërore dyshe anglo-amerikane. Pse? Për shkak të këmbënguljes së tyre që t’i ‘bindeshin Perëndisë si sundimtar, në vend se njerëzve’. (Veprat 5:29) Prandaj, 2.300 ditët duhet të kenë lidhje me atë luftë.b Por, ç’mund të thuhet për fillimin dhe fundin e kësaj periudhe profetike?
26. (a) Cila është data më e hershme nga kur duhet të fillojë llogaritja e 2.300 ditëve? (b) Kur përfundoi periudha prej 2.300 ditësh?
26 Që «vendi i shenjtë» të «çohej» apo të kthehej në atë gjendje që duhej të ishte, llogaritja e 2.300 ditëve duhet të ketë filluar që nga koha kur ai ishte më parë në «gjendjen e duhur» nga këndvështrimi i Perëndisë. Kjo gjë nuk ndodhi më përpara se 1 qershori i vitit 1938, kur Kulla e Rojës botoi pjesën e parë të artikullit «Organizata». Pjesa e dytë u botua në numrin e 15 qershorit 1938. Duke llogaritur 2.300 ditë (6 vjet, 4 muaj dhe 20 ditë sipas kalendarit hebraik) nga 1 ose 15 qershori 1938, arrijmë në datën 8 ose 22 tetor 1944. Ditën e parë të një asambleje speciale që u mbajt në Pitsburg të Pensilvanisë, SHBA, më 30 shtator dhe 1 tetor 1944, presidenti i Shoqatës Watch Tower foli mbi temën «Rreshtimi teokratik sot». Në mbledhjen vjetore të korporatës, më 2 tetor, statusi i Shoqatës u ndryshua në përpjekje për ta bërë sa më të përafërt me një organizim teokratik që do të lejonte ligji. Me botimin e kërkesave të sqaruara biblike, shpejt organizata teokratike u vendos edhe më plotësisht në kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait.
27. Çfarë dëshmie ekzistonte se gjatë viteve plot persekutim të Luftës II Botërore, «tipari i qëndrueshëm» u kufizua?
27 Ndërsa 2.300 vjetët ndiqnin rrjedhën e tyre gjatë Luftës II Botërore, e cila filloi në vitin 1939, ofrimi i «tiparit të qëndrueshëm» në shenjtëroren e Perëndisë ishte rreptësisht i kufizuar, për shkak të persekutimit. Në vitin 1938, Shoqata Watch Tower Bible and Tract kishte 39 degë që mbikëqyrnin veprën e Dëshmitarëve në mbarë botën, por rreth vitit 1943 kishte vetëm 21 të tilla. Edhe rritja e numrit të lajmëtarëve të Mbretërisë gjatë kësaj periudhe ishte e vogël.
28, 29. (a) Ç’zhvillime ndodhën në organizatën e Jehovait, ndërsa afrohej fundi i Luftës II Botërore? (b) Ç’mund të thuhet rreth orvatjeve brutale të armikut për shkretimin dhe shkatërrimin e «vendit të shenjtë»?
28 Siç e vumë re, gjatë muajve të fundit të Luftës II Botërore, Dëshmitarët e Jehovait ripohuan vendosmërinë e tyre për të lartësuar sundimin e Perëndisë Jehova, duke i shërbyer si një organizatë teokratike. Ky ishte objektivi me të cilin në vitin 1944 nisi riorganizimi i veprës së tyre dhe i strukturës udhëheqëse. Në fakt, Kulla e Rojës, 15 tetor 1944, kishte një artikull me titullin «Të organizuar për veprën përfundimtare». Ai dhe artikuj të tjerë të asaj periudhe, të cilët kishin të bënin me shërbimin, treguan se 2.300 ditët kishin përfunduar dhe se «vendi i shenjtë» ishte përsëri në «gjendjen e duhur» të tij.
29 Orvatjet brutale të armikut për të shkretuar dhe shkatërruar «vendin e shenjtë» kishin dështuar plotësisht. Vërtet, mbetja e «të shenjtëve» në tokë, bashkë me shokët e saj të «shumicës së madhe», kishte dalë fitimtare. (Zbulesa 7:9) Edhe shenjtërorja, në gjendjen e saj të duhur teokratike, tani vazhdon t’i bëjë shërbim të shenjtë Jehovait.
-