Kapitulli Njëmbëdhjetë
Zbulohet koha e ardhjes së Mesisë
1. Meqenëse Jehovai është Llogaritësi i Madh i kohës, për çfarë mund të jemi të sigurt?
JEHOVAI është Llogaritësi i Madh i kohës. Ai ka nën kontroll të gjitha kohët dhe stinët që kanë lidhje me veprën e tij. (Veprat 1:7) Të gjitha ngjarjet që ai i ka caktuar për këto kohë dhe stinë, do të ndodhin patjetër. Ato nuk do të mbeten pa u realizuar.
2, 3. Te cila profeci e drejtoi vëmendjen Danieli dhe cila perandori sundonte në Babiloni në atë kohë?
2 Si studiues i zellshëm i Shkrimeve, profeti Daniel pati besim tek aftësia e Jehovait për të programuar ngjarjet dhe për t’i shkaktuar ato. Me interes të veçantë për Danielin, ishin profecitë në lidhje me shkretimin e Jerusalemit. Jeremia kishte dokumentuar zbulesën e Perëndisë në lidhje me kohëzgjatjen e shkretimit të qytetit të shenjtë dhe Danieli e shqyrtoi me kujdes këtë profeci. Ai shkroi: «Në vitin e parë të Darit, birit të Asuerit nga fara e medëve, të cilin e kishin bërë mbret mbi mbretërinë e kaldeasve; në vitin e parë të mbretërimit të tij, unë vetë, Danieli, shqova me anë të librave numrin e viteve në lidhje me të cilat fjala e Jehovait i kishte ndodhur Jeremisë, profetit, për të përmbushur shkretimet e Jerusalemit, domethënë, shtatëdhjetë vjet.»—Danieli 9:1, 2; Jeremia 25:11.
3 Në atë kohë, medi Dar sundonte mbi «mbretërinë e kaldeasve». Ajo që kishte parathënë më parë Danieli, kur interpretoi shkrimin në mur, ishte përmbushur shpejt. Perandoria Babilonase nuk ekzistonte më. Ajo u ishte «dhënë medëve dhe persëve» në vitin 539 p.e.s.—Danieli 5:24-28, 30, 31.
DANIELI I LUTET ME PËRULËSI JEHOVAIT
4. (a) Çfarë nevojitej për të përjetuar çlirimin e Perëndisë? (b) Në ç’mënyrë vazhdoi Danieli t’i drejtohej Jehovait?
4 Danieli e kuptoi se shkretimit 70-vjeçar të Jerusalemit po i afrohej fundi. Ç’do të bënte pas kësaj? Ai vetë na thotë: «E ktheva fytyrën time nga Jehovai, Perëndia i vërtetë, që ta kërkoja me lutje dhe përgjërime, me agjërime, thes dhe hi. Dhe fillova t’i lutesha Jehovait, Perëndisë tim dhe të bëja rrëfim.» (Danieli 9:3, 4) Për të përjetuar çlirimin e mëshirshëm të Perëndisë, nevojitej një gjendje e përshtatshme zemre. (Levitiku 26:31-46; 1. Mbretërve 8:46-53) Nevojitej besim, një frymë e përulur dhe pendim i plotë për mëkatet që kishin çuar në mërgim dhe skllavëri. Prandaj, në emër të popullit të tij mëkatar, Danieli vazhdoi t’i drejtohej Perëndisë. Si? Duke agjëruar, duke mbajtur zi dhe duke u veshur me thes, simbol ky i pendimit dhe i sinqeritetit të zemrës.
5. Pse mund të ndihej i sigurt Danieli se judenjtë do të rivendoseshin në atdheun e tyre?
5 Profecia e Jeremisë i kishte dhënë shpresa Danielit, sepse ajo tregonte që së shpejti judenjtë do të rivendoseshin në atdheun e tyre, në Judë. (Jeremia 25:12; 29:10) Pa dyshim, Danieli ndihej i sigurt që për judenjtë nën pushtim do të vinte çlirimi, sepse një burrë me emrin Kir sundonte tashmë si mbret i Persisë. A nuk kishte profetizuar Isaia se Kiri do të luante një rol të rëndësishëm në çlirimin e judenjve për të rindërtuar Jerusalemin dhe tempullin? (Isaia 44:28–45:3) Por Danieli nuk e kishte fare idenë se si do të ndodhte kjo. Kështu që vazhdonte t’i përgjërohej Jehovait.
6. Ç’gjë pranoi Danieli në lutje?
6 Danieli e drejtoi vëmendjen te mëshira dhe te dashamirësia e dashur e Perëndisë. Me përulësi, ai pranoi se judenjtë kishin mëkatuar, duke u rebeluar, duke u shmangur nga urdhërimet e Jehovait dhe duke shpërfillur profetët e tij. Me të drejtë, Perëndia i kishte «shpërndarë për shkak të mosbesnikërisë së tyre». Danieli u lut: «O Jehova, neve na përket turpi i fytyrës, mbretërve tanë, princave tanë dhe etërve tanë, sepse kemi mëkatuar kundër teje. Jehovait, Perëndisë sonë, i përkasin mëshirat dhe veprat e faljes, sepse jemi rebeluar kundër tij. Dhe nuk i jemi bindur zërit të Jehovait, Perëndisë sonë, duke ecur në ligjet e tij që vuri përpara nesh me anë të dorës së shërbëtorëve të tij, profetëve. Dhe të gjithë ata të Izraelit kanë kaluar përtej ligjit tënd dhe ka pasur një shmangie, duke mos iu bindur zërit tënd, kështu që ti derdhe mbi ne mallkimin dhe betimin e bërë, i cili është shkruar në ligjin e Moisiut, shërbëtorit të Perëndisë së vërtetë, sepse kemi mëkatuar kundër Tij.»—Danieli 9:5-11; Dalja 19:5-8; 24:3, 7, 8.
7. Pse mund të thuhet se duke lejuar që judenjtë të shkonin në robëri, Jehovai veproi në mënyrë të drejtë?
7 Perëndia i kishte paralajmëruar izraelitët për pasojat e mosbindjes ndaj tij dhe të shpërfilljes së besëlidhjes që kishte bërë me ta. (Levitiku 26:31-33; Ligji i përtërirë 28:15; 31:17) Danieli pranon drejtësinë e veprimeve të Perëndisë, duke thënë: «Ai vazhdoi të zbatonte fjalët e tij që kishte thënë kundër nesh dhe kundër gjykatësve tanë që na gjykuan, duke sjellë mbi ne një katastrofë të madhe, të tillë që nuk ishte bërë nën tërë qiejtë, siç është bërë në Jerusalem. Ashtu siç është shkruar në ligjin e Moisiut, e gjithë kjo katastrofë ka ardhur mbi ne dhe ne nuk e kemi zbutur fytyrën e Jehovait, Perëndisë sonë, duke u kthyer nga gabimi ynë dhe duke treguar mendjehollësi në vërtetësinë tënde. Dhe Jehovai qëndroi syçelë ndaj katastrofës dhe më në fund e solli mbi ne, sepse Jehovai, Perëndia ynë, është i drejtë në të gjitha veprat e tij që ka bërë dhe ne nuk i jemi bindur zërit të tij.»—Danieli 9:12-14.
8. Ku e bazoi Danieli lutjen e tij drejtuar Jehovait?
8 Danieli nuk përpiqet t’i justifikojë veprimet e popullit të tij. Mërgimi i tyre ishte me të drejtë i merituar, siç rrëfen menjëherë ai: «Kemi mëkatuar, kemi vepruar me ligësi.» (Danieli 9:15) As nuk është në merak që thjesht të shpëtojë nga vuajtjet. Jo, ai e bazon lutjen e tij në lavdinë dhe nderin e vetë Jehovait. Duke i falur judenjtë dhe duke i rivendosur në atdheun e tyre, Perëndia do të përmbushte premtimin e tij të dhënë nëpërmjet Jeremisë dhe do të shenjtëronte emrin e Tij të shenjtë. Danieli përgjërohet: «O Jehova, sipas të gjitha veprave të tua të drejtësisë, të lutem, zemërimi yt dhe tërbimi yt u tërheqtë nga qyteti yt Jerusalem, mali yt i shenjtë, sepse për shkak të mëkateve tona dhe për shkak të gabimeve të etërve tanë, Jerusalemi dhe populli yt janë një objekt turpi për të gjithë ata që na rrethojnë.»—Danieli 9:16.
9. (a) Me cilat përgjërime e përfundon lutjen e tij Danieli? (b) Ç’gjë e shqetëson shumë Danielin, por si tregon respekt ai për emrin e Perëndisë?
9 Duke u lutur me zjarr, Danieli vazhdon: «Tani dëgjo, o Perëndia ynë, lutjen e shërbëtorit tënd dhe përgjërimet e tij dhe bëj që fytyra jote të shkëlqejë mbi shenjtëroren tënde që është shkretuar, për hir të Jehovait. Prire veshin tënd, o Perëndia im, dhe dëgjo. Hapi sytë e tu dhe shiko kushtet tona të shkretuara dhe qytetin që është quajtur me emrin tënd, sepse jo sipas veprave tona të drejta po i lëmë të bien përpara teje përgjërimet tona, por sipas mëshirave të tua të shumta. O Jehova, dëgjo. O Jehova, fal. O Jehova, kushto vëmendje dhe vepro. Mos vono, për vetë hirin tënd, o Perëndia im, sepse emri yt është thirrur mbi qytetin tënd dhe mbi popullin tënd.» (Danieli 9:17-19) Nëse Perëndia nuk do të falte dhe do ta linte popullin e tij në mërgim, duke lejuar që qyteti i tij i shenjtë, Jerusalemi, të shtrihej i shkretë për një kohë të pacaktuar, a do të konsiderohej nga kombet si Sovrani i Universit? A nuk do të arrinin ato në përfundimin se Jehovai ishte i pafuqishëm përballë fuqisë së perëndive babilonase? Po, emri i Jehovait do të mbulohej me turp dhe kjo gjë e shqetëson shumë Danielin. Nga të 19 herët që emri hyjnor, Jehova, gjendet në librin e Danielit, 18 herë janë në lidhje me këtë lutje!
GABRIELI VJEN ME SHPEJTËSI
10. (a) Kush u dërgua te Danieli dhe pse? (b) Pse Danieli foli për Gabrielin si për një «burrë»?
10 Ndërsa Danieli është ende duke u lutur, shfaqet engjëlli Gabriel. Ai thotë: «O Daniel, tani kam ardhur që të të bëj të kesh mendjehollësi me kuptueshmëri. Në fillim të përgjërimeve të tua doli një fjalë dhe unë vetë kam ardhur të raportoj, sepse ti je dikush shumë i dëshirueshëm. Kështu, shqyrtoje çështjen dhe ki kuptueshmëri në gjënë e shikuar.» Por pse Danieli flet për të si për «burrin Gabriel»? (Danieli 9:20-23) E pra, kur Danieli kërkoi kuptimin e vizionit të tij të mëparshëm me cjapin dhe dashin, para tij u shfaq «dikush me pamjen si të një burri truplidhur». Ishte engjëlli Gabriel, i dërguar për t’i dhënë mendjehollësi Danielit. (Danieli 8:15-17) Ngjashëm, pas lutjes së Danielit, ky engjëll iu afrua atij në formë njerëzore dhe i foli ashtu si një njeri i flet një tjetri.
11, 12. (a) Megjithëse në Babiloni nuk kishte asnjë tempull ose asnjë altar të Jehovait, si treguan respekt judenjtë e devotshëm për ofertat e kërkuara nga Ligji? (b) Pse Danieli u quajt «dikush shumë i dëshirueshëm»?
11 Gabrieli mbërrin «në kohën e ofrimit të dhuratës së mbrëmjes». Altari i Jehovait ishte shkatërruar bashkë me tempullin në Jerusalem dhe judenjtë ishin robër të babilonasve paganë. Kështu, judenjtë që ndodheshin në Babiloni nuk po i ofronin flijime Perëndisë. Megjithatë, në kohët që parashikoheshin për ofertat nën Ligjin e Moisiut, ishte e përshtatshme që judenjtë e devotshëm në Babiloni të lëvdonin Jehovain dhe t’i përgjëroheshin atij. Si një njeri tepër i devotshëm ndaj Perëndisë, Danieli u quajt «dikush shumë i dëshirueshëm». Jehovai, «Dëgjuesi i lutjes», kënaqej me të, kështu që Gabrieli u dërgua me shpejtësi për t’iu përgjigjur asaj lutjeje besimi që bëri Danieli.—Psalmi 65:2.
12 Edhe kur fakti që i lutej Jehovait kishte vënë në rrezik jetën e tij, Danieli vazhdoi t’i lutej Perëndisë tri herë në ditë. (Danieli 6:10, 11) S’është për t’u habitur, pra, që ai ishte kaq i dëshirueshëm për Jehovain! Përveç lutjes, edhe meditimi mbi Fjalën e Perëndisë i bëri të mundur Danielit që të përcaktonte se cili ishte vullneti i Perëndisë. Danieli ngulmoi në lutje dhe diti se si t’i drejtohej në mënyrën e duhur Jehovait, me qëllim që të merrte përgjigje për lutjet e tij. Ai nxori në pah drejtësinë e Perëndisë. (Danieli 9:7, 14, 16) E megjithëse armiqtë e tij nuk mundën të gjenin asnjë të metë tek ai, Danieli e dinte se në sytë e Perëndisë ishte mëkatar dhe menjëherë rrëfeu mëkatin e tij.—Danieli 6:4; Romakëve 3:23.
«SHTATËDHJETË JAVË» QË TË ASGJËSOHET MËKATI
13, 14. (a) Cilin informacion të rëndësishëm i zbuloi Gabrieli Danielit? (b) Sa të gjata janë «shtatëdhjetë javët» dhe si e dimë këtë?
13 Ç’përgjigje merr Danieli që lutej me gjithë shpirt! Jehovai jo vetëm e siguron se judenjtë do të rivendosen në atdheun e tyre, por i jep edhe mendjehollësi për diçka me një domethënie shumë më të madhe: shfaqjen e Mesisë së parathënë. (Zanafilla 22:17, 18; Isaia 9:6, 7) Gabrieli i thotë Danielit: «Shtatëdhjetë javë janë përcaktuar mbi popullin tënd dhe mbi qytetin tënd të shenjtë, që t’i jepet fund shkeljes, të asgjësohet mëkati, të bëhet shlyerja për gabime dhe për të sjellë drejtësinë për kohë të pacaktuara, dhe për të vënë një vulë mbi vizionin e profetin, dhe për të mirosur të Shenjtën e të Shenjtave. Dhe duhet ta dish e të kesh mendjehollësi se që nga dalja e fjalës për të rivendosur dhe për të rindërtuar Jerusalemin, deri te Mesia, Udhëheqësi, do të jenë shtatë javë, edhe gjashtëdhjetë e dy javë. Ai do të rikthehet dhe do të rindërtohet vërtet, me shesh publik dhe hendek me ujë, por në ngushticën e kohëve.»—Danieli 9:24, 25.
14 Ky ishte vërtet një lajm i mirë! Jo vetëm që do të rindërtohej Jerusalemi dhe do të rivendosej adhurimi në një tempull të ri, por në një periudhë specifike do të shfaqej edhe «Mesia, Udhëheqësi». Kjo do të ndodhte brenda «shtatëdhjetë javësh». Përderisa Gabrieli nuk përmend ditë, këto javë nuk janë javë me shtatë ditë secila, që do të ishin baras me 490 ditë, pra vetëm një vit e një të tretën. Rindërtimi i parathënë i Jerusalemit «me një shesh publik dhe hendek» zgjati shumë më tepër se kaq. Këto javë janë javë vitesh. Fakti që secila javë është shtatë vjet e gjatë sugjerohet nga disa përkthime moderne. Për shembull, «shtatëdhjetë javë vitesh» është një përkthim që tregohet në një shënim të bërë për Danielin 9:24 në Tanakh: Shkrimet e Shenjta, botuar nga Shoqata e Botimeve Judaike. Në një përkthim tjetër thuhet: «Shtatëdhjetë javë vitesh janë paracaktuar për popullin tënd dhe për qytetin tënd të shenjtë.» (An American Translation) Përkthime të ngjashme gjenden edhe në përkthimet e bëra nga Mofat dhe Rotherham.
15. Cilat janë tri periudhat që ndajnë «shtatëdhjetë javët» dhe kur do të fillonin ato?
15 Sipas fjalëve të engjëllit, «shtatëdhjetë javët» do të ndaheshin në tri periudha: (1) «shtatë javë», (2) «gjashtëdhjetë e dy javë» dhe (3) një javë. Këto periudha do të ishin 49 vjet, 434 vjet dhe 7 vjet: gjithsej 490 vjet. Interesante është që një Bibël (The Holy Bible—New Century Version) thotë: «Perëndia ka urdhëruar katërqind e nëntëdhjetë vjet për popullin tënd dhe qytetin tënd të shenjtë.» Pas mërgimit dhe vuajtjeve të tyre në Babiloni për 70 vjet, judenjtë do të përjetonin favorin e veçantë nga Perëndia për 490 vjet ose 70 vjet shumëzim për 7. Pika e nisjes do të ishte «dalja e fjalës për të rivendosur dhe për të rindërtuar Jerusalemin». Kur do të ndodhte kjo?
FILLOJNË «SHTATËDHJETË JAVËT»
16. Siç tregohej nga dekreti i tij, për ç’qëllim i rivendosi Kiri judenjtë në atdheun e tyre?
16 Tri janë ngjarjet e rëndësishme që meritojnë të shqyrtohen në lidhje me fillimin e «shtatëdhjetë javëve». E para ndodhi në vitin 537 p.e.s., kur Kiri nxori dekretin e tij për rivendosjen e judenjve në atdheun e tyre. Në dekret thuhej: «Kjo është ajo që ka thënë Kiri, mbreti i Persisë: ‘Jehovai, Perëndia i qiejve, më ka dhënë të gjitha mbretëritë e tokës dhe ai vetë më ka ngarkuar t’i ndërtoj një shtëpi në Jerusalem, i cili është në Judë. Kushdo mes jush që është nga i gjithë populli i tij, Perëndia i tij qoftë me të! Pra, le të ngjitet në Jerusalem, i cili është në Judë, dhe të rindërtojë shtëpinë e Jehovait, Perëndisë së Izraelit—ai është Perëndia i vërtetë,—e cila ishte në Jerusalem. Sa për këdo që ka mbetur nga të gjitha vendet ku banon si i huaj, le ta ndihmojnë burrat e vendit të tij me argjend, ar, të mira dhe kafshë shtëpiake, bashkë me ofertën vullnetare për shtëpinë e Perëndisë së vërtetë, e cila ishte në Jerusalem.’» (Ezdra 1:2-4) Qartë, qëllimi specifik i këtij dekreti ishte që tempulli, «shtëpia e Jehovait», të rindërtohej në vendin ku ndodhej më parë.
17. Cila arsye jepej në letrën që iu dha Ezdrës për udhëtimin e tij në Jerusalem?
17 Ngjarja e dytë ndodhi në vitin e shtatë të mbretërimit të mbretit pers Artakserks (Artakserksi Dorëgjatë, biri i Kserksit I). Në atë kohë, kopisti Ezdra bëri një udhëtim katërmujor nga Babilonia në Jerusalem. Ai kishte me vete një letër të veçantë nga mbreti, por në të nuk jepej autorizimi për rindërtimin e Jerusalemit. Në vend të kësaj, ajo që i ishte ngarkuar Ezdrës kufizohej me ‘zbukurimin e shtëpisë së Jehovait’. Ja pse letra i referohej arit, argjendit, enëve të shenjta dhe kontributeve në grurë, verë, vaj e kripë për mbështetjen e adhurimit në tempull, si dhe heqjes së taksave për ata që shërbenin atje.—Ezdra 7:6-27.
18. Cili lajm e shqetësoi Neheminë dhe si e mori vesh atë Artakserksi?
18 Ngjarja e tretë ndodhi 13 vjet më vonë, në vitin e 20-të të mbretit pers Artakserks. Në atë kohë, Nehemia shërbente si kupëmbajtësi i tij në «Shushan, kështjella». Jerusalemi ishte rindërtuar deri në njëfarë mase nga mbetja e hebrenjve që ishin kthyer nga Babilonia. Por punët nuk shkonin mirë. Nehemia mori vesh se ‘muri i Jerusalemit ishte rrëzuar dhe se vetë portat e tij ishin djegur nga zjarri’. Kjo gjë e shqetësoi shumë dhe zemra e tij u zymtua. Kur u pyet se përse ishte i trishtuar, Nehemia u përgjigj: «Mbreti jetoftë deri në kohë të pacaktuar! Pse të mos bëhet e zymtë fytyra ime, kur qyteti, shtëpia e vendeve të varreve të të parëve të mi është shkretuar dhe vetë portat e saj janë përpirë nga zjarri?»—Nehemia 1:1-3; 2:1-3.
19. (a) Kur e pyeti mbreti Artakserks, çfarë bëri në fillim Nehemia? (b) Çfarë kërkoi Nehemia dhe si e pranoi ai rolin e Perëndisë në atë çështje?
19 Tregimi që flet për Neheminë, vazhdon: «Nga ana e tij, mbreti më tha: ‘Çfarë po kërkon, pra, të sigurosh?’ Menjëherë iu luta Perëndisë së qiejve. Pas kësaj, i thashë mbretit: ‘Nëse mbretit i duket e mirë dhe nëse shërbëtori yt duket i mirë përpara teje, të më dërgosh në Judë, në qytetin e varreve të të parëve të mi, që ta rindërtoj.’» Ky propozim i pëlqeu Artakserksit, i cili veproi edhe sipas kërkesës tjetër të Nehemisë: «Nëse mbretit i duket e mirë, le të më jepen letra për qeveritarët përtej lumit [Eufrat], që të më lënë të kaloj derisa të shkoj në Judë, gjithashtu, një letër për Asafin, ruajtësin e parkut që i përket mbretit, që të më japë pemë për të ndërtuar me lëndë druri portat e Kështjellës që i përket shtëpisë, për murin e qytetit dhe për shtëpinë në të cilën duhet të hyj.» Nehemia pranoi rolin e Jehovait në të gjithë këtë, duke thënë: «Kështu, mbreti më dha [letrat], sipas dorës së mirë të Perëndisë tim mbi mua.»—Nehemia 2:4-8.
20. (a) Kur hyri në fuqi fjala «për të rivendosur dhe për të rindërtuar Jerusalemin»? (b) Kur filluan dhe kur mbaruan «shtatëdhjetë javët»? (c) Cilat dëshmi flasin qartë për saktësinë e datave të fillimit dhe të mbarimit të «shtatëdhjetë javëve»?
20 Megjithëse leja për ndërtim u dha në muajin nisan, gjatë pjesës së parë të vitit të 20-të të mbretërimit të Artakserksit, «dalja e fjalës për të rivendosur dhe për të rindërtuar Jerusalemin» ndodhi faktikisht muaj më vonë. Kjo fjalë doli kur Nehemia mbërriti në Jerusalem dhe filloi punën e tij të rivendosjes. Udhëtimi i Ezdrës kishte zgjatur katër muaj, por Shushani ishte mbi 322 kilometra në lindje të Babilonisë, domethënë akoma më larg se Jerusalemi. Pra, ka shumë të ngjarë që mbërritja e Nehemisë në Jerusalem të ketë ndodhur afër fundit të vitit të 20-të të Artakserksit ose në vitin 455 p.e.s. Pra, kjo ishte koha kur filluan «shtatëdhjetë javët» e parathëna ose 490 vjetët. Këto vite do të përfundonin në pjesën e fundit të vitit 36 të e.s.—Shiko «Kur filloi mbretërimi i Artakserksit?», në faqen 197.
SHFAQET «MESIA, UDHËHEQËSI»
21. (a) Çfarë duhej të kryhej gjatë «shtatë javëve» të para dhe pavarësisht nga cilat rrethana? (b) Në cilin vit duhej të shfaqej Mesia dhe çfarë thotë ungjilli i Lukës se ndodhi në atë kohë?
21 Sa vite kaluan përpara se Jerusalemi të rindërtohej me të vërtetë? E pra, rivendosja e qytetit duhej të kryhej «në ngushticën e kohëve», për shkak të vështirësive mes vetë judenjve dhe të kundërshtimit nga samaritanët e të tjerët. Duket se puna deri në masën e nevojshme përfundoi aty nga viti 406 p.e.s., brenda «shtatë javëve» ose 49 vjetëve. (Danieli 9:25) Do të pasonte një periudhë prej 62 javësh ose 434 vjetësh. Pas kësaj periudhe kohore, do të shfaqej Mesia i premtuar shumë kohë më parë. Duke llogaritur 483 vjet (49 plus 434) që prej vitit 455 p.e.s., arrijmë në vitin 29 të e.s. Ç’ndodhi në atë kohë? Luka, një shkrimtar i ungjillit, na thotë: «Në vitin e pesëmbëdhjetë të mbretërimit të Tiberit Cezar, kur ponc Pilati ishte qeveritar në Judë dhe Herodi ishte sundimtar në rajonin e Galilesë, . . . deklarata e Perëndisë iu drejtua Gjonit, birit të Zaharisë, në shkretëtirë. Kështu, ai erdhi në të gjithë vendin përreth Jordanit, duke predikuar pagëzimin në simbol pendimi për falje mëkatesh.» Në atë kohë, «populli ishte në pritje» të Mesisë.—Luka 3:1-3, 15.
22. Kur dhe në ç’mënyrë u bë Jezui Mesia i parathënë?
22 Gjoni nuk ishte Mesia i premtuar. Por në lidhje me atë për të cilën ai qe dëshmitar në pagëzimin e Jezuit nga Nazareti në vjeshtën e vitit 29 të e.s., Gjoni tha: «Pashë frymën tek zbriste si një pëllumb nga qielli dhe ajo qëndroi mbi të. As unë nuk e njoha, por pikërisht Ai që më dërgoi të pagëzoja në ujë, më tha: ‘Kushdo që të jetë ai mbi të cilin ti shikon të zbresë dhe të qëndrojë fryma, ky është ai që pagëzon në frymë të shenjtë.’ Dhe unë e pashë [frymën] dhe kam dhënë dëshmi se ky është Biri i Perëndisë.» (Gjoni 1:32-34) Me pagëzimin e tij, Jezui u bë i Mirosuri, Mesia ose Krishti. Pak kohë pas kësaj, Andrea, dishepull i Gjonit, takoi Jezuin e mirosur dhe më pas i tha Simon Pjetrit: «Kemi gjetur Mesinë.» (Gjoni 1:41) Kështu, «Mesia, Udhëheqësi», u shfaq tamam në kohë: në fund të 69 javëve!
NGJARJET E JAVËS SË FUNDIT
23. Pse duhej të vdiste «Mesia, Udhëheqësi» dhe kur duhej të ndodhte kjo?
23 Çfarë duhej të kryhej gjatë javës së 70-të? Gabrieli tha se periudha prej «shtatëdhjetë javësh» ishte përcaktuar ‘për të përfunduar shkeljen, për t’i dhënë fund mëkatit, për të bërë shlyerjen për gabime dhe për të sjellë drejtësinë për kohë të pacaktuara, për të vënë një vulë mbi vizionin dhe profetin e për të mirosur të Shenjtën e të Shenjtave». Që të kryhej kjo, duhej të vdiste «Mesia, Udhëheqësi». Kur? Gabrieli tha: «Pas gjashtëdhjetë e dy javësh Mesia do të këputet, pa asgjë për vete. . . . Dhe ai duhet ta mbajë besëlidhjen në fuqi për të shumtët për një javë; dhe në gjysmë të javës, do të bëjë të marrin fund flijimi dhe ofrimi i dhuratës.» (Danieli 9:26a, 27a) Koha kritike ishte «në gjysmë të javës», domethënë në mes të javës së fundit të viteve.
24, 25. (a) Ashtu siç ishte profetizuar, kur vdiq Krishti dhe kujt i dhanë fund vdekja dhe ringjallja e tij? (b) Ç’gjë bëri të mundur vdekja e Jezuit?
24 Shërbimi publik i Jezu Krishtit filloi në pjesën e fundit të vitit 29 të e.s. dhe zgjati tre vjet e gjysmë. Siç ishte profetizuar, në fillim të vitit 33 të e.s. Krishti u ‘këput’ kur vdiq në një shtyllë mundimesh, duke e dhënë jetën e tij njerëzore si shpërblesë për njerëzimin. (Isaia 53:8; Mateu 20:28) Nevoja për flijimet në kafshë dhe për ofrimin e dhuratës që parashikohej nga Ligji, mori fund kur Jezui i ringjallur ia paraqiti vlerën e jetës së tij njerëzore të flijuar Perëndisë në qiell. Megjithëse priftërinjtë judenj vazhduan të bënin oferta deri në shkatërrimin e tempullit të Jerusalemit në vitin 70 të e.s., flijime të tilla nuk ishin më të pranueshme nga Perëndia. Ato ishin zëvendësuar nga një flijim më i mirë, një flijim që nuk do të duhej të përsëritej kurrë më. Apostulli Pavël shkroi: «[Krishti] ofroi në mënyrë të përhershme një flijim të vetëm për mëkatet . . . Sepse me anë të një oferte të vetme flijimi, ai i ka bërë të përsosur në mënyrë të përhershme ata që po shenjtërohen.»—Hebrenjve 10:12, 14.
25 Megjithëse mëkati dhe vdekja vazhduan t’i shkaktonin vuajtje njerëzimit, këputja e Jezuit duke vdekur dhe ringjallja e tij në jetën qiellore përmbushën profecinë. Ajo ‘përfundoi shkeljen, i dha fund mëkatit, bëri shlyerjen për gabim dhe solli drejtësinë’. Perëndia kishte hequr besëlidhjen e Ligjit, e cila i kishte demaskuar dhe dënuar judenjtë si mëkatarë. (Romakëve 5:12, 19, 20; Galatasve 3:13, 19; Efesianëve 2:15; Kolosianëve 2:13, 14) Tani, mëkatet e keqbërësve të penduar mund të anuloheshin dhe ndëshkimet e dhëna për to, të hiqeshin. Për ata që ushtronin besim, me anë të flijimit pajtues të Mesisë, ishte i mundur pajtimi me Perëndinë. Ata mund të pritnin me padurim të merrnin dhuratën e Perëndisë, «jetën e përhershme me anë të Krishtit Jezu».—Romakëve 3:21-26; 6:22, 23; 1. Gjonit 2:1, 2.
26. (a) Megjithëse besëlidhja e Ligjit ishte hequr, cila besëlidhje u ‘mbajt në fuqi për një javë’? (b) Çfarë ndodhi në fund të javës së 70-të?
26 Kështu ndodhi që Jehovai e hoqi besëlidhjen e Ligjit me anë të vdekjes së Krishtit në vitin 33 të e.s. Si, pra, mund të thuhej se Mesia «duhet ta mbajë besëlidhjen në fuqi për të shumtët për një javë»? Sepse ai mbajti në fuqi besëlidhjen abrahamike. Derisa përfundoi java e 70-të, Perëndia i shtriu bekimet e asaj besëlidhjeje mbi pasardhjen hebreje të Abrahamit. Por në fund të «shtatëdhjetë javëve» të viteve, në vitin 36 të e.s., apostulli Pjetër i predikoi italianit të devotshëm, Kornelit, familjes së tij dhe johebrenjve të tjerë. Dhe që prej asaj dite, lajmi i mirë filloi të shpallej mes njerëzve të kombeve.—Veprat 3:25, 26; 10:1-48; Galatasve 3:8, 9, 14.
27. Cila «e Shenjtë e të Shenjtave» u miros dhe si?
27 Profecia paratha edhe mirosjen e «së Shenjtës të së Shenjtave». Kjo nuk i referohet mirosjes së Më të Shenjtës ose dhomës më të brendshme të tempullit në Jerusalem. Këtu, shprehja «e Shenjta e të Shenjtave» i referohet shenjtërores qiellore të Perëndisë. Atje, Jezui i paraqiti Atit të vet vlerën e fljimit të tij njerëzor. Pagëzimi i Jezuit, në vitin 29 të e.s., e kishte mirosur ose e kishte ndarë veç atë realitet qiellor dhe frymor të përfaqësuar nga Më e Shenjta e tabernakullit tokësor dhe e tempullit të mëvonshëm.—Hebrenjve 9:11, 12.
PROFECIA VËRTETOHET NGA PERËNDIA
28. Ç’domethënie kishte ‘vënia e një vule mbi vizionin dhe profetin’?
28 Profecia Mesianike e shpallur nga engjëlli Gabriel fliste edhe për ‘vënien e një vule mbi vizionin dhe profetin’. Kjo do të thoshte se çdo gjë që ishte parathënë në lidhje me Mesinë, gjithçka që kreu ai me anë të flijimit të vet, ringjalljes dhe paraqitjes në qiell, si edhe gjërat e tjera që ndodhën gjatë javës së 70-të, do të vuloseshin me vulën e miratimit hyjnor, do të dilnin të vërteta dhe mund t’u besohej. Vizioni do të ishte i vulosur, i rezervuar vetëm për Mesinë. Përmbushja e tij do të bëhej te Mesia dhe te vepra që do kryente Perëndia nëpërmjet tij. Vetëm në lidhje me Mesinë e parathënë mund ta gjenim interpretimin e saktë të vizionit. Asgjë tjetër nuk do ta zhvuloste domethënien e tij.
29. Çfarë duhej t’i ndodhte Jerusalemit të rindërtuar dhe për ç’arsye?
29 Gabrieli kishte profetizuar më përpara se Jerusalemi do të rindërtohej. Tani ai parathotë shkatërrimin e atij qyteti të rindërtuar dhe të tempullit të tij, duke thënë: «Qytetin dhe vendin e shenjtë, populli i një udhëheqësi që po vjen do t’i çojë në rrënim. Dhe fundi i tij do të jetë me anë të përmbytjes. Dhe deri në fund do të ketë luftë; ajo që është vendosur janë shkretimet. . . . Dhe mbi krahun e gjërave të neveritshme do të jetë ai që shkakton shkretim, dhe deri në shfarosje, vetë gjëja e vendosur do të derdhet edhe mbi atë që shtrihet i shkretuar.» (Danieli 9:26b, 27b) Megjithëse ky shkretim do të ndodhte pas «shtatëdhjetë javëve», ai do të ishte një pasojë e drejtpërdrejtë e ngjarjeve të «javës» së fundit, kur judenjtë e hodhën poshtë Jezuin dhe e dënuan me vdekje.—Mateu 23:37, 38.
30. Siç tregohet nga dokumentet historike, si u përmbush dekreti i Llogaritësit të Madh të kohës?
30 Dokumentet historike tregojnë se në vitin 66 të e.s., legjionet romake nën guvernatorin e Sirisë, Cest Gali, rrethuan Jerusalemin. Me gjithë rezistencën nga ana e judenjve, forcat romake që mbanin stemat e tyre idhujtare ose flamujt, depërtuan në qytet dhe filluan të shkatërronin murin verior të tempullit. Qëndrimi i tyre atje i bëri ato një «gjë të neveritshme» që mund të shkaktonte një shkretim të plotë. (Mateu 24:15, 16) Në vitin 70 të e.s., romakët nën gjeneral Titin erdhën si një «përmbytje» dhe shkretuan qytetin dhe tempullin e tij. Ata nuk i ndali asgjë, sepse kjo ishte dekretuar, ishte «vendosur» nga Perëndia. Llogaritësi i Madh i kohës, Jehovai, e kishte përmbushur përsëri fjalën e tij!
ÇFARË KE KUPTUAR?
• Çfarë përgjërimesh i bëri Danieli Jehovait, kur 70 vjetëve të shkretimit të Jerusalemit po u afrohej fundi?
• Sa të gjata ishin «shtatëdhjetë javët» dhe kur filluan e mbaruan ato?
• Kur u shfaq «Mesia, Udhëheqësi» dhe në cilën kohë kritike u «këput» ai?
• Cila besëlidhje u mbajt «në fuqi për të shumtët për një javë»?
• Çfarë ndodhi pas «shtatëdhjetë javëve»?
[Kutia dhe figura në faqen 197]
Kur filloi mbretërimi i Artakserksit?
HISTORIANËT kanë mosmarrëveshje në lidhje me vitin në të cilin filloi mbretërimi i mbretit pers Artakserks. Disa kanë përcaktuar si vit të ardhjes së tij në fuqi vitin 464 p.e.s., sepse i ati i tij, Kserksi, filloi të sundonte në vitin 486 p.e.s. dhe vdiq në vitin e 21-të të mbretërimit të tij. Por, ka dëshmi që tregojnë se Artakserksi hipi në fron në vitin 475 p.e.s. dhe e filloi vitin e parë të mbretërimit në vitin 474 p.e.s.
Mbishkrime dhe skulptura të nxjerra nga gërmimet në kryeqytetin e lashtë persian Persepoli, tregojnë se Kserksi dhe i ati, Dari I, kanë mbretëruar së bashku. Nëse kjo gjë ka ndodhur për 10 vjet dhe Kserksi ka sunduar i vetëm për 11 vjet pas vdekjes së Darit në vitin 486 p.e.s., viti i parë i mbretërimit të Artakserksit ka qenë viti 474 p.e.s.
Një linjë e dytë dëshmie ka të bëjë me gjeneralin athinas Themistokli, i cili në vitin 480 p.e.s. mundi forcat e Kserksit. Më pas, ai humbi simpatinë e popullit grek dhe u akuzua për tradhti. Themistokliu u arratis dhe kërkoi mbrojtje në oborrin mbretëror pers, ku u mirëprit. Sipas historianit grek Tacidid, kjo ndodhi kur Artakserksi s’kishte veçse «pak kohë që kishte hipur në fron». Historiani grek Diodorus Sikulus e përcakton vdekjen e Themistokliut në vitin 471 p.e.s. Përderisa Themistokliut iu desh një vit për të mësuar persishten përpara se të zhvillonte bisedime me mbretin Artakserks, ai duhet të ketë mbërritur në Azinë e Vogël jo më vonë se viti 473 p.e.s. Kjo datë mbështetet edhe nga Kronika e Euzebius e Jeromit. Meqenëse kur Themistokliu mbërriti në Azi në vitin 473 p.e.s., Artakserksi s’kishte veçse «pak kohë që kishte hipur në fron», studiuesi gjerman Ernst Hengstenberg pohonte në librin e tij Kristologjia e Besëlidhjes së Vjetër se mbretërimi i Artakserksit nisi në vitin 474 p.e.s., ashtu siç pohojnë edhe burime të tjera. Ai shtoi: «Viti i dymbëdhjetë i Artakserksit është viti 455 përpara Krishtit.»
[Figura]
Bust i Themistokliut
[Diagrami dhe figurat në faqet 188, 189]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
«SHTATËDHJETË JAVË»
455 p.e.s. 406 p.e.s. 29 e.s. 33 e.s. 36 e.s.
«Fjala për të Jerusalemi Shfaqet Këputet Fundi i
rivendosur i rindërtuar Mesia Mesia «shtatëdhjetë
. . . Jerusalemin» javëve»
7 javë 62 javë 1 javë
49 vjet 434 vjet 7 vjet
[Figura që zë gjithë faqen 180]
[Figura që zë gjithë faqen 193]