-
Zbulohet koha e ardhjes së MesisëKushtoju vëmendje profecive të Danielit!
-
-
Dhe duhet ta dish e të kesh mendjehollësi se që nga dalja e fjalës për të rivendosur dhe për të rindërtuar Jerusalemin, deri te Mesia, Udhëheqësi, do të jenë shtatë javë, edhe gjashtëdhjetë e dy javë. Ai do të rikthehet dhe do të rindërtohet vërtet, me shesh publik dhe hendek me ujë, por në ngushticën e kohëve.»—Danieli 9:24, 25.
14 Ky ishte vërtet një lajm i mirë! Jo vetëm që do të rindërtohej Jerusalemi dhe do të rivendosej adhurimi në një tempull të ri, por në një periudhë specifike do të shfaqej edhe «Mesia, Udhëheqësi». Kjo do të ndodhte brenda «shtatëdhjetë javësh».
-
-
Zbulohet koha e ardhjes së MesisëKushtoju vëmendje profecive të Danielit!
-
-
15. Cilat janë tri periudhat që ndajnë «shtatëdhjetë javët» dhe kur do të fillonin ato?
15 Sipas fjalëve të engjëllit, «shtatëdhjetë javët» do të ndaheshin në tri periudha: (1) «shtatë javë», (2) «gjashtëdhjetë e dy javë» dhe (3) një javë. Këto periudha do të ishin 49 vjet, 434 vjet dhe 7 vjet: gjithsej 490 vjet.
-
-
Zbulohet koha e ardhjes së MesisëKushtoju vëmendje profecive të Danielit!
-
-
Pika e nisjes do të ishte «dalja e fjalës për të rivendosur dhe për të rindërtuar Jerusalemin». Kur do të ndodhte kjo?
FILLOJNË «SHTATËDHJETË JAVËT»
16. Siç tregohej nga dekreti i tij, për ç’qëllim i rivendosi Kiri judenjtë në atdheun e tyre?
16 Tri janë ngjarjet e rëndësishme që meritojnë të shqyrtohen në lidhje me fillimin e «shtatëdhjetë javëve». E para ndodhi në vitin 537 p.e.s., kur Kiri nxori dekretin e tij për rivendosjen e judenjve në atdheun e tyre. Në dekret thuhej: «Kjo është ajo që ka thënë Kiri, mbreti i Persisë: ‘Jehovai, Perëndia i qiejve, më ka dhënë të gjitha mbretëritë e tokës dhe ai vetë më ka ngarkuar t’i ndërtoj një shtëpi në Jerusalem, i cili është në Judë. Kushdo mes jush që është nga i gjithë populli i tij, Perëndia i tij qoftë me të! Pra, le të ngjitet në Jerusalem, i cili është në Judë, dhe të rindërtojë shtëpinë e Jehovait, Perëndisë së Izraelit—ai është Perëndia i vërtetë,—e cila ishte në Jerusalem. Sa për këdo që ka mbetur nga të gjitha vendet ku banon si i huaj, le ta ndihmojnë burrat e vendit të tij me argjend, ar, të mira dhe kafshë shtëpiake, bashkë me ofertën vullnetare për shtëpinë e Perëndisë së vërtetë, e cila ishte në Jerusalem.’» (Ezdra 1:2-4) Qartë, qëllimi specifik i këtij dekreti ishte që tempulli, «shtëpia e Jehovait», të rindërtohej në vendin ku ndodhej më parë.
17. Cila arsye jepej në letrën që iu dha Ezdrës për udhëtimin e tij në Jerusalem?
17 Ngjarja e dytë ndodhi në vitin e shtatë të mbretërimit të mbretit pers Artakserks (Artakserksi Dorëgjatë, biri i Kserksit I). Në atë kohë, kopisti Ezdra bëri një udhëtim katërmujor nga Babilonia në Jerusalem. Ai kishte me vete një letër të veçantë nga mbreti, por në të nuk jepej autorizimi për rindërtimin e Jerusalemit. Në vend të kësaj, ajo që i ishte ngarkuar Ezdrës kufizohej me ‘zbukurimin e shtëpisë së Jehovait’. Ja pse letra i referohej arit, argjendit, enëve të shenjta dhe kontributeve në grurë, verë, vaj e kripë për mbështetjen e adhurimit në tempull, si dhe heqjes së taksave për ata që shërbenin atje.—Ezdra 7:6-27.
18. Cili lajm e shqetësoi Neheminë dhe si e mori vesh atë Artakserksi?
18 Ngjarja e tretë ndodhi 13 vjet më vonë, në vitin e 20-të të mbretit pers Artakserks. Në atë kohë, Nehemia shërbente si kupëmbajtësi i tij në «Shushan, kështjella». Jerusalemi ishte rindërtuar deri në njëfarë mase nga mbetja e hebrenjve që ishin kthyer nga Babilonia. Por punët nuk shkonin mirë. Nehemia mori vesh se ‘muri i Jerusalemit ishte rrëzuar dhe se vetë portat e tij ishin djegur nga zjarri’. Kjo gjë e shqetësoi shumë dhe zemra e tij u zymtua. Kur u pyet se përse ishte i trishtuar, Nehemia u përgjigj: «Mbreti jetoftë deri në kohë të pacaktuar! Pse të mos bëhet e zymtë fytyra ime, kur qyteti, shtëpia e vendeve të varreve të të parëve të mi është shkretuar dhe vetë portat e saj janë përpirë nga zjarri?»—Nehemia 1:1-3; 2:1-3.
19. (a) Kur e pyeti mbreti Artakserks, çfarë bëri në fillim Nehemia? (b) Çfarë kërkoi Nehemia dhe si e pranoi ai rolin e Perëndisë në atë çështje?
19 Tregimi që flet për Neheminë, vazhdon: «Nga ana e tij, mbreti më tha: ‘Çfarë po kërkon, pra, të sigurosh?’ Menjëherë iu luta Perëndisë së qiejve. Pas kësaj, i thashë mbretit: ‘Nëse mbretit i duket e mirë dhe nëse shërbëtori yt duket i mirë përpara teje, të më dërgosh në Judë, në qytetin e varreve të të parëve të mi, që ta rindërtoj.’» Ky propozim i pëlqeu Artakserksit, i cili veproi edhe sipas kërkesës tjetër të Nehemisë: «Nëse mbretit i duket e mirë, le të më jepen letra për qeveritarët përtej lumit [Eufrat], që të më lënë të kaloj derisa të shkoj në Judë, gjithashtu, një letër për Asafin, ruajtësin e parkut që i përket mbretit, që të më japë pemë për të ndërtuar me lëndë druri portat e Kështjellës që i përket shtëpisë, për murin e qytetit dhe për shtëpinë në të cilën duhet të hyj.» Nehemia pranoi rolin e Jehovait në të gjithë këtë, duke thënë: «Kështu, mbreti më dha [letrat], sipas dorës së mirë të Perëndisë tim mbi mua.»—Nehemia 2:4-8.
20. (a) Kur hyri në fuqi fjala «për të rivendosur dhe për të rindërtuar Jerusalemin»? (b) Kur filluan dhe kur mbaruan «shtatëdhjetë javët»? (c) Cilat dëshmi flasin qartë për saktësinë e datave të fillimit dhe të mbarimit të «shtatëdhjetë javëve»?
20 Megjithëse leja për ndërtim u dha në muajin nisan, gjatë pjesës së parë të vitit të 20-të të mbretërimit të Artakserksit, «dalja e fjalës për të rivendosur dhe për të rindërtuar Jerusalemin» ndodhi faktikisht muaj më vonë. Kjo fjalë doli kur Nehemia mbërriti në Jerusalem dhe filloi punën e tij të rivendosjes. Udhëtimi i Ezdrës kishte zgjatur katër muaj, por Shushani ishte mbi 322 kilometra në lindje të Babilonisë, domethënë akoma më larg se Jerusalemi. Pra, ka shumë të ngjarë që mbërritja e Nehemisë në Jerusalem të ketë ndodhur afër fundit të vitit të 20-të të Artakserksit ose në vitin 455 p.e.s. Pra, kjo ishte koha kur filluan «shtatëdhjetë javët» e parathëna ose 490 vjetët. Këto vite do të përfundonin në pjesën e fundit të vitit 36 të e.s.—Shiko «Kur filloi mbretërimi i Artakserksit?», në faqen 197.
SHFAQET «MESIA, UDHËHEQËSI»
21. (a) Çfarë duhej të kryhej gjatë «shtatë javëve» të para dhe pavarësisht nga cilat rrethana? (b) Në cilin vit duhej të shfaqej Mesia dhe çfarë thotë ungjilli i Lukës se ndodhi në atë kohë?
21 Sa vite kaluan përpara se Jerusalemi të rindërtohej me të vërtetë? E pra, rivendosja e qytetit duhej të kryhej «në ngushticën e kohëve», për shkak të vështirësive mes vetë judenjve dhe të kundërshtimit nga samaritanët e të tjerët. Duket se puna deri në masën e nevojshme përfundoi aty nga viti 406 p.e.s., brenda «shtatë javëve» ose 49 vjetëve. (Danieli 9:25) Do të pasonte një periudhë prej 62 javësh ose 434 vjetësh. Pas kësaj periudhe kohore, do të shfaqej Mesia i premtuar shumë kohë më parë. Duke llogaritur 483 vjet (49 plus 434) që prej vitit 455 p.e.s., arrijmë në vitin 29 të e.s. Ç’ndodhi në atë kohë? Luka, një shkrimtar i ungjillit, na thotë: «Në vitin e pesëmbëdhjetë të mbretërimit të Tiberit Cezar, kur ponc Pilati ishte qeveritar në Judë dhe Herodi ishte sundimtar në rajonin e Galilesë, . . . deklarata e Perëndisë iu drejtua Gjonit, birit të Zaharisë, në shkretëtirë. Kështu, ai erdhi në të gjithë vendin përreth Jordanit, duke predikuar pagëzimin në simbol pendimi për falje mëkatesh.» Në atë kohë, «populli ishte në pritje» të Mesisë.—Luka 3:1-3, 15.
22. Kur dhe në ç’mënyrë u bë Jezui Mesia i parathënë?
22 Gjoni nuk ishte Mesia i premtuar. Por në lidhje me atë për të cilën ai qe dëshmitar në pagëzimin e Jezuit nga Nazareti në vjeshtën e vitit 29 të e.s., Gjoni tha: «Pashë frymën tek zbriste si një pëllumb nga qielli dhe ajo qëndroi mbi të. As unë nuk e njoha, por pikërisht Ai që më dërgoi të pagëzoja në ujë, më tha: ‘Kushdo që të jetë ai mbi të cilin ti shikon të zbresë dhe të qëndrojë fryma, ky është ai që pagëzon në frymë të shenjtë.’ Dhe unë e pashë [frymën] dhe kam dhënë dëshmi se ky është Biri i Perëndisë.» (Gjoni 1:32-34) Me pagëzimin e tij, Jezui u bë i Mirosuri, Mesia ose Krishti. Pak kohë pas kësaj, Andrea, dishepull i Gjonit, takoi Jezuin e mirosur dhe më pas i tha Simon Pjetrit: «Kemi gjetur Mesinë.» (Gjoni 1:41) Kështu, «Mesia, Udhëheqësi», u shfaq tamam në kohë: në fund të 69 javëve!
-