Kapitulli tre
Të sprovuar, por besnikë ndaj Jehovait!
1, 2. Cilat ngjarje domethënëse shërbyen si prelud i tregimit të Danielit?
NË LIBRIN profetik të Danielit, perdja ngrihet në një kohë ndryshimi të rëndësishëm në skenën ndërkombëtare. Asiria sapo kishte humbur kryeqytetin e saj, Ninevinë. Egjipti ishte shtrënguar të mbante vetëm një pozitë me pak rëndësi në jug të vendit të Judës. Babilonia po rritej me të shpejtë si fuqia më e madhe në luftën për sundim botëror.
2 Në vitin 625 p.e.s., faraoni egjiptian Neko bëri një përpjekje të fundit për ta bllokuar shtrirjen babilonase drejt jugut. Për këtë qëllim, ai e drejtoi ushtrinë e vet drejt Karkemishit, i cili ndodhej në brigjet e rrjedhës së sipërme të lumit Eufrat. Beteja e Karkemishit, siç u quajt ajo, qe një ngjarje historike vendimtare. Ushtria babilonase, e udhëhequr nga princi trashëgimtar Nabukodonosori, i dha një goditje shkatërrimtare forcave të faraonit Neko. (Jeremia 46:2) Në vrullin e fitores së tij, Nabukodonosori pushtoi Sirinë dhe Palestinën dhe, praktikisht, i dha fund sundimit egjiptian në atë rajon. Vetëm vdekja e babait të tij, Nabopolasarit, bëri që fushata të ndërpritej përkohësisht.
3. Cili ishte rezultati i fushatës së parë të Nabukodonosorit kundër Jerusalemit?
3 Vitin që pasoi, Nabukodonosori, tani i hipur në fron si mbret i Babilonisë, e drejtoi përsëri vëmendjen te fushatat e tij ushtarake në Siri dhe Palestinë. Pikërisht gjatë kësaj periudhe, ai shkoi për herë të parë në Jerusalem. Bibla thotë: «Në ditët e tij, mbreti i Babilonisë Nabukodonosor u ngrit dhe kështu Jehojakimi u bë shërbëtori i tij për tre vjet. Megjithatë, ai u kthye dhe u rebelua kundër tij.»—2. Mbretërve 24:1.
NABUKODONOSORI NË JERUSALEM
4. Si duhet kuptuar shprehja «në vitin e tretë të mbretërimit të Jehojakimit» në Danielin 1:1?
4 Shprehja «për tre vjet» është me interes të veçantë për ne, sepse në fjalët hapëse të Danielit lexojmë: «Në vitin e tretë të mbretërimit të Jehojakimit, mbretit të Judës, Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, erdhi në Jerusalem dhe i vuri rrethimin.» (Danieli 1:1) Në vitin e tretë të krejt mbretërimit të Jehojakimit, i cili mbretëroi prej vitit 628 deri në vitin 618 p.e.s., Nabukodonosori nuk ishte ende «mbreti i Babilonisë», por ishte princi trashëgimtar. Në vitin 620 p.e.s., Nabukodonosori e shtrëngoi Jehojakimin të paguante haraç. Por pas rreth tre vjetësh, Jehojakimi ngriti krye. Prandaj, pikërisht në vitin 618 p.e.s. apo gjatë vitit të tretë të mbretërimit të Jehojakimit si vasal i Babilonisë, mbreti Nabukodonosor erdhi për herë të dytë në Jerusalem, që të ndëshkonte Jehojakimin rebel.
5. Cili ishte rezultati i fushatës së dytë të Nabukodonosorit kundër Jerusalemit?
5 Rezultati i këtij rrethimi ishte që «me kalimin e kohës, Jehovai i dha në dorë Jehojakimin, mbretin e Judës, dhe një pjesë të enëve të shtëpisë së Perëndisë së vërtetë». (Danieli 1:2) Ka mundësi që Jehojakimi të ketë vdekur ose i vrarë, ose gjatë ndonjë revolte, në fazat e para të rrethimit. (Jeremia 22:18, 19) Në vitin 618 p.e.s., biri i tij 18-vjeçar, Jehojakini, e pasoi si mbret. Por sundimi i Jehojakinit zgjati vetëm tre muaj e dhjetë ditë; ai u dorëzua në vitin 617 p.e.s.—Krahaso 2. Mbretërve 24:10-15.
6. Çfarë bëri Nabukodonosori me enët e shenjta të tempullit të Jerusalemit?
6 Nabukodonosori mori si plaçkë enë të shenjta të tempullit të Jerusalemit dhe «i çoi ato në vendin e Shinarit, në shtëpinë e perëndisë së tij; dhe ai i çoi enët në shtëpinë e thesarit të perëndisë së tij», Marduk, apo Merodak në hebraisht. (Danieli 1:2; Jeremia 50:2) Është zbuluar një mbishkrim babilonas, sipas të cilit, Nabukodonosori ka thënë për tempullin e Mardukut: «Grumbullova brenda argjend, ar dhe gurë të çmuar . . . dhe vura atje shtëpinë e thesarit të mbretërisë sime.» Për këto enë të shenjta do të lexojmë përsëri në ditët e mbretit Belshazar.—Danieli 5:1-4.
ELITA E RINISË SË JERUSALEMIT
7, 8. Çfarë përfundimi mund të nxjerrim nga Danieli 1:3, 4 dhe 6 në lidhje me prejardhjen e Danielit dhe të tre shokëve të tij?
7 Në Babiloni nuk u çuan vetëm thesaret e tempullit të Jehovait. Tregimi thotë: «Atëherë, mbreti i tha Ashpenazit, kryezyrtarit të oborrit të tij, të sillte disa prej bijve të Izraelit, të pasardhjes mbretërore dhe të fisnikëve, fëmijë te të cilët nuk kishte asnjë cen, por me paraqitje të mirë, që kishin mendjehollësi për sa i përket të gjithë mençurisë, të pajisur me njohuri, që kishin aftësi shquese për atë që njihet dhe në të cilët kishte edhe aftësi për të qëndruar në pallatin e mbretit.»—Danieli 1:3, 4.
8 Cilët u zgjodhën? Tregimi na thotë: «Mes tyre ndodheshin disa prej bijve të Judës: Danieli, Hanania, Mishaeli dhe Azaria.» (Danieli 1:6) Kjo hedh dritë deri në njëfarë mase mbi prejardhjen e Danielit dhe të shokëve të tij, e cila përndryshe do të mbetej në errësirë. Për shembull, vërejmë se ata ishin «bij të Judës», fisi mbretëror. Ishin apo jo nga linja mbretërore, është e arsyeshme të mendojmë se ishin të paktën nga familje me njëfarë rëndësie dhe influence. Përveç mendjes së shëndoshë dhe trupit të shëndetshëm, ata kishin mendjehollësi, mençuri, njohuri dhe aftësi shquese; të gjitha këto kur ishin në një moshë mjaft të re, saqë quheshin «fëmijë», ndoshta në fillim të adoleshencës. Danieli dhe shokët e tij duhet të kenë qenë të shkëlqyer, elita e rinisë së Jerusalemit.
9. Pse duket diçka e sigurt që Danieli dhe tre shokët e tij kishin prindër që druanin Perëndinë?
9 Tregimi nuk na thotë se kush ishin prindërit e këtyre të rinjve. Megjithatë, duket diçka e sigurt që ata ishin individë të perëndishëm, të cilët i kishin marrë seriozisht përgjegjësitë e tyre prindërore. Duke marrë parasysh rënien morale dhe frymore që mbizotëronte në atë kohë në Jerusalem, sidomos mes ‘pasardhjes mbretërore dhe fisnikëve’, është e qartë se cilësitë e shkëlqyera që gjendeshin te Danieli dhe tre shokët e tij nuk ishin të rastësishme. As që ka nevojë të thuhet se kur kanë parë që po ua çonin fëmijët në një vend të largët, atyre prindërve duhet t’u ketë pikuar në zemër. Sa krenar do të ishin ata sikur ta dinin përfundimin! Sa e rëndësishme është që prindërit t’i rritin fëmijët «në disiplinën dhe rregullin mendor të Jehovait»!—Efesianëve 6:4.
BETEJË PËR MENDJEN
10. Çfarë u ishte mësuar të rinjve hebrenj dhe cili ishte qëllimi i kësaj?
10 Menjëherë, për mendjen e re të këtyre të mërguarve filloi një betejë. Për ta bërë të sigurt përpunimin e adoleshentëve hebrenj, me qëllim që t’i përshtateshin sistemit babilonas, Nabukodonosori dekretoi që zyrtarët e tij «t’u mësonin atyre shkrimin dhe gjuhën e kaldeasve». (Danieli 1:4) Ky nuk ishte një arsimim i zakonshëm. Një enciklopedi biblike (The International Standard Bible Encyclopedia) shpjegon se në të «përfshihej studimi i gjuhës sumeriane, akadiane, aramaike . . . dhe i gjuhëve të tjera, si dhe i literaturës së shumtë të shkruar në ato gjuhë». «Literatura e shumtë» konsistonte në historinë, matematikën, astronominë e kështu me radhë. Megjithatë, «tekstet fetare që kishin lidhje me to, bashkë me ominën [oguret] dhe astrologjinë . . . , luanin një rol të madh».
11. Cilat hapa u ndërmorën që të rinjtë hebrenj të asimiloheshin nga jeta oborrtare babilonase ?
11 Që këta të rinj hebrenj të adoptonin plotësisht zakonet dhe kulturën e jetës oborrtare babilonase, «mbreti u caktoi atyre një racion të përditshëm nga ushqimet e zgjedhura të mbretit dhe nga vera që pinte ai, po, që t’i ushqente për tre vjet, me qëllim që në fund të këtyre të qëndronin përpara mbretit». (Danieli 1:5) Veç kësaj, «zyrtari kryesor i oborrit u caktoi atyre emra. Kështu, Danielit i caktoi emrin Beltshazar; Hananisë, Shadrak; Mishaelit, Meshak dhe Azarisë, Abednego». (Danielit 1:7) Në kohët biblike, ishte një praktikë e zakonshme që një personi t’i vihej emër tjetër, i cili tregonte një ngjarje domethënëse që i kishte ndodhur në jetë. Për shembull, Jehovai i ndryshoi emrat e Abramit dhe të Sarajt në Abraham dhe Sara. (Zanafilla 17:5, 15, 16) Për një njeri, fakti që i ndryshonte emrin dikujt ishte dëshmi e qartë e autoritetit apo sundimit të tij. Kur Jozefi u bë administruesi i ushqimit të Egjiptit, faraoni i vuri emrin Cofnath-Paneah.—Zanafilla 41:44, 45; krahaso 2. Mbretërve 23:34; 24:17.
12, 13. Pse mund të thuhet se ndryshimi i emrave të të rinjve hebrenj ishte një orvatje për të sabotuar besimin e tyre?
12 Në rastin e Danielit dhe tre miqve të tij hebrenj, ndryshimet e emrave ishin domethënës. Emrat që u kishin vënë prindërit ishin në harmoni me adhurimin e Jehovait. «Daniel» do të thotë «Gjykatësi im është Perëndia». Domethënia e «Hanania» është «Jehovai ka treguar favor». Ka mundësi që «Mishael» të ketë domethënien «Kush është si Perëndia?» «Azaria» do të thotë «Jehovai ka ndihmuar». Pa dyshim, prindërit e tyre kishin shpresën e zjarrtë që bijtë e tyre të rriteshin nën udhëheqjen e Perëndisë Jehova, për t’u bërë shërbëtorë të tij besimplotë dhe besnikë.
13 Por, emrat e rinj që iu vunë katër hebrenjve ishin shumë të lidhur me ato të perëndive të rreme, gjë që jepte idenë se Perëndia i vërtetë ishte nënshtruar nga hyjni të tilla. Ç’orvatje tinëzare për të sabotuar besimin e këtyre të rinjve!
14. Çfarë kuptimi kanë emrat e rinj që iu vunë Danielit dhe tre shokëve të tij?
14 Emri i Danielit u ndryshua në Beltshazar, që do të thotë «Mbro jetën e mbretit». Me sa duket, kjo ishte një formë e shkurtuar e një lutjeje drejtuar Belit apo Mardukut, perëndisë kryesor të Babilonisë. Kishte apo jo dorë në zgjedhjen e këtij emri për Danielin, Nabukodonosori pohonte me krenari që ky emër ishte «sipas emrit të perëndisë së [tij]». (Danieli 4:8) Hananisë iu vu emri Shadrak, për të cilin disa autoritete në këtë fushë mendojnë se është një emër i përbërë, i cili do të thotë «Urdhër i Akut». Interesant që Aku ishte emri i një perëndie sumeriane. Mishaelit iu vu emri Meshak (ndoshta Mishaaku), me sa duket një shtrembërim i zgjuar i «Kush është si Perëndia?» në «Kush është çfarë Aku është?». Emri babilonas i Azarisë ishte Abednego, i cili ndoshta do të thotë «Shërbëtor i Negos». Edhe Nego është një variant i «Nebo», emri i një hyjnie sipas të cilit iu vu emri edhe disa sundimtarëve babilonas.
TË VENDOSUR PËR T’I QËNDRUAR BESNIKË JEHOVAIT
15, 16. Cilat rreziqe hasën Danieli dhe shokët e tij dhe cili qe reagimi i tyre?
15 Emrat babilonas, programi i riarsimimit dhe ushqimi i veçantë ishin të gjitha një orvatje që Danieli dhe tre shokët e tij hebrenj jo vetëm të asimiloheshin nga mënyra babilonase e të jetuarit, por edhe që t’i largonin nga Perëndia i tyre, Jehovai, si dhe nga stërvitja dhe prejardhja fetare. Çfarë do të bënin këta të rinj, përballë gjithë këtij presioni dhe tundimi?
16 Tregimi i frymëzuar thotë: «Danieli vendosi në zemrën e tij se nuk do të ndotej me ushqimet e zgjedhura të mbretit dhe me verën që pinte ai.» (Danieli 1:8a) Megjithëse i vetmi që përmendet me emër është Danieli, nga vijimi i tregimit kuptohet se tre shokët e tij e mbështetën vendimin e Danielit. Fjalët «vendosi në zemrën e tij» tregojnë se mësimi që i kishin dhënë prindërit dhe të tjerët kur ishte në vendin e vet, kishin arritur zemrën e Danielit. Pa dyshim që një stërvitje e ngjashme i udhëhoqi edhe të tre hebrenjtë e tjerë për marrjen e vendimit. Kjo ilustron shumë mirë vlerën e mësimit që u japim fëmijëve tanë, madje edhe kur mund të duken tepër të vegjël për të kuptuar.—Proverbat 22:6; 2. Timoteut 3:14, 15.
17. Pse Danieli dhe tre shokët e tij kundërshtuan vetëm për ushqimin e përditshëm të mbretit dhe jo për masat e tjera?
17 Pse hebrenjtë e rinj kundërshtuan vetëm për ushqimet e zgjedhura dhe për verën, por jo për masat e tjera? Arsyetimi i Danielit tregon qartë se përse: «Ai nuk do të ndotej.» Fakti që do të mësonin «shkrimin dhe gjuhën e kaldeasve», si dhe që iu vu një emër babilonas, sado që kjo mund të ishte e padëshirueshme, nuk do ta ndotte medoemos dikë. Shqyrto shembullin e Moisiut, afërsisht 1.000 vjet para kësaj. Megjithëse ishte «mësuar në gjithë mençurinë e egjiptianëve», ai i mbeti besnik Jehovait. Edukimi prej prindërve i kishte dhënë një themel të qëndrueshëm. Për pasojë, «me anë të besimit Moisiu, kur ishte rritur, refuzoi të quhej i biri i bijës së Faraonit, duke zgjedhur të keqtrajtohej me popullin e Perëndisë, në vend se të kishte gëzimin e përkohshëm të mëkatit».—Veprat 7:22; Hebrenjve 11:24, 25.
18. Në ç’mënyrë do t’i ndotte të rinjtë hebrenj ushqimi i mbretit?
18 Në ç’mënyrë do të ndoteshin tre të rinjtë nga ushqimet e mbretit? Së pari, ushqimet e zgjedhura mund të përfshinin ushqime të ndaluara nga Ligji i Moisiut. Për shembull, babilonasit hanin kafshë të papastra, që për izraelitët nën Ligj ishin të ndaluara. (Levitiku 11:1-31; 20:24-26; Ligji i përtërirë 14:3-20) Së dyti, babilonasit nuk e kishin zakon t’ua hiqnin gjakun kafshëve të therura, para se t’i hanin. Të haje mish pa i hequr gjakun, do të ishte një dhunim i drejtpërdrejtë i ligjit të Jehovait mbi gjakun. (Zanafilla 9:1, 3, 4; Levitiku 17:10-12; Ligji i përtërirë 12:23-25) Së treti, adhuruesit e perëndive të rreme e kishin zakon që përpara se të hanin si bashkësi, ua ofronin ushqimin idhujve. Shërbëtorët e Jehovait nuk do të bënin kurrë asnjërën prej këtyre! (Krahaso 1. Korintasve 10:20-22.) Së fundi, të jepeshe çdo ditë pas ushqimit të yndyrshëm dhe pijeve të forta, vështirë të ishte diçka e shëndetshme për njerëzit e çdo moshe dhe jo më për të rinjtë.
19. Si mund të ndiheshin të justifikuar të rinjtë hebrenj, por ç’gjë i ndihmoi të arrinin në përfundimin e drejtë?
19 Një gjë është të dish ç’të bësh, por është krejt tjetër të kesh kurajën për ta bërë kur je nën presion ose tundim. Danieli dhe tre miqtë e tij mund të arsyetonin se meqenëse ndodheshin shumë larg prindërve dhe miqve, këta as që kishin për ta marrë vesh se çfarë kishin bërë. Mund edhe të justifikoheshin duke menduar se ky ishte urdhër i mbretit dhe dukej se nuk kishte alternativë tjetër. Veç kësaj, pa dyshim që të rinj të tjerë i pranuan me gatishmëri masat e marra dhe pjesëmarrjen në to e konsideruan privilegj në vend se një mundim. Por një mënyrë e tillë e gabuar të menduari mund t’i çonte lehtë në kurthin e mëkatit të fshehtë, që është një grackë për shumë të rinj. Të rinjtë hebrenj e dinin se «sytë e Jehovait janë në çdo vend» dhe se «vetë Perëndia i vërtetë do të sjellë në gjyq çdo lloj vepre në lidhje me çdo gjë të fshehur, e mirë apo e keqe qoftë ajo». (Proverbat 15:3; Eklisiastiu 12:14) Të gjithë ne le të nxjerrim mësim nga rruga që ndoqën këta të rinj besimplotë.
GUXIMI DHE KËMBËNGULJA U SHPËRBLYEN
20, 21. Cilin veprim ndërmori Danieli dhe me çfarë rezultati?
20 Meqenëse vendosi në zemër që t’u rezistonte influencave korruptuese, Danieli vazhdoi të vepronte në harmoni me vendimin e tij. «Ai vazhdoi të kërkonte nga zyrtari kryesor i oborrit të mos ndotej.» (Danieli 1:8b) «Vazhdoi të kërkonte»: kjo është një shprehje që ia vlen t’i kushtohet vëmendje. Shumë shpesh, nëse shpresojmë të kemi sukses në betejën kundër tundimeve ose në kapërcimin e disa dobësive, nevojiten përpjekje ngulmuese.—Galatasve 6:9.
21 Në rastin e Danielit, këmbëngulja u shpërblye. «Për këtë, Perëndia i vërtetë bëri që te Danieli të gjendej dashamirësi e dashur dhe mëshirë përpara zyrtarit kryesor të oborrit.» (Danieli 1:9) Në fund, për Danielin dhe shokët e tij gjërat dolën për mirë, por jo sepse ishin të pashëm dhe inteligjentë. Përkundrazi, shkaku ishte bekimi i Jehovait. Pa dyshim që Danieli e mbante mend proverbin hebraik: «Beso në Jehovain me gjithë zemrën tënde dhe mos u mbështet në kuptueshmërinë tënde. Merre parasysh në të gjitha rrugët e tua dhe ai vetë do t’i bëjë të drejta shtigjet e tua.» (Proverbat 3:5, 6) Ndjekja e kësaj këshille qe vërtet shpërblyese.
22. Cilin kundërshtim të përligjur ngriti zyrtari i oborrit?
22 Në fillim, zyrtari kryesor i oborrit kundërshtoi: «Kam frikë nga zotëria dhe mbreti im, i cili ka caktuar ushqimin dhe pijen tuaj. Pse, pra, duhet të shohë ai fytyrat tuaja të hequra në krahasim me fëmijët që kanë të njëjtën moshë me ju dhe pse duhet ta bëni fajtore kokën time ndaj mbretit?» (Danieli 1:10) Kundërshtimi dhe frika e tij ishin të përligjura. Mbreti Nabukodonosor nuk ishte nga ata që mund t’i thoje «jo» dhe ky zyrtar e kuptonte se po të dilte kundër udhëzimeve të mbretit, do ta vinte «kokën» në rrezik. Ç’do të bënte Danieli?
23. Si tregoi Danieli mendjehollësi dhe mençuri me anë të rrugës që ndoqi?
23 Këtu hynin në punë mendjehollësia dhe mençuria. Ndoshta Danieli i ri e kujtonte proverbin: «Një përgjigje, kur është e butë, e kthen prapa tërbimin, por një fjalë që shkakton dhembje bën që të rritet zemërimi.» (Proverbat 15:1) Në vend se të këmbëngulte me kokëfortësi që t’i plotësohej kërkesa, ndoshta duke i provokuar kështu të tjerët që ta martirizonin, Danieli e la këtë çështje në heshtje. Në kohën e duhur, ai iu afrua «rojtarit», i cili ndoshta ishte më i gatshëm të bënte lëshime, sepse nuk i jepte drejtpërdrejt llogari mbretit.—Danieli 1:11.
PROPOZOHET NJË PROVË DHJETËDITËSHE
24. Cilën provë propozoi Danieli?
24 Danieli i propozoi rojtarit që ta vinte në provë, duke i thënë: «Të lutem, vëri në provë shërbëtorët e tu për dhjetë ditë dhe le të na japin disa perime që të hamë dhe ujë që të pimë; dhe le të paraqiten para teje çehrja jonë dhe çehrja e fëmijëve që hanë ushqimet e zgjedhura të mbretit dhe vepro me shërbëtorët e tu sipas asaj që sheh.»—Danieli 1:12, 13.
25. Çfarë ka mundësi të përfshihej në «perimet» që iu dhanë Danielit dhe tre miqve të tij?
25 Pas dhjetë ditësh me ‘perime dhe ujë’, a do t’i kishin «fytyrat të hequra» në krahasim me të tjerët? «Perime» është përkthyer nga një fjalë hebraike që kryesisht do të thotë «farëra». Në disa Bibla ajo është përkthyer si «perime bishtajore», të cilat përkufizohen si «farërat e ngrënshme të bishtajoreve të ndryshme (si bizelet, bathët ose thjerrëzat)». Disa studiues mendojnë se konteksti tregon që është fjala për një ushqim, i cili përfshin më shumë sesa thjesht farëra të ngrënshme. Një vepër referimi pohon: «Ajo që kërkonte Danieli dhe shokët e tij ishte ushqimi i thjeshtë me perime që hante populli, në vend të ushqimit më të yndyrshëm dhe me mish të tryezës mbretërore.» Kështu, perimet mund të përfshinin gjellë ushqyese të përgatitura me bathë, kastravecë, hudhra, presh, thjerrëza, pjepër, qepë dhe bukë të bërë me drithëra të ndryshme. Sigurisht që askush nuk do ta konsideronte këtë një ushqim të pamjaftueshëm. Me sa duket rojtari e kuptoi këtë. «Më në fund, ai i dëgjoi në lidhje me këtë gjë dhe i vuri në provë për dhjetë ditë.» (Danieli 1:14) Cili qe rezultati?
26. Cili ishte rezultati i provës dhjetëditshe dhe pse doli i tillë?
26 «Në fund të dhjetë ditëve, çehrja e tyre u paraqit më e mirë dhe më e mbushur në mish sesa ajo e të gjithë fëmijëve që hanin ushqimet e zgjedhura të mbretit.» (Danieli 1:15) Kjo nuk duhet marrë si provë se ushqimi pa mish qëndron më lart se një ushqim më i pasur me mish. Për çdo lloj ushqimi, dhjetë ditë janë një periudhë e shkurtër për të dhënë rezultate të dukshme, por jo tepër e shkurtër për Jehovain, që të përmbushë qëllimin e vet. «Bekimi i Jehovait, ky është që të bën të pasur dhe ai [Jehovai] nuk shton me të asnjë dhembje»,—thuhet në Fjalën e tij. (Proverbat 10:22) Katër të rinjtë hebrenj besuan te Jehovai dhe ai nuk i braktisi. Shekuj më vonë, Jezu Krishti mbijetoi pa ushqim për 40 ditë. Në lidhje me këtë, ai citoi fjalët që gjenden në Ligjin e përtërirë 8:3, ku lexojmë: «Njeriu nuk rron vetëm me bukë, por njeriu rron me çdo shprehje të gojës së Jehovait.» Përvoja e Danielit dhe e miqve të tij është shembull klasik i kësaj.
MENDJEHOLLËSI DHE MENÇURI NË VEND TË USHQIMEVE TË ZGJEDHURA DHE TË VERËS
27, 28. Në ç’mënyra regjimi të cilit iu nënshtruan Danieli dhe tre miqtë e tij ishte një përgatitje për gjëra më të mëdha që i pritnin?
27 Dhjetë ditët ishin vetëm një provë, por rezultatet ishin shumë bindëse. «Kështu, rojtari vazhdoi të hiqte ushqimet e tyre të zgjedhura dhe verën që duhej të pinin dhe t’u jepte perime.» (Danieli 1:16) Nuk është e vështirë ta imagjinosh se çfarë mendonin për Danielin dhe shokët e tij të rinjtë e tjerë që merrnin pjesë në programin e stërvitjes. Atyre mund t’u jetë dukur një marrëzi e madhe të refuzoje çdo ditë gostinë e mbretit për perime. Por në horizont po dukeshin prova dhe sprova të mëdha, të cilat do të kërkonin nga të rinjtë hebrenj gjithë vigjilencën dhe maturinë që mund të zotëronin. Mbi të gjitha, ishte besimi i tyre te Jehovai ai që do t’i ndihmonte të përballonin sprovat e besimit.—Krahaso Josiun 1:7.
28 Dëshmia se Jehovai ishte me këta të rinj mund të shihet nga ajo që thuhet më pas: «Dhe sa për këta fëmijë, që të katërve, Perëndia i vërtetë u dha njohuri e mendjehollësi për të gjithë shkrimin dhe mençurinë; dhe vetë Danieli pati kuptueshmëri në të gjitha llojet e vizioneve dhe të ëndrrave.» (Danieli 1:17) Për të përballuar kohët e vështira që po vinin, ata kishin nevojë për diçka më shumë sesa forca fizike dhe shëndeti i mirë. «Kur mençuria të hyjë në zemrën tënde dhe vetë njohuria të bëhet e këndshme për shpirtin tënd, vetë aftësia e të menduarit do të vigjilojë mbi ty, vetë aftësia shquese do të të mbrojë, për të të çliruar nga udha e keqe.» (Proverbat 2:10-12) Pikërisht kjo ishte ajo që u dha Jehovai katër të rinjve besimplotë, që t’i pajiste për çfarë i priste.
29. Pse Danieli qe në gjendje të ‘kuptonte çdo lloj vizioni dhe ëndrre’?
29 U tha se Danieli «pati kuptueshmëri në të gjitha llojet e vizioneve dhe të ëndrrave». Kjo nuk ka kuptimin që ai u bë fallxhor. Interesant që, megjithëse konsiderohet si një prej profetëve më të mëdhenj hebrenj, Danieli nuk u frymëzua kurrë për të bërë deklarata të tilla, si «kjo është ajo që ka thënë Zotëria Sovran Jehova» ose «kjo është ajo që ka thënë Jehovai i ushtrive». (Isaia 28:16; Jeremia 6:9) Por megjithatë, vetëm nën udhëheqjen e frymës së shenjtë të Perëndisë, Danieli qe në gjendje të kuptonte dhe të interpretonte vizionet dhe ëndrrat, të cilat zbulonin qëllimin e Jehovait.
SË FUNDI, PROVA KRITIKE
30, 31. Si doli në dobi të Danielit dhe të shokëve të tij rruga që zgjodhën ata vetë?
30 Tre vjetët e riarsimimit dhe të stërvitjes mbaruan. Pastaj i erdhi radha provës kritike: bisedë personale me mbretin. «Në fund të ditëve që mbreti kishte thënë t’i paraqitnin, zyrtari kryesor i oborrit i paraqiti përpara Nabukodonosorit.» (Danieli 1:18) Erdhi koha që katër të rinjtë të jepnin llogari për veten. A do të dilte në dobi të tyre besnikëria ndaj ligjeve të Jehovait, në vend se dorëzimi para zakoneve babilonase?
31 «Mbreti filloi të fliste me ta dhe nga të gjithë ata nuk u gjet asnjë si Danieli, Hanania, Mishaeli dhe Azaria; dhe ata vazhduan të qëndronin përpara mbretit.» (Danieli 1:19) Ç’shfajësim i plotë i mënyrës se si kishin vepruar gjatë tre vjetëve të mëparshëm! Respektimi i një regjimi të diktuar nga besimi dhe ndërgjegjja e tyre nuk kishte qenë një çmenduri. Duke qenë besnikë në atë që mund të jetë dukur më e vogla, Danieli dhe miqtë e tij u bekuan me gjëra më të mëdha. Privilegji për të «qëndruar përpara mbretit» ishte objektivi që kërkonin të arrinin të gjithë të rinjtë në programin e stërvitjes. Bibla nuk thotë nëse katër të rinjtë hebrenj ishin të vetmit që u zgjodhën. Sidoqoftë, rruga besimplotë që ndoqën ata, u solli me të vërtetë «një shpërblim të madh».—Psalmi 19:11.
32. Pse mund të thuhet se Danieli, Hanania, Mishaeli dhe Azaria gëzuan një privilegj më të madh sesa ai që të ishin në oborrin e mbretit?
32 «A ke parë një njeri të aftë në punën e tij? Ai do të vendoset përpara mbretërve»,—thonë Shkrimet. (Proverbat 22:29) Kështu, Nabukodonosori i zgjodhi Danielin, Hananian, Mishaelin dhe Azarian që të qëndronin përpara mbretit, domethënë të ishin pjesë e oborrit mbretëror. Në gjithë këtë ngjarje, ne mund të shohim dorën e Jehovait, i cili i manovronte punët në një mënyrë të tillë që nëpërmjet këtyre të rinjve, sidomos nëpërmjet Danielit, të bëheshin të njohura aspekte të rëndësishme të qëllimit hyjnor. Ndonëse ishte një nder të zgjidheshe pjesë e oborrit mbretëror të Nabukodonosorit, një nder shumë më i madh ishte të përdoreshe në një mënyrë kaq të mrekullueshme nga Mbreti Universal, Jehovai.
33, 34. (a) Pse mbretit i bënë përshtypje të rinjtë hebrenj? (b) Çfarë mësimi mund të nxjerrim nga përvoja e katër hebrenjve?
33 Shpejt, Nabukodonosori zbuloi se mençuria dhe mendjehollësia që u kishte dhënë Jehovai katër të rinjve hebrenj ishte shumë më e lartë se ajo që zotëronin të gjithë këshilltarët dhe të mençurit e oborrit të tij. «Për sa i përket çdo çështjeje mençurie dhe kuptueshmërie, për të cilat i pyeste mbreti, ai arriti madje t’i gjente dhjetë herë më të mirë sesa të gjithë priftërinjtë që praktikonin magjinë dhe se magjistarët që ndodheshin në të gjithë sferën e tij mbretërore.» (Danieli 1:20) E si mund të ishte ndryshe? «Priftërinjtë që praktikonin magjinë» dhe «magjistarët» mbështeteshin te mësimet tokësore dhe bestytnore të Babilonisë, ndërsa Danieli dhe miqtë e tij patën besim te mençuria nga lart. Ato as mund të krahasoheshin, as mund të konkurronin!
34 Në rrjedhën e epokave, gjërat në fakt nuk kanë ndryshuar shumë. Në shekullin e parë të e.s., kur në modë ishin filozofia greke dhe ligji romak, apostulli Pavël u frymëzua të shkruante: «Mençuria e kësaj bote është marrëzi para Perëndisë, sepse është shkruar: ‘Ai i zë të mençurit në vetë dinakërinë e tyre.’ Dhe përsëri: ‘Jehovai e di se arsyetimet e të mençurve janë të kota.’ Prandaj, askush të mos mburret në njerëzit.» (1. Korintasve 3:19-21) Sot, ne duhet të mbahemi fort pas asaj që na ka mësuar Jehovai dhe të mos lëkundemi lehtësisht nga magjepsja dhe vezullimi i botës.—1. Gjonit 2:15-17.
BESIMPLOTË DERI NË FUND
35. Sa flitet për tre shokët e Danielit?
35 Besimi i fortë i Hananisë, Mishaelit dhe Azarisë ilustrohet në mënyrë dramatike në kapitullin 3 të Danielit, në lidhje me shëmbëlltyrën e artë të Nabukodonosorit në rrafshinën e Durës dhe me sprovën e furrës së zjarrtë. S’ka dyshim që këta hebrenj, të cilët druanin Perëndinë, qëndruan deri në vdekje me besim të plotë te Jehovai. Këtë e dimë sepse kur apostulli Pavël shkroi për ata që «me anë të besimit . . . i rezistuan forcës së zjarrit», pa dyshim që e kishte fjalën për ta. (Hebrenjve 11:33, 34) Ata janë shembuj të shkëlqyer besimi për shërbëtorët e Jehovait, të rinj a të vjetër qofshin.
36. Çfarë karriere të shkëlqyer pati Danieli?
36 Sa për Danielin, vargu i fundit i kapitullit të parë thotë: «Danieli qëndroi deri në vitin e parë të mbretit Kir.» Historia zbulon se Kiri e pushtoi Babiloninë brenda një nate, në vitin 539 p.e.s. Duket se për shkak të famës dhe shtatit të tij, Danieli vazhdoi të shërbente në oborrin e Kirit. Në fakt, në Danielin 10:1 na thuhet se «në vitin e tretë të Kirit, mbretit të Persisë», Jehovai i zbuloi Danielit një gjë të jashtëzakonshme. Nëse kur e çuan në Babiloni në vitin 617 p.e.s. Danieli ishte adoleshent, kur mori këtë vizion të fundit Danieli duhet të ketë qenë afërsisht 100 vjeç. Ç’karrierë e gjatë dhe e bekuar shërbimi besimplotë ndaj Jehovait!
37. Cilat mësime mund të nxjerrim nga shqyrtimi i kapitullit 1 të Danielit?
37 Kapitulli që hap librin e Danielit na tregon diçka më shumë sesa një histori për katër të rinj besimplotë që përballuan me sukses disa sprova besimi. Ai na tregon se si Jehovai mund të përdorë kë të dojë për të përmbushur qëllimin e tij. Tregimi provon se nëse lejohet nga Jehovai, ajo që ndoshta duket e mundimshme, mund t’i shërbejë një qëllimi të dobishëm. Gjithashtu, na tregon se besnikëria në gjëra të vogla sjell shpërblim të madh.
ÇFARË KE KUPTUAR?
• Ç’mund të thuhet për prejardhjen e Danielit dhe të tre shokëve të tij?
• Si u vu në provë edukimi i shkëlqyer i katër të rinjve hebrenj në Babiloni?
• Si i shpërbleu Jehovai katër hebrenjtë për qëndrimin e tyre të guximshëm?
• Çfarë mësimesh mund të nxjerrin shërbëtorët e Jehovait në ditët e sotme nga Danieli dhe tre shokët e tij?
[Figura që zë gjithë faqen 30]