Një mbret përdhos shenjtëroren e Jehovait
«Populli i atyre që njohin Perëndinë e tyre do të tregojë qëndresë dhe do të veprojë.»—DANIELI 11:32.
1, 2. Cili konflikt dramatik ka karakterizuar historinë njerëzore prej më shumë se 2.000 vitesh?
DY MBRETËR janë mbërthyer në një luftë për jetë a vdekje me njëri-tjetrin. Gjatë dy mijë vjetëve që beteja shkon përpara, herë ngrihet njëri e herë tjetri. Në ditët tona lufta ka ndikuar shumë njerëz mbi tokë dhe ka sfiduar edhe integritetin e popullit të Jehovait. Fundi i saj do të jetë një ngjarje e paparishikuar prej të dyja fuqive. Kjo histori dramatike iu zbulua që më parë profetit të lashtë, Danielit.—Danieli, kapitujt 10 deri 12.
2 Profecia ka të bëjë me armiqësinë e pashtershme midis mbretit të veriut dhe mbretit të jugut dhe është trajtuar hollësisht në librin «U bëftë vullneti yt mbi tokë».a Në atë libër tregohet se mbreti i veriut fillimisht ishte Siria, në veri të Izraelit. Më pas, ky rol u luajt nga Roma. Sa për mbretin e jugut, fillimisht ai ishte Egjipti.
Konflikt në kohën e fundit
3. Sipas engjëllit, kur do të kuptoheshin profecitë mbi mbretin e veriut dhe mbretin e jugut dhe si?
3 Engjëlli që i zbuloi këto gjëra Danielit tha: «Por ti, Daniel, mbaji të fshehura këto fjalë dhe vulose librin deri në kohën e mbarimit; shumë njerëz do ta shfletojnë dhe dituria do të shtohet.» (Danieli 12:4) Po, profecia kishte të bënte me kohën e fundit—periudhë që filloi në 1914-ën. Gjatë asaj kohe domethënëse, shumë veta ‘do të shfletonin’ Shkrimet e Shenjta dhe me ndihmën e frymës së shenjtë dituria e vërtetë, duke përfshirë edhe kuptueshmërinë e profecive të Biblës, do të shtohej. (Proverbat 4:18) Ndërsa shkojmë gjithnjë e më thellë në këtë kohë, gjithnjë e më shumë hollësi të profecive të Danielit qartësohen. Si duhet ta kuptojmë, pra, profecinë e mbretit të veriut dhe mbretit të jugut në 1993-shin, 35 vjet pas botimit të librit «U bëftë vullneti yt mbi tokë»?
4, 5. (a) Ku është përcaktuar viti 1914 në profecinë e Danielit mbi mbretin e veriut dhe të jugut? (b) Sipas engjëllit, çfarë do të ndodhte në 1914-ën?
4 Fillimi i kohës së fundit në 1914-ën, pati si shenjë Luftën e Parë Botërore dhe shqetësime të tjera botërore të parathëna nga Jezui. (Mateu 24:3, 7, 8) A mund ta përcaktojmë atë vit në profecinë e Danielit? Po. Fillimi i kohës së fundit është «koha e caktuar» që gjejmë në Danielin 11:29. (Shiko «U bëftë vullneti yt mbi tokë», faqe 269-270.) Ishte një kohë që ishte caktuar tashmë prej Jehovait në ditët e Danielit, pasi lidhet edhe me përfundimin e 2.520 viteve që tregohen prej ngjarjeve domethënëse profetike të kapitullit 4 të Danielit.
5 Ato 2.520 vite, prej shkatërrimit të Jeruzalemit në 607-ën p.e.s. gjatë rinisë së Danielit, deri në 1914 e.s. janë quajtur «kohët e caktuara të kombeve». (Luka 21:24) Cilat ngjarje politike do të karakterizonin fundin e tyre? Një engjëll ia zbuloi këtë Danielit. Engjëlli tha: «Në kohën e caktuar ai [mbreti i veriut] do të dalë përsëri kundër jugut, por këtë herë të fundit puna nuk do t’i vejë mbarë si herën e parë.»—Danieli 11:29.
Mbreti humb një luftë
6. Në 1914-ën, kush ishte mbreti i veriut dhe kush mbreti i jugut?
6 Prej 1914-ës rolin e mbretit të veriut e kishte marrë Gjermania, udhëheqësi i së cilës ishte Kaizeri Vilhelm («Kaizer», nga titulli romak «Caesar».) Shpërthimi i veprimeve luftarake në Evropë, ishte megjithatë, një tjetër seri në ballafaqimin midis mbretit të veriut dhe mbretit të jugut. Rolin e këtij të fundit, mbretit të jugut, e kish zënë tani Britania, e cila pushtoi shpejt Egjiptin, zotërim i mbretit të parë të jugut. Ndërsa lufta vazhdonte, Britania u lidh me ish-koloninë e saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mbreti i jugut u bë fuqia botërore anglo-amerikane, perandoria më e fuqishme e historisë.
7, 8. (a) Në Luftën e Parë Botërore, në ç’mënyrë gjërat nuk do të shkonin më ‘si herën e parë’? (b) Cili ishte rezultati i Luftës së Parë, por si reagoi mbreti i veriut në bazë të profecisë?
7 Në konfliktet e mëparshme midis dy mbretërve, Perandoria Romake, si mbret i veriut, kishte dalë vazhdimisht fitimtare. Kësaj radhe «puna nuk do t’i vejë mbarë si herën e parë». Përse? Një arsye është sepse «anijet e Kitimit» dolën kundër mbretit të veriut. (Danieli 11:30) Cilat ishin këto anije? Në kohën e Danielit, Kitimi ishte Qiproja dhe në fillim të Luftës së Parë Botërore, Qiproja u aneksua nga Britania. Për më tepër, sipas një enciklopedie emri Kitim «përfshinte si shtrirje P[erëndimin] në përgjithësi, por veç[anërisht] P[erëndimin] bregdetar». (The Zondervan Encyclopedia of the Bible) Versioni i Ri Ndërkombëtar e bën shprehjen «anijet e Kitimit» si «anijet e vendeve bregdetare perëndimore». Në Luftën e Parë anijet e Kitimit dolën se ishin anijet e Britanisë, të shtrira përgjatë bregut perëndimor të Evropës. Më vonë, Marina Britanike u forcua nga anijet prej kontinentit perëndimor të Amerikës Veriore.
8 Për shkak të këtij sulmi, mbreti i veriut ‘u tremb’ dhe pranoi humbjen në 1918-ën. Por nuk kishte marrë fund. «Do të zemërohet përsëri kundër besëlidhjes së shenjtë dhe do të zbatojë planet e tij; kështu përsëri do të merret vesh me ata që kanë braktisur besëlidhjen e shenjtë.» (Danieli 11:30) Kështu profetizoi engjëlli dhe kështu ndodhi.
Mbreti zbaton planet e tij
9. Çfarë gjëje çoi deri në ngritjen e Adolf Hitlerit dhe si i «zbatoi ai planet e tij»?
9 Pas luftës, në 1918-ën, aleatët fitimtarë i imponuan Gjermanisë një traktat paqeje ndëshkues, i shfaqur në dukje si për të ruajtur në një të ardhme të pacaktuar popullin gjerman prej vuajtjeve të urisë. Si rrjedhojë, pasi iu morën këmbët për disa vite në vështirësi të mëdha, Gjermania ishte gati për ngritjen e Adolf Hitlerit. Ai mori fuqi absolute në 1933-shin dhe lëshoi menjëherë një sulm të egër kundër «besëlidhjes së shenjtë», të përfaqësuar nga vëllezërit e mirosur të Jezu Krishtit. Në këtë mënyrë ai zbatoi planet e tij kundër të krishterëve besnikë, duke persekutuar mizorisht shumë prej tyre.
10. Duke kërkuar ndihmë, me kë u lidh Hitleri dhe me çfarë rezultati?
10 Hitleri pati një sukses ekonomik dhe diplomatik, duke zbatuar edhe në këto fusha planet e tij. Brenda pak viteve, ai e bëri Gjermaninë një fuqi të respektueshme, duke pasur në këtë orvatje ndihmën e atyre «që kanë braktisur besëlidhjen e shenjtë». Cilët ishin ata? Është e qartë, krerët e krishterimit, të cilët pohonin se ishin në besëlidhje me Perëndinë, por prej kohësh nuk ishin më dishepuj të Jezu Krishtit. Hitleri pati sukses në thirrjen që u bëri për mbështetje atyre «që kanë braktisur besëlidhjen e shenjtë». Papa i Romës bëri një pakt me të dhe Kisha Katolike e Romës, si edhe kishat protestante në Gjermani, e mbështetën Hitlerin gjatë 12 vjetëve që ai mbretëroi me terror.
11. Si e «përdhosi shenjtëroren» mbreti i veriut dhe si ‘e ndaloi flijimin e përditshëm’?
11 Aq i suksesshëm ishte Hitleri, saqë ia filloi luftës, ashtu siç kishte profetizuar edhe engjëlli. «Forca të dërguara prej tij do të ngrihen për të përdhosur shenjtëroren fortesë, do të ndalojnë flijimin e përditshëm.» (Danieli 11:31a) Në Izraelin e lashtë, shenjtërorja ishte pjesë e tempullit në Jeruzalem. Megjithatë, kur hebrenjtë e hodhën Jezuin, Jehovai i hodhi ata dhe tempullin e tyre. (Mateu 23:37-24:2) Që në shekullin e parë, tempulli i Jehovait në të vërtetë ishte bërë frymor, me shumë të shenjtin në qiej dhe me një oborr frymor mbi tokë, në të cilin shërbejnë vëllezërit e Jezuit, Kryepriftit. Që prej 1930-ës, shumica e madhe e kishte adhuruar së bashku me mbetjen e mirosur; prandaj thuhet se ata shërbejnë ‘në tempullin e Perëndisë’. (Zbulesa 7:9, 15; 11:1, 2; Hebrenjve 9:11, 12, 24) Oborri tokësor i tempullit u përdhos nga persekutimi i pamëshirshëm i mbetjes së mirosur dhe i shokëve të tyre në vendet ku sundonte mbreti i veriut. Aq i ashpër ishte persekutimi, saqë flijimi i vazhdueshëm—sakrifica publike e lavdisë për emrin e Jehovait—u hoq. (Hebrenjve 13:15) E megjithatë, historia tregon se pavarësisht nga vuajtjet e tmerrshme, të krishterët besnik të mirosur, bashkë me «delet e tjera», vazhduan predikimin fshehurazi.—Gjoni 10:16.
«Gjëja e neveritshme»
12, 13. Çfarë ishte «gjëja e neveritshme»; kur dhe si u rivendos ajo, siç kishte parashikuar edhe skllavi besnik dhe i matur?
12 Ndërsa fundi i Luftës së Dytë Botërore po afrohej, ndodhi një zhvillim tjetër. «Ata do të vendosin me siguri gjënë e neveritshme që shkakton shkretim.» (Danieli 11:31b, BR) Kjo gjë e neveritshme, të cilën e përmendi edhe Jezui, ishte bërë tashmë e njohur si Lidhja e Kombeve, bisha e egër me ngjyrë të purpurt që sipas Zbulesës shkoi në humnerë. (Mateu 24:15; Zbulesa 17:8; shiko Light, libri i dytë, faqe 94, angl.) Kjo ndodhi kur shpërtheu Lufta e Dytë Botërore. Megjithatë, në asamblenë teokratike Bota e Re të Dëshmitarëve të Jehovait në 1942, Nathan H. Knorr, presidenti i tretë i Shoqatës Watch Tower Bible and Tract, trajtoi profecinë e Zbulesës 17 dhe paralajmëroi se bisha do të ngrihej prapë nga humnera.
13 Historia konfirmoi vërtetësinë e këtyre fjalëve. Midis gushtit dhe tetorit 1944, në Dumbarton Oaks të Shteteve të Bashkuara filloi puna për statutin e asaj që do të quhej Kombet e Bashkuara. Statuti u pranua nga 51 kombe, duke përfshirë edhe ish-Bashkimin Sovjetik dhe kur ky statut erdhi në fuqi në 24 tetor 1945, e ndjera Lidhje e Kombeve në fakt doli prej humnerës.
14 Kur dhe si ndryshoi identiteti i mbretit të veriut?
14 Gjermania kishte qenë armiku kryesor i mbretit të jugut në të dyja luftërat botërore. Pas Luftës së Dytë, një pjesë e Gjermanisë u lidh në aleancë me mbretin e jugut. Por pjesa tjetër e Gjermanisë u lidh tani me një tjetër perandori të fuqishme. Blloku komunist, në të cilin tani përfshihej edhe një pjesë e Gjermanisë, u ngrit në një opozitë të fortë kundër aleancës anglo-amerikane dhe rivaliteti midis dy mbretërve u shndërrua në një Luftë të Ftohtë.—Shiko «U bëftë vullneti yt mbi tokë», faqe 268-284.
Mbreti dhe besëlidhja
15. Cilët janë «ata që veprojnë pabesisht kundër besëlidhjes» dhe çfarë lidhje kishin ata me mbretin e veriut?
15 Engjëlli tani tha: «Me lajka ai do të korruptojë ata që veprojnë pabesisht kundër besëlidhjes.» (Danieli 11:32a) Cilët janë ata që veprojnë pabesisht kundër besëlidhjes? Përsëri, ata nuk mund të jenë tjetër veç krerëve të krishterimit, që pohojnë se janë të krishterë, por me veprimet e tyre përdhosin emrin e vërtetë të krishterimit. Gjatë Luftës së Dytë Botërore «qeveria sovjetike bëri përpjekje për të siguruar ndihmën materiale dhe morale të kishave për mbrojtjen e tokës mëmë». (Religion in the Soviet Union, nga Valter Kolarc) Pas Luftës, krerët e kishave u përpoqën ta mbanin këtë miqësi, edhe pse fuqia që ishte bërë tashmë mbret i veriut ndoqi një politikë ateiste.b Prandaj, krishterimi u bë më shumë se kurrë pjesë e kësaj bote—një apostazi e neveritshme në sy të Jehovait.—Gjoni 17:14; Jakovit 4:4.
16, 17. Cilët janë ata që «kanë dituri» dhe si gjendeshin ata nën mbretin e veriut?
16 Por, ç’mund të themi për të krishterët e vërtetë? «Por populli i atyre që njohin Perëndinë e tyre do të tregojë qëndresë dhe do të veprojë. Ata që kanë dituri midis popullit do të udhëzojnë shumë të tjerë, por për një kohë të shkurtër do të bien nga shpata, nga zjarri, nga mërgimi dhe nga plaçkitja.» (Danieli 11:32b, 33) Të krishterët që jetonin nën mbretin e veriut, edhe pse ‘të nënshtruar ndaj autoriteteve më të larta’, nuk u bënë pjesë e kësaj bote. (Romakëve 13:1, BR; Gjoni 18:36) Të kujdesshëm për t’i kthyer Çesarit gjërat e Çesarit, ata i dhanë edhe «Perëndisë gjërat e Perëndisë». (Mateu 22:21) Për këtë arsye, integriteti i tyre u vu në provë.—2. Timoteut 3:12.
17 Rezultati? Ata edhe ‘qëndruan’, edhe ‘ranë’. Ranë në atë kuptim që u persekutuan dhe vuajtën vazhdimisht, disa madje edhe u vranë. Por edhe qëndruan, sepse në pjesën më të madhe mbetën besnikë. Po, ata e mundën botën, ashtu si e mundi edhe Jezui. (Gjoni 16:33) Për më tepër, ata nuk pushuan së predikuari, edhe pse u gjetën të burgosur apo në kampe përqendrimi. Duke vepruar kështu, ata ‘udhëzuan shumë të tjerë’. Edhe pse të persekutuar, në shumicën e vendeve nën sundimin e mbretit të veriut, numri i Dëshmitarëve të Jehovait u rrit. Falë besnikërisë së ‘atyre që kanë dituri’, në ato vende u shfaq një numër i paparë deri atëherë i «shumicës së madhe».—Zbulesa 7:9-14.
18. Çfarë ishte ajo «pak ndihmë» që do merrte mbetja e mirosur nën mbretin e veriut?
18 Duke folur për persekutimin e popullit të Perëndisë, engjëlli paratha: «Kur do të rrëzohen, do t’u jepet pak ndihmë.» (Danieli 11:34a) Si ndodhi kjo? Së pari, triumfi i mbretit të jugut në Luftën e Dytë u solli një lehtësim të madh të krishterëve që jetonin nën mbretin rival. (Krahaso Zbulesa 12:15, 16.) Kështu, ata që persekutoheshin nga mbreti i mëparshëm, kishin herë pas here lehtësime dhe ndërsa Lufta e Ftohtë përfundonte, shumë udhëheqës po e kuptonin se të krishterët besnikë nuk përbënin një kërcënim dhe prandaj u dhanë atyre njohjen legale.c Një ndihmë e madhe erdhi, gjithashtu, edhe me numrin në rritje të shumicës së madhe, e cila i qe përgjigjur predikimit besnik të të mirosurve dhe i kishte ndihmuar ata, siç përshkruhet edhe tek Mateu 25:34-40.
Pastrim për popullin e Perëndisë
19. (a) Në ç’mënyrë disa «do të bashkohen me ta pa qenë të sinqertë»? (b) Cila është domethënia e shprehjes «deri në kohën e mbarimit»? (Shiko shënimin.)
19 Jo të gjithë që treguan interes për shërbimin e Perëndisë gjatë kësaj kohe patën motive të mira. Engjëlli paralajmëroi: «Por shumë njerëz do të bashkohen me ta pa qenë të sinqertë. Disa nga ata që kanë dituri do të bien, me qëllim që të përsosen, të pastrohen dhe të zbardhen deri në kohën e mbarimit, sepse kjo do të ndodhë në kohën e caktuar.»d (Danieli 11:34b, 35) Disa treguan interes për të vërtetën, por nuk kishin dëshirë që të bënin një dedikim të sinqertë për t’i shërbyer Perëndisë. Të tjerë, që u duk se e pranuan lajmin e mirë, ishin në të vërtetë spiunë të autoriteteve. Një raport nga një vend thotë: «Disa prej këtyre individëve të pa skrupuj ishin komunistë të betuar, që ishin futur nën rrogoz në organizatën e Zotërisë, duke shfaqur një zell të madh dhe duke u caktuar madje edhe në pozita të larta shërbimi.»
20. Përse lejoi Jehovai që disa të krishterë besnikë ‘të binin’ për shkak të të ndërfuturve hipokritë?
20 Të ndërfuturit bënë që disa besnikë të përfundonin në duart e autoriteteve. Përse i lejoi Jehovai këto gjëra? Për t’u rafinuar, për t’u pastruar. Ashtu si Jezui «mësoi nga ato që pësoi», edhe këta shpirtra besnikë mësuan të duronin nga provat e besimit të tyre. (Hebrenjve 5:8; Jakovit 1:2, 3; krahaso Malakia 3:3.) Në këtë mënyrë ata ‘u përsosën, u pastruan dhe u zbardhën’. Këta besnikë i pret një gëzim i madh kur të vijë koha e caktuar për shpërblimin e durimit të tyre. Këtë do ta shohim kur të trajtojmë edhe profeci të tjera të Danielit.
[Shënimet]
a Botuar prej Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc., doli në anglisht në 1958-ën në Asamblenë Ndërkombëtare të Dëshmitarëve të Jehovait «Vullneti Hyjnor».
b Në nëntor 1992 World Press Review përmbante një artikull nga The Toronto Star që thoshte: «Gjatë disa viteve të shkuara, rusët kanë parë të rrëzohen para fakteve me dhjetra iluzione dikur të paprekshme mbi historinë e vendit. Por dalja në shesh e bashkëpunimit të kishës me regjimin komunist përfaqësonte grushtin më dërrmonjës.»
c Shiko Kullën e Rojës të 1 nëntorit 1991, faqe 8-11.
d «Deri në kohën e mbarimit» mund të ketë edhe domethënien «gjatë kohës së mbarimit». Fjala e përkthyer këtu «deri» shfaqet në tekstin aramaik në Danielin 7:25 dhe aty do të thotë «gjatë» ose «për». Fjala ka një domethënie të ngjashme në tekstin hebre të 2. Mbretërve 9:22, Jobi 20:5 dhe Gjykatësit 3:26. Megjithatë, në shumicën e përkthimeve të Danielit 11:35 ajo është bërë «deri» dhe nëse ky është kuptimi i saktë, atëherë «koha e mbarimit» këtu mund të jetë mbarimi i durimi të popullit të Perëndisë.—Krahaso «U bëftë vullneti yt mbi tokë», faqe 286.
A të kujtohet?
◻ Përse duhet të presim që sot të kemi një kuptueshmëri më të qartë të profecisë së Danielit?
◻ Në ç’mënyrë mbreti i veriut «do të zemërohet dhe do të zbatojë planet e tij»?
◻ Si ishte parashikuar rishfaqja e «gjësë së neveritshme» prej klasës së skllavit?
◻ Në ç’mënyrë mbetja e mirosur «qëndroi, ra dhe mori pak ndihmë»?
[Figura në faqen 15]
Nën Hitlerin, mbreti i veriut e mori plotësisht veten nga humbja që kishte pësuar prej dorës së mbretit të jugut në 1918-ën
[Figura në faqen 16]
Krerët e krishterimit u përpoqën të kultivonin një lidhje me mbretin e veriut
[Burimi]
Zoran/Sipa Press