Ditët profetike të Danielit dhe besimi ynë
«Lum ai që pret dhe arrin në njëmijë e treqind e tridhjetë e pesë ditë.»—DANIELI 12:12.
1. Përse shumica dështon në gjetjen e lumturisë së vërtetë dhe me çfarë lidhet lumturia e vërtetë?
TË GJITHË duan të jenë të lumtur. Megjithatë, sot, shumë pak janë të tillë. Përse? Pjesërisht, sepse shumica e kërkon lumturinë aty ku nuk duhet. Lumturia kërkohet në gjëra të tilla si edukimi, pasuria, karriera, apo pushteti. Megjithatë, Jezui, në fillim të Predikimit të tij në Mal e lidhi lumturinë me vetëdijen e dikujt për nevojat e veta frymore, për mëshirë, për pastërti në zemër dhe me cilësi të tilla të ngjashme. (Mateu 5:3-10) Lumturia për të cilën foli Jezui është reale dhe qëndron gjatë.
2. Sipas profecisë, ç’gjë do të çonte drejt lumturisë në kohën e fundit dhe cilat pyetje lindin në lidhje me këtë?
2 Për mbetjen e mirosur në kohën e fundit, lumturia është e lidhur me diçka tjetër. Në librin e Danielit lexojmë: «Shko, Daniel, sepse këto fjalë janë të fshehura dhe të vulosura deri kohën e mbarimit. Lum ai që pret dhe arrin në njëmijë e treqind e tridhjetë e pesë ditë.» (Danieli 12:9, 12) Cilën periudhë kohore përfshinin këto 1.335 ditë? Përse do të ishin të lumtur ata që do të jetonin në ato ditë? A ka ndonjë lidhje kjo me besimin tonë sot? Ndihmën për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve e gjejmë nëse shohim mbrapa në kohën kur Danieli i shkroi këto fjalë, menjëherë pasi Izraeli ishte liruar prej robërisë në Babiloni dhe në vitin e tretë të mbretit Kir të Persisë.—Daniel 10:1.
Ripërtëritja sjell lumturi
3. Cili veprim i mbretit Kir u solli lumturi të madhe hebrenjve besnikë në 537-ën p.e.s., por çfarë privilegji nuk u dha Kiri hebrenjve?
3 Për hebrenjtë, lirimi nga Babilonia ishte një rast për ngazëllim të vërtetë. Pasi hebrenjtë kishin duruar gati 70 vjet në mërgim, Kiri i Madh i ftoi që të ktheheshin në Jeruzalem për të rindërtuar tempullin e Jehovait. (Ezdra 1:1, 2) Ata që u përgjigjën, u nisën me shpresa të mëdha dhe mbërritën në atdheun e tyre në vitin 537 p.e.s. Megjithatë, Kiri nuk i ftoi që të përtërinin një mbretëri me ndonjë pasardhës të mbretit David.
4, 5. (a) Kur u përmbys mbretëria e Davidit? Përse? (b) Çfarë sigurie dha Jehovai se mbretëria e Davidit do të përtërihej?
4 Kjo ishte domethënëse. Rreth pesë shekuj më parë, Jehovai i kishte premtuar Davidit: «Shtëpia jote dhe mbretëria jote do të bëhen të qëndrueshme për gjithnjë para meje, dhe froni yt do të jetë i qëndrueshëm për gjithnjë.» (2. Samueli 7:16) Mjerisht, shumica e pasardhësve mbretërorë të Davidit dolën rebelë dhe faji i gjakut i kombit u bë kaq i madh, saqë në vitin 607 p.e.s. Jehovai lejoi që mbretëria e Davidit të përmbysej. Duke lënë mënjanë një periudhë të shkurtër nën sundimin e makabejve, Jeruzalemi ishte nën sundimin e huaj deri në shkatërrimin e tij të dytë në vitin 70 e.s. Prandaj, në 537-ën p.e.s. «kohët e caktuara të kombeve», gjatë së cilave asnjë bir i Davidit nuk do të mbretëronte, ishin në vazhdim.—Luka 21:24.
5 Megjithatë, Jehovai nuk e harroi premtimin që i kishte bërë Davidit. Me anë të një sërë vizionesh dhe ëndrrash, ai zbuloi nëpërmjet profetit të tij Daniel detaje të ngjarjeve të ardhshme botërore, që do të shtriheshin përgjatë shekujve që nga koha e sundimit botëror të Babilonisë, deri kur një mbret nga linja e Davidit do të mbretëronte sërish në mbretërinë e popullit të Jehovait. Këto profeci, të regjistruara në kapitujt 2, 7, 8 dhe 10-12 të Danielit, i siguruan hebrenjtë besnikë se patjetër froni i Davidit do të bëhej «i qëndrueshëm për gjithnjë». Sigurisht, zbulimi i kësaj të vërtete u solli lumturi atyre hebrenjve që u kthyen në atdhe në vitin 537 p.e.s.!
6. Si e dimë se disa prej profecive të Danielit duhej të plotësoheshin në kohën tonë?
6 Shumica e komentatorëve biblikë pohojnë se profecitë e Danielit u plotësuan pothuajse krejtësisht përpara lindjes së Jezu Krishtit. Por është e qartë se nuk është ashtu. Në Danielin 12:4, një engjëll i thotë Danielit: «Mbaji të fshehura këto fjalë dhe vulose librin deri në kohën e mbarimit; shumë njerëz do ta shfletojnë dhe dituria do të shtohet.» Nëse libri i Danielit duhej zhvulosur—pra, duhej të zbulohej plotësisht kuptimi i tij—vetëm në kohën e fundit, është e sigurt se të paktën disa prej profecive të tij duhej të zbatoheshin gjatë asaj periudhe.—Shiko Danielin 2:28; 8:17; 10:14.
7. (a) Kur mbaruan kohët e caktuara të kombeve dhe cila pyetje urgjente kërkonte përgjigje? (b) Cilët nuk ishin «skllavi besnik dhe i matur»?
7 Në 1914-ën mbaruan kohët e caktuara të kombeve dhe koha për fundin e kësaj bote filloi. Mbretëria e Davidit u vendos, jo në Jeruzalemin tokësor, por në mënyrë të padukshme «mbi retë e qiellit». (Danieli 7:13, 14) Në atë kohë, për shkak të lulëzimit të «egjrave» të krishterimit të rremë, gjendja e krishterimit të vërtetë nuk ishte e qartë, të paktën për sytë njerëzorë. Megjithatë, një pyetje e rëndësishme kërkonte përgjigje: «Kush është në të vërtetë skllavi besnik dhe i matur?» (Mateu 13:24-30; 24:45) Kush do të përfaqësonte mbi tokë Mbretërinë e përtërirë të Davidit? Nuk do të ishin vëllezërit truporë të Danielit, hebrenjtë. Ata ishin hedhur, sepse nuk patën besim dhe u penguan në Mesinë. (Romakëve 9:31-33) Skllavi besnik nuk ishte në asnjë mënyrë as midis organizatave të krishterimit! Veprat e tyre të liga provuan se Jezui nuk i njihte ato. (Mateu 7:21-23) Kush ishte, pra, ai?
8. Cilët provuan se ishin «skllavi besnik dhe i matur» gjatë kohës së fundit? Si e dimë?
8 Pa asnjë dyshim, ai ishte trupi i vogël i vëllezërve të mirosur të Jezuit, që në 1914-ën njiheshin si Studentët Biblikë, por prej 1931-shit u identifikuan si Dëshmitarë të Jehovait. (Isaia 43:10) Vetëm ata kishin shpallur Mbretërinë e përtërirë në linjën e Davidit. (Mateu 24:14) Vetëm ata kishin qëndruar të ndarë prej botës dhe kishin lavdëruar emrin e Jehovait. (Gjoni 17:6, 14) Dhe vetëm mbi ta u plotësuan profecitë biblike në lidhje me popullin e Perëndisë në ditët e fundit. Midis këtyre profecive është vargu i profecive të periudhave profetike të renditura në kapitullin e 12-të të Danielit, që përfshin të 1.335 ditët që do të sillnin lumturi.
1.260 ditët
9, 10. Cilat ngjarje i karakterizuan «një kohë, disa kohëra dhe gjysmën e një kohe» të Danielit 7:25 dhe në cilat shkrime të tjera përmendet e njëjta periudhë kohore?
9 Në Danielin 12:7 lexojmë për periudhën e parë profetike: «Kjo do të jetë për një kohë, për disa kohëra dhe për gjysmën e një kohë; kur forca e popullit të shenjtë do të thyhet plotësisht, tërë këto gjëra do të kryhen.»a E njëjta periudhë është përmendur në Zbulesën 11:3-6, që thotë se dëshmitarët e Perëndisë do të predikonin të veshur me thasë për tre vjet e gjysmë para se të vriteshin. Në Danielin 7:25 lexojmë përsëri: «Ai do të shqiptojë fjalë kundër Shumë të Lartit, do të përndjekë shenjtorët e Shumë të Lartit me qëllim që t’i shfarosë dhe do të mendojë të ndryshojë kohërat dhe ligjin; shenjtorët do të bien në duart e tij për një farë kohe, disa kohë dhe për gjysmën e një kohe.»
10 Në këtë profeci të fundit, «ai» është fuqia e pestë botërore, duke llogaritur prej Babilonisë. Ai është «një bri . . . i vogël» dhe gjatë kohës në të cilën ai është në pushtet Biri i njeriut do të marrë «sundim, lavdi dhe mbretëri». (Danieli 7:8, 14) Ky bri simbolik, që fillimisht ishte Perandoria Britanike, gjatë Luftës së Parë Botërore u zhvillua në fuqinë dyshe botërore anglo-amerikane dhe tashmë mbizotërohet prej Shteteve të Bashkuara. Për tre kohë e gjysmë, apo vite, kjo fuqi do t’i sulmonte të shenjtët dhe do të përpiqej të ndryshonte kohërat dhe ligjin. Përfundimisht, të shenjtët do të binin në duart e saj.—Shiko edhe Zbulesën 13:5, 7.
11, 12. Cilat ngjarje të çojnë në fillimet e 1.260 ditëve profetike?
11 Si u plotësuan të gjitha këto profeci paralele? Vite përpara Luftës së Parë Botërore, vëllezërit e mirosur të Jezuit paralajmëruan publikisht se 1914-a do të shihte përfundimin e kohëve të caktuara të kombeve. Kur shpërtheu lufta, u bë e qartë se paralajmërimi nuk ishte përfillur. Satanai përdori «bishën e egër», organizatën botërore politike që dominohej nga Perandoria Britanike, në përpjekje për të «ndryshuar kohërat dhe ligjin», për të shtyrë kohën kur Mbretëria e Perëndisë do të sundonte. (Zbulesa 13:1, 2) Ai dështoi. Mbretëria e Perëndisë u vendos në qiell, përtej kufirit të arritjes njerëzore.—Zbulesa 12:1-3.
12 Për Studentët Biblikë lufta nënkuptoi një periudhë prove. Që në janar të 1914-ës ata kishin parë Fotodramën e Krijimit, një prezantim biblik që tërhiqte vëmendjen nga profecitë e Danielit. Në verë të atij viti në hemisferën veriore, shpërtheu lufta. Në tetor, kohët e caktuara mbaruan. Nga fundi i vitit, mbetja e mirosur ishte në pritje të persekutimeve, siç duket edhe nga fakti që teksti i vitit për 1915-ën ishte pyetja që Jezui u bëri dishepujve të tij: «A mund të pini ju prej kupës sime?»—bazuar në Mateun 20:22, nga përkthimi King James Version (KJ).
13. Në ç’mënyrë Studentët e Biblës predikuan të veshur me thasë gjatë 1.260 ditëve dhe çfarë ndodhi në fund të asaj periudhe?
13 Kështu, që nga dhjetori 1914, ky grup i vogël dëshmitarësh ‘predikoi i veshur me thasë’, duke vazhduar me përulësi të lajmëronte gjykimin e Jehovait. Në 1916-ën, vdekja e C. T. Rusellit, kryetar i parë i Shoqatës Watch Tower Bible and Tract, qe një goditje për shumë veta. Ndërsa ethet e luftës përhapeshin, ata hasnin një kundërshtim në rritje. Disa u burgosën. Të tjerë, si Frank Platt në Angli dhe Robert Clegg në Kanada, u torturuan prej autoriteteve sadiste. Së fundi, më 21 qershor 1918, J. F. Rutherford, kryetari i ri, bashkë me drejtuesit e Shoqatës Watch Tower Bible and Tract u dënuan nën akuza të rreme me periudha të gjata burgimi. Kështu, në fund të periudhës profetike, «briri i vogël» e vrau veprën e organizuar të predikimit publik.—Danieli 7?8, (KJ).
14. Si ndryshuan gjërat për mbetjen e mirosur në 1919-ën dhe më tej?
14 Libri i Zbulesës profetizon se çfarë ndodhi më pas. Pas një periudhe të vogël pasiviteti—e parashikuar si tri ditë e gjysmë i dergjur në rrugë i vdekur—mbetja e mirosur u kthye në jetë dhe u bë sërish aktive. (Zbulesa 11:11-13) Më 26 mars 1919, presidenti dhe drejtuesit e Shoqatës Watch Tower Bible and Tract u liruan dhe më vonë u shfajësuan plotësisht prej akuzave të rreme të ngritura kundra tyre. Menjëherë pas lirimit të tyre, mbetja e mirosur filloi të riorganizohej për aktivitete të mëtejshme. Kështu, në përmbushje të plagës së parë të Zbulesës, ata dolën prej humnerës së pasivitetit si karkaleca frymorë të shoqëruar me tym të dendur dhe duke parashikuar një të ardhme të errët për fenë e rreme. (Zbulesa 9:1-11) Gjatë pak viteve vijuese, ata u ushqyen frymësisht dhe u përgatitën për atë që i priste përpara. Në 1921-shin botuan një libër të ri Harpa e Perëndisë, i paracaktuar që të ndihmonte të rinjtë dhe fëmijët për të mësuar të vërtetat themelore biblike. (Zbulesa 12:6, 14) Të gjitha këto gjëra ndodhën gjatë një tjetër periudhe domethënëse kohore.
1.290 ditët
15. Në ç’mënyrë mund të llogaritim fillimin e 1.290 ditëve? Kur mbaroi kjo periudhë?
15 Engjëlli i tha Danielit: «Nga koha që do të ndalohet flijimi i përditshëm [i vazhdueshëm, BR] dhe do të ngrihet neveria [gjëja e neveritshme, BR] që shkakton shkretimin do të kalojnë njëmijë e dyqind e nëntëdhjetë ditë.» (Danieli 12:11) Nën Ligjin e Moisiut, ‘flijimi i vazhdueshëm’ digjej në altar në tempullin në Jeruzalem. Të krishterët nuk ofrojnë sakrifica të djegura, por ofrojnë një sakrificë të vazhdueshme frymore. Pavli i referohej asaj kur tha: «T’ i kushtojmë vazhdimisht Hyut fli lavdie, d.m.th. frytin e buzëve që dëshmojnë Emrin e tij.» (Hebrenjve 13:15; krahaso Hozea 14:2.) Kjo sakrificë e vazhdueshme u hoq në qershor 1918. Kush ishte, pra, ‘gjëja e neveritshme’—aspekti i dytë që duhet identifikuar? Ishte Lidhja e Kombeve, e nxitur prej fuqive fituese në fund të Luftës së Parë Botërore.b Ishte e neveritshme, sepse krerët e krishterimit e vendosën në vendin e Mbretërisë së Perëndisë, duke e paraqitur Lidhjen si shpresën e vetme të njerëzimit për paqe. Lidhja u propozua në janar 1919. Nëse llogaritim 1.290 ditë (tre vjet e shtatë muaj) prej asaj kohe, mbërrijmë në shtator të 1922-shit.
16. Si u bë e dukur në fund të 1.290 ditëve se mbetja e mirosur ishte gati për veprim?
16 Çfarë ndodhi në atë kohë? Studentët e Biblës tashmë ishin rigjallëruar, të lirë prej Babilonisë së Madhe dhe të gatshëm për t’u hedhur në ofensivë. (Zbulesa 18:4) Në një kongres të mbajtur në shtator 1922 në Cedar Point, Ohio, SH.B.A., ata filluan të deklaronin pa frikë gjykimin e Perëndisë mbi krishterimin. (Zbulesa 8:7-12) Thumbat e karkalecave filluan të pickonin me të vërtetë! Për më tepër, filloi edhe plaga e dytë e Zbulesës. Një ushtri e kavalerisë së krishterë—e përbërë fillimisht prej mbetjes së mirosur dhe e rritur më vonë prej shumicës së madhe—vërshoi mbi tokë. (Zbulesa 7:9; 9:13-19) Po, fundi i 1.290 ditëve i solli gëzim popullit të Perëndisë.c Por kishte edhe më.
1.335 ditët
17. Kur filluan dhe kur mbaruan 1.335 ditët?
17 Danieli 12:12 thotë: «Lum ai që pret dhe arrin në njëmijë e treqind e tridhjetë e pesë ditë.» Këto 1.335 ditë, apo tre vjet e tetë muaj e gjysmë, siç duket filluan në fund të periudhës së mëparshme. Duke llogaritur që nga shtatori 1922, shkojmë deri në pranverën e largët (në hemisferën veriore) të 1926-ës. Çfarë ndodhi gjatë këtyre 1.335 ditëve?
18. Cilat fakte tregojnë se në 1922-shin kishte ende nevojë për të përparuar?
18 Me gjithë natyrën domethënëse të ngjarjeve të 1922-shit, disa shikonin ende me nostalgji nga e kaluara. Studime mbi Shkrimet (Studies in the Scriptures), me autor C. T. Russell, ishin ende materiali bazë që studiohej. Për më tepër, broshura Millions Now Living Will Never Die, që pati një qarkullim të madh, paraqiti idenë se në 1925-ën qëllimet e Perëndisë në lidhje me shndërrimin e tokës në parajsë dhe ringjalljen e besnikëve të lashtësisë filluan të plotësoheshin. Këmbëngulja e të mirosurve dukej se do të plotësohej së shpejti. Megjithatë, disa individë që shoqëroheshin me Studentët Biblikë nuk u ndjenë të shtyrë për të marrë pjesë në ndarjen e lajmit të mirë me të tjerët.
19, 20. (a) Si ndryshuan shumë gjëra për popullin e Perëndisë gjatë 1.335 ditëve? (b) Cilat ngjarje karakterizuan fundin e periudhës 1.335 ditore dhe çfarë treguan ato në lidhje me popullin e Jehovait?
19 Ndërsa të 1.335 ditët vazhdonin, e gjithë kjo ndryshoi. Për të forcuar vëllezërit u organizuan grupe të rregullta studimi të Kullës së Rojës. Një theks i madh iu vu shërbimit. Duke filluar nga maji 1923, të gjithë u ftuan për të marrë pjesë në shërbimin në fushë të martën e parë të çdo muaji dhe gjatë mbledhjeve të kongregacionit në mesjavë u rezervua kohë për të inkurajuar pjesëmarrjen në këtë vepër. Në gusht 1923, në një asamble të mbajtur në Los Anxhelos, Kaliforni, SH.B.A., u tregua se shëmbëlltyra e Jezuit me delet dhe dhitë do të përmbushej para Mbretërisë Mijëvjeçare. (Mateu 25:31-40) Viti 1924 solli inaugurimin e radiostacionit WBBR, që u përdor për të transmetuar lajmin e mirë me anë të valëve. Artikulli «Lindja e kombeve», në numrin e 1 marsit 1925 të Kullës së Rojës, i dha një kuptueshmëri më të saktë kapitullit të 12-të të Zbulesës. Më në fund, të krishterët besnikë kishin mundësi që të kuptonin saktësisht ngjarjet e vrullshme të viteve 1914-1919.
20 Viti 1925 po përfundonte, por fundi ende s’po vinte! Gjithnjë, qysh prej 1870-ës, Studentët e Biblës kishin shërbyer me një datë në mendje—në fillim 1914-a e pastaj 1925-a. Tani, ata e kuptuan se duhej të shërbenin derisa të donte Jehovai. Numri i 1 janarit 1926 i Kullës së Rojës, përmbante artikullin domethënës «Kush do ta nderojë Jehovain?», duke nënvizuar si kurrë më parë rëndësinë e emrit të Perëndisë. Dhe së fundi, në maj 1926, në kongresin në Londër të Anglisë, u adoptua një rezolutë e titulluar «Dëshmi për sundimtarët e botës». Kjo e lajmëronte drejtpërdrejtë të vërtetën mbi Mbretërinë e Perëndisë dhe shkatërrimin e ardhshëm të botës së Satanait. Në po atë kongres, doli libri i fuqishëm Deliverance, i pari i një serie që do të zëvendësonte Studime mbi Shkrimet. Populli i Perëndisë tani po shihte përpara, jo mbrapa. Të 1.335 ditët kishin mbaruar.
21. Çfarë domethënie pati këmbëngulja gjatë 1.335 ditëve për popullin e Perëndisë në atë kohë dhe çfarë domethënie ka për ne përmbushja e profecisë në lidhje me atë periudhë kohore?
21 Disa nuk deshën të përshtateshin me këto zhvillime, por ata që duruan qenë me të vërtetë të lumtur. Për më tepër, nëse shohim mbrapa në plotësimin e këtyre periudhave profetike kohore edhe ne jemi të lumtur, sepse besimi ynë që trupi i vogël i të krishterëve të mirosur që kanë jetuar gjatë këtyre kohërave është me të vërtetë skllavi besnik dhe i matur, është forcuar. Në vitet që kanë kaluar prej atëherë, organizata e Jehovait është përhapur mjaft, por skllavi besnik dhe i matur është akoma qëndra e saj, duke e udhëhequr atë. Sa emocionuese është, pra, të dimë se të mirosurit dhe delet e tjera i pret edhe më shumë lumturi! Kjo do të shihet nëse shqyrtojmë një tjetër profeci të Danielit.
[Shënimet]
a Për një trajtim të mënyrës se si llogariten këto periudha profetike shiko Our Incoming World Government—God’s Kingdom, kapitulli 8, botuar nga Watchtower Bible and Tract Society of New York, Inc.
b Shiko numrin e 1 tetorit 1985 të Kullës së Rojës, faqe 8-18, angl.
c Shiko numrin e 1 marsit 1991 të Kullës së Rojës, faqe 10 dhe 1975 Yearbook of Jehovah’s Witnesses, faqe 132, angl.
A mund të shpjegosh?
◻ Si e dimë se disa profeci të Danielit duheshin plotësuar në kohën tonë?
◻ Përse mund të besojmë se mbetja e mirosur është «skllavi besnik dhe i matur»?
◻ Kur filluan dhe kur mbaruan 1.260 ditët?
◻ Çfarë lehtësimi dhe përtëritje i sollën 1.290 ditët mbetjes së mirosur?
◻ Përse ishin të lumtur ata që duruan deri në përfundim të të 1.335 ditëve?
[Kutia në faqen 11]
PERIUDHAT KOHORE PROFETIKE TË DANIELIT
1.260 ditë:
dhjetor 1914 deri në qershor 1918
1.290 ditë:
janar 1919 deri në shtator 1922
1.335 ditë:
shtator 1922 deri në maj 1926
[Figura në faqen 8]
Që prej 1919-ës u bë e qartë se «skllavi besnik dhe i matur» është mbetja e mirosur
[Figura në faqen 10]
Selia qendrore e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, Zvicër
[Burimi]
UN photo