Kapitulli Katër
Ngritja dhe rënia e një shëmbëlltyre tejet të madhe
1. Pse duhet të na interesojë situata që u krijua një dekadë pasi mbreti Nabukodonosor i mori Danielin dhe të tjerët si robër?
KA KALUAR një dekadë që kur mbreti Nabukodonosor ka sjellë si robër në Babiloni Danielin dhe ‘burra të tjerë të shquar të vendit’ të Judës. (2. Mbretërve 24:15) Ndërsa Danieli i ri shërben në oborrin e mbretit, krijohet një situatë që i kërcënon jetën. Pse duhet të na interesojë kjo? Sepse mënyra se si ndërhyn Perëndia Jehova në këtë çështje, jo vetëm shpëton jetën e Danielit dhe të të tjerëve, por edhe na jep një pamje të marshimit të fuqive botërore të profecisë biblike, që arrijnë deri në ditët tona.
NJË MONARK HAS NJË PROBLEM TË VËSHTIRË
2. Kur e pa Nabukodonosori ëndrrën e tij të parë profetike?
2 «Në vitin e dytë të mbretërimit të Nabukodonosorit,—shkroi profeti Daniel,—Nabukodonosori ëndërroi ëndrra dhe fryma e tij filloi të ndihej e trazuar dhe vetë gjumi i iku.» (Danieli 2:1) Ai që pa ëndrrën ishte Nabukodonosori, mbreti i Perandorisë Babilonase. Faktikisht, në vitin 607 p.e.s., kur Perëndia Jehova e lejoi të shkatërronte Jerusalemin dhe tempullin e tij, ai ishte bërë sundimtar i botës. Vitin e dytë të mbretërimit të Nabukodonosorit si sundimtar i botës (606 apo 605 p.e.s.), Perëndia i dërgoi një ëndërr të llahtarshme.
3. Cilët nuk qenë në gjendje ta interpretonin ëndrrën e mbretit dhe si reagoi Nabukodonosori?
3 Kjo ëndërr e shqetësoi kaq shumë Nabukodonosorin, saqë nuk mundi të flinte. Natyrisht, ai ishte në ankth për të ditur domethënien e saj. Por mbreti i fuqishëm e kishte harruar ëndrrën! Prandaj, mblodhi magjistarët, yshtësit dhe shtriganët e Babilonisë dhe u kërkoi t’ia tregonin dhe t’ia interpretonin ëndrrën. Kjo detyrë ishte jashtë mundësive të tyre. Dështimi i tyre e tërboi kaq shumë Nabukodonosorin, saqë nxori një urdhër «për të shkatërruar të gjithë të mençurit e Babilonisë». Ky dekret do ta vinte profetin Daniel ballë për ballë me atë që ishte caktuar si ekzekutues i dekretit. Pse? Sepse ai dhe tre shokët e tij hebrenj, Hanania, Mishaeli dhe Azaria, përfshiheshin mes të mençurve të Babilonisë.—Danieli 2:2-14.
DANIELI VJEN NË NDIHMË
4. (a) Si e mësoi Danieli përmbajtjen e ëndrrës së Nabukodonosorit dhe domethënien e saj? (b) Çfarë tha Danieli, duke treguar mirënjohje ndaj Perëndisë Jehova?
4 Pasi mori vesh arsyen e dekretit të rreptë të Nabukodonosorit, «vetë Danieli shkoi dhe i kërkoi mbretit që t’i jepte kohë posaçërisht për t’i treguar mbretit vetë interpretimin». Kërkesa e tij u plotësua. Danieli u kthye në shtëpi, ku ai dhe tre shokët e tij hebrenj u lutën duke kërkuar «mëshira nga ana e Perëndisë së qiellit në lidhje me këtë sekret». Po atë natë, në një vizion, Jehovai i zbuloi Danielit sekretin e ëndrrës. Me mirënjohje, Danieli tha: «U bekoftë emri i Perëndisë nga koha e pacaktuar në kohë të pacaktuar, për mençurinë dhe fuqinë, sepse ato i përkasin atij! Ai ndryshon kohët dhe stinët, duke hequr mbretër dhe duke vendosur mbretër, duke u dhënë mençuri të mençurve dhe njohuri atyre që njohin aftësinë për të shquar. Ai zbulon gjërat e thella dhe gjërat e fshehura, duke njohur atë që është në errësirë; dhe me të banon drita.» Për një mendjehollësi të tillë, Danieli lëvdoi Jehovain.—Danieli 2:15-23.
5. (a) Kur ndodhej përpara mbretit, si ia dha Danieli meritën Jehovait? (b) Pse na intereson sot shpjegimi i Danielit?
5 Ditën tjetër, Danieli iu afrua Ariokut, kreut të truprojës, i cili ishte caktuar të shkatërronte të mençurit e Babilonisë. Sapo mori vesh se Danieli mund ta interpretonte ëndrrën, Arioku e çoi me ngut te mbreti. Duke mos e marrë për vete meritën, Danieli i tha Nabukodonosorit: «Ekziston një Perëndi në qiejtë, i cili është Zbulues sekretesh dhe ai i ka bërë të njohur mbretit Nabukodonosor atë që do të ndodhë në pjesën përfundimtare të ditëve.» Danieli ishte gati të zbulonte jo vetëm të ardhmen e Perandorisë Babilonase, por edhe një përmbledhje të ngjarjeve botërore nga ditët e Nabukodonosorit deri në kohën tonë e më tej.—Danieli 2:24-30.
I KUJTOHET ËNDRRA
6, 7. Cila ishte ëndrra që i kujtoi Danieli mbretit?
6 Nabukodonosori dëgjonte me vëmendje, ndërsa Danieli shpjegonte: «Ti, o mbret, ishe duke parë dhe ja, njëfarë shëmbëlltyre jashtëzakonisht e madhe. Kjo shëmbëlltyrë, e cila ishte e madhe dhe shkëlqimi i së cilës ishte i jashtëzakonshëm, qëndronte përballë teje dhe pamja e saj ishte e llahtarshme. Për sa i përket asaj shëmbëlltyre, koka e saj ishte prej ari të pastër, kraharori i saj dhe krahët e saj ishin prej argjendi, barku i saj dhe kofshët e saj ishin prej bakri, këmbët e saj ishin prej hekuri, pjesa e fundit e këmbëve të saj ishte pjesërisht prej hekuri dhe pjesërisht prej argjile të modeluar. Ti vazhdove të shohësh derisa një gur u shkëput jo nga duar dhe e goditi shëmbëlltyrën në pjesën e fundit të këmbëve të saj prej hekuri dhe argjile të modeluar dhe i thërrmoi. Në atë kohë, hekuri, argjila e modeluar, bakri, argjendi dhe ari, të gjitha së bashku, u thërrmuan dhe u bënë si byku nga lëmi i verës, dhe era i çoi tutje, kështu që nuk u gjet asnjë gjurmë e tyre. Dhe sa për gurin që goditi shëmbëlltyrën, ai u bë një mal i madh dhe mbushi tërë tokën.»—Danieli 2:31-35.
7 Sa duhet të jetë rrëqethur Nabukodonosori, tek dëgjonte Danielin t’i shpaloste ëndrrën! Por prit, të mençurit e Babilonisë do të shpëtonin vetëm nëse Danieli do të bënte edhe interpretimin e ëndrrës. Duke folur për vete dhe për tre miqtë e tij hebrenj, Danieli deklaroi: «Kjo është ëndrra dhe interpretimin e saj do ta themi përpara mbretit.»—Danieli 2:36.
NJË MBRETËRI ME EPËRSI TË DUKSHME
8. (a) Kush ose çfarë ishte koka prej ari sipas interpretimit të Danielit? (b) Kur erdhi në ekzistencë koka prej ari?
8 «Ti, o mbret, mbreti i mbretërve, ti, të cilit Perëndia i qiellit i ka dhënë mbretërinë, fuqinë, forcën dhe dinjitetin, dhe në duart e të cilit ka dhënë, kudo që banojnë bijtë e njerëzimit, bishat e fushës dhe krijesat me krahë të qiejve, dhe që e ka bërë sundimtar mbi të gjithë ata, ti vetë je koka prej ari.» (Danieli 2:37, 38) Këto fjalë iu aplikuan Nabukodonosorit pas vitit 607 p.e.s., kur Jehovai e kishte përdorur për shkatërrimin e Jerusalemit. Është kështu sepse mbretërit që kishin hipur në fron në Jerusalem ishin nga linja e Davidit, mbretit të mirosur të Jehovait. Jerusalemi ishte kryeqyteti i Judës, mbretëria tipike e Perëndisë që përfaqësonte sovranitetin e Jehovait mbi tokë. Me shkatërrimin e atij qyteti në vitin 607 p.e.s., kjo mbretëri tipike e Perëndisë nuk ekzistonte më. (1. Kronikave 29:23; 2. Kronikave 36:17-21) Tani, fuqitë botërore që pasuan njëra-tjetrën, të përfaqësuara nga pjesët metalike të shëmbëlltyrës, mund ta ushtronin pushtetin e tyre mbi botën pa ndërhyrjen e mbretërisë tipike të Perëndisë. Si koka prej ari, metali më i çmuar i njohur në kohët e lashta, duke shkatërruar Jerusalemin, Nabukodonosori ishte dalluar për përmbysjen e kësaj mbretërie.—Shiko «Një mbret luftarak ndërton një perandori», në faqen 63.
9. Çfarë përfaqësonte koka prej ari?
9 Nabukodonosori, i cili mbretëroi 43 vjet, qe në krye të një dinastie që sundoi mbi Perandorinë Babilonase. Kjo dinasti përfshinte dhëndrin e tij, Nabonidin, dhe birin e tij të madh, Evil-merodakun. Ajo vazhdoi edhe 43 vjet të tjerë, deri në vitin 539 p.e.s., kur vdiq biri i Nabonidit, Belshazari. (2. Mbretërve 25:27; Danieli 5:30) Kështu që koka prej ari në shëmbëlltyrën e ëndrrës, përfaqësonte jo vetëm Nabukodonosorin, por tërë linjën e sundimit babilonas.
10. (a) Si e tregoi ëndrra e Nabukodonosorit se fuqia botërore babilonase nuk do të qëndronte? (b) Çfarë paratha profeti Isaia në lidhje me pushtuesin e Babilonisë? (c) Në ç’kuptim Medo-Persia qëndronte më poshtë se Babilonia?
10 Danieli i tha Nabukodonosorit: «Pas teje do të ngrihet një mbretëri tjetër më e ulët se ti.» (Danieli 2:39) Dinastinë e Nabukodonosorit do ta pasonte një mbretëri e simbolizuar nga kraharori dhe nga krahët prej argjendi të shëmbëlltyrës. Rreth 200 vjet më parë, Isaia e kishte parathënë këtë mbretëri, duke dhënë madje edhe emrin e mbretit të saj fitimtar, Kirit. (Isaia 13:1-17; 21:2-9; 44:24–45:7, 13) Kjo ishte Perandoria Medo-Perse. Megjithëse Medo-Persia i dha zhvillim një qytetërimi të madh, i cili nuk binte më poshtë se ai i Perandorisë Babilonase, kjo mbretëri e fundit përfaqësohej nga argjendi, një metal më pak i çmuar sesa ari. Ajo qëndronte më poshtë se fuqia botërore Babilonase, sepse nuk dallohej për përmbysjen e Judës, mbretërisë tipike të Perëndisë, me kryeqytet Jerusalemin.
11. Kur pushoi së ekzistuari dinastia e Nabukodonosorit?
11 Rreth 60 vjet pas interpretimit të ëndrrës, Danieli qe dëshmitar i fundit të dinastisë së Nabukodonosorit. Natën e 5-6 tetorit të vitit 539 p.e.s., Danieli ishte i pranishëm kur ushtria medo-perse pushtoi Babiloninë, në dukje të pamposhtshme, dhe ekzekutoi mbretin Belshazar. Me vdekjen e Belshazarit, koka prej ari e shëmbëlltyrës së ëndrrës, Perandoria Babilonase, pushoi së ekzistuari.
NJË MBRETËRI ÇLIRON POPULLIN E MËRGUAR
12. Në ç’mënyrë dekreti që nxori Kiri në vitin 537 p.e.s. qe në dobi të judenjve të mërguar?
12 Medo-Persia e zëvendësoi Perandorinë Babilonase si fuqi botërore mbizotëruese në vitin 539 p.e.s. Në moshën 62-vjeçare, medi Dar u bë sundimtari i parë i qytetit të pushtuar të Babilonisë. (Danieli 5:30, 31) Për një kohë të shkurtër, ai dhe persi Kir mbretëruan së bashku në Perandorinë Medo-Perse. Kur vdiq Dari, Kiri u bë kreu i vetëm i Perandorisë Perse. Për judenjtë në Babiloni, mbretërimi i Kirit do të thoshte çlirim nga robëria. Në vitin 537 p.e.s., Kiri nxori një dekret që i lejonte të mërguarit judenj në Babiloni të ktheheshin në vendin e tyre dhe të rindërtonin Jerusalemin dhe tempullin e Jehovait. Megjithatë, mbretëria tipike e Perëndisë nuk u rivendos në Judë dhe në Jerusalem.—2. Kronikave 36:22, 23; Ezdra 1:1-2:2a.
13. Çfarë paraqitnin kraharori dhe krahët prej argjendi të shëmbëlltyrës në ëndrrën e Nabukodonosorit?
13 Kraharori dhe krahët prej argjendi të shëmbëlltyrës së ëndrrës, paraqitnin linjën e mbretërve persë, që filloi me Kirin e Madh. Ajo dinasti zgjati për më shumë se 200 vjet. Mendohet se Kiri vdiq në vitin 530 p.e.s., gjatë një fushate ushtarake. Nga rreth 12 mbretërit që e pasuan në fronin e Perandorisë Perse, të paktën 2 vepruan në favor të popullit të zgjedhur të Perëndisë. Njëri ishte Dari I (persi), ndërsa tjetri ishte Artakserksi I.
14, 15. Çfarë ndihme u dhanë judenjve Dari i Madh dhe Artakserksi I?
14 Në linjën e mbretërve persë, Dari I ishte i treti pas Kirit të Madh. Dy mbretërit para tij ishin Kambisi II dhe vëllai i tij Bardija (ose ndoshta Gaumata, i cili pretendonte se ishte prift). Në kohën që Dari I, i njohur edhe si Dari i Madh, hipi në fron në vitin 521 p.e.s., puna për rindërtimin e tempullit në Jerusalem ishte e ndaluar. Sapo zbuloi në arkivat e Ekbatanës dokumentin që përmbante dekretin e Kirit, Dari bëri më shumë sesa heqjen e ndalimit në vitin 520 p.e.s. Për rindërtimin e tempullit, ai siguroi edhe fonde nga thesari mbretëror.—Ezdra 6:1-12.
15 Sundimtari tjetër pers që i ndihmoi judenjtë në përpjekjet e tyre për restaurim ishte Artakserksi I, i cili në vitin 475 p.e.s. pasoi të atin, Asuero (Kserksi I). Artakserksit i ngjitën emrin Dorëgjati, sepse dorën e djathtë e kishte më të gjatë se të majtën. Gjatë vitit të 20-të të mbretërimit të tij, pra në vitin 455 p.e.s., ai i ngarkoi kupëmbajtësit të tij jude, Nehemisë, detyrën si qeveritar i Judës dhe rindërtimin e mureve të Jerusalemit. Ky veprim shënoi fillimin e ‘shtatëdhjetë javëve të viteve’ për të cilat flitet në kapitullin 9 të Danielit, dhe përcaktoi datat për shfaqjen dhe vdekjen e Mesisë, apo Krishtit, Jezuit të Nazaretit.—Danieli 9:24-27; Nehemia 1:1; 2:1-18.
16. Kur dhe me cilin mbret mori fund fuqia botërore medo-perse?
16 I fundit nga të gjashtë mbretërit që pasuan Artakserksin I në fronin e Perandorisë Perse, ishte Dari III. Mbretëria e tij mori fund papritmas në vitin 331 p.e.s., kur pësoi një humbje të tmerrshme nga Aleksandri i Madh në Gaugamela, pranë Ninevisë së lashtë. Kjo humbje i dha fund fuqisë botërore medo-perse, që simbolizohej nga pjesa prej argjendi e shëmbëlltyrës së ëndrrës së Nabukodonosorit. Fuqia që do të vinte do të qëndronte më lart se kjo në disa aspekte, por më poshtë në disa të tjera. Kjo bëhet e qartë ndërsa dëgjojmë interpretimin e mëtejshëm që i bën Danieli ëndrrës së Nabukodonosorit.
MBRETËRI ME SHTRIRJE TË GJERË, POR QË QËNDRON MË POSHTË
17-19. (a) Cilën fuqi botërore përfaqësonin barku dhe kofshët prej bakri dhe sa i shtrirë ishte sundimi i saj? (b) Kush ishte Aleksandri III? (c) Si u bë greqishtja gjuhë ndërkombëtare dhe për çfarë ishte më se e përshtatshme ajo?
17 Danieli i tha Nabukodonosorit se barku dhe kofshët e shëmbëlltyrës jashtëzakonisht të madhe përbënin «një mbretëri tjetër, një të tretë, prej bakri, që do të sundonte mbi tërë tokën». (Danieli 2:32, 39) Kjo mbretëri e tretë do të pasonte Babiloninë dhe Medo-Persinë. Ashtu si bakri qëndron më poshtë se argjendi, kjo fuqi e re botërore do të qëndronte më poshtë se Medo-Persia, sepse nuk do të nderohej me asnjë privilegj si ai i çlirimit të popullit të Jehovait. Megjithatë, mbretëria që i ngjante bakrit do të «sundonte mbi tërë tokën», gjë që tregon se do të kishte një shtrirje më të gjerë se Babilonia ose Medo-Persia. Ç’dëshmi sjell historia për këtë fuqi botërore?
18 Pak kohë pas trashëgimit të fronit të Maqedonisë në vitin 336 p.e.s., në moshën 20-vjeçare, ambicioz, Aleksandri III i hyri një fushate pushtimesh. Për shkak të sukseseve të tij ushtarake, me kalimin e kohës u quajt Aleksandri i Madh. Duke arritur njërën fitore pas tjetrës, ai vazhdoi të përparonte në brendësi të zotërimit pers. Në vitin 331 p.e.s., kur mundi Darin III në një betejë në Gaugamela, Perandoria Perse filloi të binte dhe Aleksandri e vendosi Greqinë si fuqinë e re botërore.
19 Pas fitores në Gaugamela, Aleksandri vazhdoi të merrte kryeqytetet perse: Babiloninë, Suzën, Persepolin dhe Ekbatanën. Duke nënshtruar pjesën tjetër të Perandorisë Perse, ai i shtriu pushtimet e tij në brendësi të Indisë Perëndimore. Në vendet e pushtuara u vendosën koloni greke. Kështu, gjuha greke dhe kultura greke u përhapën në mbarë sferën mbretërore. Në fakt, Perandoria Greke u bë më e madhe se çdo perandori tjetër që kishte qenë para saj. Siç kishte parathënë Danieli, mbretëria prej bakri ‘sundoi mbi tërë tokën’. Një prej rezultateve të këtij sundimi ishte që greqishtja (koine) u bë gjuhë ndërkombëtare. Duke siguruar një mënyrë të saktë të shprehuri, kjo gjuhë doli shumë e përshtatshme për shkrimin e Shkrimeve të Krishtere Greke dhe për përhapjen e lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë.
20. Ç’u bë me Perandorinë Greke pas vdekjes së Aleksandrit të Madh?
20 Aleksandri i Madh jetoi vetëm tetë vjet si sundimtar i botës. Megjithëse ishte i ri, në moshën 32-vjeçare Aleksandri u sëmur pas një banketi dhe vdiq pak pas tij, më 13 qershor të vitit 323 p.e.s. Me kalimin e kohës, perandoria e tij e stërmadhe u nda në katër territore, secili nën sundimin e një prej gjeneralëve të tij. Kështu, nga një mbretëri e madhe dolën katër mbretëri, që së fundi u përpinë nga Perandoria Romake. Fuqia botërore që i ngjante bakrit vazhdoi e vetme deri në vitin 30 p.e.s., kur e fundit nga këto katër mbretëri, dinastia e Ptolemejve që sundonte në Egjipt, më në fund ra në duart e Romës.
MBRETËRI QË THËRRMON DHE COPËTON
21. Si e përshkroi Danieli «mbretërinë e katërt»?
21 Danieli vazhdoi me shpjegimin e shëmbëlltyrës së ëndrrës, duke thënë: «Sa për mbretërinë e katërt [pas Babilonisë, Medo-Persisë dhe Greqisë], ajo do të dalë e fortë si hekuri. Përderisa hekuri thërrmon dhe bluan çdo gjë tjetër, kështu, si hekuri që copëton, ajo do t’i thërrmojë dhe do t’i copëtojë të gjitha këto.» (Danieli 2:40) Me forcën dhe aftësinë e saj për të thërrmuar, kjo fuqi botërore do të ishte si hekuri: më e fortë se perandoritë e përfaqësuara nga ari, argjendi ose bakri. Perandoria Romake ishte një fuqi e tillë.
22. Si i ngjante hekurit Perandoria Romake?
22 Roma thërrmoi dhe copëtoi Perandorinë Greke, si dhe përpiu atë që kishte mbetur nga fuqitë botërore medo-perse dhe babilonase. Duke mos treguar aspak respekt për Mbretërinë e Perëndisë të shpallur nga Jezu Krishti, në vitin 33 të e.s., kjo fuqi e dënoi Jezuin me vdekje në një shtyllë mundimi. Në përpjekje për të copëtuar krishterimin e vërtetë, Roma persekutoi dishepujt e Jezuit. Veç kësaj, në vitin 70 të e.s., Roma shkatërroi Jerusalemin dhe tempullin e tij.
23, 24. Përveç Perandorisë Romake, çfarë paraqesin këmbët e shëmbëlltyrës?
23 Këmbët prej hekuri të shëmbëlltyrës në ëndrrën e Nabukodonosorit, paraqitnin jo vetëm Perandorinë Romake, por edhe degëzimet politike të saj. Shqyrto këto fjalë që gjenden në Zbulesën 17:10: «Janë shtatë mbretër: pesë kanë rënë, një është, tjetri nuk ka ardhur ende, por kur të vijë, duhet të qëndrojë për pak kohë.» Kur shkroi këto fjalë, apostulli Gjon ndodhej në ishullin e Patmosit, ku e kishin syrgjynosur romakët. Pesë mbretërit apo fuqitë e rëna botërore ishin Egjipti, Asiria, Babilonia, Medo-Persia dhe Greqia. E gjashta, Perandoria Romake, ishte ende në fuqi. Por edhe ajo do të binte dhe mbreti i shtatë do të dilte nga njëri prej territoreve të pushtuara nga Roma. Cila do të ishte kjo fuqi botërore?
24 Dikur Britania ishte pjesë veriperëndimore e Perandorisë Romake. Por aty nga viti 1763 ajo ishte bërë Perandoria Britanike, Britania që sundoi shtatë detet. Rreth vitit 1776, 13 kolonitë e saj amerikane kishin deklaruar pavarësinë e tyre me qëllim që të formonin Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Megjithatë, në vitet e mëvonshme, Britania dhe Shtetet e Bashkuara u bënë partnere si në luftë, ashtu edhe në paqe. Kështu, kombinimi anglo-amerikan erdhi në ekzistencë si fuqia e shtatë botërore e profecisë biblike. Ashtu si Perandoria Romake, ajo ka treguar se ishte «e fortë si hekuri», duke ushtruar një autoritet si prej hekuri. Kështu, këmbët prej hekuri të shëmbëlltyrës së ëndrrës, përfshijnë si Perandorinë Romake, ashtu edhe fuqinë e dyfishtë botërore anglo-amerikane.
AMALGAMË E BRISHTË
25. Çfarë tha Danieli në lidhje me pjesën e fundit të këmbëve dhe gishtat e shëmbëlltyrës?
25 Më pas, Danieli i tha Nabukodonosorit: «Meqenëse pe se pjesa e fundit e këmbëve dhe gishtat ishin pjesërisht prej argjile të modeluar të një poçari dhe pjesërisht prej hekuri, vetë mbretëria do të dalë e përçarë, por në të do të dalë se ka njëfarë fortësie hekuri, përderisa pe hekurin të përzier me argjilë të lagësht. Dhe sa për gishtat e këmbëve që ishin pjesërisht prej hekuri dhe pjesërisht prej argjile të modeluar, mbretëria do të dalë se është pjesërisht e fortë dhe do të dalë se është pjesërisht e brishtë. Meqenëse pe hekur të përzier me argjilë të lagësht, do të jenë të përzier me pasardhjen e njerëzimit, por nuk do të dalë se janë të ngjitura së bashku, kjo me atë, ashtu si hekuri nuk përzihet me argjilën e modeluar.»—Danieli 2:41-43.
26. Kur shfaqet sundimi i paraqitur nga pjesa e fundit e këmbëve dhe gishtat e tyre?
26 Renditja njëra pas tjetrës e fuqive botërore të përfaqësuara nga pjesët e ndryshme të shëmbëlltyrës në ëndrrën e Nabukodonosorit filloi me kokën dhe zbriti deri te këmbët. Logjikisht, pjesa e fundit të këmbëve dhe gishtat prej «hekuri të përzier me argjilë të modeluar» do të simbolizonin shfaqjen përfundimtare të sundimit njerëzor që do të ekzistonte gjatë «kohës së fundit».—Danieli 12:4.
27. (a) Ç’lloj situate botërore paraqesin pjesa e fundit e këmbëve dhe gishtat e tyre prej hekuri të përzier me argjilë? (b) Ç’paraqitet me anë të dhjetë gishtave të këmbës të shëmbëlltyrës?
27 Në agimin e shekullit të 20-të, Perandoria Britanike sundonte mbi një të katërtën e popullsisë së botës. Perandori të tjera evropiane kishin nën kontroll miliona njerëz të tjerë. Por Lufta I Botërore pati si rezultat lindjen e grupeve të kombeve në vend të perandorive. Pas Luftës II Botërore, kjo prirje u përshpejtua. Ndërsa nacionalizmi zhvillohej më tej, numri i kombeve në botë u rrit në mënyrë dramatike. Dhjetë gishtat e këmbëve të shëmbëlltyrës përfaqësojnë të gjitha këto fuqi dhe qeveri që ekzistojnë në të njëjtën kohë, sepse në Bibël numri dhjetë ka disa herë domethënien e plotësisë tokësore.—Krahaso Daljen 34:28; Mateun 25:1; Zbulesën 2:10.
28, 29. (a) Sipas Danielit, çfarë përfaqësonte argjila? (b) Ç’mund të thuhet për përzierjen e hekurit me argjilën?
28 Tani që jemi në «kohën e fundit», kemi arritur te pjesa e fundit e këmbëve të shëmbëlltyrës. Disa prej qeverive të paraqitura nga pjesa e fundit e këmbëve dhe nga gishtat e këmbëve të shëmbëlltyrës, të cilat janë prej hekuri të përzier me argjilë, janë si hekuri: autoritare ose tiranike. Të tjerat janë si argjila. Në ç’kuptim? Danieli e lidhi argjilën me «pasardhjen e njerëzimit». (Danieli 2:43) Pavarësisht nga natyra e brishtë e argjilës, prej së cilës është bërë njerëzimi, sundimtarët tradicionalë që i ngjajnë hekurit, kanë qenë të detyruar ta dëgjojnë gjithnjë e më shumë popullin e thjeshtë, i cili dëshiron të thotë fjalën e tij në qeveritë që e sundojnë. (Jobi 10:9) Por aq sa mund të bashkohet hekuri me argjilën, aq mund të ngjiten së bashku sundimi autoritar me popullin e thjeshtë. Në kohën kur shëmbëlltyrës do t’i vijë fundi, bota do të jetë me të vërtetë e copëzuar politikisht!
29 A do të shkaktojë rënien e gjithë shëmbëlltyrës gjendja e përçarë e pjesës së fundit të këmbëve dhe gishtave? Çfarë do t’i ndodhë shëmbëlltyrës?
KULM DRAMATIK!
30. Përshkruaj kulmin e ëndrrës së Nabukodonosorit?
30 Shqyrto kulmin e ëndrrës. Danieli i tha mbretit: «Ti vazhdove të shohësh derisa një gur u shkëput jo nga duar dhe e goditi shëmbëlltyrën në pjesën e fundit të këmbëve të saj prej hekuri dhe argjile të modeluar dhe i thërrmoi. Në atë kohë, hekuri, argjila e modeluar, bakri, argjendi dhe ari, të gjitha së bashku, u thërrmuan dhe u bënë si byku nga lëmi i verës; dhe era i çoi tutje, kështu që nuk u gjet asnjë gjurmë e tyre. Dhe sa për gurin që goditi shëmbëlltyrën, ai u bë një mal i madh dhe mbushi tërë tokën.»—Danieli 2:34, 35.
31, 32. Çfarë ishte parathënë në lidhje me pjesën përfundimtare të ëndrrës së Nabukodonosorit?
31 Duke dhënë shpjegimin, profecia vazhdonte: «Në ditët e atyre mbretërve, Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri që nuk do të çohet kurrë në rrënim. Dhe vetë mbretëria nuk do t’i kalohet asnjë populli tjetër. Ajo do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive dhe ajo vetë do të qëndrojë në kohë të pacaktuara, përderisa pe se nga mali u shkëput një gur jo nga duar, dhe se thërrmoi hekurin, bakrin, argjilën e modeluar, argjendin dhe arin. Vetë Perëndia madhështor i ka bërë të njohur mbretit atë që do të ndodhë pas kësaj. Dhe ëndrra është e besueshme dhe interpretimi i saj është i denjë për besim.»—Danieli 2:44, 45.
32 Duke e kuptuar se ia kishin kujtuar dhe shpjeguar ëndrrën, Nabukodonosori pranoi se vetëm Perëndia i Danielit ishte «Zotëri i mbretërve dhe Zbulues sekretesh». Gjithashtu, mbreti u dha Danielit dhe tre shokëve të tij hebrenj pozita me përgjegjësi të madhe. (Danieli 2:46-49) Por, cila është domethënia e ‘interpretimit të denjë për besim’ të Danielit, në ditët e sotme?
‘NJË MAL MBUSH TOKËN’
33. Prej cilit «mal» u shkëput «guri» dhe kur e si ndodhi kjo?
33 Në tetor të vitit 1914, kur morën fund «kohët e caktuara të kombeve», «Perëndia i qiellit» vendosi Mbretërinë qiellore, duke hipur në fron Birin e vet të mirosur, Jezu Krishtin, si «Mbret të mbretërve dhe Zotëri të zotërinjve».a (Luka 21:24; Zbulesa 12:1-5; 19:16) Kështu që ishte fuqia hyjnore dhe jo duart njerëzore, ajo që shkëputi «gurin» e Mbretërisë Mesianike nga «mali» i sovranitetit universal të Jehovait. Kjo qeveri qiellore është në duart e Jezu Krishtit, të cilit Perëndia i ka dhënë pavdekësinë. (Romakëve 6:9; 1. Timoteut 6:15, 16) Prandaj, kjo «mbretëri e Zotërisë [Perëndisë] sonë dhe e Krishtit të tij», duke qenë shprehje e sovranitetit universal të Jehovait, nuk do t’i kalohet askujt tjetër. Ajo do të qëndrojë përjetë.—Zbulesa 11:15.
34. Si ndodhi që Mbretëria e Perëndisë lindi «në ditët e atyre mbretërve»?
34 Lindja e mbretërisë ndodhi «në ditët e atyre mbretërve». (Danieli 2:44) Këta nuk ishin vetëm mbretërit e paraqitur nga dhjetë gishtat e këmbëve të shëmbëlltyrës, por edhe ata të simbolizuar nga pjesët e saj prej hekuri, prej bakri, prej argjendi dhe prej ari. Megjithëse Perandoritë Babilonase, Perse, Greke dhe Romake ishin shuar si fuqi botërore, mbetjet e tyre ekzistonin ende në vitin 1914. Në atë kohë, Perandoria Otomane Turke pushtoi territorin e Babilonisë, ndërsa në Persi (Iran), në Greqi dhe në Romë, Itali, po funksiononin qeveritë kombëtare.
35. Kur do ta godasë «guri» shëmbëlltyrën dhe sa e plotë do të jetë shpërbërja e shëmbëlltyrës?
35 Së shpejti, Mbretëria qiellore e Perëndisë do ta godasë shëmbëlltyrën simbolike në pjesën e fundit të këmbëve të saj. Si rezultat, të gjitha mbretëritë e përfaqësuara prej saj do të bëhen copë-copë, duke marrë kështu fund. Vërtet, në «luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm», goditja e atij «guri» do të ketë një efekt kaq thërrmues, saqë shëmbëlltyra simbolike do të bëhet pluhur dhe era e stuhisë së Perëndisë do ta hedhë tutje si bykun e lëmit. (Zbulesa 16:14, 16) Atëherë, ashtu si guri që u rrit deri sa mori përmasat e një mali dhe mbushi tokën, Mbretëria e Perëndisë do të bëhet mali qeveritar që do të ushtrojë ndikim në «tërë tokën».—Danieli 2:35.
36. Pse Mbretëria Mesianike mund të quhet një qeveri e qëndrueshme?
36 Megjithëse Mbretëria Mesianike është qiellore, ajo do ta shtrijë pushtetin e saj drejt globit tonë, duke sjellë bekime për të gjithë banorët e bindur të tokës. Kjo qeveri e qëndrueshme «nuk do të çohet kurrë në rrënim» dhe «nuk do t’i kalohet një populli tjetër». Ndryshe nga mbretëritë e sundimtarëve të vdekshëm njerëzorë, «ajo vetë do të qëndrojë në kohë të pacaktuara», përgjithmonë. (Danieli 2:44) Paç privilegjin të jesh një prej nënshtetasve të saj përjetë!
[Shënimi]
a Shiko kapitullin 6 të këtij libri.
ÇFARË KE KUPTUAR?
• Cilat fuqi botërore përfaqësohen me anë të pjesëve të ndryshme të shëmbëlltyrës jashtëzakonisht të madhe në ëndrrën e Nabukodonosorit?
• Cilën situatë botërore përfaqëson pjesa e fundit të këmbëve dhe gishtat e tyre prej hekuri të përzier me argjilë?
• Kur dhe prej cilit «mal» u shkëput «guri»?
• Kur do ta godasë «guri» shëmbëlltyrën?
[Kutia dhe figurat në faqet 63-67]
NJË MBRET LUFTARAK NDËRTON NJË PERANDORI
PRINCI trashëgimtar i Babilonisë dhe ushtria e tij dërrmojnë forcat egjiptiane të faraonit Neko në Karkemish të Sirisë. Egjiptianët e mundur ia mbathin në jug drejt Egjiptit, ndërsa babilonasit i ndjekin. Por një mesazh nga Babilonia e detyron princin fitimtar ta lërë ndjekjen. Ka ardhur njoftimi se i ati, Nabopolasari, ka vdekur. Pasi ua ngarkon gjeneralëve të tij përgjegjësinë për të sjellë me vete robërit dhe plaçkën e luftës, Nabukodonosori kthehet shpejt në vendin e tij dhe zë fronin që ka lënë i ati.
Kështu, në vitin 624 p.e.s., Nabukodonosori hipi në fronin e Babilonisë dhe u bë sundimtari i dytë i Perandorisë Neo-Babilonase. Gjatë mbretërimit të tij 43-vjeçar, ai vuri nën zotërimin e vet territore që dikur ishin pushtuar nga fuqia botërore asiriane dhe e shtriu pushtetin e tij duke marrë Sirinë, në veri të zotërimit të tij, dhe Palestinën, në perëndim të tij, deri në kufirin me Egjiptin.—Shiko hartën.
Në vitin e katërt të mbretërimit të tij, (620 p.e.s.), Nabukodonosori e bëri Judën mbretërinë e vet vasale. (2. Mbretërve 24:1) Tre vjet më vonë, një rebelim i judenjve çoi në rrethimin e Jerusalemit nga Babilonia. Nabukodonosori mori si robër në Babiloni Jehojakinin, Danielin dhe të tjerë. Ky mbret mori me vete edhe disa enë të tempullit të Jehovait. Xhaxhain e Jehojakinit, Sedekinë, e bëri mbret vasal të Judës.—2. Mbretërve 24:2-17; Danieli 1:6, 7.
Më vonë edhe Sedekia u rebelua, duke bërë aleancë me Egjiptin. Nabukodonosori e rrethoi përsëri Jerusalemin dhe në vitin 607 p.e.s. ai prishi murin e tij, dogji tempullin dhe shkatërroi qytetin. Ai vrau të gjithë bijtë e Sedekisë, pastaj verboi Sedekinë dhe e lidhi që ta merrte në Babiloni si të burgosur. Nabukodonosori zuri rob shumicën e popullit dhe transportoi në Babiloni pjesën që kishte mbetur nga enët e tempullit. «Kështu Juda shkoi në mërgim, larg dheut të vet.»—2. Mbretërve 24:18–25:21.
Nabukodonosori pushtoi edhe Tirin, duke rrethuar qytetin, rrethim ky që zgjati 13 vjet. Gjatë kohës së rrethimit, kokat e ushtarëve të tij ishin «bërë tullace» nga fërkimi me helmetat, ndërsa supet u ishin «rrjepur», sepse mbanin materiale që i përdornin për ndërtimin e veprave të rrethimit kundër qyteteve. (Ezekieli 29:18) Më në fund, Tiri kapitulloi para forcave babilonase.
Duket se mbreti babilonas ishte një strateg i shkëlqyer ushtarak. Disa referime letrare, sidomos ato me origjinë babilonase, e përshkruajnë edhe si një mbret të drejtë. Megjithëse Shkrimet nuk thonë në mënyrë specifike se Nabukodonosori ishte i drejtë, profeti Jeremia tha se megjithëse ishte rebeluar, Sedekia do të trajtohej me drejtësi ‘nëse do t’u dilte princave të mbretit të Babilonisë’. (Jeremia 38:17, 18) Edhe pas shkatërrimit të Jerusalemit, Nabukodonosori e trajtoi me respekt Jereminë. Për sa i përket Jeremisë, mbreti urdhëroi: «Merre dhe mbaji sytë e tu mbi të e mos i bëj as edhe një të keqe. Por ashtu si të të thotë, ashtu bëj me të.»—Jeremia 39:11, 12; 40:1-4.
Si administrator, Nabukodonosori qe i shpejtë në dallimin e cilësive dhe aftësive të Danielit dhe tre shokëve të tij: Shadrakut, Meshakut dhe Abednegos, emrat hebraikë të të cilëve ishin Hanania, Mishael dhe Azaria. Prandaj mbreti i përdori në pozita me përgjegjësi në mbretërinë e tij.—Danieli 1:6, 7, 19-21; 2:49.
Devocioni fetar i Nabukodonosorit i drejtohej në mënyrë të veçantë Mardukut, perëndisë kryesor të Babilonisë. Për të gjitha pushtimet e tij, mbreti ia jepte meritën Mardukut. Në Babiloni, ai ndërtoi dhe zbukuroi tempujt e Mardukut dhe të shumë hyjnive të tjera babilonase. Ndoshta shëmbëlltyra prej ari e ngritur në rrafshirën e Durës i dedikohej Mardukut. Gjithashtu, duket se për planifikimin e lëvizjeve të tij ushtarake, Nabukodonosori mbështetej shumë te shortaria.
Nabukodonosori krenohej edhe me restaurimin e Babilo-nisë, qyteti më i madh me mure i asaj kohe. Duke përfunduar muret dyfishe masive të qytetit, të cilat kishte nisur t’i ndërtonte i ati, Nabukodonosori e bëri kryeqytetin të pathyeshëm në dukje. Mbreti meremetoi një pallat të vjetër në zemër të qytetit dhe ndërtoi një pallat veror rreth dy kilometra në veri të pallatit që ndodhej në qytet. Për të kënaqur mbretëreshën mede, të cilën e kishte marrë malli për kodrat dhe pyjet e vendit të saj, thuhet se Nabukodonosori ndërtoi kopshtet e varura, të cilësuara si një nga shtatë mrekullitë e botës së lashtë.
«A nuk është kjo Babilonia e Madhe që unë vetë e kam ndërtuar për shtëpinë mbretërore me forcën e fuqisë sime dhe për dinjitetin e madhërisë sime?»—mburrej mbreti një ditë, ndërsa shëtiste nëpër pallatin mbretëror të Babilonisë. «Ndërsa fjala ishte ende në gojën e mbretit», ai u godit nga çmenduria. Gjatë shtatë vjetëve që nuk qe i aftë të sundonte, hëngri bimësi, ashtu siç kishte parathënë Danieli. Në fund të kësaj periudhe, Nabukodonosorit iu kthye mbretëria dhe ai sundoi në të deri sa vdiq në vitin 582 p.e.s.—Danieli 4:30-36.
ÇFARË KE KUPTUAR?
Ç’mund të thuhet për Nabukodonosorin si:
• strateg ushtarak?
• administrator?
• adhurues i Mardukut?
• ndërtues?
[Harta]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
PERANDORIA BABILONASE
DETI I KUQ
Jerusalemi
Lumi Eufrat
Lumi Tigër
Ninevia
Suza
Babilonia
Uri
[Figura]
Babilonia, qyteti më i madh me mure i kohës së saj
[Figura]
Dragoi ishte simbol i Mardukut
[Figura]
Kopshtet e famshme të varura të Babilonisë
[Diagrami dhe figura në faqen 56]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
FUQITË BOTËRORE TË PROFECISË SË DANIELIT
Shëmbëlltyra tejet e madhe (Danieli 2:31-45)
BABILONIA nga viti 607 p.e.s.
MEDO-PERSIA nga viti 539 p.e.s.
GREQIA nga viti 331 p.e.s.
ROMA nga viti 30 p.e.s.
FUQIA BOTËRORE ANGLO-AMERIKANE nga viti 1763 i e.s.
BOTA E PËRÇARË POLITIKISHT në kohën e fundit
[Figura që zë gjithë faqen 47]
[Figura që zë gjithë faqen 58]