Libri biblik numër 28—Hozea
Shkrimtari: Hozea
Vendi ku u shkrua: Samari (krahina)
Shkrimi përfundoi: pas 745 p.e.s.
Periudha përkatëse: para 804 p.e.s.–pas 745 p.e.s.
1, 2. (a) Si quhen disa herë 12 librat e fundit të Shkrimeve Hebraike? (b) Çfarë dihet për Hozenë dhe me kë kanë të bëjnë profecitë e tij?
DYMBËDHJETË librat e fundit të Shkrimeve Hebraike quhen zakonisht «profetët e vegjël». Edhe pse janë quajtur kështu dhe gjatësia e tyre të marrë së bashku është më e vogël se ajo e Isaisë apo Jeremisë, këta libra nuk janë të vegjël për nga rëndësia. Në Biblën në hebraisht, këta libra konsiderohen të gjithë si një vëllim i vetëm dhe quhen «Të dymbëdhjetët». Ndoshta qëllimi për të cilin u mblodhën së bashku në këtë mënyrë ishte që të ruheshin, meqë një rrotull e vetme e vogël mund të humbte lehtësisht. Si të gjithë këta 12 libra, edhe i pari merr emrin e shkrimtarit përkatës, Hozesë, emri i të cilit është një shkurtim i Hoshaiah, që do të thotë «I shpëtuar nga Jah; Jah e ka shpëtuar».
2 Në librin që mban emrin e tij, nuk tregohet shumë për vetë Hozenë, me përjashtim që ishte i biri i Beerit. Profecitë e tij kanë të bëjnë pothuajse vetëm me Izraelin, kurse Juda përmendet vetëm shkarazi. Megjithëse Hozea nuk e përmend Jerusalemin, fisi kryesor i Izraelit, Efraimi, përmendet me emër 37 herë, ndërsa kryeqyteti i Izraelit, Samaria, 6 herë.
3. Për sa kohë ka profetizuar Hozea dhe cilët ishin disa profetë të tjerë të kohës së tij?
3 Vargu i parë i librit na thotë se Hozea shërbeu si profet i Jehovait për një periudhë jashtëzakonisht të gjatë, pothuajse që nga fundi i mbretërimit të mbretit të Izraelit, Jeroboamit II, deri në kohën e mbretërimit të Hezekisë në Judë. Kjo përfshin një periudhë jo më vonë se viti 804 p.e.s. deri pas vitit 745 p.e.s., pra jo më pak se 59 vjet. Pa dyshim që koha e shërbimit të tij si profet ka përfshirë disa vjet të mbretërimit të Jeroboamit II dhe të Hezekisë. Gjatë kësaj kohe, Amosi, Isaia, Mikea dhe Obedi ishin disa profetë të tjerë besnikë të Jehovait.—Amo. 1:1; Isa. 1:1; Mik. 1:1; 2 Kron. 28:9.
4. Cilat citime dhe përmbushje profetike vërtetojnë autenticitetin e Hozesë?
4 Autenticitetin e profecisë e vërtetojnë rastet e shumta që citohet në Shkrimet e Krishtere Greke. Vetë Jezui citoi Hozenë 10:8, kur shpalli gjykimin mbi Jerusalemin: «Atëherë do të fillojnë t’u thonë maleve: ‘Bini mbi ne!’ dhe kodrave: ‘Na mbuloni!’» (Luka 23:30) I njëjti varg citohet pjesërisht te Zbulesa 6:16. Mateu citon Hozenë 11:1, kur tregon përmbushjen e profecisë: «Nga Egjipti e thirra tim bir.» (Mat. 2:15) Profecia e Hozesë për rivendosjen e gjithë Izraelit u përmbush në kuptimin që shumë veta nga mbretëria dhjetëfisëshe u bashkuan me Judën para se ajo të binte në robëri, dhe pasardhësit e tyre ishin mes atyre që u rikthyen pas mërgimit. (Hoz. 1:11; 2 Kron. 11:13-17; 30:6-12, 18, 25; Ezd. 2:70) Që nga koha e Ezdrës, libri ka zënë vendin që i takon me të drejtë në kanunin hebraik, si «fjala e Jehovait me anë të Hozesë».—Hoz. 1:2.
5. Për shkak të cilës pabesi e ndëshkoi Jehovai Izraelin?
5 Përse e dërgoi Jehovai Hozenë si profet në Izrael? Për shkak të jobesnikërisë së Izraelit dhe të ndotjes së tij me adhurimin e Baalit, duke shkelur kësisoj besëlidhjen me Jehovain. Në Tokën e Premtuar, Izraeli ishte bërë një popull që merrej me bujqësi, por në këtë mënyrë ata nuk përvetësuan vetëm mënyrën e jetesës së kananitëve, por edhe fenë e tyre me adhurimin e Baalit, një perëndi që simbolizonte fuqitë riprodhuese të natyrës. Në ditët e Hozesë, Izraeli e kishte lënë plotësisht adhurimin e Jehovait dhe u ishte kthyer orgjive ceremoniale të shthurura, ku përfshiheshin edhe marrëdhëniet imorale me prostitutat e tempullit. Izraeli ia vishte Baalit meritën për begatinë që gëzonte. Ishte treguar i pabesë me Jehovain, i padenjë për të, dhe si i tillë duhej disiplinuar. Jehovai po përgatitej t’i tregonte se zotërimet e tij materiale nuk vinin nga Baali, prandaj dërgoi Hozenë që ta paralajmëronte Izraelin se ç’do të thoshte të mos tregoje pendim. Pas vdekjes së Jeroboamit II, Izraeli u përball me periudhën e tij më të tmerrshme. Një mbretërim terrori, gjatë të cilit disa sundimtarë u vranë, vazhdoi deri në vitin 740 p.e.s., kur u robëruan nga asirianët. Gjatë kësaj kohe, dy grupe luftonin kundër njëri-tjetrit: i pari donte të lidhte aleancë me Egjiptin, kurse tjetri me Asirinë. As njëri, as tjetri, nuk besonte te Jehovai.
6. Përse mund të themi që stili i Hozesë tregon shumë se ç’lloj personi ishte ai?
6 Stili i Hozesë tregon shumë se ç’lloj personi ishte ai. Shpesh, është i butë e i ndjeshëm në fjalët që përdor, dhe thekson vazhdimisht dashamirësinë dhe mëshirën e Jehovait. Ndalet në çdo shenjë të vogël pendimi që vëren. Herë të tjera, gjuha që përdor është e prerë dhe spontane. Atë që i mungon nga ana ritmike, e plotëson me forcën dhe fuqinë e të shprehurit. Hozea shpreh ndjenja shumë të forta dhe i ndryshon shpejt mendimet.
7. Ç’ilustron jobesnikëria e Gomerës dhe rimëkëmbja e saj e mëvonshme?
7 Në fillim të karrierës si profet, Perëndia e urdhëroi Hozenë të merrte ‘një grua që do të kryente kurvëri’. (1:2) Patjetër që Jehovai kishte një arsye për këtë. Për Jehovain Izraeli kishte qenë si një grua, që ishte treguar e pabesë duke kryer kurvëri. Gjithsesi, ai do t’i tregonte asaj dashuri e do të përpiqej ta merrte prapë. Gruaja e Hozesë, Gomera, e ilustron saktësisht këtë. Mendohet që pas lindjes së fëmijës së parë, ajo nuk qëndroi besnike dhe, me sa duket, fëmijët e tjerë i lindën nga marrëdhënie kurorëshkelëse. (2:5-7) Kjo duket nga pohimi se ajo «i lindi [Hozesë] një djalë», por më pas, në rastin e lindjes së dy fëmijëve të tjerë, tregimi ka fshirë çdo lloj referimi për profetin. (1:3, 6, 8) Kapitulli i 3-të, vargjet 1-3, duket se flasin për Hozenë që e merr prapë Gomerën, duke e blerë si të ishte një skllave, dhe kjo përkon me faktin që Jehovai e mori prapë popullin e tij pasi ky u pendua e u kthye nga udha e vet kurorëshkelëse.
8. Cilat emra zëvendësojnë njëri-tjetrin në libër?
8 Mbretëria veriore prej dhjetë fisesh e Izraelit, së cilës i drejtohen kryesisht fjalët e profecisë së Hozesë, njihej edhe si Efraimi, sipas emrit të fisit kryesor të mbretërisë. Këta emra, Izrael dhe Efraim, zëvendësojnë njëri-tjetrin në libër.
PËRMBAJTJA E HOZESË
9. Çfarë tregojnë emrat e fëmijëve të Gomerës për mënyrën se si do të veprojë Jehovai me Izraelin?
9 Ilustrohet udha kurorëshkelëse e Izraelit (1:1–3:5). Hozea merr «një grua që do të kryejë kurvëri» dhe ajo i lind profetit një djalë, Jezreelin. Më vonë, ajo lind edhe dy fëmijë të tjerë, një vajzë që u quajt Lo-Ruhama, që do të thotë «[Asaj] nuk iu tregua mëshirë», dhe një djalë, që u quajt Lo-Ami, që do të thotë «Nuk është populli im». Jehovai u dha këta dy emra për të treguar se nuk do t’i tregojë «më mëshirë shtëpisë së Izraelit» dhe për të theksuar se si një grup ai nuk i pranon më ata si popullin e tij. (1:2, 6, 9) Megjithatë, bijtë e Judës e të Izraelit, si «bijtë e Perëndisë së gjallë», do të mblidhen të bashkuar nën një krye të vetëm, «sepse e madhe do të jetë dita e Jezreelit». (1:10, 11) Pasi të pastrohet nga adhurimi kurorëshkelës i Baalit, populli i Perëndisë do të kthehet te Jehovai dhe do ta pranojë si burrin e vet. (2:16) Jehovai do t’i japë siguri Izraelit e do të fejohet me të për një kohë të pacaktuar, me drejtësi, dashamirësi, mëshirë e besnikëri. Në përputhje me emrin Jezreel (që do të thotë «Perëndia do të mbjellë farë»), Jehovai premton: «Do ta mbjell në tokë si farë për veten time. . . . Atyre që nuk janë populli im do t’u them: ‘Ti je populli im’, kurse ata do të thonë: ‘Ti je Perëndia im.’» (2:23) Si një grua që është penduar për kurorëshkeljen, ‘Izraeli do të kthehet e do të kërkojë Jehovain, Perëndinë e tij, si dhe Davidin, mbretin e tij’.—3:5.
10. Ç’pasoja do të sjellë fakti që kombi ka hedhur poshtë njohurinë?
10 Gjykime profetike kundër Efraimit (dhe Judës) (4:1–14:9). Vargu i parë i kapitullit 4 na jep sfondin e paralajmërimeve profetike që vijnë më pas: «Jehovai ka një çështje ligjore me banorët e vendit, sepse në vend s’ka as të vërtetë, as dashamirësi, as njohuri për Perëndinë.» Ç’pasoja do të vijnë nga kushte të tilla? «Meqë ti e ke hedhur poshtë njohurinë, edhe unë do të të hedh poshtë dhe ti nuk do të më shërbesh më si prift. Meqë ti vazhdon ta harrosh ligjin e Perëndisë tënd, edhe unë do t’i harroj bijtë e tu»,—thotë Jehovai. (4:1, 6) Pikërisht fryma e kurvërisë e ka bërë Izraelin të endet larg. Izraelit dhe Judës, që janë bërë si prostituta, do t’u kërkohet llogari, por ata do ta kërkojnë Jehovain vetëm «kur ta kenë punën pisk».—5:15.
11. Si i lutet Hozea popullit dhe përse thuhet ‘mjerë ata’?
11 Hozea i lutet popullit: «Le të kthehemi te Jehovai, sepse ai . . . do të na shërojë.» Jehovai kënaqet kur njerëzit shfaqin dashamirësi dhe kanë njohuri për Perëndinë, jo me flijime e me blatime të djegura, mirëpo dashamirësia e Efraimit dhe e Judës është «si vesa që ikën shpejt». (6:1, 4) Efraimi është «si një pëllumb mendjelehtë që nuk kupton». Populli i drejtohet për ndihmë Egjiptit dhe Asirisë, në vend që t’i drejtohet Jehovait. (7:11) Mjerë ata! Përse? Rrinë kot, kurdisin të këqija, shkelin besëlidhjen e Jehovait dhe kryejnë shkelje kundër ligjit të tij. «Erë vazhdojnë të mbjellin dhe erë shtrëngate do të korrin.» (8:7) Jehovai do ta kujtojë fajin e tyre dhe do t’u kushtojë vëmendje mëkateve të tyre. «Ata do të bëhen të arratisur mes kombeve.» (9:17) Izraeli është si një hardhi që po prishet dhe zemra e tij është bërë hipokrite. Në vend që të mbjellë farë me drejtësi e të korrë sipas dashamirësisë, Izraeli ka lëruar ligësi e ka korrur padrejtësi. «Nga Egjipti e thirra tim bir»,—kujton Jehovai. (11:1) Po, ai e deshi Izraelin që kur ishte djalë, por Izraeli e ka rrethuar me gënjeshtra e mashtrime. Jehovai këshillon: «Kthehu, pra, te Perëndia yt, duke ruajtur dashamirësinë dhe drejtësinë. Te Perëndia yt paç gjithmonë shpresë!»—12:6.
12. (a) Çfarë përmbledh Hozea në kapitullin e 13-të? (b) Çfarë rivendosjeje premtohet?
12 Në kapitullin e 13-të, Hozea përmbledh gjithçka që ka ndodhur më parë në lidhje me premtimin e hershëm që iu dha Izraelit, kujdesin e butë të Jehovait, harresën e Izraelit dhe kthimin e kombit përfundimisht kundër Jehovait. Jehovai shpall: «Unë ta dhashë mbretin në zemërimin tim dhe do ta heq atë në furinë time.» (13:11) Por, pastaj, do të ketë një rivendosje: «Nga dora e Sheolit do t’i shpengoj, nga vdekja do t’i rimëkëmb. Ku janë thumbat e tu, o Vdekje? Ku është fuqia jote shkatërruese, o Sheol?» (13:14) Sidoqoftë, fundi i Samarisë rebele do të jetë vërtet i llahtarshëm.
13. Me çfarë lutje përfundon libri i Hozesë dhe kush do të eci në udhët e Jehovait?
13 Libri përfundon me këtë lutje që të prek zemrën: ‘Kthehu, o Izrael, te Jehovai, Perëndia yt, sepse je penguar te faji yt. Kërko falje dhe paraqit demat e rinj të buzëve të tua. Jehovai do të të tregojë mëshirë e dashuri. Do të bëhet për ty si vesa freskuese e ti do të lulëzosh si zambaku dhe si pema e ullirit.’ Kush është i mençur dhe i matur do të kuptojë këto gjëra: «Sepse udhët e Jehovait janë të drejta dhe në to do të ecin të drejtët, kurse shkelësit do të pengohen.»—14:1-6, 9.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
14. Cilat përmbushje të sakta të profecisë së Hozesë vlejnë të përmenden?
14 Libri i Hozesë na forcon besimin te profecitë e frymëzuara të Jehovait. Çdo gjë që profetizoi Hozea për Izraelin dhe Judën, doli e vërtetë. Dashnorët që kishte mes kombeve fqinje idhujtare, e braktisën Izraelin dhe ai korri shtrëngatën e shkatërrimit nga Asiria në vitin 740 p.e.s. (Hoz. 8:7-10; 2 Mbret. 15:20; 17:3-6, 18) Megjithatë, Hozea kishte parathënë se Jehovai do t’i tregonte mëshirë Judës dhe do ta shpëtonte, por jo me fuqi ushtarake. Kjo u përmbush, kur engjëlli i Jehovait vrau 185.000 asirianë që kërcënonin Jerusalemin. (Hoz. 1:7; 2 Mbret. 19:34, 35) Gjithsesi, edhe Juda kishte pjesën e saj në gjykimin e shprehur në Hozenë 8:14 ku thuhet: «Unë do të dërgoj zjarr në qytetet e saj dhe ai do të përpijë kullat e banimit të secilit prej tyre.» Ky parashikim u përmbush në mënyrë të tmerrshme kur Nabukodonosori shkretoi Judën dhe Jerusalemin në vitet 609-607 p.e.s. (Jer. 34:6, 7; 2 Kron. 36:19) Profecitë e shumta të Hozesë për rivendosjen u plotësuan, kur Jehovai mblodhi bashkë Judën e Izraelin, dhe ‘dolën nga vendi’ i mërgimit në vitin 537 p.e.s.—Hoz. 1:10, 11; 2:14-23; 3:5; 11:8-11; 13:14; 14:1-9; Ezd. 2:1; 3:1-3.
15. Çfarë citimesh nga libri i Hozesë kanë përdorur shkrimtarët e Shkrimeve të Krishtere Greke?
15 Shumë të dobishme për ne sot janë edhe citimet që bëjnë shkrimtarët e Shkrimeve të Krishtere Greke nga profecia e Hozesë. Për shembull, Pavli bën një aplikim të fuqishëm të Hozesë 13:14, kur flet për ringjalljen: «Ku është fitorja jote, o vdekje? Ku është thumbi yt, o vdekje?» (1 Kor. 15:55) Kur thekson dashamirësinë e pamerituar që u ka shprehur Jehovai enëve të mëshirës, Pavli citon nga Hozea 1:10 dhe; 2:23: «Ashtu si thotë ai edhe te Hozea: “Ata që nuk janë populli im, do t’i quaj ‘populli im’ dhe atë që nuk ishte e dashur, do ta quaj ‘të dashur’, dhe në vendin ku thuhej: ‘Ju nuk jeni populli im’, atje do të quhen ‘bij të Perëndisë së gjallë’.”» (Rom. 9:25, 26) Pjetri parafrazoi të njëjtat vargje të Hozesë kur tha: «Sepse dikur nuk ishit një popull, por tani jeni populli i Perëndisë. Ju ishit ata, të cilëve nuk u ishte treguar mëshirë, por tani jeni ata, të cilëve u është treguar mëshirë.»—1 Pjet. 2:10.
16. Ç’fjalë të Hozesë që tregojnë kërkesat e Jehovait për adhurim, përsëriti Jezui?
16 Kështu pra, duket se profecia e Hozesë nuk është përmbushur vetëm me kthimin e mbetjes në ditët e Zorobabelit, por edhe me mbledhjen e mëshirshme që Jehovai i bëri mbetjes frymore, të cilët u bënë ‘bij të dashur të Perëndisë së gjallë’. Nën frymëzim, Hozea pa edhe kërkesat që këta duhet të plotësojnë. Nuk është një adhurim vetëm sa për sy e faqe, me rite formale, por si tha Hozea 6:6 (fjalë që Jezui i përsëriti te Mateu 9:13 dhe Mt 12:7): «Unë jam kënaqur me dashamirësinë, jo me flijimin; me njohurinë për Perëndinë dhe jo me blatimet e plota të djegura.»
17. (a) Ç’duhet të bëjnë ata që kanë rënë në kurorëshkelje frymore? (b) Ç’premtim të gëzueshëm për Mbretërinë përmban Hozea?
17 Ilustrimi i gruas kurorëshkelëse, i interpretuar në mënyrë aq të gjallë në vetë jetën e Hozesë, tregon se Jehovai i urren thellësisht ata që e braktisin dhe u kthehen udhëve të idhujtarisë e adhurimit të rremë, duke kryer në këtë mënyrë kurorëshkelje frymore. Të gjithë ata që kanë rënë në këtë gabim, duhet të kthehen te Jehovai me pendim të vërtetë e ‘të japin demat e rinj të buzëve të tyre’. (Hoz. 14:2; Hebr. 13:15) Kështu, bashkë me mbetjen e bijve frymorë të Izraelit, mund të gëzojnë përmbushjen e premtimit të Mbretërisë që bëhet te Hozea 3:5: «Pas kësaj bijtë e Izraelit do të kthehen e do të kërkojnë Jehovain, Perëndinë e tyre, si dhe Davidin, mbretin e tyre. Në ditët e fundit ata do të vijnë duke u dridhur para Jehovait dhe mirësisë së tij.»