Jehovai e urren udhën e tradhtisë
‘Mos e tradhtoni njëri-tjetrin.’—MALAKIA 2:10.
1. Çfarë kërkon Perëndia prej nesh, që të marrim jetën e përhershme?
A E DËSHIRONI jetën e përhershme? Në qoftë se besoni në këtë shpresë që premtohet në Bibël, ka shumë të ngjarë që të thoni: ‘Sigurisht.’ Por, në qoftë se dëshironi që Perëndia t’ju tregojë hir duke ju dhënë jetën e pafundme në botën e tij të re, do t’ju duhet të plotësoni kërkesat e tij. (Eklisiastiu 12:13; Gjoni 17:3) A është e paarsyeshme të presim që njerëzit e papërsosur të bëjnë këtë? Jo, sepse Jehovai bën këtë pohim që na jep zemër: «Te dashamirësia kam gjetur kënaqësi, jo te flijimi; te njohuria për Perëndinë e jo te blatimet e plota të djegura.» (Hozea 6:6, BR) Prandaj, edhe njerëzimi që është i prirur për të gabuar mund t’i plotësojë kërkesat e Perëndisë.
2. Si e kishin tradhtuar Jehovain shumë izraelitë?
2 Megjithatë, jo të gjithë dëshirojnë të bëjnë vullnetin e Jehovait. Hozea zbulon se edhe shumë izraelitë nuk dëshironin ta bënin këtë. Si komb, ata kishin pranuar që të hynin në një besëlidhje, në një marrëveshje, për t’iu bindur ligjeve të Perëndisë. (Dalja 24:1-8) E megjithatë s’kaloi shumë dhe po e ‘shkelnin besëlidhjen’, duke thyer ligjet e tij. Kështu, Jehovai tha se ata izraelitë ‘po e tradhtonin’ atë. (Hozea 6:7, BR) Kështu kanë vepruar edhe shumë njerëz të tjerë që nga ajo kohë. Por Jehovai e urren udhën e tradhtisë, pavarësisht nëse kjo i drejtohet atij ose atyre që e duan dhe i shërbejnë.
3. Çfarë shqyrtimi do të bëhet në këtë studim?
3 Hozea nuk ishte i vetmi profet që tërhoqi vëmendjen drejt pikëpamjes së Perëndisë për tradhtinë, një pikëpamje që duhet ta kemi edhe ne nëse shpresojmë të gëzojmë një jetë të lumtur. Në artikullin e mëparshëm nisëm të analizonim një pjesë të mirë të mesazhit profetik të Malakisë, duke filluar me kapitullin e parë të librit të tij. Tani le të kalojmë në kapitullin e dytë të këtij libri dhe të shohim se si i kushtohet vëmendje e mëtejshme pikëpamjes së Perëndisë për tradhtinë. Vërtet që Malakia po trajtonte situatën që mbizotëroi në popullin e Perëndisë disa dhjetëvjeçarë pasi ishin kthyer nga robëria në Babiloni. Por ky kapitull i dytë ka domethënie të vërtetë edhe për ne sot.
Priftërinj fajtorë
4. Cilin paralajmërim u dha Jehovai priftërinjve?
4 Kapitulli 2 fillon me qortimin që u bën Jehovai priftërinjve judenj sepse janë larguar nga udhët e tij të drejta. Në qoftë se nuk do ta merrnin për zemër këshillën e tij dhe nuk do të ndreqnin udhët e tyre, me siguri do të kishin pasoja të rënda. Vini re dy vargjet e para: «‘Ky urdhërim është për ju, o priftërinj. Në qoftë se nuk do të dëgjoni e në qoftë se nuk do ta merrni për zemër t’i jepni lavdi emrit tim’,—ka thënë Jehovai i ushtrive,—‘unë do të dërgoj patjetër mbi ju mallkimin dhe do të mallkoj bekimet tuaja.’» Nëse priftërinjtë do t’i kishin mësuar popullit ligjet e Perëndisë dhe do t’i kishin zbatuar ato, do të ishin bekuar. Por, përderisa e kishin shpërfillur vullnetin e Perëndisë, në vend të bekimeve do të vinte mallkimi. Madje edhe bekimet që shprehnin priftërinjtë do të ktheheshin në mallkime.
5, 6. (a) Përse ishin veçanërisht fajtorë priftërinjtë? (b) Si e shprehu Jehovai përbuzjen për priftërinjtë?
5 Përse ishin veçanërisht fajtorë priftërinjtë? Vargu 7 na jep një tregues të qartë: «Buzët e priftit duhet të ruajnë njohurinë, dhe populli duhet ta kërkojë ligjin nga goja e tij; sepse ai është lajmëtari i Jehovait të ushtrive.» Më shumë se një mijë vjet më parë, në ligjet e Perëndisë që i ishin dhënë Izraelit nëpërmjet Moisiut thuhej se priftërinjtë e kishin për detyrë ‘t’u mësonin bijve të Izraelit të gjitha ligjet që Zoti u kishte dhënë’. (Levitiku 10:11) Mjerisht, më vonë shkrimtari i 2 Kronikave 15:3 raportoi: «Për një kohë të gjatë Izraeli ka qenë pa Perëndinë e vërtetë, pa priftërinj që të jepnin mësim dhe pa ligj.»
6 Në kohën e Malakisë, në shekullin e pestë p.e.s., gjendja e priftërinjve si klasë ishte e njëjtë. Ata nuk po ua mësonin popullit Ligjin e Perëndisë. Prandaj, ata priftërinj duhej të jepnin llogari. Vini re fjalët e forta që drejton Jehovai kundër tyre. Te Malakia 2:3 thuhet: «Do të shpërndaj bajgë mbi fytyrat tuaja, bajgën e festave tuaja.» Çfarë qortimi! Lidhur me kafshët që do të flijoheshin, bajgat e tyre duheshin nxjerrë jashtë kampit dhe duheshin djegur. (Levitiku 16:27) Por, kur Jehovai përkundrazi u thotë se bajgat do t’u shpërndaheshin atyre në fytyrë, kjo gjë tregon qartë se ai i përbuzte dhe nuk i pranonte flijimet, si edhe ata që i bënin këto flijime.
7. Përse Jehovai ishte i zemëruar me mësuesit e Ligjit?
7 Shekuj para kohës së Malakisë, Jehovai kishte caktuar levitët që të kujdeseshin për tabernakullin dhe më vonë për tempullin e për shërbimin e shenjtë. Ata ishin mësuesit në kombin e Izraelit. Përmbushja e caktimit të tyre do të kishte nënkuptuar jetë dhe paqe për ta dhe për kombin. (Numrat 3:5-8) Por levitët e humbën frikën që kishin në fillim ndaj Perëndisë. Kështu, Jehovai u tha: «Ju jeni larguar nga udha. Keni bërë që shumë veta të pengohen në ligj. E keni prishur besëlidhjen e Levit . . . S’keni zbatuar udhët e mia.» (Malakia 2:8, 9) Duke mos u mësuar të tjerëve të vërtetën dhe duke lënë një shembull të keq, priftërinjtë çuan në rrugë të gabuar shumë izraelitë, kështu që Jehovai ishte me të drejtë i zemëruar me ta.
Të zbatojmë normat e Perëndisë
8. A është e tepërt të pritet që njerëzit të zbatojnë normat e Perëndisë? Shpjegoni.
8 Le të mos mendojmë që ata priftërinj meritonin t’u tregohej keqardhje dhe duheshin falur, se s’ishin veçse njerëz të papërsosur e s’mund të pritej prej tyre që t’i zbatonin normat e Perëndisë. E vërteta është që njerëzit mund t’i zbatojnë urdhrat e Perëndisë, sepse Jehovai nuk pret prej tyre gjëra që nuk mund t’i bëjnë. Ka të ngjarë që në atë kohë disa priftërinj, si individë, i zbatuan normat e Perëndisë. Veç kësaj, nuk ka asnjë dyshim për një prift të mëvonshëm që i zbatoi këto norma: Jezuin, ‘kryepriftin’ e madh. (Hebrenjve 3:1) Për të mund të thuhej me të vërtetë: «Ligji i së vërtetës ishte në gojën e tij dhe asnjë padrejtësi nuk u gjend mbi buzët e tij. Ai eci bashkë me mua në paqe e në drejtësi dhe të shumtë ishin ata që ktheu nga gabimi.»—Malakia 2:6.
9. Cilët e kanë shpërndarë besnikërisht të vërtetën në kohën tonë?
9 Në mënyrë të ngjashme, ka më shumë se një shekull që vëllezërit e mirosur të Krishtit, të cilët kanë shpresën qiellore, po shërbejnë si ‘një priftëri e shenjtë, që të ofrojnë sakrifica frymore të pranueshme për Perëndinë’. (1 Pjetrit 2:5) Kanë marrë drejtimin për t’u shpërndarë të vërtetat biblike të tjerëve. Kur keni marrë të vërtetat që mësojnë ata, a nuk e keni provuar vetë se ligji i së vërtetës është vërtet në gojën e tyre? Ata kanë ndihmuar shumë veta për t’u larguar nga gabimet fetare, kështu që tani në mbarë botën janë me miliona ata që kanë mësuar të vërtetat biblike dhe kanë shpresën e jetës së përhershme. Këta të fundit, nga ana e tyre, kanë privilegjin që t’u mësojnë ligjin e së vërtetës miliona njerëzve të tjerë.—Gjoni 10:16; Zbulesa 7:9.
Arsye për të pasur kujdes
10. Përse kemi arsye për të pasur kujdes?
10 Megjithatë kemi arsye për të pasur kujdes. Mund të mos arrijmë ta kapim kuptimin e mësimeve që gjenden te Malakia 2:1-9. Personalisht, a jemi syçelë që në buzët tona të mos gjendet asnjë padrejtësi? Për shembull, anëtarët e familjes sonë, a mund t’i zënë vërtet besë asaj që themi? Po vëllezërit dhe motrat që kemi në kongregacion? Do të ishte e lehtë të zhvillonim zakonin për t’i shprehur fjalët në një mënyrë që teknikisht të jenë të sakta, e megjithatë, t’i mashtrojnë të tjerët. Ose dikush mund t’i zmadhojë a t’i fshehë disa hollësi në një çështje biznesi. A nuk do ta shihte Jehovai këtë? Dhe nëse ndjekim praktika të tilla, a do t’i pranonte ai prej buzëve tona sakrificat e lëvdimit?
11. Cilët veçanërisht duhet të jenë të kujdesshëm?
11 Për ata që sot kanë privilegjin t’u mësojnë të tjerëve Fjalën e Perëndisë nëpër kongregacione, Malakia 2:7 duhet të shërbejë si një paralajmërim. Aty thuhet se buzët e tyre «duhet ta ruajnë njohurinë dhe populli duhet ta kërkojë ligjin» nga goja e tyre. Mbi këta mësues bie një përgjegjësi e madhe, sepse Jakovi 3:1 tregon që do të ‘marrin një gjykim më të ashpër’. Ndërkohë që duhet t’i mësojnë të tjerët me vendosmëri e me entuziazëm, mësimi i tyre duhet të jetë i bazuar fortësisht në Fjalën e shkruar të Perëndisë dhe në udhëzimet që vijnë nëpërmjet organizatës së Jehovait. Në këtë mënyrë do të jenë «të kualifikuar aq sa duhet për të mësuar të tjerët». Prandaj, atyre u jepet këshilla: «Bëj çmos për t’u paraqitur para Perëndisë i miratuar, si një punëtor që s’ka pse t’i vijë turp për asgjë, që e përdor drejt fjalën e së vërtetës.»—2 Timoteut 2:2, 15.
12. Çfarë kujdesi duhet të tregojnë ata që mësojnë të tjerët?
12 Nëse nuk jemi të kujdesshëm, mund të tundohemi që të përfshijmë në mësimdhënien tonë parapëlqime ose ide personale. Kjo do të ishte sidomos e rrezikshme për një person që ka prirjen të jetë i sigurt në përfundimet e tij, edhe kur këto bien në kundërshtim me atë që po mëson organizata e Jehovait. Por kapitulli 2 i Malakisë tregon se duhet të presim që mësuesit në kongregacion t’i qëndrojnë besnikë njohurisë që vjen nga Perëndia e jo ideve personale, të cilat mund t’i pengojnë delet. Jezui tha: «Kushdo që pengon një nga këta të vegjël që tregojnë besim tek unë, për të është më e dobishme t’i varet rreth qafës një gur mulliri, si ai që rrotullohet nga një gomar, e të fundoset në detin e paanë.»—Mateu 18:6.
Martesa me jobesimtarë
13, 14. Cila ishte një mënyrë tradhtare sjelljeje që theksoi Malakia?
13 Nga vargu 10 e në vazhdim, kapitulli 2 i Malakisë e tërheq vëmendjen në mënyrë edhe më të drejtpërdrejtë ndaj tradhtisë. Malakia përqendrohet në dy mënyra sjelljeje që lidheshin me njëra-tjetrën, për të cilat ai përdor në mënyrë të përsëritur fjalën «tradhti». Së pari, vini re se Malakia i paraprin këshillës së tij me këto pyetje: «A nuk kemi të gjithë një atë? A nuk na ka krijuar një Perëndi? Pse, pra, e tradhtojmë njëri-tjetrin, duke përdhosur besëlidhjen e etërve tanë?» Pastaj, në vargun 11 shton që tradhtia e Izraelit shkon deri aty sa ata përdhosin «shenjtërinë e Jehovait». Çfarë po bënin ata që ishte kaq e rëndë? Ky varg tregon një nga praktikat e gabuara: ata kishin «marrë për nuse bijën e një perëndie të huaj».
14 Me fjalë të tjera, disa izraelitë që ishin pjesë e një kombi të dedikuar ndaj Jehovait ishin martuar me persona që nuk adhuronin Jehovain. Konteksti na ndihmon të kuptojmë përse kjo gjë ishte kaq e rëndë. Vargu 10 thotë që ata kishin një atë të përbashkët. Këtu nuk bëhet fjalë për Jakobin (që mori emrin «Izrael») ose për Abrahamin, as për Adamin. Malakia 1:6 tregon që ‘ati’ i tyre ishte Jehovai. Kombi i Izraelit kishte hyrë në një marrëdhënie me të, ishte palë e besëlidhjes që ishte bërë me etërit e tyre. Një nga ligjet e asaj besëlidhjeje ishte: «Nuk do të lidhësh martesë me ta. Nuk do t’u japësh bijat e tua bijve të tyre dhe nuk do të marrësh bijat e tyre për bijtë e tu.»—Ligji i përtërirë 7:3.
15. (a) Si mund të përpiqen ta justifikojnë disa martesën me jobesimtarë? (b) Si shprehet Jehovai për çështjen e martesës?
15 Disa veta sot mund të arsyetojnë: ‘Personi që më pëlqen është shumë i mirë. Me kohë, ai (ose ajo) ka shumë të ngjarë ta pranojë adhurimin e vërtetë.’ Kjo mënyrë të menduari vërteton paralajmërimin e frymëzuar: «Zemra është më tradhtare se çdo gjë tjetër dhe është e dëshpëruar.» (Jeremia 17:9, BR) Pikëpamja e Perëndisë për martesën me një jobesimtar shprehet te Malakia 2:12, ku thuhet: «Jehovai do ta shfarosë . . . këdo që bën kështu.» Prandaj, të krishterët janë të nxitur që të martohen «vetëm në Zotërinë». (1 Korintasve 7:39) Në sistemin e krishterë, një besimtar nuk ‘shfaroset’ nëse martohet me një jobesimtar. Megjithatë, nëse jobesimtari do të mbetet i tillë, çfarë do t’i ndodhë atij personi kur së shpejti Perëndia të sjellë fundin e këtij sistemi?—Psalmi 37:37, 38.
Keqtrajtimi i bashkëshortes
16, 17. Cila ishte një mënyrë tradhtare sjelljeje që kishin ndërmarrë disa?
16 Më pas Malakia shqyrton një tradhti të dytë: keqtrajtimi i bashkëshortes, në mënyrë të veçantë duke u divorcuar pa të drejtë. Vargu 14 i kapitullit 2 thotë: «Vetë Jehovai ka dhënë dëshmi mes teje dhe gruas së rinisë sate, të cilën ti e ke tradhtuar, ndonëse ajo është shoqja jote dhe gruaja e besëlidhjes sate.» Duke i tradhtuar gratë e tyre, burrat judenj bënë që altari i Jehovait ‘të mbulohej me lot’. (Malakia 2:13) Ata burra po divorcoheshin për arsye jo të përligjura, duke lënë padrejtësisht gratë e rinisë së tyre, që të mund të martoheshin me gra më të reja ose pagane. E priftërinjtë e korruptuar e lejonin këtë! Megjithatë, te Malakia 2:16 thuhet: «‘Ai e ka urryer divorcin’,—ka thënë Jehovai, Perëndia i Izraelit.» Më vonë, Jezui tregoi se e vetmja bazë për divorc që do ta lejonte bashkëshortin e pafajshëm të martohej përsëri është imoraliteti.—Mateu 19:9.
17 Le të mendojmë mirë rreth fjalëve të Malakisë, për të kuptuar se si ato u bëjnë thirrje zemrave dhe ndjenjave më themelore të dashamirësisë. Ai flet për ‘shoqen tënde dhe gruan e besëlidhjes sate’. Çdo burrë të cilit u drejtoheshin këto fjalë ishte martuar me një bashkadhuruese, me një grua izraelite, duke e zgjedhur atë si një shoqe të dashur, si një bashkëshorte për jetën. Ndonëse kjo martesë mund të ketë ndodhur kur ai dhe ajo ishin të rinj, ndërsa koha dhe mosha kalonte, këto gjëra nuk e shfuqizonin besëlidhjen në të cilën kishin hyrë, domethënë betimin e martesës.
18. Në cilat mënyra zbatohet sot këshilla e Malakisë lidhur me tradhtinë?
18 Këshilla lidhur me këto çështje zbatohet me të njëjtën forcë sot. Është për të ardhur keq që disa e shpërfillin drejtimin e Perëndisë lidhur me martesën vetëm në Zotërinë. Po ashtu, është për të ardhur keq që disa nuk vazhdojnë të bëjnë përpjekje për ta mbajtur të fortë martesën e tyre. Në vend të kësaj, ata sajojnë justifikime dhe ndjekin një drejtim që Perëndia e urren, duke bërë divorc jobiblik për t’u martuar me dikë tjetër. Me të gjitha këto që bëjnë, e ‘kanë lodhur Jehovain’. Në ditët e Malakisë, ata që shpërfillnin këshillën hyjnore kishin edhe guximin të mendonin se pikëpamjet e Jehovait nuk ishin të justifikuara. Në të vërtetë, ata thoshin: «Ku është Perëndia i drejtësisë?» Çfarë mendimi i shtrembër! Le të mos biem në këtë grackë!—Malakia 2:17.
19. Si mund të marrin frymën e Perëndisë bashkëshortët dhe bashkëshortet?
19 Duke kaluar në anën pozitive, Malakia tregon se kishte disa bashkëshortë që nuk po i tradhtonin gratë e tyre. Ata ‘kishin atë që kishte mbetur nga fryma e shenjtë e Perëndisë’. (Vargu 15) Lumturisht, në organizatën e Perëndisë sot ka me bollëk burra të tillë që ‘u japin nderim grave të tyre’. (1 Pjetrit 3:7) Ata nuk i keqtrajtojnë gratë e tyre fizikisht ose me fjalë, nuk ngulin këmbë në praktika seksuale degraduese dhe nuk i çnderojnë gratë, duke flirtuar me gra të tjera ose duke parë pornografi. Organizata e Jehovait është bekuar, gjithashtu, me plot gra të krishtere besimplote, të cilat i qëndrojnë besnike Perëndisë dhe ligjeve të tij. Të gjithë këta burra e këto gra e dinë se çfarë urren Perëndia dhe mendojnë e veprojnë në përputhje me këtë. Vazhdoni të jeni si ata, ‘duke iu bindur Perëndisë si sundimtar’ dhe duke u bekuar me frymën e tij të shenjtë!—Veprat 5:29.
20. Cila kohë po afrohet për gjithë njerëzimin?
20 Së shpejti, Jehovai do ta thërrasë në gjyq gjithë këtë botë. Çdo individ do t’i japë llogari atij për bindjet dhe veprimet e tij ose të saj. «Secili prej nesh do t’i japë llogari Perëndisë për veten.» (Romakëve 14:12) Prandaj, një pyetje interesante në këtë pikë është: Kush do të mbijetojë në ditën e Jehovait? Artikulli i tretë e i fundit i kësaj serie do të trajtojë këtë temë.
A mund ta shpjegoni?
• Për cilën arsye themelore i qortoi Jehovai priftërinjtë në Izrael?
• Përse normat e Perëndisë nuk janë tepër të larta, aq sa njerëzit të mos i zbatojnë dot?
• Përse duhet të tregojmë kujdes kur mësojmë të tjerët sot?
• Cilat janë dy praktika që Jehovai i dënoi në mënyrë të veçantë?
[Figura në faqen 15]
Në ditët e Malakisë, priftërinjtë u qortuan se nuk zbatonin udhët e Jehovait
[Figura në faqen 16]
Duhet të jemi të kujdesshëm që t’u mësojmë të tjerëve udhët e Jehovait, jo të përkrahim parapëlqimet personale
[Figurat në faqen 18]
Jehovai i dënoi izraelitët që i divorconin gratë e tyre mbi baza të parëndësishme dhe martoheshin me gra pagane
[Figura në faqen 18]
Të krishterët sot e nderojnë besëlidhjen e tyre martesore