Kush do të «shpëtojë»?
«Gjithkush që thërret emrin e Jehovait do të shpëtohet.»—VEPRAT 2:21, BR.
1. Pse Rrëshajët e vitit 33 të e.s., ishin një pikë kthese në historinë botërore?
RRËSHAJËT e vitit 33 të e.s. ishin një pikë kthese në historinë botërore. Pse? Sepse atë ditë lindi një komb i ri. Në fillim, ky nuk ishte një komb shumë i madh: vetëm 120 dishepuj të Jezuit, të cilët ishin mbledhur në një dhomë të sipërme në Jerusalem. Por sot, kur shumica e kombeve që ekzistonin në atë kohë janë harruar, kombi i lindur në atë dhomë të sipërme është ende me ne. Ky fakt është i një rëndësie të jashtëzakonshme për të gjithë ne, pasi ky është kombi i emëruar nga Perëndia, për të qenë dëshmitari i tij përpara njerëzimit.
2. Cilat ngjarje të mrekullueshme shënuan lindjen e një kombi të ri?
2 Kur ky komb i ri filloi të ekzistojë, ndodhën ngjarje të rëndësishme, që përmbushën fjalët profetike të Joelit. Për këto ngjarje lexojmë në Veprat 2:2-4: «Befas nga qielli erdhi një zhurmë si ajo e një puhie të fortë ere dhe e mbushi të gjithë shtëpinë ku ishin ulur ata. Dhe atyre iu bënë të dukshme gjuhë si prej zjarri që u shpërndanë, u ulën mbi secilin prej tyre dhe të gjithë ata u mbushën me frymën e shenjtë e filluan të flasin në gjuhë të ndryshme, ashtu si fryma ua jepte të shpreheshin.» (BR) Në këtë mënyrë, këta 120 burra besimplotë dhe gra besimplote u bënë një komb frymor, anëtarët e parë të asaj që apostulli Pavël e quajti më vonë «Izraeli i Perëndisë».—Galatasve 6:16.
3. Cila profeci e Joelit u përmbush në Rrëshajët e vitit 33 të e.s.?
3 Turmat u mblodhën për të shqyrtuar «puhinë e fortë të erës» dhe apostulli Pjetër u shpjegoi se po përmbushej një nga profecitë e Joelit. Cila profeci? E pra, dëgjo çfarë tha ai: «‘Në ditët e fundit,—thotë Perëndia,—do të derdh nga fryma ime mbi çdo lloj mishi dhe bijtë tuaj e bijat tuaja do të profetizojnë, të rinjtë tuaj do të shohin vizione dhe të moshuarit tuaj do të shohin ëndrra; madje mbi skllevërit e mi dhe mbi skllavet e mia do të derdh një pjesë nga fryma ime në ato ditë dhe ata do të profetizojnë. Dhe do të bëj çudira lart në qiell dhe shenja poshtë në tokë; gjak, zjarr dhe avuj tymi; dielli do të kthehet në errësirë dhe hëna në gjak, përpara se të vijë dita e madhe dhe e ndritur e Jehovait. Dhe gjithkush që thërret emrin e Jehovait do të shpëtohet.’» (Veprat 2:17-21, BR) Fjalët që citoi Pjetri gjenden në Joelin 2:28-32 dhe përmbushja e tyre donte të thoshte se për kombin judaik po përfundonte koha. «Dita e madhe dhe e ndritur e Jehovait», një kohë llogaridhënieje për Izraelin jobesimplotë, ishte afër. Por kush do të shpëtohej ose do të shpëtonte? Hija e cilës gjë ishte kjo?
Dy përmbushje profecie
4, 5. Duke pasur parasysh ngjarjet që do të vinin, cilën këshillë dha Pjetri dhe pse ajo këshillë ishte e aplikueshme pas kohës së tij?
4 Në vitet që pasuan vitin 33 të e.s., Izraeli frymor i Perëndisë lulëzoi, por kombi mishor i Izraelit, jo. Në vitin 66 të e.s., Izraeli sipas mishit ishte në luftë me Romën. Në vitin 70 të e.s., Izraeli pothuajse pushoi së ekzistuari dhe Jerusalemi me tempullin e tij u bë shkrumb e hi. Në Rrëshajët e vitit 33 të e.s., Pjetri dha këshilla shumë të mira, duke pasur parasysh atë tragjedi që po afrohej. Përsëri duke cituar Joelin, ai tha: «Gjithkush që thërret emrin e Jehovait do të shpëtohet.» Çdo individ jude duhej të merrte një vendim personal për të thirrur emrin e Jehovait. Kjo përfshinte t’u vinin veshin udhëzimeve të mëtejshme të Pjetrit: «Pendohuni dhe secili nga ju le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit, për faljen e mëkateve tuaja.» (Veprat 2:38, BR) Dëgjuesit e Pjetrit duhej ta pranonin Jezuin si Mesinë, të cilin Izraeli si komb e kishte hedhur poshtë.
5 Ato fjalë profetike të Joelit patën një ndikim të madh te personat zemërbutë të shekullit të parë. Megjithatë, ato kanë një ndikim edhe më të madh sot, sepse, siç tregojnë ngjarjet në shekullin e 20-të, ka pasur një përmbushje të dytë të profecisë së Joelit. Le të shohim se si.
6. Si filloi të bëhej i qartë identiteti i Izraelit të Perëndisë, ndërsa afrohej viti 1914?
6 Pas vdekjes së apostujve, Izraelin e Perëndisë e fshehën egjrat e krishterimit të rremë. Megjithatë, gjatë kohës së fundit, e cila filloi më 1914, identiteti i këtij kombi frymor u bë edhe një herë i qartë. E gjithë kjo ishte në përmbushje të shëmbëlltyrës së Jezuit me grurin dhe egjrën. (Mateu 13:24-30, 36-43) Ndërsa viti 1914 afrohej, të krishterët e mirosur filluan të ndaheshin nga i ashtuquajturi krishterim jobesimplotë, duke hedhur poshtë me guxim doktrinat e tij të rreme dhe duke predikuar ardhjen e përfundimit të «kohëve të caktuara të kombeve». (Luka 21:24) Por Lufta I Botërore, e cila shpërtheu në vitin 1914, ngriti çështje për të cilat ata ishin të papërgatitur. Nën presionet intensive, shumë u ngadalësuan dhe disa bënë kompromis. Deri në vitin 1918, aktiviteti i tyre i predikimit praktikisht kishte pushuar.
7. (a) Cila ngjarje e ngjashme me atë të Rrëshajëve të vitit 33 të e.s. ndodhi në vitin 1919? (b) Duke filluar nga viti 1919, çfarë pasoje pati derdhja e frymës së Perëndisë mbi shërbëtorët e Jehovait?
7 Megjithatë, kjo nuk zgjati shumë. Duke filluar në vitin 1919, Jehovai filloi të derdhte frymën e tij mbi popullin e vet, në një mënyrë që solli ndërmend Rrëshajët e vitit 33 të e.s. Sigurisht, në vitin 1919 nuk kishte të folur në gjuhë dhe as puhi të fortë ere. Ne e kuptojmë nga fjalët e Pavlit të shkruara në 1. Korintasve 13:8 se koha për mrekulli kishte kaluar prej shumë kohësh. Megjithatë, fryma e Perëndisë ishte qartësisht e dukshme në vitin 1919 kur, në një kongres në Sedar Point, Ohaio, SHBA, të krishterët besimplotë rimorën fuqi dhe filluan përsëri veprën e predikimit të lajmit të mirë të Mbretërisë. Në vitin 1922 ata u kthyen në Sedar Point dhe u nxitën nga thirrja: «Shpallni, shpallni, shpallni Mbretin dhe mbretërinë e tij.» Ashtu siç kishte ndodhur në shekullin e parë, bota u detyrua t’i vërente pasojat e derdhjes së frymës së Perëndisë. Çdo i krishterë i dedikuar, mashkull dhe femër, i moshuar dhe i ri, filloi të «profetizojë», domethënë, të shpallë «gjërat madhështore të Perëndisë». (Veprat 2:11, BR) Ashtu si Pjetri, ata i nxitën personat zemërbutë: «Shpëtoni nga ky brez dredharak.» (Veprat 2:40, BR) Si mund ta bënin këtë personat që reagonin? Duke u vënë veshin fjalëve të Joelit, që gjenden në Joelin 2:32: «Gjithkush që thërret emrin e Jehovait do të shpëtojë.»—BR.
8. Si kanë shkuar përpara gjërat për Izraelin e Perëndisë, që prej vitit 1919?
8 Që nga ato vite të hershme, punët e Izraelit të Perëndisë kanë ecur përpara. Vulosja e të mirosurve duket se ka ecur shumë përpara dhe që prej viteve 30, në skenë është shfaqur një shumicë e madhe personash zemërbutë me shpresë tokësore. (Zbulesa 7:3, 9, BR) Të gjithë kanë një ndjenjë urgjence, sepse përmbushja e dytë e Joelit 2:28, 29 tregon se jemi afër një dite edhe më të madhe e frikësuese të Jehovait, kur një sistem mbarëbotëror fetar, politik dhe tregtar gjërash, do të shkatërrohet. Ne i kemi të gjitha arsyet për të ‘thirrur emrin e Jehovait’ me besim të plotë se ai do të na çlirojë.
Si e thërrasim emrin e Jehovait?
9. Cilat janë disa gjëra që përfshihen në thirrjen e emrit të Jehovait?
9 Çfarë përfshihet në thirrjen e emrit të Jehovait? Konteksti i Joelit 2:28, 29 na ndihmon t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje. Për shembull, Jehovai nuk dëgjon këdo që e thërret. Nëpërmjet një profeti tjetër, Isaisë, Jehovai i tha Izraelit: «Kur hapni pëllëmbët tuaja, unë i fsheh sytë e mi nga ju. Edhe pse bëni shumë lutje, unë nuk dëgjoj.» Pse Jehovai refuzoi të dëgjonte kombin e vet? Vetë ai shpjegon: «Duart tuaja janë mbushur me gjakderdhje.» (Isaia 1:15, BR) Jehovai nuk do të dëgjojë asnjë nga ata që janë fajtorë gjaku ose që praktikojnë mëkatin. Ja sepse Pjetri u tha judenjëve në Rrëshajët, që të pendoheshin. Në kontekstin e Joelit 2:28, 29 vërejmë se edhe Joeli e thekson pendimin. Për shembull, në Joelin 2:12, 13 lexojmë: «‘Edhe tani,—është thënia e Jehovait,—kthehuni tek unë me gjithë zemrën tuaj, me agjërime, me qarje dhe me vajtime. Grisni zemrën tuaj dhe jo veshjet tuaja dhe kthehuni te Jehovai, Perëndia juaj, sepse ai është hirmadh dhe i mëshirshëm, i ngadalshëm në zemërim dhe i bollshëm në dashamirësi të dashur.’» (BR) Duke filluar në vitin 1919, të krishterët e mirosur vepruan në harmoni me këto fjalë. Ata u penduan për dështimin e tyre dhe vendosën të mos bënin më kurrë kompromis apo të ngadalësoheshin. Kjo hapi rrugën që të derdhej fryma e Perëndisë. Çdo individ, i cili dëshiron të thërrasë emrin e Jehovait dhe të dëgjohet nga ai, duhet të ndjekë të njëjtën rrugë.
10. (a) Cili është pendim i vërtetë? (b) Si i përgjigjet Jehovai pendimit të vërtetë?
10 Mos harro, pendimi i vërtetë është më tepër sesa thjesht të thuash «më vjen keq». Izraelitët e kishin zakon t’i grisnin veshjet e tyre të jashtme, për të treguar intensitetin e ndjenjave të tyre. Por Jehovai thotë: «Grisni zemrën tuaj dhe jo veshjet tuaja.» Pendimi i vërtetë vjen nga zemra, nga thellësia e qenies sonë. Ai përfshin t’i kthesh shpinën keqbërjes, ashtu siç lexojmë në Isainë 55:7: «Njeriu i lig le ta lërë rrugën e tij dhe njeriu i dëmshëm mendimet e tij e le të kthehet te Jehovai.» (BR) Ai përfshin të urresh mëkatin, pikërisht siç e urreu Jezui. (Hebrenjve 1:9) Atëherë, kemi besim te Jehovai se do të na falë në bazë të flijimit shpërblerës, sepse Jehovai është «hirmadh dhe i mëshirshëm, i ngadalshëm në zemërim dhe i bollshëm në dashamirësi të dashur». (BR) Ai do ta pranojë adhurimin tonë, ofertën tonë frymore në «drithra» dhe «pije». Ai do të na dëgjojë, kur të thërrasim emrin e tij.—Joeli 2:14.
11. Çfarë vendi duhet të ketë adhurimi i vërtetë në jetën tonë?
11 Në Predikimin në Mal, Jezui na dha diçka tjetër për ta mbajtur parasysh, kur tha: «Vazhdoni, pra, të kërkoni më parë mbretërinë dhe drejtësinë e tij.» (Mateu 6:33, BR) Adhurimi ynë nuk duhet parë si një gjë e rastit, si diçka që e bëjmë në mënyrë simbolike, për të qetësuar ndërgjegjen tonë. Shërbimi i Perëndisë meriton vendin e parë në jetën tonë. Kështu, nëpërmjet Joelit, Jehovai vazhdon të thotë: «I bini një borie në Sion . . . Mblidhni popullin. Shenjtëroni një kongregacion. Mblidhni pleqtë. Mblidhni fëmijët dhe ata që thithin gjirin. Le të dalë dhëndri nga dhoma e tij e brendshme dhe nusja nga dhoma e saj e nusërimit.» (Joeli 2:15, 16, BR) Është e natyrshme që të sapomartuarit të jenë të shpërqendruar, duke i pasur sytë vetëm mbi njëri-tjetrin. Por edhe për ata, shërbimi i Jehovait duhet të jetë i pari. Asgjë nuk duhet të dalë përpara të mbledhurit te Perëndia ynë, duke thirrur emrin e tij.
12. Cili potencial rritjeje është parë në raportin e Përkujtimit për vitin e kaluar?
12 Me këtë në mendje, le të bëjmë një shqyrtim të statistikës së dhënë nga Raporti për Vitin e Shërbimit 1997 të Dëshmitarëve të Jehovait. Viti i kaluar pati një maksimum prej 5.599.931 lajmëtarësh të Mbretërisë, vërtet një shumicë e madhe lavdëruesish! Të pranishmit në Përkujtim ishin 14.322.226, rreth tetë milionë e gjysmë më shumë se numri i lajmëtarëve. Kjo shifër tregon një potencial të mrekullueshëm rritjeje. Shumë prej këtyre tetë milionë e gjysmë personave, po studionin tashmë Biblën me Dëshmitarët e Jehovait si persona të interesuar ose si fëmijë prindërish të pagëzuar. Një numër i madh ishin të pranishëm për herë të parë në një mbledhje. Prania e tyre u dha Dëshmitarëve të Jehovait një mundësi të shkëlqyer për t’i njohur më mirë dhe për t’u ofruar ndihmën, që të bëjnë progres të mëtejshëm. Më pas, vijnë ata që çdo vit janë të pranishëm në Përkujtim dhe ndoshta marrin pjesë në ndonjë mbledhje tjetër, por nuk bëjnë progres të mëtejshëm. Natyrisht, persona të tillë janë shumë të mirëpritur të marrin pjesë në mbledhje. Por ne i nxitim të meditojnë me kujdes mbi fjalët profetike të Joelit dhe të marrin në shqyrtim se cilët hapa të mëtejshëm duhet të ndërmarrin, për të qenë të sigurt se Jehovai do t’i dëgjojë, kur të thërrasin emrin e tij.
13. Nëse jemi duke e thirrur tashmë emrin e Jehovait, çfarë përgjegjësie kemi ndaj të tjerëve?
13 Apostulli Pavël theksoi një aspekt tjetër të thirrjes së emrit të Jehovait. Në letrën e tij drejtuar romakëve, ai citoi fjalët profetike të Joelit: «Gjithkush që thërret emrin e Jehovait do të shpëtojë.» Pastaj arsyetoi: «Si do ta thërrasin atë, tek i cili nuk kanë vendosur besimin? Nga ana tjetër, si do të vendosin besimin në atë, për të cilin nuk kanë dëgjuar? Si do të dëgjojnë, nga ana e tyre, pa pasur dikë që t’u predikojë?» (Romakëve 10:13, 14, BR) Po, shumë të tjerë, që deri tani nuk kanë arritur ta njohin Jehovain, duhet ta thërrasin emrin e tij. Ata që tashmë e njohin Jehovain, kanë përgjegjësinë që jo vetëm t’u predikojnë, por edhe t’i arrijnë dhe t’ua japin këtë ndihmë.
Një parajsë frymore
14, 15. Pasi thërret emrin e tij në një mënyrë që i pëlqen atij, cilat bekime parajsore gëzon populli i Perëndisë?
14 Kjo është mënyra në të cilën, si të mirosurit, ashtu edhe delet e tjera, i shohin gjërat dhe si rezultat, Jehovai i bekon. «Jehovai do të jetë i zellshëm për vendin e tij dhe do të tregojë dhembshuri për popullin e tij.» (Joeli 2:18, BR) Në vitin 1919, Jehovai tregoi zell dhe dhembshuri për popullin e tij, kur e rivendosi dhe e solli në sferën e tij të aktivitetit frymor. Kjo është vërtet një parajsë frymore, e përshkruar më së miri nga Joeli, me këto fjalë: «Mos ki frikë, o tokë. Ji e gëzuar dhe gëzohu, sepse Jehovai do të bëjë me të vërtetë një gjë të madhe në atë që bën Ai. Mos kini frikë, ju bisha të fushës së hapur, sepse tokat për kullotë të shkretëtirës do të gjelbërojnë patjetër. Sepse pema do të japë me të vërtetë frytin e saj. Fiku dhe hardhia duhet të japin energjinë e tyre jetësore. Dhe ju, bij të Sionit, jini të gëzuar dhe gëzohuni në Jehovain, Perëndinë tuaj, sepse ai do t’ju japë patjetër shiun e vjeshtës në masën e duhur dhe do të sjellë mbi ju, njerëz, një rrebesh, shi vjeshte dhe shi pranvere, si në fillim. Lëmenjtë duhet të jenë plot me grurë të qëruar dhe nga butet duhet të derdhet vera e re dhe vaji.»—Joeli 2:21-24, BR.
15 Ç’pamje e këndshme! Sigurime të bollshme të tri prodhimeve bazë për jetën në Izrael: gruri, vaji i ullirit dhe vera, bashkë me kope të shumta. Në ditët tona, këto fjalë profetike janë përmbushur me të vërtetë në një kuptim frymor. Jehovai na siguron të gjithë ushqimin frymor që na nevojitet. A nuk kënaqemi të gjithë me një bollëk të tillë të dhënë nga Perëndia? Në të vërtetë, siç paratha Malakia, Perëndia ynë ka ‘hapur pragjet e qiejve dhe ka derdhur mbi ne bekim, saqë s’ka më nevojë’.—Malakia 3:10, BR.
Fundi i një sistemi gjërash
16. (a) Çfarë domethënieje ka për ditët tona derdhja e frymës së Jehovait? (b) Çfarë rezervon e ardhmja?
16 Pasi paratha kushtet parajsore të popullit të Perëndisë, Joeli profetizoi rreth derdhjes së frymës së Jehovait. Kur Pjetri citoi këtë profeci në Rrëshajët, tha se ajo ishte përmbushur në «ditët e fundit». (Veprat 2:17) Derdhja e frymës së Perëndisë atëherë, do të thoshte se ditët e fundit kishin filluar për sistemin judaik të gjërave. Derdhja e frymës së Perëndisë mbi Izraelin e Perëndisë në shekullin e 20-të, do të thotë që ne po jetojmë në ditët e fundit të sistemit mbarëbotëror të gjërave. Duke pasur parasysh këtë, çfarë rezervon e ardhmja? Profecia e Joelit vazhdon të na thotë: «Do të bëj çudira në qiejt dhe mbi tokë, gjak, zjarr dhe kolona tymi. Vetë dielli do të shndërrohet në errësirë dhe hëna në gjak, para ardhjes së ditës së madhe dhe frikësuese të Jehovait.»—Joeli 2:30, 31, BR.
17, 18. (a) Cila ditë frikësuese e Jehovait erdhi mbi Jerusalemin? (b) Çfarë na nxit të bëjmë siguria e ditës së ardhshme frikësuese të Jehovait?
17 Në vitin 66 të e.s., këto fjalë profetike filluan të dilnin të vërteta në Judë, ndërsa ngjarjet shkonin pa u ndalur drejt kulmit të ditës frikësuese të Jehovait në vitin 70 të e.s. Sa tmerruese ishte në atë kohë të ndodheshe mes atyre që nuk lartësonin emrin e Jehovait! Sot, ngjarje po aq tmerruese shtrihen përpara, kur i gjithë ky sistem botëror gjërash do të shkatërrohet nga dora e Jehovait. Megjithatë, ikja për të shpëtuar është e mundur. Profecia vazhdon të thotë: «Duhet të ndodhë që gjithkush që thërret emrin e Jehovait do të shpëtojë, sepse në malin Sion dhe në Jerusalem do të dalë se janë të shpëtuarit, ashtu siç ka thënë Jehovai, dhe mes të mbijetuarve që po thërret Jehovai.» (Joeli 2:32, BR) Dëshmitarët e Jehovait janë vërtet mirënjohës që dinë emrin e Jehovait dhe kanë besim të plotë se ai do t’i shpëtojë, kur ta thërrasin.
18 Por, çfarë do të ndodhë kur dita e madhe dhe e lavdishme e Jehovait të godasë këtë botë me gjithë furinë e saj? Kjo do të trajtohet në artikullin e fundit të studimit.
A mund ta kujtosh?
◻ Kur e derdhi për herë të parë frymën e tij Jehovai mbi popullin e vet?
◻ Cilat janë disa gjëra që përfshihen në thirrjen e emrit të Jehovait?
◻ Kur erdhi dita e madhe dhe e lavdishme e Jehovait mbi Izraelin mishor?
◻ Si i bekon Jehovai ata që thërrasin emrin e tij sot?
[Figura në faqen 15]
Në Rrëshajët e vitit 33 të e.s. lindi një komb i ri
[Figura në faqet 16, 17]
Në fillimet e këtij shekulli, Jehovai derdhi përsëri frymën e tij mbi popullin e vet, në përmbushje të Joelit 2:28, 29
[Figura në faqen 18]
Njerëzit duhen ndihmuar për të thirrur emrin e Jehovait