Libri biblik numër 30—Amosi
Shkrimtari: Amosi
Vendi ku u shkrua: Judë
Shkrimi përfundoi: rr. 804 p.e.s.
1. Kush ishte Amosi?
AS PROFET, as bir profeti, por një bari delesh dhe shpues i fiqve të Egjiptit. Ky ishte Amosi kur Jehovai e thirri dhe e dërgoi t’i profetizonte jo vetëm kombit të vet, Judës, por në mënyrë të veçantë edhe mbretërisë veriore të Izraelit. Ai ishte një nga profetët që përmenden te 2 Mbretërve 17:13, 22, 23. Ai vinte nga Tekoa e Judës, rreth 16 km në jug të Jerusalemit dhe gati një ditë udhë nga kufiri jugor i mbretërisë prej dhjetë fisesh të Izraelit.—Amo. 1:1; 7:14, 15.
2. Si mund të përcaktohet koha e profecisë së Amosit?
2 Vargu i parë i profecisë së tij thotë se Amosi e nisi karrierën e vet si profet gjatë mbretërimit të Uziahut, mbretit të Judës, dhe të Jeroboamit II, birit të Joashit, mbretit të Izraelit, dy vjet para se të binte një tërmet jashtëzakonisht i fortë. Kjo e vendos profecinë brenda periudhës 26-vjeçare, që nga viti 829 p.e.s. deri rreth vitit 804 p.e.s., periudhë gjatë së cilës mbretëritë e këtyre dy mbretërve ekzistonin njëkohësisht. Profeti Zakaria përmend tërmetin shkatërrimtar në ditët e Uziahut, kur populli ia mbathi nga frika. (Zak. 14:5) Historiani jude, Jozefi, thotë se ra një tërmet në kohën kur Uziahu me arrogancë u përpoq të paraqiste temjan në tempull. Megjithatë, duket se tërmeti që përmend Amosi ra më herët gjatë mbretërimit të Uziahut.
3. (a) Përse ishte në kohën e duhur mesazhi plot mjerime i Amosit? (b) Si e madhëroi ai sovranitetin e Jehovait?
3 Emri Amos do të thotë «Të jesh ngarkesë» ose «Të mbash një ngarkesë». Edhe pse përcolli mesazhe të ngarkuara me mjerime për Izraelin dhe Judën (si dhe për disa kombe pagane), Amosi kishte edhe një mesazh ngushëllimi lidhur me rivendosjen e popullit të Jehovait. Shpallja e barrës së mjerimit për Izraelin ishte më se e justifikuar. Gjithë ditën ata e kishin mendjen vetëm te begatia, luksi dhe shfrenimi moral. Populli e kishte harruar Ligjin e Jehovait. Begatia e dukshme që gëzonin, i kishte verbuar dhe nuk arrinin të kuptonin që, si fruta të tejpjekura, ata ishin tashmë në procesin e kalbjes, që do t’i çonte drejt shkatërrimit. Amosi profetizoi se brenda fare pak vitesh, mbretëria prej dhjetë fisesh do të shkonte në mërgim përtej Damaskut. Në këtë mënyrë, ai madhëroi drejtësinë dhe sovranitetin e Jehovait, të cilit ai i referohet 21 herë si «Zotëria Sovran».—Amo. 1:8.
4. Përmbushja e cilave profeci dëshmon për autenticitetin e librit të Amosit?
4 Përmbushja e kësaj profecie dhe e të tjerave, dëshmon për autenticitetin e librit të Amosit. Profeti paratha se edhe kombet armike që rrethonin Izraelin—Siria, Filistia, Tiri, Edomi, Amoni dhe Moabi—do t’i përpinte zjarri i shkatërrimit. Historia ka vërtetuar se të gjitha këto kala të armikut u shkatërruan secila në kohën e vet. Sjellja e Judës dhe e Izraelit ishte edhe më e qortueshme, sepse kishin braktisur Jehovain për të praktikuar adhurimin e rremë. Fortesa e fundit e Izraelit, qyteti i fortifikuar i Samarisë, ra në vitin 740 p.e.s., pas një rrethimi të ushtrisë asiriane të drejtuar nga Shalmaneseri V. (2 Mbret. 17:1-6) Juda nuk nxori asnjë mësim nga ato që i ndodhën simotrës së saj, e për këtë arsye edhe ajo u shkatërrua në vitin 607 p.e.s.
5. Si e vërteton arkeologjia tregimin e Amosit?
5 Amosi e dënoi Izraelin për mënyrën luksoze të jetesës dhe për shkak se të pasurit u hanin hakun të varfërve, që të ndërtonin «shtëpitë [e tyre] prej fildishi», ku hanin e pinin gjithë salltanet. (Amo. 3:15; 5:11, 12; 6:4-7) Arkeologët kanë zbuluar prova të kësaj begatie. Gjatë gërmimeve në Samari u gjetën sende të shumta prej fildishi. Një enciklopedi (Encyclopedia of Archaeological Excavations in the Holy Land) thotë: «Dallohen dy grupe kryesore: 1. Pllaka të gdhendura në reliev të lartë, . . . 2. Pllaka të gdhendura në basoreliev e të zbukuruara me gurë të çmuar, me xham me ngjyra, me fletë ari, etj. . . . Punimet prej fildishi konsiderohen si prodhime të artit fenikas dhe ka të ngjarë të përdoreshin si veshje për mobiliet e pallatit të mbretërve izraelitë. Bibla përmend ‘shtëpinë prej fildishi’ të ndërtuar nga Akabi (1 Mbretërve 22:39), dhe ‘shtretërit e fildishtë’, simbole të jetës luksoze që bëhej në Samari, siç dëshmojnë edhe fjalët e qortimit të Amosit (6:4).»a
6. Ç’gjë i vë vulën autenticitetit të Amosit?
6 Libri i Amosit është pjesë e kanunit biblik, dhe për këtë s’ka pikë dyshimi. Autenticitetit të tij i vënë vulën parafrazimi që u bën Stefani tri vargjeve te Veprat 7:42, 43, dhe citimi i Jakovit në librin e Veprave 15:15-18.—Amo. 5:25-27; 9:11, 12.
PËRMBAJTJA E AMOSIT
7. Kundër cilave kombe shpall Amosi gjykimet e Jehovait?
7 Gjykime kundër kombeve (1:1–2:3). «Jehovai do të ulërijë si luan nga Sioni.» (1:2) Amosi nis të shpallë gjykimet e zjarrta të Perëndisë kundër kombeve. Damasku (Siria) e ka shirë Galaadin me shirëse hekuri. Gaza (Filistia) dhe Tiri i kanë dorëzuar Edomit robër izraelitë. Në Edom s’ka pasur mëshirë dhe dashuri vëllazërore. Amoni ka pushtuar Galaadin. Moabi ka djegur eshtrat e mbretit të Edomit për t’i kthyer në gëlqere. Dora e Jehovait është kundër gjithë këtyre kombeve dhe ai thotë: «Unë nuk do të heq dorë.»—1:3, 6, 8, 9, 11, 13; 2:1.
8. Përse Jehovai shpall gjykimin edhe kundër Judës e Izraelit?
8 Gjykimi kundër Judës dhe Izraelit (2:4-16). Jehovai nuk do të heqë dorë as nga gjykimi kundër Judës. Ata kanë kryer shkelje, sepse ‘kanë hedhur poshtë ligjin e Jehovait’. (2:4) Po Izraeli? Për shkak të izraelitëve, Jehovai shfarosi amoritët e tmerrshëm dhe u dha vendin e mirë. Ai nxori mes tyre nazirej dhe profetë, por ata i detyruan nazirejtë të thyenin betimet dhe i urdhëruan profetët: «Mos profetizoni.» (2:12) Prandaj, Jehovai do t’i tundë themelet e tyre, si tundet një qerre e ngarkuar me duaj. Kurse burrat e tyre zemërluan do t’ia mbathin lakuriq.
9. Nga se duket që Jehovai ka folur dhe kundër kujt profetizon në mënyrë të veçantë Amosi?
9 Izraelit i kërkohet llogari (3:1–6:14). Amosi përdor disa ilustrime të goditura për të theksuar se, fakti që ai po profetizon, është në vetvete një provë që Jehovai ka folur. «Zotëria Sovran Jehova nuk do të bëjë asgjë, pa ua treguar më parë çështjen e tij konfidenciale shërbëtorëve të tij, profetëve. . . . Zotëria Sovran Jehova foli! Kush nuk do të profetizojë?» (3:7, 8) Amosi po profetizon në mënyrë të veçantë kundër plaçkitësve që u pëlqen luksi e që banojnë në Samari. Jehovai do t’i rrëmbejë nga divanët e tyre që shkëlqejnë dhe shtëpitë e tyre prej fildishi do të zhduken.
10. Çfarë i kujton Jehovai Izraelit dhe ç’ditë mjerimi ka për të ardhur?
10 Jehovai tregon për ndëshkimet dhe korrigjimet që i ka bërë Izraelit. Pesë herë u kujton: «Nuk u kthyet tek unë.» Prandaj, o Izrael, ‘bëhu gati të përballesh me Perëndinë tënd’. (4:6-12) Amosi ia nis një kënge të përvajshme profetike: «Virgjëresha, Izraeli, ka rënë, e më nuk ngrihet dot. Është lënë përdhe në tokën e vet, dhe askush nuk e ngre.» (5:2) Megjithatë, Jehovai, Bërësi i gjërave të mrekullueshme në qiell e në tokë, vazhdon t’i bëjë thirrje Izraelit që ta kërkojë Perëndinë e të jetojë. Po, «kërkoni të mirën dhe jo të keqen, që të jetoni». (5:4, 6, 14) Por, ç’domethënie do të ketë për ata dita e Jehovait? Do të jetë një ditë mjerimi. Do t’i marrë përpara si një përrua e do t’i çojë në mërgim matanë Damaskut, kurse shtëpitë e tyre të veshura me fildish, ku shtrojnë ahengjet e tyre të shfrenuara, do të katandisen në rrënoja e mbeturina.
11. Kush ia jep Amosit autoritetin që të vazhdojë të profetizojë kundër Izraelit?
11 Amosi profetizon pavarësisht nga kundërshtimi (7:1-17). Jehovai i tregon profetit një plumbçe që ishte vënë mes Izraelit. Nuk do të ketë më shfajësime. Ai do t’i shkretojë shenjtëroret e Izraelit dhe do të ngrihet me shpatë kundër shtëpisë së Jeroboamit II. Amaziahu, prifti i Bethelit, i dërgon fjalë Jeroboamit: «Amosi komploton kundër teje.» (7:10) Amaziahu i thotë Amosit të shkojë e të profetizojë në Judë. Amosi i tregon qartësisht se nga vjen autoriteti i tij: «Jehovai më mori nga kopeja dhe pikërisht Jehovai më tha: ‘Shko e profetizoji popullit tim, Izraelit.’» (7:15) Pastaj, Amosi profetizon se gjëma do të bjerë mbi Amaziahun dhe shtëpinë e tij.
12. Ç’uri profetizohet se do të godasë Izraelin, por me çfarë premtimi të mrekullueshëm mbyllet profecia?
12 Shtypje, ndëshkim dhe rivendosje (8:1–9:15). Jehovai i tregon Amosit një shportë me fruta vere. Ai dënon shtypjen që u bëhet të varfërve në Izrael dhe betohet «për Atë që është më i larti i Jakobit» se do të mbajnë zi për shkak të veprave të tyre të liga. «Po vijnë ditët,—thotë Zotëria Sovran Jehova,—gjatë të cilave unë do të dërgoj uri në vend, jo uri për bukë dhe etje për ujë, por për të dëgjuar fjalët e Jehovait.» (8:7, 11) Do të bien e s’do të ngrihen më. Edhe sikur të gërmojnë deri në Sheol ose të ngjiten në qiell, dora e Jehovait do t’i kapë. Mëkatarët e popullit të tij do të vdesin nga shpata. Pastaj, një premtim i mrekullueshëm. «Atë ditë do të ngre kasollen e Davidit, që ka rënë, dhe do t’i meremetoj të çarat. . . . Do ta ndërtoj si kohë më parë.» (9:11) Aq e madhe do të jetë begatia e robërve të rikthyer, saqë, ai që lëron, do ta arrijë atë që korr, para se ky të ketë mbledhur të korrat e tij të bollshme. Këto bekime nga Jehovai do të jenë të përhershme.
PËRSE ËSHTË I DOBISHËM?
13. Si mund të përfitojmë sot nga paralajmërimet e Amosit?
13 Sot, lexuesit e Biblës mund të përfitojnë po të shqyrtojnë arsyet e paralajmërimeve që Amosi shpalli kundër Izraelit, Judës dhe kombeve fqinje. Ata që hedhin poshtë ligjin e Jehovait, që i hanë hakun dhe shtypin të varfrin, që janë lakmitarë e imoralë dhe që praktikojnë idhujtarinë, s’mund të kenë miratimin e Jehovait. Përkundrazi, Jehovai i fal dhe u tregon mëshirë atyre që i braktisin këto gjëra dhe pendohen. Tregojmë mençuri, po të ndahemi nga shoqëritë korruptuese të kësaj bote të ligë, e po t’i vëmë veshin këshillës së Jehovait: «Më kërkoni, e do të jetoni.»—5:4, 6, 14.
14. A zunë mend judenjtë e kohës së Stefanit nga përkujtuesit e Amosit?
14 Kur po vdiste si martir, Stefani citoi Amosin. Ai u kujtoi judenjve se idhujtaria e Izraelit me perënditë e huaja, si Moloku dhe Refani, kishte sjellë si pasojë robërinë. A zunë mend ata judenj nga përsëritja e këtyre fjalëve të Amosit? Jo! Të tërbuar, ata e vranë Stefanin me gurë, duke treguar kështu se e meritonin edhe mjerimin tjetër, shkatërrimin e Jerusalemit në vitin 70 të e.s.—Amo. 5:25-27; Vep. 7:42, 43.
15. Cilat profeci të rivendosjes ia vlen të shqyrtojmë?
15 Ia vlen të shqyrtojmë edhe përmbushjen e profecive të shumta të Amosit, jo vetëm ato që u përmbushën kur u ndëshkuan Izraeli, Juda dhe kombet e tjera, por edhe profecitë e rivendosjes. Ashtu si kishte thënë Jehovai nëpërmjet Amosit, robërit izraelitë u kthyen në vitin 537 p.e.s. për të ndërtuar qytetet e tyre të shkretuara, për të banuar në to, dhe për të mbjellë vreshta e kopshte.—Amo. 9:14; Ezd. 3:1.
16. Si e tregoi Jakovi se Amosi 9:11, 12 gjen përmbushje në kongregacionin e krishterë?
16 Megjithatë, një përmbushje e lavdishme dhe ndërtuese e profecisë së Amosit ndodhi në kohën e apostujve. Tek fliste për mbledhjen e joizraelitëve në kongregacionin e krishterë, Jakovi i frymëzuar e bën të qartë se kjo ishte parathënë në profecinë e Amosit 9:11, 12. Ai tregon se ‘rindërtimi i kasolles së Davidit, që ka rënë’, gjen përmbushje në kongregacionin e krishterë, «me qëllim që ata njerëz që mbeten, bashkë me njerëz nga të gjitha kombet, që thirren me emrin tim, të kërkojnë me ngulm Jehovain,—thotë Jehovai». Në të vërtetë, kjo ishte baza biblike për një zhvillim të ri, për të cilin tregoi Simon Pjetri, domethënë që Perëndia po nxirrte «një popull për emrin e tij».—Vep. 15:13-19.
17. Çfarë begatie dhe qëndrueshmërie parathotë Amosi për Mbretërinë e Perëndisë?
17 Jezu Krishti, Kreu i kongregacionit të krishterë, identifikohet edhe si «bir i Davidit», që trashëgon «fronin e Davidit, të atit» dhe sundon përgjithmonë. (Luka 1:32, 33; 3:31) Kështu, profecia e Amosit tregon për përmbushjen e besëlidhjes me Davidin për një mbretëri. Fjalët përmbyllëse të Amosit nuk na japin vetëm një pamje të mrekullueshme të begatisë që do të vërshojë në kohën kur do të ngrihet ‘kasollja e Davidit’, por theksojnë edhe se sa e qëndrueshme është Mbretëria e Perëndisë: «Unë do t’i mbjell në tokën e tyre, dhe ata nuk do të çrrënjosen më kurrë nga toka që u kam dhënë,—thotë Jehovai, Perëndia yt.» Toka do të gëzojë plot bekime të përhershme, teksa Jehovai rivendos plotësisht «kasollen e Davidit»!—Amo. 9:13-15.
[Shënimi]
a 1978, Jerusalem, faqja 1046.