Beso te Jehovai dhe jeto!
«Beso te Jehovai me gjithë zemër dhe mos u mbështet në kuptueshmërinë tënde.»—PROV. 3:5.
1. Pse kemi nevojë të gjithë për ngushëllim?
TË GJITHË kemi nevojë për ngushëllim. Mbase, zhgënjimet dhe ankthet na janë bërë pjesë e jetës. Ndoshta po vuajmë për shkak të moshës së thyer, të sëmundjeve ose nga humbja e një njeriu të dashur. Disa prej nesh janë shënjestër e armiqësisë dhe rrethohemi nga dhuna që po rritet. Vërtet, jemi të bindur se këto «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar» tregojnë se po jetojmë «në ditët e fundit» dhe se ç’do ditë që kalon na afron një hap më shumë me botën e re. (2 Tim. 3:1) Ama, ndoshta po presim nga shumë kohë plotësimin e premtimeve të Jehovait, dhe vështirësitë tona mund të jenë shtuar. Atëherë, ku mund të gjejmë ngushëllim?
2, 3. (a) Çfarë dimë për Habakukun? (b) Pse do ta shqyrtojmë librin e Habakukut?
2 Për të marrë përgjigje, le të shqyrtojmë librin e Habakukut. Ndonëse Shkrimet nuk japin detaje për jetën dhe aktivitetin e Habakukut, libri që mban emrin e tij është burim inkurajimi. Ka shumë të ngjarë që emri i tij do të thotë «përqafim i zjarrtë». Kjo mund t’i referohet përqafimit ngushëllues të Jehovait ose mënyrës si kapen plot siguri pas Jehovait adhuruesit e tij. Habakuku foli me Perëndinë dhe i bëri pyetje zhbiruese. Ato pyetje na interesojnë edhe neve, përderisa Jehovai e frymëzoi Habakukun ta hidhte atë bisedë me shkrim.—Hab. 2:2.
3 Biseda e çiltër mes shërbëtorit të dëshpëruar të Perëndisë dhe Jehovait, është gjithë sa zbulojnë Shkrimet për profetin. Libri i tij është pjesë e ‘gjithçkaje që u shkrua kohë më parë’ dhe që është ruajtur në Fjalën e Perëndisë «që, me anë të qëndrueshmërisë sonë dhe me anë të ngushëllimit nga Shkrimet, të kemi shpresë». (Rom. 15:4) Si mund të nxjerrim dobi personalisht nga libri i Habakukut? Ai mund të na ndihmojë të kuptojmë se ç’do të thotë të kesh besim te Jehovai. Veç kësaj, profecia e Habakukut na jep siguri se është e mundur të kemi dhe të ruajmë një zemër të qetë, pavarësisht vuajtjeve dhe problemeve tona. Me këtë në mendje, le të shqyrtojmë më hollësisht librin e Habakukut.
LUTJU JEHOVAIT
4. Pse ishte i dëshpëruar Habakuku?
4 Lexo Habakukun 1:2, 3. Habakuku jetoi gjatë një periudhe shumë të vështirë e sfiduese. Ai ishte mjaft i trishtuar ngaqë e rrethonin njerëz të ligj e të dhunshëm. Kur do të merrte fund ligësia e tyre? Pse Jehovai po vononte kaq shumë të vepronte? Habakuku shihte kudo se bashkëkombësit e tij bënin padrejtësi e shtypnin njëri-tjetrin. Ndihej i pafuqishëm. Ndaj, në këtë periudhë të errët ai iu lut Jehovait që të ndërhynte. Mbase Habakuku kishte nisur të mendonte se Jehovai nuk donte t’ia dinte. Dukej sikur Perëndia nuk po vepronte aq shpejt sa duhej. A ndihesh edhe ti ndonjëherë si ky shërbëtor i dashur i Perëndisë?
5. Ç’mësim të rëndësishëm marrim nga libri i Habakukut? (Shih figurën hapëse.)
5 Mos ndoshta Habakuku kishte humbur besimin te Jehovai dhe te premtimet e tij? Aspak! Ai ia besoi problemet dhe shqetësimet e tij Jehovait dhe jo njerëzve. Edhe vetëm ky fakt tregon se nuk ishte dorëzuar nga dëshpërimi. Natyrisht, Habakuku ishte i shqetësuar sepse nuk mund të kuptonte pikëpamjen e Jehovait për kohën ose arsyen pse Jehovai po lejonte të ishte në këtë situatë të dhimbshme. Duke e frymëzuar Habakukun të hidhte me shkrim shqetësimet e veta, Jehovai na dha këtë mësim të rëndësishëm: nuk duhet të kemi frikë t’ia shprehim atij shqetësimet ose dyshimet tona. Po, ai na fton me ngrohtësi t’ia zbrazim zemrën në lutje. (Psal. 50:15; 62:8) Proverbat 3:5 na inkurajon edhe ‘të besojmë te Jehovai me gjithë zemër’ dhe ‘të mos mbështetemi në kuptueshmërinë tonë’. Ka shumë të ngjarë që Habakuku i dinte dhe i zbatonte këto fjalë.
6. Pse janë të rëndësishme lutjet?
6 Habakuku mori iniciativën t’i afrohej Jehovait, Atit dhe Mikut të tij të besuar. Edhe pse u shqetësua për situatën e tij, Habakuku nuk u mbështet te kuptueshmëria e vet. Përkundrazi, u lut për ndjenjat dhe shqetësimet e tij, e kështu na la një shembull të mirë. Gjithashtu, Jehovai, Dëgjuesi i lutjes, na fton të tregojmë besim tek ai duke ia shprehur shqetësimet tona në lutje. (Psal. 65:2) Kjo do të na ndihmojë të përjetojmë përgjigjen e Jehovait—përqafimin e tij të ngrohtë me anë të drejtimit të dashur që jep. (Psal. 73:23, 24) Ai do të na ndihmojë të kuptojmë mendimet e tij pavarësisht se çfarë na mundon. Lutjet me gjithë zemër janë një nga mënyrat më të fuqishme si e tregojmë besimin te Perëndia.
DËGJOJE JEHOVAIN
7. Si reagoi Jehovai ndaj shqetësimeve të Habakukut?
7 Lexo Habakukun 1:5-7. Pasi i la shqetësimet në dorë të Jehovait, Habakuku mund të ketë vrarë mendjen si do të reagonte Jehovai. Si një Atë i dhembshur dhe mirëkuptues, Jehovai nuk e qortoi për ankesën e tij të sinqertë. Perëndia e dinte se ishte një thirrje e dëshpëruar nga dhembja dhe pikëllimi. Me fjalë që në fakt u drejtoheshin judenjve rebelë, Jehovai e informoi Habakukun se ç’do të ndodhte në të ardhmen e afërt. Ka shumë të ngjarë që Habakuku të ishte i pari që Jehovai i zbuloi se fundi i asaj periudhe të dhunshme ishte shumë pranë.
8. Pse u habit Habakuku nga përgjigjja e Jehovait?
8 Jehovai i tregoi Habakukut se ishte gati të vepronte. Ndëshkimi i atij brezi të lig e të dhunshëm ishte shumë afër. Me shprehjen «në ditët tuaja», Jehovai tregoi se ai ndëshkim do të ndodhte patjetër gjatë jetës së profetit ose të bashkëkohësve të tij. Përgjigjja e Jehovait s’ishte fare ajo që priste Habakuku. Ky ishte reagimi ndaj thirrjes së tij të ankthshme?! Ajo çka i tha Jehovai, me siguri nënkuptonte se vuajtjet do të shtoheshin për gjithë Judën.a Kaldeasit (babilonasit) ishin të pamëshirshëm dhe mizorë, më të dhunshëm se populli i Habakukut, që të paktën i njihte normat e Jehovait. Pse Jehovai do të përdorte këtë komb pagan të pashpirt që të sillte gjëmën mbi popullin e vet? Si do të reagoje ti pasi të dëgjoje këtë përgjigje nga Jehovai?
9. Cilat pyetje mund t’i ketë bërë vetes Habakuku?
9 Lexo Habakukun 1:12-14, 17. Habakuku e kuptoi se Jehovai do të përdorte Babiloninë që të gjykonte dhe të ndëshkonte keqbërësit që e rrethonin, por ende ishte i pështjelluar. Sidoqoftë, me përulësi i tha Jehovait se Ai vazhdonte të ishte ‘Shkëmbi’ i tij. (Ligj. 32:4; Isa. 26:4) Habakuku me durim do të vazhdonte të besonte te dashuria dhe mirëdashja e Perëndisë. Vendosmëria i dha profetit sigurinë që t’i drejtohej sërish Jehovait. Pse do të lejonte Perëndia që kushtet në Judë të keqësoheshin? Pse nuk do të vepronte menjëherë? Pse do të toleronte i Plotfuqishmi edhe më shumë vuajtje? Pse do të ‘heshtte’ kur ligësia të merrte dhenë? Ai është «i Shenjti»; ‘sytë e tij janë tepër të pastër për të parë të keqen’.
10. Pse mund të ndihemi ndonjëherë si Habakuku?
10 Ndonjëherë mund të ndihemi si Habakuku. Ne e dëgjojmë Jehovain. Me besim të plotë lexojmë dhe studiojmë Fjalën e tij, e kjo na jep shpresë. Dëgjojmë për premtimet e tij me anë të udhëzimeve që marrim nga organizata e tij. Por prapë mund të pyesim veten: «Kur do të mbarojnë vuajtjet tona?» Ç’mund të mësojmë nga ajo që bëri më pas Habakuku?
PRIT JEHOVAIN
11. Çfarë ishte i vendosur të bënte Habakuku pasi dëgjoi Jehovain?
11 Lexo Habakukun 2:1. Biseda që bëri me Jehovain ia qetësoi zemrën Habakukut. Prandaj ishte i vendosur të vazhdonte të priste me besim që Jehovai të vepronte. Ky nuk ishte një reagim impulsiv, sepse ai u tregua përsëri i vendosur kur tha më vonë se ‘do ta priste me qetësi ditën e vuajtjes’. (Hab. 3:16) Shërbëtorë të tjerë besnikë të Perëndisë shfaqën të njëjtin durim dhe besim. Shembulli i tyre na inkurajon të presim pa u dorëzuar që Jehovai të veprojë.—Mik. 7:7; Jak. 5:7, 8.
12. Cilat janë disa mësime që nxjerrim nga Habakuku?
12 Çfarë mësojmë nga vendosmëria e Habakukut? Së pari, nuk duhet t’i ndalim kurrë lutjet që i bëjmë Jehovait, çfarëdo sprove të na bjerë. Së dyti, duhet të dëgjojmë atë që na thotë Jehovai me anë të Fjalës dhe organizatës së tij. Së treti, duhet të presim me durim Jehovain, me besim të plotë se do të na çlirojë nga dhimbjet në kohën që vendos ai. Nëse vazhdojmë të flasim si miq të ngushtë me Jehovain dhe ta dëgjojmë duke ndenjur në pritje, siç bëri Habakuku, edhe ne do të kemi një zemër të qetë që do të na ndihmojë të tregojmë qëndrueshmëri. Shpresa jonë do të na forcojë durimin, e kjo do të na ndihmojë të gëzojmë pavarësisht vështirësive që mund të hasim. Shpresa na jep sigurinë se Ati ynë qiellor do të veprojë.—Rom. 12:12.
13. Çfarë garancie të dashur gjejmë te Habakuku 2:3?
13 Lexo Habakukun 2:3. Me siguri Jehovai u kënaq me vendimin e Habakukut për të pritur. I Plotfuqishmi i dinte fare mirë rrethanat e tmerrshme ku gjendej Habakuku. Për këtë arsye, Perëndia e ngushëlloi profetin duke e siguruar me dashuri dhe butësi se do të merrte përgjigje për pyetjet e sinqerta. Së shpejti ai do të lehtësohej nga gjithë shqetësimet. Me fjalë të tjera, Perëndia i tha Habakukut: «Ki durim, beso tek unë. Përgjigjja ime do të vijë edhe pse duket sikur po vonon!» Jehovai i kujtoi se kishte një kohë të caktuar për plotësimin e premtimeve të Tij. E këshilloi Habakukun të priste realizimin e qëllimeve të Tij. Në fund, profeti nuk do të zhgënjehej.
14. Për çfarë duhet të jemi të vendosur në kohë të vështira?
14 Edhe ne duhet të presim me durim Jehovain dhe t’i kushtojmë shumë vëmendje asaj që na thotë. Kjo do të na ndihmojë të kemi besim dhe një zemër të qetë, pavarësisht problemeve dhe vështirësive. Jezui na siguroi se mund të besojmë se Jehovai është i vetmi që përcakton dhe respekton afatet kohore, e na nxiti të mos përqendrohemi te «kohët ose stinët» që Perëndia nuk na i ka zbuluar akoma. (Vep. 1:7) Prandaj, mos u dorëzofshim por le të presim me përulësi, besim e durim duke e përdorur me mençuri kohën që kemi për të bërë më të mirën në shërbim të Jehovait!—Mar. 13:35-37; Gal. 6:9.
BESIMI TE JEHOVAI SJELL JETË DHE NJË TË ARDHME TË LAVDISHME
15, 16. (a) Cilat premtime të fuqishme mund të gjejmë te libri i Habakukut? (b) Çfarë na mësojnë këto premtime?
15 Të drejtit që beson tek ai, Jehovai i ka premtuar: «I drejti do të vazhdojë të jetojë falë besimit» dhe «toka do të mbushet me njohurinë e lavdisë së Jehovait». (Hab. 2:4, 14) Po, ata që besojnë te Perëndia dhe tregojnë durim do të marrin jetën si shpërblim.
16 Në pamje të parë, premtimi te Habakuku 2:4, mund të duket thjesht një pohim i përgjithshëm. Por, apostulli Pavël e konsideroi kaq të rëndësishëm premtimin e Jehovait, saqë e citoi këtë varg tri herë. (Rom. 1:17; Gal. 3:11; Hebr. 10:38) Çfarëdo vështirësish të kalojë, i drejti do të jetojë falë besimit dhe do të shohë realizimin e qëllimeve të Perëndisë. Jehovai na nxit t’i mbajmë sytë tek e ardhmja.
17. Çfarë sigurie na jep libri i Habakukut?
17 Libri i Habakukut përmban një mësim të fuqishëm për të gjithë ne që jetojmë në ditët e fundit. Jehovai i premton jetën çdo personi të drejtë që tregon besim tek Ai. Le të vazhdojmë të forcojmë besimin te Perëndia, pavarësisht shqetësimeve dhe anktheve që kalojmë! Me anë të Habakukut, Jehovai na siguron se do të na mbështetë e do të na çlirojë. Me mirëdashje na kërkon t’i besojmë dhe të presim me durim kohën që ka caktuar për ardhjen e Mbretërisë. Atëherë mbarë toka do të mbushet me adhuruesit e tij të lumtur e me natyrë të butë.—Mat. 5:5; Hebr. 10:36-39.
BESO TE JEHOVAI DHE GËZO
18. Si ndikuan te Habakuku fjalët e Jehovait?
18 Lexo Habakukun 3:16-19. Fjalët e Jehovait ndikuan thellë te Habakuku. Ai meditoi për veprat e mahnitshme që kishte bërë në të kaluarën Jehovai në dobi të popullit të tij. Kështu iu forcua besimi. E dinte se Jehovai do të vepronte së shpejti. Kjo e ngushëlloi profetin edhe pse e dinte se vuajtjet e tij mund të vazhdonin edhe për ca kohë. Dyshimi i sinqertë i Habakukut u shndërrua në gëzim e në besim të patundur te fuqia e Jehovait për ta shpëtuar. Ajo që tha mund të jetë një nga shprehjet më të paharrueshme të besimit te Jehovai që ka shprehur një njeri. Disa studiues mendojnë se vargu 18 fjalë për fjalë do të thotë: «Do të hov nga gëzimi falë Zotërisë; do të hedh valle nga kënaqësia falë Perëndisë.» Çfarë garancie të fuqishme gjejmë të gjithë ne te vargjet 16-19! Jehovai jo vetëm na ka bërë premtime të mrekullueshme, por edhe na ka siguruar se po punon me të shpejtë për ta realizuar qëllimin e tij të madh.
19. Si mund të marrim ngushëllim nga Jehovai ashtu si Habakuku?
19 S’ka dyshim se mesazhi jetësor i Habakukut është të besojmë te Jehovai. (Hab. 2:4) Mund ta fitojmë dhe ta mbajmë një besim të tillë nëse forcojmë marrëdhënien me Jehovain: (1) duke ngulmuar në lutje e duke i shprehur Jehovait gjithë shqetësimet dhe ankthet tona; (2) duke i kushtuar shumë vëmendje Fjalës së Jehovait dhe çdo drejtimi që marrim nga organizata e tij; (3) duke pritur me besim dhe durim Jehovain. Këtë bëri Habakuku. Edhe pse e nisi librin me ndjenja pikëllimi, ai e përfundoi me shprehje gëzimi e sigurie. Le të imitojmë shembullin e tij të shkëlqyer që edhe ne të ndiejmë përqafimin atëror të Jehovait! A mund të gjejmë ngushëllim më të madh se ky në këtë botë që po zhytet në errësirë?
a Te Habakuku 1:5 përdoret numri shumës që tregon se kjo gjëmë do të binte mbi gjithë Judën.