Jehovai jep paqe dhe të vërtetë me bollëk
«Do t’i shëroj dhe do t’u zbuloj atyre bollëkun e paqes dhe të së vërtetës.»—JEREMIA 33:6.
1, 2. (a) Në lidhje me paqen, cilat janë të dhënat e kombeve? (b) Në vitin 607 p.e.s., ç’mësim i dha Jehovai Izraelit në lidhje me paqen?
PAQJA! Sa e dëshirueshme, e megjithatë sa e rrallë në historinë e njerëzimit! Veçanërisht shekulli i 20-të nuk ka qenë një shekull paqeje. Përkundrazi, ka parë dy luftërat më shkatërrimtare në historinë njerëzore. Mbas Luftës së Parë, u formua Lidhja e Kombeve për të mbajtur paqen në botë. Ajo organizatë dështoi. Mbas Luftës së Dytë u vendos Organizata e Kombeve të Bashkuara, me të njëjtin qëllim. Na duhet të lexojmë vetëm gazetat e përditshme, për të parë se edhe kjo po dështon kryekëput.
2 A duhet të na habisë fakti që organizatat njerëzore s’mund të sjellin paqe? Aspak. Më shumë se 2.500 vjet më parë, populli i zgjedhur i Perëndisë, Izraeli, nxori një mësim në lidhje me këtë. Në shekullin e shtatë p.e.s., paqja e Izraelit kërcënohej nga fuqia mbizotëruese botërore, Babilonia. Izraeli shpresoi për paqe tek Egjipti. Por Egjipti dështoi. (Jeremia 37:5-8; Ezekieli 17:11-15) Në vitin 607 p.e.s., ushtritë babilonase shkatërruan muret e Jerusalemit dhe dogjën tempullin e Jehovait. Kështu, Izraeli provoi mbi shpatullat e veta kotësinë e vendosjes së besimit në organizatat njerëzore. Në vend se të gjente paqe, kombi u çua me forcë në mërgim në Babiloni.—2. Kronikave 36:17-21.
3. Në përmbushje të fjalëve që Jehovai tha nëpërmjet Jeremisë, cilat ngjarje historike i dhanë Izraelit një mësim të dytë jetësor mbi paqen?
3 Megjithatë, përpara rënies së Jerusalemit, Jehovai kishte zbuluar se jo Egjipti, por ai do të sillte paqe në Izrael. Me anë të Jeremisë ai premtoi: «Do t’i shëroj dhe do t’u zbuloj atyre bollëkun e paqes dhe të së vërtetës. Do të bëj që të kthehen të mërguarit e Judës dhe të mërguarit e Izraelit dhe do t’i vendos përsëri si më parë.» (Jeremia 33:6, 7) Premtimi i Jehovait filloi të përmbushej në vitin 539 p.e.s., kur Babilonia u pushtua dhe mërgimtarëve izraelitë iu ofrua liria. (2. Kronikave 36:22, 23) Aty nga fundi i vitit 537 p.e.s., një grup izraelitësh kremtuan Festivalin e Kasolleve në truallin e Izraelit për herë të parë në 70 vjet! Pas festivalit, ata vendosën të rindërtonin tempullin e Jehovait. Si ndiheshin në lidhje me këtë? Tregimi thotë: «Tërë populli lëshonte britma të forta gëzimi, duke lëvduar Zotin, sepse ishin hedhur themelet e shtëpisë së Zotit.»—Ezdra 3:11.
4. Si i nxiti Jehovai izraelitët për të bërë punën e ndërtimit të tempullit dhe ç’premtim bëri ai në lidhje me paqen?
4 Por pas një fillimi të lumtur, izraelitët u shkurajuan nga kundërshtarët dhe e ndalën punën për ndërtimin e tempullit. Vite më vonë, Jehovai ngriti profetët Hageu dhe Zaharia që të nxitnin izraelitët për të përfunduar veprën e ndërtimit. Sa emocionuese duhet të ketë qenë për ta të dëgjonin Hageun tek thoshte në lidhje me tempullin që do të ndërtohej: «Lavdia e këtij tempulli të fundit do të jetë më e madhe nga ajo e të mëparshmit,—thotë Zoti i ushtrive,—dhe në këtë vend unë do të sjell paqen.»—Hageu 2:9.
Jehovai përmbush premtimet e tij
5. Çfarë bie në sy në kreun e tetë të Zaharisë?
5 Në librin biblik të Zaharisë, lexojmë për vizionet e shumta të frymëzuara dhe për profecitë që forcuan popullin e Perëndisë në shekullin e largët të gjashtë p.e.s. Po këto profeci vazhdojnë të na sigurojnë edhe neve për mbështetjen e Jehovait. Ato na japin çdo arsye për të besuar se Jehovai do t’i japë paqe popullit të tij edhe në ditët tona. Për shembull, në kreun e tetë të librit që mban emrin e tij, profeti Zaharia dhjetë herë shpall fjalët: ‘Ja, çfarë ka thënë Jehovai.’ Në secilin rast, shprehja i paraprin një shpalljeje hyjnore që ka të bëjë me paqen e popullit të Perëndisë. Disa nga këto premtime u përmbushën në ditët e Zaharisë. Të gjitha janë përmbushur ose janë në procesin e përmbushjes sot.
‘Unë do jem xheloz për Sionin’
6, 7. Në cilat mënyra Jehovai ishte ‘xheloz me zemërim të madh për Sionin’?
6 Shprehja gjendet për herë të parë në Zaharinë 8:2, ku lexojmë: «Kështu thotë Zoti i ushtrive: ‘Unë jam shumë xheloz për Sionin, po, unë digjem nga xhelozia për të.’» Premtimi i Jehovait për të qenë xheloz, për të pasur zell të madh për popullin e tij, nënkupton se ai do të jetë vigjilent në rivendosjen e paqes së tyre. Rivendosja e Izraelit në tokën e tij dhe rindërtimi i tempullit ishin dëshmi të këtij zelli.
7 Por, ç’të themi për ata që iu kundërvunë popullit të Jehovait? Zelli i tij për popullin e vet do të jetë i njëjtë me «zemërimin e madh» të tij kundër këtyre armiqve. Kur hebrenjtë besnikë të adhuronin në tempullin e rindërtuar, do të kishin mundësi të meditonin mbi fundin e Babilonisë së fuqishme, tashmë të shkatërruar. Kishin, gjithashtu, mundësi të mendonin për dështimin absolut të armiqve që ishin përpjekur të ndalonin rindërtimin e tempullit. (Ezdra 4:1-6; 6:3) Kështu, mund të falënderonin Jehovain që kishte përmbushur premtimin e tij. Zelli i tij i çoi ata në triumf!
«Qytet i vërtetësisë»
8. Në ditët e Zaharisë, si do të bëhej Jerusalemi një qytet i së vërtetës, në kontrast me kohët e mëparshme?
8 Për herë të dytë Zaharia shkroi: «Ja, çfarë ka thënë Jehovai.» Cilat ishin në këtë rast fjalët e Jehovait? «Unë do të kthehem në Sion dhe do të banoj në mes të Jerusalemit; dhe Jerusalemi do të quhet me siguri qyteti i së vërtetës dhe mali i Jehovait të ushtrive, mali i shenjtë.» (Zaharia 8:3, BR) Përpara vitit 607 p.e.s., Jerusalemi nuk ishte aspak një qytet i besnikërisë. Priftërinjtë dhe profetët e tij ishin të korruptuar dhe njerëzit ishin të pabesë. (Jeremia 6:13; 7:29-34; 13:23-27) Tani, populli i Perëndisë po rindërtonte tempullin, duke treguar angazhimin e tyre në adhurimin e pastër. Në frymë, Jehovai banonte përsëri në Jerusalem. Të vërtetat e adhurimit të pastër fliteshin sërisht në të, prandaj Jerusalemi mund të quhej «qytet i vërtetësisë». Vendi i tij i lartë mund të quhej «mali i Jehovait».
9. Cilin ndryshim të jashtëzakonshëm të gjendjes provoi «Izraeli i Perëndisë» në 1919-ën?
9 Edhe pse këto dy shpallje ishin plot domethënie për Izraelin e lashtë, ato kanë shumë kuptim edhe për ne, ndërsa shekulli i 20-të po i afrohet fundit. Pothuajse 80 vjet më parë, gjatë Luftës së Parë Botërore, ata pak mijëra të mirosur që përfaqësonin «Izraelin e Perëndisë», ishin në mërgim frymor, ashtu si Izraeli i lashtë kishte shkuar në mërgim në Babiloni. (Galatasve 6:16) Në mënyrë profetike, ata përshkruheshin si kufoma që dergjeshin rrugëve. Megjithatë, ata kishin një dëshirë të sinqertë për të adhuruar Jehovain «në frymë dhe në të vërtetë». (Gjoni 4:24) Kështu, në 1919-ën, Jehovai i mori nga mërgimi, duke i ngritur nga gjendja e tyre e vdekur frymore. (Zbulesa 11:7-13) Kështu, Jehovai iu përgjigj me një po kumbuese pyetjes profetike të Isaisë: «A lind vallë një vend brenda një dite të vetme apo një komb vjen vallë në dritë brenda një çasti?» (Isaia 66:8) Në vitin 1919, përsëri populli i Jehovait ekzistonte si një komb frymor në «tokën» e tij, apo në pronat e tij frymore mbi tokë.
10. Duke filluar me vitin 1919, ç’bekime kanë gëzuar të krishterët e mirosur në «tokën» e tyre?
10 Të sigurt në atë tokë, të krishterët e mirosur shërbyen në tempullin e madh frymor të Jehovait. Ata ishin emëruar si «skllavi besnik e i matur», duke pranuar përgjegjësinë e përkujdesjes për zotërimet tokësore të Jezuit, një privilegj që ende e gëzojnë tani që përfundimi i shekullit të 20-të është afër. (Mateu 24:45-47, BR) E kishin ngulitur mirë mësimin se Jehovai është «Perëndia i paqes».—1. Selanikasve 5:23.
11. Si kanë treguar krerët fetarë të të ashtuquajturit krishterim se janë armiq të popullit të Perëndisë?
11 Si është puna me armiqtë e Izraelit të Perëndisë? Zelli i Jehovait për popullin e tij krahasohet me zemërimin e tij ndaj kundërshtarëve. Gjatë Luftës së Parë Botërore, krerët fetarë të të ashtuquajturit krishterim bënë presione të mëdha, në përpjekje për t’i dhënë fund këtij grupi të vogël me të krishterë që flisnin të vërtetën, por dështuan. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, klerikët e të ashtuquajturit krishterim ishin të bashkuar vetëm në një gjë: në të dyja anët e konfliktit ata nxitën qeveritë për të shtypur Dëshmitarët e Jehovait. Edhe sot, krerët fetarë në shumë vende po nxisin qeveritë që të kufizojnë apo të ndalojnë veprën e krishterë të predikimit që kryejnë Dëshmitarët e Jehovait.
12, 13. Si është shprehur zemërimi i Jehovait kundër të ashtuquajturit krishterim?
12 Kjo nuk ka kaluar pa u vënë re nga Jehovai. Pas Luftës së Parë, i ashtuquajturi krishterim, bashkë me pjesën tjetër të Babilonisë së Madhe, provuan rënien. (Zbulesa 14:8) Realiteti i rënies së të ashtuquajturit krishterim u bë i njohur publikisht, kur duke filluar nga viti 1922, ranë një sërë plagësh simbolike, duke shfaqur publikisht gjendjen e tij të vdekur frymore e duke paralajmëruar shkatërrimin e tij të ardhshëm. (Zbulesa 8:7–9:21) Ndërsa dëshmia se rënia e këtyre plagëve po vazhdon, fjalimi «Fundi i fesë së rreme është afër» u mbajt në të gjithë botën më 23 prill 1995, i pasuar nga shpërndarja e qindra miliona kopjeve të një numri të veçantë të Lajmërimit të Mbretërisë.
13 Sot, i ashtuquajturi krishterim është në një gjendje të mjerë. Gjatë gjithë shekullit të 20-të, anëtarët e tij kanë vrarë njëri-tjetrin nëpër luftëra shkatërrimtare, të cilat kanë pasur bekimin e meshtarëve dhe priftërinjve të tij. Në disa vende, ndikimi i tij është i papërfillshëm. Ai është i përcaktuar për shkatërrim, bashkë me pjesën tjetër të Babilonisë së Madhe.—Zbulesa 18:21.
Paqe për popullin e Jehovait
14. Cili portretizim profetik me fjalë është dhënë për një popull në paqe?
14 Në krahun tjetër, në këtë vit, 1996, populli i Jehovait gëzon paqe të bollshme në vendin e tij të rinuar, siç përshkruhet në shpalljen e tretë të Jehovait: «Kështu thotë Zoti i ushtrive: ‘Nëpër sheshet e Jerusalemit do të ulen akoma pleq e plaka, secili me shkopin e vet në dorë për shkak të moshës së shtyrë. Sheshet e qytetit do të jenë plot e përplot me djem dhe vajza që do të lozin në sheshet e tij.’»—Zaharia 8:4, 5.
15. Përkundër luftërave të kombeve, ç’paqe kanë gëzuar shërbëtorët e Jehovait?
15 Ky portretizim i bukur me fjalë përfaqëson diçka të jashtëzakonshme në këtë botë të rrënuar nga luftërat: një popull në paqe. Qysh prej vitit 1919, janë përmbushur fjalët profetike të Isaisë: «Paqe, paqe atij që është larg dhe atij që është afër,—thotë Zoti.—Unë do ta shëroj. Por . . . nuk ka paqe për të pabesët,—thotë Perëndia im.» (Isaia 57:19-21) Natyrisht, populli i Jehovait, edhe pse nuk është pjesë e botës, nuk mund të mos ndikohet nga pështjellimi i kombeve. (Gjoni 17:15, 16) Në disa vende, ata durojnë vështirësi të ashpra e disa madje janë vrarë. Megjithatë, të krishterët e vërtetë kanë paqe në dy mënyra kryesore. Së pari, ata kanë «paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit [të tyre]». (Romakëve 5:1) Së dyti, kanë paqe mes tyre. Kultivojnë «diturinë nga lart», e cila «më së pari është e pastër, pastaj pajtuese». (Jakovit 3:17; Galatasve 5:22-24) Për më tepër, ata shpresojnë të gëzojnë paqe në një kuptim më të plotë, atëherë kur «zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe».—Psalmi 37:11.
16, 17. (a) Si e kanë forcuar organizatën e Jehovait «pleq e plaka», si edhe «djem dhe vajza»? (b) Nga duket paqja e popullit të Jehovait?
16 Ka akoma «pleq e plaka» mes shërbëtorëve të Jehovait, të mirosur që kujtojnë triumfet e hershme të organizatës së Jehovait. Besnikëria dhe durimi i tyre janë vlerësuar shumë. Të mirosur të tjerë më të rinj morën drejtimin gjatë ditëve të zjarrta të viteve ’30, gjatë Luftës II Botërore, si edhe gjatë viteve të rritjes emocionuese që pasoi. Akoma, veçanërisht që nga viti 1935, është shfaqur «turma e madhe» e «deleve të tjera». (Zbulesa 7:9; Gjoni 10:16) Ndërsa të krishterët e mirosur janë plakur e janë pakësuar, delet e tjera kanë ndërmarrë veprën e predikimit dhe e kanë shtrirë në mbarë tokën. Vitet e fundit, dele të tjera kanë vërshuar në tokën e popullit të Perëndisë. E pra, vetëm vitin e shkuar, 338.491 prej tyre u pagëzuan në simbol të dedikimit të tyre ndaj Jehovait! Këta janë vërtet shumë të rinj, duke folur në kuptim frymor. Freskia dhe entuziazmi i tyre janë të çmuar, ndërsa ata shtojnë radhët e atyre që me mirënjohje i këndojnë lavdi «Perëndisë tonë që është ulur mbi fron dhe Qengjit».—Zbulesa 7:1.
17 Sot, ‘sheshet janë plot e përplot me djem e vajza’, Dëshmitarë me forca rinore. Në vitin e shërbimit 1995, janë marrë raporte nga 232 vende dhe ishuj. Por s’ka rivalitet mes kombeve, as urrejtje mes fiseve, as xhelozi të papërshtatshme midis të mirosurve dhe deleve të tjera. Të gjithë rriten së bashku frymësisht, të bashkuar me dashuri. Vëllazëria ndërkombëtare e Dëshmitarëve të Jehovait është me të vërtetë e vetme në skenën e botës.—Kolosianëve 3:14; 1. Pjetrit 2:17.
Tepër e vështirë për Jehovain?
18, 19. Në vitet që nga 1919-a, si e ka plotësuar Jehovai atë që mund të jetë dukur tepër e vështirë nga pikëpamja njerëzore?
18 Në vitin 1918, kur mbetja e mirosur numëronte vetëm disa mijëra shpirtra të shkurajuar në robëri frymore, askush s’mund të parashikonte rrjedhën që do të merrnin ngjarjet. Sidoqoftë, Jehovai e dinte, siç del edhe nga shpallja e tij e katërt profetike: «Kështu thotë Zoti i ushtrive: ‘Nëse kjo duket shumë e vështirë në sytë e atyre që kanë mbetur nga ky popull ndër këto ditë, a do të jetë gjithashtu tepër e vështirë për sytë e mi?’—thotë Zoti i ushtrive.»—Zaharia 8:6.
19 Në vitin 1919, fryma e Jehovait i rigjallëroi shërbëtorët e tij për veprën që i priste. Megjithatë, duhej besim për t’u mbështetur fort pas organizatës së vogël të adhuruesve të Jehovait. Ata ishin aq pak dhe shumë gjëra s’ishin të qarta. Megjithatë, pak nga pak Jehovai i forcoi ata nga ana organizative dhe i pajisi për të kryer veprën e krishterë të predikimit të lajmit të mirë dhe të bërjes së dishepujve. (Isaia 60:17, 19; Mateu 24:14; 28:19, 20) Gradualisht, ai i ndihmoi të fitonin aftësi shquese në lidhje me çështje të tilla të rëndësishme, si asnjanësia dhe sovraniteti universal. A ishte tepër e vështirë për Jehovain që të kryente vullnetin e tij me anë të atij grupi të vogël Dëshmitarësh? Përgjigjja është sigurisht jo! Kjo zbulohet në faqet 12 deri 15 të kësaj reviste, ku gjendet tabela e veprimtarisë së Dëshmitarëve të Jehovait për vitin e shërbimit 1995.
«Unë do të jem Perëndia i tyre»
20. Siç ishte profetizuar, sa e gjerë do të ishte mbledhja e popullit të Perëndisë?
20 Shpallja e pestë tregon më tej gjendjen e lumtur të Dëshmitarëve të Jehovait sot: «Kështu thotë Zoti i ushtrive: ‘Ja, unë do ta shpëtoj popullin tim nga vendi i lindjes dhe nga vendi i perëndimit. Unë do t’i bëj të vijnë dhe ata do të banojnë në Jerusalem; ata do të jenë populli im dhe unë do të jem Perëndia i tyre me besnikëri dhe drejtësi.»—Zaharia 8:7, 8.
21. Në ç’mënyrë është ruajtur dhe përhapur paqja e bollshme e popullit të Jehovait?
21 Në vitin 1996, ne mund të themi pa ngurrim se lajmi i mirë është predikuar përreth botës, nga «vendi i lindjes» deri në «vendin e perëndimit». Janë bërë dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve dhe ata kanë parë përmbushjen e premtimit të Jehovait: «Tërë bijtë e tu do të mësohen nga Zoti dhe e madhe ka për të qenë paqja e bijve të tu.» (Isaia 54:13) Ne kemi paqe, sepse jemi edukuar nga Jehovai. Për këtë qëllim, literatura është botuar në më se 300 gjuhë. Vetëm vitin e shkuar u shtuan edhe 21 gjuhë të tjera. Revista Kulla e Rojës botohet tani njëkohësisht në 111 gjuhë, ndërsa Zgjohuni! në 54. Kongreset kombëtare dhe ndërkombëtare sigurojnë një shfaqje publike të paqes që ka populli i Perëndisë. Mbledhjet javore na bashkojnë e na japin guximin që na nevojitet për të qëndruar të vendosur. (Hebrenjve 10:23-25) Po, Jehovai po e edukon popullin e tij në «besnikëri dhe në drejtësi». Ai po i jep atij paqe. Sa të bekuar jemi që kemi pjesë në këtë paqe të bollshme!
A mund të shpjegosh?
◻ Në kohët moderne, si ka qenë Jehovai ‘xheloz me zemërim të madh’ për popullin e tij?
◻ Në ç’mënyrë populli i Jehovait gëzon paqe edhe në vendet e trazuara nga luftërat?
◻ Në ç’mënyrë ‘sheshet janë plot e përplot me djem dhe vajza’?
◻ Ç’masa janë marrë që populli i Jehovait të mund të mësohet prej tij?
[Tabela në faqet 12-15]
RAPORTI BOTËROR I DËSHMITARËVE TË JEHOVAIT PËR VITIN E SHËRBIMIT 1995
(Shiko botimin e shtypur)
[Figura në faqet 8, 9]
Në shekullin e gjashtë p.e.s., hebrenjtë besnikë që rindërtuan tempullin mësuan se Jehovai ishte i vetmi burim i besueshëm paqeje