Kapitulli 38
A i mungonte besimi Gjonit?
GJON Pagëzuesi, i cili është tashmë në burg prej rreth një viti, merr lajmin mbi ringjalljen e birit të së vesë, në qytetin e Nainit. Megjithatë, Gjoni dëshiron të dëgjojë drejtpërdrejt nga Jezui se ç’domethënie ka kjo, kështu që dërgon dy nga dishepujt e vet, për ta pyetur: «A je ti Ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?»
Kjo mund të duket një pyetje e çuditshme, sidomos për faktin që Gjoni pa frymën e shenjtë të Perëndisë, duke zbritur mbi Jezuin dhe dëgjoi shprehjen e tij të miratimit, kur kishte pagëzuar Jezuin afërsisht dy vjet më parë. Pyetja e Gjonit mund t’i bëjë disa të arrijnë në përfundimin se besimi i tij është dobësuar. Por nuk është kështu. Nëse Gjoni ka filluar të dyshojë, Jezui nuk do të fliste kaq mirë për të, siç bën në këtë rast. Atëherë, përse e bën Gjoni këtë pyetje?
Ka mundësi që Gjoni, thjesht po kërkon një konfirmim nga Jezui, se Ai është Mesia. Një gjë e tillë do ta forconte shumë Gjonin, i cili po dergjet në burg. Por, duket se pyetja e Gjonit përfshin më shumë se kaq. Me sa duket, ai dëshiron të dijë nëse ka për të ardhur dikush tjetër, si të thuash, një pasardhës, i cili do të çojë deri në fund përmbushjen e të gjitha gjërave që janë parathënë se duhet të kryejë Mesia.
Sipas profecive të Biblës, të cilat Gjoni i njeh mirë, i Mirosuri i Perëndisë duhet të jetë një mbret, një çlirues. E megjithatë, edhe shumë muaj pas pagëzimit të Jezuit, Gjoni është akoma në burg. Prandaj me sa duket, ai po e pyet Jezuin: ‘A je ti vërtet, ai që duhet të vendosë Mbretërinë e Perëndisë me fuqi të dukshme apo është ndonjë tjetër, që do të vijë pas teje, nga i cili duhet të presim që të përmbushë të gjitha profecitë e mrekullueshme lidhur me lavdinë e Mesias?’
Në vend që t’u thotë dishepujve të Gjonit, ‘Natyrisht, unë jam ai që duhet të vinte’, në po atë moment, Jezui bën një demonstrim të shkëlqyer, duke u kthyer shëndetin shumë njerëzve, duke i shëruar ata nga të gjitha llojet e sëmundjeve dhe të lëngatave. Pastaj u thotë dishepujve: «Shkoni dhe i thoni Gjonit çfarë keni parë e dëgjuar; të verbërit fitojnë përsëri të parit, të çalët ecin, të lebrosurit po pastrohen, të shurdhërit po dëgjojnë, të vdekurit po ringjallen dhe ungjilli po u shpallet të varfërve.»
Me fjalë të tjera, pyetja e Gjonit, mund të nënkuptojë se ai pret që Jezui të bëjë më tepër nga sa është duke bërë, dhe ndoshta ta çlirojë edhe atë vetë nga burgu. Megjithatë, Jezui po i thotë Gjonit, që të mos presë më shumë sesa mrekullitë që ai është duke kryer.
Kur dishepujt e Gjonit largohen, Jezui kthehet nga turmat dhe u thotë se Gjoni është ‘lajmëtari’ i Jehovait i parathënë te Malakia 3:1 dhe, gjithashtu, është profeti Elija i parathënë te Malakia 4:5, 6. Kështu, ai e lartëson Gjonin, duke e vënë në një nivel me të gjithë profetët që kanë jetuar më parë, kur shpjegon: «Në të vërtetë po ju them o njerëz, se midis atyre që kanë lindur prej gruas nuk ka dalë ndonjë më i madh se Gjon Pagëzuesi, por më i vogli në mbretërinë e qiejve është më i madh se ai. Që nga ditët e Gjon Pagëzuesit e deri tani, mbretëria e qiejve është synimi drejt të cilit nxitojnë njerëzit.»—BR.
Me këtë, Jezui tregon se Gjoni nuk do të jetë në Mbretërinë e qiejve, përderisa edhe më i vogli atje, është më i madh se Gjoni. Gjoni ka përgatitur rrugën për Jezuin, por ai vdes përpara se Jezui të vulosë besëlidhjen apo marrëveshjen me dishepujt e tij, për të sunduar bashkë me të në Mbretërinë e tij. Ja përse Jezui thotë se Gjoni nuk do të jetë në Mbretërinë qiellore. Në vend të kësaj, ai do të jetë një nënshtetas tokësor i Mbretërisë së Perëndisë. Luka 7:18-30; Mateu 11:2-15.
▪ Përse Gjoni pyet, nëse është Jezui Ai që duhet të vijë apo nëse duhet pritur ndonjë tjetër?
▪ Cilat profeci thotë Jezui, se ka përmbushur Gjoni?
▪ Përse Gjon Pagëzuesi nuk do të jetë në qiell me Jezuin?