Dita e frikshme e Jehovait është afër
«Një libër kujtimi u shkrua përpara tij për ata që kanë frikë nga Zoti dhe që e nderojnë emrin e tij.—MALAKIA 3:16.
1, 2. Për cilën ditë të frikshme paralajmëron Malakia?
E TMERRSHME! Ndërsa 6 gushti i 1945-ës agonte, vetëm në një çast një qytet i madh u sheshua përtokë. Rreth 80.000 të vdekur! Dhjetëra mijëra të plagosur për vdekje! Flakët bënë kërdinë! Bomba bërthamore e bëri punën e vet. Si ia bënë Dëshmitarët e Jehovait gjatë kësaj katastrofe? Në Hiroshima kishte vetëm një Dëshmitar, i cili ishte mbyllur brenda mureve mbrojtëse të një burgu, për shkak të integritetit të tij të krishterë. Burgu u bë copë e çikë, kurse vëllain tonë s’e gjeti gjë. Siç thoshte ai, bomba e liroi nga burgu, ndoshta e vetmja gjë e mirë që bomba bëri.
2 Shpërthimi i tmerrshëm i asaj bombe nuk ishte asgjë në krahasim me ‘ditën e madhe dhe të llahtarshme të Zotit’ që po vjen. (Malakia 4:5) Po, ka pasur ditë të tmerrshme në të kaluarën, por dita e Jehovait do t’i tejkalojë të gjitha ato.—Marku 13:19.
3. Cili ndryshim vërehet mes «çdo mishi» dhe familjes së Noes në periudhën para përmbytjes?
3 Në ditët e Noes «çdo mish i tokës kishte shthurur sjelljen e tij» dhe Perëndia tha: «Toka për shkak të njerëzve është plot me dhunë; ja unë do t’i zhduk bashkë me tokën.» (Zanafilla 6:12, 13) Siç thuhet në Mateun 24:39, Jezui tha se njerëzit «nuk kuptuan asgjë, deri sa erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë». Kurse Noeja besnik, një «predikues i drejtësisë», bashkë me familjen e tij që i frikësohej Perëndisë, mbijetoi përmbytjen.—2. Pjetrit 2:5.
4. Cili shembull paralajmërues është siguruar nga Sodoma dhe Gomorra?
4 Juda 7 tregon: «Posi Sodoma dhe Gomorra edhe qytetet përreth,që u dhanë pas kurvërimit dhe u dhanë pas çoroditjesh seksuale, janë vënë përpara si shembull, duke pësuar ndëshkimin e një zjarri të përjetshëm.» Ata njerëz të paperëndishëm vdiqën, për shkak të mënyrës së tyre të neverit-shme e të ndyrë të jetesës. Ata që sot nuk bëjnë gjë tjetër veç mendojnë për seksin, janë tashmë të paralajmëruar! Megjithatë, vëre se Loti me frikë Perëndie dhe bijat e tij u ruajtën gjallë gjatë asaj katastrofe, pikërisht ashtu si adhuruesit e Jehovait do të mbrohen gjatë mjerimit të madh që afrohet me shpejtësi.—2. Pjetrit 2:6-9.
5. Çfarë mund të mësojmë nga gjykimi i ekzekutuar mbi Jeruzalem?
5 Shiko më pas, shembujt paralajmërues që siguroi Jehovai kur përdori forcat pushtuese për të shkatërruar Jeruzalemin, qytetin madhështor që njëherë e një kohë kishte qenë «hareja e gjithë tokës». (Psalmi 48:2) Këto ngjarje tragjike ndodhën së pari në vitin 607 p.e.s. dhe përsëri në vitin 70 të e.s., pasi ata që e quanin veten shërbëtorë të Perëndisë e braktisën adhurimin e vërtetë. Lumturisht, shërbëtorët besnikë të Jehovait mbijetuan. Katastrofa e vitit 70 të e.s. (e paraqitur këtu poshtë) është përshkruar si një «mundim [mjerim, BR] i madh, më i madhi që ka ndodhur që nga zanafilla e krijimit që kreu Perëndia deri më sot». Ai shfarosi njëherë e përgjithmonë sistemin apostat hebre të gjërave dhe sigurisht që në atë aspekt «të tillë nuk do të ketë më kurrë». (Marku 13:19) Por edhe ky ekzekutim i gjykimit hyjnor ishte vetëm një hije e «mjerimit të madh» që tani kërcënon mbarë sistemin botëror të gjërave.—Zbulesa 7:14.
6. Përse Jehovai i lejon fatkeqësitë?
6 Përse Perëndia i lejoi këto fatkeqësi të tmerrshme, me humbjen e kaq shumë jetëve? Në rastin e Noes, të Sodomës e Gomorrës dhe të Jeruzalemit, Jehovai dha gjykimin mbi ata që kishin rrënuar jetën e tyre mbi tokë, që kishin fëlliqur këtë planet të bukur me ndotje të vërtetë dhe me degradim moral dhe që kishin apostazuar apo kishin hedhur poshtë adhurimin e vërtetë. Sot, ne jemi në prag të ekzekutimit të një gjykimi që do të përfshijë botën mbarë.—2. Selanikasve 1:6-9.
«Në ditët e fundit»
7. (a) Çfarë paraqisnin në mënyrë profetike gjykimet hyjnore në lashtësi? (b) Cilën perspektivë të lavdishme kemi përpara?
7 Ato shkatërrime në kohët e lashta ishin skena profetike të mjerimit të madh e të frikshëm që përshkruhet në 2. Pjetrit 3:3-13. Apostulli tha: «Duhet të dini këtë se, në ditët e fundit do të vijnë disa përqeshës, të cilët do të ecin sipas dëshirave të veta.» Më pas, duke u përqendruar në ditët e Noes, Pjetri shkruan: «Bota e atëhershme u mbulua nga uji dhe humbi, ndërsa qiejt dhe dheu i sotëm janë ruajtur nga e njëjta fjalë për zjarrin, të rezervuar për ditën e gjyqit dhe të humbjes së njerëzve të pabesë.» Pas më të madhit të të gjitha mjerimeve, sundimi i shumëpritur mbretëror i Mesisë do të marrë përmasa të reja, «qiej të rinj dhe tokë të re, në të cilët banon drejtësia». Ç’perspektivë e gëzuar!
8. Në ç’mënyrë ngjarjet botërore po shkojnë drejt një pike kulminante?
8 Gjatë shekullit të 20-të, ngjarjet botërore janë drejtuar në mënyrë progresive drejt një pike kulminante. Megjithëse shkretimi i Hiroshimës nuk ishte vepër hyjnore, ai mund të përfshihet në «shenjat e frik-shme» që Jezui profetizoi për kohën e fundit. (Luka 21:11) Ajo vuri përpara një kërcënim bërthamor që akoma qëndron si një hije e tërbuar e zezë mbi njerëzimin. Në titullin e një gazete të 29 nëntorit 1993, lexohej: «Pushkët mund të kenë dalë jashtë mode, por armët bërthamore janë gati për veprim.» (The New York Times) Ndërkohë, luftërat midis kombeve, racave dhe fiseve vazhdojnë të kenë një korrje që të kall tmerrin. Në epokat e kaluara, pjesa më e madhe e viktimave ishte mes ushtarëve. Sot, raportohet se 80 për qind e viktimave të luftës janë qytetarë, për të mos përmendur miliona të tjerë që ikin nga vendlindja e tyre si refugjatë.
9. Si e kanë shfaqur udhëheqësit fetarë miqësinë me botën?
9 Udhëheqësit fetarë shpesh kanë treguar e vazhdojnë të tregojnë «miqësi me botën», duke u përfshirë aktivisht në luftëra dhe revolucione gjakatare. (Jakovit 4:4) Disa kanë bashkëpunuar me baronët lakmitarë të botës tregtare që prodhonin armatim në masë dhe ndërtonin perandori drogash. Për shembull, duke raportuar vrasjen e një trafikanti droge në Amerikën e Jugut, një gazetë thoshte: «Duke fshehur trafikun e tij të drogës pas pohimeve të fitimit të pasurisë me anë të biznesit të ligjshëm dhe pas imazhit të një bamirësi, drejtonte një program radiofonik dhe shpesh shoqërohej me priftërinj katolikë.» (The New York Times) Një gazetë tjetër raportonte se përveç rrënimit të jetës së miliona njerëzve të dhënë pas drogës, ky trafikant droge drejtonte personalisht vrasjen e mijëra njerëzve. (The Wall Street Journal) Një gazetë e Londrës, vërente: «Shpesh vrasësit paguajnë një meshë speciale për të dhënë falënderime . . . kur në të njëjtën kohë diku gjetkë bëhet mesha e varrimit të viktimës.» (The Times) Ç’ligësi!
10. Si duhet ta konsiderojmë keqësimin e kushteve botërore?
10 Kush e di se deri në ç’pikë mund ta shkatërrojnë tokën njerëzit e frymëzuar nga demonët? Sipas 1. Gjonit 5:19, «gjithë toka dergjet nën pushtetin e të ligut», Satana Djallit. (BR) Sot, «mjerë ju banorë të tokës e të detit, sepse zbriti djalli drejt jush duke pasur zemërim të madh, duke ditur se ka pak kohë». (Zbulesa 12:12) Megjithatë, lumturisht, Romakëve 10:13 na siguron se «kushdo që do të thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet».
Perëndia afrohet për gjykim
11. Cilat kushte në Izrael bënë të dilte në dritë profecia e Malakisë?
11 Për sa i përket të ardhmes së afërt të njerëzimit, profecia e Malakisë hedh dritë mbi atë që do të ndodhë. Malakia radhitet i fundit në vargun e gjatë të profetëve të lashtë hebrenj. Izraeli përjetoi shkretimin e Jeruzalemit në vitin 607 p.e.s. Por 70 vjet më pas, Jehovai tregoi me mëshirë dashamirësi, duke e kthyer përsëri kombin në vendin e tij. Por pa kaluar 100 vjet, Izraeli u zhyt përsëri në apostazi dhe ligësi. Njerëzit çnderonin emrin e Jehovait, nuk përfillnin ligjet e tij të drejta dhe e ndotnin tempullin e tij duke sjellë për sakrificë kafshë të verbra, të çala dhe të sëmura. Ata divorcoheshin nga gratë e rinisë së tyre për t’u martuar me gra të huaja.—Malakia 1:6-8; 2:13-16.
12, 13. (a) Çfarë pastrimi nevojitej për klasën e mirosur priftërore? (b) Si përfiton edhe shumica e madhe nga pastrimi?
12 Nevojitej një vepër pastrimi që për-shkruhet tek Malakia 3:1-4. Ashtu si Izraeli i lashtë, Dëshmitarët e Jehovait në ditët moderne duhej të pastroheshin, në mënyrë që vepra e pastrimit e përshkruar nga Malakia të zbatohej në ta. Ndërsa Luftës së Parë Botërore po i vinte fundi, disa Studentë Biblikë, siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait nuk mbajtën një asnjanësi të rreptë në çështjet botërore. Në 1918-ën, Jehovai dërgoi në tempullin e Tij frymor «lajmëtarin» e Tij, Jezu Krishtin, për të pastruar grupin e vogël të adhuruesve të Tij nga njollat e botës. Në mënyrë profetike, Jehovai kishte pyetur: «Po kush do të mund të durojë ditën e ardhjes së tij [lajmëtarit]? Kush do të mund të qëndrojë më këmbë ditën kur ai do të shfaqet? Ai është si zjarri i shkrirësit, si soda e larësve. Ai do të ulet si ai që shkrin dhe pastron argjendin; do t’i pastrojë bijtë e Levit dhe do t’i rafinojë si arin e argjendin, me qëllim që ata të mund t’i ofrojnë Zotit një blatim me drejtësi.» Si popull i pastruar, kanë bërë pikërisht këtë.
13 Ai grup i mirosur priftëror përbëhet nga 144.000 persona. (Zbulesa 7:4-8; 14:1, 3) Por, çfarë mund të themi për të krishterët e tjerë të dedikuar sot? Duke u rritur me miliona, këta formojnë «një shumicë të madhe», që gjithashtu duhet pastruar nga mënyrat botërore, që «i kanë larë rrobat e tyre dhe i kanë zbardhur në gjakun e Qengjit». (Zbulesa 7:9, 14) Në këtë mënyrë, duke ushtruar besim në sakrificën shpërblerëse të Qengjit, Jezu Krishtit, ata mund të mbajnë një qëndrim të pastër para Jehovait. Atyre u është premtuar mbijetesa gjatë gjithë mjerimit të madh, ditës së frik-shme të Jehovait.—Sofonia 2:2, 3.
14. Cilat fjalë duhet të ndjekë populli i Perëndisë sot, ndërsa vazhdon të kultivojë personalitetin e krishterë?
14 Bashkë me këtë mbetje priftërore, kjo shumicë e madhe duhet të ndjekë fjalët e mëtejshme të Perëndisë: «Kështu unë do t’ju afrohem për gjykim dhe do të jem një Dëshmitar i gatshëm kundër magjistarëve, kundër shkelësve të kurorës, kundër atyre që bëjnë betime të rreme, kundër atyre që vjedhin mëditjen e punëtorit, që shtypin të venë dhe jetimin, që dëbojnë të huajin dhe nuk më kanë frikë. . . . Unë jam Zoti, nuk ndryshoj.» (Malakia 3:5, 6) Jo, normat e Jehovait nuk ndryshojnë, prandaj në frikën e Jehovait, populli i tij sot duhet të largohet nga idhujtaria e të gjitha llojeve dhe të jetë i ndershëm dhe bujar, ndërsa vazhdon të kultivojë personalitetin e krishterë.—Kolosianëve 3:9-14.
15. (a) Cilën ftesë shpalos Jehovai me mëshirë? (b) Në ç’mënyrë mund të mos e «vjedhim» Jehovain?
15 Jehovai shpalos një ftesë për këdo që mund të jetë larguar nga rrugët e tij të drejta, duke thënë: «Kthehuni tek unë dhe unë do të kthehem tek ju.» Nëse ata pyesin, «si duhet të kthehemi», ai përgjigjet: «Ju më vidhni.» Në përgjigje të pyetjes tjetër, «Çfarë të kemi vjedhur?» Jehovai u thotë se e kanë vjedhur, duke mos sjellë më të mirën si ofertë për shërbimin e tempullit. (Malakia 3:7, 8) Duke qenë se jemi bërë pjesë e popullit të Jehovait, duhet të duam me gjithë zemër t’i kushtojmë pjesën më të mirë të energjive, aftësive dhe burimeve materiale shërbimit të Jehovait. Kështu, në vend që ta vjedhim Perëndinë, ne ‘vazhdojmë të kërkojmë më parë Mbretërinë dhe drejtësinë e tij’.—Mateu 6:33, BR.
16. Çfarë inkurajimi gjejmë tek Malakia 3:10-12?
16 Sipas Malakisë 3:10-12, ka një shpërblim të madh për të gjithë ata që hedhin pas mënyrat egoiste dhe materialiste të botës. «Më vini në provë për këtë gjë,—thotë Zoti i ushtrive,—në se unë nuk do t’i hap pragjet e qiellit dhe nuk do të derdh mbi ju aq shumë bekim, sa nuk do të keni vend të mjaftueshëm ku ta shtini.» Të gjithë atyre që kanë çmueshmëri, Jehovai u premton mirëqenie dhe frytshmëri frymore. Ai shton: «Të gjitha kombet do t’ju shpallin të lumtur, sepse ju do të jeni një vend kënaqësish.» A nuk është kështu mes miliona njerëzve mirënjohës ndaj Perëndisë në të gjithë tokën sot?
Mbajtësit e integritetit në librin e jetës
17-19. (a) Si kanë ndikuar trazirat në Ruanda mbi vëllezërit tanë në atë vend? (b) Me çfarë bindjeje kanë ecur përpara të gjithë këta vëllezër besnikë?
17 Në këtë pikë, mund të përmendet integriteti i vëllezërve dhe motrave tona në Ruanda. Ata kanë sjellë përherë ofertat më të mira frymore në shtëpinë frymore të adhurimit të Jehovait. Për shembull, në Kongresin krahinor «Mësimi Hyjnor» në dhjetor të 1993-shit, ishin 4.075 të pranishëm, në një shumë prej 2.080 lajmëtarësh të Mbretërisë. U pagëzuan 230 Dëshmitarë të rinj dhe rreth 150 prej tyre filluan muajin vijues shërbimin si pionierë ndihmës.
18 Kur shpërtheu urrejtja etnike në prill të 1994-ës, të paktën 180 Dëshmitarë, duke përfshirë mbikëqyrësin e kryeqytetit, Kigalit dhe familjen e tij u vranë. Gjashtë përkthyesit e zyrës së Shoqatës Watch Tower në Kigali, katër prej të cilëve ishin hutu dhe dy tutsi, vazhduan të punonin për disa javë nën kërcënime të ashpra, derisa dy tutsit u detyruan të iknin vetëm për t’u vrarë në një postbllok. Përfundimisht, morën ç’u kishte mbetur nga pajisjet e tyre të kompjuterizuara, katër të tjerët u drejtuan për në Goma, në Zaire, ku vazhduan të përkthenin Kullën e Rojës në gjuhën kiniaruande.—Isaia 54:17.
19 Këta Dëshmitarë refugjatë, megjithëse në kushte të tmerrshme, gjithmonë kërkonin të merrnin ushqim frymor përpara sigurimeve materiale. Me sakrifica të mëdha, vëllezërit e dashur nga vende të ndryshme patën mundësi t’u siguronin atyre gjërat e nevojshme. Si me fjalë, ashtu edhe me sjelljen e tyre të mirë pavarësisht nga situata e vështirë, këta refugjatë dhanë një dëshmi të shkëlqyeshme. Me të vërtetë ata vazhduan të sillnin në adhurimin e Jehovait më të mirën nga ana e tyre. Ata treguan bindje siç e shprehu Pavli në Romakëve 14:8: «Edhe nëse rrojmë, rrojmë për Zotin; edhe nëse vdesim, vdesim për Zotin; pra, edhe po të rrojmë ose të vdesim, të Zotit jemi.»
20, 21. (a) Emrat e kujt nuk janë shkruar në librin e kujtimit të Jehovait? (b) Cilët emra shfaqen në libër dhe përse?
20 Jehovai i mban mend të gjithë ata që i shërbejnë në integritet. Profecia e Malakisë vazhdon: «Atëherë ata që kishin frikë nga Zoti i folën njëri tjetrit. Zoti i dëgjoi me vëmendje dhe një libër kujtimi u shkrua përpara tij për ata që kanë frikë nga Zoti dhe që e nderojnë emrin e tij.»—Malakia 3:16.
21 Sa e rëndësishme është sot që të tregojmë frikë perëndie në nderim të emrit të Jehovait! Duke bërë kështu, nuk do të vuajmë një gjykim të pafavorshëm, siç do të ndodhë me ata që mbështesin me admirim sistemin e kësaj bote. Zbulesa 17:8 tregon se emrat e tyre «nuk janë shkruar në librin e jetës». Logjikisht, emri më i shquar i shkruar nga Jehovai në librin e jetës është ai i Përfaqësuesit kryesor të jetës, vetë Birit të Perëndisë, Jezu Krishtit. Mateu 12:21 thotë: «Njerëzit do të shpresojnë në emrin e tij.» Sakrifica shpërblerëse e Jezuit garanton jetë të përhershme për të gjithë ata që ushtrojnë besim në të. Ç’privilegj është që emri ynë personal t’i shtohet atij të Jezuit në atë rrotull!
22. Cilat veçime do të jenë të dukshme kur Jehovai të ekzekutojë gjykimin?
22 Si do t’ia bëjnë shërbëtorët e Perëndisë gjatë gjykimit? Jehovai përgjigjet tek Malakia 3:17, 18: «Unë do t’i fal, ashtu si e fal njeriu birin që i shërben atij. Atëherë do të shikoni përsëri ndryshimin ndërmjet të drejtit dhe të pabesit, ndërmjet atij që i shërben Perëndisë dhe atij që nuk i shërben atij.» Ndarja do të jetë e dukshme për të gjithë: të ligjtë të ndarë për shkatërrimin e përhershëm dhe të drejtët të miratuar për jetën e përhershme në zotërimet e Mbretërisë. (Mateu 25:31-46) Kështu, një turmë e madhe personash ngjashëm deleve do të mbijetojë ditën e madhe dhe të frikshme të Jehovait.
A të kujtohet?
◻ Cilat gjykime ekzekutoi Jehovai në kohët biblike?
◻ Çfarë paraleleje ekziston mes kushteve të sotme dhe atyre në kohët e lashta?
◻ Çfarë pastrimi ka ndodhur në për-mbushje të profecisë së Malakisë?
◻ Emrat e kujt janë shkruar në librin e kujtimit të Perëndisë?